Janullatosi në Boston
Një grup shqiptarësh ortodoksë në Boston më bëri pjesëtar të disa përplasjeve në komunitetin shqiptar atje, me pasojë përçarjen e tyre mbi pjesëmarrjen apo jo në aktivitetin e 9 marsit që po afron. Është fjala për kremtimin e 100-vjetorit të meshës së parë shqipe në Boston, mbajtur në vitin 1908 nga Fan S. Noli.
Sipas tyre, at Arturi i ka mashtruar, sepse iu ka mbajtur të fshehtë diçka që s’duhej bërë ashtu: vetëm dje është bërë e ditur se këto kremtime do t’i drejtojë vetë kryepeshkopi Anastasios Janullatos, i cili do të jetë dhe kryegostari në drekën që do të mbahet në Pier 4, mbas meshës dhe shërbesës përkujtimore në Shën Gjergj. Çudia e çudirave!
Ortodoksët këmbëngulin se kjo ishte vendosur qysh vitin e kaluar, por qëllimisht është mbajtur e fshehtë nga at Arturi, “në zbatim të porosisë nga Lindja”. Ata shtojnë se kanë paguar një biletë të kripur për këtë drekë, gjë që e bën edhe më të vështirë për ta, edhe pse disa grupime shqiptarësh të tjerë i kanë njoftuar Liolinit tërheqjen nga dreka. Për shembull, në një email që ortodoksët më përcollën, shkruar nga z. Fatmir Beja, një shoqatë shqiptare ka njoftuar tërheqjen nga kremtimet, duke kërkuar madje dhe kthimin e 585 dollarëve të parapaguar.
Në fund, mbas këtij informimi, ortodoksët më luten të zbres unë në Boston, “për të reaguar së bashku”. Mirëpo, edhe nëse i kisha kushtet për t’u larguar nga puna kaq papritur, pa mundur ta justifikoj si urgjencë në kompani, dalin disa pyetje… Si mund të përligjet një ndërhyrje e tillë prej nesh? E të tjera pyetje.
Mendoj se i vetmi reagim i ndershëm për këtë maskaradë është mungesa nga kisha e Shën Gjergjit atë ditë dhe, sidomos, tërheqja e biletës së paguar. Ata që duan të shkojnë në kishë, le të shkojnë në një kishë tjetër shqiptare e të luten për të gjallë e për të vdekur. Le ta lënë Janullatosin vetëm me Liolinët atë ditë. Përndryshe, me pjesëmarrjen në kësi aktivitetesh jo kishtare e jo kombëtare, nuk i bëjnë nder as komunitetit ortodoks, as Fan Nolit e as gjuhës shqipe që përndryshe është zhdukur nga kishat shqiptaro-amerikane. Në fakt, ky kremtim bëhet shumë qesharak, por shqiptarët e shkretë shushaten kur iu vihet para hajmalia e Fanolit…
Arsyeja kryesore për organizimin e këtyre kremtimeve është ekonomike. Artur Liolini nuk e organizoi këtë përvjetor se iu hap barku për Nolin, shqiptarët a gjuhën shqipe, as e ftoi Janullatosin se iu hap barku për atë a për grekët. Jo! Gjithë kjo bëhet për të shtuar përfitimet ekonomike në një aktivitet të tillë. Në të kundërt, si do të mbahen Liolinët me rroga si peshkopë, kancelarë, e më the e të thashë? Përderisa arsyeja është ekonomike, pra, vetëm tërheqja e pagesës do t’i vrasë dhe jo manifestimi para Shën Gjergjit. Se ai e ka faqen shollë…
Por sigurisht arsyet e ndodhjes së Janullatosit befas në Boston nuk janë aspak ekonomike, por vetëm politike, prandaj dhe u mbajt fshehur. Nëse Janullatosi është i pafajshëm, përse të njoftohej pjesëmarrja e tij mbasi ishin vjelur pagesat e të humburve tanë? Në të kundërt, përzgjedhja e të ftuarit kryesor në kësi rastesh luan rol në zgjerimin e pjesëmarrjes, prandaj dhe komercializohet për të shitur sa më shumë bileta, e jo të fshihet për të zhvatur e abuzuar shqiptarët.
Me këtë përqasje, atëherë, meritojnë përgëzime ata shqiptarë që, tejet përkatësive, e tërhoqën pjesëmarrjen nga një aktivitet i tillë antishqiptar. Me këtë akt të ndershëm ata i japin mësime sinqeriteti pabesisë dhe intrigës në tempull.
Janullatosi, edhe pse i pamundur të meshojë në kishë rregullisht, prandaj dhe i zhvendosur muajt e fundit në Athinë, shkon në Amerikë për të kremtuar diçka tjetër. Në statutin e ri që i imponoi KOASH-it në nëntor 2006, mu në nenin 1 misioni grek e tërhoqi juridiksionin mbi diasporën shqiptare, duke e bërë të pamundur tashmë bashkimin e kishave shqiptaro-amerikane me ato në Shqipëri. Nuk pati asnjë reagim nga peshkopata shqiptaro-amerikane. Ose, le ta themi, reagimi i shqiptarëve të Amerikës ishte ftesa që iu bë Janullatosit si pranim i statutit të ri antishqiptar, për të përdhosur pastaj kujtimin e Fan Nolit dhe kalljen e gjuhës shqipe në kishën tonë.
Pavarësisht nga ato që shkruan një grup ortodoksësh në Boston, dhe përtej këtyre pak fjalëve që shënova, jam më se i bindur se kreykisha e Shën Gjergjit do të jetë plot më 9 mars. Do të ketë dhe shumë myslimanë atje. Do të jetë – plaça po s’është – edhe z. Sami Repishti, “përfaqësuesi i Portës së Lartë” në Peshkopatën Shqiptare. Për parantezë, është e turpshme që ende sot në Boston të ruhet protokolli i kohës së Turqisë, domethënë prania e epitropit otoman në kishën ortodokse, madje zyrtarisht nën titullin “Human Rights”, athua se po s’është një mysliman në peshkopatën shqiptaro-amerikane të drejtat e njeriut do të shkelen nga doktrina ortodokse… Komunitet i prapambetur!
Së fundi, një thërrmijë historike. 100 vjet më parë, në mars 1908, a e dini se kush ishte i ftuari i nderit në meshën e parë shqip? Ishte konsulli i Turqisë! Kemi ecur goxha këta 100 vjet…