Në historinë e etikës njerëzore, në universalitetin e vlerave, pra, ekzistojnë disa personazhe-simbole të cilat janë të papërkthyeshme, por të pranueshme e të pranishme ashtu siç janë paradhënë në mendimtarinë e përbotshme. Në të kundërt, tjetërsimi i këtyre fenomeneve të letrave kulturore, “shqipërimi” i tyre, sjell zhbërjen e thelbit dhe perversizimin e roleve të personazheve mitikë.
Manipulimi i kulturës ndërkombëtare për interesa “kombëtare”, siç do të shohim më poshtë, mëkon qenie që nuk mund t’i përshtaten universales, qenie e shpirtra përndryshe madhështorë, kaq të këtillë saqë nuk mund të mbijetojnë jashtë kulturës së vogël. Nuk munden sepse universalja atje jashtë është shumë ndryshe nga ç’e paraqiste lokalja në atdhe. Sepse vlerat jo vetëm që janë përkthyer e cënuar keq, por kanë marrë trajta vendore të pakëmbyeshme tashmë.
Kombëtarizimi i vlerave universale i kthen ato në çështje imagjinare. Përderisa mendimtaria jo shqiptare i trajton vlerat universale pa atdhe territorial, Shqipërisë i jepet një rast i artë për t’u ndierë djep i botës. Është këtu ku shpjegohet vetëveçimi ynë në histori. Biri plangrishës, si mit dhe simbol i përkthyer në një letërsi nacional-komuniste, është një nga shembujt që na kujton se si robërohet njeriu në kulturën shqiptare.
Nëse nuk e bëjmë “një sy qorr e një vesh shurdh” dhe lexojmë tekstet publike të Ismail Kadaresë, domethënë intervistat dhe artikujt e tij, a “sprovat”, siç i quan vetë autori për t’u shfajësuar nga mundimet kërkimore, do të gjejmë jo rrallë përdorimin figurativ të “plangprishësit”, madje edhe në shumës.
Në të gjitha çastet emocionale referenca gjakftohte e plangprishësit përdoret tjetër për tjetër, ndryshe nga ç’është në origjinal e fare ndryshe nga ç’përdoret prej intelektualësh të kulturave të tjera, më të ndërgjegjësuara se kjo shqiptarja. Vërtetësia ndaj një reference në kulturë universale nuk ka të bëjë me fetarinë a ateizmin e qëmtuesve, sesa me diturinë dhe integritetin e personit publik, në raport me përmasat e manipulimit grupor të një kombi.
Le të kujtojmë Enver Hoxhën në Moskë, gjithmonë sipas Kadaresë, dhe tablonë e “Birit plangprishës” në vilën ku mikpritej dërgata shqiptare. Ideologu i diktaturës na e dëftoi përmbys pikturën e famshme, sepse edhe më naivi në letra e ka njëfarë shqise për të shquar artin e Rembrandt-it (Kliko tek imazhi në krye dhe këqyre vetë të zmadhuar). Shqiptari e ndërsolli mitin biblik sipas interesave politike të atij regjimi: Diktatorit i jepet pozita e viktimës (plangprishësit), duke i dhënë Hrushovit pozitën e poshtëruesit (atit), i cili kërkoka nga shqipot t’i gjunjëzohen “revizionizmit”. Ku është, veç, në këtë pikturë?
Piktura është kaq e pastër në ngjyra, kaq e tejdukshme në muskuj e nerva, kaq e kthjellët në sentimente, tepër e lexueshme, madje, saqë një përmbysje e tillë në interpretim nuk mund të hahet gjetkë. Dhe megjthatë, tek ne e bëri të sajën. Edhe pse atje nuk ka asnjë gjurmë krenarie të atit, a poshtërimi të birit më të vogël, ne që nuk kishim ku ta shikonim këtë pikturë të famshme, dhe që nuk kishim se si ta lexonim Biblën, besuam letërsinë tonë kombëtare. Besuam në një kulturë që na vrau shqisën për të lexuar e pranuar vlerat universale të njerëzimit.
Në fakt, i vetmi që gjykohet e dënohet në këtë histori, madje i mugët në ngjyra, aq sa nuk i njihet fytyra në pikturë, është biri i madh, i drejti, dhe jo plangprishësi. Jo më kot i madhi është në mes të pikturës, atje ku e ka vendin, dhe jo gjysmë i fshehur mbrapa e jashtë gëzimit, atje ku zgjodhi të ishte.
I madhi është ai punëtori, i fisshmi, i kulturës së farisenjve, i ndershmërisë publike, ai për të cilin letërisa jonë hesht, sepse vëllai i plangprishësit është kaq i kompletuar saqë vetëm kombësia i mungon… Po më mirë të lexojmë vetë rrëfenjën, këtë parabolë që lindi vepra e kryevepra në letërsi e art; ato që na mohoi Shqipëria.
Një njeri kishte dy djem. Më i riu i tha të atit: ‘O Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon. Dhe ai ua ndau pasurinë. Nuk kaluan shumë ditë dhe djali më i ri mblodhi gjithë ç’kishte, mori udhën për në një vend të largët dhe atje e shkapërderdhi pasurinë e vet, duke bërë një jetë të shthurur. Dhe pasi i kishte bërë të gjitha rrush e kumbulla, në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai filloi të ndihej ngushtë. Atëherë, shkoi dhe u pajtua te një qytetar i atij vendi, i cili e dërgoi në arat e veta që të ushqente derrat. Dhe donte ta kënaqte barkun edhe me lëndet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. Kur erdhi në vete, tha: ‘Sa e sa mëditësve të tim eti u tepron buka, kurse unë këtu po vdes nga uria. Do të ngrihem e do të shkoj tek im atë dhe do t’i them: “O atë, kam mëkatuar kundër qiellit dhe përpara teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt; më bëj si një nga mëditësit e tu.”’ Dhe u ngrit e shkoi tek i ati. Ndërsa ishte ende larg, i ati e pa dhe iu dhimbs, vrapoi drejt tij, iu hodh në qafë dhe e puthi. I biri i tha: ‘O atë, kam mëkatuar kundër qiellit dhe përpara teje, nuk jam më i denjë të quhem biri yt’. Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Shpejt, nxirrni petkat më të mira dhe vishjani, vërini unazë në dorë dhe sandale në këmbë. Dhe sillni viçin e majmur, thereni dhe të hamë e të gëzohemi. Sepse ky biri im ishte i vdekur, dhe u kthye në jetë, ishte i humbur dhe u gjet’. Dhe nisën të festonin me hare . Ndërkohë djali i tij i madh ishte në arë dhe, kur iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle. Thirri një nga shërbyesit dhe filloi ta pyeste se ç’ishte gjithë kjo. Ai i tha: ‘Ka ardhur yt vëlla, dhe yt atë ka therur viçin e majmur, sepse iu kthye shëndoshë e mirë’. Ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë doli i ati dhe po e luste. Ai iu drejtua të atit dhe i tha: ‘Ja, kaq shumë vjet që po të shërbej si skllav, kurrë nuk e kam shkelur urdhrin tënd dhe ti asnjëherë nuk më dhe një kec që të gëzohesha me miqtë e mi. Por, kur erdhi yt bir, që e shkapërderdhi pasurinë tënde me gra të përdala, ti për të there viçin e majmur’. I ati i tha: ‘O bir, ti je gjithmonë me mua dhe gjithçka imja është jotja. Por duhet të gëzohemi e të lumturohemi, sepse yt vëlla ishte i vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet.’
Lluka, 15:11-32, Versioni CHC (V. Dervishi), 2000.
Rrëfimi i mësipërm është mit i kulturës hebraike, një parabolë e ngjizur për t’u thënë atje nga Jezu Krishti. Personazhet nuk kanë emra e mbiemra sepse kjo është histori e ndodhur në çdo epokë e shoqëri njerëzore. Po kujtoj se në Dhjatën e Re Zakeu është person historik, për shembull, por fariseu i së dielës së kaluar dhe plangprishësi i sotëm nuk janë personë realë, edhe pse të kudondodhur në histori. Parabolat përshembëllehen nga Jezui me skena të pandërlikuara, me fjalë të thjeshta, për të bërë të kapshme e për të ngulitur përgjithmonë në kujtesë të vërteta të përjetshme.
Na kujton ky ungjill peripecinë njerëzore në letërsisë klasike greke: mërgimin, endjet dhe mundimet e njeriut për të arritur pjekurinë, vetënjohjen dhe urtësinë, për t’u kthyer pastaj, i sfilitur por i fisnikëruar, në tokën atërore, në Itakë.
Edhe narrativa e Jezuit është një mit tjetër, përplotësues e përmbushës i më të lashtit, duke na kujtuar përvojën tonë njerëzore, fatin e përbashkët, prirjen për të ikur, endjet në luginat me gaz e lotë , për t’u përmendur pastaj, jo për t’u zhgënjyer e humbur atje larg, por për t’u kthyer atje ku kemi pjesë, në krahët e Atit të dhembshur, sepse e meritojmë.
Leximi i tekstit të mësipërm nga ungjilli i Llukës na ndihmon të kuptojmë se ai nuk ka asgjë të përbashkët me interpretimin që i bëri letërsia jonë nacional-komuniste. Përkundrazi, plangprishësi është i privilegjuar, madje faqebardhë, sepse kur ai gjunjëzohet babai e ngre në këmbë, e vesh, e zbukuron, e lartëson, i jep dinjitet e integritet, aq sa nuk ka nevojë për mëshirë. Mbi të gjitha, nëse na kërkohet të gjejmë vetëm një fjalë për këtë skenë tronditëse, ajo nuk është poshtërimi por dashuria.
Tejet thelbit spiritual këtu ka vend për më tepër, larg qëllimshmërive nacional-komuniste. Në qoftë se kërkojmë diçka që lidh universalen me lokalen, ajo ndodhet gjetkë, atje ku intelektualët tanë të mëdhenj nuk mund të shquajnë. Nuk munden sepse diktatura, nga njëra anë i lartësoi, por nga ana tjetër iu kërkoi të shkelin mbi kufoma, duke i vrarë në shpirt. Për rrjedhojë, biri plangprishës për ata është një referencë negative, “e turpshme”, që të huajmë një nga mbiemrat e shkrimeve të Kadaresë së fundi, përlëshuar me hiret marksiste-leniniste të viteve 1980.
Por, që të kthehemi, a ka diçka të përbashkët me kulturën shqiptare ky mit, tejet manipulimit që i bëri letërsia jonë? Është zhgënjyese që babai i parabolës nuk ka damar shqiptari. Ai e lë djalin e vogël të shkojë atje ku dëshiron, duke i dhënë jo vetëm uratën, por dhe pasurinë që i takon. Çfarë babai! Është kaq i butë e tolerant, kaq pajtues e i dashur, saqë po të mos kishte mjekër do ta pandehnim për nënë shqiptare…
Ky është Zoti i krishterë, i pagjinishëm, një at pa rreptësinë shqiptare, prandaj dhe në pritje me krahë hapur. Është i mohuar, pikërisht se dashuria e tij shihet dhe ndjehet si gjunjëzim e poshtërim i shqiptarit.
Nëse kjo parabolë e kulturës hebraike i përshtatet paksa kulturës shqiptare, është se narrativës i mungojnë femrat. Natyrisht kjo justifikohet se femra në atë botë ishte e heshtur, nuk ngrinte krye; si në kulturën shqiptare. Dhe megjithatë, tek e lexon lindin pyetje: A kishte nënë plangprishësi? A u përshëndosh me të? Çfarë i tha ajo në vesh e ngashëryer? A rronte ajo mbas kthimit? Po motër? A kishte motër plangprishësi? Ku është? Si ka mundësi që të gjitha personazhet janë meshkuj?
Shumica e bijve kanë një motër, të paktën. Kështu mund ta ketë thënë dhe Rembrandt-i, sepse, duke përdorur dritëhijet e ngjyrave ai e ka përndarë tablonë në katër “skena”: Ati me djalin e vogël, dy mëditësit, djali i madh, dhe në sfondin më të largët është përftuar një vajzë, e cila mezi shquhet, duke u bërë njësh me silueta të tjera. Përse të mos mërgonte ajo, motra, “në një vend të largët”, e cila kishte më tepër arsye ta bënte, nëse nuk mohojmë pushtetin e tre burrave në shtëpi?
A ka femra shqiptare të drejta të barabarta? Për më tutje, sa vajza shqiptare ikin nga shtëpia pikërisht sepse ndrydhen? Për më keq, sa prej tyre mërgojnë e punojnë si prostituta nëpër botë, pikërisht për t’u çliruar nga kultura trimërore, ajo e farisenjve. Thonë statistikat se vajzat shqiptare renditen të parat në Evropë… Të parat në prostitucion! Si ka mundësi, pastaj, që një kulturë që ushqen nderin, moralin, besën dhe kryelartësinë të prodhojë kaq përdalje grupore? Po ka dhe diçka tjetër këtu. Si ka mundësi që në një vend kaq të vogël heronjtë dhe të famshmit, edhe pse të paktë në numër, kanë kaq shumë soj e sorollop, ndërsa një numër kaq i madh femrash e meshkujsh të atillë të mos kenë fare farefis?
Këto pyetje “vendore” shtohen teksa përballemi me moralizmin shqiptar, i cili duket mirë në përkthimin e Kristoforidhit: Biri plangrishës ikën e shkon “ndë dhe të-huaj”. Shtesa “dhe i huaj” nuk gjendet as në origjinal e as në përkthime të tjera. Kristoforidhi këtu ka rrëshqitur, sepse mërgimi i plangprishësit nuk është gjeografik, por shpirtëror. Në thelb të gjithë njerëzit janë të mërguar, jo vetëm të ikurit nga Shqipëria a ndonjë vend tjetër mundimesh. Në fakt, të ikurit kanë më tepër shanse të përmenden e të kthehen, por ndoshta jo në Shqipëri. Atje mund të kthehesh për punë të tjera…
Leximi i këtij teksti etik na ndihmon sepse ne provokon. Na ekspozon edhe një herë si kulturë e prapambetur dhe mentalitet i përkundërt me vlerat universale të pendimit, të vetënjohjes, të dashurisë së përjetuar, jo thjesht asaj të ndierë, të pranimit të tjetrit dhe të integrimit në shoqëri, atje ku kthehet i ndërgjegjësuar e i nderuar plangprishësi.
Këto janë vlerat e krishtërimit, pa të cilat nuk mund të ketë konvertim masiv të myslimanëve shqiptarë, siç e predikojnë intelektualët e diktaturës. Përndryshe, do të vihemi para një plangprishjeje të madhe…
