Pushtet e abuzim në kishë

Skandalet në hierarkinë greke kanë shkaktuar një krizë të paparë në historinë e Kishës së Greqisë. Të gjitha çka thuhen sot publikisht, veçse, ka vite që përtypen në rrethet kishtare. Gjithë kjo dëshmon zvetënimin e strukturave vetëpastruese të një institucioni që vetësupozohet i qashtër, por dhe pafuqishmërinë për të vepruar. Thjesht, besimtarët prisnin këtë vetërrënim të abuzimit, qarkimin e plotë të paudhësisë, atëherë kur e keqja bymehet kaq shumë, saqë nuk nxen më e nis vetvetiu të përhapet, duke thirrur me zë mali gjenealogjitë e ujdhesave të turpit.       

Nëse s’harrojmë ato veçori të mendësisë jugore mbi çështjet e politikës së jashtme, a mund të shpresojmë për përzbardhje pa kufij të korrupsionit kishtar? Ky vlerësim zhgënjyes do të thotë se shumëfishi i kallëzimit nuk mund të sigurojë zgjidhje rrënjësore në kishën ortodokse, përveçse zgjidhje kompromisi, për t’i kthyer besimtarët tek tkurrja stoike e përjetimit, tek durimi e pritja për një bymim e shpërthim tjetër të së keqes, pa ditur se kur e ku…     

Përderisa sendëzimi i planeve abuzuese përfshin e përdor shpesh punëtorë kishtarë me tendenca bindjeje ndaj një eprori, i cili mund të ketë dhunti të shfaqet e të veprojë si “ëngjëll drite”, situata e sotme ngre pikëpyetjen e pushtetit kishtar; thelbin, përmasat, përdorimin dhe shpërdorimin e tij. Kisharët dhe besimtarët duhet të kujtohen se bindja në kishë ka caqe. Kur këto caqe cënohen, ndërgjegjësimi i të krishterit duhet të zëvendësojë verbërinë e nënshtrimit.      

Bindja si nënshtrim kulturor     

Në krishtërimin lindor vizioni i kishës është përkufizuar nga bindja se ajo duhet të jetë “pa njolla a rrudha”. Ka raste kur punëtorët e kishës i dorëzohen pasioneve të një pushteti tjetër, prandaj dhe i imponuar tek ne me çdo mjet, e madje gjer në fund. Një nga pikat që çojnë në reagim është përsiatja mbi administrimin e pushtetit, për të kundërshtuar përmasat tejfetare që ka marrë abuzimi, mbrojtur nga bindja si vlerë e shpërdoruar në spiritualitetin ortodoks.       

Në gjithë literaturën e spiritualitetit ortodoks, bindja është cilësuar si “e para ndër virtyte”. Këtu kapen e s’kapen kurrë pushtetarët, sidomos në vende ku ekzistojnë rrethana mosbindjeje, duke krijuar situata tejepërtej klinike, të cilat mund të përshkruhen nëpërmjet psikologjisë, veçanërisht në lëmin që studion kultin e prijësit dhe teknikat e manipulimit të mendjes së besimtarit. Të bindesh në kishën ortodokse nuk do të thotë të nënshtrohesh nën vullnetin e një kleriku që është më i fuqishëm; është të dëgjosh e të presësh nga Zoti. Të dëgjosh mbi të gjitha zërin tënd të fisnikëruar. Por dëgjimi dhe heshtja është dhe për atë që ushtron pushtetin.  

Pushteti spiritual shpesh shprehet me breshëri fjalësh, sentencash, sibilizmash, e në të njëjtën kohë me sharje, shpifje, sendërgjime e kërcënime, duke penguar qetësinë ku zbulohet realiteti tek i cili është përkushtuar dikush. Suksesi i pushtetit kishtar duhet shkodizuar në termat e shërbesës fetare e jo të dominimit kulturor.     

Simbolika e fjalës “shërbëtor” nuk është përkthyer kurrë si robëri. Sepse kisha nuk ka nevojë për skllevër. Pushteti kishtar nuk përkufizohet, por as kufizohet, në një urdhër a individ. Për më tepër, nuk mund të jetë vartësi ndaj miteve të arnuara në gunën e fqinjit. Administrimi i ndershëm i pushtetit mishërohet si nënshtrim i ndërsjelltë dashurie, dalë nga pjesëmarrja e përbashkët në fe, e jo në marrëveshje a mosmarrëveshje jashtëkishtare. Nënshtrimi kulturor që ushqen kisha greke, po provohet për brezin tonë si një shtrembërim i mësimit ortodoks.   

Pengu i dëlirjes së lirisë      

Edhe pse liria është privilegji thelbësor që vetëm qenia njerëzore zotëron, pushteti kishtar shpesh manipulohet. Doktrina e “vdekjes së vullnetit” keqshpjegohet sa herë që besimtari ngre krye drejt vetënjohjes, e cila mund ta çojë atë në vetëvendosje. Ka raste kur sa më shumë të dijë mësuesi, aq më pak mëson nxënësi. Nevoja për të predikuar është përdorur shpesh këto vite për të bekuar mjete kategorizimi. Klerikët manovrojnë herë-herë shpirtrat e atyre që iu besohen, duke gjetur për secilin një doktrinë të përshtatshme “spiritualiteti”.

Ekzistojnë njerëz me tendenca nënshtrimi, të cilët kur inicizohen në marrëdhënie abuzimi, jo gjithmonë përpiqen të shërohen, e disa herë nuk duan të çlirohen. Subjektet e një nënshtrimi të tillë përdoren kur kryhen ndërthurje, në një skemë me nevojën ekonomike, gjysmëditurinë, por dhe kiminë ndaj kolegëve. Sa mund të zgjasë një lojë e tillë? Rëndom loja nis në rrethana “të përkohshme”, ndërsa ka raste kur bashkatdhetarët jetojnë vetëm për të provuar cilësinë e përzgjedhjeve të mëparshme, edhe sikur bota e kultivuar të jetojë për të bërë të ndërsjelltën.

Imazhi i mendjemanipulimit plotësohet nëse marrim parasysh rrethanat private të pjesëmarrësve, sidomos në lidhjet e tyre shumë personale me klerin. Por të dy palët duhet t’i kujtojnë njëri-tjetrit se rrëfimi i pasioneve nuk mund të përdoret si peng a shlyerje për investim të ndërsjelltë. Spiritualiteti i shëndoshë ushqen vizion dhe veprim, gjë që duhet të zgjojë sidomos priftërinjtë. Shumë herë krijohet përshtypja se hierarkia është ajo që ruan balancën, por pa priftërinj nuk mund të kemi as peshkopë e as besimtarë. Në kësi rastesh bindja është ajo që duhet t’i bindet intuitës.

Në një situatë të kontrolluar kaq mjeshtërisht, nxitësi i një konflikti brendashqiptar mund të ndihet kaq i lartësuar, saqë nuk e sheh të udhës të zbresë një shkallë më poshtë. Prandaj dhe nuk mund të tolerohen kritikat e vdekatarëve. Në një mjerim të tillë Zoti i shqiptarëve është burgosur në “qiellin e tretë”, nga ku nuk mund të zbresë e të bekojë shqipot, sepse i duhet të kalojë gjithë këto nivele njerëzore. Mbi të gjitha, i Epërmi duhet të sfidojë të dërguarin, të cilit i druhet se mos ia kthen: “Zot, je i përkohshëm në Shqipëri!”

Intuita e dhuntitë që ka secili prej nesh, duhen përdorur sa herë që shquajmë abuzimin e pushtetit kishtar, për të mos u fundosur atje ku ndodhet kisha greke sot. Kjo duhet bërë ndoshta dhe për faktin se shqiptarët ortodoksë, duke pritur të ngjiten në pagabueshmërinë e një “shenjtori” të importuar, harrojnë të kërkojnë diturinë hyjnore dhe bindjen e vërtetë biblike, e jo atë institucionale të fryrë nga “juga e bardhë”. Vetëm me këto bindje kisha ortodokse mund të bëhet më pak politike, më pak nepotike, më pak e korruptuar, më e dobishme, pra, për shërbesën e saj ndër shqiptarë.   

Foti Cici (Shekulli, 19 shkurt 2005)                           

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s