Kur zyrtarizohet gjuha në rajon

Emri zyrtar i kishës sonë është Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë (Me th-të dhe me dh-të e Korçës së viteve 20, siç ripërdoren sot tek mbiemri Orthodhoks). Mund të quhet edhe “Kisha ortodokse shqiptare”, në një referencë kuptimplote, por këtë të fundit ne nuk e shkruajmë zyrtarisht me shkonjë të madhe (Shqiptare), jo vetëm se mbiemrat e kësaj kategorie në shqipe shkruhen me të vogël, por pikërisht se në kontekstin kulturor të standardit të sotëm kjo do të keqkuptohej. Kjo pikë mund të konsiderohet si një stacion konfesimi/rrëfimtarie midis besimtarëve dhe jo kishtarëve, kur këta të fundit ndërhyjnë dhe shkelin etikën përkatëse. Tej përkohshmërisë së ideve, e vërteta jetëgjatë është se kisha duhet të fusë në gjirin e saj dhe ata qytetarë shqiptarë që janë të kombësive të tjera, por që Zoti nuk na pyeti kur lejoi që ata të lindin e të banojnë në Shqipëri. Në qoftë se pranohet kjo nga të gjithë si qëndrim në veprim, dhe në qoftë se paralelët kuptimorë puqen me ata kulturorë, atëherë kisha jonë nuk ka pse të mos quhet edhe “Shqiptare”, në alternim me atë “e Shqipërisë”.  

Tek ky arsyetim sanksionohet në praktikën shqiptare mosekskluziviteti i shqipes në gjuhën e adhurimit. Statuti i vitit 1929 duket se kushtëzon shqipen si të vetmen gjuhë zyrtare – “Gjuha zyrtare e Kishës ësht Shqipja”[1] – duke heshtur nergut për gjuhën e adhurimit, e cila mund të konsiderohej nga patrikana dhe kishat e tjera autoqefale si prani që nuk ka nevojë të përmendet në ligjvënie, se ishte dhe është e vetëkuptueshme, por që nuk do të cënonte interesat e nacionalizmit për atë kohë, ndërsa sot, mbas trushpëlarjes e gjuhëtharjes së diktaturës, tingëllon e paqenë atje.  

Statuti mbretëror i 1929-ës e ka renditur nenin e gjuhës në nenet që nuk mund të ndryshohen. Asnjë statut i asnjë kishe autoqefale, veç, nuk mund të parashikojë se sa pak të ndryshueshme janë nenet e tij. Kuptohet që formacione të caktuara përjetuesish, ndërjetuesish e për mburojë mbijetuesish, e kanë shumë të vështirë të pranojnë formulime të tilla, të cilat duhen shpallur prej tyre si “antishqiptare” mu në konceptim. Ndërsa ne jemi të detyruar t’i peshojmë mirë sendet dhe të tregojmë dëshirë e frymë kërkimi. Tundime të tilla, mbi pagabueshmërinë e institucioneve fetare, a mbi shenjtërinë e atyre shekullare, unë kam mësuar t’i negocioj duke përtypur, pa ripërtypje, relativitetin e përkatësive të sotme… 

Statutet e kishave autoqefale nuk janë testamente bamirësish, të cilët duhen zbatuar një herë e përgjithmonë. Ato formulohen me frymën e kanoneve të shenjta të Kishës Ortodokse, të cilat kanone, megjithëse janë shumë më ditëgjata nga statutet, prapë disa herë janë të papërdorshme sot dhe brenda Kishës filtrohen për të përmbushur misionin e saj në botë. Pra, kur kisha ortodokse e zbut rreptësinë e saj shumëshekullore, a kemi të drejtë ne të kërkojmë që legjislacioni kishtar, i cili shumë herë del si pasojë e ngjarjeve politike të kohës së tij, të lëndojë kishën e Krishtit nga njëra anë, e të mundojë një vend të varfër që kërkon të bindë dhe të përparojë nga ana tjetër?  

Vetëm me një lexim krahasimor kuptohet se statuti i vitit 1929 është më shumë i politizuar sesa ai i vitit 1950, dhe ky i fundit është shumë më i plotë dhe më i ngjashëm me statutet e kishave autoqefale simotra, pavarësisht nga presioni nën të cilin u përpilua. Fjala “presion” është kyçi për të pranuar dhe jetëgjatësinë e tij, përderisa ai ishte i dyfishtë; presion ndaj primatit ortodoks prej diktaturës, por dhe presion ndaj diktatorit shqiptar prej diktatorëve lindorë…  

Po të lëmosh gjuhën herë-herë partizane dhe thirrjet për të mbështetur “pushtetin e popullit”, statuti i vitit 1950 çudit me saktësinë dhe nenet parashikuese. Ai i vitit 1929 u shkrua me udhëzime qeveritare, por në izolim kishtar, ndërsa statuti i vitit 1950 u hartua me dijeninë dhe frymën e kishave të tjera autoqefale, sidomos asaj ruse, të cilat kishin gjetur gjuhën e bashkëpunimit me regjimet e vendeve përkatëse. Një nga përparësitë e statutit të vitit 1950 është pikërisht dhe qartësimi/përmendja e gjuhës së adhurimit, gjë që shpreh frymën tolerante të kishave autoqefale: “Gjuha zyrtare e Kishës është Shqipja, por në shërbimet fetare mund të përdoren edhe gjuhë të tjera”.[2] 

Në këtë perspektivë ortodokse të statutit të vitit 1950, gjuhët e tjera përveç shqipes mund të përdoren edhe në Tiranë dhe kudo ku është e nevojshme. Sigurisht kërkohet nga kryesia e KOASH-it që në të njëjtën kohë të tregohet përdëllyese dhe njësoj bamirëse për të përdorur gjuhën shqipe më gjerë. Treguesi më i qartë gjendet tek shqiptarët ortodoksë të Sarandës, të cilët janë të detyruar të ndjekin shërbesat në greqishte, në një kishë madhështore të ndërtuar me investimet e Bankës së Greqisë. Shumë prej shqiptarëve janë larguar nga kisha, si e vetmja formë reagimi ndaj situatës së sotme ndërkonfliktuale, në një kohë që atje KOASH-it i është dhënë një rast i artë për të strukturuar një bashkësi dygjuhëshe, e cila mund të ishte një shembull për gjithë rajonin, derisa të ndërtohet një kishëz modeste, me një prift shqipfolës, për ortodoksët që pëlqejnë të luten shqip. Duke pasur dy kisha në dy gjuhë, besimtarët le të përzgjedhin vetë sipas origjinës, gjuhës a madje dhe preferencave të tyre politike.  

Larmia e botës shqiptare, me shenjat e lëkurës së saj të lindura a të tatuazhuara, nuk ka pse kërcënon askënd. Në fund të fundit, perveç vetëshkarkimeve dhe lëndimeve të lakmuara, tautologët nuk ofrojnë asgjë tjetër. Tehemteh… Në qoftë se profili i rajonit që po përvijohet merr një ditë ngjyrat e ideatorëve, atëherë pasardhësit tanë duket se do të krenohen për gjuhët e trashëguara në Shqipëri. Janë kaq të qartë ogurët e këtij brezi, saqë për ta nuk do të ketë asnjë gjurmë misteri.     

                                                                                                    *  *  * 

Përse e bëjnë gjithë këtë luftë skajorët, për opinion a për influencë? Për të influencuar në çështjet kishtare ortodokse nuk mjafton vetëm patriotizmi i ndërkryer, racizmi i kontrolluar, shtimi i tagjisë e antihelenizmi i pakanalizuar, dhe as zelltaria për të rrokur disa të dhëna enciklopedike nga jashtë mbi besimin ortodoks, e për t’i përdorur me zulmë. Ishte ky qëndrim ndërhyrës që shkaktoi plagë në trupin e kishës sonë autoqefale. Punët kishtare ortodokse, të cilat duken herë-herë shumë të thjeshta për formacionet jashtë Shqipërisë, paraqesin ndërlikime të pazgjidhshme për jashtëkishtarët, pavarësisht nga komoditeti i vënë në veprim. Ata bashkëkombas që nuk janë të përlyer, por që iu djeg përmasa kulturore e ortodoksisë shqiptare, ftohen të bashkëpunojnë me njohësit dhe specialistët e kësaj fushe, në qoftë se duan që mundi dhe përpjekjet e tyre të japin pemë të dobishme për kishën ortodokse në Shqipëri; në përvijimet e saj dyplanëshe. 

[Foti Cici, 2003]   

————————————————————-

[1] Statuti i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipris, 1929, Kaptina I, Art. 3.
[2] Statuti i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, 1950, Neni 3. 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s