1. Kulti i Janullatosit në statutin e ri

If you’re not annoying somebody, you’re not really alive
-
Margaret Atwood 

U mbush një vit që nga fuqizimi i statutit të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë – nëntor 2006. A e keni lexuar ju statutin e ri? A keni dëgjuar, të paktën, të shkruhet diçka, qoftë dhe një artikull alla shqiptarçe mbi këtë tekst në parashtrime gjysmak, por në përmbajtje të tmerrshëm për të ardhmen e ortodoksisë shqiptare?

Atëherë, pyes, si ka mundësi që në botën shqiptare ngjallen së vdekurish fytyra fisnike që s’kanë qenë kurrë të atilla, marrin mish e kockë fantazma përndryshe të urryera të historisë sonë, thirren me zërin e turmës fuqiplote vdekatarë të farës sonë, për t’u përjetësuar enkas si heronj të shqipove, apo, që t’i biem mu në kokë, fryhen si tullumbace e ngrihen me akullin funeral të kombit tekste si ai i statutit ortodoks të vitit 1929, por, me gjithë këto marrëzi, pra, heshtet urtësisht mbi statutin e ri të komunitetit ortodoks, i cili është teksti më antivendor që ka imponuar ndonjëherë ortodoksia?

Athua të jetë thjesht neglizhencë që, edhe mbasi një viti, statuti i ri nuk është botuar ende në gazetën zyrtare të KOASH-it, siç praktikohet kjo në kishat autoqefale? Sepse kur bëhen ndryshime ligjvënëse në një komunitet ortodoks, gjë që është më se normale për jetën kanunore të një kishe të gjallë, ato bëhen për t’i përqafuar e zbatuar anëtarët, e jo për t’ua fshehur e mbuluar atyre.

Sa të mëdha janë kleçkat dhe hilet e këtij teksti guximtar në marrëdhëniet shqiptaro-greke? Për më tutje, si ka mundësi që kryepeshkopata e Tiranës nuk harron të publikojë në sitin e saj edhe faktet më të rëndomta të jetës personale të kryepeshkopit, ndonjëherë të përmasës banale, si dekorimi i Tij në një shkollë bujqësore në Greqi, a vdekja e njërit prej gjirikëve të Tij në Athinë, por nuk publikohet në faqen zyrtare të KOASH-it statuti i ri? Në fakt, atje nuk janë publikuar as statutet e kaluara, duke na e ngarkuar ne modestëve atë barrë, në ShqiptarOrtodoks.com.

Statuti u përpilua në mënyrë private dhe anonime, sepse në kësi rastesh krijohen komisione me teologë e juristë të kishës, klerikë e laikë, të cilët punojnë nën përkujdesjen e Sinodit, derisa arrihet në draftin përfundimtar, para se t’i ushtrohet debatit dhe votimit. Madje ka raste kur drafti kthehet për plotësime e ndryshime të domosdoshme, sepse është krijesë njerëzore prandaj dhe asnjëherë e përkryer. Cilët klerikë dhe laikë përbënin komisionin e hartimit të Statutit? Mister!

Është fakt se Statuti u miratua pa kaluar në procesin e rrahjes dhe plotësimit të tekstit në asamble, siç ndodh rëndom në kishat e tjera autoqefale. Kjo tradhtohet edhe në luhatjet e frikshme gjuhësore (kuptimore e drejtshkrimore) të dokumentuara në këtë statut. Për më keq, fakti se statuti i ri u miratua pa asnjë rezistencë nga kleri dhe përfaqësuesit laikë të famullive, është farefisnor me fenomenin tjetër, me vizitën e presidentit amerikan në Shqipëri: përveç vjedhjes së orës, nuk pati asnjë reagim qytetar kundër politikave antidemokratike të presidencës së Bushit, ndryshe nga ç’ndodhi në vende më pak të prapambetura se Shqipëria.  

Statuti u shkrua, u përkthye, u miratua dhe u fuqizua pa lejuar asnjë debat, pa e votuar fare, sepse në thelb miratimi “njëzëri” (Neni 70, 2006), nën një frymë trysnie të shumëfishtë, nën terrorin shpirtëror që ushtron Janullatosi ndaj klerit dhe besimtarëve, nuk është votim. Jo dhe jo! 

Statuti i fundit i kishës ortodokse në Shqipëri është një tekst për të cilin vlen të bëhet një studim nga teologët dhe studiuesit tanë. Duhet krahasuar ky statut jo vetëm me statutet e mëparshme, por dhe me statutet e e tjera të kishave autoqefale, si dhe me të drejtën kishtare të ortodoksisë.

Bllokimi nga kryepeshkopi Anastasios i një përfshirjeje akademike në studimet shqiptare ortodokse, me mundësi të plota bibliografike e praktike, nuk mjafton për t’u tërhequr nga detyrimet tona si pjesëtarë të gjallë të ortodoksisë shqiptare. Përndjekjet dhe kanosjet e një misioni parakishtar nuk kanë fuqi të mpijnë intuitën tonë kishtare dhe detyrimin për të reaguar kur zhbëhet karakteri vendor i Kishës.   

Në këta kapituj, atëherë, do të rroken pikat më rrëshqitëse të statutit të ri, jo nen për nen, sesa problem për problem. Do të zbardhen ngjyresat e mëdha politike, do të kallëzohet shpengimi i madh i zotit Janullatos, jashtë delikatesës dhe tërthorizmave me të cilat desh na u njësua përgjatë rrëmujës së pasdiktaturës. Do të shohim edhe një herë se pa kultin e Janullatosit një dokument i tillë bie në mosqenie, tingëllon absurd, ashtu siç është në thelb, ndërsa nën hijen e këtij kulti të ri grek paudhësia përnjimendsh çiltërohet dhe kanonizohet si e mbarë.  

Ky debat hapet me përgjegjësinë për të bezdisur kultin e Janullatosit, për të irrituar sëmundjen e lavdisë. Ata që e njohin mirë dinë se këto janë çastet më të tejdukshme të shërbesës së tij në Shqipëri, atëherë kur improvizimi çalon dhe shfaqet njeriu. Bezdisja e atij që zëvendëson Zotin në ndërgjegjjen e anëtarëve të Kishës, ndërsa i shkel, i abuzon e i manipulon ata, është shenjë jete në spiritualitetin ortodoks. Është madje një nga prirjet e thirrjet në jetën e krishterë. “Nëse nuk bezdis dikë, nuk je vërtet i gjallë”…

2. Jashtëqitja e kombit

Shkombëtarizimi i kishës ortodokse shqiptare nis qysh në nenet e para të Statutit të 2006-ës, siç do të shohim në kapitujt e parë, dhe përfundon në nenin 70, siç do të trajtohet në kreun e fundit. Do ta nisim këtë debat me diasporën shqiptare, një problem shumë i madh ky për të ardhmen e komunitetit tonë, me përmasa identitare sidomos, edhe pse nuk është cekur këta dy dhjetëvjeçarë; as nga kishtarët shqiptarë e as nga përluftarët politikë të ortodoksisë shqiptare.

Statuti i ri përcakton se anëtarë të KOASH-it janë vetëm “banorët e Shqipërisë”, ndërsa të tjerët, edhe pse gjysma a mos më shumë e shqiptarëve ortodoksë, shpërnjhen, injorohen, shkelen, shiten, përdhosen, jashtëqiten: Anëtarë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë janë të gjithë të pagëzuarit në Kishën Orthodhokse dhe janë banorë të Shqipërisë, pa dallim origjine (Neni 2, 2006). 

Mirëpo statuti i kaluar i kishës sonë kombëtare e përcakton kristal se KOASH-i përbëhet prej të gjithë Orthodhoksëve që banojnë brënda territorit të Republikës Popullore të Shqipërisë si dhe prej atyre Shqiptarëve Orthodhoksë që banojnë jashtë Atdheut… (Neni 1, 1950). Sepse statuti i kaluar u shkrua në ngjashmëri të kishave të tjera autoqefale, të cilat nuk i jashtëqitin bijtë e bijat e tyre në diasporë, por i përkujtojnë e përkujdesen për ta.  

Kryepeshkopi Anastasios, duke shkelur statutin e tretë të vitit 1950 në këtë nen, shkon dhe pajtohet me dy statutet e para, ato që përndryshe ai gjithmonë mohon, për vetë faktin se atje nuk lejohet që një kryepeshkop jo shqiptar të jetë në krye të KOASH-it. Dhe megjithatë, kur i intereson kultit të tij, Janullatosi bën të zezën të bardhë, sepse dy statutet e para nuk e parashikonin përkujdesjen pastorale ndaj shqiptarëve në mërgim.

Që t’i citojmë dokumentet historike në fjalë, statuti i parë përcakton se Kisha e Shqipërisë përbëhet prej tërë banorëve të Shtetit Shqipëtar… (Nyja 1, 1922), e njësoj bën dhe statuti i dytë, vetëm duke e “monarkizuar” pak gjuhën, se KOASH-i përbahet prej tërë banorëve të Mbretërisë Shqipëtare… (Kaptina 1, Art1, 1929). 

Siç duket nga kjo përqasje, statuti i mëparshëm i vitit 1950 e njihte diasporën si pjesë të Kishës së Shqipërisë, ashtu siç bëjnë të gjitha kishat autoqefale. Këtu përjashtohen patrikanat dhe kishat autoqefale greke, të cilat, edhe pse jo të gjitha, e lënë diasporën e tyre nën baritorinë e Patrikanës së Kostandinopojës, thjesht për arsye bashkërendimi politik, për t’i dhënë Fanarit numra që vetë providenca hyjnore urtësisht hoqi.      

Megjithatë, nëse nuk shpërnjohim konfiguracionet kishtare brendagreke, luftën midis versioneve të ndryshme të grekësisë, për të cilat historiografia shqiptare ngre supet, po sjell disa shembuj: Patrikana e Jerusalemit ka një përfaqësi greke në Amerikë, pavarësisht kundërshtimit të Patrikanës së Kostandinopojës, e cila nuk e pranon mitropolitin e saj në sinodin e peshkopëve ortodoksë të Amerikës. Patrikana greke e Aleksandrisë, nga ana tjetër, e kishte njësoj një eksarkat në Amerikë, por nuk mundi të rezistojë dhe sot ai sinod është krejt i pavarur në Amerikën e Veriut.  

Ndërsa Kisha e Qipros, dhe këtu kemi shembullin më kundërthënës, edhe pse në praktikë ia lejon grigjën e saj në diasporë Patrikanës së Kostandinopojës (madje në Britaninë e Madhe me kryepeshkop qipriot), e formulon kështu nenin e përkatësisë kombëtare: Anëtarë të gjindjes së Kishës Ortodokse të Qipros janë të gjithë të krishterët ortodoksë që banojnë në Qipro, si dhe të gjithë ata që e kanë origjinën nga Qipro dhe kanë hyrë nëpërmjet pagëzimit në Kishën e saj, por që banojnë tani në dhé të huaj. (Neni 2, 1979, cituar nga www.churchofcyprus.org.cy).

Këtu kemi një kishë autoqefale greke që, pa përfolur bashkëpunimet brendagreke për praninë e Patrikanës së Kostandinopojës si Ekumenike nëpër botë, bën një formulim guximtar në Statutin e saj në fuqi, të vitit 1979, gjë që kisha autoqefale shqiptare e kishte, por sot e ndryshoi! Sepse statuti shqiptar i vitit 1950, ndryshe nga ai i vitit 1929, i konsideronte shqiptarët ortodoksë në diasporë si pjesë e Kishës së Shqipërisë, duke parashikuar madje dhe krijimin e peshkopatave të reja jashtë shtetit shqiptar. Të shkuara, të harruara! Tanimë, statuti i kishës shqiptare është më grek se ai i kishave autoqefale greke. 

Statuti i 2006-ës e mbylli më në fund kapitullin e diasporës, duke i lënë emigrantët shqiptarë, me nene të posaçme, nën juridiksionin e kishës greke dhe të kishave të tjera autoqefale.Që të merret dikush sot me shqiptarët në diasporë, për atë që u përpoqëm ne në Greqi e në Kanada, një aventurë e tillë, pra, do të thotë të kundërshtosh vetë statutin e KOASH-it! Ndërsa deri tani puna misionare në diasporë ishte në pajtim me statutin e kaluar dhe ekzistonte vetëm si “problem personal” me Janullatosin, Liolinët dhe klanet myslimane që i përdorin të drejtat e shqiptarëve ortodoksë për interesat e tyre.  

Nuk mund të fshihet se greqizimi i statutit shqiptar, përveç flirtimit me shtetin grek, është dhe një kompromis i madh midis Janullatosit dhe patrikanës greke të Stambollit, e cila ka disa vjet që ka sugjeruar publikisht largimin e Janullatosit nga Shqipëria, duke marrë shkas nga ndryshimet e primatëve në patrikanat greke të Aleksandrisë e Jerusalemit, paçka se dy sinodet e kishave në fjalë u përgjigjën kundër kanditaturës së Janullatosit.

Çshqiptarizimi i statutit shqiptar ishte mënyra më e arritshme që Janullatosi të impononte papizmin e tij në KOASH dhe përherësimin e misionit politik grek në Shqipëri. Kemi, atëherë, një ndërthurje interesash ku fitues del gjithmonë “vuajtësi” i madh: nën kultin e Janullatosit mund të kryhen shumë, gjë që në të kundërt është thjesht e pamundur.  

Dhe mbasi i ramë në pjesë Janullatosit mbi diasporën, le të ndalemi në një vëzhgim gjuhësor. Le të lexojmë edhe një herë nenin 2 të statutit të ri: Anëtarë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë janë të gjithë të pagëzuarit në Kishën Orthodhokse dhe janë banorë të Shqipërisë, pa dallim origjine. Nëse ky tekst do të ishte shkruar fillimisht në shqipe, këtu do të formulohej “të cilët janë banorë” dhe jo “dhe janë banorë”. Nuk është shqip. Sepse vetëm përmes greqishtes, e sidomos asaj kishtare, mund të pranohet një trashësi e tillë në gjuhë shqipe – jo vetëm tek neni 2 i Statutit, por në të gjithë këtë dokument kaq të shkujdesur tekstualisht.    

Këtu nxjerr brirët absurdi tjetër shqiptaro-grek: ndërsa statutet e kaluara të kishës shqiptare u parëshkruan shqip, dhe vetëm më vonë u përkthyen në greqishte për qëllime dytësore, tanimë, mbasi është njohur e pranuar veçorizimi i shqiptarëve ortodoksë në rajon, mbasi është konsoliduar autoqefalia shqiptare, mbasi terminologjia jonë zyrtare është ngurtësuar, mbas gjithë këtyre realiteteve që na i kumbuan veshët me kaq zulmë, pra, sendet ndërsillen e bien kokëposhtë…   

Por nuk është vetëm luhatja a madhe gjuhësore e Statutit 2006, e as hallakatjet kuptimore si pasojë e cilësisë mjerane intelektuale të KOASH-it sot. Tejet esperantos së KOASH-it, tymi në konceptim është i qëllimshëm, madje me nen të posaçëm: Në rast se lindin paqartësi në lidhje me interpretimin e saktë të këtij Statuti, kriter dhe tekst referimi përbëjnë Kanonet e Shenjta (Neni 3.2). 

Po si mund të kërkojmë gjithmonë të kundërtën, për të zhbërë të vërtetën? Sepse statutet janë pikërisht e kundërta, përsjellja e kanoneve të lashta në realitetet e sotme, dhe jo anasjelltas. Statutet përkthejnë bash kanonet, dhe nuk mund të përkthehen prej tyre. Çfarë mashtrimi, por dhe çfarë mjerimi…  Meqenëse u ndalëm tek gjuha e statutit, edhe në këtë nen që përmendëm përkthimi është bërë majmunçe, duke imituar sintaksën greke, pa pikë ndjeshmërie në shqipërimin e nuancave të tekstit.

Më e madhe këtu është tallja që i bëhet kulturës shqiptare. Nëse e riprodhojmë këtë imazh të fytyruar, na shfaqet dikush që duket sikur ka nxjerrë gjuhën jashtë e shënjon atje me shpotitje. Duket sikur thotë: E kemi bërë kaq çorbë KOASH-in, i kemi blerë kaq shumë myslimanët, saqë, nëse ju shqiptarët ortodoksë s’e gjeni dot fillin, hidhuni të gjithë në det; kush di not le të shpëtojë, ndërsa të tjerët humbshin…                                    

                              *  *  *

A do të guxonte Janullatosi të bënte një ndërhyrje të tillë në Statut nëse diaspora shqiptare shihej nga shqiptarët si pjesë përbërëse e trupit të kombit? Nëse jo, përse nuk pati reagime për një padrejtësi të tillë? E para që duhet të reagonte ishte peshkopata shqiptare në Amerikë, e cila deri në vitin 1967 ishte nën juridiksionin e Tiranës, dhe nëse nuk ndalohej feja në Shqipëri, mund të vijonte ende sot si pjesë e KOASH-it. Është ajo peshkopatë që mbahet me të madhe nga myslimanët, por që në thelb përdoret për interesa politike dhe hesht kur shkelen të drejtat e ortodoksëve në diasporë. Kulturë e mistershme!  

Ismail Kadareja qenkësh profet mbi profetë kur, para se t’ia mbathte vetë nga Shqipëria, na quajti “jashtëqitja e kombit”, ne të ikurve të rinj. Madhështia e antitezës nuk është aspak aksident, pikërisht se ky margaritar nuk i përket letërsisë; sepse ishte atëherë kur rrëfenin zemrat, jo intelekti. Sepse urrejtja brendashqiptare për diasporën është njësoj e lashtë sa vetë shteti shqiptar. Le të kujtojmë Nolin. Nëse vonesat për vizën mund të justifikohen, si mund të shfajësohet racizmi shqiptar ndaj tij, sidomos kur e quajtën “evgjiti i Edërnesë”?

Diktatura komuniste ndërtoi pikërisht mbi këtë frymë të trashëguar në kulturën shqiptare, por e zyrtarizoi racizmin me luftën e klasave, duke e ideologjizuar urrejtjen për shqiptarët jashtë, e duke e kthyer atë në virtyt të domosdoshëm për të mbijetuar brenda. Kujtoni sentimentin dhe ngazëllimin që shkaktonte një afrikan a oriental në Kongres, dhe neverinë për vdekje kur dëgjohej emri i ndonjë “armiku” shqiptar jashtë. Gjithë diaspora shqiptare u njësua në ndërgjegjjen e shqiptarit të ri me emigracionin politik, me kundërshtarët e regjimit.

Por jo vetëm kaq. Urrejtja e trashëguar e shqiptarit brenda për shqiptarin jashtë u bë njësh me privimet dhe paaftësinë për të pranuar shkakun e vërtetë nën diktaturë, aq sa kur dikush siguronte një udhëtim jashtë shtetit në vitet 80, kur kthehej në atdhe do të urrehej nga të gjithë; thjesht sepse nuk kishte se si të mbushte atë zbrazëtirë shpirtërore që krijonte kërshëria e të ngujuarve për realitetin përtej.

Kështu e gjeti shtetasin e Shqipërisë viti 1991, atëherë kur urrejtja për shqiptarin jashtë u shndërrua në një abuzim mendor e material ndaj të mërguarve të rinj. Për çudi, urrejtja nuk u pakësua, përderisa gjeste të reja të shqiptarëve të kthyer përkohësisht për vizita, shkaktonin irritime të mëdha për një kulturë pjellë në uniformë.

Qysh nga 1990-a e gjer sot, nëse i vëzhgojmë komunitetet e reja shqiptare në diasporë ndershëm, shquajmë se trajtimi i shqiptarëve jashtë nga shqiptarët brenda është një pasqyrë e sentencës së Ismail Kadaresë, pavarësisht nga larje-lyerja që i bëjnë shqiptarët njëri-tjetrit në ligjërimin publik. Që të pëlcasë armiku…  

Si rrjedhojë, për sa i përket diasporës ortodokse, zoti Janullatos e pati shumë të lehtë. Ai nuk kishte arsye të kapërcente as Kadarenë, kullën paralele, kryepriftin e fesë së shqiptarisë, dhe as urrejtjen brendashqiptare. Përkundrazi, Janullatosi i përdori problemet dalë nga larmia vendore për qëllimet e tij jo kishtare, duke kryer një shkombëtarizim të ngadaltë të ortodoksisë shqiptare, duke na imponuar një statut të tillë; duke jashtëqitur ortodoksët. 

 

 

 

3. Kisha e gjashtë greke

Në kreun e kaluar pamë diasporën shqiptare ortodokse të jashtëqitur, të përdhunuar, prandaj dhe të dhuruar gjetkë. Pamë se neni mbi shqiptarët jashtë Shqipërisë u hoq nga Statuti i KOASH-it, duke na lënë de jure nën juridiksionin e Patrikanës së Kostandinopojës, por de facto në mëshirë të kujtdo tjetër të interesuar; përveç kishës shqiptare.

Tashmë është më e lehtë të bëhen pazare midis grekëve dhe myslimanëve, prandaj dhe në statutin e ri u zhduk një nen mjaft djegës i statutit të kaluar: Me vendim të Këshillit Mikst, mund të krijohen episkopata për Shqiptarët Orthodhoksë jashtë shtetit, të varura nga Kisha Shqiptare mëmë (Neni 9, 1950). Fluturimi i këtij neni nga statuti i kishës sonë kombëtare duket sikur thotë: Ju shqiptarët ortodoksë, niseni historinë nga e para.   

Statuti greko-mysliman i 2006-ës u puthit e u kopsit me merak nga të gjitha anët. Tashmë u kuptua se gjithë trazirat që klanet myslimane bënë këto vite kundër Statutit 1950, në favor të Statutit 1929, ndihmuan vetëm Janullatosin dhe myslimanët, ngrënien dhe zbutjen e vullneteve të serta, marrëveshjet e rrezikshme, duke vënë mbi tryezë gjithmonë të drejtat e komunitetit tonë të përdorur e të diskriminuar nga dy fuqitë e tmerrshme të një rajoni kaq të mistershëm. Doni dhe një shkëputje tani? Ja: Sa e lehtë ishte për myslimanët ta kontrollonin botën shqiptare në vitin 1929! Ndërsa sot kërkohen kapërcime humnerash, konvertime, e të tjera…

Një vendim i tillë trimëror kapërceu jo vetëm statutet e kishave të tjera jo greke, të cilat nuk i lënë anëtarët e tyre të përdoren nga njëra a tjetra kishë për qëllimshmëri strategjike në hartën lëvizëse të gjeopolitikës ortodokse, por, siç pamë, dhe vetë Kishën e Qipros! Janullatosi na u bë “më mbret se mbreti”. Përndryshe, sendet në marrëdhëniet greko-myslimane rrjedhin në paqe: Tirana u bë froni i gjashtë grek, jashtë thonjëzave, mbas Kostandinopojës, Aleksandrisë, Jerusalemit, Qipros dhe Athinës. Kësisoj, KOASH-i renditet sot pa drojë “në patrikanat dhe kishat autoqefale greqishtfolëse”, siç kremtohet kjo në lajmet zyrtare të Fanarit dhe medias greke.  

Këtu duhet hapur një kllapë, se në rendin e sotëm politik Fanari dhe Tirana, ashtu si Jerusalemi dhe Aleksandria, janë kishat që funksionojnë drejtpërdrejt nën juridiksionin e shtetit grek, ndryshe nga Kisha e Greqisë dhe ajo e Qipros. Sa për Kishën e Greqisë, nën kryepeshkopin Kristodhulos ajo tregoi më shumë se pavarësi politike nga shteti grek, prandaj dhe nga Kostandinopoja, me pasojë konfliktin e madh midis dy kishave, gjë që çoi në shkungim të kryepeshkopit në vitin 2004, dhe tërheqjen e tij të dhimbshme, për t’u rivendosur pastaj në kungim. Natyrisht kjo temë është nga ato pika për të cilat myslimanët shqiptarë shprehin ngërç, prandaj dhe e ndryshojnë bisedën. Kjo ka bërë që tema të tilla, kaq të rëndësishme për të ndijuar marrëdhëniet shqiptaro-greke, të mos ceken fare nga analistët dhe studiuesit tanë, duke ua lënë zelltarëve t’i rrokin.    

Se çfarë do të thotë ky rend i ri, nga pesë në gjashtë kisha greke, për ecjen politike të Patrikanës së Kostandinopojës, si froni i parë honoral në numrin 13 të primatëve ortodoksë, është temë më vete. Është fjala për përpjestimet dhe shpërpjestimet e votave midis primatëve, për konfliktet e interesave midis tyre, sidomos mbi komunitetet jashtë territoreve tradicionale, por dhe sa herë që qeveria e Athinës urdhëron Fanarin të bëjë a zhbëjë aksh patrik a kryepeshkop grek.  

Numërimi zyrtar i KOASH-it si kisha e gjashtë greke, nga Patrikana e Kostandinopojës dhe qeveria greke, bëhet me nxit dhe haptas, pikërisht se Statuti i 2006-ës formulohet dhe fuqizohet nga një kryepeshkop sa i fuqishëm aq dhe i brishtë. Janullatosi gëzon vërtet mbështetjen e myslimanëve, të cilët i ka futur në sinod dhe në pikat kyçe të administrimit të KOASH-it, duke ndarë me ta fronet dhe fondet, prandaj dhe i përhershëm në Shqipëri, por, nga ana tjetër, ai ka tre vjet nën presionin publik të Fanarit për t’u larguar nga Shqipëria. Patriku Vartholomeos e ka deklaruar këtë dy herë gjatë tre vjetëve të fundit.

Kjo nuk do të thotë se patrikana ka diçka kundër Janullatosit, por brishtësia e numrave grekë në diptikët e primatëve varet bash nga mëkëmbësi i Janullatosit. Cili do të jetë ai? Sa besnik do të jetë kryepeshkopi tjetër ndaj Fanarit? A do të votojë ai njësoj pro patrikut të Kostandinopojës në vendimet ndërkishtare, apo do të ruajë rolin asnjanjës që çon në shpërpjestim a, për më keq, pro patrikut të Moskës? Fanari është në ankth…  

Për pasojë, patrikana e Stambollit kërkon sot bashkëpunimin e Janullatosit për të zgjedhur në këmbë të tij një burrë kishtar që ka blatuar verbëri ndaj Fanarit. Ndërsa nga të gjithë kandidatët e mundshëm asnjëri nuk është kundër, peshkop Ilia Katre është më i besuari nga të gjithë. Këtu përplasen versionet e grekësisë: Janullatosi, i cili nuk ka dëshirë të japë dorëheqjen e kërkuar me të butë, nga njëra anë e ka gjetur zgjidhjen me myslimanët në kryesinë e KOASH-it, ndërsa nga ana tjetër i ofron Fanarit gjëra që askush tjetër mund t’i bënte në historinë e Shqipërisë. Sepse statuti i ri, përveç diasporës, ka edhe nene të tjera që bëjnë mu drejt Stambollit, siç do të shohim në kreun tjetër.  

Përderisa Ilia Katre figuron për tre vjet në Shqipëri, edhe pse në shumicën e kohës prehet në Las Vegas, ku ka rezidencën e tij zyrtare, statuti i kishës shqiptare pritet dhe qepet enkas për Fanarin: Kandidatët për dorëzim në gradën episkopale, përveç cilësive që kërkojnë Kanonet e Kishës, duhet […] të kenë punuar dhe qëndruar të paktën për një periudhë trevjeçare në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (Neni 17.3, 2006). 

Për parantezë, në Las Vegas nuk ka asnjë kishë shqiptare, gjë që e vë zotin Katre përballë të drejtës kanonike të ortodoksisë, e cila ia ndalon peshkopit të banojë jashtë territorit të kishave të tij. Në këtë rast ato janë vetëm dy, njëra në Boston e tjetra në Çikago, sa për të justifikuar ekzistencën e një juridiksioni fantazmë, një votë më tepër në SCOBA për Fanarin… Pastaj, duhej gjetur e përdorur një trysni ndaj Janullatosit dhe myslimanëve njëherësh. Nga ana tjetër, kemi një peshkop të dytë në Amerikë, por që nuk ka bërë asgjë për shqiptarët e Amerikës. Është pensionisti, peshkopi sui generis që mëton fronin e primatit të KOASH-it! Sepse u bë deti kos… 

Po përse tre vjet? Ku e mbështet këtë statuti i 2006-ës? Asgjëkundi, përveç faktit se Ilia Katre kthehet tanimë në SHBA “mbas tre vjetësh shërbimi kishtar në Kishën e Shqipërisë”. Përderisa statuti i ri nuk ka nen mbi zgjedhjen e kryepeshkopit, ky nen është më i përafërti, i mjaftueshëm për të pështjelluar e krijuar përplasje. Me këtë nen përjashtues kënaqen të gjitha palët, përveç shqiptarëve ortodoksë. Përjashtohen nga kandidaturat për peshkopë të gjithë ata shqiptarë teologë që shërbejnë në kisha të tjera autoqefale, por sidomos ata që Janullatosi urren edhe mbas vdekjes së tij (Për përkim të mbrapshtë, të përjashtuarit janë ata që luftohen edhe nga myslimanët). Fronet dhe fondet ndodhen prapë midis grekëve dhe myslimanëve.

Kësisoj, kultizimi i Janullatosit pranohet prapë tërthorazi nga Fanari, edhe pse dikur kulti i tij u dënua “si kopje e kishave jo ortodokse” nga vetë patriku Vartholomeos! Por ja që harresa ka fuqi magjike në kishën greke, sidomos kur bëhet fjalë për interesat e tyre jo kishtare në Shqipëri. 

Prapë Janullatosi bën lojën e njohur për t’u imponuar si kult. Është lojë me të dyja vendet, por dhe me të gjtha palët ndërluftuese: Shteti grek nuk ka rrethana të lehta për të ngjizur një kult tjetër si Janullatosi në Shqipëri, sepse jo vetëm konfiguracioni politik në Ballkan nuk do ta rezistonte dot një monstër tjetër, por dhe figura e re do të dobësonte vetë kultin e Janullatosit, ato që janë bërë njësh me të vjetrat dhe Greqia mëton tashmë si të sajat në Shqipëri. Plus, një monstër tjetër do të rrezikonte investimet e shumta që janë bërë pa kthim nga Greqia dhe diaspora e manipuluar greke. Shteti grek, atëherë, është i interesuar për një kryepeshkop dalë nga Janullatosi, një tjetër grek, apo një shqiptar nga kisha greke, përveçse shqiptar ortodoks nga Shqipëria.

Nëse kryepeshkopi tjetër nuk mund të jetë më grek, se myslimanët mund të kërkojnë një kafshatë të pagëlltitshme në rajon, atëherë më mirë një mysliman, një krijesë e Janullatosit, inferior dhe praktikisht i detyruar ndaj Fanarit, por dhe vendor në çdo pikëpamje, për të ruajtur kësisoj rendin e sotëm moral, domethënë për t’i kryer të gjitha me dialektikën e njohur: Feja e shqiptarit është shqiptaria (leverdia).    

4. Kërthiza e Stambollit

Vërtet që Kisha e Shqipërisë u numërua në rendin ortodoks si “kisha e gjashtë greke”, por kjo nuk është e gjitha. Në fakt, kjo është vetëm zanafilla e një projekti të tillë kulturor. KOASH-i është imponuar gjithandej në botën ortodokse si kishë me sfond, kryepeshkop e shumicë greke, por dhe si pakicë në një vend mysliman, atje ku misioni grek po bën një punë çudibërëse për shpërpjestimin e realiteteve përndryshe të ngurta. Atje ku gjer dje ishte gërmadhë e nuk kishte mbetur asnjë peshkop gjallë, tani jo vetëm që ka sinod peshkopësh, por madje edhe me tre myslimanë të kthyer në krishtërim nëpërmjet mrekullive greke… Përveç numrit gjashtë, atëherë, në misteret e shqiptarisë grekësia gjen hapësirë për më tej, prandaj dhe statuti i 2006-ës i dha kishës shqiptare trajtat e një eparkie të fronit të Kostandinopojës.  

Në këtë rend moral autoqefalia shqiptare ekziston në praktikë vetëm për të shërbyer dy interesa: pavarësinë e Janullatosit ndaj Fanarit, duke qenë kësisoj më i përdorshëm prandaj dhe më i adhurueshëm nga Athina, dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të shtetit grek në punët e KOASH-it, duke i dhënë Fanarit rol dytësor; fërkimi i versioneve të grekësisë në Shqipëri. Përderisa patrikana kërkon dorëheqjen e Janullatosit, statuti i ri paraqitet si faza e mbrame e misionit grek në Shqipëri, por kjo është një fazë proces, një proces brenda kohe, një kohë që nuk mund të rroket lehtë nga ata që nuk ndodhen në Shqipëri, ata që nuk bashkekzistojnë fizikisht me myslimanët shqiptarë.    

Mbas këtij statuti, i hedhur si shpërblesë historie ndaj Fanarit, garantohet jo vetëm heshtja mbi dorëheqjen e kërkuar me të butë nga patrikana, por dhe papizmi i Janullatosit, vetëkultizimi i dënuar në vitin 1996 nga vetë patriku Vartholomeos. Me këtë statut kaq pështjellues në formësime, Janullatosi i kërkon Fanarit fare hapur një kohë shtesë. Stambolli, për shtrëngesë, i cili kulturorisht është kërthiza e shumicës shqiptare, tashmë i fton edhe ortodoksët të kthehen me të shumtët: me kanun e me statut. 

Flirtimi me Fanarin, për të shmangur dorëheqjen dhe për të shpërqendruar dënimin e kultit të tij, e ka shtrënguar Janullatosin të na trashëgojë disa fjali herë qesharake, e herë antikanonike, në këtë dokument kaq të shkujdesur tekstualisht (Është gjynah që statuti i ri nuk na la asgjë nga hollësia e famshme fanarjote në formulime, por ricikloi trashësinë vendore në të shkruar, hiret e myslimanëve që janë zgjedhur, mbizgjedhur, nënzgjedhur, stërzgjedhur, ndërzgjedhur e përzgjedhur nga Janullatosi për ta krishtëruar Shqipërinë…) Ja qesharakja në statut: [Sinodi] Kujdeset për marrjen e Miros së Shenjtë prej Kishës së Madhe të Krishtit (Neni 12.e, 2006).  

Përderisa një kusht i tillë ekziston në Tomosin e 1937-ës, është standard i dyfishtë për praktikën juridike kishtare që kjo të përsëdytet edhe në statut. Por ama duhej bërë, edhe pse qesharake, se Foti Cici ka uruar në shkrimet e tij që peshkopët shqiptarë ta ndryshojnë këtë një ditë, ta bëjnë vetë miron, ashtu si edhe kisha të tjera autoqefale, sigurisht në marrëveshje me Fanarin. Po si mund të merren peshkopët e një kishe autoqefale me opinione personale teologësh, të frikësuar madje pa shkak, e, në vend që të japin një përgjigje në shtypin kishtar, fusin nene të reja në statut? Për t’u mbrojtur? Nga çfarë? Hej, ishte vetëm një paragraf shkrimi dhe asgjë më tepër! Çfarë kërkon t’i thotë Fanarit statuti me këtë nen të ri? Janullatosi përpiqet të krijojë rreziqe, që t’i zbusë ato pastaj me privilegje ndaj kishës greke.  

E zëmë se unë nuk kisha të drejtë. Po mirë, nëse unë prapë nuk kam të drejtë, përse Kisha e Greqisë nuk e ka këtë në statutin e saj, për shembull? Nuk e ka, sepse thjesht do të ishte qesharake. Sepse në Greqi kryepeshkopët nuk kanë fuqi të përqeshin edhe qiellin edhe tokën në të njëjtën kohë.   

Dhe nga qesharakja, tanimë le të shquajmë antikanoniken në statut. Për ta bërë të përjetshme praninë e Fanarit në Shqipëri, ose anasjelltas, përherësimin e numrit gjashtë në rendin e kishave greke, ja ç’kërkohet: Për hirotonisjen e Kryepriftërinjve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë  kërkohet të jenë të pranishëm të paktën tre Kryepriftërinj. Në rast se numri i Episkopëve është më i vogël se tre, atëherë mund të kërkohet ndihma e Patriarkanës Ekumenike, e cila ka dhënë dhe autoqefalinë (Neni 17.5, 2006).  

“E cila ka dhënë dhe autoqefalinë…” Pak si prozaike, nuk është? Formulimi jo kanunor dëshmon siklet në parashtrim, tregon ngërç se po thuhet diçka që shkon vetëm në çaste gojore e jo shkrimore. Është diçka që përkëdhel jo vetëm Fanarin, duke e bërë ditëgjatë në historinë e Shqipërisë, por çiltëron edhe jetëshkrimin e turbullt të eksarkut Anastasios, manipulimet e tij për t’u fronëzuar e imponuar si kryepeshkop me metoda jo kishtare në Shqipëri. Kanonet e hirshme e ndalojnë një nen të tillë, sepse ato iu sugjerojnë kishave vendore që të kërkojë ndihmën e peshkopëve fqinjë; fqinjë të një territori fizik. Dhe megjithatë, Statuti i 2006-s e shkel traditën kanunore të ortodoksisë, duke shkelur e kapërcyer si kufoma tri kisha fqinje, për të shkuar atje ku përndryshe shkohet vetëm me aeroplan: në Stamboll!    

Përse Kisha e Greqisë dhe Kisha e Qipros nuk e kërkojnë diçka të tillë me statut? Sepse për Kishën e Qipros, e cila është më larg, do të ishte antikanonike. Por edhe Kisha e Greqisë, e cila fqinjëson me fronin e Kostandinopojës, nuk e përfshiu në statut. Në praktikë, nëse i shtrëngon halli, këto dy kisha edhe mund ta bëjnë kërkesën ndaj Fanarit, por nuk e bëjnë me statut, se askush nuk mund të parashikojë ku mund të përfundojë një ditë një fron pa grigjë, një institucion turk, pa pavarësi, pa shkollë teologjike, pa të ardhme, dhe i instrumentuar politikisht sa andej këtej, dje dhe sot. Dhe megjithatë, Kisha e Shqipërisë parakalon më greke se greket. 

Loja e Janullatosit duke flirtuar me Fanarin, e përsëris, për të shmangur dorëheqjen e kërkuar dhe për të heshtur e toleruar kultin e përfolur, vazhdon, madje pa hollësi kishtare, me lajka fare greke: Kur bëhet fjalë për çështje apo paqartësi të një natyre të përgjithshme kishtare që i kapërcen kufijtë e juridiksionit përkatës të Kishave Autoqefale, Kryepiskopi i drejtohet sipas rregullit kanonik Fronit Ekumenik, nëpërmjet të cilit realizohet kungimi me çdo episkopatë orthodhokse që përcakton drejt fjalën e së vërtetës dhe kështu u kërkon Kishave motra mendimin dhe pikëpamjet e tyre të vlefshme (Neni 22.j, 2006).  

Përkthimi çalon edhe këtu, madje më keq se në nenet e tjera, aq sa vështirë të riprodhohet fjalia origjinale. Por thelbi është i qartë. Në këtë statut kryepeshkopi shqiptar e sheh botën ortodokse përmes frëngjisë së Fanarit. Kjo do të thotë se, pavarësisht ç’mund të bëjë patrikana ruse me të tjerët, shqiptarët janë të lidhur në Stamboll, se lidhja është biologjike, si dikur me greqishten; një lidhje kërthize. Dhe, mbasi pyet Fanarin me kë të flasë e me kë të mos flasë, kryepeshkopi ynë “u kërkon Kishave motra mendimin dhe pikëpamjet e tyre të vlefshme.” Çfarë proze na dhuruan myslimanët këtë herë!  

Nenet për ta kthyer kishën shqiptare në praktikë nga autoqefale në autonome, si eparki e Fanarit, janë kaq të papranueshme, saqë nuk mund të fshiheshin as me një gjuhë të lëmuar e të krehur, ndryshe nga kjo gjuhë esperanto e statutit. Sepse, përderisa “rregulli kanonik” e ka bërë të qartë sipas nenit të mësipërm, përse duhet përsëdytur në statut? Përse nuk e bëjnë këtë statutet e kishave autoqefale të Greqisë dhe Qipros, fjala bie?

Por ja që ky statuti ynë ka disa funksione, dhe njëri prej tyre është fytyrimi i Janullatosit si shenjtor, kulti i tij politik në rajon, prandaj nenet janë edhe ngjarje jetëshkrimi. Kësisoj, nëpërmjet Statutit të Kishës duhet lëmuar historia greke në Shqipëri, gjithçka ortodokse që mund të zbehë emblemën xixëlluese të kombit imagjinar. Duke krasitur të kaluarën e hierarkëve shqiptarë, me nenin e sipërcituar jepet një përgjigje edhe për lidhjet e kishës shqiptare me patrikanën e Rusisë, sidomos në vitet 1950, atëherë kur u shpërfill Fanari. Janullatosi prapë rrëshqet, që të na dalë fanarjot. E paçim!   

Me këtë përqasje e këtë frymë kryepeshkopi Anastasios shkoi në Stamboll pak ditë para vendimeve të nëntorit 2006, ku, sipas lajmeve zyrtare greqisht të sitit të Fanarit, patriku Vartholomeos e priti së bashku me tre arqimandritët që mbas atij udhëtimi u shuguruan peshkopë në Shqipëri; njëri grek e dy myslimanë. Kjo, sipas protokollit të patrikanës, nga njëra anë tregon se Janullatosi në thelb e qeveris KOASH-in si provincë të Kostandinopojës, duke prezantuar kandidatët për peshkopë para Patrikut, dhe nga ana tjetër tregon se sa nevojë ka Fanari për diçka të tillë sot, që ta shtrëngojë Janullatosin të dokumentojë me akte se pa Fanarin nuk bëhet asgjë në Kishën e Shqipërisë.

Përndryshe, nëse lajkat nuk vijohen me akte blatimi, Anastasios ka dy probleme pezull me patrikun Vartholomeos: kultizimi i dënuar prej këtij si “kopje e kishave jo ortodokse”, dhe dorëheqja e kërkuar me të butë këtu e tre vjet.  

Nëse vizita e Janullatosit me tre arqimandritët në Fanar nuk ishte protokollare, por thjesht si kortezi ceremoniale, pa përmasa politike, përse të mos bëhej mbas shugurimeve dhe pa Janullatosin? Kjo do të ishte normale kishërisht, sepse do të bëhej fjalë për njohje personale me peshkopët sivëllezër nga Shqipëria, me të cilët do të bashkëpunojnë për çështje ndërkishtare. Në të kundërt, ata u çuan atje nga Janullatosi për të përmbaruar procesin e përzgjedhjes së tre kryepriftërinjve që do të plotësonin sinodin e Shqipërisë. Ndoshta atë ditë Janullatosi i ka paraqitur Patrikut për miratim edhe origjinalin greqisht të statutit të ri, para se të kthehej në Tiranë e t’ia nxinte historinë kishës ortodokse shqiptare, me ato vendime të errëta që u morën në nëntorin e kaluar. 

Mirëpo, tejet fërkimeve të Janullatosit me Fanarin, atje ku tolerohen ngjarje të tilla absurde sot, le të kujtojmë se as Kisha e Greqisë ka guxuar të bërë akte të tilla. Madje, prapë ju kujtoj, u bë gjithë ajo luftë midis dy kishave para pak vjetësh, e cila i turpëroi grekët në median perëndimore, pikërisht që kandidatët për peshkopë të 31 mitropolive të cilat Patrikana i konsideron të sajat në Greqi, të  mos shkonin për miratim në Fanar. Dhe megjithatë, kisha shqiptare ia kaloi edhe kishës greke…   

Për të përmbyllur këtë parashtrim, se si kisha jonë autoqefale funksionon në praktikë si eparki, si provincë kishtare e Fanarit, po sjell një tjetër dëshmi. Kur në vitin 2006 kryepeshkopi i Kretës dha dorëheqjen për arsye moshe, sinodi i kishës autonome të ishullit, i cili është nën juridiksionin e Fanarit dhe jo të Athinës, vendosi që kryepeshkopi i dorëhequr të vazhdonte si anëtar i sinodit, me një rol këshillimor. Patrikana e mirëpriti dhe e publikoi lajmin duke përgëzuar sinodin e eparkisë së Kretës për këtë vendim, “i cili përbën shembull imitimi edhe për kisha të tjera”. Për cilën kishë tjetër ishte fjala?  

Kisha e Kretës nuk është autoqefale, por praktikisht edhe Kisha e Shqipërisë njësoj funksionon, një kishë me sinod vendor, por me kokë të zgjedhur nga Fanari. Për kë ishte fjala, nëse jo për Janullatosin? Sepse e vetmja kishë greke me kryepeshkop të pamundur në vitin 2006 ishte Kisha e Qipros, por ai primat ishte klinikisht i vdekur dhe nuk kishte si të qëndronte në sinod, e pa le më të nyjëtonte e të këshillonte, prandaj dhe u mblodh sinod i patrikanave dhe kishave greke për ta shfronëzuar “honoralisht”, sepse peshkopët e Qipros haheshin se kush do të bëhej kryepeshkop, dhe qëllimisht e shtynë për disa vjet zgjedhjen e primatit të ri.  

Statuti i ri ka bërë shumë për Fanarin e interesat shtetërore greke. Ai shquhet për pajtim të versioneve të grekësisë, duke e zvogëluar fërkimin e tyre në Shqipëri. Statuti ka zvogëluar edhe më shumë plotësimin e tipareve kombëtare të kishës ortodokse shqiptare. Ky tekst ka dhënë e ka marrë, ka tjetërsuar të vërtetat, nuk ka mbuluar gënjeshtrat, por as thelbin e problemit.  

Janullatosi ka mundur edhe një herë ta imponojë kultin e tij, por jo tjetrën. Ai duhet të japë dorëheqjen, të cilën ka mundur të shmangë vetëm përkohësisht. Në këmbë të tij duhet të zgjidhet një burrë i denjë grekësie, nga njëra anë për të trashëguar numrin e dëshiruar gjashtë, dhe nga ana tjetër për të mos rrezikuar investimet marramendëse greke që janë bërë pa kthim. Duhet gjetur një zëvendës i përshtatshëm për të njëjtën lojë, në mënyrë që shteti grek dhe patrikana, në rast se mbas vdekjes së Janullatosit mbretëron përsëri rastësia e rrëmuja, të mos gjenden befas para lakmisë së myslimanëve në rajon. Stambolli është në ankth. Fanari vuan.   

 

5. Papizmi i Janullatosit

Për sa i përket pozitës së Kryepeshkopit në KOASH, të drejtave dhe detyrave të tij, Statuti i 2006-ës ka bërë kapërcime, fluturime dhe shkelje të frikshme kanonike e etike, duke e papizuar Janullatosin në Kishë, duke e kultizuar atë në historinë shqiptare, duke e vdekur sot së ngjallurish, për ta ngjallur nesër së vdekurish. Dhe kjo ndodh nën hijen e një sinodi autoqefal, dhe nën hundën e teologëve dhe studiuesve tanë.  

Kultizimi i Janullatosit pasohet nga heshtja vuajtëse e Fanarit, për arsyet që u vajtuan në kapitujt e kaluar. Në këtë kapitull, atëherë, do të shohim se një absolutizim i tillë i kryepeshkopit nuk ekziston në statutin e kaluar, edhe pse nën diktaturë kishte më tepër gjasa të ndodhte. Për më keq, një despotizim i tillë i primatit, si në Statutin e Kishës së Shqipërisë, nuk ekziston as në Statutin e Kishës së Greqisë.  

Do të përqasen këto tre statute shqiptare e greke (1950, 2006 dhe 1977) për vetë faktin se Janullatosi e konceptoi idenë për një statut të ri, pikërisht se statuti i kaluar i kishës shqiptare kishte nevojë për përmirësime e plotësime. Nga ana tjetër, statuti grek thirret në këtë përqasje për disa arsye:  

Së pari, ish-peshkopi titullar (pa peshkopatë) i Andrucës u arsimua dhe përkiste në Kishën e Greqisë, pavarësisht nga disa shkëputje çapkëne në patrikanën greke të Aleksandrisë, andej nga u dëbua bash për tendencat e tij papnore. Midis të tjerave atëherë, duke qenë rezident në Athinën e shijimeve të tij, mëtonte të bëhej “dhe i gjithë Afrikës”. Kur patriku i lumur Parthénios i bëri Janullatosit dalje kishtare nga patrikana e Aleksandrisë, atje ku shërbeu me hope për një periudhë, Ministria e Jashtme greke ia paraqiti patrikanës së Kostandinopojës si të vetmin kandidat për eksark në Shqipëri, aq sa në vitin 1991 dëgjoja të thuhej në rrethet kishtare të Athinës: “I ligu tek të ligjtë”. Pjesën tjetër të historisë e kemi thënë dhe do ta themi.   

Së dyti, Statuti i Kishës së Greqisë është një nga statutet e shkëlqyera të krishtërimit ortodoks, sepse atje shquhet e ruhet mirë tradita sinodike (kolegjiale) e kishës ortodokse. Sepse ai statut doli si një mësim i madh nga vuajtjet e kishës greke nën diktaturën e kolonelëve, atëherë kur në Greqi u bënë shkelje të mëdha kanonike nga kryepeshkopi i emëruar i diktaturës, Jerónimos Koconis, duke imponuar një statut diktatorial. Ishte ai kryepeshkop jo kanonik (i paligjshëm kishërisht) që e qeverisi kishën greke si papë, duke shpërfillur sinodin e hierarkisë e duke imponuar një sinod kukull, për të shfronëzuar në vijim ata peshkopë që s’deshte, për të futur “gjakun e ri” në kishë. Ishte ai kryepeshkop pseudo që përzgjodhi e shuguroi peshkop Janullatosin tonë si asistent të vetin, pa ditur se do ta thyente qafën herët dhe do ta linte gjirikun e tij zbrazët, pa peshkopatë gjer në pleqëri, që t’iu vinte pastaj peshqesh shqiptarëve. E të tjera.

Por le ta lëmë biografinë e Janullatosit për më vete, dhëntë Zoti, dhe le t’i zëmë statutet me radhë në këtë krye, për të ngritur të vërtetën që ka një vit në varr, qysh në nëntor 2006.

Dihet se në vitet 50 synimi i shtetit shqiptar ishte ta kontrollonte komunitetin ortodoks që t’i shërbente ideologjisë së diktaturës, duke imponuar një kryepeshkop bashkëpunues. Mirëpo statuti i atëhershëm në fuqi, ai i 1929-ës, edhe pse mohimtar në disa nene, në këtë pikë ishte tej e ndanë ortodoks, sepse të drejtat dhe detyrat e kryepeshkopit i përfshinte në kapitujt dhe nenet mbi Sinodin dhe Peshkopët. Dhe pikërisht kjo përmasë sinodike e statutit të atëhershëm nuk e ndihmonte ndërhyrjen e përhershme të qeverisë komuniste në komunitetin ortodoks.  

Kryepeshkopi i sapozgjedhur atëbotë, edhe pse i imponuar nga diktatura, nuk kishte të drejta të plota në statut, që të mundej të merrte në vijim vendime përmbysëse në kishë. Prandaj dhe statuti i vitit 1950, i cili e përmirësoi mjaft statutin e vjetër të cunguar, rrëshqiti jo vetëm në gjuhën partizane dhe formulat e imponuara për të mbështetur “pushtetin e popullit”, por i dha primatit lehtësime kontrolli në KOASH. Kjo u bë për të mpirë sinodikët kundërthënës, nga njëra anë, por dhe për të tkurrur personalitetet e komunitetit ortodoks, nga ana tjetër. Strategjia kontrolluese e diktaturës dëshmohet qartë në statutin e atëhershëm, sepse u ligjërua diçka skandaloze, kur u krijua një kapitull më vete për primatin: Kryepiskopi (Nenet 24-28, 1950). 

Dhe megjithatë, siç do të shohim këtu, ato shkelje janë më se të justifikuara, ose, për ta thënë ndershëm, ato gabime nën diktaturë nuk janë asgjë nëse e lexojmë statutin e sotëm duke pasur më tepër drojë hyjnore, sesa frikë nga kulti i Janullatosit. Sepse ishte pikërisht ky kapitull, Kryepiskopi, që kërkonte krasitjen më të madhe në statutin e ri, për të risjellë plotësinë e sistemit sinodik në kishën shqiptare. Në të kundërt, jo vetëm që nuk krasiti, por Janullatosi shartoi e mbolli pemët e tij të këqija në statutin tonë, duke e kapitalizuar në absolut, KRYEPISKOPI, në nenet 20-23.

Gjithë kapitulli vlen të analizohet nen për nen, por do të përqendrohem këtu vetëm në disa pika, dhe ja më politikja: [Kryepeshkopi] Ruan kungimin dhe komunikimin kishtar me Kishat e tjera Orthodhokse (Kreu KRYEPISKOPI, Neni 22.e, 2006).  

Si guxoi e mundi të kalojë një dogmë të tillë papnore Janullatosi? Përse këtë herë nuk druhet nga Fanari? Nuk druhet sepse i thotë patrikanës greke diçka tjetër pak më poshtë, në të njëjtin kapitull papizues, atë që cituam në kreun e kaluar, “nenin e kërthizës”: Kur bëhet fjalë për çështje apo paqartësi të një natyre të përgjithshme kishtare që i kapërcen kufijtë e juridiksionit përkatës të Kishave Autoqefale, Kryepiskopi i drejtohet sipas rregullit kanonik Fronit Ekumenik, nëpërmjet të cilit realizohet kungimi me çdo episkopatë orthodhokse… (Neni 22.j, 2006). 

Vetëm Janullatosi, atëherë, apo çdo i imponuar i shtetit grek nesër, e ka të drejtën e absolutes në KOASH. Në të njëjtën kohë, tek i njëjti kapitull i Statutit 2006, Fanari bëhet absoluti i gjithë krishtërimit ortodoks. Shumë e puthitur, nuk është? Le të pëlcasin rusët dhe ata që e njohin Kostandinopojën vetëm si fron të parë honoral, por jo ekumenik, jo universal.   

Jo sinodi, si më parë në Shqipëri, e kudo në kishat e tjera ortodokse, por vetëm Janullatosi, pra, paska të drejtë t’iu drejtohet kishave të tjera autoqefale, dhe madje me njëfarë rendi numëror që nuk ekzistonte në statetet e kaluara shqiptare. Kjo do të thotë se kisha shqiptare sot e tutje e bën jetën dhe historinë përmes Fanarit. Sepse patrikana do të vendosë shumë më lehtë me një person, sesa me një sinod dhe me një kishë të tërë autoqefale, prandaj dhe duket papizuar statuti i KOASH-it.

Po ku e gjen këtë të drejtë kryepeshkopi Anastasios? Asgjëkundi në ortodoksi, përveçse në problemet e tij të mëdha, të cilat çiltërohen nga shteti grek dhe Fanari për të ndërthurur interesa politike në Shqipëri. Sepse në statutin e kaluar kjo shtesë e 2006-ës, mbi kungimin dhe komunikimin me kishat e tjera ortodokse, nuk përkiste te Kryepiskopi, por atje ku duhet, te kreu mbi Sinodin, i cili ka për kompetencë Të kryejë misionin e shënjtë dhe të ruajë unitetin dogmatik, kanonik të traditës së shenjtë dhe të kultit me të gjitha patriarhitë e shënjta dhe me Kishat Orthodhokse Autoqefale (Kreu Sinodhi i Shenjtë, Neni 11.a, 1950).  

Siç shquhet, termi kungim nuk përdoret në atë nen, ndoshta dhe shmanget kujdesshëm nga etërit e viteve 1950, por kurrsesi nuk i jepet kryepeshkopit në atë statut privilegji despotik për të shkelur Sinodin, dhe për të vendosur në kokë të tij kungimin dhe komunikimin me primatët e tjerë ortodoksë (Për shkëputje brenda temës, unë mendoj se në këtë formulim të mësipërm kemi një perifrazim të termit kungim, i cili atëherë nuk përdorej në diskursin teologjik të ortodoksisë shqiptare, përveçse për eukaristinë).

A e dini se ç’do të thotë t’i hiqet kjo kompetencë Sinodit dhe t’i kalojë kryepeshkopit, si në nenin 22.e të Statutit 2006? Më shumë se papizëm, gjë që tek e fundit më shumë ka dëmtuar e turpëruar në histori monstrën që e ngjizi, ky nen ruan e trashëgon rrezikun e ndarjes mëdysh të kishës ortodokse në Shqipëri, në raste përçarjesh brendakishtare. Me këtë nen lehtësohet shumë roli (përçarës) i Fanarit dhe shtetit grek për të ndërhyrë e instrumentuar vetëm një individ në kishën shqiptare, për ta emëruar atë kryepeshkop, sepse me këtë statut sinodi nuk ka kompetencë të veprojë pa pajtimin e kryepeshkopit.

Si rrjedhojë, nëse KOASH-i përballet në të ardhmen me kësi krizash që nuk i kanë munguar asnjë kishe ortodokse, qysh nga fillimet e krishtërimit e gjer sot, sinodi i tij mund ta shkarkojë atë kryepeshkop që mund të kërkojë diçka antivendore, duke zgjedhur një tjetër, por një vendim i tillë mund të konsiderohet kundër Statutit 2006, prandaj dhe Fanari do të ndërhyjë, bash sipas këtij Statuti, dhe për rrjedhojë do të kemi në Shqipëri dy kisha ortodokse, si në Maqedoninë fqinje, njëra e njohur e tjetra pirate. Ose, sinodi shqiptar nuk do ta shkarkojë kryepeshkopin, por do të zgjedhë t’i nënshtrohet Fanarit dhe shtetit grek. Siç ndodh sot.  

Nëse ky shtjellim nuk mjafton, le të vazhdojmë leximin e Statutit 2006, për të shquar se çfarë pune është bërë në statutin e ri për të absolutizuar kryepeshkopin, e në të njëjtën kohë duke zvogëluar fuqinë e Sinodit, gjë që përkon gjithmonë me interesat greke në Shqipëri. Ja se si është manipuluar në statutin e ri neni më i rëndësishëm për sinodin e kishës shqiptare:  
 

Statuti 1950: Sinodhi i Shenjtë […] është autoriteti më i lartë për të gjitha çështjet kanonike, dogmatike dhe spirituale, si dhe për ato çështje kishtare që hyjnë në sferën e kompetencës së tij (Neni 10).  
Statuti 2006: Sinodi i Shenjtë është Autoriteti më i Lartë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sipas Tomosit Patriarkal dhe Sinodik të dhënies së Autoqefalisë prej Patriarkanës Ekumenike… (Neni 11.1).  

Siç duket kthjellët këtu, është zhdukur një gjymtyrë e tërë fjalie nga neni i 1950-ës, duke hequr kompetencat e çështjeve “dogmatike, kanonike dhe spirituale”, të cilat janë më të rëndësishmet kompetenca të një sinodi ortodoks. Ato ekzistonin, pra, por në statutin e ri hiqen, duke shtuar fjalë të tjera për “Patriarkanën Ekumenike”, për të mbuluar hilen, për të justifikuar shkeljen e madhe kanonike, për të blerë e shtirë heshtje tjetër ndaj Kultit të Janullatosit, prandaj dhe vihet shkronjë e madhe pothuaj në çdo fjalë, pa qenë fare e nevojshme, për të kanalizuar sikletin në formulimin e padenjë. Sepse gjithë kjo shërben edhe Fanarin, jo vetëm Janullatosin. Nga një këndvështrim tjetër, ky nen i shkujdesur duket sikur është me dy kuptime: ose është lapsus, ngaqë mund ta ketë bërë Plaka, sekretarja personale e kryepeshkopit, ose thjesht për të përqeshur të shumtët e për të pickuar të paktët.  

Së fundi, për të parë se sa shumë ka rrëshqitur Janullatosi në kanun e në moral, le të përqasim Statutin e Kishës së Greqisë, siç premtuam në krye të këtij parashtrimi. Në statutin grek nuk gjejmë asnjë kapitull që të flasë vetëm për primatin, apo t’i japë atij funksione papnore. Kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë trajtohet në Statut sipas traditës kanonike të ortodoksisë, prandaj dhe nenet mbi primatin renditen jo më vete, por në kreun “Mbi kompetencat dhe detyrat e Kryepriftërinjve”, në Kreun, 8, nenet 29-34 (Καταστατικός Χάρτης της Εκκλησίας της Ελλάδος, 1977, f. 67-74).

As që bëhet fjalë të gjejmë atje pisllëqe si këto të statutit të ri shqiptar. Sepse, nëse lexojmë nenin që na intereson më tepër në këtë kapitull, mbi kompetencën e kungimit me kishat e tjera ortodokse, domethënë mbi pasojat e rrezikshme politike që mund t’i lindin një shteti sovran nga manipulimi i këtij neni, statuti grek ruan pacënueshmërinë e ortodoksisë së tij, si dhe integritetin e pavarësisë greke njëherësh. Këtë të drejtë të rrezikshme në statutin grek nuk e zotëron kryepeshkopi, si në statutin shqiptar të 2006-ës, por Sinodi, i cili: Përkujdeset për ruajtjen e dogmave të besimit ortodoks […], si dhe për kungimin kishtar me Patrikanën Ekumenike dhe patrikanat e kishat e tjera autoqefale ortodokse dhe rregullon marrëdhëniet e Kishës së Greqisë me heterodoksët (Kreu 2, “Mbi Sinodin e Shenjtë të Hierarkisë”, Neni 4.a; Po aty, f. 34).  

E pra, ruajtja e kungimit dhe komunikimit kishtar me patrikanat e kishat e tjera autoqefale ortodokse, e cila ishte dhe filli kryesor i këtij kapitulli, i jepet Sinodit, siç urdhëron tradita kanonike, siç e ka statuti grek, dhe ashtu siç e kishin edhe statutet e mëparshme shqiptare. Jo kryepeshkopi. Jo dhe jo. Papa tjetër, Janullatosi, ka lajthitur. Fanari luan.      

6. Papa dhe Cezari juaj

Duke ia hequr sinodit kompetencat dhënë nga e drejta kanunore e kishës lindore, me shpikjen e nenit papnor 22.e, të cilin përfolëm pa pendesë në kreun e kaluar, se vetëm kryepeshkopi ruan kungimin dhe komunikimin kishtar me Kishat e tjera Orthodhokse, e duke e sendërgjuar më tej me “nenin e kërthizës” 22.j, Janullatosi ia ka mbyllur çdo shteg kishës vendore për të dhënë e marrë me kishat e tjera ortodokse, e sidomos me fronin e parë ndër to, atë të Kostandinopojës.  

Para se të bëhet Papë i KOASH-it me nenin mbi kungimin, i sëmuri i lavdisë bëhet Cezar i Shqipërisë, siç do të shohim më poshtë këtu, tek nenet mbi raportet e primatit me kishën shqiptare. Por para se të shkojmë atje, është e nevojshme të kthehemi tek Statuti i Kishës së Greqisë, për të shquar kontrastin e madh, për të dalluar se sa shumë kolegjial është statuti grek, jo vetëm në krahasim me statutin e Janullatosit sot, por dhe me statutin e kaluar shqiptar, i cili, në të kundërt të traditës vendore autoqefale, krijoi një kapitull të ri për kryepeshkopin, për të shërbyer më lehtë komunizmin dhe jo ortodoksinë.  

Këtë shartesë të diktaturës, jo vetëm që Janullatosi nuk e hoqi nga statuti, jo vetëm që nuk e la siç ishte, por, ajmé për jetëshkrimin e tij të errët, e papizoi dhe cezarizoi kultin e primatit (veten e tij të rënë), duke hapur një të çarë të madhe midis kishës shqiptare dhe të drejtës kanonike të kishës lindore. Në fakt, ua la turpin në derë shqiptarëve ortodoksë…  

Në statutin e Greqisë, në të kundërt me tonin, nuk ekziston asnjë kapitull për kryepeshkopin, sepse: Kryepeshkopi i Athinës ka cilësinë e baritimit të kryepeshkopatës së Athinës ashtu si të gjithë mitropolitët aktivë, të cilët janë autoriteti kishtar i mitropolisë që iu është besuar. Ata ushtrojnë, brenda zonës së mitropolisë së tyre, urdhëresat kishtare dhe ligjet e përgjithshme të pushtetit të parashikuar të shtetit, sipas kanoneve të hirshme (Kreu 8, “Mbi kompetencat dhe detyrat e Kryepriftërinjve”, Neni 29.1, Καταστατικός Χάρτης της Εκκλησίας της Ελλάδος, 1977, f. 67-68). 

Edhe pse mund të tingëllojë e çuditshme për shqiptarët ortodoksë, ky nen është i vetmi në gjithë statutin grek ku flitet më tepër për të drejtat dhe detyrat e kryepeshkopit, dhe megjithatë (vini re!), nga njëjësi kalohet menjëherë në shumës, brenda një fjalie, mu në nisje të nenit, duke mos fshehur ankthin e shëndoshë të kishës ndaj rrezikut të njëshit, për të parandaluar kultizimin e tij. Sepse është njerëzore të ndodhë, prandaj dhe duhen marrë masat me ligjë e me kanun për të kontrolluar pasionet e pushtetarëve. Që të citojmë nga urtësia greke, “pasurinë shumë e urryen, por lavdinë askush!”  

Lexojeni prapë nenin e cituar më sipër, për të shquar se si barazohet, njësohet, sheshohet e rrafshohet kryepeshkopi me mitropolitët, për t’i dhënë përparësi sinodit të peshkopëve; siç është tradita e kishës lindore! Është pikërisht kjo traditë që ekzistonte edhe në Shqipëri dje, por që u zhbë sot nga misioni shtetëror grek. Sepse, para se të flasë për kryepriftërinjtë në kreun e tetë, statuti grek ka përcaktuar më parë, në kreun e dytë, se Sinodi i Shenjtë i Hierarkisë vendos për çdo çështje që i përket Kishës (Kreu 2, “Mbi Sinodin e Shenjtë të Hierarkisë”, Neni 4, Po aty, f. 34).  

Është fjala për sinodin e të gjithë mitropolitëve aktivë të Greqisë, gjithë hierarkia, me votime të fshehta, duke dëlirur kësisoj fuqinë e kryepeshkopit. Bëhet e qartë prerazi, vetëm me një fjali të shkurtër, se kryepeshkopi nuk mund të bëjë asgjë pa miratimin e hierarkisë. Pikë! Mbaroi!  

Dhe tanimë të hidhemi këtej ku qelb kulti i zoikut, që të gjejmë gjysmën tjetër të Janullatosit, Cezarin e shqipove. Përderisa të gjitha statutet ortodokse kanë disa nene të ngjashme në çdo statut, cilat nene të Statutit të 2006-ës përkojnë me dy nenet e mësipërme greke, mbi kryepeshkopin dhe sinodin? Le të lexojmë, që të çmeritemi: Kryepiskopi është Kryetari i Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, përfaqësuesi i tyre përpara autoriteteve shtetërore dhe organizmave ndërkombëtarë dhe përpara çdo lloj autoriteti dhe pushteti (Kreu KRYEPISKOPI, Neni 20, 2006).  

Këtu janë shkrirë njësh dy nenet që cituam nga statuti grek, duke i rrumbullakosur të gjitha tek Zoti i fuqive, Janullatosi Cezar, duke ia vjedhur Sinodit të gjitha kompetencat, në mënyrë që vetëm i dërguari (i imponuari) të ketë të drejta ligjore të flasë apo të mos flasë, të veprojë a të mos veprojë, në emër të ortodoksëve, edhe sikur të gjithë ortodoksët e Shqipërisë të dalin kundër tij.    

Çfarë kundërshtie e mbrapshtë midis dy statuteve në fuqi greke e shqiptare! Jo vetëm që nuk është i barabartë me mitropolitët, por kryepeshkopi ortodoks i Shqipërisë është mbi gjithçka që lëviz, është në ankth të madh kontrollimi të gjithçkaje të krijuar së larti, duke ecur në tokë sa për të ruajtur regjimin e sendeve, se në fakt ai qëndron pezull, nuk cek gjëkundi, prandaj dhe shtrëngohet të dalë nga vetvetja dhe të përdorë formulime si ky: “dhe përpara çdo lloj autoriteti dhe pushteti”. “E në jetë të jetëve”, më duket se më bëjnë veshët mua këndej matanë… O Zot, ruana mënt’ e kokës… 

Duhet kuptuar në këto lexime përsiatëse ajo që u shënua disa herë, se Janullatosi jo vetëm nuk e përmirësoi statutin e kaluar, por ia shtrembëroi atij ortodoksinë, duke e mbushur statutin cit me nene antikolegjiale, të cilat gjithmonë janë dhe antivendore. Është këtu, në pikat antivendore (antishqiptare) të Statutit 2006 ku Fanari reziston dhe hesht kultizimin e Janullatosit.  

Mbasi u citua statuti grek dhe ai shqiptar, ku shquhet bjerrja e madhe e Janullatosit, le të kthehemi tek statuti i kaluar shqiptar, tek i njëjti nen mbi kryepeshkopin. Le të citojmë nga statuti i kaluar dy nenet përkatëse të nenit të përfolur më sipër:
Kryepiskopi i gjithë Shqipërisë është Kryetar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kryepiskopi është i pari në Jerarhët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Mitropolit i Dhioqezës së Tiranës-Durrësit (Nenet 24- 25, 1950). 

Në dy nene këtu jepen dy veti për kryepeshkopin, se ai është “Kryetar i Kishës…” dhe “i pari në Jerarkët…” Cilësimi i parë tingëllon centralizues, kontrollues, sepse duhet të ishte “kryetar i sinodit”, jo “i Kishës”, por cilësimi i dytë është një formulim më se ortodoks. Kjo shtendosje-tendosje në dy nenet e vitit 1950 dëshmon shtrëngesën e atëhershme të etërve të kishës sonë nën diktaturë, sepse, nëse nuk shpërnjohim nuancat tekstuale, neni 25 e interpreton në kërcënim nenin 24. Dhe megjithatë, këto dy cilësime të kishës së diktaturës nuk mjaftuan për Janullatosin e pasdiktaturës, i cili na thartoi turinjtë kur e pa hilen. Seçse ai ka neveri për gjithçka të trashëguar shqiptare në Kishë, prandaj dhe gjithçka duhet ndryshuar. “Unë jam alfa dhe omega juaj”, dikur sikur është shkruar e fshirë në këtë dokument të misionit grek…  

Nga gjithë ky parashtrim në këto dy shkrimet e fundit, mbi papizmin dhe despotizmin e Janullatosit, del se ky perversitet nuk u huajt as nga statutet e mëparshme shqiptare (1929 & 1950), e as nga statuti në fuqi i kishës greke (1977), atje ku përkiste ai më parë. Përkundrazi. Në statutin e ri shqiptar Janullatosi nostalgon dhe imiton, në një farë mase, përndezjen e rrëshqitjeve antikanonike përgjatë diktaturës së kolonelëve në Greqi, atëherë kur u shugurua peshkop me procedura jo kanunore nga idhulli i tij, kryepeshkopi i juntës Jeronimos. Por vetëm në një farë mase. Sepse pjesa më e madhe e kapërcimeve, shkeljeve dhe fluturimeve të Janullatosit në Statutin 2006 e ka qerthullin jo në Athinë, jo në Tiranë, as në Stamboll, por në mendjen e tij të ftohur, tek problemet e thella psikologjike, tek sëmundja e tij e pashërueshme për t’u imponuar si shenjtor në rajon.  

Kjo sëmundje për t’u kultizuar, e cila është dhe qerthulli i kësaj eseje, është ajo pikë që Janullatosi nuk e kontrollon dot, prandaj dhe bëhet (me vetëdije) i brishtë për t’u përdorur nga të gjithë ata që ndërthurin interesa në Shqipëri: nga qeveritë e Athinës, nga patrikana e Stambollit, nga perëndimorët që duan të ungjillëzojnë myslimanët, dhe nga myslimanët shqiptarë që e kanë për art e traditë t’i mjelin të gjithë të interesuarit. 


Shteti grek ka gjetur personin më të përshtatshëm për të kryer ato që përndryshe s’kanë se si të sendëzohen në historinë shqiptare; vetëm një aktor i tillë mund të flijohet i tëri në një lojë të tillë kaq improvizuese, kaq rrezikuese. Sepse ecja e Janullatosit si në ajër, midis tokës dhe qiellit, është thikë me dy presa: është një rrugëtim midis jetës dhe vdekjes në historinë e Ballkanit.  

Për më tutje, ndërsa Fanari ka në dorë disa kyçe të vjetra, të cilat pa mbështetjen e qeverive greke përnjimendsh bien në ndryshk, shteti i Athinës ka në dorë vrundujt e medias, nëpërmjet një këshilli të posaçëm kombëtar. Ishte pikërisht media greke ajo që nisi e çoi mbanë projektin politik të kultizimit të Janullatosit në rajon. Ishte media greke ajo që mori qind për qind anën e Janullatosit kur ky publikoi konfliktet e tij me Tiranën dhe Fanarin, në vitet 1992-1998. Të shkuara, të harruara…     

Kulti i Janullatosit rezistohet nga patrikana e Kostandinopojës në vuajtje, në lëngatë, në një pritje të dhimbshme aspiratash, aq sa Fanari bie e zhytet në lojë. Rojtari i ekumenit ortodoks, “Kisha e Madhe e Krishtit”, tanimë zvogëlohet, mpaket e tkurret fizikisht dhe bie në dilemë. Patrikana ka nevojë për t’i zbutur humbjet e mëdha qiellore me bekime të papritura tokësore, me ngushëllime të befta që sjellin shpërpjestime të sigurta në politikat kishtare. Prandaj dhe Kostandinopoja bën “ekonomi të skajshme”, që të përdorim shprehjen kurth të Fanarit në kësi rastesh, edhe pse qiellori i Shqipërisë është bërë Papa dhe Cezari i tokësoreve…   

7. Sinaksari i Janullatosit

Është një nen i Statutit 2006, gjithmonë te kreu KRYEPISKOPI, për të cilin mund të shkruhet një novelë, e jo më një kapitull përmbledhës në këtë lexim të çlirët: (Kryepeshkopi) Ndërmerr iniciativa në shkallë të gjerë kur vendi ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të fatkeqësive natyrore a shkaqe të tjera, duke bashkëpunuar me autoritetet shtetërore, me kryesitë e bashkësive të tjera fetare dhe organizmat ndërkombëtarë për lehtësimin e të prekurve dhe zhdukjen e pasojave (Neni 22.k, 2006).  

Ndërsa të gjitha nenet e përfolura gjer tani u komentuan në përqasje me statutet e tjera shqiptare e greke, çfarë mund të themi këtu? Kur kryepeshkopi u bë papë e cezar në statut, bëmë mohime e pohime, por çfarë mund të themi për këtë nen përmbysës, veçse? Sepse këtu kemi janullatizimin e historisë kishtare në Shqipëri. Këtu na del përpara njeriu, jo kishtari. Këtu kulti grek zbret nga ikona bizantine, merr pamje postmoderne, fare të atillë, dhe parashtron drejtpërdrejt arsyet praktike se përse s’është i përkohshëm; flet siç e duan shqiptarët, troç dhe ndershëm. Neni 22.k është nyja e dialektikës së misionit me petkun e fesë, është më e madhja pikë dhe pykë, në daçi, në marrëdhëniet shqiptaro-greke.  

Në vend të hutimit të kërkuar, a të ndjesisë vendore “lere, ç’e nget atë punë”, brenda këtij ekspozimi me dashje të misionit jo fetar, le të ngremë pyetjet e pashmangshme: 
A ekzistonte një nen i tillë në Statutin e Kishës së Shqipërisë?
Jo! Sepse hierarkët shqiptarë nuk e shitën besën as te grekët e as te komunistët, pavarësisht nga komoditeti i sotëm në gjykime.
A ekzistonte një nen i tillë në Statutin e Kishës së Greqisë?
Jo! As ekzistonte, e as ekziston. Madje në statutin grek nuk ka fare kapitull për kryepeshkopin, e jo më të pranohen shkelje të tilla.   
A ekziston një nen i tillë në ndonjë patrikanë e kishë tjetër autoqefale ortodokse, qoftë dhe i përngjashëm?
Asgjëkundi. Kurrëkundi! As që mund të hidhet në mendje gjetkë.
A ekziston ndonjë nen në të drejtën kanunore të kishës ortodokse, ku të mbështetet qoftë dhe tërthorazi, neni 22.k i statutit të ri?
Jo, jo dhe jo, përveçse në natyrën e një misioni jo fetar, i cili ndërthur interesa që shërbejnë shumë, përveç ortodoksisë.  

Te ky janullatizim i statutit, le të shquajmë disa nuanca të tij, disa togfjalësha shumë të dëgjuar këto vite, duke i përkthyer në gjuhën e këtij leximi:  

Iniciativa [siç] në shkallë të gjerë. Kemi një kishë të vogël, pakicë në një vend me shumicë myslimane e ateiste, e cila del nga vetvetja dhe merr inisiativa në shkallë të gjerë, jashtë thonjëzave. Si nuk e cilëson Statuti se sa gjerë, e gjer ku shkojnë këto inisiativa? Ku do t’i gjejnë fondet kryepeshkopët e ardhshëm të Shqipërisë për të marrë nisma të tilla, kaq të gjera e të gjata? Sepse nuk bëhet fjalë për Sinodin a për KOASH-in si institucion, gjë që sidoqoftë do të ishte absurde të kërkohej në kishën ortodokse, por për një individ! Nëse primatët e ardhmërisë nuk kanë fuqi të marrin nisma të atilla, a vendosen ata kundër Statutit, edhe pse pro Ortodoksisë?  

Gjendje e jashtëzakonshme. Ku do t’i gjejnë rojet dhe makinat e blinduara kryepeshkopët e një kishe modeste, minoritare, për të kryer aktivitete të tilla mbarëkombëtare kur Shqipëria është në gjendje të jashtëzakonshme, siç e ndjell Janullatosi? Apo na kujton 1997-ën, kur Janullatosi bënte dramatikun dhe heroikun në Tiranë, se “këtu me ju do të qëndroj gjer në fund”, por ama fliste greqisht, i lidhur drejtpërdrejt me kanalet televizive greke, e i qerthulluar me roje të armatosura? Përkundrazi, kryepeshkopi tjetër duhet t’i shesë a zhbëjë makinat e blinduara, të cilat janë një nga skandalet e misionit grek në Shqipëri.   

Fatkeqësi natyrore. Cilat janë këto fatkeqësi dhe cilat kanone të krishtërimit mëtojnë që kisha të merret me to në mënyrë politike, fizike a kimike? Ku do ta gjejë kisha shqiptare një kryepeshkop të tillë që, kur Shqipëria një mëngjes të gjendet para një tërmeti, qoftë larg, primati të godasë me shkop e të nxjerrë fondet e kërkuara për të sjellë vendin në rendin e mëparshëm natyror? Përderisa Janullatosi rrëshqet jo vetëm në ligjë e në kanun, por dhe në llogjikë, le të rrëshqas edhe unë pakëz: A ka fatkeqësi më të madhe natyrore sesa kalesa e Janullatosit në historinë shqiptare? 

Organizma ndërkombëtarë. A mos vallë ata janë politikë, moralë a fetarë? Mos është fjala për kishat e tjera të krishtera? Në Statutin e Kishës së Greqisë, fjala bie, nuk i lejohet kryepeshkopit diçka e tillë, se, përveç të tjerave, ai mund të jetë një a dy muaj në spital, prandaj dhe është Sinodi ai që qeveris Kishën e vendos mbi gjithçka, duke mos harruar as dhënie-marrjet e detyrueshme me heterodoksët (Ky nen i statutit grek – Neni 4.a, Kreu 2, “Mbi Sinodin e Shenjtë të Hierarkisë” – u citua në fund të kreut të katërt). Sidoqoftë, ku do t’i gjejnë kryepeshkopët shqiptarë mundësitë, rrethanat dhe mjetet për të ndërmarrë projekte të tilla ndërkombëtare?

Zhdukja e pasojave. A ka burrë në këtë botë të zhdukë pasojat e fatkeqësive natyrore? Ku mund ta gjejmë ne një kryepeshkop të tillë, mbinatyror? Le të mos shkojmë larg, por të sjellim ndërmend pyjet e djegura në Greqi këtë vit. Pasojat tragjike nuk janë zhdukur: Vdiqën njerëz, u zhveshën kodra e male, u zhbënë pasuri, e të tjera mjerime. Pasojat do të mbeten për shumë vjet, ndoshta për disa breza. Si mundet pastaj i sëmuri i lavdisë, jo vetëm të besojë gjëra të tilla, por t’i ligjërojë dhe në Statut? I kërkohet, pra, historisë që të nxjerrë për çdo brez një të marrë, një monstër që beson se ka kyçin për të zhdukur pasojat e fatkeqësive natyrore.  

Le t’i jemi mirënjohës Janullatosit këtë herë, sepse sëmundja e kultit, e çiltëruar nga thelbi i misionit shtetëror grek, na ka lënë një nga çastet më lakuriq të improvizimit të tij në fe e politikë: Papa i kishës imagjinare, etnarku i kombit pa emër, e var kërrabën baritore dhe rrëmben skeptrin, atë që, sipas albanologjisë folklorike të hirësi Kurillës që e thërret, i dha emrin shqiptarit (nga σκήπτρον). I brishti përndizet e ashpërsohet, egërsohet hirshëm e kthehet në një qenie midis njerëzoreve dhe hyjnoreve, si një përbindësh i shenjtëruar, sepse vetëm kështu mund t’u bëjë ballë fenomeneve mbinatyrore. Princi i paqes shndërrohet në hegjemon të ekumenit imagjinar, atë që s’e bën dot as Patriku Ekumenik. I rrofshin kyçet dhe titujt Fanarit… 

Marrëzia dhe rrjedhja e bujtësit, atje ku barten e përçohen edhe interesat e dërguesve, ky realitet klinik, pra, bëhet njësh me bujtinën shqiptare, me kultin e zemrës së historisë vendore (feja e shqiptarit është shqiptaria), duke na sjellë para një imazhi biblik, ku sundon trajta e një bajlozi të lodhur nga shpërfytyrimi i hireve: Shqipëria e vogël bëhet djepi i botës, ku një version tjetër i Babës është shfaqur e pajtuar suksesshëm me dëshirat shqiptare. Çfarë lumnie…   

Njëri nga synimet e Statutit të 2006-ës, brenda ndërthurjes dhe fërkimit të shumë interesave midis Tiranës, Athinës dhe Stambollit, është të skeletojë narrativën e sinaksarit të Janullatosit, siç u cek në kreun e katërt. Është jetëshkrimi letrarizues që fytyrohet në statutin e ri si biografi e paradhënë kishtare. Është përsëritja nëpër dhjetëvjeçarë e profilit shkruar nga autori në vetë të tretë, derisa më në fund u imponua në krishtërimin grek për të ungjillëzuar (helenizuar) Shqipërinë, që të përhapej si virus në të gjitha kishat ortodokse dhe jo vetëm.

Si i tillë, atëherë, tejkalues në gjithçka njerëzore, Janullatosi mëton statusin e së veçantës, e speciales në historinë kishtare. Kështu përhidhet edhe statuti i ri shqiptar, sidomos ky nen që kërkon diçka që s’bëhet asgjëkundi në ortodoksi.  

Naivët mund të mendojnë se një plak nuk mendon kaq thellë. Sepse pleqtë mendojnë vdekjen dhe i bëjnë hesapet me hanxhinë. Kush e tha? Pastaj këtu kemi të veçantën e të veçantave. Për më tej, ka patrikë e kryepeshkopë që kanë jetuar e jetojnë gjer në 90 vjeç, e madje më tutje. E si të mos ta lejojë Zoti diçka të tillë për më të zgjedhurin e Tij? Sot ai nuk ka mbushur ende të 80-at. Dhjetë vjet të tjera nuk janë pak, sepse gjithë ngrehina e sotme kultiste do të ishte shembur e harruar para dhjetë vjetësh. Ishte pikërisht dhjetëvjeçari i fundit ai që e bëri njerëzorin hyjnor, kjo dekadë që, në të njëjtën kohë, i sfidoi shqiptarët në kohë duke ua nxirë edhe hapësirën.

Ndërsa para dhjetë vjetësh Janullatosi ishte i pikëpyetur në Ballkan, sot Anastasios është hijemadh në Lindje e në Perëndim, aq sa i falen jashtë e brenda. E himnojnë dhe i bien në gjunjë, por jo për të adhuruar njeriun e shenjtë, sesa për të përlëvduar mrekullitë e Perëndisë tek ai, shërbëtori i përulur i qielloreve në Shqipëri. Ai buzëqesh ëmbël, skuqet pak i përkëdhelur, duke u bërë edhe më i adhurueshëm, sepse ndodhesh para një plaku me çaste fëminore. I shenjtë, nuk është?   

Dhjetë vjet, për më thellë, sillen kështu në shqisat e njeriut Janullatos, por, nga ana tjetër, koha është dhënë për njerëzit, jo për hyjnorët. Statuti, atëherë, janullatizohet që të shenjtërohet, aq sa brez pas brezi kryepeshkopët e vegjël të fuqizohen me hijen dhe emrin e tij, për të marrë hir nga hiret e tij. Anastasios është tejet kohe, sepse solli qiellin në tokë. Në një kulturë kaq materialiste, ai pajtoi paq frymën me lëndën, siç e deshnin vendorët e shtrenjtë, pa dallim feje, gjithë populli i Perëndisë, tek i cili po kryqëzohet ditë për ditë, edhe tani që ndodhet për dy muaj në Athinë.

Ai mundi, me gjithë këto, të shënjojë totuazhe të pashlyeshme në lëkurën e ashpër shqiptare. Të gjitha i bëri për t’i ndriçuar ata, që të mos mbeten mbrapa shokëve. Statuti shqiptar, atëherë, pushtohet nga vegimet e Janullatosit si i veçantë në histori, specialja që mëton të përhershmen, pikërisht për t’i dhënë një përgjigje dërrmuese të përkohshmes, kaq e premtuar kjo në një draft tjetër të jetëshkrimit të tij.     

Për Fanarin që e lexoi statutin në greqishten e origjinalit, zhdukësi i pasojave të fatkeqësive natyrore është edhe zhdukësi i pasojave të ndërgjegjësimit shqiptar njëherësh. Janullatosi ka veti të mëdha zhdukjeje pasojash. Sepse, brenda sëmundjes së kultit që tolerohet për arsye politike, duhen zhdukur pasojat e kombëtarizimit të kishës vendore, pasojat e veçorizimit të shqiptarëve ortodoksë në historinë kishtare greke…

Nëse lexuesi do të më akuzojë për ironi, tallje, e për të tjera, për çfarë nuk duhet akuzuar Statuti 2006, atëherë? 

Po kujtoj se Janullatosi fillimisht e personalisht, në vitet 1992-1996, nuk më ka kërkuar shumë gjëra, përveçse të hesht. E ka kërkuar këtë edhe më vonë, me të gjithë sa besonte se i dëgjoja, sidomos grekë, por jo vetëm. Madje, kur ika pa kthim nga Athina, në pranverë të vitit 2000, një aktivist shqiptar mysliman më kërkoi të njëjtën gjë: “Tani që do shkosh në Amerikë, mos fol më për Anastasin”. 

Përse? Përse të mos flas? Për më tutje, ç’i duhet një aktivisti që s’është ortodoks, që as merret me studimet ortodokse, ç’punë ka ai, pra, se ç’do them unë për aksh kishtar tonin? Madje atëherë unë flisja vetëm kokë më kokë, jo publikisht, dhe as shkruaja. Nga ana tjetër, ç’punë kanë konsujt e Greqisë në Kanada të më përgojojnë se ç’kam thënë e ç’shkruaj unë për kryepeshkopin e Shqipërisë? A do të merreshin me mua të gjithë këta nëse kryepeshkopi nuk ishte grek? Unë mendoj se jo. Me ç’të drejtë më kërkojnë të hesht, atëherë, grekë e shqiptarë?

Kulti bezdiset kur dikush e kritikon, sepse zbardhja e së vërtetës, shkultizimi, rrezikon lojën politike. Është pikërisht këtu ku rreh diskursi im: për të bezdisur kultin. Me çdo çmim! Si të kem frikë unë nga Janullatosi për një qëndresë të tillë, të ndershme, në historinë e ortodoksisë shqiptare, kur ai vetë nuk ka frikë ta vendosë veten e tij të rënë mbi të gjitha statutet e kishës shqiptare e mbi vetë të drejtën kanonike të ortodoksisë? 

Kur i sëmuri i lavdisë është me një këmbë në varr dhe merret ende me mua, duke paguar disa shqiptarë myslimanë në Toronto që të mësojë se ku shkoj dhe me kë takohem, çfarë përkorjeje gjuhësore më kërkohet nga dashamirët? Kështu gdhendet sinaksari i Janullatosit…    

8. Përtej biologjisë

Përderisa i dërguari fytyrohet si i veçantë në histori, prandaj dhe përjashtim i pashmangshëm në dhëniet e marrjet shqiptaro-greke, përderisa i shpërfytyruari i hireve u vërtetua si mit i domosdoshëm për të sjellë në drejtpeshim trutë e shqiptarëve emocionalisht të zhbalancuar, Janullatosi, atëherë, duhet kundruar e përballur jo si vdekatarët paraardhës dhe pasardhës në selinë e Tiranës, por si institucion i amëshuar. Anastásios përhidhet si ideologjemë përtej biologjisë.  

Personifikimi i ideologjemës martohet me personalizimin e komunitetit ortodoks në pozitën pezull (midis), atje ku ndërthurja e interesave përthithi dhe çoi në zbehje ngjyrat e personit real, duke lënë për trashëgim nuanca kundërthënëse. Me këtë mitbërje në botën shqiptaro-greke, janullatizimi i statutit të ri të KOASH-it pillet si kanun mbi kanonet kishtare, si statut tejet së tashmes, si dokument i imponuar jo kaq nga Greqia, sesa nga rendi i sendeve në Shqipërinë e pasdiktaturës: kultizimi i çudibërësit është më e pakta që kisha shqiptare mund t’i blatojë ekumenit imagjinar…  

Si shtrëngesë e këtij perversiteti, nenet mbi potencialin e gabueshmërisë së kryepeshkopit, dhe për vijim mbi gjykimin dhe disiplinimin e tij, bënë këmbë e u zhdukën nga statutet e kishës shqiptare. Për ta bindur historinë se kjo që ndodh në Statutin e 2006-ës nuk është thjesht sendërgji e një kishtari të lajthitur, por një projekt i kushtueshëm shtetëror, u zhdukën nga statuti i mëparshëm edhe nenet mbi sëmundjen, pamundësinë dhe zëvendësimin e kryepeshkopit. Marrëzia në fron!    

Asnjë kishë ortodokse ka guxuar të bëjë diçka të tillë, përmbysëse në të drejtën kanonike të kishës lindore, duke e përjashtuar kryepeshkopin nga natyra njerëzore, nga vrullet e saj të shumta që çojnë në rrëshqitje, rënie e lajthitje, por dhe nga mosha e sëmundjet që sjellin prishjen dhe vdekjen. Dhe megjithatë, Statuti i 2006-ës duket sikur thotë: Anastasi ynë është ndryshe, është tepër i veçantë, ai është specifikja e papërsëritshme në rajon. Kisha shqiptare shtrëngohet të ndijojë përtej biologjisë. Çfarë mësymjeje!  

Por le të kërkojmë nenet e zhdukura nga kulti i Janullatosit, për të shquar edhe një herë se misioni i Athinës jo vetëm që nuk e përmirësoi e plotësoi Statutin e 1950-ës, por e përkeqësoi dhe ia cungoi atij ortodoksinë. Sepse statuti i mëparshëm, edhe pse nën diktaturë, mbeti më ortodoks se Janullatosi.  Ka shumë nene që e thërrasin këtë të vërtetë atje, siç shquhet edhe në këtë pikë, e cila e ka tmerruar Janullatosin kur e ka parë për herë të parë: Kur një anëtar i Sinodhit gjykohet për çdo faj të tillë, ai vetë nuk merr pjesë si anëtar i Sinodhit. Mbi këtë flitet më hollësisht në rregullore  (“Masat disiplinore”, Neni 75, 1950).

Kryepeshkopi, pra, nuk shihej nga kisha e diktaturës si monark absolut, si papë e cezar i KOASH-it, por si kryeprift, njësoj si në Statutin e Kishës së Greqisë. Por le të shkojmë tanimë tek Rregullorja ku përcjell Statuti 1950, për të parë se çfarë shkeljesh të mëdha kanonike ka kryer Janullatosi në Shqipëri, duke zhdukur nga statuti i sotëm nocionet që garantojnë kolegjialitetin e ortodoksisë:  

Pushim’ i Kryepiskopit dhe episkopëve, bëhet për faje të rënda dogmatike dhe kanonike, për faje ordinere dhe për arsye extraordinere
Kryepiskopi dhe antarët e Sinodhit, për shkak sëmundjeje kronike ose pleqërije, të cilat nuk u përmetojnë të përmbushin detyrat e tyre, kanë të drejtë t’i paraqesin kanonikisht dhe me të shkrojtur dorëheqjen e tyre Sinodhit të Shënjtë.
Sinodi i Shënjtë ka të drejtë të shkarkojë nga detyra Kryepiskopin, sinodhikët, ose çdo klerik tjetër, kur konstaton se për shkak sëmundjeje kronike ose pleqërije, këta nuk janë në gjëndje të përmbushin detyrat e tyre. Paaftësija në punë provohet kurdoherë me raport mjekësor
(Rregullore për administrimin e përgjithshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Kaptina II, “Kryepiskopi dhe Episkopët”, Nenet 35-36, Tiranë, 1955, f. 17-18). 

Të gjitha këto nene të traditës ortodokse në Shqipëri, të cilat janë thithur nga e drejta kanunore e kishës lindore, u panë e u ndjenë nga dërgata greke si kërcënim për të përmbushur misionin, prandaj dhe nuk u përfshinë në statutin e ri. U zhdukën ato nene që kujtojnë përkohshmërinë e Janullatosit, që kërcënojnë përjetësimin e tij, që cënojnë projektin politik të kultizimit të tij. U gëlltitën ato nene që përndryshe ekzistojnë në të gjitha statutet e patrikanave dhe kishave autoqefale ortodokse, siç ekzistonin edhe në Kishën e Shqipërisë. Siç ekzistonin para Janullatosit. 

Çfarë presim të na thotë vetë ai këtu? Sigurisht që Janullatosi do të na papagallizojë edhe një herë kasetën e kaq e aq bamirësive e parafabrikateve, siç po na çan veshët për kaq vjet, sepse shkeljet kanonike në Statutin e 2006-ës nuk mund të mbrohen ndryshe, përveçse me ndihmën e shtetit grek. Kryepeshkopi në statutin e ri është mbi Sinodin, i cili ky, ndryshe nga statuti i kaluar, e ndryshe nga gjithë kishat e tjera ortodokse, nuk ka më të drejtë ta kontrollojë, ta gjykojë e ta disiplinojë primatin edhe nëse ai lajthit krejt. Sinodi nuk mund ta zëvendësojë kryepeshkopin edhe nëse ai është klinikisht i vdekur.  

Statuti i 1950-ës, siç e lexuam më sipër, e trajton kryepeshkopin si pjesëtar të gjinisë njerëzore, domethënë subjekt të gabimit dhe vdekjes, siç janë të gjithë të krishterët. Në statutin e mëparshëm bëhet e qartë kryefund se kryepeshkopi nuk mund ta manipulojë kishën: Kryetari i Sinodhit, ose Sinodhi, kur kryetari është vetë i akuzuar, pezullon me një herë nga funksionet e tij çdo funksionar të Kishës… (Neni 77, 1950). Në këtë nen, ashtu si edhe gjetkë, Statuti i 1950-ës ia jep kreun e kishës sinodit, dhe jo kryepeshkopit.    

Në qoftë se Janullatosi e përmirësonte statutin shqiptar duke ndriçuar përmes statutit grek, të cilin e kemi cituar përgjatë këtyre shkrimeve, nuk do të ndodhnin shkelje të tilla. Sepse, ja një pyetje: Si bëhet zgjedhja e kryepeshkopit në statutin e ri? Nuk thuhet se si, sepse statuti i ri bëhet për Janullatosin, i cili nuk u zgjodh por u emërua e u imponua, prandaj dhe i dhënë njëherë e përgjithmonë në histori. Ndërsa Statuti i Kishës së Greqisë ka një kapitull të tërë, kreun 6, me pesë nene e 17 nyje stërholluese, në mënyrë që zgjedhja e primatit të mos manipulohet. Mjerisht, Statuti i Kishës së Shqipërisë është konceptuar në atë frymë që t’i shmanget me çdo nen fundit të Janullatosit, edhe pse “Perëndia bëri vdekjen, që e keqja të mos bëhet e pavdekshme”. 

Duke lexuar statutin e ri, e duke parë marrëzinë atje, mbyt pyetja: Si ka mundësi të ndodhë dhe të pranohet gjithë kjo sot? Të gjitha këto janë të vërteta, mund të na thoshte Janullatosi nëse zihej ngushtë, por më lejoni ta kundroj veten nga jashtë. Këtu keni të veçantën në histori. Është një gjendje përtej biologjisë. Sepse Anastasios është emblema e popullit pa emër, përvëlimtari dhe shenjtori ndryshe i atij kombi. Të tjerat janë mbetje të shekujve në errësirë… Vetëm me një besore të tillë Janullatosi shfajësohet për kultizimin e tij, të cilin e ka shpallur në Statutin e 2006-ës.  

Kundrimi përtej biologjisë na sjell edhe një herë pikëpyetjen e sinodit në përvojën ortodokse të Janullatosit, skandalin e jetëshkrimit të tij. Ai e qeverisi kishën shqiptare pa sinod deri në vitin 1998, antikanonikisht, me mbrojtjen e drejtpërdrejtë të shtetit grek, me kanosjet e Athinës ndaj Tiranës e Fanarit njëherësh, derisa e keqja plasi dhe nuk mbajti më. Qeveria e Athinës u ndodh para një realiteti të rrezikshëm, kur kryepeshkopi i Tiranës u kërcënua me shkungim nga Fanari. Sinodi, pra, erdhi si e vetmja alternativë për të vazhduar në Shqipëri.   

Si mund të qeverisej një kishë ortodokse pa sinod? Këtë pyetje më se llogjike e pyesnin atëherë të gjithë, që nga Patriku i Kostandinopojës e deri te teologu më i fundit në Greqi. Janullatosi nuk përgjigjej, sepse i dukej se i kishin rënë në pjesë. Në fakt, nuk e kishte pozitën e sotme kultiste në botën greke. Projekti ishte në proces, por kjo nuk e pengonte atë të irritohej që në dëgjesë të atyre kritikave. Anastasios është diçka shumë e veçantë, tmerrësisht speciale, një qenie midis njerëzoreve dhe hyjnoreve, prandaj dhe i vinte rëndë kur i dëgjonte pyetje të tilla. Kanuni ishte për njerëzit, jo për Atë…  

Por ndërsa Janullatosi para dhjetë vjetësh shpërndante heshtje dhe vepronte siç vepronte, sot ai flet e ligjëron haptas për të veçantën në historinë kishtare, për kultin e domosdoshëm në një rajon të privuar. Rasti përjashtimor mëton përjashtime edhe në arsyetim. Kundërthënësit le të zhbëhen. Për ngrehinën e kultit tashmë flasin godinat, prandaj dhe Janullatosi i statutit të ri ndien se bota shqiptare i ka shumë borxhe. Dhe bashkë me të edhe ortodoksia. Ai është i vetëm në dhunti dhe i pashok në mrekulli, aq sa shembulli i tij nuk mundi të gjejë imitim asgjëkundi në Lindje. As dje e as nesër.     

Shenjtori grek ka përftuar guximin ndaj qiellit, prandaj dhe, përderisa ka bërë shumë më tepër nga ç’duhej, i lë të gjallët dhe kuvendon me Kishën Universale, jashtë kohe e hapësire. E bën këtë për të ndëshkuar mosmirënjohjen e kishës tokësore, e cila nuk i përmbys procedurat për ta shpallur shenjtor për së gjalli, por e mundon popullin e Perëndisë, duke i privuar një ikonë me disa brerore. Çfarë padrejtësie…  

Kemi, pra, një përjashtim nga rregulli (kanoni), prandaj dhe Janullatosi ngrihet e zhvendoset prapë, shkon dhe ulet në kryesinë e shtatë sinodeve ekumenike dhe çmallet një për një me shenjtorët e tjerë nëpër shekuj, jep e merr me Lindjen e Perëndimin, duke i folur secilit në gjuhën e tij, duke i ndriçuar gjithandej sivëllezërit. Mbas këtij vegimi, Janullatosi kthehet në trup për të nënshkruar statutin shqiptar, por këtë e bën simbolikisht, sepse në thelb statutin e kanë miratuar sinodet ekumenike. Të gjitha nenet e statutit të ri vijnë që andej, atje ku ishte dhe atje ku do të shkojë. Vetëm kështu mund të përkthehet lajthitja e Janullatosit.

Pranimi i sinodit, atëherë, ishte diçka praktike, për të ruajtur regjimin e sendeve, për të mos rrezikuar misionin shumëpërmasor, për të përligjur pastaj lundrimet në një botë tejbiologjike. Mbas kompromisit me qeverinë shqiptare dhe patrikanën e Kostandinopojës, Anastasios bëri të keqen tjetër. Ngjizi një sinod kukull, si sinodi kukull i diktaturës së kolonelëve në Greqi dhe, më e tmerrshmja, imponoi një statut kukullash, i cili janullatizoi statutin shqiptar, duke i vënë të gjitha në shërbim të kultit të tij, madje dhe vetë Sinodin. Prandaj dhe historia jonë do të vazhdojë të shkruhet përtej biologjisë… 

9. Misioni i antitezave

U mërguan, pra, nga statuti shqiptar nenet mbi sëmundjen, pamundësinë, gabueshmërinë, disiplinimin dhe zëvendësimin e kryepeshkopit, si asgjëkundi në Kishën Ortodokse. Te kreu mbi sinodin, veçse, është një pikë e neneve të pandryshueshme ku sendërgjia zoike nuk ka hapësirë të matet me akribinë kanonike, prandaj dhe, për të mbrojtur misionin politik, është përdorur në formulime vrazhdësia e famshme e diktaturës së kolonelëve. Është pikërisht këtu ku do të përqendrohemi në këtë shkrim.   

Neni kontradiktor, ai që sjell në përplasje të gjitha nenet mbi kryepeshkopin, thotë: (Sinodi) Gjykon Kryetarin e Sinodit dhe anëtarët e tij për shkelje dogmatike e kanonike, në përputhje me Kanonet e Shenjta (Neni 12.j, 2006). Ky është një nen fallso, pa fuqi veprore asgjëkundi në Statut, prandaj dhe e vlen të komentohet.  

Në pamje të parë duket se Janullatosi nuk ka guxuar të vërë dorë te ky nen, por në praktikë ai e ka dërguar atë në mosqenie, sepse i ka shtuar nene përmbysëse para e pas tij, madje duke thirrur me të madhe kultin e tij të pacënuar nga energjia e natyrës njerëzore. Tek i njëjti kapitull mbi sinodin, kryepeshkopi është përjashtuar nga kontrolli mbi çdo çështje tjetër kishtare, mbasi Sinodit i janë hequr të gjitha kompetencat mbi sëmundjen dhe gabueshmërinë e kryepeshkopit, mbi disiplinimin dhe zëvendësimin e tij, duke përqeshur me formulën për shkelje dogmatike e kanonike. Çfarë kompetenca dogmatike e kanonike ka Sinodi, kur këtij i është hequr e drejta e lidhjes dogmatike e kanonike me kishat e tjera simotra ortodokse, të cilën atë e ka grabitur Janullatosi?     

Neni 12.j, atëherë, është një përqeshje ndaj kishës ortodokse dhe kombit shqiptar, sepse i njëjti nen është përmbysur nga nene të mëparshme e të mëpasme. Ja një nen tjetër ku kryepeshkopi i rrëshqet kontrollit: (Sinodi) Ushtron kontroll kanonik mbi aktet dhe veprimet e Mitropolitëve dhe Episkopëve, si dhe mbi të gjitha organet e Kishës (Neni 12.d, 2006).

Përse Sinodi të ketë të drejtë të ushtrojë kontroll kanonik mbi mitropolitët dhe peshkopët, e për gjithë ΚOASH-in, por të mos ketë të drejtë ta bëjë këtë edhe me kryepeshkopin? Përse patrikët dhe kryepeshkopët e tjerë ortodoksë nuk kanë mundur ta zhbëjnë këtë nen nga statutet e tyre? Sepse asnjë sinod ortodoks do t’i lejonte të bënin diçka të tillë.   

Nga e nxorri këtë dogmë Janullatosi, atëherë? Nga Greqia, do të thoshnin shumë. Aspak! Statuti i Kishës së Greqisë e barazon kryepeshkopin me mitropolitët, madje me nen të posaçëm:  Kudo ku përdoret termi kryeprift nënkuptohet kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë mitropolitët aktivë. Kudo ku përdoret termi mitropolit nënkuptohet edhe kryepeshkopi i Athinës (Neni 52.2, 1977). Mirëpo Janullatosi ynë, e ka ndarë veten nga kreu Kryepriftërinjtë, siç është në statutin grek. Si mund të dënjojë ai të barazohet me mitropolitët e tjerë? Ose, thënë ndryshe, si mund të guxojnë mitropolitët të barazohen me Atë? U bëmë si këmbët e dhisë, u bëmë… 

Neni 12.d nuk është i vetmi nen që përmbys nenin 12.j, sepse gjithë kapitulli mbi sinodin është në kontradiktë me të, pikërisht se në mënyrë të vrazhdë politike përjashtohet Janullatosi nga natyra njerëzore, duke e vënë besimtarin përballë një kulti hijeshtënë, aq tejkalues sa t’i errësohet arsyetimi, se vetëm kështu mund të pranohet një statut i tillë: antikanonik, antivendor, prandaj dhe antishqiptar!  

Dhe ja prapë shmangia e dorëheqjes: (Sinodi) Vendos për dorëheqjen e anëtarëve të tij (Neni 21.i). Me këtë formulim, në gjuhën e statutit të ri sinodi nuk ka të drejtë të vendosë për dorëheqjen e kryetarit, por kush e ka këtë të drejtë, atëherë? Dhe megjithatë, i marri nuk është ai që bën marrëzinë, as ata që e pranojnë atë si normale, por ai që e shquan dhe e kallëzon… 

Statuti i 2006-ës është shkruar në dehje të lavdisë dhe në kapërceyll të marrëzisë, ku, nëse kujtojmë e rikujtojmë pikëpyetjen e sinodit në përvojën krypriftërore të Janullatosit, e kapim të rrjedhurin tek përpiqet të çlirohet me këmbë e me duar nga rrjetat e historisë kishtare. Flagranca dhe vrazhdësia në formulime nuk fshehin dot çastet e ngërçit, kur njeriu vjen në vete jo për t’u përmendur, por për të arnuar gafat: neveria ndaj sinodit, i cili iu imponua me kërcënim shkungimi. Shembulli i mëposhtëm është një pasqyrë e këtyre çasteve psikologjike të Janullatosit, ku lexojmë një zgjim të tij, një përmendje që, mjerisht, nuk u pranua, por çoi në këto antiteza të mëdha teologjike, duke ia nxirë jetëshkrimin bërësit. 

Është fjala për nenin mbi peshkopët asistentë (titullarë): Sipas nevojave të Kishës është e mundur të zgjidhen nga Sinodi i Shenjtë Episkopë titullarë aktivë me detyra të caktuara. Këta quhen kryepriftërinj me shërbim aktiv dhe marrin pjesë në Sinodin e Shenjtë (Neni 18, 2006).  

Ky nen është në rregull, por ja që duket se ka shkaktuar trazirë të madhe shpirtërore, e ka plagosur në shpirt të lënduarin e rajonit, aq sa i njëjti nen përsëritet i perifrazuar në kreun Kryepiskopi, madje në një trajtë gjestuale: Kryepiskopi mund të ketë dy deri në tre Episkopë ndihmës, të cilët kryejnë detyra të posaçme të ngarkuara prej tij dhe kanë të gjitha privilegjet e Kryepriftërinjve aktivë (Neni 23, 2006).

Këtu kreu Kryepiskopi bën gojë dhe flet me kreun Sinodi i shenjtë. Ndërsa në nenet e tjera më sipër, nenet përmbysin nenin e “shkeljeve dogmatike e kanonike”, ndërsa në kapituj të kaluar pamë nene që kopsitin nene, këtu përballemi me nenin 23 që grindet me nenin 18. Cilësia mjerane e bashkëpunëtorëve të Janullatosit ka lënë dëshmi të tilla, duke na çuar në gjurmët e drafteve të statutit greqisht. 

Gjestualja e nenit ndodhet në formulimin “dy deri në tre”, ku Janullatosi shtrin dorën duke e anuar kokën pak pjerrtas, këtë herë jo për të shpërndarë hire i përkëdhelur, por për të fshehur sikletin, me një seriozitet teatral. Cili është numri midis dyshit dhe treshit? Dy peshkopë, plus një gjysmak? Si mund të rroket një formulim i tillë, atëherë? Nëse e shijojmë tekstin gjuhësisht, këtu del se statuti është shkruar në greqishten kishtare, siç vëzhguam gjetkë, por me nuanca të ndezura të greqishtes së re, një mënyrë e njohur e aktivistëve të shoqatës fondamentaliste Zoi: virusi i zoikëve në ortodoksi.   

Personalizimi i Statutit dhe politizimi i tij shkojnë krah për krah. Formulimi “dy deri në tre” nuk është juridik, as ka akribi kanonike, por vijon jetëshkrimin e Janullatosit, duke na çuar edhe në vitet mbas miratimit të Statutit. Teksti do të ishte i përmbaruar nëse përcaktonte “dy”, ose “tre”, ose, nëse shkruhej nga një dorë që nuk e njeh mirë të drejtën kanonike, “deri në tre”. Formula greke “dy deri në tre” do të thotë: “dy peshkopë i bëra siç i bëra, dhe tjetrin do ta bëj së shpejti, por pres të pëlcasë ndonjë rrëmujë…” Ose, thënë ndryshe, “bëra dy myslimanë dhe tani duhet bërë një grek”.  

 
Një statut që mëton se shkruhet për disa breza, ka shkuar mbrapa 1950-ës, sepse formulimet komuniste të statutit të mëparshëm janë një grimë para këtyre shkeljeve të frikshme kanonike të misionit grek.

Edhe pse misioni i Janullatosit e shkombëtarizoi statutin shqiptar pikërisht me pretekstin e përmirësimit të tij, shumë nene atje, ashtu si ky mbi peshkopin asistent, janë më në rregull: […] Kryepiskopi ka edhe një episkop ndihmës, i cili është anëtar i Sinodhit pa mbajtur përgjegjësinë e administrimit të ndonjë dioqeze ekzistuese dhe kryen çdo detyrë që i ngarkohet nga Kryepiskopi, duke u titulluar në hymnin e tij si Episkop i Apollonisë (Neni 28, 1950). Saktë e ndershëm.    

Në nenet e përfolura më sipër shquam edhe një herë flagrancën e projektit kultizues të Janullatosit, gjithmonë nën vulën e mbrojtjes dhe shpëtimit të ortodoksisë në Shqipëri. Shmangia a cungimi i një neni në të drejtën kanonike të kishës lindore çon në përplasje të disa neneve me njëri-tjetrin. Për më tutje, manipulimi i neneve mbi kryepeshkopin ka çuar në antiteza të mëdha teologjike. Sepse, kur bëhet fjalë për legjislacionin kishtar, sado mjeshtër i mashtrimit të jesh, nuk ke nga të rrotullohesh; do t’i nxjerrësh brirët. Mund të bësh shumë gjëra nën rrogoz, mbi rrogoz, a pa rrogoz fare, por aspak këtu, o fort i lumur! 

Kapja e këtyre antitezave të mëdha të misionit jo kishtar është pjesë e diskursit teologjik në ortodoksinë shqiptare. Nga ana tjetër, një përballje e tillë nuk na ndihmon ta mbarojmë këtë lexim përsiatës. Përsëritjet tona në këto shkrime janë pasojë e përsëritjes së shkeljeve kanonike në statutin e ri; tepër të domosdoshme. Këto rrëshqitje të rrezikshme, në hullinë e sinaksarit që ka njomur kryefund tekstin e analizuar gjithë sot, po ngacmojnë shkrimin e biografisë së Janullatosit. Sepse po shkruhen në greqishte e anglishte versione shenjtërimi për më të pashenjtin që ka meshuar ndonjëherë në trojet shqiptare.     

 

 

10. Peshkopë prej plasteline

Një kujtesë në nisje: Në kreun e tretë përfolëm nenin 17.3 të statutit të ri, por vetëm formulën “trevjeçare” atje, përderisa ky afat kohor vihet si kusht për të gjithë kandidatët për peshkopë. Në fakt, me këtë nen bëhet qitje e largët, përderisa statuti nuk ka nene mbi cilësitë e kandidatëve për kryepeshkop. Jo vetëm kaq, por statuti nuk ka asnjë nen për zgjedhjen e kryepeshkopit, prandaj dhe Ilia Katre pret e aspiron në Las Vegas ogurët e providencës hyjnore në një kulturë të mistershme…

Por neni 17.3 ka edhe gjëra të tjera të na thotë, prandaj dhe po e citoj të plotë, duke u hedhur drejt e në temë: Kandidatët për dorëzim në gradën episkopale, përveç cilësive që kërkojnë Kanonet e Kishës, duhet të jenë diplomuar në Akademinë Teologjike “Ngjallja” ose në një fakultet teologjik orthodhoks të nivelit universitar dhe të kenë punuar dhe qëndruar të paktën për një periudhë trevjeçare në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë… (Neni 17.3, 2006). 

Ky nen vë kushte politike për të lehtësuar kontrollin e kishës shqiptare nga misioni shtetëror grek. Për më keq, ky nen e ngushton gjithandej potencialin vendor, ndërsa e janullatizon ashpër statutin. “Ngjallja” (Anastasis) është emri që Anastasios i vuri seminarit, gazetës dhe jo vetëm, për të imponuar gjithandej ato simbole që bashkëveprojnë në shenjtërimin e tij. Kemi një traditësim të përdhunshëm të realitetit ortodoks shqiptar, ku e reja bëhet njësh me të vjetrat, aq sa vështirë të shkëputet prej tyre pa shkaktuar dhunë… Kulti i Janullatosit! 

Dhe megjithatë, nesër kisha vendore mund t’i zëvendësojë këto emra, duke dëshiruar një emër tjetër për seminarin, atje ku është fjala këtu, sepse kjo është diçka normale për jetën e kishës. Si mund të kanonizohet një emër kalimtar në një statut që mëton se është e nesërmja? Seminari, që të kujtojmë, ka pasur tjetër emër në mbylljen e tij nën diktaturë. Për parantezë, nga zhbërjet e simbolikës vendore në vitet 90, kjo e emrit të seminarit ishte nga më ciniket e misionit, pikërisht se u lyen me gëlqere edhe ato afreskë të ndërgjegjjes ortodokse që i shpëtuan terrorit ateist.  

Por nuk është vetëm kalimtaria e emrave. Ekziston edhe diçka tjetër, njësoj kalimtare për jetën kishtare. Kush tha se seminari do të jetë vazhdimisht në Durrës? Ku i dihet historisë? Nga ana tjetër, edhe nëse historia do të vijojë si sot, një mitropoli tjetër mund të vendosë, mbas Janullatosit, të hapë një seminar tjetër në Shqipëri, madje më cilësor se ai i Durrësit, sepse mund të përdorë metoda më kishtare e më akademike. A nuk kanë të drejtë diplomantët e atij seminari të shugurohen peshkopë? Sipas statutit të sotëm ata nuk kanë të drejtë.    

Dhe megjithatë, pyes: A është e nivelit universitar akademia teologjike e Durrësit sot, e cila nuk ka mundur të arrijë as standardet e shkollave të mesme kishtare të Greqisë, e jo më atyre të larta, për të mos përmendur fakultetet e teologjisë, sepse do të ndynim gojën këtu? Shkolla e Partisë qëmoti kishte shumë më tepër cilësi intelektuale sesa ky seminar i Janullatosit, sepse ajo shkollë predikuesish bolshevikë nxori intelektualë të cilët kisha jonë s’i arrin dot ende sot, prandaj ka mbetur mbrapa shoqërisë shqipare. Lexoni shqipen e statutit të ri, si dhe atë të botimeve të kryepeshkopatës së Tiranës, që të shihni se në çfarë cektine lundron KOASH-i, pavarësisht nga velat e mëdha me ngjyra ngadhënjimi.  

Duke kërkuar medoemos “Ngjalljen”, e duke lënë si alternativë Greqinë, nuk jepet alternativë tjetër në statut, gjë që është kundër të drejtës kanonike të ortodoksisë, sepse nuk merren masat për të ardhmen. Çfarë ndodh nëse një ditë kisha vendore nuk mund të ketë asnjë seminar? Po nëse përsëritet historia dhe ajo nuk ka mundësi të japë e të marrë me shkolla teologjike të “nivelit universitar” jashtë vendit? Cila është zgjidhja që jep statuti “i përmirësuar”? Shkoni në Stamboll, thërret zëri tjetër, përndryshe çdo vendim vendor është antiortodoks.  

Neni 17.3, atëherë, është kanonikisht i rrëzueshëm, ashtu si shumica e neneve të ndryshuar e të shartuar nga Janullatosi. Statuti i Kishës së Greqisë, në të kundërt, ka një kapitull stërhollues me mbi 40 nene e nyje për kandidatët për peshkopë. Atje nuk shquhet vetëm hollësia kishtare, por dhe një nen përjashtimor, i cili nuk ekziston në statutin tonë të ri, pikërisht sepse nën kultin e Janullatosit mund të fshihen e të rishkruhen shumë. Ja neni që i mungon statutit shqiptar:  

Sinodi i shenjtë i hierarkisë ka të drejtë të bëjë përjashtime duke shkruajtur në katalogun e kandidatëve për kryepriftërinj edhe klerikë që janë diplomuar në një shkollë [tjetër] të lartë, por që kanë njohuri teologjike. Edhe pse nuk zotërojnë cilësitë formale ligjore, nëse këta janë shquar për kontribut në letrat teologjike a në veprën pastorale të Kishës, atëherë bëhet përjashtim (Neni 18.4, 1977).  

Kisha e jugës, e cila ka mijëra teologë e qindra arqimandritë dijetarë, një kishë autoqefale me një potencial të madh spiritual e intelektual, tek e cila Janullatosi s’ishte i vlefshëm as për mitropolit, Kisha e Greqisë, pra, merr masat dhe ligjëron mundësinë për të bërë peshkopë edhe priftërinj pa diplomë teologjie. Sepse nuk i dihet të ardhmes. Nëse nuk e bënte, statuti grek do të vinte në kundërshtim me të drejtën kanonike të ortodoksisë, atje ku e ka hedhur veten kisha shqiptare sot.  

Me pretekst përmirësimin e statutit të 1950-ës, siç lexohet, u bënë shkelje shumë të mëdha kanonike, madje në kohë paqeje, sepse kisha shqiptare ndodhet sot më e pavarur se kurrë nga kontrolli i shtetit shqiptar. Nëse përqasim nenin 17.3 të statutit të ri me nenin përkatës të statutit të kaluar, e gjejmë kishën e diktaturës më afër kishës greke, më kanonike në formulime:  

Kandidatët për Episkopë, përveç cilësive që kërkojnë kanonet e Kishës, duhet të jenë të diplomuar prej nji Fakulteti teologjik orthodhoks. Por, në mungesë Kandidatësh episkopë të diplomuar prej një fakulteti teologjik, mund të dorëzohen episkopë edhe kandidatë, të cilët nuk kanë një kulturë të tillë, por që janë të dalluar në veprimtari kishtare dhe patriotike dhe që janë të aftë si autodidaktë (Neni 16, 1950). 

Tejet formulimeve të asaj kohe, nën atë terror të atij regjimi, etërit tanë ditën ta ruajnë besën e tyre. Së pari, neni që cituam kërkon që peshkopët të kenë mbaruar një fakultet teologjik, pa e përcaktuar se ku, sepse pikërisht nuk duhet përcaktuar. Ashtu si dhe sot, kisha shqiptare dje nuk kishte fakultet teologjie. Duke e barazuar seminarin me një fakultet teologjik, Janullatosi bën rrotullime në ajër. Së dyti, në nenin e përmbysur prej misionit grek jepet alternativa e përjashtimit, ashtu siç e ka kisha greke dhe të gjitha kishat e tjera ortodokse. Neni 16 i 1950-ës, atëherë, është shumë më kanonik sesa neni 17.3 i statutit të 2006-ës.   

Ne kemi një kishë që diktatura komuniste e katandisi kacidhjare, një kishë e djegur nga përvoja e largët dhe e freskët, dhe megjithatë, hierarkia e saj miratoi një statut shumë më të keq, shumë më të cunguar në ortodoksi, me nene që parashikojnë shkombëtarizimin e plotë të ortodoksisë shqiptare dhe fuqizimin e pavarësisë së primatit, gjë që shërben konfiguracionin e kishave autoqefale greke, konsolidimin e një autoqefalie që shërben shumë, përveç mirëqenies së shqiptarëve ortodoksë. 

Për të pranuar se sa politik është neni 17.3 i statutit të ri nuk ka nevojë ta zgjasim më tepër, sepse kjo kallëzohet e pranohet vetë tek neni 45 i të njëjtit statut: Klerikë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dorëzohen burra të panjollë, të cilët përmbushin kushtet e parashikuara prej Kanoneve të Shenjta, kanë të paktën arsimin e mesëm dhe kanë diplomë të Akademisë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja” ose të ndonjë Fakulteti tjetër Teologjik që të jetë të paktën i këtij niveli. Vetëm Sinodi i Shenjtë mund të bëjë përjashtime për plotësimin e nevojave të jashtëzakonshme (Neni 45, 2006).    

Ky nen është në rregull, domethënë në përputhje me traditën kanonike të ortodoksisë, sepse bëhet fjalë për kandidatët për priftërinj, jo për peshkopë. Në fund është shtuar se sinodi ka të drejtë të bëjë përjashtime, nëse nuk ka kandidatë me cilësitë e kërkuara. Kjo e fundit, përjashtimorja, është shtesa që nuk ekziston në nenin 17.3, por që ekziston në statutin e kaluar shqiptar, në statutin e sotëm grek dhe në të gjitha kishat ortodokse.  

Neni 17.3 është i cunguar pikërisht se bëhet fjalë për peshkopët dhe jo për priftërinjtë, të cilët këta, në shumicën dërrmuese, janë të martuar dhe nuk mund të jenë kandidatë për peshkopë. Atje ku nuk cënohen interesat greke, pra, statutit nuk i hiqet ortodoksia. Por janë pikërisht peshkopët drejtuesit e kishës, për të cilët nenet duhet të jenë më parashikues, e jo më ngushtues. Në të kundërt, në statutin e ri nenet mbi peshkopët janë tej e ndanë të manipuluara.  

Shkelësi i madh kërkon peshkopë prej plasteline, si këta që ngjizi në nëntor të 2006-ës, bashkautorët e këtij statuti antivendor; që të bëjë ç’i do qefi në Shqipëri. Sa të lexueshme janë shkeljet kanonike të Janullatosit, por dhe sa frikacakë u bënë shqiptarët ortodoksë…

11. Mbi shtetësinë shqiptare

Ndërsa neni 17.3 e mpin fuqinë vendore në drejtimin e kishës shqiptare dhe garanton kapjen e saj nga misione tejfetare, neni tjetër, mbi shtetësinë shqiptare, i bën gardh të parit. Ky nen, ndryshe nga i mëparshmi, parashikon edhe një përjashtim, dhe ja se si: Kryepriftërinjtë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë kanë shtetësi shqiptare. Në raste të veçanta mund të bëhet përjashtim me vendim të Këshillit Kishtar Kleriko-laik dhe të Sinodit të Shenjtë (Neni 17.4, 2006).

Këtë herë Janullatosit i intereson shumë përjashtimi, ndryshe nga neni 17.3. Duke lëshuar formulën “në raste të veçanta”, veçse, pa e thënë fare se çfarë, na kujton 1991-in, kur deklaroi se do të shkonte në Shqipëri si “i përkohshëm” dhe do të largohej kur të gjendej një kandidat “i përshtatshëm”. Jo thjesht kandidat, por i përshtatshëm, gjë që është e pamundur të cilësohet se çfarë edhe sot, mbas 17 vjetësh! 

Nga këndvështrimi i të drejtës kishtare vërtitet pyetja: Si ka mundësi që përjashtimi i shtetësisë shqiptare të bëhet më parë me vendim të Këshillit Kleriko-laik, duke e përcjellë Sinodin në fund? Sepse nuk flitet për propozim të Këshillit dhe miratim të Sinodit, as qartësohet se kërkohet një mbledhje e përbashkët e tyre, por vetëm se na jepet një skicë ku historia është nevojtare për dy vendime; më parë nga këshilli, dhe vetëm pastaj nga sinodi. Përse kështu? Çfarë ndodh nëse vendimet (vullnetet) janë të kundërta? Statuti i ri hesht.

Vullnetet përplasen, por jo atje, sepse këshilli është krejt i emëruar dhe jo i zgjedhur. Në këtë rast përjashtimor të nenit 17.4 vendimet vlejnë shumë, pavarësisht se si merren, sepse bëhet fjalë për shtetësinë, por ato që i përkasin Cezarit; këshilli është më afër këtij. Nëse del ndonjë kundërthënie, do të këlthasë dramatikisht kryepeshkopi, vetë Kryetari i Këshillit: “E vendosi Këshilli Kleriko-laik dhe Sinodi i shenjtë!” E ligjëroi Cezari, pra, prandaj duhet të bëjë bindje Zoti… Por kjo s’është e gjitha.

Kujtoj prapë se Statuti i 2006-ës ka disa synime, dhe njëri prej tyre është jetëshkrimi i Janullatosit. Është gdhendja e ngjarjeve që e sollën dhe e imponuan në Shqipëri. Në fakt, bëhet çiltërim i ngjarjeve dhe rokonstrukim i personazhit, për t’i dhënë një domethënie edhe brishtësisë. Përderisa Anastasios Janullatos u ngul në Shqipëri duke sajuar një kërkesë të këshillit kleriko-laik ndaj Fanarit (atëherë kur nuk kishte sinod), një këshill nevojtar i emëruar prej tij, pra, kështu shkruhet edhe sinaksari (statuti): Sinodi kalon në fund, mbas këshillit.  

Brezat që do të vijnë, në ëndërrimet e marrëzisë në kult, do të shquajnë se kalesa e Janullatosit në botën shqiptare ka ndodhur “sipas Statutit”, edhe pse neni 17.4 i 2006-ës atëherë nuk ekzistonte. Por çfarë ekzistonte në vitin 1992 mbi shtetësinë e kryepeshkopit? Më mirë të kthehemi e të shkojmë atje.  

Statuti i vjetër në këtë pikë kishte bërë një rrafshim të të gjitha sendeve e rendeve: Krahas me zhvillimin e ndjenjave fetare Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të zhvillojë në besimtarët edhe ndjenjat e Atdhe-dashurisë dhe të përforcimit të Bashkimit Kombëtar. Prandaj gjithë funksionarët dhe personeli i saj, duhet të jenë shtetas shqiptarë, të ndershëm, besnikë të popullit dhe të Atdheut dhe të gëzojnë të gjithë të drejtat civile (Neni 4, 1950).   

Nëse e përkthejmë këtë nen në shqipen e sotme publike, del se statuti i kaluar kërkonte që gjithë ata që shërbenin dhe shërbeheshin në kishën shqiptare, atje ku barazohet edhe kryepeshkopi, të ishin me shtetësi shqiptare, mbështetës të regjimit, të gëzonin nocionet e mitologjisë vendore mbi ndershmërinë, siç vijojnë ato të teatrizuara në familjen shqiptare gjer sot, dhe, sidomos, të ishin patriotë të flaktë, me shkronja të mëdha. Në fund fare, kërkohej që gjithë këta të gëzonin edhe dëshmi të bardhë penaliteti. Kjo e fundit, çuditërisht, nuk përmendet fare në statutin e 2006-ës, athua se rëndom kandidatët duhet të jenë njerëz të rënduar jo vetëm nga ndërgjegjja…  

Ky ishte legjislacioni i KOASH-it para dhe menjëherë mbas fronëzimit të Janullatosit, deri në fillim të vitit 1993. Rrëmujës, çorientimit dhe luhatjes së atëhershme biblike ndër shqiptarë, nuk mundi t’i shpëtojë as i vetmi paragraf që Janullatosi i shtoi Statutit, siç dëshmohet në titull: “2. Kuvendi Kleriko Laik (21 janar 1993)”. Çarë do të thotë numri 2 në këtë shtesë? Domethënë se gjithë Statuti i 1950-ës, me 92 nene, merrte numrin 1, duke u rrumbullakosur vetëm me një paragraf të keqshkruar e të keqpërkthyer.  

Në vend që të lëmonte gjuhën partizane të diktuar në atë dokument të viteve 50, Janullatosi nuk e cënoi, por e huajti atë për interesat e tij, duke dhënë madje një premtim të rremë, siç është thelbi i shërbesës së tij: Sapo të dalë Kushtetuta e re e republikës së Shqipërisë do të përgatitet edhe statuti i kësaj Kishe (Po aty). 

Shtesa me pikën 2 nënkuptonte se misioni grek pranonte statutin e vjetër të kishës vendore, edhe pse Fanari nuk e kishte njohur hierarkinë e viteve 50 në Shqipëri. Peshkopët e atëhershëm nuk njiheshin për kanonikë, por pemët e tyre nuk na qenkëshin dhe aq të tharta… Për më keq, e njëjta gjuhë propoganduese e diktaturës vijon e zhvendosur në këtë shtesë të 1993-it: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është tashmë e njohur si e tillë jo vetëm në Shqipëri por edhe në organizma ndërkombëtare.  

Ç’pasoja kishtare do të kishte Kisha e Shqipërisë nëse e  njihnin apo jo organizmat ndërkombëtarë? Asnjë efekt! Ku është shkruar në historinë kishtare, dhe për cilën kishë ortodokse, se pohohet të qenit Kishë i kësaj a asaj kishe, në bazë të njohjes a jo të organizmave jo kishtarë ndërkombëtarë? Asgjëkundi! Por ishte koha kur Janullatosi ishte kryepeshkop pa sinod dhe sillej si president korporate. Fliste i pakontrolluar kishërisht. I kishte ardhur derri në shteg. Duke mos përmendur kishat e tjera ortodokse, thoshte edhe një gjysmë të vërtetë, se një kryepeshkop pa sinod nuk mund të përbënte dëshmi të Kishës Ortodokse në Shqipëri, por, siç ia tha vetë patriku Vartholomeos më vonë, “kopje të kishave jo ortodokse”.  

Në këtë rrëshqitje të dokumentuar në vitin 1993, kisha shqiptare funksionon si parti politike e korporatë njëherësh, një potencial i pamohueshëm për t’u shkëmbyer me perëndimorët, për ndërthurje interesash në Shqipëri. Dhe përderisa misioni grek nuk ishte vetëm grek, për pasojë të këtyre shkëmbimeve me ndërkombëtarët, shënohej edhe pasoja më e madhe: Atë e njohin dhe e respektojnë gjithë institucionet shtetëtore dhe shoqërore në Shqipëri dhe e vlerësojnë kontributin që jep ajo (Po aty). Mu si këngë, nuk dëgjohet?  

Kaluan tre vjet dhe kushtetuta e re nuk doli. Në vitin 1996 Janullatosi e arnoi më shumë statutin e vjetër nën titullin: “3. Dispozita tranzistore”. Me këtë numërim të ri pika 1 ishte Statuti 1950, pika 2 ishte shtesa e vitit 1993, dhe pika 3, tashmë, përbënte tre nene, nga të cilët po citojmë atë që i përket temës së thirrur sot:  

Për shkak të shpërbërjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë gjatë persekutimit shumëvjeçar dhe të pamundësisë absolute për t’u gjendur një kandidat me nënshtetësi shqiptare për të marrë përsipër, si Kryepiskop, përgjegjësinë e rikrijimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pezullohet kërkesa e nenit 4 (për nevojshmërinë e nënshtetësisë shqiptare) për Primatin e Kishës Orthodhokse autoqefale të Shqipërisë (Neni 93, 1996).

Nenin 4 të 1950-ës e cituam më sipër, dhe ai nuk flet fare për kryepeshkopin si person, sepse bëhet fjalë për të gjithë funksionarët. Mirëpo vetëm atje përcaktohet shtetësia shqiptare për primatin, prandaj dhe, për t’u hakmarrë, shtesa nuk i përgjigjet fare statutit, nuk flet as për funksionarë e as për personel, por vetëm për kryepeshkopin, për ta bërë sa më personale, sa më politike.   

Kisha shqiptare nuk kishte nevojë për peshkopë e për personel në vitet 90, por vetëm për një kryepeshkop. Janullatosi, duke manipuluar me të dy shtetet, nuk pranonte peshkopë të tjerë, sepse Unë meshonte si Ne. Jo vetëm sinodi, por dhe personeli ishte vetë ai, indet e jetës së tij, nyjet e dhuntive, hiret e natyrës së tij tmerrësisht përjashtimore, atje ku realizoheshin edhe subjektet, të cilët nuk e meritonin as të merrnin frymë pa rendur, gatuar, tundur, shkundur e temjanisur të veçantin e historisë.

Ai kishte punë të mëdha. Duhej ngjallur një Kishë. Duhej shpëtuar një popull; pa dallim feje! Ballkani kishte nevojë për një paqebërës. Duhej ribërë historia, prandaj dhe duhej të harroheshin të gjitha, peshkopët e funksionarët kishtarë, për të ligjëruar shtetësinë e kryepeshkopit. Për të shpëtuar dhe autoqefalinë.   

Si rrjedhojë, mbas këtij neni shtesë ndërftutet një shënim me yllth, me një mënyrë të pashpjegueshme llogjike (tekstuale e grafike), si një nga ato shenjat që sidoqoftë nuk shpjegohen ndryshe, por vetëm nëse mbyllim sytë dhe sjellim ndërmend 1996-ën, ose, për ne që e njohim paq Janullatosin, fytyrën e tij hirplote:  
Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.*
* është Fortlumturia e Tij, Kryepiskop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi, i propozuar nga ana e Këshillit të Përgjithshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe i zgjedhur nga ana e Patrikanës Ekumenike (24 qershor 1992) pas marrëveshjes edhe me Autoritetet shqiptare.
Nevojën e domosdoshme që të pezullohet kushti i nënshtetësisë shqiptare, e njohu edhe Presidenti i republikës së Shqipërisë (4 korrik 1992), i cili edhe e pranoi  zgjedhjen e Kryepiskopit Anastas. Së fundi, njëzëri dhe unanimisht, fronëzimin e tij e konfirmoi edhe Kongresi Kleriko-laik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë mbajtur në Durrës më 21 janar 1993
(Po aty).  

Ky ishte rrugëtimi statutor i kushtit të shtetësisë deri në nëntor 2006. Për ne nuk ka asnjë mëdyshje se neni 17.4 i statutit të ri është antivendor, sepse e bën kishën shqiptare gjithmonë të përdorshme, ndërsa shkelen ortodoksët; shqiptarë, grekë, e të tjerë. Kisha e Shqipërisë duhet të qeveriset nga shtetas shqiptarë, të cilët nuk ka pse të flijohen në altarin e interesave shtetërore të njërit a tjetrit vend, të afërt a të largët. Kryepriftërinjtë e kishës shqiptare duhet të jenë shtetas shqiptarë, pavarësisht nga kombësia e tyre. Vetëm nëse nuk ekzistojnë kandidatë në Shqipëri, vetëm atëherë mund të pranohen peshkopë nga jashtë, të cilët duhet të jenë me origjinë shqiptare.

Vetëm një ligjvënie e tillë do t’i garantonte integritetin kishës shqiptare. Vetëm një statut i tillë do të pajtonte të ndryshmit në rajon, nga njëra anë, dhe universalen me lokalen, nga ana tjetër. Vetëm me një statut në pajtim me të drejtën kanonike do të respektohej emri i Janullatosit në historinë kishtare. Vetëm kështu statuti shqiptar do të çlirohej nga pozitat raciste të statutit të vitit 1929, nga njëra anë, dhe nga pozitat antishqiptare të statutit të vitit 2006, nga ana tjetër.    

Këto bindje tonat, për peshkopë vendorë, ekzistojnë në gjithë krishtërimin ortodoks. Në statutin e Greqisë, për shembull, që të shkruhet dikush në katalogun e kandidatëve për peshkopë, midis mjaft të tjerave, ai duhet Të ketë shtetësinë greke ose të jetë grek në gjini, gjë që i jep shtetësinë menjëherë mbas zgjedhjes…. (Neni 18.4, 1977).

Natyrisht që kjo pikë është e vështirë për ta krahasuar, sepse zgjedhja e peshkopëve bëhet në përpjestim të numrave. Andej kemi një kishë zyrtare në Greqi, me mbi 95 për qind të popullsisë, ndërsa këtej një kishë minoritare, me pakica të tjera brenda vetes. Dhe megjithatë, statuti shqiptar është më i kapur nga shteti fqinj, ndërsa statuti grek ka mundur të mbrohet, edhe pse nën trysni të shumëfishta brendagreke.

Statuti i Greqisë ka mundur t’i shmanget jo vetëm termit nacionalist “gjak”, por dhe atij shtetëror “kombësi”, duke përdorur cilësimin e zbehtë “grek në gjini” (Έλλην το γένος). Siç dihet, genus ka disa interpretime brendagreke, përderisa atje thithen mjaft grupe etnike jo greke, duke mos lënë jashtë asnjë nga ato komunitete që ekzistojnë brenda dhe në fqinjësi të Greqisë. Sidoqoftë, tejet diplomacisë, statuti grek pajton të drejtën kanonike me kishën vendore, duke e ruajtur këtë sa më vendore.  

Në të kundërt, neni 17.4 i statutit të ri shqiptar është bash në skajin matanë, gjë që dokumenton diskriminimin e shqiptarëve në Kishën Ortodokse. Ne jemi shumë larg dinjitetit të komercializuar nga Janullatosi dhe peshkopët e konvertuar nga komuniteti mysliman. Jo vetëm që nuk kemi fuqi të ligjërojmë një statut me të drejta të plota vendore, por na është mohuar edhe ajo çikë balancë që na fali statuti i vitit 1950, qoftë edhe me ato formulime nën diktaturë.

Ndërsa statuti shqiptar i 1929-ës kërkonte që Kryepishkopi, Peshkopët… duhet të jenë prej gjaku, gjuhe Shqipëtarë si edhe të kenë nënshtetësinë Shqiptare (Neni 16, 1929), statuti i 2006-ës na do pa gjak fare, duke shpërnjohur madje edhe gjuhën e shtetësinë tonë. Na zhbalancoi Janullatosi.   

Në fund të kësaj teme që s’ka fund, them e thërras: Ja ku na çoi racizmi i atyre klaneve myslimane që përzihen në çështjet kishtare sa herë që i instrumentojnë, duke iu kanosur ortodoksëve të kthehen në frymën anakronike të viteve 1920, duke e bërë kësisoj Janullatosin një të keqe të domosdoshme në Shqipëri.

Më kujtohet tashmë viti 2003, kur shkrova pikërisht një artikull mbi statutet, me të njëjtat bindje, që të mos përfundonin këtu ku na zbriti Janullatosi, dhe, në vend të mbështetjes, mora një pushkatim moral nga një çetë vendorësh me 100 firma. Sepse është shumë e lehtë të lëvdosh, të lash, të lyesh e të gënjesh në botën shqiptare, por qenka shumë e vështirë të thuash të vërtetën. Përndryshe, myslimanët të zënë me gurë… 

12. Tre mjete manipulimi

Në statutin e ri lexohet një ankth i madh mbi potencialin e reagimeve brendaortodokse ndaj regjimit parakishtar të Janullatosit. Ekziston një frikë e madhe se mos ortodoksët organizohen në shoqata dhe formulojnë opinione publike kundër brishtësisë së kultit, gjë që do të ushtronte trysni në sjelljen e përditshme të primatit, në ecjen, gjestet, shprehitë dhe nyjëtimin e tij publik. Sepse sikleti ia vjedh shpengimin, duke i rrezikuar të dyja: kultizimin e të dërguarit dhe projektin politik të dërguesve.

Kjo frikë nuk ka të bëjë fare me ato aktivitete e shoqata nacionaliste të sponsorizuara nga myslimanët në vitet 90, sepse tek e fundit ajo zhurmë për diçka i dha erë Janullatosit të bënte dramatikun në Lindje e Perëndim, duke u imponuar si shpëtimtari i ortodoksisë në Shqipëri. Në të kundërt, në statutin e ri është fjala për shoqata ortodokse; nga ortodoksët dhe për ortodoksët. Para se t’i lexojmë nenet e 2006-ës në kreun tjetër, këtu do të kthehemi tek shtesat e 1996-ës, për të kujtuar ngërçin e Janullatosit ato vite dhe, sidomos, për të kuptuar qëndrimin e tij mbi lirinë e mendimit në kishë, atje ku shpjegohet çështja e shoqatave.  

Nga tre nenet që Janullatosi i shtoi statutit të 1950-ës në vitin 1996, i pari ishte neni 93 që u komentua në shkrimin e kaluar mbi shtetësinë, i dyti neni 94, me të cilin tranzicioni shpallej si dogmë, duke emëruar tre priftërinj “të dalluar” si të parë në Korçë, Berat e Gjirokastër, dhe i treti, neni 95, i cili ligjëronte themelimin e shoqatave brenda kishës, dhe ndalimin e tyre jashtë saj.  

Çështja e shoqatave, pra, ishte një nga tre pikat parësore të misionit, edhe pse debatet publike në vitet 90 u përqendruan vetëm tek shtetësia e kryepeshkopit, duke e banalizuar atë. Në këtë shkrim do të komentojmë pjesën e parë të nenit mbi shoqatat, për të parë se çfarë lejohej nga misioni dhe përse, duke e kursyer gjymtyrën e dytë të nenit për kreun tjetër. 

Në çdo zëvendësi kishtare mund të krijohen shoqata: të Gruas Orthodhokse, të Rinisë Orthodhokse dhe të Intelektualëve Orthodhoksë, për zhvillimin e punës katekitike, hierapostolike dhe shoqërore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (Neni 95, 1996).  

Këtu përdoret termi “zëvendësi”, përderisa në nenin 94 Janullatosi i kishte zhbërë mitropolitë, duke krijuar një regjim centralizues, papnor, si asgjëkundi në kishën ortodokse, ku çdo energji dilte prej tij, për t’u kthyer prapë tek ai. Dhe që këtej çdo gjë vijon me të njëjtën frymë zoike, atje ku përkthehet dhe shoqatizimi i kishës.

Asnjë kishë ortodokse e ka politizuar grigjën duke e përndarë në shoqata. Pjesëtimi i trupit kishtar në shoqata kundërshton eklisiologjinë ortodokse. Kjo nuk mund të bëhet edhe për faktin se shoqata është person juridik nga vetë thelbi i saj civil, përndryshe s’mund të jetë shoqatë. Nga ana tjetër e kontradiktës, KOASH-i është një person i vetëm juridik, sipas thelbit të tij komunitar e civil njëherësh, përndryshe s’mund të jetë Kishë. Bërthama s’mund të ketë bërthama të tjera brenda saj, përndryshe do të merrej si përjashtim (kundër) natyror, si një anomali e madhe.

Grupimet e grave, të rinisë, të fëmijve, për të mos përmendur banalen e intelektualëve, mund të bëhen natyrshëm kur ata takohen, përzihen e krijojnë në jetën kishtare, në mënyrë të shpenguar, duke u bashkërenduar nga kleri, pa qenë e nevojshme të shtrëngohen në shoqata të themeluara nga kisha. Përndryshe, kjo dogmë zoike duhet çuar gjer në fund, sepse duhen themeluar pastaj edhe shoqata të atyre që mbajnë kreshmë, të atyre që rrëfehen, të atyre që kungohen, të atyre që shkojnë në kishë çdo të diel, të atyre që nuk shkojnë çdo të diel, të atyre që janë të martuar, të atyre që s’janë të martuar, e të tjera shoqata të atilla.

Fryma e kësaj doktrine e ka burimin nga kisha e juntës në Greqi, ku shoqatat parakishtare, sidomos ajo Zoi ku bënte pjesë Janullatosi, funksiononin pikërisht si parti politike, duke krijuar mjedise kultiste më se të neveritura në ortodoksinë greke. Përmes manipulimit mendor, këto shoqata i mobilizonin besimtarët në programe politike, aq sa me ardhjen në pushtet të kolonelëve kultet kapën kishën dhe imponuan një kryepeshkop të tyre; antikanoniku që shuguroi Janullatosin peshkop. Ajo periudhë e errët, tashmë sillet zyrtarisht në Shqipëri, ku kryepeshkopi themelon shoqata, siç bënte dikur ati i tij shpirtëror ato vite. Për këtë do të flasim prapë kreun tjetër.

Ky fenomen, i kategorizimit të besimtarëve në shoqata në mesvitet 90, na shtrëngon të shënjojmë një thërrmijë psikologjike të regjimit totalitar. Krijimi i këtyre tre shoqatave u prit me zulmë brenda kishave ortodokse në Shqipëri, pikërisht se u mbush zbrazëtira shpirtërore e atyre viteve, në atë krizë identitare të shqiptarëve. U shua nostalgjia, sepse organizata e gruas, organizata e rinisë dhe ajo e bashkimeve profesionale, tashmë u riaktivizuan të shpirtëruara, të zhvendosura në një gjuhë spirituale, por me zë njësoj shoqëror, politik, luftarak, agresiv, si dikur. Kjo ndodhte në një kohë kur shqiptarët e besimeve të tjera nuk kishin raste të tilla, që ta shfajësonin një kthim të tillë tek e kaluara nostalgjike. Për ortodoksët u zhvendos kultura e diktaturës në një hulli tjetër, përderia mendësia e juntës, e cila e kishte pjellur intelektualisht Janullatosin, puqej paq përkëtej. I shëroi të gjitha.    

Në zemrat e besimtarëve xhaxhi Enveri u zëvendësua pa dhimbje me një tjetër xhaxha të hirshëm, madje shumë më i ëmbël dhe madje tepër mitik, sepse shumica e shqiptarëve nuk kishin parë mjekër. Mjekra e eksarkut i intrigonte edhe më shumë, sepse ishte ndryshe nga mjekrat që kishin parë nëpër foto të vjetra. Kjo ishte e mbajtur, e pastër, e prerë me cepa tmerrësisht gjeometrikë, aq katrore sa shkaktonte qesëndi e komente të paharrueshme në rrethet kishtare të Athinës së fillimiviteve 90, sepse shumë e kujtonin për fallco, por aspak në Shqipëri. Ajo ishte një çështje serioze për shqiptarët. Për parantezë, mjekra e atëhershme ishte ndryshe nga kjo e sotmja, kur ka nisur procesi i shenjtërimit të Janullatosit. Tashmë mjekra lihet më e madhe, pa cepa, madje si e pakrehur mirë, për t’iu shëmbëllyer profetëve të Dhjatës së Vjetër, për ta bërë të brishtin edhe më të adhurueshëm, gati për në ikonë…

Zëvendësimi i idhullit për ortodoksët ndodhi në një kohë kur shqiptarët e tjerë nuk e kishin një figurë të tillë, ose përpiqeshin ta gjenin më kot andej-këtej. Në të kundërt, ortodoksët e kishin gjetur ilaçin. Adoleshentët, të nxitur nga prindët, e të ndihmuar nga misioni të zbulojnë e kultivojnë dhuntitë, nisën të bëjnë krijimet e para. Jo rrallë ato ishin buste e ikona për Janullatosin. Më kujtohet gjatë një vizite në Tiranë në mesvitet 90, kur një i ri erdhi dhe i dhuroi kryepeshkopit një bust të Fortlumturisë, vepër e djaloshit tiranas, dhe Janullatosi u çel e u ndez si lule. Ishte një bust shumë i shëmtuar, por çuditërisht i pëlqeu. Vetë kryepeshkopi i stimulonte e i shkaktonte këto, duke përdorur bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.

Talentet e të rinjve ortodoksë u shkrinë në poezi për të dërguarin nga qielli, ndërsa mbledhjet me presidiume, fjalime e tufa lulesh ndaj të shenjtit, ishin gjeste tepër spontane, historikisht të pashlyeshme… Nata e Ngjalljes jashtë kishës, në Rrugën e Kavajës, po bëhej çdo vit e më e kuqe në ngjyra e nuanca, më pompoze, më prej parade, më me zhurmë, athua se 1 Maji sa vinte e afrohej, sado të largohej nga kujtesa.  

Të gjitha regjimet totalitare puqen, pavarësisht në janë ndryshe ideologjikisht. Format janë njësoj, sepse manipulimi mendor është më i lashtë sesa regjimet totalitare në Greqi, Shqipëri e kudo gjetkë. Dhe megjithatë, Janullatosi nuk u përfol kurrë nga intelektualët shqiptarë në këtë pikë, edhe pse ai vijon ende sot me një sjellje publike totalitare. “Iu vu kapaku asaj teme”, më thoshnin disa intelektualë ortodoksë dikur, në përpjekje për të më bindur ta zhvendos diskursin. Unë nuk jam qorr dhe e shoh që iu vu kapaku, po ja që unë po e hap kapakun dhe ju them se bie erë, erë shumë e keqe, madje. Nuk e nuhatni ju këtë erë të keqe, o sajesa të diktaturës, apo i keni hundët të zëna nga materializmi dialektik?

Para se t’i vihej kapaku, veçse, neni 95 i 1996-ës përcaktoi tri kategori brenda kishës, siç u citua më sipër. Këto duhen cekur me radhë, sepse kanë shumë për të thënë, edhe pse jo shterueshëm.

1. Gratë ortodokse. Është më e lehtë të punosh veç me gratë, sepse ato brumosen më kollaj ideologjikisht. Sentimentalizmi i tyre duhet kanalizuar, sepse misioni ka shumë nevojë për sentimente. Për më tutje, gratë do të ndihmoheshin me pako e me veshje, duke u ëmbëlsuar vit pas viti. Fryma e ngjalljes do t’i bënte gjithnjë e më të reja, edhe pse mosha iu vërtitej si fantazmë.

Për më thellë, nëpërmjet rrëfimit gratë do të bleheshin më tepër nga rrëfyesit e misionit, do t’iu mësonin misteret familjare, për të komunikuar më mirë me dy kategoritë e tjera, me bashkëshortët dhe fëmijtë, intelektualët dhe rininë, për t’i kontrolluar më lehtë familjet ortodokse. Duke ua ditur dobësitë personale e hallet familjare, gratë ortodokse do të pranonin shumë lehtë të nënshkruanin fletërrufe kundër atij a këtij kundërthënësi. Jo vetëm kaq, por firmat e tyre do të përdoreshin edhe jashtë Shqipërisë, nga njëra anë për të ekspozuar cilësinë vendore, dhe nga ana tjetër për të mbështetur të brishtin. 

2. Rinia ortodokse. Kjo atëherë nuk ekzistonte, por ata fëmijë e adoleshenjtë që silleshin nga gratë ortodokse në kishë do të josheshin, gënjeheshin e bleheshin nga misioni. Ata do të mëkoheshin me një frymë që do t’i vriste përgjithmonë, sepse kur të ndërgjegjësoheshin më vonë, do të përballeshin me zgjedhje njëra më e rëndë se tjetra. Ose do të mohonin të kaluarën e tyre, ose do të mohonin kishën e tyre, e cila është personifikuar tashmë tek Njëshi, bamirësi i tyre. Ose do të ndaheshin nga nënat e tyre, “gratë ortodokse”, ose baballarët e tyre, “intelektualët ortodoksë”.

Faktikisht, rinia e krijuar nga Janullatosi iku nga kisha. Të gjithë ata të rinj zelltarë që shkonin në kishë për vite me radhë, tani nuk shkojnë fare në kishë, por as kanë fuqi shpirtërore të çlirohen nga manipulimi mendor i kultit. Edhe pse të ikur, ata jetojnë në fajësi për çka ndodhi. Për më tej, të rinjtë ortodoksë janë mëkuar me një simbolikë greke në kishë, pa të cilën iu shembet edhe ai besim që iu ka mbetur. Iu qoftë ora e mbarë! Të rinj të tjerë do t’i afrohen kultit. Kisha është këtu për ata dhe këdo që ka nevojë. 

3. Intelektualët ortodoksë. Këta janë habitorët e relievit shqiptar. Admirojnë e mrekullohen tkurrshëm. Do të rekrutoheshin në një kod ndryshe komunikimi, në takimet me Janullatosin, ku do të ndizeshin e shuheshin njëherësh kërshëritë intelektuale, për të njomur shpirtin e zhbalancuar nga tranzicioni. Bashkëpunëtorët e robëruar grekë do të shkruanin kumtesa kaq të thella për primatin, saqë kur t’i lexonte dritëdhënësi, intelektualët tanë të sfidoheshin krejt e do të mbeteshin me gojë hapur. Domethënë me mendje mbyllur.

Çdo gjë që thotë Janullatosi është urdhër “nga lart”, prandaj dhe nuk mund të vihet në dyshim. Ata vërtet që s’mundën të ikin jashtë, por ajo jashtë iu ka ardhur brenda. Mjaft prej tyre do të punësoheshin nga kisha, të tjerë do të ndihmoheshin me bursa për fëmijtë e tyre dhe me viza greke. Nga të tri kategoritë, këta ishin në pozitën më të vështirë, sepse nëse vinin në pikëpyetje diçka tejet kërshërive intelektuale, do të vendoseshin midis dy zjarreve. Nga njëra anë ishin gratë ortodokse, dhe nga ana tjetër rinia ortodokse; bashkëshortet dhe fëmijtë e tyre. Nga diktatura në diktaturë.

Neni 95 i 1996-ës na polli një klasë e re në shoqërinë shqiptare. Kush mund ta mohojë? Kur je brenda saj e sheh që është ndryshe në krahasim me ata që janë jashtë, ndërsa kur je jashtë shquan të njëjtën ndjesi të ndërsjelltë. Ata mendojnë dhe jetojnë ndryshe. Përpiqen edhe të flasin pak më ndryshe, duke përdorur zhargonin e kultit. Qielli ka zbritur në tokë, duke pajtuar pa dhimbje krishtërimin me materializmin e tyre. Zoti i kësaj klase të re është Janullatosi, i cili mund t’i ndërsejë vetëm me një mimikë, pa e thënë me fjalë.

Kategorizimi i ortodoksëve në shoqata brendatempullore bëri të mundur kontrollimin e tyre psikologjik. Tri shoqatat ishin dhe janë tre mjete manipulimi mendor.

13. Privatizimi i KOASH-it

Doktrina e Janullatosit për të shoqatizuar e shtrupëzuar Kishën e Shqipërisë, siç ligjërohet kjo në nenin 95 të 1996-ës, erdhi për t’i përndarë e politizuar më lehtë shqiptarët ortodoksë. Duke i kategorizuar ata, Janullatosi mundi t’i manipulojë më mirë, t’i mobilizojë e militantizojë shqiptarët për interesat e tij vetjake, të cilat ndërthuren me projektin jo ortodoks të dërguesve. Kjo nuk fshihet nga misioni, por thuhet qartë, dhe këtu vijmë tek gjymtyra e dytë e nenit të fundit në shtesën e 1996-ës:

Shoqata dhe organizata të tëra që krijohen pa miratimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk njihen prej saj dhe nuk mund të përfaqësojnë shprehjet e jetës së saj (Neni 95, 1996).

Çfarë do të thotë “të tëra” në këtë nen? Ndoshta është lapsus, për “të tjera”, nëse e përqasim me nenin përkatës në statutin e 2006-ës. Për më tutje, cili është ndryshimi midis “shoqatave” dhe “organizatave”? Unë nuk di të ketë sot grupime në Shqipëri që të emërtohen a lakohen si “organizata”. Kjo nuk është aspak lapsus. Këtu ngre krye e kaluara, dritëhijet e jetëshkrimit të Janullatosit.

Në Greqi ekziston një traditë shoqatash parakishtare, të cilat quhen “organizata” (οργανώσεις), prandaj dhe Janullatosi quhej atje “i organizatës” (οργανωσιακός). Në fakt, kisha greke nuk kishte problem me shoqatat e shumta fetare, teologjike, filozofike, sociale a kulturore (σύλλογοι), por kryesisht me “organizatat”, andej nga doli Janullatosi. Si rrjedhojë, duke sjellur në statutin shqiptar të dy termat, “shoqata dhe organizata”, nuk bëhet gjë tjetër veçse rrëfehet kompleksi i persekutimit, arsyeja kryesore se pse zoiku nuk arriti të bëhej në Greqi as mitropolit, por u vërtit si peshkop titullar, pa peshkopatë.     

Të gjitha kanë një thurje, sepse ky nen këmbëngul tek “përfaqësimi”. Përfaqësuesi duhet të jetë një dhe i vetëm, siç u ligjërua në statutin e 2006-ës, ndryshe nga statuti i kaluar dhe nga statutet e kishave të tjera ortodokse. Sepse formulimi “nuk mund të përfaqësojnë shprehjet e jetës së saj”, nuk shkon as në shqipe e as në greqishte. Qëllimisht ndryshohet rendi i fjalëve për të dalë tek përfaqësimi, tek personifikimi, te kultizimi, te kapja e KOASH-it!

Kapja e një kishe autoqefale është goxha punë por, çuditërisht, mund të bëhet vetëm me një person, duke u mbështetur tek e veçanta e tij përjashtimore. Mjafton t’i jepen mjetet, sidomos ato statutore, dhe çdo gjë përmbyset për mirë. Një formulim tjetër, si për shembull “nuk shprehin jetën e saj”, edhe mund të hahej nëse e përkthejmë mbrapsht tek zhargoni i juntës. Siç shquhet përgjatë kësaj rrahjeje, e kapim Janullatosin shpesh të paaftë të fshihet, edhe pse tërthorist i madh në foltoret shqiptare. 

Ndalimi i ortodoksëve të anëtarësohen në shoqata me vlera ortodokse përkthen e shfajëson pjesën e parë të nenit 95, shoqatizimin e kishës, siç u përfol në kreun e kaluar. Me një gjykim të cekët mund të thoshnim se në kishën greke shoqatat shihen me dyshim si periferike, ndërsa në kishën shqiptare ligjërohen në statut. Është e vërtetë, siç e cek më sipër mbi kompleksin e persekutimit që i krijoi Janullatosit e kaluara e tij nëpër shoqata, por çështja është shumë më komplekse.  

Në statutin grek as themelohen shoqata brenda kishës, e as ndalohen shoqata jashtë kishës. Kisha mbrohet si kishë, jo si shoqatë, prandaj dhe nuk e shtrupëzon veten në shoqata. Nga ana tjetër, kisha greke nuk e shkel doktrinën e lirisë së individit, i cili ftohet pikërisht nga kisha të shndërrohet në person. Anëtarët e kishës janë anëtarë të shoqërisë dhe si të tillë janë të lirë të dëshmojnë vlerat e tyre gjithandej, si pjesë e realizimit të tyre, duke qenë të lirë të marrin pjesë në shoqata me vlera, e duke themeluar shoqata të tjera me vlerat e tyre.   

Themelimi i shoqatave në statutin shqiptar ka arsye politike, por më politike është edhe ndalimi i ortodoksëve të themelojnë shoqata jashtë kishës. Në një kishë të vogël, e cila është kapur e tëra, kontrollimi psikologjik i ortodoksëve është kodi përkthimor në jetën dhe veprën e Janullatosit në Shqipëri.  

Tingëllon skandal për absurdin e kontradiktës, sepse ai vetë doli nga shoqatat fillimisht, dhe madje më vonë krijoi një shoqatë tjetër, atë Porefthentes, përderisa shoqata mëmë Zoi shihej vëngër në ortodoksinë greke, për arsye të bashkëpunimit të ngushtë me juntën. Iu dha rasti, atëherë, të krijojë një shoqatë tërësisht të tijën, atje ku krijoi një mjedis të sëmurë kultist, me një grup besimtarësh të verbër, shërbëtorë të vullneteve të tij të sëmura. Ata punonin për të, për shkrimet e librat e tij, t’i mblidhnin bibliografinë, t’ia radhisnin, t’ia shtypnin, t’ia botonin, t’ia shpërndanin, të mblidhnin fonde, e të tjera shërbime. 

Mbasi ishte ngulur në Shqipëri, Janullatosi themeloi një shoqatë tjetër, Miqtë e kryepeshkopit Anastasios, duke emëruar në bord të njëjtat fytyra nga Porefthentes. Kjo shoqatë banale, them, kishte për mision të komercializonte misionin grek në Shqipëri, duke organizuar dekorimet e Janullatosit në Greqi dhe kudo ku ka grekë, si një mënyrë “për të ndihmuar Kishën e Krishtit”. Kur landari i dekorimeve mori udhë e u bë më banal, nuk u dëgjua më për fatin e shoqatës më të re. Dekorimet banale vazhdojnë, por nuk dimë ç’ndodhi me të. Po me llogaritë bankare të saj? Janullatosi nuk jep shpjegime publike për sasinë e marrjes, por vetëm të dhënies. I bukur, nuk është?  

Për këto shoqata që themeloi i brishti në Athinë, nuk ekziston asnjë nen në statutin grek, përderisa, e përsëris, statuti grek nuk i ndalon ortodoksët, klerikë e laikë, të themelojnë shoqata jashtë kishës. Dhe megjithatë, misioni grek i ndalon ortodoksët në Shqipëri të krijojnë shoqata, dhe përderisa Janullatosi është në kontradiktë me vetveten dhe me të gjithë ata që e njohin, e justifikon ndalimin “për të mirën e ortodoksisë në veri”, duke mashtruar, duke blerë prapë heshtje.    

Kjo heshtje e blerë ndaj kultit të Janullatosit mund të ndijohet plotësisht nëse njohim mënyrat brendagreke në raport me politikën e jashtme, për të cilën ka një tkurrje të arsyetimit, një uniformitet në formulimet publike, aq sa të gjithë sillen instiktivisht në një nivel tjetër, tejet diferencave, atje ku harrohen të gjitha fërkimet e mëparshme. Si rrjedhojë, vërtet që Janullatosi njihet për huqet e tij, dihet mania e tij kultiste, ambicja për t’u imponuar si shenjtor, gjë që mund ta arrijë mirë duke i manipuluar psikologjikisht besimtarët përmes shoqatave të mbyllura, por këtu flitet për Greqinë imagjinare, prandaj dhe duhen bërë flijime të mëdha; atje ku tolerohet kulti i Janullatosit.  

Mbas këtij shtjellimi  mbi shtesat e 1996-ës në statutin e 1950-ës, duket se sa e nevojshme ishte shkëputja nga statuti i 2006-ës, pikërisht për ta kuptuar atë më mirë. Më në fund le të kthehemi në statutin e ri, për të lexuar ngërçin e Janullatosit përsëri mbi shoqatat. Jo vetëm që nuk është penduar, por, përderisa neni 95 i 1996-ës dha shumë pemë për misionin grek, ai nxiton ta bëjë themelimin e shoqatave kompetencë të sinodit, të cilit sidoqoftë ia ka hequr kompetencat thelbësore. Sinodi Themelon fondacione dhe shoqata në shërbim të veprës shpirtërore, shoqërore, arsimore e kulturore të Kishës (Neni 12.o, 2006).  

Këtu nuk thuhet se çfarë shoqatash e fondacionesh, por duket se kanonizohet neni 95 i statutit të vjetër, ajo që Janullatosi kishte kryer i vetëm, pa sinod.  Por kjo nuk mjaftoi për ta shëruar kompleksin e tij mbi shoqatat, as kompleksitetin e çështjes, sidomos kur shtohet termi “fondacione”, sepse ekziston një pikëpyetje e madhe mbi administrimin privat të fondeve të kishës shqiptare. Kjo është pika më ekspozuese se sa verbëri imponon kulti i Janullatosit në Shqipëri, aq sa nuk guxon kush të ngrerë pyetje.

Hilja e nenit 12.o dyfishohet kur statuti përsërit më poshtë të njëjtën gjë, duke harruar se e tha pak më sipër: Sinodi i Shenjtë mund të krijojë edhe Fondacione, apo shoqata të tjera… (Neni 53, 2006). Statuti i ri dëshmon se ekziston një lidhje e çuditshme e Janullatosit me mesvitet 90. Sepse neni 95 i 1996-ës merr përmasa të gjera përkthimore në statutin e sotëm: Në Kryepeskopatë dhe në Mitropolitë mund të krijohen, me iniciativën e drejtuesve lokalë dhe me miratimin e Sinodit të Shenjtë Lidhje: e Grave Orthodhokse, e Rinisë Orthodhokse, e Intelektualëve Orthodhoksë etj., në ndihmë të veprës shpirtërore, katekiste, hierapostolike dhe shoqërore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (Neni 54.1, 2006). 

Ndërsa në vitin 1996 këto tri kategori ishin “shoqata”, tashmë janë bërë “lidhje”. Cili është ndryshimi, apo nuk ka ndryshim fare, përveç ngërçit të atij që formulon e përpiqet të fshihet në të njëjtën kohë? Konsumimi në interpretime të tilla nuk do të na japë asgjë të re, përveç ilustrimeve, të cilat sidoqoftë janë të shumta për ata që kanë sy të shquajnë. Misioni grek nuk është mision kishtar, jo për faktin se është grek, por se nuk është transparent, nuk është i sinqertë, prandaj dhe ka shumë nevojë të përdorë ortodoksinë.   

Mbasi janë bërë gjithë këto përsëritje si qitje në erë, për themelime shoqatash, fondacionesh e lidhjesh, në statutin e ri riaktivizohet dhe riformulohet doktrina përndaluese e 1996-ës, me rreptësi e kanosje më të madhe: Lidhje, Shoqata dhe organizata të tjera të themeluara pa miratimin e Sinodit të Shenjtë nuk kanë të drejtë të përfaqësojnë me aktivitetin dhe funksionimin e tyre Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe as të marrin pjesë në mbledhjet e organeve të saj (Neni 54.2, 2006).

Këtu duket sikur thotë: Nuk mund të mos ketë shoqata, nuk mund t’i ndalojmë shoqatat, por, përderisa Unë jua jap këtë të drejtë që ju të keni shoqata, si mund të guxoni ju të kërkoni shoqata të tjera? Ky është mentaliteti i Janullatosit.

Në nenin më sipër, përveç dy termave “shoqata dhe organizata”, është shtuar e paraprirë edhe “lidhje”. Kjo bëhet për të kallëzuar Lidhjen e Shqiptarëve Ortodoksë në Greqi “Shën Asti”, hija e së cilës e ndjek ende sot Janullatosin, edhe pse ai e shpërbëri atë suksesshëm në vitin 2000. Përse të futej kjo në statutin e ri? Pyes prapë: Çfarë ndryshimi ka midis lidhjes, shoqatës dhe organizatës?  

Në fund të nenit 54.1 shtohet një ndalesë, e cila është sa diktatoriale aq dhe kultiste, sepse përjashtohen nga Kisha të gjithë ata besimtarë shqiptarë që mund të jenë anëtarë të një shoqate ortodokse të ardhmërisë. “Nuk mund të marrin pjesë në mbledhjet e organeve të saj” do të thotë se jo vetëm nuk mund të zgjedhin e të zgjidhen, por nuk kanë të drejtë as të dëgjojnë se ç’thuhet në një mbledhje kishtare; duhen nxjerrë jashtë me shkelma. Sepse ata kanë zgjebjen e lirisë. Një nga përkufizimet e kultit, si mjedis manipulimi mendor, është se çdo gjë kryhet me dyer të mbyllura, vetëm në prani të anëtarëve të kultit.   

Të gjitha këto thërrmija na kujtojnë problemet e mëdha të këtij njeriu të vogël. Një kryepeshkop që nuk ka fuqi të çlirohet nga komplekset e veta, por mëton që gjithë bota t’i bjerë në gjunjë dhe prandaj ne duhet t’i bindemi sëmundjes së tij për t’u kultizuar në Shqipëri. Për më keq për të, Janullatosi ka frikë nga reagimet, gjë që nuk është e natyrshme për një burrë kishtar. Në të kundërt, historia kishtare është përmbysje pikërisht e këtij fakti. Dhe megjithatë, këtu i brishti bëhet më i brishtë, aq sa kulti i tij nuk reziston dot asnjë bezdisje, përveç xhindosjes dhe shfryrjes ndaj shërbëtorëve të tij fatzinj. 

Përsëri dhe përsëri dua të kujtoj se Statuti i Kishës së Greqisë nuk i ndalon ortodoksët të themelojnë shoqata a shtëpi botuese me emra e vlera ortodokse. Ata ortodoksë janë njësoj si të tjerët, me të drejta të plota kishtare në kishën greke, pa asnjë cungim. Si ka mundësi që në një statut kaq të detajuar, një libër me 150 faqe, hierarkët dhe teologët grekë harruan të formulojnë një nen mbi ndalimin e shoqatave, aq më tepër kur shoqatat në Greqi sollën katastrofë të madhe, duke e vënë kishën në shërbim të juntës së kolonelëve? Prapëseprapë, statuti grek nuk e bëri, sepse do të ishte totalitare, antikishtare, prandaj dhe nuk e ka bërë asnjë kishë tjetër ortodokse. 

Dhe ja një shembull: Në sajë të atij statuti grek, i cili nuk i ndalon ortodoksët të grupohen gjetkë, ne modestët themeluam Lidhjen ”Shën Asti” në Athinë, në vitin 1999. Në sajë të lirisë së atij statuti të shkëlqyer, kryepeshkopi i atëhershëm Kristodhulos nuk kishte asnjë pengesë të na takonte, ta bekonte Lidhjen dhe të na premtonte hapjen e një kishe shqiptare në Athinë. I përjetshëm i qoftë kujtimi! Në të kundërt, ishte kryepeshkopi i Tiranës ai që reagoi gjer në tërbim, duke e shtrënguar kryepeshkopin e Athinës të tërhiqej nga premtimet, e duke hapur një luftë të ndyrë kundër shoqatës, derisa u shtrënguam ta shpërbëjmë, edhe pse Lidhja ishte ligjëruar nga gjykata, sipas rregullave të atjeshme. Sepse i tillë është Janullatosi.    

Statuti i ri shqiptar i ka dhënë misionit grek hapësirë privatizimi të vlerave, të drejtave dhe fondeve të kishës shqiptare. Statuti i 2006-ës është antikanonik edhe për faktin se e shtrupëzon kishën ortodokse shqiptare, e shoqatizon atë, ndërsa çnervozon tendencën e të krishterëve për të kultivuar dhuntitë. Ndërsa Zoti e la të lirë njeriun të vendosë vetë për lirinë e fatin e tij, Janullatosi vodhi gjithë zemërimin e vdekatarëve… Për të tredhur nervin e lirisë vendore, për ta përdorur komunitetin ortodoks për shkëmbime shqiptaro-greke, Janullatosi e privatizoi KOASH-in, duke u bërë vetë Zot e shkop i tij.   

Shqiptarët ortodoksë janë të lirë, nga vetë thelbi i ortodoksisë, të themelojnë shoqata, projekte e botime që përçojnë vlerat e trashëgimisë së tyre spirituale e artistike, pavarësisht nga kanosjet e kultit në statutin e ri. Si pjesëtarë të botës së larmishme shqiptare, ata ftohen të çlirohen nga nënshtrimi kulturor ndaj misionit me petka kishtare. Në dritë e në balancë, ortodoksia shqiptare ka shumë nevojë për ta.

14. Pikatorja e botimeve shqip

Nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë botohen gazeta, revista, libra dhe broshura për plotësimin e nevojave liturgjike, baritore, shpirtërore e formuese të grigjës Orthodhokse si edhe për nevoja të tjera. Nuk lejohet të qarkullojë literaturë në ambientet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pa miratimin e autoritetit kishtar kompetent (Neni 50, 2006).

Ky nen tingëllor mbi botimet, i përkthyer nga greqishtja me mekanikë e fjalor, jo me intuitë përkthimore, me fjalinë e parë ekzagjeron platformën kulturore të misionit grek në kishën shqiptare, duke çoroditur ata që janë jashtë, ndërsa me të dytën na çon në tmerrin e viteve 1900, duke përsëritur qortimet dhe çensurën fanarjote ndaj literaturës shqipe në ortodoksi.

Me formulën lejim-ndalim, nga ana tjetër, bëzan fenomeni psikologjik në tempull, kur kisha kthehet në kult nga njëshi, duke bartur kumtin e abuzimit në çdo akt, gjithmonë përmes manipulimit mendor: buzëqeshja alternohet me skërmitje, ledhatimi me kanosje, begatia me privime, shpengimi me ngërç, puthjet me kafshime, drita me terr, dija me gjysmëdituri, liria me robëri, e të tjera. Neni 50 i statutit të ri, atëherë, na shfaq prapë natyrën dykrenore të misionit shtetëror grek: kultizimi i Janullatosit dhe sendërtimi i projektit politik. I dyti s’bëhet pa të parin, prandaj dhe i pari s’bën dot pa të dytin.

Fjalinë e dytë të nenit të mësipërm, mbi çensurën e literaturës ortodokse, do ta bëjmë temë të kreut tjetër, ndërsa këtu do të zbardhet fjalia e parë, ajo që themelohet nën hijen e kultit, prandaj dhe e mirëqenë për të gënjyerit. Kulti i Janullatosit verbon shumë, aq sa pikatorja e botimeve ortodokse këto vite zmadhohet e shndërrohet në krua, që të bëhet pastaj katarakt e të marrë tatëpjetë të leshtët. Në të kundërt, unë pyes: Cilat janë “nevojat e tjera” në nenin 50 të statutit të ri?

Përderisa në nenin e cipërcituar u përcaktuan katër nevoja të grigjës (në fakt janë tre, por një nga tiparet e gjuhës kultiste është përdorimi me tepricë i mbiemrave, si pasojë e dehjes nga lavdia), të cilat kanë hapësirë të paanë gjinore e sasiore, çfarë projektohet me këtë shprehje të çuditshme “nevoja të tjera”? Sepse Statuti hesht për nevojat më thelbësore (jo “të tjera”) që ka një kishë vendore, siç është literatura themelore e ortodoksisë: tekstet biblike, liturgjike e spirituale. Në pamundësi për të parashikuar nevojat e tjera, më mirë të thërrasim dy nevojat parësore të ortodoksisë shqiptare.  

Tekstet biblike. Ku është Bibla e komunitetit ortodoks në shqipe? Nuk e kemi. Kisha ortodokse shqiptare, edhe pse më e madhja e kishave të krishtera në Shqipëri, është në fund të listës përkthimore biblike, duke u mjaftuar me përkthimet protestante e katolike, mbasi i shan mbrapa krahëve të gjithë ata. Vetëm ortodoksët nuk kanë Bibël të përkthyer me nuancat e tyre komunitare në shqipe, në një kohë kur protestantët dhe katolikët kanë e po punojnë në të tjera projekte përkthimore, pikërisht se asnjë përkthim është i dhënë njëherë e përgjithmonë.

Gjuha ndryshon, tekste më autentike të origjinalëve zbulohen, interpretime më teologjike kërkohen, gabime në përkthime të mëparshme presin të ndreqen, përkthimet e përkthimeve duhen shënjuar si të atilla, emra të mëdhenj thyhen, sentimente gjuhësore dorëzohen, e të tjera nevoja përkthimore i thërrasin shqiptarët. Është bekim i madh të kemi një përkthim të përbashkët të Biblës në shqipe, por është më e bekuar të kemi disa përkthime të ndryshme. Lexuesi duhet të jetë i vetëdijshëm se Bibla e preferuar që ka në dorë është një interpretim i vetëm, prandaj dhe duhet përqasur me versione të tjera shqip, të reja e të vjetra, për ta kuptuar më mirë Fjalën, e cila është tejet shkronjës shqipe, e madje tejet asaj origjinale. Përvoja e krishtërimit mund të lexohet edhe si histori e përkthimit të Shkrimeve; e dialektikës së universales me lokalen. 

Botimi i Dhjatës së Re në shqipe në vitin 2007, atëherë, për të cilin u krenua pa shkak Janullatosi, u krye më tresh, me protestantët dhe katolikët, pikërisht se kisha ortodokse shqiptare nuk ka vizion për kësi punësh të holla. Madje dhe këtë herë, nëse thërrasim Kristoforidhin si përkujtesë, përkthyesi ortodoks nuk është i punësuar nga kisha ortodokse. Si ka mundësi që misioni grek na thërret e punëson teologë nga Greqia dhe diaspora greke, duke i flakur kësisoj teologët shqiptarë, të cilët detyrohen të bëjnë punë të pakualifikuara jashtë kishës? Për më tutje, nëse përkthyesi teolog i Dhjatës së Re nuk vlente shumë për KOASH-in, si mund të krenohet Janullatosi për përkthimin e tij, pyes? Për hir të së vërtetës, gazeta Ngjallja (Nëntor 2007) e trumbetoi këtë botim me zëra panegjerikë, por harroi të na shënojë emrin e përkthyesit…   

Përkthimi i vetëm biblik që u sponsorizua nga misioni grek këta dy dhjetëvjeçarë ishte përshtatja e Dhjatës së Re të Kristoforidhit nga toskërishtja në shqipen e sotme. Ky botim kishte vite që ishte njoftuar nga kryepeshkopata e Tiranës, qysh në vitin 1997, si i përfunduar dhe “gati për botim”, prandaj dhe prisnim çdo vit që misioni të na bënte “vezën e kuqe”. Në të kundërt, botimi u krye vetëm mbas nëntë vjetësh, në vitin 2006, “si kofini pas të vjelit”, sepse një vit më vonë doli Dhjata e Re përkthyer më tresh nga origjinali, duke e nxjerrë fare jashtë përdorimit përkthimin e përkthimit të përkthimeve; siç është ai i Kristoforidhit. Nëse ishte gati, ku ishte problemi që ky libër nuk botohej? Nëse nuk ishte gati, përse Janullatosi gënjente duke e përfshirë tek lista e librave “gati për botim” në vitin 1997? Ja se ç’dorë e ka shkruar nenin 50 të statutit të ri mbi botimet.

Çdo kishë e krishterë ka arsye spirituale për ta përkthyer e lexuar Biblën sipas fytyrës së saj kulturore. Dhe kjo duket shumë qartë nëse përqasim përkthimet e ndryshme të Biblës nga protestantët dhe katolikët në shqipe, si dhe në gjuhë të tjera. Ku është Bibla jonë, pyes? Nuk mund ta akuzojmë Janullatosin për këtë mungesë, sepse ai nuk di mirë shqip, por kemi të drejtë ta kallëzojmë kur ai pengon projektet përkthimore të shqiptarëve ortodoksë, ndërsa mashtron, me nenin 50 të statutit të ri, duke dhënë përshtypjen se u bëka punë e madhe përkthimore e botuese. Në të kundërt, s’bëhet fare ashtu.

Tekstet liturgjike. Janë rreth 15 vëllime me tekste liturgjike, të cilat përbëjnë qarkun e adhurimit ortodoks, por që i mungojnë gjuhës sonë. Më hollësisht, janë 12 vëllimet himnologjike për të gjithë muajt dhe libri i tetë tingujve, të cilët përdoren në shërbesat e përditshme gjatë vitit. Për më tej, janë dy librat e triodit dhe pesëdhjetores të cilët përdoren gjatë periudhës së kreshmëve të mëdha dhe asaj pashkale, përkatësisht. Këta libra sot mungojnë dhe prandaj jemi të detyruar të qerthullohemi në greqishte, në gjuhë të tjera, ose fare askund.   

Çfarë vizioni ka misioni grek për të plotësuar këto nevoja thelbësore të shqiptarëve ortodoksë? Kisha shqiptare mjaftohet me ato botime përmbledhëse që na dha Fan Noli qëmoti, të cilat janë vetëm një përqindje e vogël e origjinalëve liturgjikë. Sepse ato botime janë vetëm për fundjavën (në fakt, për një ditë e gjysmë), duke na sugjeruar që pjesën tjetër të javës (pesë ditë e gjysmë) ta kalojmë të ngushëlluar në greqishten e origjinalëve, të cilën s’e kuptojnë as shumica e grekëve të shkolluar sot. Për më keq, edhe ato përkthime kryevepra të Nolit si gjini, janë në shumicë të pakuptueshme nga ky brez si gjuhë, paçka se s’kemi të tjera prandaj dhe i përdorim e mburremi.  

Po si mund t’i plotësojnë nevojat liturgjike e spirituale ortodoksët? Si mund t’i japin kishës vendore fytyrë të plotë kombëtare kur kisha i shkëput ata nga adhurimi dhe i përcjell gjetkë? Ja dhe një pyetje tjetër: Çfarë gjuhe do të përdoret në manastiret tona, kur kisha shqiptare nuk ka dëshirë ta përkthejë kanonin liturgjik të ortodoksisë? Sollëm manastiret si shembull, atje ku kryhen shërbesa çdo ditë, jo vetëm të shtunën në mbrëmje dhe të dielën në mëngjes, sepse në mbarështimin e një komuniteti ortodoks manastiret cilësohen si “mushkëritë e kishës”.  

Botimet liturgjike këta dy dhjetëvjeçarë, jo vetëm që s’na dhanë asnjë vëllim nga të munguarit në adhurim, por nuk mundën as t’i qasen Nolit, duke u mjaftuar me lëmime në shtigjet e tij, e duke i ribotuar dhe ato pak libra pa emrat e përkthyesve. Për parantezë, ky fakt është një nga tiparet e regjimeve totalitare, atje ku hyjnë dhe mjediset kultiste, ku emrat e përkthyesve fshihen, për të thyer e rrafshuar vullnetet e individëve, për të absolutizuar institucionin, kultin e Janullatosit në këtë rast, përderisa të gjitha botimet sjellin emrin dhe miratimin e tij papnor, si asgjëkundi në krishtërimin ortodoks.

Për t’u përmendur pak, le kujtojmë dy botimet më të rëndësishme liturgjike të misionit grek. Libri i Shërbesave (1994), për shembull, është një lëmim shumë i lehtë gjuhësor i botimit të 1961-it. Nuk është përkthim i ri, pra, por ribotim. Po kështu dhe Uratorja (2004), e cila në shumicën dërrmuese është një krehje gjuhësore e përkthimeve të vjetra shqipe.

Në botimin Uratore e vogël, e cila u njoftua dhe ajo “gati për botim” në vitin 1997, por u botua mbas shtatë vjetësh varrosjeje, poshtë emrit dhe miratimit papnor ekziston një shënim tradhtues: “Botim i përkohshëm”. Si kulturë printimi, në libërlidhje, kopertinë e grafikë, Uratorja është libri më i fortë e më lluksoz që ka botuar kryepeshkopata, madje më i parashikuar edhe se Libri i Shërbesave, por çuditërisht sjell këtë shënim përmbysës. Si ta lexojmë? Kontradiktor, nuk është?  

                                    *  *  *

Duke e pagëzuar Uratoren si “botim i përkohshëm”, pa dashje Janullatosi ka thënë një të vërtetë, se jo vetëm është i padijshëm në fushë të liturgjikës e muzikës kishtare, gjë që e ka pranuar dhe vetë, por është dhe fare i pamësuar në fushë të përkthimit. Ai beson në përkthime të përhershme, kur të gjitha përkthimet kishtare, biblike, liturgjike, e të tjera, janë të përkohshme. Të përkohshme janë edhe përkthimet shekullare, jo në pikëpamjen materialiste, por në atë gjuhësore, edhe sikur të mos kenë gabime. Gjuha ndryshon, prandaj dhe kryhen përkthime të reja vazhdimisht, gjë që është shumë e vështirë të bëhet nëse nuk kemi përkthime të mëparshme. Përndryshe jemi të humbur. Këtë e di dhe më bufi në përkthimtarinë kishtare, por këtu është kulti që flet në vend të arsyes, prandaj dhe Janullatosi del gjithmonë mbi dijetarët e mbi shenjtorët, si më i dituri e më i shenjti i tyre.

Apo mos, nëse e tërheqim fillin, shënimi “i përkohshëm” është pasojë e problemeve të Janullatosit me të njëjtin term, me ngërçin dhe makthin që i ka shkaktuar ky mbiemër në jetëshkrimin e tij? Mos ndoshta i është fiksuar në atë çast, është pështjelluar dhe e ka shënuar, prandaj dhe ishte tepër vonë mbas shtypjes së librit? Tejet hamendësimeve, unë kam në dorë një libër liturgjik dhe do ta lexoj atë në liturgjikë e me llogjikë. Shënimi “Botim i përkohshëm” është rrëshqitje, siç është e këtillë dhe formula papnore në miratimin e këtij libri liturgjik dhe në të gjitha botimet ortodokse në Shqipëri.  

U shënuan më sipër dy nevojat parësore të kishës shqiptare, pa i shteruar pyetjet thelbësore. Përndryshe, do të pyesnim, ku janë veprat themelore të spiritualitetit tonë, si Shkalla, Filokalia, e të tjera tekste të vyera? Në greqishte! Por kur një kishë vendore nuk ka vizion për t’i plotësuar grigjës literaturën elementare, e cila është rreth 20 vëllime të paradhëna që sot mungojnë, ku ta gjejmë ne mënyrën të parashikojmë “nevojat e tjera”, domethënë ato projekte të misionit grek që nuk na thuhen në statut, por vetëm sa përhidhen atje? Cila kishë tjetër autoqefale është kaq e vobektë në libra? Asnjë tjetër. Edhe këtë herë shqiptarët përbëjnë rast përjashtimor.

Janullatosi është personalisht përgjegjës për pengesat që krijon në përkthime dhe tejvonesat në botime. Ekzistojnë teologë shqiptarë që kanë bërë përkthime biblike, liturgjike e teologjike, por kryepeshkopi nuk e jep lejën të botohen, herë për arsye politike e herë kimike. Më e tmerrshmja është se ai nuk e njeh gjuhën shqipe në nuanca, paçka se kërkon të na bëjë kanunin e saj në përkthimet tona. Me ndërhyrjet e tij të vrazhda në gjuhë, disa përkthyes cilësorë e kanë lënë fare përkthimin.

Kur do të bëhen këto projekte? “Kur të vijë ora e Zotit”, është një përgjigje e tij proverbiale, aq sa tingëllon banale, pikërisht se përdoret sa herë që problemet e tij e mundin dhe nuk e lënë të marrë vendime në të mirë të kishës dhe vetë emrit të tij. Të gjithë teologët dhe klerikët shqiptarë janë miza para tij, edhe në një gjuhë e kulturë që ai e njeh në një trajtë të cekët. Nëse jo, cilat janë arsyet që ai vijon të predikojë në greqishte në Tiranë e gjithë Shqipërinë, në një gjuhë që s’e merr vesh njeri? Mjaft!    

Përkthimet kishtare nuk mund të bëhen pa mbështetjen e një institucioni. Le të kujtojmë Kristoforidhin, pa harruar edhe përkthimin e Dhjatës së Re gjysmë shekulli para tij. Përkthyesit ishin ortodoksë, por përkthimet u sponsorizuan nga protestantët. Është budallallëk të besosh në magji, se Dhjata e Re e Kristoforidhit në toskërishte qenka ortodokse vetëm se e pagëzon kisha ortodokse shqiptare për të atillë, me të vetmin fakt prejardhjen gjeneologjike të përkthyesit. Gënjeshtër!   

Edhe botimet e Nolit nuk ishin personale. Ato u sponsorizuan nga kishat e shqiptarëve ortodoksë, të cilët jo rrallë flinin 15 vetë në një dhomë e pështynin gjak, për të ndërtuar kishat e për të mbajtur klerin e tyre. Shënimet e Nolit nëpër botime, si dhe “listat e ndihmëtarëve” dëshmojnë pikërisht kontribuesit, ortodoksë e jo, në mënyrë që ato përkthime të ishin të përdorshme e të trashëgueshme.

Të tilla, jo personale, janë dhe përkthimet e spiritualitetit ortodoks, të cilat dalin ose nga manastiret, ose me mbështetjen e kishës a të shoqatave ortodokse. Por kjo ndodh gjetkë, jo në botën shqiptare, se Statuti i 2006-ës na e ka mbyllur çdo shteg, ndërsa peshkopata shqiptare e Amerikës as që shpresohet të merret me kësi punësh, kishtare e kombëtare njëherësh. Peshkopata e Bostonit është privatizuar nga një fis nevojtarësh të pangopur, duke shërbyer interesa herë greke e herë myslimane, sipas leverdisë, por duke i manipuluar shqiptarët gjithmonë me hajmalitë e Nolit…  

Nga ana tjetër, ato klane myslimane që përndizen e investojnë për çështje shqiptare ortodokse, e bëjnë këtë vetëm në planin politik, sipas interesave të tyre të ngushta, duke nënqeshur në qesëndi kur bëhet fjalë të ndalin investimet në trazira dhe ta kanalizojnë pasionin në botime kishtare shqip. Nuk e shohin këtë si çikërrimë, sesa si joke. Nacionalistët shqiptarë nuk mund të kuptojnë se përkthimi i literaturës bazë të komunitetit ortodoks është më shqiptarizues sesa fronëzimi në seri i katër-pesë kryepeshkopëve me kombësi shqiptare. Është alibi, sepse ne i patëm ata, të cilët ishin shqiptarë-shqiptarë, por ja që nuk e kryen këtë vepër shqiptare, duke e lënë kishën tonë gjithmonë në nevojë ndaj gjuhëve dhe interesave të huaja.    

Përfshirja e misionit grek në projekte jo kishtare në Shqipëri, duke proklamuar një ortodoksi ndryshe, prandaj dhe e lakmuar në Lindje e Perëndim, ndihmon shumë atje, por jo me domosdo ortodoksët, të cilët kërkojnë disa gjëra shumë më të vogla. Projekti për përkthimin e literaturës themelore për një kishë autoqefale nuk kërkon miliona dollarë e qindra përkthyes, por vullnet dashamirës dhe qëndrim kishtar, pikërisht ato që i mungojnë Janullatosit.

Një grup me pesë a dhjetë teologë e filologë shqiptarë, nëse bashkërendoheshin dhe mbështeteshin nga kisha apo institucione kulturore, brenda pesë a dhjetë vjetëve do të kryente një vepër më të madhe sesa gjithë këto ngrehina të misionit grek. Me një njohuri të mjaftueshme të greqishtes, e duke pasur për ndihmë një gjuhë tjetër ku ekziston literaturë e përkthyer ortodokse, këta bashkëkohës do t’i jepnin komunitetit ortodoks vlera e vrulle më të mëdha sesa uzurpimi i heroikës…

Neni 50 i statutit të ri na kujton dëmin moral të Janullatosit në Shqipëri. Me reklama të tilla mbyllet gjithmonë debati, ndërsa manipulohet informacioni. Kemi arritur atje ku dhe grekët besojnë se çdo libër shqip që kemi në dorë, jo vetëm që është botuar nga misioni grek, por është përkthyer nga vetë Janullatosi! Madje shqyejnë sytë kur unë vë gishtin tek viti i botimit, atëherë kur Janullatosi s’kishte lindur ende. Dhe prapë më shikojnë me dyshim. Janë të manipuluar nga media e kontrolluar greke, prandaj dhe besojnë se Janullatosi është fillimi dhe fundi i shqiptarëve në ortodoksi.

Dhe prapë, pyes: Ku është Bibla e komunitetit ortodoks? Ku është kanoni i plotë liturgjik? Ku janë veprat themelore të spiritualitetit ortodoks? Nuk i kemi, prandaj dhe me pikatore…

15. Çensura fanarjote në Shqipëri

Në statutin e 2006-ës pohimet ndaj kultit të Janullatosit kundërpeshohen me mohime ndaj lirisë së ortodoksëve. Kulti është i vetëdijshëm për brishtësinë e tij, përderisa statuti pohon duke shkelur të drejtën kanonike, prandaj dhe nxiton të mohojë, për të ndrydhur kësisoj ndërgjegjësimin e grigjës, për të kyçur reagimet thellë në shpirt. Le të heshtim që të flasë, buçasë e kërcasë zëri totalitar: “Të gjithë Orthodhoksët e Shqipërisë janë të bashkuar rreth Kryepiskopit Anastas!” Pohohet kultizimi, prandaj dhe mohohet e vërteta.

Një nga shembujt e pohim-mohimit është neni 50 i statutit të ri, fjalinë e parë pohore të të cilit e trajtuam në kreun e kaluar, për të mbërritur tanimë në fjalinë e dytë mohore: Nuk lejohet të qarkullojë literaturë në ambientet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pa miratimin e autoritetit kishtar kompetent (Neni 50, 2006).

Këtu kemi një mëkrejsë zoike, sepse për herë të parë në një dokument kanonik Kisha përkufizohet si “ambiente”. Ky nen mund të kuptohet vetëm përmes greqishtes, ose, më saktë, përmes zhargonit të organizatave parakishtare atje. Kujtoni një nga shprehjet kultiste në Greqi: “Ai mjedis është shpirtëror”, për të klasifikuar famulli të ndryshme ortodokse nga pozita brendagrupore, duke përjashtuar ato famulli që, sipas kultistëve, s’paskan spiritualitet.   

Kisha është kthyer në një mjedis kulti, siç po e analizojmë në këtë trajtesë, ashtu siç e gjejmë në nenin 50. Vetë Janullatosi ndodhet në një pozitë kaq ekspozuese psikologjike në Shqipëri, saqë një kishë të tërë autoqefale e pagëzon “ambiente”, duke rënë në terminologjinë e juntës.  Edhe pse në fund të shërbesës, ai duket se ka probleme me përkufizimin e Kishës si nocion, njësoj si regjimi kishtar i viteve 60 në Greqi. Kjo është pema e Njëshit, kur ai e zhbën sinoditetin dhe kolegjialitetin e ortodoksisë, duke rënë në gafa të tilla kanonike, për të ekspozuar cektinën e tij eklisiologjike.

Dhe nga njëra gafë, i brishti kërcen tek tjetra. Kush është “autoriteti kishtar kompetent” në nenin 50? Statuti ia ka përngjitur kryepeshkopit kompetencat e sinodit, prandaj dhe vetëm Janullatosi ka të drejtë të vendosë se çfarë librash lejohen e çfarë ndalohen në komunitetin ortodoks në Shqipëri. Faktikisht, çdo botim i kishës ortodokse këta dy dhjetëvjeçarë nuk ka miratimin e Sinodit, por emrin personal të Janullatosit! Kjo sjellje totalitare bëhet më vetëpërshkruese kur ai e shekullarizon kultin e tij, duke shënuar në këto miratime papnore titujt e dikurshëm akademikë (Prof. Dr.), në një kohë kur kjo nuk ndodh në praktikën ortodokse. Asnjë primat ortodoks nuk përdor titujt akademikë në kishë.

Përse nuk i vë titujt akademikë në nënshkrimet e tij patriku Vartholomeos, për shembull, i cili është më i arsimuar e më i ditur madje se Janullatosi?
Përse nuk e bënte këtë kryepeshkopi i Athinës Kristodhulos, i cili ishte kishërisht më i arsimuar, muzikor e liturgjik i mirëfilltë, e madje më popullor e më aktiv se Janullatosi në kishë?
Përse nuk i vë titujt akademikë kryepeshkopi i kishës greke në Amerikë, Dhimitrios, i cili vetëm pak më parë ishte profesor në disa universitete amerikane?
Përse nuk bën kështu mitropoliti i Dioklisë, teologu më i njohur i kishës ortodokse në Perëndim, Kallistos (Ware), i cili madje si profesor në Oksford për gjysmë shekulli do të kishte më tepër arsye ta bënte?
Jo! Këta, dhe të tjerë që nuk nxen këtu t’i përmendim, nuk i shënojnë titujt akademikë as në protokollin kishtar e as në librat e tyre. Sepse ata burra kishtarë që ndihen të realizuar, nuk kanë pse të mbeten në komplekse të kapërcyera të natyrës njerëzore.     

Urojmë që kryepeshkopi më në fund të gjejë fuqi të ndreqë disa gjëra që e kanë ekspozuar keq në Shqipëri. Të gjejë paqe me të tashmen dhe të përdorë vetëm titujt kishtarë, ashtu si gjithë hierarkët kanonikë të ortodoksisë sot. Për më tej, të harrojë formulën papnore në botimet kishtare dhe ta lerë kishën shqiptare të marrë frymë. Nëse nuk mundet të botojë libra pa formulë miratimi, të paktën të respektojë Statutin, të cilin e bëri siç deshi: Sinodi i shenjtë miraton literaturën me përmbajtje fetare, e cila mund të qarkullojë brenda famullive, manastireve apo institucioneve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (Neni 12.h, 2006).

Ky nen është i rremë shumë. Jo? Më gjeni një libër të botuar nga KOASH-i këta dy dhjetëvjeçarë, që të ketë miratimin e Sinodit të Shenjtë, siç e kërkon neni 12.h më sipër. Asnjë botim! Kush është “autoriteti kishtar kompetent”, atëherë? Sinodi, siç mashtrohet në nenin 12.h këtu, apo kryepeshkopi, siç lexohet në faqen e parë të çdo botimi të KOASH-it këto vite?

Ndodhemi para një situate klinike, siç është çdo mjedis manipulimi mendor. Mund të jetë tempull, mund të jetë një grupim politik, mund të jetë një fis, mund të jetë një familje, mund të jetë një çift, mund të jetë një marrëdhënie midis dy miqsh, mund të jetë një lidhje intime midis dy qenieve, por sidoqoftë, shenjat janë njësoj. Manipulimi mendor pjell abuzimin dhe sjell një gjendje klinike, si kjo që përpiqemi të zbardhim këtu. Kemi për subjekt statutin, por në thelb përballemi me një njeri pseudo, i cili në vend të përkorjes dhe shërimit, mëton që t’i falet gjithë bota. Është i njëjti pseudo që na e imponuan si ndriçimtar e paqebërës në rajon, që të ngrihet e të na shpallë sot çensurën e leximeve në komunitetin ortodoks. 

Një politikan që nuk ishte i denjë as për mitropolit në Greqi, na u imponua në Shqipëri me metoda të vrazhda jo kishtare si kryepeshkop, por që ende vuan të kaluarën dhe përpiqet të bindë veten dhe të tjerët se është i aftë për primat, prandaj dhe çdo gjë duhet të kalojë prej tij, me emrin e tij, në hijen e kultit të tij, madje dhe çdo libër ortodoks.

I përmbytur në një hyjnajë të tillë, i kultizuar nga ndërthurjet politike në Shqipëri, Janullatosi ka çaste kur përmendet dhe përpiqet të ndreqë diçka në veprën e tij kishtare. Ai sajon një nen se sinodi duhet ta bëjë miratimin e botimeve, por më vonë nuk e lë as sinodin, sepse statuti është për shqipot, jo për atë. Për parantezë, trazirat shpirtërore të Janullatosit lexohen dhe në përkufizimin që i bën Kishës në nenin 12.h, duke e perifrazuar si “famulli, manastire apo institucione”, në tentativë për t’u përafruar me eklisioligjinë ortodokse, ndërsa në nenin 50 lajthit krejt dhe e quan “ambiente”…  

Duke i dhënë Sinodit këtë kompetencë mbi botimet, në këto çaste sinqeriteti Janullatosi dëshmon një grimë dëshire për t’u kthyer, edhe pse prapë është jashtë praktikës ortodokse. Sepse nuk është e domosdoshme që Sinodi të miratojë çdo botim ortodoks, a të shpallë se ky libër duhet lexuar, ndërsa ai tjetri jo. Përse nuk ndodh kjo në kishat e tjera autoqefale? Përse nuk ekziston një nen i tillë në statutin e Kishës së Greqisë?

Në të kundërt, rreth 95% e literaturës ortodokse në Greqi qarkullon jo vetëm pa miratimin e Sinodit, por nga shtëpi botuese jo kishtare, të cilat janë private. Shkoni në një librari me libra teologjikë atje, dhe hapni faqet e para të çdo libri. Nuk do të gjeni asnjë formulë miratimi. Pastaj shkoni në vetë librarinë e Kishës së Greqisë, ku do të konstatoni se shumica dërrmuese e librave nuk janë botime të kishës, por ato libra që keni prekur pak më parë në libraritë private, pa miratimin e Sinodit. Por edhe ato libra që dalin nga botimet e kishës, në shumicën e tyre nuk kanë miratim nga Sinodi, përveç ndonjë teksti zyrtar, brenda arsyeve praktike gjithmonë, por jo se e kërkon Statuti. Sidoqoftë, as që bëhet fjalë të gjejmë ndonjë libër të kishës greke me miratimin e kryepeshkopit të Greqisë. Në disa libra kryepeshopi mund të bëjë një shënim parathënës, brenda praktikës librore gjithandej, por kurrën e kurrës miratime papnore.   

Le të shtojmë se vitet e fundit Janullatosi ka nisur të botojë e ribotojë disa libra të tij në Greqi, por asnjë prej tyre sjell lejën e “autoritetit kishtar kompetent”. Për më tutje, ato libra nuk botohen nga botimet e Kishës së Greqisë, por nga shtëpi botuese private, siç ishte private vetë shoqata Porefthentes (Πορευθέντες), e cila i botonte librat Janullatosit kur atë nuk e përfillte kush në Greqi. Përse librat e Janullatosit nuk kanë miratimin e Sinodit a kryepeshkopit të Greqisë? Për më tej, përse librat e tij botohen nga botime e shoqata ortodokse private, të cilat nuk janë nën juridiksionin e hierarkisë? A nuk e ndalon statuti i ri shqiptar diçka të tillë? Standard i dyfishtë!

Në Greqi do të kishte më tepër justifikime për çensurë, sepse atje ekzistojnë edhe tri-katër kisha të tjera ortodokse, me sinode paralele, të cilat nuk e njohin kishën zyrtare. Atje madje ka disa shoqata ortodokse me shtëpi botuese shumë më të fuqishme sesa botimet e kishës zyrtare, të cilat madje janë kritikuese ndaj hierarkisë. Dhe megjithatë, kisha nuk shpall çensurë në Statut. Në të kundërt, statuti i ri shqiptar kërkon që çdo botim ortodoks të ketë miratimin e Sinodit, i cili prapëseprapë nuk është “autoriteti kishtar kompetent”, sepse në praktikë Janullatosi e shkel edhe Statutin, e tok me të dhe Sinodin, dhe vë emrin e vet duke e damkosur çdo libër.

Edhe diktatura nuk i imponoi dot një ligjë të tillë kishës shqiptare, sepse neni 20 i 1950-ës është shumë më i butë: Çdo botim me përmbajtje fetare kishtare, nuk mund të vihet në përdorim në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, pa pëlqimin dhe miratimin e Sinodhit të Shenjtë (Neni 20, 1950). Sidoqoftë, ky nen nuk bën ndalim leximi për besimtarët, sepse nuk përdor marifetin e termit “ambiente”. Për më tej, flet për botime fetare, duke i lënë ortodoksët të lirë të lexojnë letërsi e gjithçka tjetër të vyer. Hierarkia jonë u shtrëngua nga regjimi të kufizojë literaturën që mund të ishte antikomuniste, por nuk ra kaq poshtë sa misioni grek. Në fakt, nuk kam parë asnjë botim të asaj periudhe që të ketë formula papnore të kryepeshkopëve të atëhershëm, siç po bën Janullatosi sot.

Nëse shkojmë më mbrapa, në statutin e kishës shqiptare të vitit 1929, formulimi mbi literaturën ortodokse është edhe më i pranueshëm: As nji libër nuk mund të përdoret në Kishë pa pëlqimin zyrtarë të Sinodhit kështu dhe në shkollë, për mësimin e Fesë Orthodhokse pa pëlqimin zyrtarë të Sinodhit dhe të Ministrisë s’Arësimit (Art. 7, 1929). Ky nen flet për përdorim, sepse bëhet fjalë për libra zyrtarë (liturgjikë e biblikë), në një kohë kur ekzistonte ankthi i përdorimit të shqipes në kishë dhe i ndalimit të greqishtes, të cilën populli i pamësuar e i manipuluar e deshte më shumë se shqipen në shërbesa. Sidoqoftë, ky nen nuk e kufizon leximin e ortodoksëve.

Duke e përqasur temën me nenet përkatëse të statuteve të kaluara shqiptare, neni 50 mbi botimet na ka çuar shumë mbrapa, në vitet 1910! 

Ky nen shpall çensurë dhe në leximet ortodokse, në një kohë kur dihet se pa përkthime të reja kisha shqiptare nuk mund të ketë bibliotekën e saj në shqipe. Mirëpo, tejet ndalimeve, librat e kishës zyrtare janë shumë të paktë. Le të kujtojmë se fjala e fronëzimit të Janullatosit në vitin 1992 premtoi “lepuj me petrahilë”… Nga mënyra se si formulohet premtimi mbi botimet në atë fjalë, sot duhet të kishim të paktën 100 libra ortodoksë në shqipe. Ku janë?   

Me dogmën “nuk lejohet të qarkullojë literaturë”, dhe duke mos e përcaktuar se çfarë, neni 50 na krijon shqetësime të tjera. Me këtë nen të rinjtë, seminaristët dhe besimtarët lidhen në mëshirë të njërit a tjetrit klerik mendjehapur a mendjembyllur, sepse në praktikë nis hartimi i listës së librave të ndaluar. Me “literaturë” mund të themi shumë, pa lënë jashtë letërsinë shqiptare e botërore, si dhe teorikët kulturorë me vlera universale, pa të cilët nuk mund të kemi përqasje ndërdisiplinore në kulturën shqiptare. 

Çensura fanarjote shpallet nga “autoriteti kishtar kompetent”, pa e thënë se kush është ky, në mënyrë që Janullatosi të fshehë dorën e të dalë prapë i nderuar e përparimtar, sepse ”këto janë rregullat”, edhe pse ky rregull, mbi çensurën në literaturë, s’ekzistonte para tij në kishën shqiptare, por u imponua nga diktatura komuniste, sidomos mbas mbylljes së tempujve. Tek e fundit, ku marrin vesh shqiptarët nga literatura e filozofia? Mbas Biblës, le të lexojnë librat e Janullatosit dhe plot e kanë. Atje janë esencat e gjithë sendeve. Ç’i duan të tjerat?

Kjo mënyrë të menduari nuk është e habitshme për cilësinë e Janullatosit, por është e turpshme për Fanarin, për lojën politike që luhet në kurriz të shqiptarëve. Edhe pse patrikana ka hequr dorë nga çensura e dikurshme, në Shqipëri i leverdis ta tolerojë atë. Edhe pse ka tërhequr shkungimet dhe mallkimet ndaj kishës katolike, përlëshuar ato nga të dy palët ndërluftuese para dhjetë shekujve, froni i Kostandinopojës nuk ka ndërmend ta bëjë këtë për shqiptarët, edhe pse nuk ka kaluar as një shekull nga shkishërimet dhe mallkimet fanarjote ndaj nesh. Kaq freskët, dhe kaq ndryshe…

Sa ç’është e turpshme për Fanarin, njësoj e tillë është edhe për ata intelektualë shqiptarë që mbështesin ende sot Janullatosin. Ekzistonin justifikime që ai të mbështetej në të kaluarën prej tyre, sepse nuk e njihnin, nuk kishte asnjë peshkop shqiptar, komuniteti ortodoks ishte në një pozitë të brishtë, kishte nevoja të mëdha ekonomike, në Shqipëri ekzistonin trazira politike, tendenca ekstremiste, bëheshin lehtë identifikime të padëshiruara, e të tjera, por ja që sot jemi ndryshe. Janullatosit i është qarkuar plotësisht shërbesa në Shqipëri.

E pra, të nderuar intelektualë që e mbështesni, kemi një kryepeshkop që shpall çensurën e leximit duke na kthyer në tmerrin e viteve 1900, atëherë kur politika e Fanarit çoi në përçarje të mëdha brendashqiptare, pikërisht mbi botimet dhe gjuhën, duke shkaktuar armiqësi deri dhe brenda familjeve ortodokse. Kundërthënësit u izoluan, u përndoqën dhe disa prej tyre u zhdukën fizikisht.

Ah! Kemi një kryepeshkop që hiqet se është më mendjehapur se kushdo tjetër në ortodoksi, se është më i ndriçuari gjithandej, se është më i dituri e të diturve, por ja që pengon ndriçimin dhe ndërgjegjësimin e komunitetit ortodoks. Si mund të shfajësohen mbështetësit e tij sot?

Frika e Janullatosit se mos shqiptarët ortodoksë krijojnë vatra spirituale e kulturore jashtë juridiksionit të kryepeshkopatës, ankthi se mos çensura fanarjote mund të mbytet diku gjetkë, është e ligjëruar edhe gjetkë në statut: Manastiret e Shenjta në Kishën e Shqipërisë […] janë nën juridiksionin e Sinodit të Shenjtë, deri në një vendim të ri Sinodik në lidhje me këtë çështje (Neni 37.3, 2006). Këtu fjala është parësisht e kryesisht për Ardenicën! Myzeqarë, ç’u bëtë?

Dihet se manastiret kanë qenë jo vetëm zgjoje shpirtërore fetare, por dhe shkolla kulturore kombëtare me art, shkronja e arsim. Duke zhbërë rendin kanonik, e duke ua hequr mitropolitëve të drejtën e juridiksionit mbi manastiret, Janullatosi zhduk çdo shpresë për një ripërtëritje shpirtërore e kulturore në ortodoksinë shqiptare. Meqë fjala është tek botimet, me nenin 37.3 shmanget bukur edhe një mundësi për përkthimin e literaturës ortodokse nga manastiret, ndërsa kontrollohet e ndrydhet zona më e ndjeshme e spiritualitetit ortodoks.    

Një nen i tillë kontrollues (papnor) është antikanonik, prandaj dhe manipulohet me përdredhjen ”deri në një vendim të ri Sinodik”, sikur po shkruhet një letër e jo Statuti i një kishe autoqefale. Sepse në praktikën ortodokse manastiret ndodhen nën juridiksionin e hierarkut të atij territori, dhe jo të sinodit, por ky nen është fisnor me atë 12.h, ku kryepeshkopi përkthehet vetëm përmes lëmit të psikologjisë…

Në vitin 1996 i kërkova bekimin  kryepeshkopit Anastasios për të përkthyer librin e mirënjohur Udha ortodokse, i Kallistos Ware, e cila vepër është një përmbledhje e teologjisë ortodokse, shkruar në balancë e tolerancë për besimet e tjera, ndërsa përfshin të gjitha zonat e terminologjisë kishtare. E përzgjodha ta përkthej sepse është një libër dyfish dobiprurës për komunitetin tonë. Kur përfundova përkthimin, të cilin e kreva falas, e njoftova Fortlumturinë dhe kërkova të botohej, sipas marrëveshjes fillestare. Mbasi më përgëzoi, më tha se përgjegjës i botimeve nuk është ai por at Joan Pelushi, mitropoliti i sotëm i Korçës, i cili është “kompetent” për botimet. Kur kontaktova at Pelushin ai më tha se përgjegjës nuk është ky, por vetë kryepeshkopi, prandaj dhe nuk kishte se si ta miratonte përkthimin për botim. Libri nuk u botua dhe nuk është vetëm. Kush është autoriteti kishtar kompetent në nenin 50?    

Duke shpallur çensurë në literaturë, atëherë, përjashtohen dhe botimet e përkthimet e teologëve ortodoksë mbi vetë besimin ortodoks. Këtë nuk e them për vete, sepse të tjerë teologë kanë bërë më shumë se unë në fushë të teksteve teologjike, pavarësisht se janë në hije. Duke kontrolluar botimet, e duke penguar përkthime të reja cilësore, virtytet dhe vetitë (rezumetë) e kandidatëve shkruhen nga kulti për kultin. Të tjerët thjesht nuk ekzistojnë…

Jo më kot përgjegjëse për hartimin e teksteve të katekizmit të KOASH-it është një myslimane, me të vetmin kriter se është bashkëshortja e mikut më intim të Janullatosit qysh në vitin 1991, Jorgo (Arben) Papadhopulli, “gjiriku”, siç e quajnë në rrethet kishtare. Paradoks i madh ky, sepse në kishat e tjera ortodokse përgjegjësi i kësaj fushe është teolog, klerik, e shpesh peshkop, përderisa për të hartuar librat e katekizmit kërkohet përgatitje shumëvjeçare në teologji e disiplina të tjera. Në Shqipëri është ndryshe…

Duke imponuar myslimanët në hierarkinë dhe pozitat kyçe të kishës, duke shpallur çensurë në botime e në lexim, duke flakur jashtë kishe teologët dhe intelektualët mendjehapur, zhbëhen kulturorisht shqiptarët ortodoksë.  

Dihet se Janullatosi ka neveri për shqiptarët ortodoksë, pikërisht se ata ekzistonin atëherë kur ai s’kishte lindur, gjë që nuk ka si të zhbëhet në data, prandaj dhe historia shkruhet në marrëzi, ethe e makth. Nuk është e rastit që i vetmi shqiptar ortodoks që ka post të rëndësishëm në KOASH është at Jani Trebicka, i cili nuk ka mbaruar as tetëvjeçaren dhe nuk shquhet as për autodidakt. Ish-kovaçi i Korçës, i cili di të hedhë vetëm firmën nëpër fletërrufetë e misionit ndaj kundërthënësve, është çuar gjithandej nëpër botë mbas Janullatosit, pikërisht për të na diskretituar si komunitet. Ai ka dëshmuar gjithandej cilësinë e shqiptarëve ortodoksë, “leshtësinë dhe injorancën”, gjëra të mira këto për shpirtin, por të pamjaftueshme për fronet. Prandaj dhe Perëndia dërgoi në Shqipëri të zgjedhurin, pikërisht për t’u vënë shkelmin ortodoksëve, për ta prerë të keqen në rrënjë, për të ndriçuar e lëmuar pastaj vrazhdësinë vendore; me të sapondriçuarit. Këta të fundit, myslimanët, janë ndryshe sepse janë pemë e misionit grek. Janë në ecje e sipër, rriten e shtohen, prandaj dhe i brishti ndihet shpenguar me ta. Dialektika e roleve…        

Qysh në takimin e parë me Janullatosin, në fillim të vitit 1992, eksarku ma bëri të qartë: “Këtu unë jam dhe unë do të jem. Bashkëpunëtorët e mi do të jenë drejtuesit e ardhshëm të kishës vendore. Ata nuk do të gjykohen nga diplomat dhe arritjet, por nga masa e dedikimit ndaj meje. Zoti do t’i plotësojë të tjerat. Lere fakultetin dhe eja këtu. Teologjinë, tok me greqishten, do t’i mësosh më mirë këtu afër meje, sesa në universitet. Nëse e shoh unë të arsyeshme, mund të të dërgoj për studime jashtë. Kjo që ke bërë ti nuk është e mbarë, sepse ke shkuar për teologji në kokë tënde.”

Pjesa e parë nga thërrmija e mësipërme ndodhi fare ashtu. Shqiptarët ortodoksë nuk u vlerësuan në bazë të kritereve kishtare dhe akademike, por të interesave greke në Shqipëri. Pjesa e dytë duhet të jetë libër më vete, dhëntë Zoti! Mbas dy-tri orësh përpjekjeje manipulimi në atë takim privat, unë nuk u binda dhe u ktheva në Athinë. Atëherë dija shumë pak, por i besova intuitës. Sa shumë do të kisha humbur! Nëse kthehesha në Shqipëri vetëm mbas një viti qëndrimi në Greqi, nuk do të mundesha të mësoja thellë greqisht e teologji, nuk do ta kuptoja imtësisht Janullatosin dhe nuk do të shkruaja kështu, siç më druhet ai sot. Në KOASH ka dy rrugë: O do manipulohesh, o do kompromentohesh. Vetëm nën një regjim të tillë parakishtar shfajësohet çensura fanarjote në statutin e ri…

16. Finalizimi i misionit

Sikur të mos mjaftonin gjithë këto manipulime e shkelje kanonike, të cilat u shënjuan e u renditën përmbledhtas në këta kapituj, statuti i ri përmbyllet me një kanosje: Nenet 1-6 të këtij statuti nuk mund të ndryshohen apo të suprimohen… (Neni 70, 2006). Është fjala për disa nene me përmbajtje të kthjellët politike: Në nenin 1 është shtuar flirti “me Patriarkanën Ekumenike”, në nenin 2 hiqet juridiksioni i KOASH-it mbi shqiptarët ortodoksë jashtë Shqipërisë, duke i dhënë Stambollit të drejta të përhershme mbi diasporën shqiptare, ndërsa në nenin 4.1 shtohet një nen ku i jepen të drejta të përjetshme Fanarit për të ndërhyrë në territorin e Shqipërisë. Përderisa nenet 1-6 kyçen me përdhunë, statuti është i ngrirë kryefund, sepse kësisoj mbrohen edhe ato nene politike që nuk përfshihen në gjashtë nenet e para, por që burojnë prej tyre.

Neni 70 është kontradiktor edhe për faktin se në nenet 1-6 të statutit të ri bëhen përcaktime mbi nenet 10 dhe 24 të Kushtetutës së Shqipërisë. Nëse në një të ardhme këto nene e raporte të shtetit me komunitetet fetare ndryshojnë në Kushtetutë, si mund të mos ndryshohet Statuti, atëherë? Ndërsa kjo nuk parashikohet në statut, një gjë është e qartë, se neni 70 e lë luftën mbrapa në komunitetin ortodoks të Shqipërisë. Statuti e var kishën shqiptare pezull tek patrikana greke, aq sa potenciali i ndarjes së KOASH-it mëdysh është një nga tundimet që po i trashëgohen brezave. Është fjala për ata që do të dëshirojnë një kishë me tipare të plota vendore, ashtu si kishat e tjera autoqefale, në kundërshtim me ata që do të përpiqen të trashëgojnë të patrazuar nenin 70 të statutit të 2006-ës, nga frika se mos Janullatosi i mallkon së larti, atje ku e kanë burgosur ndërthurjet e interesave politike në një kulturë të mistershme. Për parantezë, Fanari mbijetoi këtë shekull falë këtyre përplasjeve brendaetnike në gjeopolitikën ortodokse…

Tejet slloganëve të Janullatosit, se statuti i ri qenka një përmirësim dhe plotësim i të mëparshmit, statuti i 1950-ës është më drejt: Këshilli Mikst mund të modifikojë nene të këtij Statuti që nuk u referohen dogmave, kanoneve dhe traditës së shenjtë; gjithashtu mund të bëjë dhe shtesa nenesh... (Neni 50, 1950). Si rrjedhojë, kanosja për mosndryshim të neneve mbi karakterin e kishës vendore nuk vjen nga statuti i mëparshëm shqiptar. Për hir të së vërtetës, ky nen nuk gjendet as në statutin e kishës greke e asgjëkundi në statutet e kishave ortodokse.

Në praktikën kanunore të kishës ortodokse, sidoqoftë, burim për statutet e reja nuk janë statutet e mëparshme, por e drejta kanonike, sistemi sinodik i ortodoksisë dhe nevojat e kishës, siç pamë në nenin 50 të statutit të 1950-ës më sipër. Ky kërcënim i vrazhdë në mbyllje të statutit të 2006-ës është pasojë e politizimit të shërbesës ortodokse në kishën shqiptare. Është edhe shpërblesë ndaj Fanarit dhe shtetit grek për kultizimin e Janullatosit në Shqipëri. Mbi të gjitha është dyfytyrësia e kryepeshkopit grek, i cili i përdor statutet shqiptare sipas interesave të tij personale e atyre politike të dërguesve, sepse neni 70 i 2006-ës, ndërsa është i kundërt me statutin e 1950-ës, është i ngjashëm me statutin e 1929-ës: Në as nji mënyrë nuk munt të ndryshohen, të modifikohen ose të abrogohen artikujt 1, 2 e 3 (Art. 63, 1929). Vetëm se është ndërsjellë e përshtatur sipas projektit politik të misionit.  

Ky detaj e rëndon shumë qëndrimin kishtar të Janullatosit në Shqipëri, sepse ai nuk mund të çlirohet nga neveria ndaj kishës sonë kombëtare, prandaj dhe merr hak duke e shkelur të drejtën kanunore e duke u përleshur me nacionalizmat shqiptarë të viteve 1920, përderisa kërkon mosndryshim të neneve që përcaktojnë fytyrën kombëtare të një kishe vendore. Kjo është shumë paradoksale, veç, sepse vetë kisha shqiptare e ka korrigjuar atë nen qysh në vitin 1950, atëherë kur Janullatosi ishte anëtar 24/7 i shoqatës parakishtare Zoi! Nga ana tjetër, ata që bërtasin në botën shqiptare e na kërcënojnë për moscënimin e tre neneve të para të statutit të 1929-ës, nuk janë nga komuniteti ynë, por nga klane myslimane, të imponuar gjithmonë nën statusin e tyre shekullar, me të cilët ortodoksët nuk kanë asnjë lidhje, përveç përbashkësisë së imponuar nga fati. Si mund ta justifikojë Janullatosi nenin për mosndryshim të gjashtë neneve të para, atëherë? 

Neni 70, si dhe gjithë statuti i ri, na kujton regjimin kishtar të juntës në Greqi, atëherë kur u shfuqizua statuti kanonik i 1943-it dhe u hartua e u imponua (nga Koconis, Janullatos & Co) statuti antikanonik i 1969-ës, duke e centralizuar kishën e duke mpirë karakterin kolegjial të saj. Madje zoikët kujtuan se ai statut do të ishte i përjetshëm atje, por ja që mbas rënies së kryepeshkopit të paligjshëm J. Koconis, kisha greke u kthye në rendin kanonik të mëparshëm, duke e shfuqizuar statutin e 1969-ës, e duke modifikuar me nxit statutin e 1943-it, për të fuqizuar statutin “provizor” të 1974-ës. Në vijim u punua imtësisht për dy vjet për të përpiluar e ligjëruar statutin ditëgjatë të 1977-ës, ai që vijon ende sot.

Dhe megjithatë, edhe ky statut kaq i menduar e i punuar, nuk u fuqizua nga sinodi grek se ishte i përkryer e i përjetshëm, por me modestinë dhe ndjesinë e së kufishmes në përvojën tonë kishtare: Sigurisht që dhe ky Statut, si krijesë njerëzore, ka mungesat e tij, por ato janë pa dyshim më të pakta sesa në tekstet statutore të mëparshme të Kishës sonë, qysh nga shpallja e autoqefalisë e këtej (Καταστατικός Χάρτης της Εκκλησίας της Ελλάδος, 1977, f. 10).

I njëjti qëndrim, mbi aspektin njerëzor e të përkohshëm të statutit, u shpreh edhe nga kryepeshkopi i sapozgjedhur i Athinës javën e kaluar. Janullatosi na ka hedhur kaq poshtë, saqë prurje të tilla nga Greqia duhen përqafuar e nënvizuar: Duhet të pranojmë se Statuti, i cili përcakton juridikisht kufijtë e funksioneve kishtare, ishte nga më të mirët. Por tridhjet vjetët që kaluan qysh nga fuqizimi i tij imponojnë pashmangshëm nevojën për ndreqje e shtesa, apo vlerësimin e atyre mundësive që statuti parashikon, por që gjer sot nuk janë vlerësuar. Si rrjedhojë, duket sheshit se bëhet fjalë për një çështje me të cilën Kisha jonë gjithashtu duhet të angazhohet (Nga “Fjala e fronëzimit” të kryepeshkopit të Athinës dhe gjithë Greqisë, Jerónimos, 16 shkurt 2008, në www.ecclesia.gr).

Si ka mundësi, atëherë, që statuti shqiptar, me gjithë ato shkelje të frikshme kanonike, me tërë ato mungesa, rrëshqitje llogjike e luhatje gjuhësore, një tekst i çmendur, pra, të na imponohet si i përkryer e i pandryshueshëm? Nëse i bindemi Janullatosit, ku t’i çojmë shkronjat që kemi mësuar? Po këto dëshmi nga kisha motër e Greqisë, çfarë t’i bëjmë?

A mund ta përfytyronim Janullatosin të shpërfytyruar, të thoshte fjalë si këto që cituam më sipër nga Sinodi i Shenjtë i Greqisë dhe nga kryepeshkopi i Athinës? Unë s’e bëj dot. Formulime të tilla do të ekzistonin vetëm nëse KOASH-i qeverisej nga Sinodi dhe çlirohej nga kulti dhe marrëzia e Njëshit. Sepse vetëm statuti i Janullatosit nuk ka mungesa, prandaj dhe kërkon nga brezat e ardhshëm të mos bëjnë asnjë ndryshim, për të kryer ato punë politike që zoikët s’i bënë dot as në Greqi. Dhe përderisa Janullatosi jeton në ngërçin dhe ethet e një skëterre që e ka krijuar vetë, na sendërgjon nene për të trashëguar përçarje e luftë në komunitetin ortodoks të Shqipërisë.    

                                   *  *  * 

Në njëvjetorin e ngjarjeve të nëntorit 2006, gazeta e Janullatosit përhodhi një shkrim pa autor, pa e thënë nëse ishte replikë ndaj nesh, por duke përfunduar se statuti i ri “sheh nga e ardhmja” (Ngjallja, nëntor 2007, f. 7). Kundrimi nga frëngjitë e së ardhmes imagjinare pajtohet plotësisht edhe me këtë sprovë, siç u kallëzua këtu tre muaj para këtij numri panegjerik të gazetës, e cila në fakt u botua me vonesë, në fund të dhjetorit 2007. Statuti sheh nga e ardhmja, përderisa misioni i Janullatosit sheh nga e kaluara, siç pamë në kreun e mëparshëm mbi çensurën fanarjote në botime e në lexim, e siç lexohet përgjatë këtyre kapitujve.

Shkrimi mbi njëvjetorin ka për nëntitull këtë shënim: Një vit më parë, krahas dorëzimit të 3 episkopëve të rinj, u mblodh Asambleja Kleriko-laike e Kishës, që mbështeti Statutin e ri, i cili u aprovua sipas kanoneve më 6 nëntor 2006 nga Sinodi i Shenjtë (Ngjallja, nëntor 2007, f. 1). 

Edhe pse gjithçka është në rregull, në numrin tjetër gazeta befason duke e tërhequr këtë formulim, e duke përlëshuar një korrigjim: Në gazetën “Ngjallja” të nëntorit, në shkrimin “Përvjetor ngjarjesh të shënuara”, faqja e parë, nëntitulli, të lexohet “Një vit më parë, u mblodh Asambleja Kleriko-laike e Kishës, që mbështeti Statutin e ri, i cili u aprovua më pas sipas kanoneve më 6 nëntor 2006 nga Sinodi i Shenjtë, si dhe u dorëzuan 3 episkopë të rinj(Ngjallja, dhjetor 2007, f. 10).

Përse vallë ky korrigjim special? Ku është ndryshimi midis lajmit fillestar dhe këtij të pasmit? Formulimi i mëparshëm “krahas dorëzimit të 3 episkopëve”, me atë më vonë “si dhe u dorëzuan 3 episkopë”, nuk ka fuqi të krijojë kontradikta, sepse tek e fundit është gazetë, ku lajmi është sjellë në plotësinë e tij dhe informacioni nuk është manipuluar. Nuancat janë të zbehta dhe asgjëkundi do të shtrëngonin ngërçe të tilla. Këtu ka një mani për akribi juridike, pikërisht ajo që mungon në Statutin e Kishës; atje ku duhet të ishte dhe s’është…

Këto dy shënime duan të thonë se aktet historike të nëntorit 2006 ishin protokollare, sepse vendimet ishin marrë qyshparë. Janullatosi udhëtoi enkas në Stamboll para vendimeve të nëntorit, për të prezantuar tre arqimandritët para patrikut Vartholomeos, gjë që do të thotë se ai shkelte jo vetëm autoqefalinë shqiptare, por dhe kandidatët e tjerë, përderisa çdo gjë ishte vendosur. Këtë vendimmarrje para votimeve e thotë me sinqeritet numri i Ngjalljes së nëntorit 2007. Mbledhja e Asamblesë dhe e Sinodit kishte të njëjtat funksione si në çdo regjim totalitar, ku përdoren votat “njëzëri” për t’u bërë më agresivë në histori. Sa qesharake është gazeta e Janullatosit…     

Korrigjimi i mësipërm thërret se historia e kishës shqiptare nuk shkruhet sipas fakteve në kohë, por sipas kujtesës së personazhit parësor. Është kujtesa e Janullatosit, i cili kur shtrëngohet të paraqesë faktet, e riprodhon të vërtetën ashtu siç e përjeton sot, jo ashtu siç ka ndodhur dje. Është kjo lidhje e veçantë me kujtesën që e bën Janullatosin të këmbëngulë me sinqeritet, deri në agresivitet. Mashtruesi nuk beson se po kryen manipulim të historisë, sepse ai i beson kujtesës, edhe pse faktet janë manipuluar në kujtesën e tij; nga vetë sëmundja e tij. Lexoni dy shënimet e mësipërme, nga e njëjta gazetë, për të njëjtën ngjarje.  

Historia na ka mësuar të mos dëshpërohemi nga manipulimi i saj, sepse mashtruesit kanë një veti të përbashkët, njësoj si në kriminologji: krimineli i lihet shkujdesjes dhe dokumenton shenja, gjurmë a dëshmi që e ekspozojnë, edhe pse kjo është e vetmja gjë që ai s’e uron kurrë t’i ndodhë. Sepse e njëjta gazetë e dhjetorit 2007, ajo që bën korrigjimin qesharak, ka rrëshqitur në dy ekspozime të tjera: Përveçse u diskutua [në Asamble] për çështje të ndryshme, kulmi i veprimtarisë së saj ishte shqyrtimi nen për nen, diskutimi dhe më pas pranimi unanimisht i Statutit të ri të Kishës. Në vitin 1993, një tjetër Asamble kishte aprovuar dispozitat statutore, mbi bazën e të cilave u zhvillua veprimtaria e Kishës sonë në këto vite (Ngjallja, dhjetor 2007, f. 7).

Të dyja janë gënjeshtra, por e dyta thërret më shumë se s’ka nevojë për dëshmimtarë. Sepse para statutit të 2006-ës KOASH-i nuk funksionoi vetëm sipas një dispozite të 1993-it, mbi shtetësinë e Janullatosit, siç manipulon Ngjallja, por sipas tri dispozitave të 1996-ës, sidomos, të cilat zhduken dhe nuk përmenden fare! Ka kaluar vetëm një dhjetëvjeçar dhe misioni s’e ka për gjë ta manipulojë kohën. Si ka mundësi që ndryshimet statutore të vitit 1996 të mohohen kaq dhunshëm dhe të mos flasë njeri, në një kohë kur në asamblenë e 1996-ës morën pjesë rreth 200 klerikë e laikë shqiptarë? Për parantezë, ato shtesa të 1996-ës ne i kemi publikuar në sitin tonë shqiptarortodoks.com, në fund të Statutit të 1950-ës. U komentuan madje edhe në këtë debat, në kapitujt 11, 12 e 13. 

Manipulimi i historisë së komunitetit tonë nga Janullatosi, sidomos për ato fakte që dëshmohen lehtë, bëhet më i rrezikshëm për vetë fatin e tekstit autentik të Statutit të 2006-ës, i cili nuk është botuar ende! Edhe pse hymë në vitin e dytë të tij, statuti i ri mbetet mister. Ky dokument “finalizues”, siç është pagëzuar nga misioni grek në Shqipëri, nga njëra anë trajtohet si jashtë kohe, për arsyet që kemi cekur përgjatë këtij leximi, ndërsa nga ana tjetër fshihet e s’botohet… Një manipulim i tillë i informacionit të freskët na përmend nga gjumi ku na ka hedhur kulti i Janullatosit sot, sepse vetëm kulti ka të drejtë të gënjejë e të shkelë. Nëse Janullatosi nuk funksiononte si i kultizuar në fron, si mit në rajon, siç na e kanë imponuar grekët dhe ndërkombëtarët, kush do t’i besonte gënjeshtrat e tij? Kush do të heshtte për administrimin privat të financave të kishës shqiptare? Nëse ai nuk përdorte fuqitë jo kishtare, sidomos atë ekonomike, kush do të më kërkonte mua të mos shkruaj këto që kallëzoj, por të hesht e madje të mohoj çka kam shkruar, e t’i kërkoj falje publike atij që ka zënë vendin e Zotit në Shqipëri? Ajmé!  

Për më tutje, tejet lidhjeve personale e klanore që ka krijuar Janullatosi në Shqipëri këta dy dhjetëvjeçarë, guximi dhe ndërhyrjet e të leshtëve në mbrojtje të tij janë pasojë e çorientimit që shkakton kulti. Por, pyes, kur Janullatosi gënjen për atë që ndodhi para një viti, siç dëshmohet në shënimin dhe “korrigjimin” më sipër, ai e ka më të lehtë të gënjejë për çka ndodhi në vitin 1996, prapë siç dëshmohet në të njëjtën gazetë. Dhe ja kryepyetja: Nëse në këto dy raste kemi dëshmi, çfarë mund të themi për Statutin e 2006-ës, i cili nuk është botuar ende dhe nuk mund ta faktojmë se e kemi si dokument? 

Statuti i 2006-ës nuk është botuar as në gazetën Ngjallja, e as si libërth nga botimet e KOASH-it. Nuk është publikuar as në faqen e kryepeshkopatës online. Edhe kjo kopje që kam siguruar unë është e përmbysshme, pikërisht se statuti i votuar “unanimisht”, siç thuhet në gazetën Ngjallja më sipër, apo “njëzëri”, siç thuhet në fund të statutit, domethënë me heshtje, as me ngritje dore, është ai tekst që Janullatosi a të tjerë mbas tij do të mëtojnë se ishte a s’ishte. Kush mund ta dëshmojë se ishte ky dhe jo ai tekst?  

Është bërë traditë që statutet e reja ortodokse botohen në gazeta kishtare a shtetërore, në varësi të përvojës ortodokse dhe raporteve me shtetin. Në fakt, rëndom statuti hyn në fuqi mbasi botohet diku. Le të marrim për shembull kishën ortodokse të Greqisë: Ky statut hyn në fuqi mbas botimit të tij në gazetën qeveritare (Neni 75, 1977). Përse Janullatosi na e fsheh statutin e tij, atëherë? Rreziku i shndërrimit të statutit shqiptar në palimpsest, atje ku mund të fshihet teksti ekzistues për të kërryer tekstin fillestar, i cili nuk dihet se çfarë nenesh të tjera antivendore e antishqiptare mund të ketë, bëhet edhe më real në nenin 70, sepse ky ngrin me kritere jo kanonike gjashtë nene që fytyrojnë një kishë vendore. Kur do të botohet Statuti? 

Ó Foti Cici, nëntor 2007-shkurt 2008