Përkufizimet e përkatësive

Duke qenë një popull më i larmishëm se fqinjët, sidomos në pikëpamjen spirituale, shqiptarët e kanë të vështirë të formulojnë shqetësimet e tyre kulturore me terma bashkëkohorë. Ndërsa etërit e kombit-shtet dështuan të na trashëgojnë fenë mbarëshqiptare të premtuar, komunistët u gënjyen edhe më, paçka se mbetjet e ateizmit të institucionalizuar janë sot çastet më vendimtare në trazirat shpirtërore të shqiptarëve prej Shqipërie. Si rrjedhojë historike e gjithë kësaj, ideja përfaqësuar nga Fan Noli rreth një qindvjeçar më parë, për të shqiptarizuar religjionet ekzistuese të shqiptarëve, tingëllon sot për shumë nga ne mjaft aktuale. Me një arsyetim pragmatist, veçse, mund të themi se tiparet e shqiptarizimit të besimeve tona fetare, jo vetëm të ortodoksëve, nuk duket se janë përmbushur, siç qe ëndërruar kjo nga rilindasit. Por kjo nuk do të thotë se shumica e debateve mbi thëniet, punët dhe qëndrimet e Nolit nuk janë spekulluese. 

Mbas shprehjes vjershëzuese të Vaso Pashës, se “Feja e Shqyptarit asht Shqyptaria”, në gjithë ecurinë e mendimtarisë shqipe, rrallë se mund të gjendet një varg i ngjashëm për të mbështetur e pasuruar një gjëzë të tillë. Gjithsesi, pajtuesit e heronjve të vdekur, që në shumicën e rasteve provohen dhe përçarës të shqiptarëve të gjallë, kanë gjetur njëfarë ngushëllimi tek Fan Noli, edhe pse ky e shkrehu hapur neverinë ndaj idesë për një fe gjithshqiptare. Qarkullojnë ende sot ngushëllimtarë që bërtasin: “Noli: Kisha Ortodokse Shqiptare është e të gjithë shqiptarëve, jo vetëm e ortodoksëve!” 

Pyetja se a i përket kisha ortodokse gjithë shqiptarëve, apo anasjelltas, nuk është ngritur nga shqiptarët ortodoksë, sepse thjesht një pyetje e tillë për ata nuk ekziston. Përkundrazi, kjo përdoret vitet e fundit kryesisht nga klane myslimane, kur këta duan të përligjin hundëfutjen në çështjet e besimit ortodoks. Për hir të së vërtetës, duhet të kthjellojmë se nuk ekziston sot asnjë grupim ortodoksësh shqiptarë (madje as ndonjë listë homonime firmëtarësh), të cilët të orvaten të kryejnë cilëndo punë duke përmendur më parë thënien e sipërshënuar të Nolit.   

Ja disa nga pikëpyetjet që lindin në qoftë se shqiptari i sotëm pranon se kisha ortodokse shqiptare është e të gjithë shqiptarëve, e jo vetëm e ortodoksëve: 

Së pari, thënia e Nolit është shumë e pjesshme për ta vënë kaq përgjithësisht e aq shpëtimtare. Është një formulim ideologjik i një periudhe të caktuar historike, me një demagogji të pritshme, prandaj dhe është një citat më shumë oratorik, sesa shenjëdhënës. Ata që e përsërisin këtë bëjnë të njëjtën gjë sikur të paraqesin një fjalë të Nolit me seriozitetin e tërësisë së korpusit nolian, me gjithë pasojat që ka patur ky fenomen në historinë shpirtërore të rajonit, lindor e perëndimor. Pra edhe këtu kemi një moskuptim të Nolit, dhe madje kemi gjithashtu një keqkuptim të mendimtarisë së shkuar. Ata nuk ndalen të dëgjojnë e të pajtohen se ishte pikërisht shqiptari ortodoks Fan Noli farëhedhësi i një bime paraekzistuese e ndërekzistuese, por jo ndërsjelltas. 

Së dyti, në qoftë se “Kisha Ortodokse Shqiptare është e të gjithë shqiptarëve”, me ecurinë e mendimit bashkëkohor kjo do të thotë se, “kisha ortodokse është ajo që duhet të jetë feja e gjithë shqiptarëve”. A e pranojnë këtë pohim, pa fjalën “Shqiptare”, predikuesit jo ortodoksë? Sepse “Kisha Ortodokse Shqiptare” është një interpretim i realitetit “Kishë Ortodokse”, si tërësi, mbjellur në kohë brenda specifikës shqiptare (Kemi të bëjmë me dy togfjalësha të njëkuptimtë). Përkundrazi, në qoftë se diçka e tillë nuk do të ishte kuptuar e sanksionuar siç duhet në të tre statutet tona kishtare, domethënë në qoftë se nuk ishin qartësuar mirë, mu në nenin e parë, raportet e kishës ortodokse shqiptare/vendore me atë të përbotshme ortodokse/ndëretnike, ne nuk do të kishim sot një kishë shqiptare me tipare të mirëfillta autoqefalie. 

Së treti, në qoftë se pranojmë se besimi ortodoks është “i të gjithë shqiptarëve”, gjë që edhe pse nuk ndillet nga përdoruesit e thënies noliane, nuk ka aludim tjetër gjatë kësaj faze historike që po përjetojmë, menjëherë kundërpyesim: Çfarë, nga besimet fetare ekzistuese, nuk është e të gjithë shqiptarëve? Sepse vërtet merret për model Noli që ka vlera tejortodokse, por nëse ky klerik ishte katolik apo mysliman a do të mbështeteshin gjithë-tek-ai jo ortodoksët, sidomos kur ngulmojnë të tjetërsojnë të vërtetat e këtij besimi? Në fakt, nuk kemi trashëguar nga barasvlerësit e Nolit në besimet e tjera ndonjë sentencë të ngjashme mbi universalitetin e feve të tjera ekzistuese, sidomos me një ngarkesë të tillë ideologjike, për të siguruar akses civil në çështjet e tyre të brendshme, edhe pse ato tipare që e bëjnë një religjion vendor, nga këndvështrimi i pasdiktaturës, por edhe në krahasim me përvojën shqiptare ortodokse, ende gjetkë nuk janë plotësuar.  

Së katërti, në qoftë se për t’u tkurrur tërhiqemi dhe i lëmë ortodoksët të bëjnë ç’të duan, a mund të themi “kisha katolike nuk është kishë e të gjithë shqiptarëve, por vetëm e katolikëve”? E përse të mos themi pastaj se “islami nuk është fe e të gjithë shqiptarëve, por vetëm e myslimanëve”? Si do të reagonin përkatësit nëse thënie të tilla lëshoheshin nga ortodoksët shqiptarë? Për më keq, çfarë do të ndodhte në qoftë se ortodoksët shqiptarë thoshin të kundërtën, ajo që anasjelltas keqthuhet për ta, domethënë se katolicizmi, apo islami, është besimi fetar i të gjithë shqiptarëve e jo vetëm i katolikëve a i myslimanëve?! Sipas arsyes, një shqiptar ortodoks nuk do ta justifikonte dot një ndërhyrje të tillë. Shpirtfikësit, pra, bëjnë mirë të rrëmojnë në vetvete, tek bindjet e besimet e tyre fetare, për të gjetur zona emocionesh ku mund të tolerohen shestime të tilla. A kanë ata guximin të na i shkodizojnë botërisht këto çaste të trashëgimisë së tyre spirituale e kulturore? 

Së pesti, duke u përqendruar në kishën ortodokse shqiptare, për të ekspozuar edhe më flagrancën e skajorëve, pyesim: Ku ndahen veprimtaritë politike nga ato kishtare në ortodoksinë shqiptare? Pra, cilat janë ato akte e aksione jokishtare që mund të procedohen brenda kishës ortodokse shqiptare, me apo pa ritual, të cilat të konsiderohen vetëm shqiptare e jo ortodokse? Në qoftë se sipërmarrje të tilla nuk duhen quajtur ortodokse, por ama duhen kryer me doemos nga klerikë ortodoksë, atëherë si mund të negociohet ky proces nga ana e këtejme, domethënë te ky trup mistik që i ka dhënë dikujt statusin priftëror, pa të cilin individi në fjalë nuk do të figuronte në botën shqiptare? Personalisht, e kam vrarë e shtrydhur më kot mendjen, por nuk kam shquar kënde të tilla legjitime në shërbesën ortodokse. Përkundrazi, mashtrime e përdhosje kemi ndeshur plot. 

Tashmë, në këtë mjegullnajë të dhënash, le ta marrin fuqinë sërish qëmtuesit e cekët të Nolit. Atyre nuk iu mbetet gjë tjetër veçse të kërkojnë përgjigje, e ndoshta llogari, tek inspiratorët e gjallë të shqiptarizmës ortodokse, nxitësit ndër klerikë shqiptarë të diasporës, qëndisësit e antitezave të mëdha, levitët e urtë por jo gjithmonë të denjë, nepotistët, paraprelatët, pseudoprelatët, ortociceronët, superetërit, uzurpatorët, edhe pse pa studime teologjike, të cilët pa këto bymime shekullare e pa këto rrudhojse kishtare, rrezikojnë të humbasin privilegjet fisnore, morale e materiale; ata shtrëngohen të bëjnë muzé epopenë e një jete tej e përtej protokoll. Vajtueshëm, në qoftë se ndodh kjo, një figurinë e tillë – versioni shqiptar i Rasputinit – menjëherë çmitizohet dhe, ashtu siç u shfaq, do të mërgohet nga faqja e shqiptarëve.  

Vetëm një prift i tillë, pra, përfitues e gërvëlisës gjer në humbje, gëzon ex officio statusin e patriotit, këshillues e vendimor në trazira e në paqe. Sepse rysnia e shitblerjes i ka bërë të ditur uratës të fshehtat e udhëve qorre të shqiptarizmës ortodokse. Nga përvoja kishtare e pasdiktaturës u provua se vetëm një klerik i këtillë zotëron hiret ngërdheshëse për t’u ngjyrëzuar sipas stinëve shqiptare, që të inicizojë në vijim të pandriçuarit në misteret e kësaj gjuhe të shumëfishtë, si prej formulash masonike; herë shqiptare, herë ortodokse, e herë asgjë nga këto, por tani e përherë sekretive, kurthngritëse e mbrapa krahëve gojëmbyllëse, dhuntivrasëse…    

A është kisha ortodokse e të gjithë shqiptarëve? Ajo është e të gjithë shqiptarëve, për aq se edhe besimet e tjera ekzistuese janë për të gjithë shqiptarët. Ortodoksia nuk është e të gjithë shqiptarëve, për aq sa edhe religjionet e tjera nuk janë për të gjithë shqiptarët. Kisha ortodokse të lejon të ndërhysh, për aq se të lejojnë edhe religjionet e tjera shqiptare. Ortodoksia shqiptare nuk ka pse të rezistojë standarde të dyfishta. Këto vlerësime përkojnë edhe me veprën e jetën kishtare të Fan Nolit, parë nga syri i studiuesit të çështjeve ortodokse shqiptare, pavarësisht nga fragmentizimi sipëror i njerishmërisë së tij, çjerrë nga amatorët e shqiptarizmës. 

Në qoftë se një klerik ortodoks do të predikonte se kisha ortodokse është e të gjithë shqiptarëve, ai ka dy arsye ta bëjë këtë: Ose për të na hedhur hi syve, ose për të bërë orvatje të hapura proselitizimi. Në përvojën tonë mbas vitete 90, ka ndodhur e para. E kjo sjellje është e dënueshme qytetarisht dhe e ndëshkueshme kishërisht. Në vend të grishjeve heqjezvarrë, pluhurosur me bëma e çudira që do t’i zbardhë krejt e nesërmja, kisha ortodokse shqiptare në Tiranë dhe në Boston bën mirë të hapë më shumë zemrën e krahët për shqiptarët ortodoksë që po humbasin të qenit e tyre në diasporë. Për më pak, të mbrojë mbjellësit e saj të paktë që kërcënohen vetëm e vetëm se po shkaktojnë çaste jetëgjata në ortodoksinë shqiptare.  

Presim më në fund që kisha ortodokse të sillet me shqiptarët si mëmë e jo si njerkë. Të tregohet e mëshirshme për potencialin, identitetin dhe gjuhën e shqiptarëve ortodoksë. Pastaj, mbasi të përmbushë këto tipare, pa të cilat nuk do të ekzistonte as ajo e as titullarët e saj sqimëtarë, le ta përdorë tepricën e hirit për të ndërtuar tempuj në Kosovë e gjetkë, faltore që i këndojnë të Epërmit në arabishte, sllavishte e greqishte. Për një mision të tillë, për të kultivuar shpirtin dhe gjuhën e shqiptarëve të gjallë, kisha ortodokse shqiptare është dhe duam të mbetet përgjegjëse para Zotit. 

Le të kthehemi tek zanafilla e këtij debati. Në qoftë se një besimtar i një religjioni tjetër do të thoshte, “Noli: Kisha Ortodokse Shqiptare është e të gjithë shqiptarëve, jo vetëm e ortodoksëve”, kjo në ditët tona nuk konsiderohet më si gafë, sesa dokumentohet si një kërcitje e tolerancës fetare në botën shqiptare. Ata skajorë që na kërkojnë status të veçantë, kanë vetëm një rrugë: Të urdhërojnë e t’iu nënshtrohen procedurave të pjesëmarrjes, megjithë pasojat rilindëse a të dhimbshme që mund të ketë kjo zgjedhje. Kërcënimi për pjesëmarrje është përgjigjja më e butë ndaj atyre që kërkojnë thelbin e fesë ku nuk përkasin. Në rast se e mohojnë këtë ftesë, le t’iu kujtojmë edhe një herë parisaktëve se thirrja për tolerancë e respekt ndaj larmisë së trashëguar e të pranishme, mbetet pezull. Kjo alternativë, ndoshta, do të ishte më e lehta që iu ka mbetur jokishtarëve për të përzgjedhur, pavarësisht nëse do të quhej apo jo tërheqje. E për këtë të fundit, me gulçimë, çdo frymë le të dëshirojë…

Foti Cici, (Korrieri, 28 prill 2004)          

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s