Myslimanët në kishën tonë (6)
Për të ndalur myslimanët
Në fund të kreut të parë të kësaj teme dua të kujtoj atë që më shtrëngoi të hap një debat të tillë: heshtja e fajit shqiptar, filli i këtij debati. Ndërsa media shqiptare foli e përfoli fronëzimin e një peshkopi grek në Gjirokastër (këtë herë me përkorje, pa histerinë që përshoqëroi zhvarrosjet e Përmetit), askush nuk tha një gjysmë fjale për suprizën tjetër, për shugurimin e dy peshkopëve shqiptarë nga familje myslimane. Madje gazetat që mbështesin qeverinë e sotme e bënë heshtjen prej varri. Të njëjtat gazeta, ato që kur PD-ja ishte në opozitë e bënin mizën buall për çdo send ortodoks, tashmë nuk e përmendën as si lajm këtë përndryshe kryelajm të atyre që çirren për kombin. Sikur nuk ka ndodhur asgjë, domethënë. Partia mbi të gjitha! Sepse, sipas shprehjes greke, “e kanë të përlyer folenë”, prandaj dhe heshtin.
Përderisa debatojmë mbi heshtjen dhe mbi dialektikën e saj si gjest kulturor, ekziston një pyetje në lidhje edhe me psenë e heshtjes së ortodoksëve ndaj Joan (Fatmir) Pelushit këta dhjetë vjet, i cili, megjithëse dihej se ishte nga familje myslimane, nuk u përmend publikisht. Së pari, nuk është debatuar jashtë kishe për arsye të drojës që kemi ne ortodoksët për të përmendur botërisht emrin e myslimanëve. Më kujtohet se kur dëgjoja ortodoksët ta përflisnin atë qysh në mesvitet 90, unë nuk ndihesha lirshëm as t’i dëgjoja, pikërisht se at Pelushi ishte nga familje myslimane, dhe unë atëherë qeshë subjekt i heshtjes së imponuar ndaj emrit mysliman. Së dyti, ai është pranuar si rast i vetëm, i pa precedent dhe prandaj i papërsëritshëm, si përjashtim për gjendjen kishtare të mesviteve 90. Por shugurimi edhe i dy myslimanëve të tjerë në nëntor 2006 e shtoi në tre numrin e tyre, në një kohë kur nuk ka asnjë peshkop ortodoks. Së treti, dhe kryesorja, at Joani jepte përshtypjen e durimtarit të madh dhe nuk fliste as ashtu e as kështu në lidhje me Janullatosin. Nuk fliste se deri dje kishte frikë nga ortodoksët, por tradhtia e vërtetë, pabesia vendore, pra, ia nxorri jashtë frikën…
Madje mbas statutit të ri të KOASH-it, miratuar në nëntor 2006 edhe ky, duket qartë në një nen të tij se Janullatosi po përgatitet të shugurojë edhe një peshkop tjetër asistent të vetin në kryepeshkopatë.[1] Me këto përpjestime të reja në sinod, ai do ta ketë shumë të lehtë të emërojë peshkop arqimandritin Justinos, i cili madje flet e meshon shqip. Mbas maskaradës së nëntorit 2006, një grek tjetër në sinod nuk do të përbëjë tashmë asnjë befasi. Pastaj, ku kishte befasi më të madhe se fronëzimi i një greku jo shqipfolës në Gjirokastër? Për më keq, ku kishte suprizë më të madhe se vetëzbulimi i Pelushit?
Ndjenja e drojës që shoqëria e sotme shqiptare përpiqet të kultivojë tek ortodoksët, për të mos ta përmendur publikisht emrin e myslimanëve, jo vetëm që pasqyron një realitet të kthjellët psikologjik, domethënë komplekset tona si pakicë e abuzuar, por është pikërisht dëshmia e fajit shqiptar dhe strategjia vendore për të sunduar me çdo çmim. Në fund të fundit, nuk kërkojmë t’i përmbysim dhe t’i shkelmojmë myslimanët nga kryesia e Kishës, siç kanë bërë vetë ata me ortodoksët. Jo, jo. Kërkojmë të prishet heshtja e tyre fajtore, që të ndalet diskriminimi i komunitetit ortodoks. Mbi të gjitha, kërkojmë që këtej e tutje peshkopët myslimanë të mos përdorin fronet e përdhunuara të ortodoksëve për të poshtëruar një komunitet të dobët e të pafuqishëm, i cili komunitet e ka të pamundur sot të formulojë pozitën e tij minoritare në rajon. Sepse është i poshtëruar nga grekët dhe nga myslimanët, pavarësisht se nuk mundet ta thotë.
Nëse përqasja ime është e zhdrejtë, si qenka Janullatosi i pazëvendësueshëm, atëherë? Si nuk paskan të drejtë shqiptarët e mitropolisë së Gjirokastrës të kenë peshkopin e tyre, në gjuhën e tyre? Si nuk paskan të drejtë shqiptarët e Sarandës të kenë kishën e tyre në atë qytet, siç e kanë grekët atje? Si nuk paskan të drejtë shqiptarët e Amerikës së Veriut të meshohen shqip? Për më tutje, si u katandis Ortodoksia Shqiptare të përfaqësohet sot nga Liolini dhe Pelushi? Nëse përmbysen shkrimet e mia, kush mund të dalë e t’iu përgjigjet pyetjeve të mësipërme, të cilat nuk janë vetëm të miat, të një teologu përndryshe mëditës në Kanada, por dhe të mjaft shqiptarëve ortodoksë në Shqipëri dhe jashtë saj?
Ai që është më afër traditës sonë është mitropoliti arvanit i Beratit. Hirësia e Tij, Ignati, është më afër nesh si nga grekët ashtu dhe nga myslimanët, por ai shihet mbi kombësitë, përderisa është edhe shqiptar edhe grek. Me këto përpjestime të reja, duke mos anashkaluar dhe luftën që i bëhet ende sot Ignatit nga mbetjet e kolonëve turq në Shqipëri, arvaniti është më minoritari në komunitetin ortodoks të Shqipërisë. Siç e sugjeruam vjet, në këto rrethana gjithandej bllokuese, ai ishte kandidati më i përshtatshëm për gjendjen e sotme në mitropolinë e Gjirokastrës, për t’i lënë edhe vendin një shqiptari ortodoks në Berat.
Shqiptarët nuk u lodhën së servilosuri ndaj Janullatosit, me çmime e dekorime deri në të vjellë, por nuk duan të nderojnë një njeri që vlen të meritohet, për më tepër kur ne kemi nevojë të krijojmë lidhje kishtare, spirituale e gjuhësore, domethënë kulturore, me arvanitët e vendlindjes dhe të vendshërbimit të mëparshëm të imzot Ignatit; në trevat ku ende sot ruhet tradita e përbashkët shqiptare. Izolimi i mitropolitit arbëror të Beratit nuk tregon vetëm se ai është i vetmi peshkop në Shqipëri që nuk është zgjedhur nga Janullatosi, por dëshmon se nderimet që iu bëjnë shqiptarët të huajve, në këtë rast grekëve, nuk bëhen me sinqeritet e me meritë, por në hulli të traditës vendore, me pikënisje inferioriteti, servilizmi dhe përfitimi.
Shenjti i Beratit është i vetmi klerik ortodoks që ka pohuar publikisht se mirëqenia e kishave shqiptare nuk është vetëm meritë e misionit grek, por dhe e besimtarëve shqiptarë![2] Duhet theksuar ky fakt, jo vetëm për të vënë në pah qëndrimin e kristaltë kishtar të hierarkut, në kundërshtim me qëndrimet plastike të mitropolitit argjenddashës të Korçës, por që të ngushëllohen edhe ata shqiptarë që japin, sepse besimtarët tanë nuk japin nga teprica, por nga mungesa. Shqiptari është bujar kur shkon në kishë dhe sidomos kur e fton priftin për një shërbesë, përndryshe, nëse priftërinjtë nuk mbështeteshin nga besimtarët, por vetëm nga rroga që marrin nga Janullatosi, a do të mbijetonin dot familjarisht?
Në një vizion shqiptar, prania e myslimanëve si alternativa tjetër, mbas grekëve, në kryesinë e kishës ortodokse shqiptare, përbën më tepër rrezik sesa prania greke në Kishë. Më duket sikur dëgjoj pesë vjet nga sot të thonë vëllezërit e jugës: “Nuk mund t’i lëmë ne shqiptarët ortodoksë me peshkopë myslimanë. Dhe përderisa nuk ka peshkopë shqiptarë ortodoksë, ne jemi të detyruar t’i përfaqësojmë e t’i mbrojmë ortodoksët.” Po kush i përjashtoi shqiptarët ortodoksë nga hierarkia e kishës së tyre? Kush na i imponoi myslimanët si peshkopë në Kishë? Vetë misioni grek, për të riaktivizuar kujdestarinë dhe dalëzotësinë ndaj shqiptarëve ortodoksë; për të na kontrolluar kulturorisht.
Një trajtim i tillë i shqiptarëve ortodoksë është keqdashës në hallakatjet e sotme ndërgjegjësore në rajon, është shpirtvrasës për të ardhmen e komunitetit ortodoks në botën e larmishme shqiptare, por është dhe përdhosës i aspiratave të lëvizjes së komunitetit tonë në periudhën e Rilindjes. Ortodoksët u gënjyen dhe luftuan për integritet e për balancë, ndërsa sot ata janë shkelur e zhbalancuar, pikërisht nga myslimanët. Rrëshqitje të tilla të myslimanëve, jashtë vlerave të tyre të mirëfillta, si dhe nxiti për të kontrolluar me çdo çmim, janë edhe një provokim ndaj vetë besimtarëve myslimanë. Atyre dhe vetëm atyre iu kërkoj ndjesë, për këtë shpërthim të papritur por të imponuar prej vetë klaneve myslimane, sidomos atyre shekullare. Sepse janë pikërisht këto klane që, me militantizmin e ateizmit shqiptar, një version i skajshëm dhe çnjerëzor ideolegjemash lindore, dhe me pafytyrësinë e pabesisë vendore, munden dhe kontrollojnë median e sotme shqiptare, duke izoluar kundërthënësit.
Mirëkuptim kërkoj edhe nga myslimanët që kanë ndihmuar dhe ndihmojnë projektet tona ortodokse, pavarësisht në janë besimtarë, jo besimtarë, a ateistë. Ata ndoshta nuk mund ta kuptojnë gjendjen, a nuk mund të pajtohen me të, edhe mbas këtij leximi ngacmues. Sidoqoftë, tejet sikletit fillestar, jam i bindur se ky debat suprizë do të japë pemë të mira për të drejtën dhe vetëm për të drejtën e shqiptarit, pavarësisht se sa humbet autori. Ky debat do t’i shtrëngojë myslimanët të jenë jo vetëm më të përkorë publikisht mbi çështjet ortodokse, gjë që deri diku është arrirë këta dy-tre vjet, por të jenë më të kujdesshëm edhe privatisht. Do t’i shtrëngojë ata të rivlerësojnë jo vetëm qëndrimet ndaj Liolinit dhe Pelushit, këtyre dy dopiofavoritëve, por do t’i nxisë myslimanët të rivlerësojnë marrëdhëniet me ta. Shkurt, ky kallëzim i yni do t’i bëjë myslimanët të jenë më pak intrigantë ndaj të krishterëve ortodoksë. Diskursi mbi marrëdhëniet myslimano-ortodokse në botën shqiptare, nëse thellohet e përkrahet publikisht nga intelektualët që mendojnë e flasin ndershëm, tejet përkatësive, do të jetë një trysni për më tepër integritet në kulturën shqiptare.
Përndarja dhe përçarja e myslimanëve shqiptarë këto vite, me konflikte të mëdha mes tyre ndonjëherë, nuk ka si të fshihet, ashtu siç nuk është fshehur instrumentimi i disa klaneve myslimane shqiptare nga fuqi tejshqiptare, sidomos në SHBA. Oksimorja është tek fakti se të njëjtat fuqi perëndimore mbështesin sot hapur e shumëfishtas Janullatosin dhe misionin e tij politik në Shqipëri, duke shkaktuar pështjellim dhe përçarje më të madhe brendashqiptare. Duket se këto klane të përdorura shqiptare, trashëgimtare të sundimeve të moçme, e kanë gjetur Babën dhe Perandorinë atje ku fuqia dhe interesat janë më të mëdha sot, tek Amerika, e cila ka shumë nevojë për ta, ashtu si Turqia qëmoti. Nëse Amerika vendos një ditë të shkaktojë ndryshime rrënjësore në Jug të Shqipërisë, nuk dimë se deri ku do të arrijnë myslimanët kundër ortodoksëve… Sido që të ndodhë, myslimanët e kanë dhënë shenjën se janë të aftë të rezistojnë kufij kulturorë në rajon, ashtu si para një qindvjeçari: Që të shtypen pakicat, atje ku përkasin edhe shqiptarët ortodoksë të Jugut, të cilët nuk janë as grekë e as myslimanë dhe prandaj të nëpërkëmbur.
Mbas 11 Shtatorit religjionet janë tashmë pjesë e pashkëputur në çdo përqasje kulturore dhe instrumentimi zyrtar i liderëve fetarë, si dhe ai parazyrtar i periferisë fetare, është pjesë e politikës amerikane. Vëzhgimi dhe vëmendja për çdo send fetar, sidomos në zona strategjike, atje ku në të njëjtën kohë ekziston potenciali i trazirës, është shumë pak për të përshkruar sot raportet e fesë me shtetin në botën perëndimore. Në të kundërt, shumë të paktë janë intelektualët shqiptarë që përfshijnë fenë në shkrimet e tyre. Sepse shumica e intelektualëve tanë, sado që të përpiqen të ndryshojnë, nuk zhvishen dot nga fryma e kulturës së diktaturës, edhe kur tërbohen publikisht kundër saj. Studimi i religjionit vazhdon të konsiderohet nga shumica e intelektualëve shqiptarë si çështje tempullore, ndryshe nga bota perëndimore, ku religjionet përqasen si realitete të pamohueshme kulturore.
Përjashtimi i shqiptarëve ortodoksë nga hierarkia e kishës së tyre, pengimi për të folur publikisht e për të përmendur emrin e myslimanëve, si dhe bashkëveprimi greko-mysliman për të zhbërë gjegjësit, na shtrëngon të nisim e të vazhdojmë këtë debat të ri, këtë përpjekje për të denoncuar, për të zbardhur lojën, për të nxitur ortodoksët dhe për të trazuar ujërat e qelbura shqiptare. Kjo do të ndihmojë jo vetëm ortodoksët dhe të interesuarit mbi jetën e këtij komuniteti, por dhe vetë besimtarët myslimanë, të cilët po paguajnë sot çmimin e përçmimit ndërkombëtar ndaj besimit të tyre të respektuar, me pasoja të drejtpërdrejta në jetën shqiptare. Shtrëngesa ndërkombëtare, kjo përndjekje ndaj Islamit, pra, ka shkaktuar ankth të madh në botën myslimane shqiptare për të gjetur mënyra të reja mbizotërimi, madje duke mohuar edhe besimin e tyre fetar e duke predikuar konvencionalisht besime të tjera.
Në mbyllje të këtij kapitulli hyrës, përsëri dhe përsëri dua të theksoj bindjen tonë ndërgjegjësore, shqetësimin e madh, se problemi mysliman në ortodoksinë shqiptare është problem më i madh se ai grek, prandaj dhe ia vlen të rrezikojmë: Për të ndalur myslimanët! Përndryshe, mbas Janullatosit, jo vetëm grekët do të jenë të përhershëm në rolin e tyre të dalëzotësit ndaj ortodoksëve, duke vjetëruar rishkrimet më të fundit mbi palimpsestin e dëmtuar shqiptar, por ka të ngjarë që vetë ortodoksët të ngrenë pikëpyetje të cilat nuk kemi pse t’ua vemë në mendje sot. Ia vlen ta çelim një debat të tillë, aq më tepër këtë vit, shtatëdhjetë vjet mbas njohjes së autoqefalisë sonë: pranverë 1937 - pranverë 2007.
@ Foti Cici, 2007
The URI to TrackBack this entry is: http://bizantin.wordpress.com/2008/03/05/myslimanet-ne-kishen-tone-6/trackback/
I perndershem z.Cici!E lexova me kersheri artikullin tuaj(sic shoh qenkan grup shkrimesh dhe te them te drejten,me gjithe deshiren time te mire,per arsye shendetesore,nuk mund te rri gjate ne kompjuter!) dhe ju pergezoj per objektivitetitn ne shkrim.Jo vetem kaq,sic e cmoj(me aq sa di,de!) verej tek JU nje njohes te mire jo vetem te historise se Religjionit,por je nje levrues i sakte i shqipes.Pothuaj,kalimthi mund te thuash,njoh luften tuaj tedrejte per nje kishe shqiptare dhe qe ne Shqiperi kam njohur antagonizmin qe kini me Janullatosin.Sado qe jam bektashi,une ne kete”lufte” jam katerciperisht me ju!Mund te shkruaja gjate,por thashe qe s’jam mire.Me sa di une(ndoshta jam i gabuar?!)At Liolini sikur flet shqip.Sa per te tjerat,nuk u heq asnje presje.Sidoqofte,i Pernderuar,ju uroj gjithe te mirat dhe kur thonin te paret tane”zente basubeja juaj!”.
Perparim Hysi,5 mars 2008
I nderuar zoti Hysi,
Së pari, ju falënderoj për fjalët e mira dhe për leximin, edhe pse shëndeti ju mundon. Me këtë rast ju uroj të shkuara!
Së dyti, ju përgëzoj që rrëfeni besimin tuaj publikisht, aq më tepër kur shkëmbeheni me një shqiptar të një besimi tjetër, sepse kjo është shenjë realizimi personal dhe integrimi në një shoqëri të hapur, para se të jetë dëshmi e tolerancës sonë ndërfetare.
Në të kundërt, shqiptarët më të pabesë që kam njohur gjatë këtyre dy dekadave në Greqi, Angli, SHBA e Kanada, ishin dhe janë ata që e mohojnë përkatësinë e tyre fetare…
Së treti, ju keni të drejtë se at Artur Liolini flet shqip, ndoshta jo sa Janullatosi, por merret vesh për bukuri në një bisedë të thjeshtë. Mirëpo në fushën tonë, i dashur zotëri, shqipja e kuzhinës nuk mjafton, edhe sikur ta hedhësh lumin pa u lagur. Por qortimi s’ishte as atje, ndoshta, sepse peshkop Nikon Liolini, vëllai i at Arturit, nuk di asnjë fjalë shqip. I kam takuar të dy dhe nuk flas kot. Është turp, më ndjeni për këtë, që peshkopi i shqiptarëve të Amerikës nuk di shqip.
Ishte shumë komike kur Nikon Liolini shkoi në Tiranë dhe Janullatosi e prezantoi në kishë shqip, ndërsa ky ia ktheu anglisht… Çfarë tjetër t’ju them?