1. BOTIMET KISHTARE TE NOLIT: Tekstualizimi i lëvizjes për kombëtarizimin e Kishës

PERIUDHA E PARË PËRKTHIMORE: 1908-1914[1]   

Themelimi dhe kanonizimi i famullisë së parë shqipe, në vitin 1908, kishte si kusht nga misioni rus në Amerikë shtypjen e një libri shërbesash në shqipe. Pa këto përkthimedhe pa këtë kishë të parë, nuk mund të organizohej diaspora shqiptare në Amerikë e gjetkë, dhe nuk mund të fytyrohej lëvizja për një kishë autoqefale në Shqipëri. Noli predikonte me nerv e pragmatizëm se besimet ekzistuese të shqiptarëve janë ato që duhen shqiptarizuar, ndryshe nga ata që ëndërronin një fe për një atdhe. Në rastin e kishës ortodokse, duheshin më parë librat, tekstet që do të plotësonin imazhin e një lëvizjeje që do t’i jepte historisë shqiptare një pozitë krejt të re.  

Duke parë se ishte një fushë shumë e vështirë, e parrahur më parë në shqipe dhe e pafund për nga sasia e teksteve origjinale, Noli i ri ngurronte. Madje thuhet se edhe Kristoforidhi pati menduar t’i futej kësaj pune, por nuk guxoi.[2] Në rastin e Nolit ekzistonin edhe vështirësi praktike; projektet përkthimore kishtare ishin vetëm pjesë e jetës së tij shumëpërmasore. Në rast se përsiatemi mbi hezitimet liturgjike të dy përkthyesve të shquar, a mund të merret ngurrimi i Kristoforidhit vetëm si pjesë e përkorës së tij laike? 

Fillimisht Noli e hodhi idenë në shtyp, duke u bërë thirrje filologëve e teologëve shqiptarë të bashkëpunojnë për një përkthim të përbashkët. Sepse vetëm një punë e tillë do të jepte përkthime më të sakta dhe më jetëgjata në gjuhën tonë. Dyzimi i Nolit justifikohej në dy mungesa. Së pari, ai nuk kishte studiuar teologji, e as kishte ndërmend ta kryente; ai po përgatitej të fillonte studimet për letërsi e filozofi në Harvard. Së dyti, Noli nuk kishte përvojë me të shkruarit shqip. Studiuesit e gjuhës së tij me të drejtë kanë vërejtur se Noli po mësonte për herë të parë ato vite të shkruante shqip.[3] Kështu, për parantezë, edhe dramat e tij të para nuk është e sigurt nëse u parëshkruan shqip. Këtyre dy mungesave në fushë të përkthimit, iu shtohej dhe fakti se Noli nuk kishte studiuar filologji, megjithëse ishte përpjekur dikur në Athinë.  

Por Fan Noli zotëronte shumicën e armëve të duhura për përkthimet kishtare në gjuhën shqipe. Përkthimi i një teksti liturgjik kushtëzon, veç shqipes, greqishten bizantine, në të cilën është shkruar origjinali. Noli njihte më mirë greqishten e re, por kishte studiuar në gjimnaz mjaft tekste nga greqishtja klasike, dhe duke qenë qysh i vogël në kishë, pranë të atit psallt, ai u familjarizua me greqishten biblike e bizantine, të cilat urëzojnë greqishten e vjetër me atë të re. Krahas gjuhëve Noli njihte mirë muzikën kishtare bizantine.[4] Ai eci shumë në këtë fushë gjatë studimeve në gjimnazin e Adrianopojës dhe, siç dëshmon në shënimet autobiografike, e përkreu këtë disiplinë të çuditshme në Egjipt, me mësues një murg grek. Përderisa gjithë himnet kishtare janë thurur, në shumicën e rasteve, në një muzikë e cila është e bashkëcaktuar me vargjet, njohja e mirë e muzikës bizantine ishte ajo që e trimëroi përkthyesin e diasporës. 

Nga kahu i ndërsjelltë i debatit, mund ta mbrojmë mirë Nolin e ri dhe të vjetër, në qoftë se kujtojmë se asnjë përkthyes që ka studiuar teologji e filologji, por që nuk njeh muzikën bizantine, nuk mund të përkthejë himne në gjuhën shqipe, pa i përshtatur më parë me sukses në muzikë. Himnet janë parathurur për t’u kënduar dhe jo për t’u recituar, dhe për të arrirë një përshtatje muzikore mesatare, nuk duhet me domosdo njohja e simiografisë bizantine, por nuk bëhet pa mësuar e kënduar “me vesh”, të paktën, meloditë e tetë tingujve përkatës. Noli ishte njohës i mirëfilltë i muzikës bizantine.   

Me përkthimet e teksteve liturgjike, Fan Noli jo vetëm hapi udhën në një fushë të re të shqipes, duke shtënë një hije imponuese edhe mbas një shekulli nga konceptimi e lërimi i këtyre veprave, por ai bëri më të afrueshme tek bashkëkohësit e tij synimet paraekzistuese për një kishë shqiptare me tipare të prekshme kombëtare.

Konceptimi i kanonit të parë liturgjik 

Vendimi për të nisur e botuar këto përkthime ngriti pyetjen e kanonit liturgjik në shqipe. Edhe pse këtë problematikë nuk e gjejmë në shënimet e Nolit, sepse kanoni, si koncept teorik në letra, është pjesë e terminologjisë së vonë kulturore, pyetjet ekzistonin e brenin: Çfarë do të përkthehej, e çfarë do të lihej për më vonë, e për të tjerë? Më në fund, nëse përkthyesi vendoste t’i përkthente të gjitha veprat liturgjike, a do të shtypeshin e shpërndaheshin librat?  

Gjashtë janë librat e botuar gjatë periudhës së parë përkthimore, shumica prej tyre kushtuar kryepeshkopit rus të Nju Jorkut, Platon. Libri i parë është përkthimi i shërbesave dhe himneve të javës së madhe (Shërbes’ e Javës së Madhe, 1908), i cili u shtyp me një nga alfabetet që qarkullonin atëherë në botën shqiptare. Përkthyesi nuk i druhet vetëm vetes, por dhe bashkëkohësve: “Kthimi u bë me nzitim dhe perandaj s’duhet ghukuar ashper. Me tutje do te ndrecet e do te shtypet plotesisht pa lene asgne tropar jashte. Ata ce jane xene me te kthyerit prej Grecishtes se Kishes ne Shcipen, ata vetem do kupetojne sa mundime dhe sa net pa ghume me kushtoj kjo libre. Tere te tjerat jane te tepera.”[5]  

Në këtë libër vërejmë se si autori, duke përkthyer me ngut, nuk del dot nga trajtat nëndialektore të gjuhës së tij të folur të trashëguar, në përdorim të një gjuhe dialektore të shkruar. Stili gjuhësor në këtë përkthim nuk është njëtrajtësisht i qëndrueshëm, ndërsa këndimet biblike “janë marre prej te Kristoforidhit me shume pak ndryshime.”[6] Kurse në librat e mëvonshëm, Noli do t’i merrte pasazhet e Kristoforidhit vetëm si truall, për t’i ripërpunuar e për t’i bërë ato të njëgjuhshme me poetikën e himneve të tij. Edhe pse nxitimthi, kanoni po konceptohej dhe po merrte trajtat e përkthyesit.  

Mbas përkthimit të librit të dytë, Librë e Shërbesave të Shënta të Kishës Orthodoxe (1909), At Fan Noli e qartësoi qëllimin dhe natyrën e projektit liturgjik. Ati i ri iu premtoi me sinqeritet sivëllezërve të tij shqiptarë ortodoksë, se do t’i pajiste me tekstet më të përdorshme në gjuhën shqipe, si një mjet i domosdoshëm për adhurim në gjuhën amtare. Por autori prift, student e gazetar, nuk kishte ndërmend të ndërmerrte  përkthimin e plotë të gjithë literaturës adhuruese ortodokse (Bibla dhe tekstet liturgjike), një punë që as sot nuk ekziston. Përmes shënimeve të tij në këto botime, prifti bën thirrje për ndihmë ekonomike nga shqiptarët kudo që janë, për të përfunduar projektin e tij sa kombëtar aq dhe fetar.  

Noli do ta vazhdonte projektin, por shënoi se “zotimin t’im do t’a mbaroj ndofta brënda në pak kohë, në qoftë se Shqipëtarët janë gati të më ndihin, sikundër më ndihnë me shtypjen e këtyre dy librave.”[7] Kanoni konceptohej sipas nevojave kombëtare e personale, atje ku shkriheshin dhe kishtaret. Nga ana tjetër, në këtë shënim mësojmë se, për sa i përket konceptimit të kanonit si i tërë, a si i pjesshëm, jemi të sigurt se Noli nuk do ta përkthente të gjithë kanonin liturgjik, edhe sikur të mos ekzistonte vështirësia ekonomike. Përndryshe, ai nuk do të thoshte “brënda në pak kohë” për përkthimin e njëzet vëllimeve himnologjike. Kjo thënie nuk pajtohet vetëm me sinqeritetin e atëhershëm publik të Nolit, ndryshe nga më vonë, por dhe me numrin e librave të periudhës së parë përkthimore.  

Në qoftë se Noli kishte një motivim plotësisht kishtar, krahas kohës së nevojitur, ai do të kishte përkthyer gjithashtu himnet e adhurimit të përditshëm nga vepra në dymbëdhjetë vëllime Μηναίον, dhe gjithashtu do të jepte një përkthim të plotë të veprave Τριώδιον dhe Πεντηκοστάριον. Por nga këto trembëdhjetë vëllime të mëdha, ai na dha në shqipe vetëm tre vëllime përzgjedhëse. Për festat e përditshme nga Minéon, Noli përmblodhi dhe botoi një vëllim, Librë e të  Kremteve të Mëdha të Kishës Orthodoxe (1911). Me të njëjtën frymë ai botoi Triodin e Vogël (1913), duke përkthyer shërbesat e së shtunës në mbrëmje dhe të së dielave, si dhe Pesëdhjetoren e Vogël (1914), me të njëjtin konceptim. Në librin Triodi ai ripërktheu gjithë shërbesat dhe himnet e Javës së Madhe, edhe pse ato ishin përkthyer në librin e parë (1908).  

Në vend të librit të tetë tingujve, Παρακλητική, ose Οκτώηχος, siç përmendet shpesh në muzikologji, ai na dha një Lutjesore të Vogël (1914), duke përkthyer vetëm shërbesat e fundjavës; mbrëmësoren e së shtunës dhe mëngjesoren e së dielës, të konceptuara këto si një seri e vetme, pa i shkurtuar shërbesat dhe himnet. Qëllimi i tij ishte t’iu jepte shqiptarëve mundësinë të kenë të plota shërbesat e së dielës dhe të kremteve më të festuara të vitit liturgjik ortodoks, në pamundësi për t’i përkthyer të gjitha.  

Nga mënyra se si është konceptuar kanoni i parë liturgjik shqiptar, tregon njohjen profesionale në fushë të liturgjikës nga përkthyesi ortodoks, pavarësisht se ç’mund të thuhet nga pozitat e sotme komode. Emigranti ishte fillimisht laik, e pastaj prift i saposhuguruar, kur nisi këtë projekt përkthimor kaq të vështirë… Çudia e këtij brezi qëndron në përmbushjen e “zotimit ndaj Kombit”, sesa në mungesat e këtyre veprave. Konceptimi i kanonit bashkëvijonte përmes trysnish të shumëfishta; filologjike, teologjike dhe ekonomike.  

Gjithsesi, Noli konceptoi një kanon liturgjik të suksesshëm për atë periudhë historike. Ky projekt kulturor, për sa i përket këmbënguljes dhe sasisë, është pasojë e rrëmbimit në çështjen shqiptare, ndërsa për sa i përket stilit dhe cilësisë, është pasqyrë e intuitës liturgjike, ngjizur kjo qysh fëmijë pranë të atit psallt, por dhe në gjimnaz, pa anashkaluar dhe përvojën si mësues e muzikant grek. Ky kanon i periudhës së parë përkthimore është pemë e Nolit kishtar, i joshur ky pas artit dhe pasurisë liturgjike lindore, ndërsa njihej e lartësohej përmes saj në botën shqiptare. 

Ankthi i ortodoksisë, ngërçi i përkthyesit 

Në përkthimet e para Noli e pasuroi gjuhën me terma të rinj dhe krijoi stilin e tij të veçantë në letrat shqipe, i cili, përveç ngjyresave, nuk pësoi ndryshime. Është për të vënë re e për të respektuar se, pavarësisht nga futja e termave të huaj, shumica e titujve të librave greqisht dhe shumë terma teologjikë, u shqipëruan dhe mbetën në gjuhën tonë të tillë, ndryshe nga përkthime të tjera liturgjike në gjuhë të tjera, pikërisht se natyra e shqipes është krejt ndryshe, nëse e krahasojmë, për shembull, me anglishten. Synimi i Nolit ishte të përdorte një shqipe letrare që bazohej në autorët pararendës, por dhe t’i tejkalonte ata. Përderisa gjuha ecën, edhe shqipja duhet të shprehte terminologjinë bashkëkohore të gjuhëve perëndimore. Në rastin më të parë.   

Me këtë qëndrim ideologjik në shqipe, Noli i ri përballej me një problem të madh, me një hije të madhe: Kristoforidhi! Ky autor ishte mbretërues në letrat shqipe, kryesisht me përkthimet biblike. Për më tej, vdekja e Kristoforidhit u pasua me botimin e një libri të tmerrshëm, Fjalori i Gjuhës Shqipe (1904), dhe kjo vepër dygjuhëshe e kanonizoi autorin në studimet shqiptaro-greke, atje ku hyjnë edhe përkthimet liturgjike të Nolit, edhe pse pemë e nacionalizmit shqiptar. Terminologjia e Kristoforidhit nuk pajtohej plotësisht me bindjet e përkthyesit të ri, dhe ky konflikt nuk mund të fshihej, për dy arsye:  

Së pari, shumë terma liturgjikë e fraza himnologjike e kanë origjinën në tekstet biblike, të cilat Kristoforidhi kishte përkthyer më parë dhe ishin pranuar e qarkullonin si përkthime serioze. Së dyti, brenda librave liturgjikë, Noli duhet të përfshinte pjesë biblike, kryesisht nga ungjijtë dhe apostujt, të cilat lexohen në të kremtet kishtare, por këto ekzistonin të gjitha në toskërishte, sepse Kristoforidhi kishte përkthyer krejt Dhjatën e Re toskërisht, mbas asaj gegërisht.[8] Reagimi i Nolit ndaj veprës së Kristoforidhit ishte me vend, pavarësisht se sa sukses pati eksperimenti i tij. Sepse të përdorësh tjetër gjuhë në këndimin e himneve, e tjetër në këndimin e Biblës në Kishë, është standard i dyfishtë. Por veç kësaj, Noli kishte një arsye më të fortë për ta lënë mënjanë gjuhën e Kristoforidhit, ashtu siç duhet lënë mënjanë shqipja e Nolit sot, sepse ecuria e gjuhës e tejkalon njeriun: “Natyrisht, nuk munt të mbetesha i kënaqur nga kthimet e vietëra të atdhetarit të shkëlqyer Z. K. Kristoforid, dhe u-përpoqa t’i ndreq ato që hynë në këtë librë pas përparimit që ka bërë gjuha shqipe që nga koh’ e tij, pa mohuar që pun’ e tij qe një ndihmë e madhe themeli për mua.”[9]  

Filozofia e këtyre përkthimeve të Nolit, veçse, shkoi kundër vullnetit dhe talentit të tij krijues. Atij i duhej të prodhonte përkthime të fjalëpërfjalshme, në një kohë kur gjithë e puna e tij përkthimore e mëvonshme, në letërsi dhe në lëmin kishtar, dëftoi të kundërtën. Noli ishte i prirë për përkthime-rikrijime, për kthime të lira, “muzikore”. Ankthin e ortodoksisë së këtyre përkthimeve të para, dhe ngërçin e përkthyesit të ri, e gjejmë të pafshehur në shënimet e Nolit ato vite. Tendenca e përkthyesit për t’u larguar nga origjinali, por dhe dëshira e atëhershme për kompromis me Ortodoksinë, shquhet edhe në këtë shënim tek Libri i Shërbesave: “Më të kthyer të kësaj libre, u-përpoqa të mos largohem nga texti gërqisht dhe besoj që u dhashë Shqipëtarëve një kthim exakt të lutjeve të kishës Orthodoxe.”[10] 

Në periudhën e parë përkthimore, Noli u përpoq të jepte një kuptim të saktë të origjinalit greqisht, mirëpo kjo solli sakrifikimin e përshtatjes muzikore të këtyre teksteve. Vetëm një psallt i shkëlqyer e me përvojë të gjatë në muzikë, mund të këndojë lehtë këta libra të parë të Nolit. Sidoqoftë, flasim këtu për vështirësi në të kënduarit e teksteve të përkthyera, duke pasur parasysh përkthimet e periudhës së dytë në vitet 40, si dhe standardizimin e shqipes, e cila, me ndryshimet e përhershme fonetike që i ka shkaktuar shqiptarit të sotëm, ka kërkesa tejkaluese në përvojën tonë gjuhësore.  

Le të kujtojmë se një përshtatje muzikore sot, do ta gjejë tekstin gjuhësisht të gatshëm, dhe nëse e njeh mirë gjuhën, do të luajë me të për ta përshtatur, për të arrirë çdo ndryshim në poetikën e tekstit, por këto ndryshime të fjalëve do të jenë sintaksore, jo fonetike, brenda ligjeve të shqipes së sotme spontane, e cila ushtron trysni, sepse ekziston e imponuar në intuitën tonë. Ky ngurtësim i standardit, sidomos për jugorët, është shumë i dobishëm për një perspektivë të tillë muzikologjike. Por jo në vitet 1910, kur shqipja e shkruar ishte e shtirur, nuk ishte e njëtrajtshme, dhe theksat e fjalëve ishin të ndryshëm, në të folme të ndryshme, edhe brenda toskërishtes. Pozita e përkthyesit brishtëzohej edhe më, sepse theksi muzikor, sidomos në muzikën bizantine, ndjek theksin e gjuhës, i shërben fjalës, e interpreton atë dhe, në rast rreziku, i nënshtrohet fjalës, ndryshe nga muzika shekullare. 

Përshtatja muzikore është e vështirë për çdo gjuhë, sepse është e mundimshme të balancohet gjuha e përkthyer me muzikën e tingullit dhe të melodisë përkatëse, aq më tepër në një gjuhë jo standarde, ku kjo është vështirë të shmanget, për shembull, në “të përshëmbëlltat”, siç i quajti Noli himnet që këndohen me të njëjtat melodi të paradhëna (Προσόμοια). Ndërsa të pakta janë rastet e përshtatjes së përsosur bizantine në përkthimet e para, do të shohim se në përkthimet e dyta kjo u arrit shumë më gjerë, por jo me metoda të paradhëna. Për sa i përket periudhës së parë, arsyetimi se askush ndër të gjallë mund të guxonte të bënte diçka të tillë i vetëm, dhe se pa një paraqitje të tillë nuk mund të arrihej kombëtarizimi i kishës, çoi dhe në vlerësime të cekëta muzikologjike.  

Kostandin Trako, për shembull, duke portretizuar Nolin si “muzikant-kompozitor”, shkroi: “Në përkthimin e teksteve Liturgjike, një armoni e plotë pajton për mrekulli thekset tonale letrare me thekset shprehëse muzikale. Kjo përputhje është keq perfekte, sa të bën përshtypje sikur me qenë të shkrueme drejt për drejt në gjuhë t’onë amtare.”[11] Sa bukur do të ishte! Këta margaritarë do të shkonin vetëm për përkthimet e dyta të Nolit, për të cilat ky vlerësim emocional edhe mund të hahej sot. Ne që kemi studiuar muzikën kishtare bizantine, por dhe që kemi përdorur përkthimet e Nolit me vite të tëra, pa lënë mënjanë hulumtimin ndërdisiplinor mbi këto vepra, jo vetëm që nuk ngazëllehemi nga një kritikë e tillë shqiptare, por shënime të tilla entuziastësh i gjejmë naive, pavarësisht nga eleganca e terminologjisë në parashtrim.  

Ideologjia për t’i qëndruar besnik origjinalit të tekstit në vitet 1910, duke kontrolluar kësisoj ndjenjat muzikore të tekstualitetit bizantin, shpreh motivimin politik të Nolit. Ai përktheu në një frymë që mund të lehtësonte kishën ortodokse të pranonte dhe të njihte këto përkthime si libra kishtarë në shqipe, ndërsa një qëndrim tjetër në përkthim, do të ngrinte pengesa të tjera në zyrtarizimin e përkthimeve, do të banalizonte tekstualizimin e lëvizjes, do të vononte kombëtarizimin, pavarësinë e kishës shqiptare. Të paktën, kështu besonin atëherë. Me këtë strategji, ai shpresonte se çdo reagim negativ ndaj përkthimeve të tij do të ishte i kufizuar. 

Ndërsa po botonte Librin e Shërbesave (1909), Noli filloi të informojë dhe organizojë shqiptarët ortodoksë brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke iu kërkuar t’i dërgojnë peticione Patrikanës së Kostandinopojës, për të lejuar përdorimin e këtyre teksteve në Shqipëri. Përkthyesi sugjeronte se një nga të dhënat e këtyre përçapjeve duhet të ishte dhe fakti se mesha ishte përkthyer nga një prift shqiptar ortodoks. Nga ana tjetër, ai kërkonte t’i dërgoheshin letra edhe kryepeshkopit rus në Amerikë, për ta puthitur mirë problemin: “Shoqëritë të venë nga një njeri që di Greqishten dhe Shqipen mirë që ta shëkojë dhe të dërgojnë nga një shkrim te kryebiskupi që është kthyer korektërisht dhe pastaj do të apë autorizacie të shkruar që të përdoret në çdo kishë ortodokse. Kjo u mbarua do me thënë.”[12]  

Duke shfrytëzuar rrëmujën dhe nxitimin, Noli mëtonte që kritikët të himnonin përkthyesin me metodat e njohura lindore, pavarësisht se kësisoj po dëlirej lindja e një kritike profesionale në letrat përkthimore shqipe. Edhe ky fakt tregon, krah të tjerave, se sa vuante Noli, jo vetëm për të sendëzuar projektin e përkthimeve kishtare, si pjesë e një lëvizjeje kombëtare që po sakrifikonte, por dhe për t’u imponuar në botën shqiptare; atje ku sapo kishte bujtur. Por në atë kohë, kur nuk ekzistonin përkthime të tjera, dhe kur filologët nuk bashkëpunuan për përkthime të përbashkëta, kushdo dashamirës do t’i himnonte këto himne shqipe; sepse e meritonin.  

Receptimi si ngjarje ndërshqiptare 

Receptimi i këtyre botimeve ishte i ngrohtë nga figurat e letrave shqipe të asaj kohe: Faik Konica, Lasgush Poradeci, e të tjerë. “Në tërë jetën time, tha Fan Noli në fjalën funerale të Konicës, s’kam njohur njeri që interesohej për Kishën tonë kombëtare aqë sa Faik Konitza. Ay na e shtypi Librën e Meshës më 1908 në Bryksel; ay i ndreqi korektimat pas abecesë së vjetër një herë; pastaj i ndreqi vetvetiu për së dyti pas abecesë së re, që posa u-vendos prej Kongresit të Manastirit. Ay e ka zgjedhur pikturën e Shën Joan Gojartit që figuron në mes t’asaj libre. Dhe këtë pikturë e ka kërkuar nat’ e ditë, me javë e me muaj, gjer sa e zbuloj në librat e vjetëra kishëtare. Siç më shkruante, piktura duhej ta tregonte Shën Joanin jo të bukur dhe të pashëm, siç e kanë imagjinuar disa piktorë, por të mvojtur dhe të shëmtuar, ashtu siç ka qenë me të vërtetë.”[13]  

Konica u përfshi në këtë projekt kulturor ashtu si shumë myslimanë shqiptarë, apo dhe intelektualë ortodoksë, përndryshe indiferentë në besimin e tyre, pikërisht se shihnin vlerën e këtyre përkthimeve, me të cilat jo vetëm do të arrihej kombëtarizimi i kishës shqiptare, por dhe organizimi i diasporës ortodokse në Amerikë e gjetkë, duke premtuar shtimin cilësor në gjuhë e identitet të përbashkët.  

Lasgush Poradeci, në esenë e tij mbi komunitetin shqiptar të Rumanisë, flet për përpjekjet e shoqatës “Komuniteti orthodhoks shqiptar i Bukureshtit”, për të hapur një kishë shqipe. Edhe pse ishin mbledhur të hollat, edhe pse mitropoliti atje ishte në dijeni e simpati të këtyre përpjekjeve, e madje “kish të njohur dhe miqësi vetore me shumë anëtarë”, e dha lejën vetëm kur shqiptarët i treguan atij Librin e Shërbesave shqip (1909): “Kryesisht libra e Fan Nolit i bëri Shentërisë së tij një përshtypje të fellë. Mitropoliti u kënaq me të tepër kur pa se organizimi i Kishës Shqiptare kish bërë një fillim me rëndësi dyke u përuruar me qarkullimin e një vepre themelore, dhe i dha urdhër ierarkisë së Bukureshtit për t’u plotësuar në mënyrën më të kënaqur dëshira kombëtare e shqiptarëve.”[14]  

Por veç vlerësimit nga ana politike e letrare, përmes një vendosjeje kulturore të përkthimeve të periudhës së parë, kishte dhe reagime jo përlëvduese. Këtu mund të përmendim Aleksandër Xhuvanin, i cili kishte një epërsi ndaj Nolit, meqë kishte përfunduar studimet në Athinë për filologji, ndërsa Noli ishte ende student në Harvard, për rrjedhojë me boshllëqe disiplinore në shqipe e në greqishte. Në disa pika kritika e Xhuvanit ishte me vend, gjë që do ta shtrëngonte Nolin në përkthimet e mëvonshme, për t’u menduar më thellë në përzgjedhjen dhe ngjizjen e termave. Ndërsa në pika të tjera, kritika e Xhuvanit ishte pjesë e mbetjeve puritane, por që atëherë këto mbizotëronin letrat shqipe. Për t’u familjarizuar me problematikën kulturore ndër intelektualë ortodoksë, si dhe për të dëgjuar anën tjetër të receptimit të Nolit në periudhën e parë përkthimore, le të ndalemi në një pikë të kritikës së A. Xhuvanit, e cila edhe sot, në realitetin e shqipes tandarde, është vërtetuar e drejtë. Është fjala tek termi liturgjik mister (mystérion), i cili e pështjelloi Nolin rishtar për ta përkthyer sakrament, për të bërë kësisoj dallesë nga fjala e rëndomtë mister

“Unë fjalën myster e marr filldrejtë nga gjuha greqishte në të cilën kallzon dy gjama: gja të fshehtë edhe shërbesë fetare. Nuk më duhet pra mue të vete e ta marr nga gjuha frangjishte, qi edhe kjo e ka marrë nga greqishtja, dhe t’i apij asaj fjalë domethanën që ka në frangjishtet, për fjalën sacrement a të përdoroj kte, sakrament apo fjalës mister diçka t’i ve prapa a përpara që të kuptohet për sacrement. Pse me bamë kto dredha e me vojtun në frangjishtet, kur mundem me e marrë (pa frikë se Shenjtëria e Tij mos më quejë grekoman a filogrek) drejtë për së drejti nga greqishtja fjalën Myster e, me i dhanë ksajë domethanën e shërbesës fetare qi ka, apo të dyja domethanët, të shërbesës fetare e të gjas së fshehtë?”[15]

Nëse e lexonim këtë pasazh në toskërishte, a nga një tosk, dhe jo nga një geg ortodoks, përnjimendsh do ta etiketonim shkruesin si “grekoman a filogrek”, ashtu siç druhet vetë Xhuvani para një qindvjeçari. Problemi është se pozita e ortodoksëve midis shqiptarësisë dhe grekësisë, jo vetëm që është e prekshme, dje dhe sot, por nuk është gjeografike, ndryshe nga ç’predikon mendimtaria shqiptare.  

Aleksandër Xhuvani na bën të përsiatemi këtu. Formulime të tilla dëshmojnë potencialin intelektual të atij brezi, shfaqjen e një kritike paralele në letrat shqipe (krah asaj “me porosi”, siç u trashëgua gjer sot) dhe guximin e laikëve për t’u përzier në punët e Kishës, mungesa e frikës për të folur publikisht. Nga ana tjetër, dashuritë puritane i mbanin të talentuarit larg përfshirjes në sfidat kulturore të brezit të tyre. Kështu, me drojën e rrezikimit drejt së panjohurës, edhe pse të afërndodhur, intelektualët ortodoksë pengonin tekstualizimin e lëvizjes për kombëtarizimin e kishës. Dhe këtu lartësohet bujtësi Fan Noli, i cili nuk ka frikë të eksperimentojë në botën shqiptare, por ndoshta e bënte këtë pikërisht se ishte i atillë. Jo më kot ato vite, kur kapej në gabime mbi mosnjohjen e realitetit shqiptar, shtrëngohej të thoshte të vërtetën: “I njoh shumë pak shqiptarët.” Reformat dhe risimet sugjerohen më lehtë prej atyre që vijnë nga jashtë kësaj kulture, apo prej atyre që veçohen nga shumica e të gjallëve në atë kulturë.   

Në shtresat e gjera ortodokse, le ta themi, nuk ekzistonte nevoja e brendshme e përkthimeve si shtrëngim, pasi çështjet e gjuhës vinin nga rrethet e intelektualëve, me të cilët populli i thjeshtë ishte në hendek të shumëfishtë. Petro Luarasi dëshmon me dhimbje se në vitet 1910, në shumicën dërrmuese të kishave ortodokse të jugut të Shqipërisë, nuk predikohej fare.[16] Priftërinjtë kryenin mekanikisht shërbesat, në një gjuhë që nuk e kuptonin mirë as vetë meshtarët. Nuk ishte vetëm problemi i gjuhës, por, sidomos, i injorancës, e cila rridhte nga vetë kleri. Gjithë të dhënat e paanshme të asaj kohe, dëshmojnë se pjesa dërrmuese e klerit dhe e popullit ortodoks ishte kundër përkthimeve liturgjike në shqipe, ose, që ta themi siç e thoshnin atëherë, ishin kundër ndalimit të greqishtes në Kishë. 

Klerikët, pra, edhe pse në shumicë nuk dinin të predikonin, as greqisht e as shqip, përhapnin idenë se përkthimi në gjuhë shqipe ishte sa ironik aq dhe qesharak. Një mendësi e tillë vijoi gjatë në Shqipëri, sepse pesëmbëdhjetë vjet mbas botimit të librit të parë kishtar në shqipe, peshkopi i grigjës së viseve të Gjirokastrës, Vasílios, mbas dëbimit nga Shqipëria, rrëfen i vetëpërshkruar naivitetin e ndërsjelltë kulturor, në një telegram drejtuar Lidhjes së Kombeve: “Qeveria shqiptare kërkon të futë në liturgji gjuhën shqipe, shumë primitive, e cila madje është e përjashtuar edhe nga xhamitë myslimane.”[17] Kryeprifti nyjëton bindjet naive të grigjës, por na kujton dhe mënyrat kurthngritëse të hierarkisë greke, keqinformimin e opinionit ndërkombëtar mbi çështjen shqiptare; ashtu si edhe sot. 

Reagimi ortodoks kundër shqipes si gjuhë e mirëfilltë kishtare, kishte fillesa kulturore e spirituale, por kjo shtohej e manipulohej nga segmente më pak të pafajshme. Me këto të dhëna, kisha greke nuk kishte pse të krijonte industri qëmtimi ndër shqiptarë, sesa të mos vonohej në ofshamat e tyre. Në shumicë shqiptarët nuk besonin në shqipen adhurimore, pikërisht se ishin të manipuluar nga Kisha. Si rrjedhojë, Fanari i konsideronte përkthimet e Nolit të papranueshme për adhurim. Por cila ishte alternativa e Patrikanës për shqiptarët, për mbarëvajtjen shpirtërore të të cilëve ishte përgjegjëse para Zotit? Greqishtja bizantine në kishë, apo mësimi i detyruar në shkollat greke?  

Sidoqoftë, këtu duhet të përpiqemi ta rilexojmë historinë me parabindjen se ngarkesa emocionale që vjen nga opinionet e gjithë burimeve greke dhe nga shumë vlerësime të njëzëshme të burimeve shqiptare, është njësoj e pranishme. Pyetjet se, përse Patrikana shprehu pëlqimin për përkthimin e Dhjatës së Re shqip në vitet 1820 dhe përse e ndaloi këtë përkthim më vonë, dhe se përse qeveria greke sponsorizoi botimin e fjalorit të parë të mirëfilltë të gjuhës shqipe, si dhe libra të tjerë shqip, e të tjera pyetje të ngjashme, janë të nevojshme për të filluar një debat të ri, për të formuluar frazeologji të reja, të domosdoshme këto për një etikë të re. Përkthimet e Nolit janë pjesë e kësaj polemike, dhe ndoshta pika më e skajshme. Kjo nuk mund të kuptohet plotësisht nëse nuk ndijojmë frymën e kishës ortodokse ndaj tekstualitetit në adhurim, gjë që mund të bëhet duke gjetur krahasimet midis shqipes dhe greqishtes së re; një këndvështrim në këto dy të folme të brishta “shtetërore”, dy gjuhët bashkëvuajtëse, në raport me greqishten kishtare, gjuhën e ngurtë dhe epërsore “perandorake”.                

Shfaqja dhe mirëpritja e përkthimeve të Fan S. Nolit kishte rëndësi historike, pikërisht sepse ishin përkthimet e para liturgjike në gjuhën shqipe. Me to u arrit organizimi i kishave shqiptare në diasporë dhe me ato u pajis lëvizja për pavarësinë e kishës në Shqipëri. Sidoqoftë, ndërsa stili mjeshtëror i Nolit mahniti njerëzit e letrave shqipe, nuancat teologjike i rrëshqitën vëmendjes së tyre. Por jo teologëve të kishës ortodokse shqiptare.  

Në statutin e vitit 1922/1923, formulohet diplomatikisht se “Librat Shqipe kishëtare që janë përdorur gjer më sot do të përdoret prapë gier sa të trajtohet nga Sinodhi Epishkopal i cili do të vendosë për vazhdimin e përdorimit të tyre.”[18] Gjithashtu, edhe statuti i vitit 1929 përsëriti të njëjtin shqetësim, se “Librat e Kishës që janë përkthyer do të këqyren prej Sinodhit, i cili e ka për detyrë të kujdeset sa më shpejt për përkthimin dhe botimin e atyne librave të Kishës që mungojnë.”[19] Megjithë këtë mospranim në dukje nga kleri i lartë shqiptar, të vetmet botime nga premtimet e statutit të vitit 1929, ishin dy ribotime të Nolit: Libri i Shërbesave (1930) dhe Libri i të kremteve të mëdha (1931). Edhe pse këta libra u ribotuan me disa ndryshime, për të pranuar “ecurinë e gjuhës” mbas njëzetvjeçarit që nga botimi fillestar, shkaku kryesor që e shtrëngoi hierarkinë të ndërmerrte këto botime, ishte shterimi i librave të mëparshëm të Nolit.[20]

Statusi i përkthimeve të para sot 

Sinodet e KOASH-it, që nga vitet 30 e gjer sot, nuk mundën ta pasurojnë literaturën adhurimore ortodokse me diçka tej Nolit, dhe madje as mundën t’i rishikojnë dhe t’i rishtypin të gjithë librat e tij. Kisharët tanë, edhe pse me studime teologjike e me mundësi të mëdha ekonomike, dje dhe sot, u treguan të paaftë në këtë fushë, duke i dhënë përkthyesit të madh një status të pamohueshëm në Kishën Ortodokse. Gjithsesi, mungesat në libra, krahas problemeve të tjera, e mbajnë kishën autoqefale shqiptare larg plotësimit të tipareve të plota vendore, disa prej të cilave u bënë realitet vetëm nëpërmjet veprës noliane. 

Periudha e parë e përkthimeve të Fan S. Nolit pati më shumë dritë e më pak hije. Para përfundimit të kësaj pune në dukje të pamundur, prifti 30-vjeçar iu kishte premtuar bashkatdhetarëve të tij, se do t’iu dhuronte lutjet më të domosdoshme në shqipe. Tashmë atë e priste një fushë tjetër, përkthimi i veprave të letërsisë botërore, “për të cilat kombi ynë ka aqë nevojë”.[21]  

Periudha e parë përkthimore i dha Nolit një vend të përhershëm në ortodoksinë shqiptare. Sa profetik ishte Mitrush Kuteli në vitin 1943, kur, duke analizuar jetën dhe poezinë e Nolit, u shpreh: “Imzot Theofani jo vetëm që krijoj veglën e parë që hapi rrugën drejt Autoqefalisë kishëtare, por edhe farkoj terminologjinë Shqipëtare për Kishën Orthodokse. Këto shqipërimet e tija janë edhe sot, e do të jenë për shumë kohë, librat e shërbimit të shenjtë të Kishës s’onë.”[22] Me të vërtetë, edhe sot këto përkthime parapëlqehen si alternativa e parë për përdorim në kishë. Këta libra janë baza nga ku do të nisen një ditë përkthyesit për të përmirësuar e plotësuar përkthimet kishtare në shqipe. 

Përkthyesit e sotëm të pasazheve himnologjike, duhet të kenë parasysh se përkthimet e periudhës së parë të Nolit janë më të përshtatshme për të cituar, sepse në këto botime himnet i qëndrojnë shumë më afër origjinalit, ndryshe nga periudha e dytë, siç do të shohim në trajtesën që vijon.[23] Është interesant fakti që një shtëpi botuese misionare në Selanik, e cila ka shtypur literaturë ortodokse në disa gjuhë, me fillimin e riorganizimit të jetës fetare në Shqipëri, filloi rishtypjen e librave të periudhës së parë të Nolit, deri sa seria u ndal me botimin e librit të tretë, i cili madje u shtyp i gjymtuar, pikërisht se Kryepeshkopata e Tiranës e bllokoi botuesin, duke mos pranuar e shpërndarë librat liturgjikë, të cilët madje u shtypën falas për shqiptarët.[24] Sepse nuk u uzurpua vetëm froni i shqiptarëve, por dhe heroika në Shqipëri… 

Por botimet e Selanikut janë një përjashtim, ose të paktën dëshmojnë potencialin e një faze të mundshme prodhimtare midis dy zonave. Ende sot Greqia zyrtare nuk i ka ndryshuar termat ndaj Fan Nolit. Në veprën më të plotë mbi historinë e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në greqishte, përpunuar e ribotuar në vitin 1998, Noli kishtar vazhdon të figurojë atje me të njëjtat epitete, përdorur nga kisha greke në vitet 20: “Hyjtallës” e “aventurier”. Ndërsa cilësimi i parë është krejt shpërfolës, i dyti ndoshta qëndron, sepse pa aventura, sidomos kur këto shpirtërohen e kanalizohen në një qëllim të qashtër kombëtar e fetar, nuk mund të bëhet asgjë e mbarë në botën ballkanase.   

Në vitin 1999, në përpjekje për të botuar Autobiografinë e Nolit në greqishte, takova një botues grek, nga e cila bisedë po shkëpus këtu një detaj. Mbasi paraqita në tryezë tekstin anglisht dhe draftin tim greqisht, sa e hapi botuesi librin e Nolit, i shkuan sytë në këtë faqe e në këtë paragraf: “Si ndodhi atëherë që Fan Noli, i cili kishte bërë shtatë vjet në shkollën plotore greke dhe katër vjet në gjimnazin grek, mbeti një djalosh fshatar shqiptar, pavarësisht nga gjithë ai arsim grek? Ka shumë arsye pse Fan Noli doli nga ujërat greke dhe u shkund si rosa.”[25] Zotëria e ndali leximin dhe tha: “Edhe unë, kur isha në Amerikë me studime, në ndonjë festë e ngrija flamurin amerikan, por e bëja me shaka, për të argëtuar miqtë e mi amerikanë, sepse në shpirt isha grek dhe nuk mund të emocionohesha me një flamur tjetër. Njësoj është dhe kjo histori. Nuk kam gjë me Nolin, pra, por nuk mund ta botoj këtë libër.”  

Problemi me Nolin është problem me kishën greke dhe jo me grekët. Përkthimet e Nolit dolën pikërisht si nevojë për t’u shkundur plotësisht nga ujërat greke. Dhe kjo duhej bërë sa më parë e sa më mirë, duke e nisur nga vetë klerikët. Le të përfundojmë duke kujtuar fillimet e periudhës së parë përkthimore të Nolit. Në një letërpërgjigje drejtuar Thanas Tashkos, Noli justifikohet me të drejtë ndaj akuzave të Sotir Pecit mbas librit të parë: “Kur të shtrohen punët le të vijnë theologët dhe filologët ta ndreqin. Tani këtu n’Amerikë ku t’i gjenj unë?”[26] E pra, kjo seri botimesh të vyera i jepej gramatologjisë shqipe si pikë nistore, për një udhëtim të stërgjatë; ende të paqarkuar edhe mbas një qindvjeçari.  

Foti Cici (Koha jone, 17 shtator 2003)                              

—————————————————————————-
[1] Gjashtë librat e periudhës së parë përkthimore janë dixhitalizuar plotësisht në ShqiptarOrtodoks.com/Tekste liturgjike/Noli/Periudha e parë.
[2] Këtë e mbështet Evllogji Kurilla, në veprën e tij Studime Shqiptare – Përkthimi i Dhjatës së Re në shqipe (Ευλόγιος Κουρίλας Λαυριώτης: Αλβανικαί Μελέται – Η Μετάφρασις της Καινής Διαθήκης εις το Αλβανικόν), 1933, f. 35.
[3] Një studim mbi shqipen e Nolit është ai i Fatmir Agalliut: Gjuha e Nolit në veprat origjinale të tij, 1999.
[4] Për një pasqyrë të arsimimit të Nolit para vitit 1909, shih: Efthim Dodona, Noli i Panjohur, 1996, f. 20-21. Atje, në dokumentacionin për regjistrim në Harvard, renditen mësimet që ka marrë kandidati në gjimnaz dhe gjetkë. Në studimin e gjuhëve, shënohen autorët dhe fushat e studiuara në ato gjuhë: greqisht, latinisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Literatura e studiuar në greqishte të vjetër renditet me autorë, por nuk ekziston asnjë autor i periudhës bizantine. Në vijim, në seksionin “Lëndë të paklasifikuara më sipër”, mbasi ka renditur “shqip, greqishte e re, turqisht, arabisht”, kandidati shënon “Studime Speciale për Kishën Greke”, pastaj “Literaturë ruse dhe skandinave, Teatri i Vjetër dhe Modern”, dhe e përfundon me “Muzikë Kishtare Greke”. Me “studime speciale për kishën greke”, çfarë ka parasysh kandidati? Ka të ngjarë të jenë studime në fushë të liturgjikës, e cila atëherë mund të mos konsiderohej si disiplinë më vete, por edhe lëndë të tjera, të cilat nuk mund të renditeshin më vete. Përderisa gjimnazi kishte ngjyra kishtare dhe përgatiste mësues për shkolla kishtare, kandidati mund të ketë pasur lëndë në himnologji, arkitekturë kishtare, e ndoshta dhe në ajiografi (Ndërsa “historia kishtare” është renditur në seksionin e historisë). Përse “studimet speciale për kishën greke” të mos vijohet në listë nga muzika kishtare? Aq më tepër, kur që të dyja këto lëndë kanë të bëjnë me kishën greke. Ndoshta në origjinalin anglisht renditja mund të ketë tjetër kriter, por rëndësi ka që me këtë pasqyrë arsimimi, qoftë dhe jo shteruese, ne dimë përgatitjen e Nolit gjatë periudhës së parë përkthimore.
[5] Fan S. Noli, Shërbes’ e Javës së Madhe, 1908, Pasthenjé.
[6] Po aty.
[7] Fan S. Noli, Librë e Shërbesave të Shënta të Kishës Orthodoxe, 1909, Parathënie.
[8] Të dy këto vëllime, gegërisht (1872) e toskërisht (1879), janë dixhitalizuar dhe mund të lexohen të plota në ShqiptarOrtodoks.com/Albanologji+Tekste biblike.
[9] Fan S. Noli, Librë e Shërbesave të Shënta të Kishës Orthodoxe, Parathënie. Edhe pse Noli e përndoqi Kristoforidhin nga përkthimet e veta, hija e tij nuk iu nda. Kur në vitet 30 u ribotuan dy vepra të Nolit nga KOASH-i, komisioni i këtij projekti, nën kryesinë e Kryepeshkopit Visarion (Xhuvani), hoqi nga libri i të kremteve (1911) këndimet biblike, përderisa ato do të botoheshin tashmë si libra më vete: Ungjilli (1930) dhe Apostulli (1931). Në këto botime të reja, përkthimet biblike të Nolit u mohuan. Në vend të tyre, tekstet ungjillore dhe apostullore u huazuan nga Dhjata e Re toskërisht e Kristoforidhit. Por ka një paradoks në këto botime ortodokse të viteve 30: Ndërsa kryesia e KOASH-it interesohet për ecurinë e gjuhës dhe bën ndryshime gjuhësore në përkthimet liturgjike të Nolit, në të njëjtat botime e përmbys Nolin dhe ecën mbrapsht drejt Kristoforidhit, i cili ishte më mbrapa Nolit, si në kohë ashtu dhe në ideologji. Siç duket, përkthimet biblike të Kristoforidhit ushqenin emocione të forta për ortodoksët, jo vetëm nga fama e autorit, por ndoshta se ajo gjuhë e kulluar shqipe, njëkohësisht jashtëtokësore, ishte e zonja të zëvendësonte në mendjen e besëmirëve greqishten e dikurshme kishtare, me ëmbëlsinë e gjuhës së kultit, larg rendit të përditshëm. Kjo është e dhimbshme, sidomos kur bëhet fjalë për përkthime përkthimesh, gjë që më shumë ka zhgënjyer vetë Nolin. Por kjo na ndihmon të shquajmë edhe ndjenjat e përziera të hierarkisë shqiptare ndaj Nolit: Atje ku nuk iu duhej, e rrëzonin, por nuk mund ta bënin këtë plotësisht, sepse nuk ishin të zotët ta tejkalonin.
[10] Po aty.
[11] Kostandin Trako, “Imzot Fan S. Noli, muzikant – kompozitor”, Jeta Kristiane, No. 3, maj 1944 (Cituar nga Dr. Eno Koço, Lufta dhe Muzika – Udhëtim në kritikën muzikore shqiptare të viteve 1939-1944, f. 11-12, http://www.leeds.ac.uk/music/staff/ek/albanian).
[12] Letër Zef Nosit, 30 qershor 1908, Fan S. Noli, Vepra 6, 1996, f. 351.
[13] Fjala funerale për Faik Konitzën, Dhjetor 1942, Faik Konica, Vepra 5, 2001, f. 6-7. Sa keq që nuk shikojmë sot patriotë myslimanë, nga ata gjëmëmëdhenj që ndërhyjnë me kryeneçësi në çështjet tona kishtare, të kenë frymë të tillë bashkëpunuese e fedashjeje, si Faik Konica. Përkundrazi, emigrantë modestë myslimanë, të cilët punojnë fort e heshtur, gjejnë kohë e mundësi të na ndihmojnë ne ortodoksëve, në projekte me vlera të përbashkëta.
[14] Lasgush Poradeci, “Vepërimi Kombëtar i Shqiptarëve të Rumanisë me Kryeqendër Kolloninë e Bukureshtit”, Vepra 2, 1999, f. 227.
[15] Aleksandër Xhuvani, “Puna e fjalës mysterion”, Shkrepëtima, Kajro, 5 mars 1911. Përkthimi i termit μυστήριον në sakrament nuk vazhdoi në përkthimet e mëvonshme të Nolit, por u përkthye mister, ashtu siç është edhe sot. Kjo nuk tregoi vetëm tërheqjen e Nolit, sesa dëshmoi pasigurinë e tij në detajet filologjike e teologjike. Megjithatë, sot ekziston një tendencë për përdorimin e fjalës sakrament, si sinonim i asaj mister, por kjo është pjesë e dialektikës së kontaktit në gjuhë; të shqipes me anglishten.
[16] Petro Nini Luarasi, Qortimi i letrave shqipe dhe apologjia e shqiptarit (Versioni greqisht), Manastir 1911, f. 76 (Libri dygjuhësh i P. L. mund të lexohet i plotë në ShqiptarOrtodoks.com/Kisha ortodokse shqiptare/Petro Luarasi).
[17] AE, Societé des Nations, Minorite en Albanie, vëll. 445 (Cituar nga Roberto Moroco dela Roka, Kombësia dhe feja në Shqipëri: 1920-1944, përkthyer nga Luan Omari, 1994, f. 53).
[18] Statuti i Kishës Orthodhokse Autoqefale Kombëtare të Shqipërisë, Korçë, 1923, Nyja xiii (Të tre statutet e KOASH-it mund të lexohen të plota në ShqiptarOrtodoks.com/Kisha ortodokse shqiptare).
[19] Statuti i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipris, Korçë, 1929, Kaptina II, Art. 8.
[20] Shih: Dhimitër Beduli, Gjuha shqipe në Kishë, 1997 (Botuar fillimisht më 1961), f. 24-25.
[21] Fan S. Noli, Librë e të Kremteve të Mëdha të Kishës Orthodoxe, 1911, Parathënie.
[22] Mitrush Kuteli, “Poeti Fan S. Noli-vështrim panoramik”, Mall e Brengë, 1943 (Cituar nga Fan S. Noli, Albumi, 1948, f.12).
[23] Në përkthimet e KOASΗ-it këto vite, të cilat nuk shquhen për cilësi e detajim në shqipen standarde, hasim citime nga përkthimet e dyta të Nolit, të cilat disa herë nuk i kanë fare frazat e origjinalit greqisht a anglisht. Mosnjohja e greqishtes liturgjike nga përkthyesi i një teksti ortodoks, mund të zëvendësohet me leximin e kujdesshëm të pasazheve liturgjike në anglishte, e për t’i përqasur në vijim me përkthimet e para të Nolit, të cilat janë tekstualisht më afër origjinalit, atje ku ekzistojnë. Përkthimet e njëpasnjëshme liturgjike që po kryhen në anglishte, janë një ndihmesë cilësore përkthimore, gjë që mund të përdoret edhe për plotësimin e përkthimeve shqipe.
[24] Në vitin 1997 shtëpia botuese Ορθόδοξη Κυψέλη botoi dy librat e parë: LUTJESORJA,  e kthyer nga Gërqishtja prej Priftit Orthodoks F. S. Noli, 1914, dhe PESËDHJETORE E VOGËL, e kthyer nga Gërqishtja prej Priftit Orthodoks F. S. Noli, 1914. Po atëherë u botua dhe libri i tretë, me një pjesë nga Triodi i vogël (pa datë), me titullin Java e Madhe e Shenjtë, 123 faqe (Dy librat e parë të këtyre ribotimeve greke, për arsye të cilësisë më të mirë fizike, në krahasim me ato origjinale, janë dixhitalizuar dhe mund të lexohen të plota në ShqiptarOrtodoks.com/Tekste liturgjike/Noli/Periudha e parë).
[25] Metropolitan Fan S. Noli, Fiftieth Anniversary Book of the Albanian Orthodox Church in America, 1960, f. 51-52. Se sa sinqeritet ka në shënimet e Nolit në pleqëri, sidomos mbi fëmijërinë dhe rininë e hershme, mbetet për t’u trajtuar më vete, sidomos kur tema e identitetit është një nga pikëpyetjet e brezit të sotëm shqiptar. Por edhe kjo pjesëz e cituar, nëse lexohet disa herë, ka shumë për të thënë.
[26] Letër Thanas Tashkos, 2 shtator 1908, Fan S. Noli, Vepra 6, f. 344.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s