Nxonitja e të zezës në të kuqe

 (Një “lajthitje” mbi flamurin)

Ka tre raste në historinë e flamurit tonë. I pari ishte Shën Kostandini; e dimë historinë. Rasti i dytë ishte me Shën Ambrozin, i cili para se të shkonte në luftë e hoqi shkabën nga flamuri dhe shpërtheu: “Hidhe shikimin tënd mbi ne, o i Hyjshëm … sepse flamuri ynë nuk ka shkabë…” Siç duket nga vetë fjalët e tij, këtë e ka thënë për të përfolur arbërorët që kërkonin shtet. Ndërsa rasti i tretë, por jo me domosdo i vërtetë, është pro nesh. Perandor Juliani, me gjak shqiptari duhet të ishte, por që nuk duhet përmendur se nofka atij iu bë mbiemër (Paravatis-ligjshkelës), e rehabilitoi Shkabën në flamur dhe e shkeli Kryqin. Për terc ai e humbi luftën dhe kur nxorri shigjetën nga gjoksi iu mbush pëllëmba me gjak, dhe mbasi e përndau në ajër tha: “Nazarin, më munde”, dhe vdiq. Ka qenë çasti i fundit dhe s’dinte se ç’thoshte…

 

Sidoqoftë, për ne ai shenjohet si kryeshenjë nënshenjash të mbishenjshme dhe pa sherr sheshi i shestuar me shushurimën e tij shëlbon shembjen e shurdhit shekull. Çfarë?

 

Gjuhëtarët tanë nuk kanë pse merren me etimologjinë e tij – se qysh e tek erdhi fjala “flamur” – se nuk e kanë bërë të huajt më parë, që të ulen ata pastaj e t’a ndreqin. Thonë se vjen nga fjala “flamë”. Gjuhëtarët e huaj, që e flasin shqipen si aman o Zot, thoshnin se populli i tyre ishte i flamosur dhe përderisa flamurët bëheshin për luftëra, ata e pranuan këtë fjalë që të fitonin.

 

Grekët thonë se fjala në Bizant ishte “lavaro(n)” dhe shqiptarët e vodhën duke shtuar dy shkronja e duke e bërë v-në “f”, dhe jo “b” siç e donte shqipja. Adademia e Shkencave, në vitin 1997, nga frika se mos shkonte në ferr gjithë puna shumëvjeçare, nxori përfundimin e mëposhtëm: “Problemi ishte dhe do të jetë tek shkronja e parë, tek f-ja, sepse pjesa tjetër është e pranuar nga të gjithë ne: “e la tek muri”. Kryetari i Akademisë, i cili ishte dhe këshilltar i Gospodarit të Tiranës, i kërkoi atij për të bërë një përshpirtje mbi varrin e Eqrem Çabejt, për të nxjerrë etimologjinë e flamurit kuqezi, por s’doli gjë, edhe pse ky i fundit ia bëri në sanskritishte.

 

Flama e flamurqepësit, flakëritjet e flamurhedhësve, flakadani i flamurmbajtësve, ftilluesi i paflashkët… E zezë në të kuqe. Jo?

 

E zeza e shkabës mund të vidhet lehtë në Internet sepse ka kaq të zeza në mbretërinë e grafikëve saqë është e pamundur të provohet kjo përzgjedhje ngjyre. S’të kapin dot. Ndryshon puna me të kuqen. E kuqja e flamurit shqiptar është ndryshe nga shumë ngjyra të kuqe. Plus që ata vënë dhe hile tek përmasat dhe ndonjëherë tek rrudhat që nuk i kap dot çdo sy. Një sy mesatar mund të dallojë katër ngjyra të kuqe. Po s’e kap dot me sy të parë, vur pak të zezë përbri. Grafistët thonë se e kuqja shqiptare ka pak të verdhë, gjë që e bën pak më të zezë (Nuk e di me saktësi nëse kjo është arsyeja që fillimisht drapëri me çekan, dhe menjëherë më pas ylli, kishte kornizë të verdhë; komunistët ishin intuitivë me të kuqen).

 

Sekreti është se kur printohet, duhet të dallohet nga të kuqe të tjera, përndryshe s’ta blejnë shqiptarët. Nëse shumë flamurë shqiptarë duken si rozë, kjo është se janë prodhuar mbas viteve 90 në Shqipëri. Syri i tyre nuk e dallon dot të kuqen dhe ata janë të bindur se e kuqja është vetëm një. Konflikti është mbi dialektikën se deri ku arrin e shenjta e flamurit. A duhet të flaken flamujtë me të kuqe të pagoditura? Shumica nuk guxon t’a bëjë këtë, prandaj dhe presin që të vdesin ata, për të pasur flamurë me të kuqe origjinale. Është më pak e dënueshme të plaçkitësh një kishë sesa të flakësh një flamur me ngjyrë të kuqe të papikasur. Thonë se sot në Shqipëri nuk mund të përftohet dot e kuqja e flamurit shqiptar, sepse nuk ka sy që mund të shquajë vullnetarisht nuancën midis këtyre të kuqeve. Ata thonë se midis së kuqes dhe rozës ka një vijë të padukshme dhe asgjë tjetër. Si rrjedhojë bezet e kuqe importohen posaçërisht të mbështjella në beze të tjera në të kuqe jo flamurtore.

                                                                                              *  *  * 


Shkaba ka një hije të mistershme edhe pse shikon gjetkë. Nuk ngjall dyshime se ka dy kokë dhe që të dyja shikojnë në kahe të kundërta, duke shpërndarë vëmendjen e hafies. Grafistët shqiptarë nuk kanë problem me gjininë e shkabës se dhe gjinia e tyre është pa gjini, prandaj dhe këta bëjnë përjashtime me shpezët që kanë dy kokë por një gjini. 

 

Të gjitha versionet e flamurit shqiptar bien dakord vetëm tek numri i këmbëve. Janë katër dhe me thonj të shprehur mirë në tokë. Thonë se sa herë që rikthehet gjakmarrja, bezja griset pikërisht tek thonjtë. Arnimi është një mbetje e komunizmit prandaj dhe flamurët e grisur i dorëzohen Organizatës së Gruas (Arnimi duhet të jetë njësoj i suksesshëm sa ai i çorapeve të Enverit). Dihet se ngulmimi i thonjve është kërcënues ndaj shpezëve të tjerë dhe aspak figurativ për pjesën tjetër të fisit. Ata nuk kanë piktura të tilla, por kanë këngë për t’u lindur e ngulur me thonj në tokë, edhe pse asnjëherë nuk e mbajnë fjalën. Kur betohen me thonjtë është më keq. Prandaj dhe asnjë nga të katër sytë e shkabës i shikon drejt në sy. 

 

E zeza mjafton të përvilet në njëzet e gjashtë krahë/pendë/bishta (18+18), para se të shestohet silueta e saj me shtatë bishta/pendë(3+3+1), dy kokë (dy për një) me dy qafë të pashpenguara me dy thekë në zverk. Këtu, tek thekët-rrudha, ekziston një mundësi e vogël  për variacion. Por jo tek imagjinimi i qafës. Ajo duhet të ngjajë me qafën si tek grafura mesjetare e Heroit Kombëtar. Duhet të jetë pak e mbajtur, si në gravurë, por jo e paralizuar; si mbas një traume automobilistike, gjatë procesit të fizioterapisë së qafës, dhe sidomos mbas ndërprerjes së parakohshme të seancave të domosdoshme. Pak e pjerrët, pak në dhimbje, por e pranuar në hiret e saj. Njësoj si tek gravura.

 

Problemi që nuk ka gjetur zgjidhje është tek gjuha, tek nofulla dhe tek buza e poshtme. Përshkrimi këtu mund të çojë deri në blasfemi, pa matur gjëmpimet që mund të shkaktojë tek pamorët. Detajimi psikotik çon tek përvjedhësit, sepse s’përflitet dot cilësia kompakte tek silueta e shkabës. Sidoqoftë, në shumicën e rasteve gjuha duket si një buzëhedhje e stërgjatur, harkimi i së cilës çon në trashëgimin e pasionit; fisnohet. Nofulla, e cila simbolizonte në të gjallë fuqinë dhe rezistencën, është bërë një me buzën e stërgjatur. Vetëm një sy i molepsur mund t’a pranojë gjuhën e stërgjatur si helmhedhëse. Në fund të fundit hidhet njësoj si nga Lindja ashtu dhe nga Perëndimi. Kjo është pika ku si Veriu ashtu dhe Jugu bien dakord. Asnjë nuk ka thënë se gjuhët e nxjerra kaq jashtë sillen tallëse.

 

Gojët e hapura i kanë kthyer krahët njëra-tjetrës si në një akt simetrie të përllogaritur, por pa kërkuar ndihmë gjeometrike. Nëse nuk je nga fisi i shkabës, mund t’a marrësh gojëhapjen si lajthitëse, edhe pse gojëhapja e saj është semiotike e jo siameze.

 

Për shumicën e pamorëve sytë e shkabës vetëm sa dallohen, për të tjerë nuk vërehen fare, sepse statusi i saj e tejkalon biologjinë e gabonjës. Shumë  kohë më parë ata duhet të dukeshin, por problemi qëndronte tek sfondi. Rrallë ishte i bardhë, më shpesh i zi, në disa raste i kuq dhe më pak fare i verdhë. Sytë më vete, pa pjesën tjetër të fytyrës vështirë të tregojnë sytë e vërtetë. Të hapur a të mbyllur? Duhet të jenë të tillë sa të duken të hapur, por jo sa të zvjerdhen fare, qoftë dhe zotërisht. Pak si të zgavëruar, por hirshëm si syri i një koke në profil, në atë gravurë. Ndoshta versioni me sy të bardhë e afron shumë me gravurën. Por shikimi nuk ka hapësirë për kaq zgavër. Sekreti është tek tejdukshmëria dhe mospërqëndrimi i kokërdhokut, sesa nga përmasat e tij. Prandaj dhe buzëqeshja gojëhapur duhet ngrirë në atë formë sa të mos përkthehet plotësisht dhe të ketë hapësirë për keqkuptime, për të provuar virtytin e përfolur.

 

Kjo mund të tradhtojë gjithë kombin e shkabës, se sytë e saj në flamur janë katër, dy nga para e dy mbrapa flamurit (Edhe fjala e urtë “bëji sytë katër” rrodhi që këtej). Sytë e shkabës nuk duhet t’a tradhtojnë.  Në disa versione koka mund të merret si prej breshke nëse sytë nuk pikasen mirë. Thonë se së fundmi Shqipëria sa vete e po zhgënjen me shpejtësitë e premtuara, prandaj dhe sa herë që gënjen kryeministri për numrat e saktë, njëmendshi koka e gabonjës lëviz vetë dhe trajtëzohet si prej breshke, derisa të harrohet gënjeshra. Thonë se kjo ishte arsyeja që kokët nuk mund të shikojnë përdrejt.

Sidoqoftë, ngjyra e qimeve nuk duhet të tregojë një shkabë të majme, si te ky versioni këtu. Flamuj me shkaba të majme bëheshin atëherë kur udha ishte e hapur për t’u majmur, por kur dhe etërit ishin të shëndoshë. Në mesjetë e majmja dëshmonte një lëkurë të shëndetshme, sepse shkaba  jonë nuk e kishte për fis të shtegtonte, sepse një nga arsyet që shpezët shtegtojnë është që të humbasin dhjamin.

Këshilli i Ministrave iu bënte thirrje shpezëve të adoptonin pa votime rrymën e Realizmit Socialist, me aq shtegtime sa parashikonte Lidhja e Shkrimtarëve, gjë që e solli flamurin me shkabën e sotme; e drobitur në flamur. Kjo është arsyeja që IK (Ikona e Kombit) nuk ka shtuar asnjë kile mbas hapjes jashtëqitëse të ambasadave dhe ikje-ardhjes nga Parisi.

Por sot kohët kanë ndryshuar dhe lëkura, edhe kur është e majme, ka qime më pak shndritëse si atëherë. Përdorimi pa vend i puros, nga njëra anë, dhe shtegtimet e paplanifikuara, nga ana tjetër, dëmtojnë shndritjen e qimeve.

  

Prandaj dhe flamurqepësit sa nxonisin aq dhe nxoniten; të zezat në të kuqe…

 

© Foti Cici (Bota shqiptare, dhjetor 2004)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s