Sqarime mbi OrthodoxAlbania.com, etj

Një letër e KOASH-it dërguar një besimtari në Toronto, nga emaili zyrtar i kryepeshkopatës së Tiranës, ka tunduar paksa, prandaj dhe detyrohem të bëj disa sqarime, me shpresë se do të kapërcehen keqkuptimet mbi disa emra (domains) që të çojnë në sitin www.ShqiptarOrtodoks.com  

Ja ç’thotë emaili, midis të tjerave (copy & paste):
“Jemi ne dijeni te faqes qe ka hapur Foti Cici (ish prift ne Kanada qe studioi ne Greqi, tani nuk eshte me prift) me te njejten emertimin me domainin tone. Ne e dime nderkohe se ai e ka vendosur qellimisht per tu klikuar edhe ai, duke ngaterruar vizitoret qe kerkojne faqen zyrtare te Kishes Orthodhokse te Shqiperise. Megjithate ne nuk mund dhe nuk duam ta ndryshojme domainin tone meqenese e ka vendosur edhe ai. Per kete i eshte kerkuar nga autoritetet kishtare qe te ndryshoje ai domainin, jo vetem qe nuk e ka bere por dinakeria e tij e ka afruar edhe me shume me emertimin tone nga www.albanianorthodox.com dhe www.shqiptarortodoks.com ne www.orthodoxalbania.com dhe www.orthodoxalbania.net.” E të tjera xhevahire. 

Mund ta kisha shpërnjohur këtë email provokues, por cilësimi “dinakëria e tij” më kujtoi të bukurën, “I thotë gomari kokoshit sa i ke veshët”. Kush i thotë dinak kujt? Sidoqoftë, do të rendis sqarimet mbi këtë temë, për ata që kanë nevojë për to.    

Përse ShqiptarOrtodoks.com

Në vitet 2003-2004 një besimtar ofroi ndihmën e tij për të ngritur një website për komunitetin tonë ortodoks në Kanada, gjë që unë e konceptova si një bibliotekë online që do t’iu shërbente jo vetëm shqiptarëve të misioneve të Torontos e Montrealit, por të gjithë shqiptarëve ortodoksë. U diskutua emri midis nesh në kishë, por nuk u debatua gjatë, sepse bashkëpunëtorët e mi, të cilët në shumicë janë të arsimuar mirë e të specializuar në fusha të ndryshme, e patën shumë të lehtë të vendosin.  

U propozuan disa emra dhe dikush tha se emri OrthodoxAlbania.com nuk është marrë, dhe përderisa KOASH-i e ka të njëjtin emër me org, ne mund ta merrnim për t’u afruar me ta. Edhe pse siti i kryepeshkopatës së Tiranës ka tjetër konceptim, gjë që na ndihmon ne të plotësojmë nevojat e shqiptarëve, unë nuk pranova të bëja diçka të tillë atëherë. Në të kundërt, sugjerova që emri të ishte shqip, sepse përmbajtja kryesisht do të ishte në shqipe, por emri duhet të ishte i përkthyeshëm mirë anglisht, për t’u përcjellë më lehtë gjithandej.  

Përderisa ne i referohemi njeriut shqiptar dhe jo territorit, siç bën misioni grek në Shqipëri, më i përshtatshëm m’u duk emri ShqiptarOrtodoks.com. Por ky emër ka dalë me shumë probleme, dhe njëri prej tyre është larmia drejtshkrimore në Shqipëri dhe në diasporë: veç trajtës standarde e më të përdour, ortodoks, KOASH-i përdor orthodhoks, të tjerë përdorin orthodoks, e të tjera. Barasvlerësi anglisht, veç, është shumë i thjeshtë: AlbanianOrthodox.com. Si rrjedhojë, të gjithë u pajtuan me këtë emër, sepse ishte dhe është vetvetja.

Me këto të vërteta, u ngrit një faqe modeste, e cila lakmoi më tepër në teksualitet sesa në estetikë, dhe ajo sot njihet me të dy emrat, shqip dhe anglisht. Teknikisht, në hoster siti është vetëm shqip (shqiptarortodoks.com), ndërsa emri anglisht është i shënjuar atje (pointing), tok me katër emrat e tjerë, me org dhe net, për ta bërë më të lehtë përdorimin.           

Ata që thonë se emri shqiptarortodoks.com dhe albanianorthodox.com është njësoj me atë orthodoxalbania.org, nuk janë vetëm gënjeshtarë, por dhe të vetëtradhtuar: Është mjerim që një kishë autoqefale të mos ketë intelektualë t’ia bëjnë Janullatosit të thjeshta ndërlikimet në dukje të paafrueshme të informacionit të sotëm. 

I vetmi justifikim i tyre, dhe tendencë e jona, do të ishte nëse i shtonim një “n” emrit të tyre, duke e bërë orthodoxalbanian.com, emër që nuk ishte marrë dhe unë e mora vetëm para dy muajsh, për të mos ta lënë në mëshirë të anonimëve në Internet. Diçka e tillë është më se e ligjshme, por megjithatë, nuk e bëra atëherë. Ne zgjodhëm një emër krejt ndryshe me atë të KOASH-it, edhe pse na akuzojnë se me atë emër patëm për qëllim të pështjellojmë vizitorët e faqes së Tiranës. Nuk ka se si të jetë ashtu.  

Shenjat e emrave

Problemi i kryepeshkopit me projektin tonë online nuk është tek ngjashmëria e emrave, por tek imazhi i realiteteve. Ai zgjodhi një emër tendencioz dhe prandaj vetëm anglisht: orthodoxalbania.org.

Shqipëria nuk është vend ortodoks, që ta quash Shqipëria Ortodokse, dhe prandaj Orthodox Albania tradhton natyrën e misionit: një mision që nuk merret me njeriun tek i cili është  zgjedhur të shërbejë, por te territori, duke ndërthurur projekte ndërkombëtare në një vend me shumicë myslimane… (Dhe megjithatë, të paaftëve që mba afër Janullatosi, nuk iu shkoi në mendje të marrin edhe dy të tjerët, me com dhe net).   

Duke imponuar këtë emër në kishat e tjera autoqefale dhe jo vetëm, duke reklamuar një kryepeshkop që i po i ndryshoka faqen Shqipërisë “myslimane”, të cilën madje e ka quajtur “ortodokse” mu në titull, shfaqja e një emri tjetër, e emrit tonë të përveçëm në histori, shqiptar ortodoks, shkakton reagim mbrojtës.

Por emrat janë shenja, janë simbole të cilat zhduken vetëm kur zhduken realitetet e emërtuara. 

U bë trazirë e madhe, e pamerituar, për të zhdukur pikësisht emrin shqiptarortodoks, në një kohë që më lehtë Janullatosi mund të kërkonte vetëm të hiqej emri ynë anglisht, albanianorthodox.org, përderisa ai ishte më afër emrit të tyre, orthodoxalbania.org. Përse të hiqej emri shqip atëherë?   

Përse OrthodoxAlbania.com

Përderisa misioni i Kanadasë u mbyll me motive politike, dhe përderisa emrin tonë shqiptar ortodoks nuk duam ta groposim, kishte mbetur diçka tjetër pa bërë, jo për hakmarrje sesa për drejtësi. Emrat orthodoxalbania.com dhe net nuk ishin marrë. Si i lanë servilat e Janullatosit pa marrë emrat com dhe net për kaq vjet? Sepse konsumohen kaq shumë në djallëzira, saqë iu shpëtojnë gjërat fare të thjeshta.  

Nga çasti kur bënë një padrejtësi të tillë, unë i mora të dy emrat dhe i shënjova në shqiptarortodoks.com. Në këtë mënyrë, ata emra janë të mbrojtur dhe aktivë. Përndryshe, më e vogla që mund të ndodhte, mund të dalë dikush dhe të bëjë një faqe me gjëra fyese për kishën shqiptare.

Ose, dhe kjo është diçka e rëndomtë në Internet, shqiptarët e duan me com adresën, jo me org; ata do të kërkojnë më së pari OrthodoxAlbania.com, sesa me org. Kjo është edhe më e shpejtë, përderisa faqja e KOASH-it është e ngadaltë në hapje dhe përdorim. Por ka dhe raste kur siti i Tiranës nuk punon për javë të tëra, se harraqët e oborrit nuk i paguajnë rregullisht shërbimet dhe përderisa Janullatosi nuk ka mësuar as ta hapë kompjuterin, faqja nuk kontrollohet siç duhet.  

Çfarë mund të bëhet

Ligjërisht s’kanë ç’më bëjnë, por nëse rendi i sendeve morale do të ishte ndryshe, as që do të guxoja t’i merrja emrat e lakuar sot. Gjithsesi, ka dy gjëra që sugjerohen nga këtej.  

Përderisa, sipas statistikave të faqes sonë, vizitat janë dyfishuar qyshkur kemi shënjuar orthodoxalbania.com dhe net (rreth 500-600 vizita në ditë!), dhe përderisa kjo ka shkaktuar ngërç në Tiranë, jam gati të bëj një kompromis, duke i vënë vetë kushtet. 
Sugjerimi i parë: Le ta ndryshojë KOASH-i emrin, duke gjetur një emër jo tendencioz, i cili të jetë së pari shqip dhe i përkthyeshëm anglisht. Nëse bëhet diçka e tillë, unë do t’i heq emrat e përfolur nga faqja jonë. 

Sugjerimi i dytë: Nëse KOASH-i nuk do ta ndryshojë emrin, unë jam gati t’ua jap emrat e tjerë me com dhe net, por ata duhet ta kërkojnë këtë drejtpërdrejt tek unë, dhe nëpërmjet të njëjtit email zyrtar, sepse dikush mund të shkruajë në emër të tyre nga ndonjë email tjetër, dhe pastaj t’i keqpërdorë ata, ndërsa unë do të akuzohem se i shita domainet për qëllime antikishtare.   

Sugjerim të tretë nuk ka, sepse nuk mund t’i lemë këta emra të përveçëm të abuzohen nga anonimët në Internet, a të përdoren nga të tjerë kundër nesh. E përsëris: ne i mbrojmë këta emra duke i shënjuar në sitin tonë, derisa KOASH-i a të tjerë shqiptarë dashamirës t’i kërkojnë t’i përdorin. Ku është e keqja këtu?

Besoj se me këto sqarime kam dhënë edhe një alternativë qasjeje, duke mbrojtur në të njëjtën kohë jo vetëm integritetin tim, por dhe këta emra të përnderuar për komunitetin tonë sidomos.  

[Foti Cici, 2007] 

Published in: on October 5, 2007 at 8:16 am Comments (14)

Shën Kozmai dhe Naim Frashëri

Përhitja shtatëshpirtëse e Pallatit të Kulturës në Përmet, dhe pikëpyetja kërcënuese që e qerthullon e i shumon këtij hijet herë njerëzore e herë hyjnore – tempull kulturor a faltore ortodokse – verën e kaluar na robëroi të jemi përsëri bashkëjetues të paradoksit në diskursin shqiptaro-grek, të ngecemi në dilemat që sendërgjia di të pjellë vetëm, të pafuqishëm prapë për t’i bërë bisht fatit të dëshmimtarit të gjallë; në histori që i pandehnim të vdekura!  

Të çiltërit do të përfytyronin sot pajtimin e papajtueshëm të dy figurave hijerënda të së njëjtës perandori, me dhe pa kombësi, kolona të mermerta në dy kultura të reja kombëtariste: Kozma Etolosi dhe Naim Frashëri! E pse jo?  

Ashtu si ajiografët na paraqesin ikona dyshe, me shenjtorë që njiheshin a s’njiheshin me njëri-tjetrin, që ishin takuar a s’ishin takuar kurrë, që ndonjëherë madje kanë jetuar shekuj larg shoshoqit, por që kanë qenë afër në diçka frymore, edhe sot e atillë pamje m’u shfaq: një vepër në studion e ajiografisë, në ngjizje e sipër, krah veprave të tjera në bashkëvijim atje, ku shquhen mirë dy burra gjëmëmëdhenj, shëmbëllesave të të cilëve iu mungojnë ende shkronjat mbi kryet e hirta; me një harresë të imponuar nga vetë mungesa e shkronjave. Sepse punët e mëdha të kombeve ballkanase janë në proces.   

I pari burrë perandorak, më shumë grek, lëçiti e lëvroi kryq e tërthor në rajon, me bëma e çudira të mëdha. Herë-herë, njerëzorja i ngriti krye mbi hyjnoren, aq sa e fryu të prishë edhe tempuj, për t’i shndërruar në shkolla të kulturës greke – në trevat shqipfolëse të Perandorisë Otomane, të cilat treva herë fqinjësonin e herë ishin bërë njësh me simotrat greqishtfolëse; të së njëjtës perandori të hyjmbrojtur.  

Kur vendorët ortodoksë, shqiptarë e grekë, nuk e fshehën dot drojën ndaj hyjnores tejkaluese dhe ngurruan të prishin kishën e shënjuar me bastun nga oshënari, dëftori u bë djalë e u qep vetë mbi çati dhe nisi të rrënojë tempullin e Krishtit, nga njëra anë duke ruajtur syçeljen për të mos rrëshqitur e rënë, dhe nga ana tjetër duke u dëfryer në syshqyerjen e besëmirëve habitorë… Paradoks në ortodoksí, apo pararendje e 1967-ës?  

I dyti burrë perandorak, më shumë shqiptar, i polli plot mendja dhe huajti mjaft nga hyjnoret për të na trashëguar siç deshte njerëzoret. Kur Baba u sëmur e u shfis, le t’i mallkojmë kalin, tha; le të fisnikërojmë subjektet, të zhvendosim qendrën e humbur: me estetikë e poezi. Iu buzëqeshi bashkëkohësve të tij si prift, por shkroi në letërsinë përlindëse si kryeprift. Prandaj dhe Kristoforidhin e trajtoi përdëllyeshëm si dhjakon të tij, sidomos kur i lexoi Psallmët (poezitë) e Davidit…  

Poeti mysliman ishte ndriçimtar e pagëzor në rajon, madje aq i shpenguar në jetëshkrimin e tij, saqë nuk kishte pse ta dridhte, siç bëjnë pasardhësit e tij fisnikë sot, por e këndoi fenë e vet për gjithë shqiptarët. Sepse, ndërsa në letërsi lejohen parashikime me mendje, atje ku falen më lehtë gabimet, në fe zbërthehet zemra, lëçitet e lëvdohet besimi pa parashikime, duke ia lënë të Epërmit rrjedhën e historisë së afërt; dhe tok me të edhe përgjegjësinë e rrëshqitjet e shërbëtorëve të Tij.  

Përqasja kulturore e dy rilindasve sivëllezër të rajonit të përzier, të cilët kanë kaq ngjashmëri frymore, prandaj dhe tok sot në një tabllo imagjinare, do të ishte më vëzhgimore nëse mërgohemi në kohë a në hapësirë, për të dalë nga skemat spirituale mbizotëruese; jashtë Ballkanit. Nga ana tjetër, Shën Kozmai është aq i rrënjosur në Shqipëri, saqë nuk ka nevojë për Naim Frashërin. Misionari grek është kthyer në një nga simbolet e mitologjisë shqiptare, një mit i ngurtë bashkekzistues, i cili u mbijetoi të gjitha miteve rajonale, si dhe çmitizimeve të ideologjive tona. Luajtja e këtij miti, nuk është lojë e lehtë. Përse vallë? 

Kozma Etolosi është bërë njësh me tokën tonë, pikërisht se veprimtaria e tij në Shqipëri ishte një mision i nxitur dhe i bekuar institucionalisht nga myslimanët, të cilët jo vetëm që ia bënë të mundur në praktikë atë mision perandorak me pasoja afatgjata nëpër shekuj, por i ndërtuan madje edhe kisha mbasi e vranë, para se t’ia bënin vetë grekët! Sundimtarët vendorë (shqiptarët myslimanë) i detyruan atëherë të krishterët shqiptarë të punonin falas në ndërtime, e të dhuronin të holla për të ndërtuar kishat e para me emrin e Shën Kozmait. Dhe kjo u përftua me dhunë! Kujtoni dekretin e Ali Pashës: “Ata [kaurë] që nuk do të japin me dëshirë, do të japin dyfish me forcë”. 

Le të kujtojmë pastaj se në predikimin e tij shën Kozmai iu lëçiste të krishterëve se pushteti i turqve ishte dërguar si bekim nga Perëndia për të shpëtuar ortodoksët nga Perëndimi dhe Papa, “të cilin duhet ta mallkoni”. Kujtoni pastaj se si pushtetarët myslimanë (shqiptarë) e thërrisnin atë në të gjallë “hyjnor Kozmai”, shumë më parë se t’ia njihin shenjtërinë vetë grekët! Sot myslimanët mashtrojnë se Ali Pasha e quante shën Kozmain “xhaxha”, duke luajtur me të njëjtën fjalë greqisht (θείος), e cila ka dy përkthime sot, së pari “hyjnor”, dhe së dyti “xhaxha”.  

Me këto thërrime rajonale, shquajmë paq se sipërmarrja e disa klaneve myslimane në Shqipëri dhe në SHBA kundër shën Kozmait së fundi, me motive të zhveshura përfitimi elektoral, nuk na thotë asgjë të re. Këto pisllëqe të tyre na kujtojnë edhe një herë pabesitë dhe krimet e shqiptarëve myslimanë ndaj shqiptarëve ortodoksë; fenë dhe misteret e shqiptarisë…     

                                    *  *  * 

Pallati i Kulturës në Përmet, kaq i vogël dhe kaq i madh njëherësh, trajtohet parësisht si pikë mitologjike nga të dy palët. Nga ana e përtejme, Përmeti është njehsuar në ndërgjegjjen e re greke me një betejë të madhe, me humbje të mëdha grekësh, me një përligjje të merituar në hartën heterotopike, atë jo territoriale. Nga ana e këtejme, gjërat kanë shkuar kaq mbrapsht, si pasojë e bjerrjes grupore, saqë shqiptarët, për të shmangur përgjigjet e vështira në bisedat ndëretnike, kanë nevojë për hije të gurta, të cilat, përderisa nga vetë natyra nuk janë të luajtshme, të vazhdojnë të kumtojnë në vend të tyre. Gropat e heshtjes iu paracaktojnë shqiptarëve përzgjedhjen e temave shqiptaro-greke. Çfarë ndodh kur bien këto monumente? 

Psikologjia mitbërëse e shqiptarit të pasdiktaturës ndërton mbi ndërtesën e mitit, sesa në gërmadhat e tij. Kur rrënohen mitet, krijohen kriza që zbërthejnë natyrën e pandërlikuar të shqiptarit të sotëm, i cili është mëkuar të mos flasë para se të ndodhin gjërat, sidomos për ngjarjet e pashmangshme, siç janë impulset dhe vdekja. I mëkuar si kafshë biologjike (gjallesë ateiste = burrë shqiptar), ai i ka të martuara emocionet dhe përderisa mitet i ushqejnë impulse të forta realizimi grupor, sot jemi në krizë!     

Gjithsesi, përderisa Naim Frashëri është një figurë përlindëse për shqiptarët, siç është Kozma Etolosi për grekët e rinj, përse të mos mësojmë nga historia e rajonit? Sepse, pyesim, përse shën Kozmai kishte guximin për të prishur tempuj, me motive të kthjellëta politike, dhe shteti shqiptar nuk paska fuqi të mbrojë një tjetër shkollë kulturore, siç i kemi përjetuar ne pallatet e kulturës në Shqipëri. Së dyti në këtë mbrojtje, le të themi përsëri se Naim Frashëri është një nga pikat mitologjike të rajonit tonë, e cila figurë, për shkak të pozitës gjeografike, flet shumë herë në vend të shqiptarëve, sidomos sot kur ata nuk e fshehin dorëzimin e tyre grupor.  

Dihet përmasa kulturore e ortodoksisë, domethënë lidhjet e saj mishërore me teatrin, poezinë dhe muzikën, prandaj dhe pyesim: Çfarë tjetër është më afër kishës bizantine sesa një shtëpi kulturore në Jug të Shqipërisë? Ndërsa deri dje kisha greke mallkonte gjuhët jo të lashta, si greqishten e re, shqipen, e të tjera të folme të perandorisë osmane, sot ato herezi të kishës greke janë shlyer. Shqipja është e barabartë sipas të gjithave me greqishten dhe me çdo gjuhë të famshme a shumë pak të famshme.  

Lëvizjet e matura për të ndryshuar simbolet mitologjike në zonën shqiptaro-greke, në këtë rast duke zhvendosur Naim Frashërin nga një pozitë gjeografike, në një hapësirë heterotopike, do të ishte më mirë të bëheshin në mënyrë paralele. Duke studiuar historinë e dy kombeve të reja në rajon, sidomos në raport me perandorinë e përbashkët në të kaluarën, duket kthjellët se e mira mbretëron tej e përkëtej kufirit shqiptaro-grek. Ashtu njësoj dhe e keqja. 

Jemi dëshmimtarë se këta dy vjet Përmeti po përdoret si pikë zjarrmatëse në jug të Shqipërisë. Përzierja në këto histori e gjegjësve mbijetues të luftës së klasave, e personazheve me jetëshkrim terrori kundër shqiptarëve ortodoksë, e atyre myslimanëve që nuk dinë t’i fshehin ndjenjat e tyre ndaj krishtërimit, gjithë kjo përfshirje larmish e interesash në debatin kombëtar e kishtar njëherësh, pra, nuk mund të pakësojë të drejtën e Kulturës dhe fajin e Kishës në Përmet.  

Ashtu si shën Kozmai besonte se greqishtja e ngjiste shqiptarin në qiell, ne besojmë se shqipja dhe simbolet e saj duhen zhvilluar e përkryer, që të arrijnë standardet e dëshiruara. Me tempuj kulturorë do të kemi më shumë kisha. Me jetë kulturore do të kemi më shumë klerikë, sepse të rinjtë do të kenë më shumë raste për të zbuluar prirjet artistike, të cilat janë prirje mirëfilltas spirituale. Le të kujtojmë Nolin, por siç ishte, jo siç na e fytyroi letërsia jonë fallco nacionalkomuniste.

Ku gjetkë, përveçse në një shtëpi kulture?    

[Foti Cici, 2007]

Published in: on October 2, 2007 at 4:59 am Comments (5)