Shën Kozmai dhe Naim Frashëri

Përhitja shtatëshpirtëse e Pallatit të Kulturës në Përmet, dhe pikëpyetja kërcënuese që e qerthullon e i shumon këtij hijet herë njerëzore e herë hyjnore – tempull kulturor a faltore ortodokse – verën e kaluar na robëroi të jemi përsëri bashkëjetues të paradoksit në diskursin shqiptaro-grek, të ngecemi në dilemat që sendërgjia di të pjellë vetëm, të pafuqishëm prapë për t’i bërë bisht fatit të dëshmimtarit të gjallë; në histori që i pandehnim të vdekura!  

Të çiltërit do të përfytyronin sot pajtimin e papajtueshëm të dy figurave hijerënda të së njëjtës perandori, me dhe pa kombësi, kolona të mermerta në dy kultura të reja kombëtariste: Kozma Etolosi dhe Naim Frashëri! E pse jo?   

Ashtu si ajiografët na paraqesin ikona dyshe, me shenjtorë që njiheshin a s’njiheshin me njëri-tjetrin, që ishin takuar a s’ishin takuar kurrë, që ndonjëherë madje kanë jetuar shekuj larg shoshoqit, por që kanë qenë afër në diçka frymore, edhe sot e atillë pamje m’u shfaq: një vepër në studion e ajiografisë, në ngjizje e sipër, krah veprave të tjera në bashkëvijim atje, ku shquhen mirë dy burra gjëmëmëdhenj, shëmbëllesave të të cilëve iu mungojnë ende shkronjat mbi kryet e hirta; me një harresë të imponuar nga vetë mungesa e shkronjave. Sepse punët e mëdha të kombeve ballkanase janë në proces.   

I pari burrë perandorak, më shumë grek, lëçiti e lëvroi kryq e tërthor në rajon, me bëma e çudira të mëdha. Herë-herë, njerëzorja i ngriti krye mbi hyjnoren, aq sa e fryu të prishë edhe tempuj, për t’i shndërruar në shkolla të kulturës greke – në trevat shqipfolëse të Perandorisë Otomane, të cilat treva herë fqinjësonin e herë ishin bërë njësh me simotrat greqishtfolëse; të së njëjtës perandori të hyjmbrojtur.   

Kur vendorët ortodoksë, shqiptarë e grekë, nuk e fshehën dot drojën ndaj hyjnores tejkaluese dhe ngurruan të prishin kishën e shënjuar me bastun nga oshënari, dëftori u bë djalë e u qep vetë mbi çati dhe nisi të rrënojë tempullin e Krishtit, nga njëra anë duke ruajtur syçeljen për të mos rrëshqitur e rënë, dhe nga ana tjetër duke u dëfryer në syshqyerjen e besëmirëve habitorë… Paradoks në ortodoksí, apo pararendje e 1967-ës?   

I dyti burrë perandorak, më shumë shqiptar, i polli plot mendja dhe huajti mjaft nga hyjnoret për të na trashëguar siç deshte njerëzoret. Kur Baba u sëmur e u shfis, le t’i mallkojmë kalin, tha; le të fisnikërojmë subjektet, të zhvendosim qendrën e humbur: me estetikë e poezi. Iu buzëqeshi bashkëkohësve të tij si prift, por shkroi në letërsinë përlindëse si kryeprift. Prandaj dhe Kristoforidhin e trajtoi përdëllyeshëm si dhjakon të tij, sidomos kur i lexoi Psallmët (poezitë) e Davidit…   

Poeti mysliman ishte ndriçimtar e pagëzor në rajon, madje aq i shpenguar në jetëshkrimin e tij, saqë nuk kishte pse ta dridhte, siç bëjnë pasardhësit e tij fisnikë sot, por e këndoi fenë e vet për gjithë shqiptarët. Sepse, ndërsa në letërsi lejohen parashikime me mendje, atje ku falen më lehtë gabimet, në fe zbërthehet zemra, lëçitet e lëvdohet besimi pa parashikime, duke ia lënë të Epërmit rrjedhën e historisë së afërt; dhe tok me të edhe përgjegjësinë e rrëshqitjet e shërbëtorëve të Tij.   

Përqasja kulturore e dy rilindasve sivëllezër të rajonit të përzier, të cilët kanë kaq ngjashmëri frymore, prandaj dhe tok sot në një tabllo imagjinare, do të ishte më vëzhgimore nëse mërgohemi në kohë a në hapësirë, për të dalë nga skemat spirituale mbizotëruese; jashtë Ballkanit. Nga ana tjetër, Shën Kozmai është aq i rrënjosur në Shqipëri, saqë nuk ka nevojë për Naim Frashërin. Misionari grek është kthyer në një nga simbolet e mitologjisë shqiptare, një mit i ngurtë bashkekzistues, i cili u mbijetoi të gjitha miteve rajonale, si dhe çmitizimeve të ideologjive tona. Luajtja e këtij miti, nuk është lojë e lehtë. Përse vallë? 

Kozma Etolosi është bërë njësh me tokën tonë, pikërisht se veprimtaria e tij në Shqipëri ishte një mision i nxitur dhe i bekuar institucionalisht nga myslimanët, të cilët jo vetëm që ia bënë të mundur në praktikë atë mision perandorak me pasoja afatgjata nëpër shekuj, por i ndërtuan madje edhe kisha mbasi e vranë, para se t’ia bënin vetë grekët! Sundimtarët vendorë (shqiptarët myslimanë) i detyruan atëherë të krishterët shqiptarë të punonin falas në ndërtime, e të dhuronin të holla për të ndërtuar kishat e para me emrin e Shën Kozmait. Dhe kjo u përftua me dhunë! Kujtoni dekretin e Ali Pashës: “Ata [kaurë] që nuk do të japin me dëshirë, do të japin dyfish me forcë”. 

Le të kujtojmë pastaj se në predikimin e tij shën Kozmai iu lëçiste të krishterëve se pushteti i turqve ishte dërguar si bekim nga Perëndia për të shpëtuar ortodoksët nga Perëndimi dhe Papa, “të cilin duhet ta mallkoni”. Kujtoni pastaj se si pushtetarët myslimanë (shqiptarë) e thërrisnin atë në të gjallë “hyjnor Kozmai”, shumë më parë se t’ia njihin shenjtërinë vetë grekët! Sot myslimanët mashtrojnë se Ali Pasha e quante shën Kozmain “xhaxha”, duke luajtur me të njëjtën fjalë greqisht (θείος), e cila ka dy përkthime sot, së pari “hyjnor”, dhe së dyti “xhaxha”.  

Me këto thërrime rajonale, shquajmë paq se sipërmarrja e disa klaneve myslimane në Shqipëri dhe në SHBA kundër shën Kozmait së fundi, me motive të zhveshura përfitimi elektoral, nuk na thotë asgjë të re. Këto pisllëqe të tyre na kujtojnë edhe një herë pabesitë dhe krimet e shqiptarëve myslimanë ndaj shqiptarëve ortodoksë; fenë dhe misteret e shqiptarisë…     

                                                                                       *  *  * 

Pallati i Kulturës në Përmet, kaq i vogël dhe kaq i madh njëherësh, trajtohet parësisht si pikë mitologjike nga të dy palët. Nga ana e përtejme, Përmeti është njehsuar në ndërgjegjjen e re greke me një betejë të madhe, me humbje të mëdha grekësh, me një përligjje të merituar në hartën heterotopike, atë jo territoriale. Nga ana e këtejme, gjërat kanë shkuar kaq mbrapsht, si pasojë e bjerrjes grupore, saqë shqiptarët, për të shmangur përgjigjet e vështira në bisedat ndëretnike, kanë nevojë për hije të gurta, të cilat, përderisa nga vetë natyra nuk janë të luajtshme, të vazhdojnë të kumtojnë në vend të tyre. Gropat e heshtjes iu paracaktojnë shqiptarëve përzgjedhjen e temave shqiptaro-greke. Çfarë ndodh kur bien këto monumente? 

Psikologjia mitbërëse e shqiptarit të pasdiktaturës ndërton mbi ndërtesën e mitit, sesa në gërmadhat e tij. Kur rrënohen mitet, krijohen kriza që zbërthejnë natyrën e pandërlikuar të shqiptarit të sotëm, i cili është mëkuar të mos flasë para se të ndodhin gjërat, sidomos për ngjarjet e pashmangshme, siç janë impulset dhe vdekja. I mëkuar si kafshë biologjike (gjallesë ateiste = burrë shqiptar), ai i ka të martuara emocionet dhe përderisa mitet i ushqejnë impulse të forta realizimi grupor, sot jemi në krizë!     

Gjithsesi, përderisa Naim Frashëri është një figurë përlindëse për shqiptarët, siç është Kozma Etolosi për grekët e rinj, përse të mos mësojmë nga historia e rajonit? Sepse, pyesim, përse shën Kozmai kishte guximin për të prishur tempuj, me motive të kthjellëta politike, dhe shteti shqiptar nuk paska fuqi të mbrojë një tjetër shkollë kulturore, siç i kemi përjetuar ne pallatet e kulturës në Shqipëri. Së dyti në këtë mbrojtje, le të themi përsëri se Naim Frashëri është një nga pikat mitologjike të rajonit tonë, e cila figurë, për shkak të pozitës gjeografike, flet shumë herë në vend të shqiptarëve, sidomos sot kur ata nuk e fshehin dorëzimin e tyre grupor.  

Dihet përmasa kulturore e ortodoksisë, domethënë lidhjet e saj mishërore me teatrin, poezinë dhe muzikën, prandaj dhe pyesim: Çfarë tjetër është më afër kishës bizantine sesa një shtëpi kulturore në Jug të Shqipërisë? Ndërsa deri dje kisha greke mallkonte gjuhët jo të lashta, si greqishten e re, shqipen, e të tjera të folme të perandorisë osmane, sot ato herezi të kishës greke janë shlyer. Shqipja është e barabartë sipas të gjithave me greqishten dhe me çdo gjuhë të famshme a shumë pak të famshme.  

Lëvizjet e matura për të ndryshuar simbolet mitologjike në zonën shqiptaro-greke, në këtë rast duke zhvendosur Naim Frashërin nga një pozitë gjeografike, në një hapësirë heterotopike, do të ishte më mirë të bëheshin në mënyrë paralele. Duke studiuar historinë e dy kombeve të reja në rajon, sidomos në raport me perandorinë e përbashkët në të kaluarën, duket kthjellët se e mira mbretëron tej e përkëtej kufirit shqiptaro-grek. Ashtu njësoj dhe e keqja. 

Jemi dëshmimtarë se këta dy vjet Përmeti po përdoret si pikë zjarrmatëse në jug të Shqipërisë. Përzierja në këto histori e gjegjësve mbijetues të luftës së klasave, e personazheve me jetëshkrim terrori kundër shqiptarëve ortodoksë, e atyre myslimanëve që nuk dinë t’i fshehin ndjenjat e tyre ndaj krishtërimit, gjithë kjo përfshirje larmish e interesash në debatin kombëtar e kishtar njëherësh, pra, nuk mund të pakësojë të drejtën e Kulturës dhe fajin e Kishës në Përmet.  

Ashtu si shën Kozmai besonte se greqishtja e ngjiste shqiptarin në qiell, ne besojmë se shqipja dhe simbolet e saj duhen zhvilluar e përkryer, që të arrijnë standardet e dëshiruara. Me tempuj kulturorë do të kemi më shumë kisha. Me jetë kulturore do të kemi më shumë klerikë, sepse të rinjtë do të kenë më shumë raste për të zbuluar prirjet artistike, të cilat janë prirje mirëfilltas spirituale. Le të kujtojmë Nolin, por siç ishte, jo siç na e fytyroi letërsia jonë fallco nacionalkomuniste.  

Ku gjetkë, përveçse në një shtëpi kulture?    

[Foti Cici, 2007]

 

5 thoughts on “Shën Kozmai dhe Naim Frashëri

  1. Naim Frasheri eshte nje nga te paktat figura te muzeut shqiptar qe jepet e paster si kristal, gati jo njerezor. Edhe fotografite e tij, jane ato te intelektualit qe misheron gjithe nuancat e kohes, duke perfshire qendrimin dhe pozat, por edhe veshjen e mjekren. Te gjithe heronjet e tjere jane perfolur, bile edhe Skenderbeu, qe eshte 500 vjet larg. Naimit, me e shumta, i eshte perfolur poezia e tij, dhe kjo me tone shume dashamirese. Pse? Dihet pak per te, apo ky njeri eshte perlyer shume-shume pak me historine (ndoshta dhe asfare) dhe ka perfunduar ne piedestal gabimisht?
    Nuk e di pse, por une Naimin e kam me shume te gdhendur grafikisht ne koke sesa ne ndonje kontekst historik.

  2. Ndoshta të dyja: edhe që na është thënë shumë pak për të, edhe që nuk u përlye fare me historinë, të cilën, në fakt, u përpoq ta shlyejë duke propozuar fenë e tij për kombin “e tyre” imagjinar (jo real).

    Nëse shqiptaria do të shpallte shenjtorë, nuk besoj se do të gjente më të pranueshëm se Naimi.

    Kur shoh shqiptarët të ngecen sot, të sfidohen a të tërbohen, te sllogani “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, nënqesh kur më vjen përsysh imazhi “i gdhendur” i Naimit. Nëse unë jam i fundit shqiptar që qesh me atë shprehje, Naim Frashëri ishte i pari.

    Vërtet, a qeshte Naimi?

  3. Kushedi sa here kam pyetur te njejten gje. Bile, dyshoj, se poza e burrave te mepasem shqiptar eshte vjedhur nga ai (dhe vellai i tij me shpuren e tij te ideve). Te gjithe namuzqar dhe asnjehere me buzen ne gaz ne publik. Bile edhe intelektualet e sotem. Te rende dhe te identifikuar vetem me idete e tyre, monumente te gjalla.

    Bile dyshoj se edhe pozat burrerore qe realizmi socialist i ka vene Skenderbeut reflekton kete lloj inspirimi. Sepse, kush ja pa fotografine Skenderbeut?

    Te pakten, Naimi ka nje veshtrim te qete, sikur nuk ka asnjelloj medyshje prara kokes, asnje lloj paranoje. Seriozitet i qete (qe gjithmone me ka beje te mendoj se ai eshte fare gabimisht ne histori). Sot, monumentet e gjalla kane nje veshtrim qe buron vetem armiqesi, dyshim e paranoje. Do kisha deshire te hyja njehere ne kokat e tyre e te shikoja e degjoja se cfare gelon aty brenda. Por, ndoshta, nuk ka ndonje ndryshim midis brenda dhe jashte.

    A qeshte xhaxha Kozmai?

  4. Ndoshta Naimi është i qetë në foto se ishte paqësor si fetar i thellë që ishte. Të paktën kështu duket në shkrimet e tij. Ishte dhe tuberkular, gjë që e bën më “metafizik”, ndoshta. Më kujtohet kur lexova i vogël se Naimi kishte punuar edhe në portin e Sarandës, për arsye klime nga tuberkulozi, nuk mund ta besoja. Ai port atëherë ishte një pikë në asgjëkundi, me disa baraka, se Saranda s’ishte as fshat atëbotë. Nuk mund ta besoja se në mendjen time Naimi ishte më mitiku i shkrimeve.

    Sa për shën Kozmain, ai qeshi vetëm një herë, fare vetëm, kur mori fermanin nga Sulltani për të predikuar në Epir.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s