Myslimanët në kishën tonë (4)
Beteja e vullneteve
Tejet mitologjisë nacionalkomuniste mbi autoqefalizmin e ortodoksëve, si odé i himnores së riteve kombëtariste, lufta e shqiptarëve ortodoksë para një qindvjeçari për t’u kategorizuar ndryshe në Ballkan, nuk synonte vetëm për t’u mëvetësuar nga grekët, por për t’u çliruar edhe nga shtypja e myslimanëve shqiptarë, të cilët e përdornin brishtësinë e pozitës midis (pezull) të këtij komuniteti për të bërë kompromise dhe aleanca me turqit dhe grekët. Sepse shqiptarët myslimanë dhe grekët ndodheshin në pozita bashkëqeverisëse të ligjëruara në rajon, pavarësisht nga çastet ndërluftuese dhe urrejtja e përjetshme për njëri-tjetrin. Kisha ortodokse ishte një, sepse edhe perandoria një ishte. Ishte beteja e vullneteve greke e myslimane në të njëjtin rajon, atje ku vullneti i shqiptarëve ortodoksë shihej si ai i ujkut që s’njeh fuqinë e tij…
Në të njëjtën vazhdë kulturore, si pasojë e kompromiseve të 2006-ës midis grekëve dhe myslimanëve, shqiptarëve ortodoksë të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Lunxhërisë, Sarandës, Delvinës, Bregut, e gjetkë në Jug, iu imponua një kryebari jo shqiptar, i cili klerik nuk flet shqip, as meshon në shqipe, edhe pse ka shërbyer për pesëmbëdhjetë vjet në të njëjtën trevë dygjuhësisht të përfolur. Sepse kështu e pleqëruan dhe e bekuan bashkarisht grekët dhe myslimanët.
Këtu ka vend për një pyetje, të cilën shqiptarët nuk e pandehin prej meje: Përse u dëbua nga Shqipëria arqimandriti Krisóstomos në mesivitet 90, i cili drejtonte në praktikë atëherë mitropolinë e Gjirokastrës? At Krisostomi mësoi shqipen, fliste dhe meshonte në të dy gjuhët e besimtarëve, shërbente me çiltërsi, rendte gjithandej ku kishte nevojë, kishte nisur projekte muzikore me përkthimet e Nolit, e të tjera punë të dobishme për ortodoksët. Ja të kujtojmë se për të atëherë u përfolën dy akuza: Nuk i bindej verbërisht Janullatosit dhe se iu gjendën harta të Vorio Epirit në makinë. E para u tha vetëm në rrethet kishtare, sidomos në Greqi, por e dyta u demonizua publikisht nga shqiptarët, deri në banalitet.
Edhe sikur të ishte i atillë at Krisostomi, edhe nëse hartat nuk ia futën të tjerë në makinë, sot qeveria e PD-së ka sfiduar vetveten: Si u dëbua nga Shqipëria një prift shqipfolës, i cili madje kishte fituar zemrën e besimtarëve të të dy kombësive, dhe na imponuan menjëherë mbas tij atë që është ngritur sot në peshkopat, një klerik që nuk flet tjetër gjuhë veç greqishtes, një rezident i përhershëm në Shqipëri që nuk do të mësojë shqip? Nëse prifti i dëbuar nuk i bindej verbërisht kryepeshkopit, prandaj dhe i përndjekur nga shqiptarët, hirësi Dhimitrios ka qenë këto vite një nga pengesat kryesore, në mos më e madhja, për hapjen e një kishe për shqiptarët ortodoksë të qytetit të Sarandës. Ndërsa prifti grek u akuzua se kishte harta të Vorio Epirit në makinë, tanimë kemi një mitropolit në fronëzimin e të cilit morën pjesë (në Gjirokastër), shoqata greke që kërkojnë as më shumë e as më pak por copëtimin mëdysh të Shqipërisë. Çfarë shpërfytyrimesh kanë ndodhur në politikën shqiptare, apo më mirë, çfarë tjetër i pret ortodoksët e mitropolisë së Gjirokastrës mbas pesë vjetësh, le të themi?
Bashkëveprimi i disa versioneve të grekësisë në Shqipëri këto vite, pajtimet dhe përplasjet e tyre të pashmangshme e të pabujshme, pa dyshim kanë ndikuar në vendimmarrjen mbi shqiptarët ortodoksë. Duke kundruar këtë skemë surealiste të nëntorit 2006, e duke u përsiatur mbi shkëputjet ndonjëherë këmbëngulëse të bashkëkohësve për të shquar të kaluarën, tek rrëmbehen të shqetësuar nën pushtetin e imagjinatës, do të thoja se nuk duhet shkuar aq larg. Mbas viteve 90 në botën shqiptare janë shfaqur realitete që nuk mëtojnë zhvendosje as në kohë e as në hapësirë. Ndoshta ky konstatim ka bërë disa bashkëvuajtës të mi të humbasin kërshërinë, e cila bashkekziston me zhgënjimin e shqiptarëve; çuditërisht tek shumica e tyre. Përkundrazi, vështirësia qëndron tek dëshira për të shquar apo për të shpërnjohur realitetin shqiptar, atje ku përzgjedhja bëhet midis sinqeritetit dhe hipokrizisë. Atje ku rrëshqasin myslimanët.
Kompromiset midis grekëve dhe myslimanëve për të ndarë kurorën, fronet dhe fondet e ortodoksisë shqiptare, nuk ishin të panjohura për ortodoksët, të cilët flasin shpesh me njëri-tjetrin tek shquajnë pikat kyçe të kishës shqiptare të jenë zaptuar nga myslimanët. Mësymja e myslimanëve në komunitetin tonë është e vërtetë jo vetëm për sinodin, por dhe për administrimin e gjerë të kishave. Numri i priftërinjve me prejardhje myslimane është shumë i madh, frikësisht i madh, dhe nuk mund të justifikohet nga numri kaq i vogël, tepër i vogël, i myslimanëve të konvertuar si tërësi në ortodoksinë shqiptare. Dhe sikur të mos mjaftonte ky shpërpjestim ndërshqiptar, shquani tanimë tre peshkopët e vetëm shqiptarë, të cilët, që të tre, janë nga familje myslimane! Asnjë peshkop nga komuniteti ortodoks. Iu shtoftë Zoti zellin…
Problemi mysliman në kishën shqiptare është në rritje i prekshëm, por nuk dihet se kur dhe në çfarë trajte do të pëlcasë. Myslimanët në kler janë sot problemi më i madh i kishës ortodokse shqiptare, domethënë pamundësia për të shkarkuar Janullatosin nga froni i shqiptarëve, aq më tepër në këtë periudhë historike, kur misioni grek është qarkuar plotësisht në Shqipëri dhe nuk shërben më kishërisht por haptazi politikisht. Për më tutje, konvertimi i disa myslimanëve shqiptarë në krishtërim me pikënisje politike, ekonomike dhe emocionale këto vite, për të përfituar nga grekët, për t’iu servilosur perëndimorëve, për të shtirë në dorë autoqefalinë e KOASH-it, e tok me të edhe pasuritë dhe pikat e influencës mbi një pjesë cilësore të popullit shqiptar, por dhe për të kanalizuar kriza të mëdha identitare përmes ekzotikes dhe të pamundurës, nuk tregon vetëm krizën morale dhe zbrazëtirën shpirtërore të pasdiktaturës, por na vetëshfletohet si libër i gjallë i Historisë Shqiptare. Riciklimi i myslimanëve në historinë tonë të re na ndihmon të lexojmë palimpsestin e rajonit pa kufij…
Gjatë gjithë vitit 2006 ortodoksët flisnin me njëri-tjetrin, nëpër kisha e jashtë tyre, pikërisht se po përgatiteshin dy myslimanë të tjerë për peshkopë, ndërsa mitropolia e Gjirokastrës vazhdonte të ruhej vakante. Duke iu bindur ortodoksëve, e bëra denoncimin atëherë para vendimeve të nëntorit, jo aq për t’u shkrehur a për të dalë borxhit, sesa në përpjekje për të parandaluar paudhësinë, për të nxitur zgjidhje më të ndershme, sigurisht me shpresën dhe fatin e naivit: Besoja se brenda formacioneve qeverisëse të sotme kishte njerëz dashamirës ndaj kishës sonë kombëtare. Besoja se brenda këtyre klaneve myslimane, të cilat përbëjnë pothuaj tërësisht Partinë Demokratike, ka shqiptarë që iu dhimbsen vlerat e përbashkëta, intelektualë që shquajnë e ndajnë shapin nga sheqeri, politikanë me sy të palëbyrur nga çudibërja e një misioni tejfetar. Besoja gjithashtu se edhe tek e djathta shqiptare ka bashkëvuajtës të kryqëzuar në një kulturë që shquhet si antonim i integritetit. Së fundi, besoja se PD-ja ka në gjirin e tij më shumë bashkëqytetarë të çliruar nga bindja “Partia mbi të gjitha!”
I besoja të gjitha këto edhe pse në vetvete kisha dyshime. Mendoja duke tejkaluar vetveten, si pjesëtar i një tradite paqebërëse e drejtpeshuese në botën e trazuar shqiptare, një traditë ortodokse që na ka lënë shenja vetëthënëse. Dhe megjithatë, të gjitha këto vlerësime dashamirëse për të djathtën shqiptare, ishin iluzione. Në të kundërt, zëri i kësaj pjese të ortodoksisë shqiptare, ne që e kemi ndarë veten nga kompromiset e vlerave, ne që jemi të dënuar të mos heshtim por të paguajmë mëkatet e të shumtëve, zëri ynë, pra, tingëllon sot si zëri i atij që bërtet në shkretëtirë. Sepse ne mendojmë, shkruajmë e veprojmë në një realitet shqiptar ku jeta kulturore, dhe jo vetëm, kontrollohet nga myslimanët dhe shërben parësisht interesat e tyre, qofshin këta në paqe a luftë me njëri-tjetrin, apo në ndërluftime apo aleanca të përkohshme a afatgjata me grekët. Kur vjen puna tek shqiptarët ortodoksë, pajtohen të djathtë e të majtë, shqiptarë e grekë. Nëse jo, si qenka i pazëvendësueshëm Janullatosi, atëherë? Për më tej, si nuk u gjend një shqiptar ortodoks për mitropolinë e Gjirokastrës?
Kontrolli mysliman në kulturën e sotme shqiptare është një fakt që nëse e besoja vetëm unë, do të isha tërhequr krejt nga shkrimet shqip. Sepse është shumë e hidhur dhe krejt zhgënjyese! Duket se për të shqiptarizuar plotësisht ortodoksinë tonë, e vetmja mënyrë është të luftojmë njëri-tjetrin. Vetë mbyllja e misionit shqiptar në Kanada ishte pasojë e luftës parësisht nga klanet myslimane dhe dytësisht nga ato greke. Që të rrimë shtrembër e të flasim drejt, kisha greke nuk ka vënë dorë tek ata shqiptarë ortodoksë që janë mbështetur nga myslimanët. Le të kujtojmë shembullin e Petro Luarasit. Kush ia çonte të lidhur dhespotit të Kosturit, sa herë që ai e kërkonte? Shqiptarët myslimanë!
Jo vetëm në të kaluarën, por edhe në mesvitet 90 ka pasur priftërinj shqiptarë që kanë bërë shkelje të mëdha kanonike, të cilët kanë ndërhyrë madje fizikisht në juridiksionin kishtar të Shqipërisë, por jo vetëm që nuk iu ka hyrë gjemb në këmbë dhe janë ende priftërinj meshtarë e të punësuar në diasporë, por gëzojnë madje statusin e patriotit. Askush nuk ka guxuar t’i pushojë e t’i shkelmojë nga kleri, sepse shkelësit e kanoneve janë instrumentuar dhe mbështetur nga myslimanët dhe kanë bërë lojën e tyre. As më shumë e as më pak.
Në të kundërt, unë u thashë jo si myslimanëve ashtu edhe grekëve. U luftova prej këtyre dhe atyre, pikërisht se pata qëndrime të ndershme, të balancuara, as me klanet myslimane e as me ato greke. Jam luftuar nga myslimanët se nuk pranova të punoj për interesat e tyre kontrolluese në kishën shqiptare, dhe jam luftuar nga grekët se iu kundërvura me qëndrime brendakishtare një misioni çshqiptarizues. Thënë ndryshe, nuk qeshë racist ndaj grekëve, por në të njëjtën kohë paraqita rrezikshmëri për planet e tyre në Shqipëri. Jam krenar, veç, se megjithë këtë luftë të pabesë nga të dy palët, ruaj ende të patjetërsuara ato qëndrime që vijnë ndesh me mendësinë e sotme shqiptare, por që pajtohen me të drejtat e njeriut, ato qëndrime që i përkasin të ardhmes, ato qëndrime që do të mbeten, dhe jo qëndrime emocionale, të çastit, të përfitimit e të metodës vendore sot për sot, apo qëndrime të skajshme, të cilat i kanë shtuar probleme problemit shqiptar, në një rajon me shumë probleme, edhe pse shërbejnë si stimulantë lumturie për mjaft bashkëkohës.
Përderisa pa mbështetjen e myslimanëve nuk bëhesh dot as prift ortodoks, atëherë, a do të kishte zgjidhje më ideale për ta mbyllur këtë kapitull me dinjitet, sidomos mbas mohimit për t’iu falur kultit të Janullatosit dhe politikave shkombëtarizuese të misionit grek? Sa heroike do të dëgjohej për shqiptarët, por për mua jo dhe aq, sepse do të më shpëtonte, gjë që nuk është fare heroikë. Por ja që s’e bëj dot, sepse nuk jam vetëm unë me këto bindje, prandaj dhe i dënuar të vazhdoj. Është një pjesë cilësore e komunitetit ortodoks, e cila më shtrëngon sot të thuhet e vërteta, atë që ata nuk mund ta thonë copë në Shqipëri: Integriteti i shqiptarëve ortodoksë është shkelur pikërisht nga shqiptarët myslimanë, të cilët vazhdojnë të abuzojnë me brishtësinë e ortodoksëve, me pozitën midis shqiptarësisë dhe grekësisë. Eksperimentuan, madje, gjer në skaje: Na imponuan një skemë vicioze që shërben vetëm interesat e tyre të njohura; për të mbizotëruar në botën shqiptare, madje me mënyra të reja, të paparashikuara, a të pathëna, nga themeluesit e kombit shtet…
Si rrjedhojë, autorësia është e imja në këto shkrime, por bindjet jo vetëm të miat. Formulimet janë të miat, por mendimet qarkullojnë gjithandej në botën ortodokse shqiptare. Zemërata është e imja, por dhimbja dhe zhgënjimi janë të lexueshme në sytë e shqiptarëve ortodoksë. Nervi i fjalës është i imi, por fryma e së vërtetës endet kudo dhe ku i teket fryn; atje ku dalin dhe risimet. Në të kundërt, shihen e shquhen faktet, por në vend të dëgjesës sugjerohet heshtje dhe varrosje. Shqiptarët e shkretë plaken para kohe dhe vdesin nën një heshtje të imponuar. Janë pjesëtarë të një kulture që predikon nderin, për të mbuluar bash këto çnderime. Përndryshe, shqiptarët janë të besës për të huajt, sepse për njëri-tjetrin janë më të pabesët në Ballkan. Për më keq, intelektualët dhe politikanët shqiptarë nuk e kanë për gjë ta zhdukin moralisht njëri-tjetrin, madje kanë marrëzinë ta kërcënojnë edhe fizikisht, por ja që nuk kanë fytyrë t’i thonë Janullatosit sot: “Faleminderit shumë; pleqëri të bardhë!” Betejë vullnetesh, pra, një luftë ku shqiptarët ortodoksë sfidohen dhe ndrydhen.