Për shumicën tonë tema “shqiptarët dhe krishtërimi” është çoroditëse në shqipen e pasdiktaturës. Ka dy harqe të mëdha, njëra histori e vjetër dhe tjetra e re, të cilat çojnë në të njëjtin qark, ashtu siç ka dhe dy marrje të mëdha, njëra e intelektualëve dhe tjetra e nacionalistëve, përsëri të shkrira mënjësh.
Sidoqoftë, për ata që kanë pak nder e kripë kjo temë zanon e ftillohet në banalitet, në një kohë kur për shumicën e intelektualëve shqiptarë tema rreh si zonë ndërdisiplinimi akademik, përplotësimi social, përmbushjeje patriotike dhe madje realizimi personal, edhe pse tepër bajate vitet e fundit.
Guxoj ta nis këtë ese me bindjen se tema e rrokur sot iu është shtuar temave seksuale për shumicën e intelektualëve shqiptarë: pavarësisht se ç’thonë vetmevete a me njëri-tjetrin shqiptarët privatisht, gjë që për shumë mbulon pjesën dërrmuese të cilësisë së tyre menduese e prodhuese, në publik duhet bërë ndryshe, për t’u shtirur e fshehur. Sepse seksualiteti është tema më politike në kulturën e sotme shqiptare.
Ja imagjinoni, për parantezë, një shoqëri shqiptare, një letërsi kombëtare, një mendimtari tonën, sidomos, me një përqasje më njerëzore të seksualitetit… Qameti! (Turp për kulturën tonë kjo, sepse përndryshe Shqipëria do të prodhonte më pak prostituta e prostitutë).
Njësoj, sado skandaloze për dëgjesën tonë, është dhe historizimi dhe doktrinimi i çështjes së shqiptarëve me krishtërimin, sidomos duke i mohuar debatin e ndershëm, sepse po na fytyron një mendimtari ndryshe, një kanon tjetër në kulturën shqiptare, një të vërtetë të rreme, një të rreme të madhe, duke shtyrë vonesa në ndërgjegjësimin e shqiptarit të sotëm, duke shtirë turp e frikë, që shqiptarët të druhen më tepër të ndryshojnë si njerëz, kur dihet se në historinë kulturore ndryshimet janë fillimisht vetjake dhe pastaj grupore.
Për brezin tim kjo temë, e shqiptarëve me krishtërimin, ishte fare e panjohur, duke ngjallur kësisoj pak kërshëri e më pak respekt në fillimivet 90, por ja që tanimë ka dalë fare jashtë kontrollit të arsyes, duke e humbur shenjën dhe përmbajtjen e emrit.
Tema e shqiptarëve në krishtërim, a e krishtërimit ndër shqiptarë, rreket në gjithçka historike, filologjike a folklorike, por asnjëherë në përmasën kryesore, e cila gjithmonë kapërcehet, me elegancë nga të hollët dhe me naivitet nga të tjerët: vështirësia kulturore e shqiptarit për të pranuar doktrinat dhe filozofinë e krishtërimit, pa të cilat nuk mund të ketë kthim a konvertim të një populli. Nuk qëllohet atje ku dhemb, pra, tek ato bindje, besore e shprehi të hekurta që e bëjnë të pamundur krishtëzimin e shqiptarëve, por ngjizet një gropë e madhe në letra, me një vrimë të zezë në qerthull.
Shumica e intelektualëve tanë, nga çka shkruajnë, besojnë në krishtërimin e shqiptarëve shtetas, por pa krishtëzimin e shqiptarëve njerëz. Besojnë në religjionin e lakmuar perëndimor (sipas tyre kjo kahje), por pa fenë e këtij religjioni, e cila nuk është dhe aq perëndimore, e kështu tatëpjetë…
Vetëm se teorikët fekthyes shqiptarë, autorë të mëdhenj e aktivistë jo të vegjël, nuk na thonë diçka: Cila është arsyeja (pengesa) kryesore për këtë plan kaq të vonuar? Sepse po bëhen pothuaj njëzet vjet që kur e lëçitën doktrinën e tyre dhe shumë prej subjekteve shqiptare po ikin për në botën tjetër – ku shkojnë vallë? - pa ditur se ç’do të bëhet me ne, jo me ata…
A janë institucionet e krishtërimit jashtë a brenda Shqipërisë vonuesit e mëdhenj?
A mos vallë po na sabotojnë fqinjët grekë e serbë?
Apo mos është shteti (laik) shqiptar që e shtyn? Apo mos janë shpenzimet që mund t’i dalin shtetit shqiptar prej një pagëzimi/banjëzimi masiv të shtetasve?
Përse intelektualët e predikimit të kthimeve, në shumicën e tyre ateistë, të mos ua thonë bashkëkohësve troç arsyen e moskonvertimit të shqiptarëve në Krishtërim? Nëse e kanë të vështirë ta pikasin, le ta nisin nga vetja, tani që janë në këmbë dhe i kanë katërqind…
Konflikti i jetës dhe mendimtarisë shqiptare me një jetë dhe mendimtari Tjetër është një e pamundur, aq e atillë saqë ka krijuar trazira të mëdha shpirtërore ndër autorë e aktivistë shqiptarë, i ka bërë të pendohen sa e sa herë për tezën e tyre të pamundur, pastaj i ka errësuar t’i kthehen prapë vetes, e pastaj prapë në erë, duke mos e shkëputur dot veten nga letrat (ideologjemat kolektive) shqipe, domethënë duke e çuar mendimtarinë e këtij brezi një një rreth vicioz, që të vazhdojmë të besojmë në një ëndërr të pamundur.
Unë them se vetëm ky fakt, pamundësia e intelektualëve shqiptarë për ta shkoqitur problemin mbas kaq vjetësh dështimi, ngërçi për të reflektuar publikisht mbi një të pamundur në kulturë, vetë kjo është një përgjigje e kthjellët. Po pse ashtu?
Kemi nevojë të flasim mbi këtë temë. Ju lutem shumë! Duhet folur jo vetëm se tema e shqiptarëve në krishtërim ka shkaktuar viktima në letrat e këtij brezi, por se predikuesit e një feje të pamundur iu kanë mohuar të vërtetën shqiptarëve, duke ruajtur për vete pozita që vijnë ndesh bash me mënyrën e jetesës që këta iu sugjerojnë të shumtëve. Jemi dëshmimtarë se thirrjet që iu bëhen shqiptarëve të konvertohen në krishtërim janë një copë e politikës së pacipë shqiptare.
Shumica e intelektualëve të këtij brezi mohojnë qëllimisht problemin që kushtëzon një kontakt të mirëfilltë kulturor: ndeshjen e një kulture antikristiane me krishtërimin.
Si ka mundësi që një e pamundur e tillë, siç është krishtërimi për shqiptarët e sotëm në grup, të synohet si ëndërr për të gjithë? Cila shoqëri e kultivuar beson e synon politikisht ëndrra të tilla? (A e shihni se ku na kanë çuar?)
Përveç disa çasteve në rrahjet shkrimore të dy-tre intelektualëve shqiptarë, pjesa dërrmuese e temës mbi shqiptarët dhe krishtërimin i shmanget si djalli temjamit të vërtetës tejkaluese, jo asaj naives dhe spekullatives se “krishtërimi nuk ka hedhur rrënjë ndër shqiptarë”, por kësaj të sotmes që ishte dje e do të jetë dhe nesër, se diskursi mbi përballjen e shqiptarëve me krishtërimin e ekspozon kulturën shqiptare në themel, sfidon ngrehinën tonë nacional-komuniste, nën hijen e së cilës mbahemi sot si komb dhe shoqëri, dhe përmbys simbolet institucionale të krenarisë shqiptare (nderi, besa, e dokrrat e tjera), pikërisht sepse i përkthen ato… Lakuriq!
Që të flasë dikush sot mbi këtë temë me ndershmëri dhe ndjeshmëri, domethënë tejet traditës së sotme historike e filologjike shqiptare, e përtej aleancave politike të bëra a të shpresuara, nuk ka rrugë tjetër veçse të pranojë lakuriqësinë e së vërtetës, tek me pështymat shqiptare, se kontakti shqiptaro-kristian është i pamundur pikërisht se është çështje e një mentaliteti grupor tmerrësisht të fuqishëm, prandaj dhe në shmangie e kurrë në shtjellim. Kushdo që do të flasë ndryshe mbi këtë temë do të përbaltet, do të urrehet e do të anatemohet. Sepse thotë të vërtetën!
Janë tepër të rralla konvertimet e sinqerta të myslimanëve shqiptarë, ato raste që i kundërvihen kësaj të vërtete me hirin e së Vërtetës. E them këtë me përgjegjësi e çmim. Të interesuarit duan të na bëjnë të besojmë se jemi qorra, sepse ashtu na duan. I kemi veç sytë katër, dhe jemi pjesë e një bote kaq të vogël shqiptare ku e njohim mirë njëri-tjetrin.
Dihet mirë se me çfarë motivesh ekonomike, politike e emocionale po luhet një lojë kaq e rrezikshme për historinë e një populli; në një territor historikisht të përdorur…
Është pikërisht mendësia e ngurtë e shumicës dërrmuese shqiptare ajo që e thellon humnerën me krishtërimin dhe, meqë i duan bashkë, me mënyrën perëndimore: urrejtja brendashqiptare, racizmi brendashqiptar, mospranimi e keqtrajtimi i tjetrit shqiptar, diskriminimi i të tjerëve shqiptarë, pamundësia për të pranuar natyrën njerëzore me emocionet, kërkesat dhe larminë e saj, për të mos shkuar pastaj tek qëndrimet dhe bindjet e shqiptarëve si grup ndaj kombësive dhe racave të tjera, ndaj kafshëve, ndaj natyrës… E të tjera.
Kjo mendësi shqiptare është kaq sfiduese saqë ka krijuar një tru kolektiv; lëvizjet publike në botën shqiptare bëhen si të kompjuterizuara, prandaj dhe dëshirat shqiptare, sidomos në rrekjet me krishtërimin si filozofi publike, nuk kërkohen fare, as përfillen kur shpërthejnë, por i blatohen altarit të trurit kolektiv, duke i shenjtëruar marrëzitë.
Është militantizmi i famshëm shqiptar…
Shqiptarësia dhe krishtërimi. Në ç’kontrast mendjeshkundës rri formulimi yt me “kristianizmin shqiptar” të realpolitik-ës, Foti. Tek lexoj këtë shkrim më parakalojnë në mendje predikime akademikësh, që durimplotë rrëmojnë dëshmi të përkitjes së hershme arbnore në provincë të krishtërimit; gazetarë pompozë që shpjegojnë afinitetin tonë tradicional kristian; shkrimtarë famëpërbotshme që ngulmojnë të bindin botën për shpirtin tonë gatuar që në krye të herës me brumë të krishterë; atdhetarë të forumeve qe s’rreshtin së inventarizuari tiparet tona kristiane; presidentë që krenarisht mbajnë lart portretin tonë kristian në tubime e takime; zonja të para të galave e bamirësive ultra kristiane; përbetime solemne NënëTerez-iste; gusha ku përkunden kryqet me kryet e Jesus-it anuar përunjshëm…
Në mendje më përsillen gra e burra që kishën në mos si klub garantues i territorit të preferuar shoqëror e frekuentojnë si vend alternativ argëtimi. Edhe dalloj kishëdashës që përvojën fetare si pjesëmarrje veprimtarish e mbathin si fustanin a frakun qe i shkon ballos e gostisë së lakmuar, por që dijen a porositë fetare as s’u shkon në mend ta këqyrin si shteg që merret për t’u vetë-njohur — si udhëtim që shpirti e ndërmerr para së gjithash privatisht e modestisht për vetë-shqyrtim kritik, si ushtrim e sprovë të njëmendtë për të lartuar e kulluar zemrën nga vreri e shëllira e urrejtes, racizmit, intolerancës, grykësisë, apatise, paralizës e venitjes e vyshkjes mendore, shpirterore, e morale.
Por sidomos, akoma edhe më mbresëlënës edhe po aq i nevojshëm e syçelës bëhet ky shtjellim, kur kundër gjithë gjasave, bash një prift gjen kurajon të zbresë bodrumit të pashkelur (pse i anashkaluar) e të ndezë atje llampa arsyetimi e vetëdijesimi mbi terrin ku kujtojmë se fshehim shpirtin…
Duke të falenderuar pres me kershëri të lexoj vijimin.
Regtima,
Titulli “Shqiptarësia dhe krishtërimi” është titulli i vërtetë këtu, ashtu siç e pata konceptuar; ke shumë të drejtë. Mprehtësia jote e lexoi mu në fillim. Arsyeja që e titullova “shqiptarët” është për t’u paraqitur më qartë tek bartësit, nga frika se mos kujtojnë se druhem… Por subjekti është i lexueshëm, domethënë se sa penguese është shqiptarësia për t’u integruar në realitete ndryshe, siç është jeta amerikane, për shembull, apo krishtërimi, si temë e këtushme.
Shpresoj të vazhdoj, pa premtuar shumë.
Faleminderit për vëzhgimet kaq përkitëse.