Arti dhe koha (Jorgos Seferis)

Pyetja ishte: Çfarë duhet të bënte punëtori shpirtëror përballë fanatizmave fetarë që kishin shpërthyer prej ortodoksive politike të kohës. Ata që u përgjigjën besoj se mund të ndahen në dy kategori: a) Ata që parapëlqyen t’i përkushtohen veprës së tyre duke besuar, me apo pa vetëdije, se vepra do të përgjigjej më mirë se vetë ata (Qëlloi që disa prej tyre të dënohen me vdekje nga të dy fanatizmat kundërshtarë), dhe b) Ata që parapëlqyen, e kam fjalën gjithmonë për artistët dhe jo për qeniet politike (detyrimi politik nuk i përket debatit tonë) të zgjedhin kampet e luftës shoqërore.

Besoj se më të mirët, midis këtyre të fundit, e kryen këtë vepër me bindje dhe ndërgjegje të plotë. Domethënë thanë haptas: “Sot kemi luftë, dhe gjithçka duhet t’i nënshtrohet urdhrave të kryeluftëtarit. Nesër, kur të mbarojmë, do të diskutojmë për Artin.” Me këtë kusht detyrohem të shtoj se i respektoj ata plotësisht, mbasi të vetmet diskutime që më interesojnë janë ato ku biseduesit nuk rreken t’i turbullojnë ujrat me çapraze demagogjike. 

Dhe me të vërtetë nuk është llogjike të pyesim nëse Arti duhet të jetë i pavarur – pavarësia e Artit është aksiomë – por nëse duhet që artisti, në kohën tonë të tiranizuar dhe të partizuar, të vendosë se Arti është çështje dytësore dhe t’a kushtëzojë me kriteret dhe suksesin e një qëllimshmërie politike. E shikoni se në Art, ashtu si edhe në punët e tjera të ndershme njerëzore, nuk është e mundur të punojë dikush me dy zotë, apo në pëlqeni t’ju përmend Audenin, i cili megjithatë shërbeu si vullnetar në luftën e Spanjës: Arti nuk mund të bëhet mami e shoqërisë.

Në qoftë se artisti parapëlqen qëllimshmërinë politike, nuk kam asgjë për të thënë. Por për ata që do të parapëlqenin Artin, dua të shtoj dy fjalë akoma.

Kur them Art, nuk e kam fjalën aspak për teorinë që përçonte “arti për artin”. Kjo doktrinë që nuk shërben më për asgjë, është mjeruar të kuptohet si puna e një njeriu të gjymtuar që sajon stringla boshe brenda një dhome të srerilizuar. E kam fjalën vetëm për klasën shpirtërore që krijon vepra të mira, të shkuara apo të sotme, ato që vënë ligje, ato që do të na mësojnë.

Nëse vërejmë, pra, përfundimet që dalin nga këto vepra, do të shohim se nuk janë aspak të huaja kundrejt luftrave dhe dëshirave të kohës së tyre. “Artisti i madh, siç është thënë, nuk është i kohës së vet; është vetë ai epoka e tij”. Dhe vërtet, ja jeta e poetit: kjo tërësi e përshtypjeve, ndjenjave, reagimeve që është lënda e veprës së tij, është në të njëjtën kohë një grimë e njerëzimit, i cili e rrethon me brengat, dhimbjet, madhështinë, me poshtërimet e tij. Sa më shumë “i njëjtë me vetveten” është artisti – dhe dua të kuptohet kjo jo në kuptimin e një ndërgjegjjeje sipërfaqësore, por si një dije që lëviz drejt shtresave më të thella të qenies njerëzore – aq më plot e zbraz epokën e tij në veprën e vet.

Lidhja e poetit me kohën e tij nuk është ajo mendore, apo edhe lidhja ndijimore që i lidh njerëzit në një manifestim politik, por është një litarth kërthize, është embrioni me nënën e tij, një lidhje thjesht biologjike.

Të gjithë jemi rekrutë të kohës sonë, thoshte i njëjti poet që përmenda më sipër. Ndryshe s’ka si bëhet. Nga gaveta e saj ushqehemi. Dhe kjo shpjegon faktin se përse shohim befas një poet të vërtetë, i cili ka konceptet më absurde apo “të vjetëruara” politike (sipas mendjes sime modeste politika poetike, ashtu sikundër edhe proza politike, është një nga gjërat më të këqia që ekzistojnë në botë) të paraqesë një vepër që, përveç virtyteve thelbësore, udhëheq, madje dhe politikisht, shumë më mirë sesa një tufë oratorësh publikë.          

Por që të mundë të punojë artisti ai duhet të jetë i lirë. Dhe kam trillin të besoj, se një nga qëllimet e kësaj lufte që me kaq heroizëm dhe kaq flijime bëri populli ynë ishte dhe liria e këtij lloji; domethënë, që të mos bien njerëzit dhe vendi ynë në një gjendje idiotizmi kataliptik. Dhe nëse qëllon që duke punuar kështu poeti, si njeri i lirë, të krijojë ndonjë vepër “propogande”, siç thonë (e zëmë se poezia e tij quhet “Persët”), kjo nuk do të jetë farë e keqe, por një vepër që në mënyrë fatale, të pashmangshme e të detyrueshme, duhet ta duartrokasin edhe armiqtë e tij.

 

Së fundi, duke mbështetur këtë mendim që besoj se është i drejtë, me aq sa di, aspak nuk dua të them se poeti është një qenie e papërgjegjshme që rrokulliset në të fryrët e frymëzimit a të trillit të tij. Përkundrazi, ideja ime është se artisti i fuqishëm është një nga qeniet më të përgjegjshme që lindin mbi tokë. Ai ngre përgjegjësinë e një lufte midis jetës dhe vdekjes. Çfarë do të shpëtojë nga njerëzimi që tërbohet apo hesht përqark tij? Çfarë mund të shpëtojë? Çfarë duhet të mohojë nga lënda e bukur njerëzore, e cila është gjithsesi tmerrësisht e gjallë, që e ndjek gjer brenda ëndrrave të tij? “Përgjegjësitë fillojnë nga ëndrrat …”.

 Jorgos Seferis

(Përktheu © Foti Cici, 1994)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s