Çfarë i mungon komunitetit

Është kaq e munguar një gazetë shqiptare në Kanada, saqë nuk është e ditës ta nisim bisedën nga arritjet tona. Jo sepse nuk jemi të ndërgjegjshëm për vlerat që ka secila përpjekje në veçantinë e saj; çdo tentativë krijuese, sado radikale, nuk mund të mishërohet në qoftë se nuk mbështetet edhe tek çka është e paradhënë dhe e dobishme. Por nëse një ndërmarrje e tillë kufizohet vetëm tek e kaluara e tek dritëhijet e saj, e sidomos në qoftë se marrim mirë parasysh rrethanat e sotme dhe interesimin tonë përkatës mbi çështjet jetësore të komunitetit, kjo tentativë thjesht do të arkivohej tek përpjekjet tona të dëshpëruara për të parë më shumë dritë. Ndërsa synimi i gazetës Albanian Tribune vjen pa bujë e pa rrëmujë, eksperimentues, prandaj dhe duket premtues. Ju ftoj, pra, të mirëpresim e të mbështesim gazetën tonë të vetme në Kanada! 

Syri i bashkësisë shqiptare

Ka për të thënë një zë brenda nesh: “E ç’e duam këtë gazetë? Kemi radio, program televiziv, shoqata, mbi të gjitha kemi mundësinë të lexojmë shumicën e gazetave shqiptare në Internet, të cilat janë shumë më të mëdha, e më të pasura…”. Në fakt, edhe sikur të fuqizohet kjo gazetë në të ardhmen, duke tejkaluar edhe ëndërrimet themelvënëse, ne nuk presim që shtypi i diasporës shqiptare të barazohet ndonjëherë, a më pak të zëvendësohet, me gazetat që botohen në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Shkurt, diçka e tillë nuk ka ndodhur as me komunitetet më të fuqishme etnike të Amerikës së Veriut. Gazetat e diasporës, të çdo komuniteti, fillojnë si fillojnë, por përherësohen në shërbim të një realiteti të ri, të cilin shtypi i atdheut përshkruan pjesërisht dhe gjithmonë nga jashtë. Shfaqja e kësaj gazete, pra, nuk duhet të na ushqejë iluzione.  

Pavarësisht se sa nga ne e kanë pranuar, mërgata shqiptaro-kanadeze po ecën pa kthim drejt një trajte të re identiteti. Ata shqiptarë që po rrisin fëmijë në Kanada, e kuptojnë dhe e ndiejnë këtë realitet më mirë nga të gjithë. Ndonjëherë ankthi i tyre kthehet në klithmë: Çfarë mund të shpëtojmë? Gjuhën tonë, që fëmijtë nuk po e mësojnë mirë, të qenit shqiptar, që nuk është vetëm gjuha, traditat tona, që nuk përkojnë me traditat vendase, mënyrat tona, që vijnë ndesh më mënyrat kanadeze, a veten tonë, që i është dhënë një ritmi të çuditshëm jetese?! “Të dalë ku të dalë”, duket sikur thonë shumë herë sytë tanë të përlodhur. 

Kur lexojmë shtypin e diasporës së hershme shqiptare, e gjejmë atje të fotografuara idiomat e shqipes, mendimtarinë, xixat e ndriçuesve, polemikat për të mirën e shqiptarit, problematikën e shqiptarëve paraardhës, përshkrimin e komunikimit midis tyre, pulsin e shqiptarisë nëpër breza, etj, konstatojmë se sa e rëndësishme është gazeta jonë për ne dhe sidomos për brezat që vijnë e që do të kërkojnë gjurmët tona.

Do të ketë çaste kur ata do të rrëmojnë të kaluarën për të gjetur se nga erdhën, do të kenë kërshëri për mënyrën se si u përpoqën stëretërit për të krijuar këtë komunitet, si u përshtatën në një jetë krejt ndryshe, a ishte e lehtë, si dhanë e morën me njëri-tjetrin, si reaguan kur u panë me shoshoq, përderisa ishin nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, etj, mbi të gjitha, ku arritën e ku dështuan? Me siguri kanë për të pyetur: Sa interes kishin emigrantët e parë për të krijuar një komunitet shqiptar dhe sa sakrifikuan për të ruajtur vlerat e tyre? Si e përballën çorientimin? Në qoftë se ne vijojmë me ritmet e sotme në komunitet, do t’iu japim të drejtë brezave të pyesin: A kishin vlera shqiptarët e vjetër të Kanadasë? Kur flasim për vlerat shqiptare, mund ta fillojmë edhe me Xhixhilenë, e me të tjera këngë, por nuk mund të kthehemi e të përfundojmë atje… 

Shpresojmë që komuniteti të mbijetojë e të trashëgohet, por për këtë të fundit ai duhet të plotësohet. Në qoftë se nuk jemi të zotët ta bëjmë sot që është rasti dhe detyrimi, është absurde të shpresojmë tek pasardhësit tanë. Kemi për t’u prehur në gjykim e në harresë dhe harresa është dënim, ashtu siç është dhe mungesa e kujtesës për të gjallët. Në këtë këndvështrim, duke parë e vlerësuar gjithçka shqiptare që ekziston sot në Kanada, asgjë nuk mund të plotësojë mungesën e fjalës së shkruar në një gazetë tonën.  

Emisioni i radios, programi televiziv, veprimtaritë e shoqatave, të grupimeve a qoftë dhe të individëve si njësi më vete, shërbesat e tempujve, të gjitha këto të mira që në dukje janë mjete më të fuqishme komunikimi e informacioni, nuk mund të zëvendësojnë kurrë prekshmërinë e një gazete shqip, tematikën e saj sistematike e të studiuar, gjakftohtësinë e fjalës së strukturuar për lexim, tekstualitetin e përsëritur e të nxënur nëpërmjet rileximit, e si rrjedhojë influencimin mbi intuitën gjuhësore të shqiptarit të Kanadasë, i cili i ka humbur takimet e forta me gjuhën e tij të shkruar.

Duke e vënë gishtin tek plagët e sotme, kemi të drejtë të presim që gazeta të na japë informacion më detajues për komunitetin tonë këtu dhe gjetkë në Kanada. Fizikisht, ajo e ka më të lehtë të shkojë e të influencojë kudo ku ka shqiptarë, gjë që asnjë nga institucionet e tjera nuk ka mundësi të bëjë.  Për më tutje, një gazetë shqip ka më tepër mundësi të përshkruajë me hollësi ndjenjat e emigrantëve, botën tonë shpirtërore, e t’i riprodhojë ato më shumë nga çdo mjet tjetër. Gazeta gjithashtu ka potencialin e informacionit të ngurtë, i cili edhe pse i tejkaluar nga vërshimi sfidues i Internetit, mbart për shumicën e emigrantëve të dhëna më jetëgjata.  

Së fundi, dhe ndoshta më e rëndësishmja për fatin e çështjes shqiptare në Kanada, gazeta mund të jetë bujtina ku ka për të filluar, për herë të parë në historinë tonë të këtushme, një debat prodhimtar mbi problemet e komunitetit, nga veprimtarë të komunitetit e të tjerë. Një alternativë e tillë sot thjesht nuk ekziston. Por a mund të kemi ripërtëritje të jetës së komunitetit në qoftë se jemi të gjithë të një mendjeje dhe mjaftohemi duke i bërë qefin njëri-tjetrit? Mundësitë shprehëse të mjeteve ekzistuese nuk e kanë kaluar fazën fillestare, e cila, në rrethanat e tanishme, nuk ka se si të mos fshehë shenja parade e metoda improvizuese e, disa herë, vetëprezantuese. 

Gjykoj se komuniteti ndodhet tashmë në një fazë që kërkon ndryshime riorganizuese, risime me fuqinë e largpamjes, me hirin e detajit, qoftë dhe duke imituar, por gjithsesi kërkohet braktisje mendësish e, në disa raste, dialog brezash. Për të sjellë mbanë gjëra të tilla, na duhen njerëz jo vetëm babaxhanë, të fisëm, trima, kryelartë për bindjet e tyre politike të kulluara, por na duhen edhe përfaqësues të shkolluar, njohës të mirë të shqipes e të anglishtes, njerëz të ndjeshëm ndaj nevojave të sotme të shqiptarëve të Kanadasë dhe, në të njëjtën kohë, përkatës të botës e të moshës së shumicës së tyre. E parë kështu, pra, kjo gazetë është syri tjetër i trupit tonë të përbashkët si bashkësi shqiptare; syri i munguar.    

Etika dhe etiketa e fjalës publike  

Ja disa nga ato pika që mund të nxijnë një gazetë, pa i mohuar jetëgjatësinë: Zbratërira e ligjëratës, në vend të fjalës me tharm; gjymtimi i gjuhës, në vend të nënshtrimit ndaj shqipes së lëvruar nga bashkëkohësit e pararendësit; bejtet dhe vjershat, në vend të poetikës; ngecja tek mitet, në vend të përqasjes dhe analizës së tyre; hutimi ndaj “figurave të shquara”, ose, më keq, ngjizja e tyre, përderisa nuk ekzistojnë në Kanada; e për pasojë, injorimi i njerëzve në dukje të panjohur e të thjeshtë, edhe pse emigrantë të suksesshëm, e me dhunti në sfera jashtë “çështjeve kombëtare”; fyerja e dyshimet ndaj autorëve, në vend të përqendrimit tek përmbajtja e shkrimeve të tyre dhe ecurisë së një debati mbiklanor; moskuptimi i specifikës ndërkulturore të komunitetit shqiptar të Kanadasë, e keqkuptimet ndaj guximtarëve; e, për më keq, kandarizimi i shqiptarëve në sojllinj e sojsëzë, në të blerë e në të shitur, etj.  

Në qoftë se etiketa është një sugjerim kanadez, për të lehtësuar jetën tonë të re, etika e debatit në shtyp është normë morale dhe kushtëzon përmbajtjen tonë si mërgatë e barasdenjë, në pamje të parë, dhe unitetin si bashkësi njëkombëshe, në pamje më të gjerë. Nuk duhet të harrojmë se Albanian Tribune është gazetë shqiptare për nga autorët, gjuha e, pjesërisht, nga misioni kulturor, por ama për sa i përket përgjegjësisë qytetare dhe ekzistencës juridike, gazeta nuk është shqiptare.        

Këto mendime nuk kanë dalë nga parashikimet, sesa nga përvoja e deritanishme, më konkretisht, çmeritja nga bëmat tona në shtypin e Tiranës. Kur publicistë të komunitetit shfaqen në shtypin shqiptar, sidomos në atë të Shqipërisë, shumica prej tyre nuk sjellin asgjë të re. Më të shumtët trajtojnë ide të stërthëna e të tejrrahura, vetëm se i krehin pak, nën lakun e vetëpërshkrimit, sipas shijes së tyre gjuhësore e politike, duke u përpjekur të krijojnë një status në komunitet, i cili vërtitet midis satisfaksionit të pakicës dhe mjegullimit të shumicës.  

Ndërsa të tjerë, në të kundërt, janë shpërfillës: Ata kanë trillin të besojnë se janë gatuar për të shpëtuar mëmëdhenë. Kësisoj, ata të japin përshtypjen se kanë zënë pusi e presin ndonjë shkrim zhglorifikues, të cilin e etiketojnë pa mëdyshje si antishqiptar, e dalin vrullazi nga skutat e bezdisë, shtendosen e qëllojnë me gjithë shpirt, edhe kur provohen tej fuqisë së mendjes. Në këto raste debatet kthehen në polemika ekspozuese, egoizmi nuk lë vend për tërheqje, akuzat vijonë denigrimin spektakolar dhe çështja mbetet e hapur për hakmarrje. E cila çështje? Ajo që fillimisht u paraqit si tezë guximtare dhe e meritonte debatin dinjitoz, apo ndërluftimet e trashëguara nga përvoja historike e provincës së Arnautllëkut, siç quhej zyrtarisht Shqipëria para një shekulli? Sjellja e pahijshme në një debat publik, është fjalëvrasje. 

Çfarë debati mund të vijohet, kur dikush nuk lexon mirë as titullin e shkrimeve “kundërshtare”, duke lënë të dokumentuara në shtyp gjaknxehjen, xhindosjen, humbjen e fillit dhe çaprashitjen, vetëm e vetëm se dikushi e ka të pamundur të mposhtë alergjinë që i shkakton një mendim i ri, i thënë nga dikush tjetër, për çështje të brishta të zonave tona historike, për çështje që kanë fuqi të tjetërsojnë edhe vetë paqen? Këto forma reagimi nuk mund të na mbushin mendjen se këtyre zotërinjve iu qenka zbuluar esenca e gjithë sendeve shqiptare. Nuk i sjellim asnjë dobi çështjes kombëtare kur, nga pazotësia për t’u matur me dikë, e nga dyzimi për ta zgjidhur çështjen fizikisht, e akuzojmë se është “i vënë”. E kjo taktikë është bërë tashmë gjymtyrë e traditës shqiptare.[1]  

Ato që shkruhen në Shqipëri nga publicistë të komunitetit tonë, e vetmja rëndësi që kanë është se pasqyrojnë ecurinë dhe etikën e jetës kulturore të atdheut. Ndërsa ne këtu jemi lidhur të punojmë e të shpresojmë për cilësi e fuqizim të mërgatës shqiptare në Kanada, me gjithë kufizimet dhe çmimin që ka kjo bindje, për çdo gjë që del nga këtej. Në të kundërt, është më mirë të vazhdojmë me panegjerizma, gjë që nuk na ka nxjerrë gjëkundi, por të paktën kjo nuk krijon konflikte që ndjellin përçarje në komunitet.   

Se si mund të përftojmë një etikë shprehëse, ku atdhedashuria dhe sëmundja nuk ushqejnë njëra-tjetrën, është botë më vete, pa kufij të përcaktuar, pa mësues e metodikë, me ligje të ashpra e të pashkruara, me pemë të hidhura, të tharta e gjembaçe, me rrugëtime të mundimshme e pa hartë, ku endja e lëngata e eksperimentit gjejnë ngazëllimin përmes dhimbjes që shkakton e vërteta jonë. Ndoshta kështu mund të përkufizohet patriotizmi shqiptar për të padehurit nga afshi i vatanit virtual. Por kjo ndjenjë e lartë fitohet me dashuri për shqiptarin e sotëm, për atë njeri që është bashkëkohësi ynë, që e ndiejmë, e dëgjojmë, e prekim, që e shohim ashtu siç është, sepse nuk është faji i tij kur ne shohim tek fytyra e tij qenien tonë të përzier, a fragmente të urryera të vetvetes… 

Ndjenja e dashurisë së shqiptarëve për njëri-tjetrin është më e vështira për të synuar e fituar, për të mos e thënë ndryshe, se urrejtja e shqiptarëve për njëri-tjetrin po shpaloset në përvojën e këtij brezi si më e lehta për të përftuar, përfituar e kremtuar, pra është kthyer në virtyt celebrues. Ai shqiptar që nuk do shqiptarin e gjallë, a ka vallë hapësirë e shpirt për të dashur të vdekurit, qoftë dhe ata më të famshmit e farës sonë?

Në këtë perspektivë dashurie jo institucionale, domethënë të pashtirur, ka ardhur çasti të reflektojmë: Kur ne nuk duam njëri-tjetrin, nuk mund të duam të tjerët, ata që nuk janë shqiptarë, por që fati e solli të bashkëjetojmë dhe s’ka rrugë tjetër. Si rrjedhojë, flagranca e një sakrilegji në rajon, me tiparet e tij çnjerëzore, nuk na trishton se po “humbasim aleatët”, siç e thanë baballarët, sesa na bëzan edhe njëherë se sa  të vetëdënuar jemi për të mos dashur vetveten dhe tjetërsinë.  

Respekti, atëherë, ndaj njëri-tjetrit, sidomos kur kemi mendime të kundërta për çështjen shqiptare, është diçka më shumë se etiketë, përndryshe do të ishte hipokrizi, dhe kjo e fundit është më e keqe se të gjitha fyerjet në shtyp. Tek po përkufizojmë vetveten, e duke skicuar dëshirën tonë sugjeruese drejt një etike tjetër të gazetës së sapolindur, na doli pikëpyetja më e madhe e mërgatës: A posedon komuniteti shqiptar i Kanadasë personalitete që mund të influencojnë opinionin shqiptar në përgjithësi?  

Miti i përikjes së inteligjencës  

Thuhet gjithandej se “në Kanada ka ardhur gjithë inteligjenca”. Spekullohet me një narrativë të stisur në cektinë, ku elementët e ngjarjeve të pasdiktaturës, gjallesa e sende, e gjejnë shkodizimin në një historizim, në një histori jashtë historiografisë. Vjerrja e shanceve drejt një begatie të dëshiruar, në disa raste dhe çjerrja e faqeve, janë pagëzuar në rrjedhje truri, në mërgim të pashmangshëm të inteligjencës. Kur thuhet lart e poshtë “rrjedhja e trurit”, kërkohet terminologjia e eksodit dhe e plagëve, që të përshkruhet sa më vajtueshëm përikja e intelektualëve të Shqipërisë drejt Kanadasë, sepse gjetkë nuk paska hapësirë e shpëtim. 

Aludohet kjo, sidomos nëpër biseda kur krahasohen mërgata shqiptare në disa shtete, për të pohuar cilësinë “më të mirë” të komunitetit tonë. Do të ishte plotësuese për këto muhabete, në qoftë se jepeshin dhe raportet e përqindjeve të kriminalitetit edhe në komunitetet e tjera etnike të Kanadasë, për të parë se mos shkaku i të ndenjurit urtë ndoshta është gjetkë. Në fakt, ne kemi një dosje rekordesh, e madje dhe krimesh në komunitet. Nëse ky gjykim është i ekzagjeruar, në çfarë kategorie duhen vënë vetëvrasjet e njëpasnjëshme të bashkatdhetarëve tanë në Toronto? E po ta shtjellosh edhe më këtë fenomen, gjysma e krimit na përket ne, të gjallëve shqiptarë, pavarësisht se nën teknikën e ligjislacionit konsiderohemi si të pafajshëm. Nga ç’thuhet në komunitet, në një rast vetëvrasjeje, për shembull, vdekja e një të riu para disa vjetësh nuk erdhi si pasojë e fajit të tij…  

 Por le të kthehemi në kërkim të trurit shqiptar që kafkëzohet në Kanada. Do të ndihmohej biseda nëse ngrihej një pyetje në komunitetin tonë e debatohej: Si e përkufizoni ju intelektualin? Çfarë duhet të ketë një emigrant për t’u quajtur e trajtuar i/e tillë dhe, sidomos, për të vepruar si intelektual? Veç tipareve të tjera të këtij statusi, a ka një grupmoshë të caktuar, për të mos mbetur jashtë kësaj shoqërie qiellore, prandaj dhe të tejdukshme?  

Në përkufizim gjithmonë të intelektualit shqiptar në Kanada, dhe konkretisht mbi moshën e tyre, ekziston një pyetje mbi brezin e emigrantëve të arsimuar vitet e fundit, dhe sidomos ata që janë në moshën njëzetë-tridhjet vjeçare. Intuita nuk na bën t’i dallojmë e t’i kategorizojmë këta si intelektualë, edhe pse kanë studiuar në shkolla më cilësore, e disa herë kanë kryer edhe më shumë studime. Në shumicën e rasteve në diasporë, ky brez është më modest, më i mbarë, moskokëçarës në dukje, ndërsa vërtetohet më premtues sesa ata që tradicionalisht mbahen për intelektualë të zakonit. Ku përket ky brez e cilat janë raportet me brezin tjetër? 

Në qoftë se treguesi më i fortë konsiderohet arsimimi, a duhet të vazhdojmë të pranojmë dikë si intelektual duke u bazuar vetëm te diploma e “shkollës së lartë”? Le të kërkojmë se si përkufizohet intelektuali në anglishte, a qoftë dhe në gjuhë të tjera, sidomos të Evropës lindore. Përvoja e shqiptarëve të Kanadasë nuk lë vend për spekullime të mëtejshme, prandaj dhe kjo është një nga çështjet që gazeta do të ketë rastin të kthjellësojë. 

Sa për mbretërimin e intelektualëve në komunitet, nuk iu biem në qafë po të dëshmojmë se kur këta bëhen bashkë në shoqata e shoqërira intelektualësh, siç bëhen, ashtu edhe zhbëhen. Ndoshta vetë shpërbërja e tyre është pjesë e të qenit intelektual, në një fazë paskomuniste. Le të pranojmë largimin e tyre nga jeta e komunitetit si një formë reagimi, si një kthim tek heshtja, tek një prirje mësimdhënëse, mirëfilltas intelektuale. Por nuk dimë nëse historia kulturore e njerëzimit ka dëshmuar ndonjëherë një tërheqje kolektive të intelektualëve drejt heshtjes filozofike. 

Nuk është synimi im për të gjetur se çfarë është e çfarë nuk është miti i inteligjencës shqiptare në Kanada, por e kam të vështirë të mohoj zërin që thotë se sajimi i kësaj teorie është një fyerje ndaj atyre që po vuajnë për të bërë komunitetin shqiptar, të cilët në shumicën e tyre nuk janë “intelektualë”, por ama po investojnë kohë, energji e të tjera, për të ardhmen e shqiptarisë në këtë vend të largët, për të hapur shkolla, e për të mbajtur gjallë veprimtari të tjera jetëdhënëse të komunitetit. Prandaj dhe distancohem botërisht nga kjo filologji e nostalguar. Gjithsesi, në rast se përkufizimi i intelektualit dështon, dhe nëse arsyetimi im është i pavend, atëherë ka mbetur vetëm një pyetje: Kur kemi këtu gjithë inteligjencën, gjithë trurin, jashtë thonjëzave, përse nuk po e bëjmë dot komunitetin?! 

Gazeta kundrejt mendësive të pasdiktaturës 

Nuk bëjmë ndonjë gabim po të riprodhojmë ato që shprehen sa herë që shfaqet diçka shqiptare jashtë nesh: Si e hapën gazetën para nesh? Përse nuk na pyetën? A janë shqiptarë qind për qind? Përse i kanë kështu emrat? Si i kanë ashtu mbiemrat? Si kanë ardhur në Kanada? Kush i ka vënë, kush i paguan? Këto janë vetëm pjesë e pyetësorit të pafund, gjë që fakton pushtetin e konspiracionit, një nga “fetë” më me influencë tek shqiptarët e pasdiktaturës.  

Mund të vëzhgojë dikush se pyetje të përafërta si këto janë vërejtur e renditur edhe një qindvjeçar më parë, siç dokumentohet në shtypin e atëhershëm të diasporës shqiptare, nga Faik Konica e Fan Noli, fjala bie. Shpotitja me pyetje të tilla atëherë, më tepër kishte synimin për të shkrehur zhgënjimin e veprimtarëve idealistë, ajo ndërthurej dhe me përmbajtjen socio-psikologjike të shqiptarit të atëhershëm, me ndjenjën e pakënaqësisë që ai shprehte ndaj çdo gjëje, pavarësisht nga thelbi, dhe fshikullonte sidomos vështirësitë e shtetasve otomanë për të dalë nga mendësia e modeleve sunduese. Por ne nuk gjejmë atje dënimin e paravendosur ndaj çdo krijese embrionale, gjë që shpesh kthehet sot në vetëdënim. 

Ndërsa për fazën e sotme të shqiptarit, këto pyetje të paarsyeshme nuk janë aspak argëtuese, kur ato na kujtojnë ekzistencën e një teorie të mirëfilltë konspirative, pjesë e jetës shqiptare në komunitet, e cila teori është kaq e pranishme, saqë rrezikon të çnderojë çdo ndërmarrje ndriçuese. Si për përkim, ata që janë përçues gojëtarë të kësaj mendësie, ankohen se nuk kanë dëgjues e, nga ana tjetër, pa pikë droje nuk të lënë të flasësh, dhe madje tek pikasin se po përgatitesh të thuash diçka, qoftë edhe pohuese, kërcejnë nga ndenjësja e të shtyjnë me duar, duke shtuar shpejtësinë e doktrinës së tyre të pagabueshme. Kur ndahesh nga takime të tilla, të cilat i ngordh riti i vetëbisedimeve të “fesë” së re, para se t’i kthehesh vetvetes, je gati të dorëzohesh e të pranosh se në ditët tona nuk mund të ndryshojë asgjë. 

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se kjo nuk është “në gjakun tonë”, siç justifikohemi disa herë tek na pëlqen të vijojmë nën kthetrat e dyshimit, i cili pikërisht ky pjell konspiracionin. Ky kundërvirtyt është pasojë e së kaluarës sonë në Shqipëri, por ama ka efekt e fuqi vetëm nëse e përqafojmë. Shembulli i kundërt ndodhet tek shqiptarët nga Maqedonia e Kosova. Shumicën e pyetjeve tona dyshuese, ata as që i shkojnë ndër mend, gjë që i bën shqiptarët e Shqipërisë të hiqen si më të zgjuar. Sepse jemi mësuar ta masim zgjuarsinë me metrin e djallëzisë.  

Duke qenë vetë subjekt i së njëjtës mendësi përdyshuese, në këtë pikë kam mundur e përqafoj modelet e Kanadasë: Përderisa përshtypja e parë për zotërinjtë e gazetës është pozitive, dhe përderisa ne kemi shumë nevojë për një gazetë shqiptare, do ta mbështes me sa mundem, edhe pse nuk i njoh botuesit, deri sa të provohet e kundërta, gjë që nuk kemi pse ta ndjellim me teoritë tona meskine. Por edhe sikur në të ardhmen konstatojmë tek gazeta ndonjë gabim, prapë le të mësojmë nga kanadezët, të cilët nuk na flakin që me të parën, siç bëjmë ne shqiptarët, por na durojnë e na japin shance, sepse kjo është pjesë e kulturës së tyre. Sepse gabimet janë pjesë e betejës për eksperiment e vetënjohje.

Vetënjohja përbri gjysmëditurisë 

Kur ne emigrantët shqiptarë përballemi me doktrinat kulturore të Perëndimit, me ato rryma filozofike e teori që kanë influencuar e zotërojnë mendimin e këtushëm intelektual, por që ne nuk kishim mundësi t’i njihnim më parë, ndodhin gjëra shumë interesante. E përbashkëta është se fillojmë të mendojmë ndryshe, me ose pa dashje. E veçanta përkatësohet gjatë procesit të studimit: Gabime të vjetra të përsëritura, edhe pse janë të justifikuara për shumë shqiptarë; lidhje politike të kërthizuara nga halli, a si pasojë e një shpërthimi të momentit; gafa të njëpasnjëshme e ngurrimi për t’i harruar, kur gafat nuk pyesin askënd; kriza personale lindur nga mospajtimi me tendencat e konstatuara; dobësi e naze për të përballur të përditshmen tek e këtushmja; diçka nga këto, pra, mund të bëhet shkas për të pohuar ose për të mohuar. Veç pohimit dhe mohimit, në këtë pikë nuk ka rrugë të mesme. 

Të gjejë dikush vetveten në këtë gjithësi informacioni, sidomos kur kërkohet një kthesë jetësore, kundër asaj që kemi besuar më parë, është zbulim dhe vetënjohje. Është meritë, pra, e zotërisë a e zonjës në fjalë dhe duhet t’i jemi mirënjohës asaj dite. Mjerisht, për shumë shqiptarë të arsimuar, kjo ndeshje kulturore, që në praktikë është një monolog, merret si kërcënim e braktiset, duke u kthyer atje ku ishim më parë, duke mprehur thonjtë gati për t’u kacafytur, në mbrojtje të ideve tona që qenkan gjithmonë të shenjta. Është ky reagim, dalë nga një analizë vetmevete gjatë procesit të leximit e të përsiatjes që lind ai, ajo që e shpërfytyron njeriun. Atë që mohon këtë përvojë, zgjedhja e tij e identifikon me gjysmëditurinë e kokëfortësinë e saj, dhe jo me atdhetarinë, siç mbrohen apologjetikisht disa bashkëvuajtës.  

Duke u ndalur tek jo dukuri, tek mohimi i vetënjohjes dhe zëvendësimi i saj me arrogancën e shprehur pa kursim në shtyp në emër të shqiptarizmës, shohim mjaft bashkëjetues tek gjejnë shërim në këtë jetë kurthi, edhe pse sjellin e përçojnë emra e tituj të rëndë (Të lashtët thoshnin: “Gjysmëdituria është me e keqe se padituria”).  

Është fatkeqësi që disa nga mohuesit e risive gëzojnë dhunti e potencialitet krijues, por mbas dyluftimit me një teori tundëse e mundëse, këto dhunti përdoren tashmë për të nuhatur përreth e për të zbuluar, për të luftuar e asgjësuar kërkuesit e tjerë, vetënjohësit, të cilët  automatikisht janë kthyer në tjetërnjohës dhe eksperimentues të risimit, prandaj dhe këta duhet të trajtohen si fajtorë e tradhtarë, ndërsa dhuntitë e përluftarëve dhe çastet krijuese të akuzatorëve, humbasin nëpër vogëlsirat e një shoqërie shqiptare që kërkon të institucionalizojë gjithçka përreth. Humbja e sivëllezërve tanë qëndron më tepër në paaftësinë për t’u çliruar nga një përbetim mbi eshtrat e një himere, e nga një vaj mbi rrënoja qerpiçi, sesa nga një inicizim i vërtetë ndër simbolet e mirëfillta të identitetit shqiptar. Për fatin e tyre, ajmé, historia e mendimit shqiptar të së ardhmes, të cilën e besojmë zonjë e jo shoqe, ka për të thënë me përdëllim e pa përkorje: “Të ngratët! I përjetshëm për së gjallit, iu ishte kujtimi!” 

Reagimi kundër ripërtëritjes së mendimit shqiptar është i pritshëm, edhe pse jo i natyrshëm. Ata që duhet të prijnë, janë ata që e kanë ndarë mendjen të jenë të sinqertë me vetveten dhe me bashkëkohësit, e për pasojë të jenë të larë të rrezikojnë për të sjellë diçka të re në botën shqiptare. Janë ata shqiptarë që ngrihen mbi vetveten. Një njeri i tillë nuk ka frikë as nga vdekja, e pa le më të tutet nga zelli bolshevik dhe folklori superpatriotik, siç vetëzbulohen anakronikët tanë komiko-tragjikë. Për më tepër, ai shqiptar që e ka ndarë veten nga pjesa e sëmurë e kulturës shqiptare, njëmendësisht përfton intuitën të kuptojë tertipet kultbërëse të urtiplotëve, të ustallarëve të regjur të historisë sonë të re. Si rrjedhojë, secili nga ne ftohet të rivlerësojë pozitën e  tij në vetvete e në raport me komunitetin, si qelizë e botës shqiptare në tërësi. Përgjegjësia trajtëhedhëse e një komuniteti shqiptar në Kanada, ndahet pikërisht në këtë pikë kritike.  

Shumë pak mërgata në Amerikën e Veriut kanë pasur fatin tonë, për të ndeshur kaq shpërnjohje, por dhe për të zotëruar kaq lëndë eksperimentuese, prej atdheu e bashkësish mërgimtarësh, shqiptare e të huaja. Në këtë landar shembujsh të mirë e jo të mirë, ne kemi sot të drejtën për të përzgjedhur. Ky është privilegji i brezit tonë. Le ta rrokim e le të bëjmë një fillesë të re.

Foti Cici (Tribuna shqiptare, Toronto 2004)

——————————————————————————————————————

[1] Më i ndrituri këtu është zoti Arben Kallamata, pa të cilin kjo ese nuk do të ishte shkruar.   

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s