
…përveç këtij të huaji… (Lluka 17:18 )
Dëgjuam dje në kishën ortodokse “Ungjillin e dhjetë lebrozëve” (Diodati i Ri), a “të gërbulurve” (V. Dervishi), apo, sipas versionit toskërisht, “të-krromosurëve.” Këtu, në shqipen puritane të Kristoforidhit, gjejmë fillin e interpretimit, sepse përkthyesi kërkon dhe gjen një sëmundje ngjitëse të kohës së vet, duke i dhënë Ungjillit shqip ngjyra vendore. Por “krroma” është vetëm gjysma e së vërtetës.
As turbekulozi para penicilinës nuk mund ta japë përkthimin të plotë, pikërisht se “lepra” e viteve të Jezuit nuk ishte vetëm sëmundje trupore, por konsiderohej shpirtërore, pse paskesh në zanafillë mëkatërinë. Kësisoj, njerëzit besonin se Zoti i kishte ndëshkuar të zgjebosurit si mëkatarë, prandaj dhe atyre, duke qenë ndryshe në thelb, jo vetëm në lëkurë, nuk iu lejohej të përziheshin me bashkëkohësit e tyre: as në shtëpi e në fis, as në treg e në rrugë, as në tempull e në mbledhje publike, asgjëkundi në shoqëri!
Si jetonin të zgjebosurit? Jashtë Jerusalemit ishte një vend-gropë ku flakeshin dhe digjeshin pa ndërprerje plehrat e kryeqytetit, prandaj dhe e quajtur zjarrtore. Atje shkonin të leprosurit dhe të verbrit për të kërkuar ushqim, dhe përderisa flaka ishte e përhershme, të munduarit ulërinin tek përcëlloheshin nga zjarri në rrëmim të ushqimit nëpër plehra, aq sa tingujt e tyre të frikshëm dëgjoheshin së largu nga kalimtarët. Kjo torturë, e flakëve në zjarrtoren e plehrave të Jerusalemit, përdoret në ligjërimin e Krishtit si metaforë për mundimet në ferr: “Në zjarrin e jashtëm.” Andej ka dalë si shprehje.
Të diskriminuarit për shkak të një sëmundjeje anormale, sipas mentalitetit të shumicës dërrmuese atëherë, kishin krijuar një komunitet bashkëvuajtësish jashtë shoqërisë. Izolimi shoqëror i këtij grupi viktimë e racizmit duket edhe në faktin se i thirrën Jezuit “duke qëndruar larg”; nga frika e shoqërisë…
Nëse duam të besojmë dhjetë leprozët e Ungjillit të sotëm, le të përballim fenomene të ngjashme në shoqërinë shqiptare sot. Sa herë kam dëgjuar të përfliten homoseksualët e prekur nga sida në Shqipëri! Shumica shqiptare beson se homoseksualët e infektuar nga kjo sëmundje janë të ndëshkuar nga Zoti, por e njëjta shumicë nuk beson të njëjtën gjë për heteroseksualët e prekur bash nga e njëjta sëmundje. Përse vallë? Sepse kështu flet racizmi.
————————————————————————————————–
Dhjetë leprozët e shëruar nga Krishti ikën dhe harruan të kthehen e ta falënderojnë Jezuin, “përveç këtij të huaji”, sepse nuk është e lehtë të jesh i izoluar dhe mirënjohës njëherësh. Por i huaji, edhe pse më i diskriminuar se nëntë vendasit, pikërisht se nuk ishte vendas, e arriti falënderimin, u ngrit mbi vetveten e prandaj mbi të tjerët, atje lart në mirënjohje, virtyt e shenjtëri.
Në toskërishten e Kristoforidhit termi αλλογενής përkthehet tjatërë-kombës, ndërsa në gegërishten e tij edhe më kumbueshëm: komp’ i huej. Sepse i atillë ishte. I huaj, madje samaritan, fqinj i keq… Sa e afërt dëgjohet, edhe pse mbas njëzet shekujsh…
Letërsia jonë nacional-komuniste na bëri të besojmë se popujt fqinjë janë “shumë racistë”. Nuk na tha, të paktën, se fqinjët tanë janë “më shumë racistë”, ose të na thoshte se ne jemi “më pak racistë”. Jo, jo. Ekstremi i ndërhyrjes në tru!
Një indoktrinim i tillë në kulturën shqiptare u dogmatizua më tutje me përdaljet e mëdha të viteve 1990. Shqiptarët e pasdiktaturës u bënë subjekt diskriminimi e viktima racizmi, ndoshta më shumë në Greqi e më pak në Itali, që të sjellim dy shembujt më të mëdhenj, gjë që e vonoi ndërgjegjësimin tonë. Abuzimi nga tjetri na bëri të harrojmë urrejtjen nga brenda, domethënë krimet e mëdha brendashqiptare, më të shumta se ato që na kanë shkaktuar fqinjët. Si ka mundësi?
Nga çasti kur njeriu motivohet e tundohet të shquajë, ai nis të klasifikojë, të dallojë sende, ngjyra, nuanca e tinguj, e për rrjedhojë “të diskriminojë” në natyrë. Njësoj bën dhe shqiptari. Pa këtë potencial nuk mund të jemi njerëz normalë. Normalja zhbëhet kur shoqëria ua mohon njerëzoren njerëzve, domethënë klasifikimin e shpenguar, duke shtënë metoda dallimi sipas normave, zakoneve, dokeve e, sidomos, interesave të saj.
E vërteta e hidhur është se tani, mbas kaq vitesh dallimi e diskriminimi të natyrës, të botës dhe të vetes, vëzhgojmë se shqiptarët janë më racistë se fqinjët. Jo? Le të mos shkojmë larg, por le të shquajmë brenda botës shqiptare: Çfarë racizmi ekziston midis klasave politike e shoqërore, midis brezave, klaneve, grupimeve, interesave, madje midis të gjallëve dhe të vdekurve shqiptarë… Përjetësisht në urrejtje!
Kësisoj kultura buron vazhdimisht racizëm, këto energji vendore, pra, por duke iu dhënë emra të vjedhur, për t’u fshehur e për të manipuluar të shumtët. Sa më shumë zhytet një kulturë në racizëm, aq më tepër e shenjon me gisht racizmin gjetkë. Kultivimi i jo njerëzores në kulturën tonë e ka sjellë shqiptarin në këtë pikë çnjerëzore, në pikë të hallit, në konflikt me vetveten, prandaj dhe me tjetrin!
Racizmi nuk ka kanun. I huaji, për rrjedhojë, nuk është jo shqiptari, por çdonjeri ndryshe jashtë vetes: Tjetri! Në këtë rreth vicioz të mohimit pasqyra shqiptare pohon urrejtjen më të madhe… ”Lufta e klasave”, njëri shembull. Ja imagjinoni një Shqipëri të pavarur, siç ishte për herë të parë (realisht) vendi ynë në vitet e diktaturës: Gjehenë! Zjarri i përtejmë… E ruajt Zoti Shqipërinë, e i cungoftë pavarësinë!
Racizmi e infekton në tru qenien njerëzore, kaq shumë saqë vetëm një mrekulli mund ta çlirojë. Përndryshe, integrimi i njeriut në një botëkuptim pa dallime është shumë kohëgjatë. Në përpjestimet sociale të Shqipërisë ndryshimet kulturore janë edhe më të ngadalta, madje të improvizuara…
Racizmi është zgjebje, mbytës i lirisë, vrasës i frymës, zhdukës i shqisës që shquan ngjyrat dhe nuancat e shumta në këtë botë, prishës i timbanit që dëgjon muzikën e vërtetë të tingujve, vrasës i harmonisë që ndihmon në leximin pa paragjykime të natyrës njerëzore. Racizmi të vret.
————————————————————————————————
Në qoftë se kultura shqiptare vijon të ushqejë racizëm, ajo e thellon humnerën jo vetëm me krishtërimin, por me vetë botën perëndimore.
Në qoftë se myslimanët shqiptarë, si fuqia vendimtare në kulturën tonë, nuk çlirohen nga racizmi e nuk bëjnë paqe me vetveten, ata nuk mund të pajtohen me krishtërimin. Konvertimet me motive politike, ekonomike dhe emocionale nuk kanë fuqi të thyejnë të pamundurën e madhe. Në të kundërt, ata po ia shtojnë dhimbjet botës së krishterë, pavarësisht nga mania dhe magjia e rrënjëve…
Në qoftë se shoqëria shqiptare nuk vjen në vete e ta pranojë njeriun ashtu siç është, Shqipëria do të vazhdojë të shërbejë si gropa e plehrave të Evropës.
Le ta pastrojmë zemrën sot.
Le të lutemi për çlirim nga një kulturë raciste.
Le të përqafojmë Krishtin, i cili dënon çdo dallim e çdo formë diskriminimi të njeriut.
Le të luftojmë për një botë shqiptare pa dallime.
Le ta ruajmë veten nga hipokrizia dhe pushteti i shprehive shqiptare; nga mendimet, gjestet dhe formulimet raciste që na janë bërë natyrë e dytë.
Le t’iu japim fëmijve tanë një shans për ta lexuar botën e Zotit me sytë e tyre; për ta prekur krijesën e Tij të papërlyer nga zgjebja e racizmit. Amin!
Bizantin,
Shkrimet e tua nuk dalin me tek Peshku dhe nuk i lexon njeri. Pashe se ta kane hequr blogun nga lista atje. Me vjen keq per izolimin tend.
Helm e ke gojën, Hauser!
Nga ta nisim të panisurin koment tëndin….
E para, shkrimet e mia nuk dalkan tek Peshku… Po kush është “Peshku pa ujë” dhe për rrjedhojë ç’lidhje kanë shkrimet e mia atje?
E dyta, shkrimet e mia nuk i lexoka njeri… Po nëse nuk më lexon njeri, përse të shkruaj unë? Qenkam i trashë domethënë? Po ti pse më lexon pastaj. Ç’do këtu ti?
Vërtet që blogu im ishte tek lista e blogjeve të indeksuar të Peshkut, por do të ishte spekulluese të besoja se shkrimet e mia lexoheshin më tepër në të kaluarën. Sidoqoftë, të qenurit brenda a jashtë Peshkut nuk ka asnjë ndikim a efekt në punën time. Anjë grimë.
E treta, e vërteta, izolimi… Izolimi është mallkim kur është grupor, por kur është vetjak dhe i zgjedhur është bekim, sepse të shton dritën e ndonjëherë edhe jetën…
Faleminderit!