Kushdo që lartëson vetveten do të përulet, dhe ai që përul vetveten do të lartësohet. (Lluka 18:14)
Në ndeshjen e dhimbshme të shqiptarësisë me krishtërimin nuk gjendet pikë më sfiduese sesa thënia e Jezu Krishtit më sipër. Ngado që ta lexosh këtë varg, nga fillimi ose nga fundi, përmes ose rrotull, nuk mund t’i bësh bisht, hile a dredha thelbit të fesë. Vargu ungjillor përmbys një nga institucionet e rrënjëve në kulturën shqiptare: krenarinë proverbiale. Krishti është mospajtues, madje përmbysës i kulturës shqiptare!
Letërsia jonë nacional-komuniste ka investuar jashtë fuqive të saj për të provuar të kundërtën e kësaj thënieje të Krishtit. Dhe e ka arritur, madje tejet parashikimeve fillestare. Për ta vërtetuar këtë le të shikojmë në pasqyrë veten; me vërtetësi dhe me shpresë. Nëse e kemi të vështirë, le t’i bindemi zonjës kujtesë: shkolla, shoqëria dhe familja shqiptare na mëkoi të jemi të kundërt me përulësinë, domethënë kërkues dhe bartës të krenarisë, edhe pse të shtypur e kokëposhtë. Nuk ka nevojë për shembuj.
Edhe modestia, si nocion diku-atje-midis në kulturën shqiptare, nuk i jepej karakterit të njeriut shqiptar, por disa zemrave shqiptarësh “të mëdhenj” a “të shquar”, duke qëmtuar prej tyre gjeste modestie, të shpenguara a të improvizuara (Për shembull, Enveri vishte çorape të arnuara, e të tjera gjepura). Nuk më kujtohet, në letërsinë tonë kombëtare, ndonjë çast a gjest modestie kryer nga shqiptarë të thjeshtë e të rëndomtë. Modestia, pra, si fqinje në virtyt, edhe ajo ishte e huaj në kulturën shqiptare. Vetë ideologët e gjallë të kësaj letërsie çnjerëzore nuk mund të imagjinohen jashtë nocionit të krenarisë kombëtare, andej nga huajnë edhe vetjaken… Lexojini se si janë marrëzuar në pleqëri!
Thënë së prapthi, unë nuk kam takuar asnjë shqiptar që të besojë se përulësia të bën burrë. Për më tutje, nuk di të ketë shqiptarë jashtë tempujve e jashtë Shqipërisë që të besojnë se të përulesh e të poshtërohesh janë dy akte të kundërta.
Si ka mundësi atëherë që pjesëtarë të një kulture kaq të suksesshme në ngurtësimin e shprehive dhe paragjykimeve, të kërkojnë e shpresojnë kthimin masiv në një fe të përkundërt me llogjikën e tyre? E ka çmendje grupore (kombëtare) në histori? Le të dëgjojmë ungjillin e të dielës së kaluar:
Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur, njëri farisé e tjetri tagrambledhës.
Fariseu po qëndronte e po lutej kështu me veten e vet: ‘O Perëndi, po të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, të përdalë, ose edhe si ky tagrambledhës. Unë agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e gjithçkaje që kam’.
Tagrambledhësi po rrinte larg e nuk donte as sytë t’i ngrinte në qiell, por rrihte kraharorin duke thënë: ‘O Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin’.
Po ju them se ky u kthye në shtëpi të vet i shfajësuar dhe jo ai tjetri; sepse kushdo që lartëson vetveten do të përulet, dhe ai që përul vetveten do të lartësohet. (Lluka 18: 10-14)
Lexoje edhe një herë. A mund të përfytyrohet një mendësi shqiptare që pranon kokuljen, përulësinë, dënesën e shpirtit, ndjesinë e mëkatit, domethënë një kulturë që ushqen vetënjohjen? Por, i pyes, si mund të bëhen myslimanët tanë të krishterë pa pranuar krishtërimin? Le të vazhdojmë.
Edhe pse origjinali biblik flet për lartësi, ashtu siç jepet pothuaj në të gjitha përkthimet shqip, versioni katolik është më interesanti në këtë pikë: “kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet” (Simon Filipaj, 1994).
Ky përkthim jo “i saktë” i këtij vargu, kjo “rrëshqitje” në përkthimtari, është pikënisja e një diskursi të munguar në kulturën tonë. Në fakt, kjo është pikërisht ajo që ka thënë Krishti atë ditë. Nga ana jonë, si ta thotë ndryshe përkthyesi dhe kleriku shqiptar? E njëjta fjalë, e përsëdytur në të njëjtin varg të origjinalit, është përkthyer ndryshe në shqipe, në të njëjtën fjali (krenohet/lartësohet). E ka munduar përkthyesin, por nuk e ka mundur. Siç duket këtu, ai nuk ka dashë të lartësohet në letra e as të krenohet në Shqipëri.
Nuk mund të ketë krenari dhe lartësim së bashku. Nuk mund të ketë lartësim pa përulësim. Nuk bëhet dot në krishtërim. Është çmenduri ta besosh. Hidhni sytë përreth…
Për parantezë, një rrugëtim në përkthimin e nocioneve biblike nga përkthyesit shqiptarë nëpër qindvjeçarët e fundit është i domosdoshëm për kulturën tonë. Ata që do ta bëjnë, do të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë ndeshjen e krishtërimit me shqiptarët. Ja një shembull tjetër: Fariseu falënderoi Zotin në tempull se nuk është si njerëzit e tjerë, të cilët janë kështu, ashtu dhe madje “të përdalë”. Mirëpo këtë të fundit Kristoforidhi e përkthen “kurvarë.” A është njësoj “të përdalë” dhe “kurvarë”? “Të përdalë” do të thotë meshkuj dhe femra bashkë, ndërsa “kurvarë” në shqipe është vetëm meshkuj. Një kontradiktë e tillë në përkthim, e cila në thelb përshkruan ngjyrat vendore, na dëfton moralizmin dhe hipokrizinë; kulturën e farisenjve.
* * *
Farisenjtë ishin një rrymë moraliste laikësh, një lëvizje ku përfshiheshin pothuaj gjithë “shkruesit”, interpretuesit e Ligjit, dhe pak priftërinj. Mjaft prej farisenjve kishin lidhje me Jezuin, e ftonin për gosti në shtëpitë e tyre dhe ai shkonte. Nikodhimi, një prej farisenjve të mirënjohur, biseda me të cilin përbën një diskurs më vete në Dhjatën e Re, e mbrojti Jezuin publikisht. Të tjerë mbrojtën apostujt në Këshill, si dhe shën Pavlin. Gjithsesi, shumica e farisenjve iu kundërvu me fanatizëm veprës së Jezuit.
Portreti kulturor i farisenjve është i vetëpërshkruar në fragmentin e cituar më sipër. Është kaq flagrant saqë nuk ka nevojë për ilustrime. Bëj çfarë të duash fshehtas, shkeli të gjitha, vetëm se publikisht duhet të jesh i nderuar e ta mbash kokën lart. Qofsh i butë me dëshirat e tua, madje dhe me ato seksuale, por i rreptë me gruan dhe fëmijtë e tu. Hipokrizia në sipërore!
Dhe megjithatë, farisenjtë natë e ditë rrëmonin tokën e trazonin detin për të bërë një dishepull. Kur e gjenin, e bënin më të lig se veten. Bota e tyre përbëhet nga sojllinj dhe sojsëzë. Besonin se ishin tepër të fisshëm, prandaj dhe nuk pranonin kontakte me mëkatarët. Farisenjtë janë me kombësi shqiptare. Dashurinë e Zotit e kufizonin vetëm në vetvete. Si në Shqipëri sot…
Tragrambledhësit (publikanët), në skajin tjetër, ishin nëpunës “doganash”; shërbim publik i administratës romake. Ishin nëpunës shtetërorë, pra, por të pasur dhe rëndom të padrejtë e grabitqarë. Populli nuk i deshte prandaj dhe i barazonte me mëkatarët dhe prostitutat. Por ndonjëherë pamja mashtron, siç pamë me Zakeun në shkrimin e kaluar, dhe ashtu siç duket në ungjillin e sotëm; tagrambledhësit treguan pendesë dhe rrëfim në praktikë, gjë që iu dha shfajësim të drejtpërdrejtë nga Zoti.
Tagrambledhësi i ungjillit të sotëm është i përulur dhe i sinqertë. E rrëfeu mëkatin sepse e rëndonte në shpirt. Ishte njeri i vërtetë. Fariseu, në të kundërt, hiqet si i pastër, i ndershëm, i fisshëm, prandaj dhe teatral. Është i rremë! Tjetër në jetën personale, e tjetër në podium. Për të mashtruar të tjerët, e nis duke gënjyer veten. Maskara!
Të gjitha veprat e fariseut kanë në qendër veten e vet, për të krijuar përshtypje tek të tjerët, dhe jo nga dashuria ndaj Zotit dhe njerëzve. Fariseu është i humbur, ndërsa tagrambledhësi i fituar!
Le të kërkojmë hirin e Zotit që të na çlirojë nga krenaria, kjo sëmundje shqiptare.
Le të mohojmë kulturën e farisenjve, të hipokrizisë, dokrrat e nderit, besës e madhështisë teatrale. Ato që na mbajnë në fund të botës.
Le të përvetësojmë qëndrimin e tagrambledhësit, e mëkatarit që pendohet dhe e lë veten në mëshirën e Zotit! Që të lartësohemi! Amin!