Miku im, Aristidh Kolja

                                              PËRKUJTIMORE

 

aristidh-kolja-foti-cici
Aristidh Kolja dhe Foti Cici (Shkurt 2000)

 

kumton-aristidh-kolja
Aristidh Kolja kumton temën “Kontributi i arvanitasve në Kishën Ortodokse” 

 

MIKU IM, ARISTIDH KOLJA

U bënë 17 vjet qyshkur mbylli sytë autori dhe personaliteti i shquar arvanitas, Aristidh Kolja: 11 tetor 2000.

Ka shumë që kanë shkruar e shkruajnë për jetën dhe veprën e A. Koljes, disa me dëshira të mira e të sinqerta, e të tjerë për ta përdorur për interesat e tyre personale e klanore, prandaj dhe unë do të kufizohem sot përmbledhtas vetëm në lidhjen time me të, duke shpresuar të shkruaj më gjerë në të ardhmen.

Shtatë muaj mbas largimit tim nga Greqia për në Amerikë (23 mars 2000), një nga miqtë e mi student asokohe në Athinë (z. Martin Kuka), më njoftoi me email lajmin tronditës, duke më kërkuar ndjesë se do të më lëndonte. Vërtet, më kujtohet se sa dhimbje e vetmi më shkaktoi, jo vetëm se vdekja e tij ishte e parakohshme, por se kisha humbur një njeri që më donte dhe e doja sinqerisht, edhe pse njohja dhe takimet me të zgjatën vetëm një vit.

Ky ishte reagimi im fillestar, si i ri dhe i vetëm atëbotë në Amerikë. Më pas mendova se humbja ishte e shumëfishtë: arvanitasit kishin humbur një nga përçorët e tyre më me zë, por dhe shqiptarët humbën një nga dalëzotësit e tyre në Greqi.

Për arvanitasit Aristidh Kolja konsumoi gjithë jetën e tij, ndërsa për shqiptarët e rinj rrezikoi qetësinë dhe interesat personale e familjare, duke u keqkuptuar e përgojuar botërisht, deri në izolim e përndjekje, e madje deri në humbje fizike, pavarësisht nëse sëmundja e tij vdekjeprurëse kishte shkaqe të dyshimta, apo erdhi si pasojë e stresit dhe traumës shpirtërore.

E njoha aty nga pranvera e 1999-ës, me sugjerimin e mikut tonë të përbashkët, Prof. Nasho Jorgaqi, i cili më nxiti të shkoj dhe ta takoj. Isha kthyer atëherë në Greqi, mbas dy vjetësh në Angli, tek po përgatitesha të themeloja Lidhjen e Shqiptarëve Ortodoksë në Greqi “Shën Asti”, ndërsa kisha nisur doktoraturën në Universitetin e Athinës mbi përkthimet liturgjike të Fan S. Nolit.

Qysh kur u takuam për herë të parë, patëm një përafrim shpirtëror e përpuqje mendimesh, edhe pse ishim të ndryshëm, gjë lexohej në fytyrën e tij fisnike, duke shpërndarë vazhdimisht buzëqeshje e mirësi. Bisedonim pa drojë, sikur njiheshim prej vitesh, duke shfletuar libra, nëpër tema shqiptaro-greke. Shpesh ndalej e më shikonte me një dashamirësi prej bujari, e më thoshte: “Si s’u takuam më parë, vre Foti? Je kaq vjet në Athinë”.

Zyra e tij ishte një dhomë pune, rrethuar me libra e arkiva, ku lëvronte në kompjuter një njeri i palodhur dhe i mrekullueshëm, ndërsa dera ishte e hapur për të gjithë.

Atje u njoha me njerëz të mirë e emra të nderuar, si autori dhe përkthyesi i paharruar Spiro Xhai, një plak zemërbardhë që punonte çdo ditë me përkthimet e tij, duke pirë kafe brenda McDonalds në sheshin Kaningos, ku shkoja dhe e gjeja mbasditeve.

Në bujtinën e Koljes takova dhe autorë të tjerë shqiptarë, si poeti Kristaq F. Shabani, por dhe autorë arvanitas, si arkimandriti At Ioannis Paulos Apostolopoulos, e të tjerë.

Një herë e pyeta se a i pëlqente kur ia shkruanin mbiemrin shqip “Kola”, por ai ma ktheu: “Jo, se mbiemri im ka j-në”, ndërsa ngriti gishtin tregues në shenjë grepi duke qeshur.

Kur i thashë se kam ndërmend të organizoj shqiptarët ortodoksë në një shoqatë, me shpresë për të hapur një kishë për ta në Athinë, hapi sytë, sa me habi aq dhe me admirim, duke buzëqeshur: “Si, si? Të lumtë! Si mund të ndihmoj?”

Më vonë i kërkova të na përgatisë një kumtesë mbi kontributin e arvanitasve në Kishën Ortodokse, gjë që e bëri dhe e paraqiti me dinjitet para Lidhjes sonë më 6 shkurt 2000, e cila është botuar tashmë nga autori Arben Llalla, në librin e tij mbi Aristidh Koljen.

Kur shkova t’i uroj Vitin e Ri, qëlloi që trokitën në zyrë disa fëmijë për t’i kënduar “kalandat”. Mbasi mbaroi i pari, filloi dhe i dyti, një fëmijë zezak. “Lere të këndojë dhe ai”, tha, dhe kur vogëlushi këndoi vargun, “I zoti i shtëpisë, shumë vjet të rrojë!”, Kolja u përlot, gjithmonë në buzëqeshje. Mbasi iu dha të hollat vogëlushëve dhe i përcolli, lexoi një pikëpyetje në fytyrën time. “Nuk jam mirë”, psherëtiu, por e ndryshoi menjëherë bisedën.

Në bisedat tona flisnim edhe për dëshirën më të zjarrtë të shqiptarëve: Urrejtja dhe lufta kundër njëri-tjetrit, në shumicën e rasteve pa shkak dhe pa arsye. Flisnim se si shqiptarët ishin të parët që iu bëjnë luftë projekteve shqiptare, me shkas Lidhjen Ortodokse në Athinë, se si shumë shqiptarë shpreheshin kundër hapjes së një kishe shqip në Athinë, edhe pse Kryepeshkopi i Athinës Kristodhulos e kishte miratuar.

Në një rast, një aktivist arvanitas u shpreh dhe ai kundër shoqatës sonë, madje me nerva e mllef, duke pasur me vete edhe një grup emigrantësh shqiptarë, në shumicë komunistë e myslimanë. Por Kolja i dha një përgjigje gojëmbyllëse: “Po ti kur ishe në Gjermani, pse shkoje në kishën greke dhe në shkollën e komunitetit grek atje? Edhe Foti këtë do të bëjë për shqiptarët këtu. Kishë dhe komunitet!”

Kur Lidhja u detyrua të shpërbëhej, në fund të shkurtit 2000, u takova me Aristidhin dhe i thashë se më duhet të largohem nga Greqia për në Amerikë, përderisa bursën për doktoraturën ma kishin ndërprerë, ndërsa viza që kisha për në Angli kishte skaduar. “Po të duash, tha, shkojmë bashkë në Thivë e të takohemi me Mitropolitin, të të bëjë prift atje. Jeronimi është arvanitas dhe besali.” Por unë ngurrova.

Në fakt, e kisha takuar Hirësi Jeronimin në vitin 1994, tek zyrat e sinodit, kur bëja një emision të përjavshëm shqip në radion kishtare. Qëlloi që u futëm në ashensor bashkë dhe sapo më hodhi sytë, ai më foli shqip menjëherë, por unë nga hutimi dhe frika e atëhershme ia ktheva greqisht. Kisha humbur një rast të lidhesha me Kryepeshkopin e sotëm të Greqisë, njëherësh mik i Aristidh Koljes!

Aristidhi u përpoq të më ndihmonte me kontaktet e tij. “Dikur ishte një vajzë e mirë që punonte në ambasadën amerikane dhe vinte në veprimtaritë tona, por nuk e di ku gjendet tani, tha. Është dhe një shqiptar në Boston që më ka shkruar dikur, Sejfi Protopapa. Por nuk e di nëse mund të na ndihmojë nëse shkon atje, sepse ai më kërkoi që t’i bëjmë luftë Anastasit, por unë nuk e pashë të udhës të përzihesha. Megjithatë, shkrova një letër për ty, përktheje shqip dhe ma jep t’ia dërgoj me fax këto ditë”. E përktheva dhe ia dhashë.

Kur profesori im i doktoraturës më dha një letër rekomanduese për ambasadën amerikane, shkova dhe aplikova menjëherë. E mora vizën brenda javës, në fillim të marsit 2000, dhe shkova të takoj Aristidhin. U gëzua, por dhe u mallëngjye, dhe e shprehu: “Thashë se do të të kisha këtu, por në Greqi është mirë për ata që nuk kanë gojë.”

Më ftoi të shkonim për darkë. “Merr dhe Dhimitrin”, tha. Shkuam së bashku me mikun tim Dimitri Lalushi, një arbëror nga Stambolli me origjinë përmetare, në një tavernë që frekuentonte Aristidhi. Më kujtohet kur do uleshim, na bëri të qeshim: “Unë do ulem me shpatulla nga muri, tha, se dua të mbroj krahët”.

Ishte një nga netët e mia të fundit në Athinë; e këndshme, por emocionale. Kur u përshëndetëm në fund, më hodhi një shikim me buzëqeshje, por paksa ndryshe, gjë që nuk munda ta lexoj atëherë. Ishte lamtumira e një miku!

E njëjta buzëqeshje e ëmbël dhe fisnike më shoqëron dhe tani që po shkruaj këtë përkujtimore të miqësisë sonë, për njeriun i mirë e idealist që vuajti si “Aristidhi i drejtë” i lashtësisë, në një botë të zhdrejtë ballkanase.

I përjetshëm i qoftë kujtimi!

P. S. Për hir të historisë, bashkangjis dokumentat e mëposhtme:

PROF. DR. GRIGORIOS STATHIS – LETËR AMBASADËS AMERIKANE

ARISTIDH KOLJA – LETËR SEJFI PROTOPAPËS

 

Viza amerikane_0001

Viza amerikane 2_0001

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s