
Kam pritur të lexoj diçka ortodokse mbi ndeshjen e shqiptarit me krishtërimin, domethënë një seri temash ku të vihet përballë vështirësia grupore shqiptare ndaj mësimeve dhe urdhëresave të Jezu Krishtit. Ose, të paktën, një seri predikimesh ku leximet e përjavshme dielore të rroken e të përsiaten pa paragjykime, pa frikë institucioni; me dashuri, drojë dhe guxim njëherësh. Me përgjegjësi ndaj bashkëkohësve.
Kërkohet sot një përqasje teologjike në kulturën shqiptare, madje me prirje trazimi shpirtëror, për t’u shkundur mirë, që të marrim pak frymë.
Nuk trashëguam fare teologji vendore nga e kaluara shqiptarbërëse. Sepse dy të mëdhenjtë e fushës, Kristoforidhi dhe Noli, të cilët bënë kaq shumë për tekstualizimin e Fjalës në shqipe, iu shmangën haptas teologjisë; e nisën dhe e përçuan veprën me dije, zell e hollësi: filologjikisht në histori. Dy të mëdhenjtë lindën dhe vdiqën si përkthyes-filologë, madje duke përkthyer në shumicë përkthime. Ishte atëherë kur kopjimi e shumëfishi në letrat shqipe jo vetëm që s’nxinte, por zbardhte kriteret e prodhimtarisë.
Një parantezë. Botimi i vetëm teologjik i Nolit, një katekizëm e shkurtër, ishte një përkthim i një përkthimi tjetër, duke i hequr madje dhe emrin autorit… Ku është predikimi i tij në ortodoksinë shqiptare?
Në fillim Noli, i ndihmuar nga shkrimet “anatomike” të Faik Konicës, e pati për qef të shkruante mbi mendësinë shqiptare, mbi veset, tekat, shprehitë dhe praktikat e shqiptarëve, duke i ardhur shumë afër temës kulturore, por mbas aktivizimit në politikën shqiptare ndryshoi kurs. U kompromentua. Kur doli nga politika zyrtare ai përsëri ndërmori projekte penguese, sidomos i ai kultit të Fanolit. Për më keq, ato pak ligjërime noliane anglisht nuk kanë asgjë gjurmë teologjike. Ku është predikimi i peshkopatit ortodoks? Ndoshta tek busti në narteksin e një kishë-xhamie…
Diktatura, në të njëjtën kohë, ia përthau trurin shqiptarit. Kisha u përpoq të mbijetojë duke i shërbyer atij zoti dhe këtij despoti, derisa iu dorëzua këtij të fundit dhe humbi. Dhe megjithatë ekzistojnë predikime ortodokse të asaj kohe.
Gjithsesi, nga çka u shkrua para e gjatë komunizmit, bëhet fjalë për të sjellë në predikimin shqip atë që është e natyrshme në gjuhët e tjera: një përpjekje së pari gjuhësore dhe së dyti spirituale. Nëse teologë si Dhimitër Beduli e Theofan Popa, fjala bie, shkruan punime mbi kishën shqiptare, ato vepra ishin vazhdimësi e kombëtarizimit të Kishës, të mira në thelb, por naïve në trajtim. Teologët e kaluar nuk kishin as zotësi e as guxim ta cekin problemin e kontaktit si konflikt kulturor: Shqiptarët dhe krishtërimi.
Mbas ringritjes së KOASH-it me nismën dhe mbështetjen parësore të shtetit grek, ekzistojnë sot disa gjini predikimesh në shqipe. Shumica janë përkthime predikimesh nga greqishtja e anglishtja. Disa botime janë të kryera privatisht, jashtë e brenda Shqipërisë, e të tjera nga KOASH-i. Një pjesë janë përmarrje zelltarësh grekë, nga ato që nuk pinë ujë as në Greqi, e të tjera janë kopjime andej-këtej nga greqishtja e anglishtja.
Gjithsesi, pavarësisht nga rrëmuja, ekzistojnë sot predikime të nevojshme e serioze në shqipe. Vlen të themi se predikimet e pasdiktaturës kanë synime kishtare-spirituale, por pa e prekur temën tonë, atë konfliktualen.
Dhe ja tek vjen teologjia politike e Janullatosit! Çdo marrje spirituale aktualizohet me dhënien e një misioni në ankth. Predikimi politizohet duke përlëshuar përgjigje sa andej këtej, me një gjuhë e trajtim të tejkaluar për gjetkë, por gojëhapës për intelektualët e sotëm shqiptarë. Megjithatë, që të rrimë shtrembër e të flasim drejt, predikimet e Janullatosit e kanë tundimin për të bërë diçka të mbarë në gjuhën shqipe, a qoftë dhe për të thelluar mendimtarinë kishtare në Shqipëri.
Në këtë cektinë intelektuale në ortodoksinë shqiptare, me këtë shfytyrim të kishës vendore (me peshkopë nga Greqia dhe nga komuniteti mysliman), me një regjim kishtar kaq të centralizuar, me një veprimtari intelektuale kaq të kontrolluar, dhe me një diasporë shqiptare ortodokse urtësisht të zhbërë e në shërbim të interesave amerikane e myslimane, nuk ekziston sot në shqipe predikim më i fortë kishtar sesa ai i Janullatosit (Është i tillë pavarësisht se nuk ka vlera tekstuale, sepse i përkthyer nga greqishtja fjalë për fjalë në një zhargon kultist; pa art, pa liri prefesionale në gjuhë, pa shpengim shprehimor, me dobësi të dukshme gjuhësore). Thuani ç’të doni, ju të tjerët, e bjeruni teneqeve të shqiptarizmës…
Në këto predikime të Janullatosit, të cilat kanë nisur të botohen në libra shqip, nuk priten kërcime kulturore, domethënë të gjejmë atje problemin e përballjes së shqiptarit me Krishtin, atë që kërkojmë këtu. Kjo nuk ndodh sepse, nga njëra anë, teologu nuk është i lirë dhe, nga ana tjetër, autori nuk e njeh mirë shqiptarin.
Ungjilli i Janullatosit është i kompromentuar, prandaj dhe e improvizuar sjellja e tij me grigjën shqiptare. Ky realitet, kjo dhënie-marrje e përjetshme, këto shkëmbime të dhimbshme e të përditshme dhe, sidomos, epërsia e shumëfishtë e Njëshit në lidhjet e tij të ngushta e personale me shqiptarët, mbretërimi i njerëzores, pra, e pengon Janullatosin t’i futet shpirtit shqiptar.
Fola për ortodoksët sepse është zona ku lëviz lirisht, por jo se në komunitetet e tjera është bërë ndonjë gjë më e madhe në këtë lëmë. Përkundrazi, vështirësia shqiptare në përballje me krishtërimin është më e madhe gjetkë. Racizmi dhe mospranimi i tjetrit, që të përmendim vetëm një pikë të debatit të pamundur, është më i madh tek shqiptarët katolikë. Ndërsa përdorimi i fesë për politikë dhe përfitime personale e klanore është më i madh tek myslimanët e konvertuar në krishtërim. Ajmé për pabesinë.
Nëse konvertimet e pasdiktaturës do të ishin me të vërtetë me motive spirituale, me përjashtim të pak rasteve, tema e vështirësisë shqiptare për t’u pajtuar me krishtërimin do të ishte trajtuar prej vetë të sapondriçuarve. Përse jo? Ka mjaft myslimanë të konvertuar që i kuptojnë paq këto që rrihen këtu. Sa e ndershme do të ishte! Ku mërgoi e vërteta?
Problemi, atëherë, nuk është mungesa e potencialit intelektual, sesa ajo e lirisë. E pamundura në kulturën shqiptare. Liria e myslimanëve shqiptarë është njësoj e kompromentuar…