Janullatosi në Boston

Një grup shqiptarësh ortodoksë në Boston më bëri pjesëtar të disa përplasjeve në komunitetin shqiptar atje, me pasojë përçarjen e tyre mbi pjesëmarrjen apo jo në aktivitetin e 9 marsit që po afron. Është fjala për kremtimin e 100-vjetorit të meshës së parë shqipe në Boston, mbajtur në vitin 1908 nga Fan S. Noli. 

Sipas tyre, at Arturi i ka mashtruar, sepse iu ka mbajtur të fshehtë diçka që s’duhej bërë ashtu: vetëm dje është bërë e ditur se këto kremtime do t’i drejtojë vetë kryepeshkopi Anastasios Janullatos, i cili do të jetë dhe kryegostari në drekën që do të mbahet në Pier 4, mbas meshës dhe shërbesës përkujtimore në Shën Gjergj. Çudia e çudirave!  

Ortodoksët këmbëngulin se kjo ishte vendosur qysh vitin e kaluar, por qëllimisht është mbajtur e fshehtë nga at Arturi, “në zbatim të porosisë nga Lindja”. Ata shtojnë se kanë paguar një biletë të kripur për këtë drekë, gjë që e bën edhe më të vështirë për ta, edhe pse disa grupime shqiptarësh të tjerë i kanë njoftuar Liolinit tërheqjen nga dreka. Për shembull, në një email që ortodoksët më përcollën, shkruar nga z. Fatmir Beja, një shoqatë shqiptare ka njoftuar tërheqjen nga kremtimet, duke kërkuar madje dhe kthimin e 585 dollarëve të parapaguar.  

Në fund, mbas këtij informimi, ortodoksët më luten të zbres unë në Boston, “për të reaguar së bashku”. Mirëpo, edhe nëse i kisha kushtet për t’u larguar nga puna kaq papritur, pa mundur ta justifikoj si urgjencë në kompani, dalin disa pyetje… Si mund të përligjet një ndërhyrje e tillë prej nesh? E të tjera pyetje.  

Mendoj se i vetmi reagim i ndershëm për këtë maskaradë është mungesa nga kisha e Shën Gjergjit atë ditë dhe, sidomos, tërheqja e biletës së paguar. Ata që duan të shkojnë në kishë, le të shkojnë në një kishë tjetër shqiptare e të luten për të gjallë e për të vdekur. Le ta lënë Janullatosin vetëm me Liolinët atë ditë. Përndryshe, me pjesëmarrjen në kësi aktivitetesh jo kishtare e jo kombëtare, nuk i bëjnë nder as komunitetit ortodoks, as Fan Nolit e as gjuhës shqipe që përndryshe është zhdukur nga kishat shqiptaro-amerikane. Në fakt, ky kremtim bëhet shumë qesharak, por shqiptarët e shkretë shushaten kur iu vihet para hajmalia e Fanolit…   

Arsyeja kryesore për organizimin e këtyre kremtimeve është ekonomike. Artur Liolini nuk e organizoi këtë përvjetor se iu hap barku për Nolin, shqiptarët a gjuhën shqipe, as e ftoi Janullatosin se iu hap barku për atë a për grekët. Jo! Gjithë kjo bëhet për të shtuar përfitimet ekonomike në një aktivitet të tillë. Në të kundërt, si do të mbahen Liolinët me rroga si peshkopë, kancelarë, e më the e të thashë? Përderisa arsyeja është ekonomike, pra, vetëm tërheqja e pagesës do t’i vrasë dhe jo manifestimi para Shën Gjergjit. Se ai e ka faqen shollë…       

Por sigurisht arsyet e ndodhjes së Janullatosit befas në Boston nuk janë aspak ekonomike, por vetëm politike, prandaj dhe u mbajt fshehur. Nëse Janullatosi është i pafajshëm, përse të njoftohej pjesëmarrja e tij mbasi ishin vjelur pagesat e të humburve tanë? Në të kundërt, përzgjedhja e të ftuarit kryesor në kësi rastesh luan rol në zgjerimin e pjesëmarrjes, prandaj dhe komercializohet për të shitur sa më shumë bileta, e jo të fshihet për të zhvatur e abuzuar shqiptarët. 

Me k
ëtë përqasje, atëherë, meritojnë përgëzime ata shqiptarë që, tejet përkatësive, e tërhoqën pjesëmarrjen nga një aktivitet i tillë antishqiptar. Me këtë akt të ndershëm ata i japin mësime sinqeriteti pabesisë dhe intrigës në tempull.

Janullatosi, edhe pse i pamundur të meshojë në kishë rregullisht, prandaj dhe i zhvendosur muajt e fundit në Athinë, shkon në Amerikë për të kremtuar diçka tjetër. Në statutin e ri që i imponoi KOASH-it në nëntor 2006, mu në nenin 1 misioni grek e tërhoqi juridiksionin mbi diasporën shqiptare, duke e bërë të pamundur tashmë bashkimin e kishave shqiptaro-amerikane me ato në Shqipëri. Nuk pati asnjë reagim nga peshkopata shqiptaro-amerikane. Ose, le ta themi, reagimi i shqiptarëve të Amerikës ishte ftesa që iu bë Janullatosit si pranim i statutit të ri antishqiptar, për të përdhosur pastaj kujtimin e Fan Nolit dhe kalljen e gjuhës shqipe në kishën tonë.  

Pavarësisht nga ato që shkruan një grup ortodoksësh në Boston, dhe përtej këtyre pak fjalëve që shënova, jam më se i bindur se kreykisha e Shën Gjergjit do të jetë plot më 9 mars. Do të ketë dhe shumë myslimanë atje. Do të jetë – plaça po s’është – edhe z. Sami Repishti, “përfaqësuesi i Portës së Lartë” në Peshkopatën Shqiptare. Për parantezë, është e turpshme që ende sot në Boston të ruhet protokolli i kohës së Turqisë, domethënë prania e epitropit otoman në kishën ortodokse, madje zyrtarisht nën titullin “Human Rights”, athua se po s’është një mysliman në peshkopatën shqiptaro-amerikane të drejtat e njeriut do të shkelen nga doktrina ortodokse… Komunitet i prapambetur!   

Së fundi, një thërrmijë historike. 100 vjet më parë, në mars 1908, a e dini se kush ishte i ftuari i nderit në meshën e parë shqip? Ishte konsulli i Turqisë! Kemi ecur goxha këta 100 vjet…

Published in: on March 6, 2008 at 9:02 am Comments (7)

Myslimanët në kishën tonë (6)

Për të ndalur myslimanët  

Në fund të kreut të parë të kësaj teme dua të kujtoj atë që më shtrëngoi të hap një debat të tillë: heshtja e fajit shqiptar, filli i këtij debati. Ndërsa media shqiptare foli e përfoli fronëzimin e një peshkopi grek në Gjirokastër (këtë herë me përkorje, pa histerinë që përshoqëroi zhvarrosjet e Përmetit), askush nuk tha një gjysmë fjale për suprizën tjetër, për shugurimin e dy peshkopëve shqiptarë nga familje myslimane. Madje gazetat që mbështesin qeverinë e sotme e bënë heshtjen prej varri. Të njëjtat gazeta, ato që kur PD-ja ishte në opozitë e bënin mizën buall për çdo send ortodoks, tashmë nuk e përmendën as si lajm këtë përndryshe kryelajm të atyre që çirren për kombin. Sikur nuk ka ndodhur asgjë, domethënë. Partia mbi të gjitha! Sepse, sipas shprehjes greke, “e kanë të përlyer folenë”, prandaj dhe heshtin.  

Përderisa debatojmë mbi heshtjen dhe mbi dialektikën e saj si gjest kulturor, ekziston një pyetje në lidhje edhe me psenë e heshtjes së ortodoksëve ndaj Joan (Fatmir) Pelushit këta dhjetë vjet, i cili, megjithëse dihej se ishte nga familje myslimane, nuk u përmend publikisht. Së pari, nuk është debatuar jashtë kishe për arsye të drojës që kemi ne ortodoksët për të përmendur botërisht emrin e myslimanëve. Më kujtohet se kur dëgjoja ortodoksët ta përflisnin atë qysh në mesvitet 90, unë nuk ndihesha lirshëm as t’i dëgjoja, pikërisht se at Pelushi ishte nga familje myslimane, dhe unë atëherë qeshë subjekt i heshtjes së imponuar ndaj emrit mysliman. Së dyti, ai është pranuar si rast i vetëm, i pa precedent dhe prandaj i papërsëritshëm, si përjashtim për gjendjen kishtare të mesviteve 90. Por shugurimi edhe i dy myslimanëve të tjerë në nëntor 2006 e shtoi në tre numrin e tyre, në një kohë kur nuk ka asnjë peshkop ortodoks. Së treti, dhe kryesorja, at Joani jepte përshtypjen e durimtarit të madh dhe nuk fliste as ashtu e as kështu në lidhje me Janullatosin. Nuk fliste se deri dje kishte frikë nga ortodoksët, por tradhtia e vërtetë, pabesia vendore, pra, ia nxorri jashtë frikën…   

Madje mbas statutit të ri të KOASH-it, miratuar në nëntor 2006 edhe ky, duket qartë në një nen të tij se Janullatosi po përgatitet të shugurojë edhe një peshkop tjetër asistent të vetin në kryepeshkopatë.[1] Me këto përpjestime të reja në sinod, ai do ta ketë shumë të lehtë të emërojë peshkop arqimandritin Justinos, i cili madje flet e meshon shqip. Mbas maskaradës së nëntorit 2006, një grek tjetër në sinod nuk do të përbëjë tashmë asnjë befasi. Pastaj, ku kishte befasi më të madhe se fronëzimi i një greku jo shqipfolës në Gjirokastër? Për më keq, ku kishte suprizë më të madhe se vetëzbulimi i Pelushit?   

Ndjenja e drojës që shoqëria e sotme shqiptare përpiqet të kultivojë tek ortodoksët, për të mos ta përmendur publikisht emrin e myslimanëve, jo vetëm që pasqyron një realitet të kthjellët psikologjik, domethënë komplekset tona si pakicë e abuzuar, por është pikërisht dëshmia e fajit shqiptar dhe strategjia vendore për të sunduar me çdo çmim. Në fund të fundit, nuk kërkojmë t’i përmbysim dhe t’i shkelmojmë myslimanët nga kryesia e Kishës, siç kanë bërë vetë ata me ortodoksët. Jo, jo. Kërkojmë të prishet heshtja e tyre fajtore, që të ndalet diskriminimi i komunitetit ortodoks. Mbi të gjitha, kërkojmë që këtej e tutje peshkopët myslimanë të mos përdorin fronet e përdhunuara të ortodoksëve për të poshtëruar një komunitet të dobët e të pafuqishëm, i cili komunitet e ka të pamundur sot të formulojë pozitën e tij minoritare në rajon. Sepse është i poshtëruar nga grekët dhe nga myslimanët, pavarësisht se nuk mundet ta thotë.  

Nëse përqasja ime është e zhdrejtë, si qenka Janullatosi i pazëvendësueshëm, atëherë? Si nuk paskan të drejtë shqiptarët e mitropolisë së Gjirokastrës të kenë peshkopin e tyre, në gjuhën e tyre? Si nuk paskan të drejtë shqiptarët e Sarandës të kenë kishën e tyre në atë qytet, siç e kanë grekët atje? Si nuk paskan të drejtë shqiptarët e Amerikës së Veriut të meshohen shqip? Për më tutje, si u katandis Ortodoksia Shqiptare të përfaqësohet sot nga Liolini dhe Pelushi? Nëse përmbysen shkrimet e mia, kush mund të dalë e t’iu përgjigjet pyetjeve të mësipërme, të cilat nuk janë vetëm të miat, të një teologu përndryshe mëditës në Kanada, por dhe të mjaft shqiptarëve ortodoksë në Shqipëri dhe jashtë saj?  

Ai që është më afër traditës sonë është mitropoliti arvanit i Beratit. Hirësia e Tij, Ignati, është më afër nesh si nga grekët ashtu dhe nga myslimanët, por ai shihet mbi kombësitë, përderisa është edhe shqiptar edhe grek. Me këto përpjestime të reja, duke mos anashkaluar dhe luftën që i bëhet ende sot Ignatit nga mbetjet e kolonëve turq në Shqipëri, arvaniti është më minoritari në komunitetin ortodoks të Shqipërisë. Siç e sugjeruam vjet, në këto rrethana gjithandej bllokuese, ai ishte kandidati më i përshtatshëm për gjendjen e sotme në mitropolinë e Gjirokastrës, për t’i lënë edhe vendin një shqiptari ortodoks në Berat. 

Shqiptarët nuk u lodhën së servilosuri ndaj Janullatosit, me çmime e dekorime deri në të vjellë, por nuk duan të nderojnë një njeri që vlen të meritohet, për më tepër kur ne kemi nevojë të krijojmë lidhje kishtare, spirituale e gjuhësore, domethënë kulturore, me arvanitët e vendlindjes dhe të vendshërbimit të mëparshëm të imzot Ignatit; në trevat ku ende sot ruhet tradita e përbashkët shqiptare. Izolimi i mitropolitit arbëror të Beratit nuk tregon vetëm se ai është i vetmi peshkop në Shqipëri që nuk është zgjedhur nga Janullatosi, por dëshmon se nderimet që iu bëjnë shqiptarët të huajve, në këtë rast grekëve, nuk bëhen me sinqeritet e me meritë, por në hulli të traditës vendore, me pikënisje inferioriteti, servilizmi dhe përfitimi.     

Shenjti i Beratit është i vetmi klerik ortodoks që ka pohuar publikisht se mirëqenia e kishave shqiptare nuk është vetëm meritë e misionit grek, por dhe e besimtarëve shqiptarë![2] Duhet theksuar ky fakt, jo vetëm për të vënë në pah qëndrimin e kristaltë kishtar të hierarkut, në kundërshtim me qëndrimet plastike të mitropolitit argjenddashës të Korçës, por që të ngushëllohen edhe ata shqiptarë që japin, sepse besimtarët tanë nuk japin nga teprica, por nga mungesa. Shqiptari është bujar kur shkon në kishë dhe sidomos kur e fton priftin për një shërbesë, përndryshe, nëse priftërinjtë nuk mbështeteshin nga besimtarët, por vetëm nga rroga që marrin nga Janullatosi, a do të mbijetonin dot familjarisht? 

Në një vizion shqiptar, prania e myslimanëve si alternativa tjetër, mbas grekëve, në kryesinë e kishës ortodokse shqiptare, përbën më tepër rrezik sesa prania greke në Kishë. Më duket sikur dëgjoj pesë vjet nga sot të thonë vëllezërit e jugës: “Nuk mund t’i lëmë ne shqiptarët ortodoksë me peshkopë myslimanë. Dhe përderisa nuk ka peshkopë shqiptarë ortodoksë, ne jemi të detyruar t’i përfaqësojmë e t’i mbrojmë ortodoksët.” Po kush i përjashtoi shqiptarët ortodoksë nga hierarkia e kishës së tyre? Kush na i imponoi myslimanët si peshkopë në Kishë? Vetë misioni grek, për të riaktivizuar kujdestarinë dhe dalëzotësinë ndaj shqiptarëve ortodoksë; për të na kontrolluar kulturorisht.   

Një trajtim i tillë i shqiptarëve ortodoksë është keqdashës në hallakatjet e sotme ndërgjegjësore në rajon, është shpirtvrasës për të ardhmen e komunitetit ortodoks në botën e larmishme shqiptare, por është dhe përdhosës i aspiratave të lëvizjes së komunitetit tonë në periudhën e Rilindjes. Ortodoksët u gënjyen dhe luftuan për integritet e për balancë, ndërsa sot ata janë shkelur e zhbalancuar, pikërisht nga myslimanët. Rrëshqitje të tilla të myslimanëve, jashtë vlerave të tyre të mirëfillta, si dhe nxiti për të kontrolluar me çdo çmim, janë edhe një provokim ndaj vetë besimtarëve myslimanë. Atyre dhe vetëm atyre iu kërkoj ndjesë, për këtë shpërthim të papritur por të imponuar prej vetë klaneve myslimane, sidomos atyre shekullare. Sepse janë pikërisht këto klane që, me militantizmin e ateizmit shqiptar, një version i skajshëm dhe çnjerëzor ideolegjemash lindore, dhe me pafytyrësinë e pabesisë vendore, munden dhe kontrollojnë median e sotme shqiptare, duke izoluar kundërthënësit.  

Mirëkuptim kërkoj edhe nga myslimanët që kanë ndihmuar dhe ndihmojnë projektet tona ortodokse, pavarësisht në janë besimtarë, jo besimtarë, a ateistë. Ata ndoshta nuk mund ta kuptojnë gjendjen, a nuk mund të pajtohen me të, edhe mbas këtij leximi ngacmues. Sidoqoftë, tejet sikletit fillestar, jam i bindur se ky debat suprizë do të japë pemë të mira për të drejtën dhe vetëm për të drejtën e shqiptarit, pavarësisht se sa humbet autori. Ky debat do t’i shtrëngojë myslimanët të jenë jo vetëm më të përkorë publikisht mbi çështjet ortodokse, gjë që deri diku është arrirë këta dy-tre vjet, por të jenë më të kujdesshëm edhe privatisht. Do t’i shtrëngojë ata të rivlerësojnë jo vetëm qëndrimet ndaj Liolinit dhe Pelushit, këtyre dy dopiofavoritëve, por do t’i nxisë myslimanët të rivlerësojnë marrëdhëniet me ta. Shkurt, ky kallëzim i yni do t’i bëjë myslimanët të jenë më pak intrigantë ndaj të krishterëve ortodoksë. Diskursi mbi marrëdhëniet myslimano-ortodokse në botën shqiptare, nëse thellohet e përkrahet publikisht nga intelektualët që mendojnë e flasin ndershëm, tejet përkatësive, do të jetë një trysni për më tepër integritet në kulturën shqiptare. 

Përndarja dhe përçarja e myslimanëve shqiptarë këto vite, me konflikte të mëdha mes tyre ndonjëherë, nuk ka si të fshihet, ashtu siç nuk është fshehur instrumentimi i disa klaneve myslimane shqiptare nga fuqi tejshqiptare, sidomos në SHBA. Oksimorja është tek fakti se të njëjtat fuqi perëndimore mbështesin sot hapur e shumëfishtas Janullatosin dhe misionin e tij politik në Shqipëri, duke shkaktuar pështjellim dhe përçarje më të madhe brendashqiptare. Duket se këto klane të përdorura shqiptare, trashëgimtare të sundimeve të moçme, e kanë gjetur Babën dhe Perandorinë atje ku fuqia dhe interesat janë më të mëdha sot, tek Amerika, e cila ka shumë nevojë për ta, ashtu si Turqia qëmoti. Nëse Amerika vendos një ditë të shkaktojë ndryshime rrënjësore në Jug të Shqipërisë, nuk dimë se deri ku do të arrijnë myslimanët kundër ortodoksëve… Sido që të ndodhë, myslimanët e kanë dhënë shenjën se janë të aftë të rezistojnë kufij kulturorë në rajon, ashtu si para një qindvjeçari: Që të shtypen pakicat, atje ku përkasin edhe shqiptarët ortodoksë të Jugut, të cilët nuk janë as grekë e as myslimanë dhe prandaj të nëpërkëmbur.  

Mbas 11 Shtatorit religjionet janë tashmë pjesë e pashkëputur në çdo përqasje kulturore dhe instrumentimi zyrtar i liderëve fetarë, si dhe ai parazyrtar i periferisë fetare, është pjesë e politikës amerikane. Vëzhgimi dhe vëmendja për çdo send fetar, sidomos në zona strategjike, atje ku në të njëjtën kohë ekziston potenciali i trazirës, është shumë pak për të përshkruar sot raportet e fesë me shtetin në botën perëndimore. Në të kundërt, shumë të paktë janë intelektualët shqiptarë që përfshijnë fenë në shkrimet e tyre. Sepse shumica e intelektualëve tanë, sado që të përpiqen të ndryshojnë, nuk zhvishen dot nga fryma e kulturës së diktaturës, edhe kur tërbohen publikisht kundër saj. Studimi i religjionit vazhdon të konsiderohet nga shumica e intelektualëve shqiptarë si çështje tempullore, ndryshe nga bota perëndimore, ku religjionet përqasen si realitete të pamohueshme kulturore. 

Përjashtimi i shqiptarëve ortodoksë nga hierarkia e kishës së tyre, pengimi për të folur publikisht e për të përmendur emrin e myslimanëve, si dhe bashkëveprimi greko-mysliman për të zhbërë gjegjësit, na shtrëngon të nisim e të vazhdojmë këtë debat të ri, këtë përpjekje për të denoncuar, për të zbardhur lojën, për të nxitur ortodoksët dhe për të trazuar ujërat e qelbura shqiptare. Kjo do të ndihmojë jo vetëm ortodoksët dhe të interesuarit mbi jetën e këtij komuniteti, por dhe vetë besimtarët myslimanë, të cilët po paguajnë sot çmimin e përçmimit ndërkombëtar ndaj besimit të tyre të respektuar, me pasoja të drejtpërdrejta në jetën shqiptare. Shtrëngesa ndërkombëtare, kjo përndjekje ndaj Islamit, pra, ka shkaktuar ankth të madh në botën myslimane shqiptare për të gjetur mënyra të reja mbizotërimi, madje duke mohuar edhe besimin e tyre fetar e duke predikuar konvencionalisht besime të tjera.  

Në mbyllje të këtij kapitulli hyrës, përsëri dhe përsëri dua të theksoj bindjen tonë ndërgjegjësore, shqetësimin e madh, se problemi mysliman në ortodoksinë shqiptare është problem më i madh se ai grek, prandaj dhe ia vlen të rrezikojmë: Për të ndalur myslimanët! Përndryshe, mbas Janullatosit, jo vetëm grekët do të jenë të përhershëm në rolin e tyre të dalëzotësit ndaj ortodoksëve, duke vjetëruar rishkrimet më të fundit mbi palimpsestin e dëmtuar shqiptar, por ka të ngjarë që vetë ortodoksët të ngrenë pikëpyetje të cilat nuk kemi pse t’ua vemë në mendje sot. Ia vlen ta çelim një debat të tillë, aq më tepër këtë vit, shtatëdhjetë vjet mbas njohjes së autoqefalisë sonë: pranverë 1937 - pranverë 2007.

@ Foti Cici, 2007                                                         


[1] “Kryepiskopi mund të ketë dy deri në tre Episkopë ndihmës, të cilët kryejnë detyra të posaçme të ngarkuara prej tij dhe kanë të gjitha privilegjet e Kryepriftërinjve aktivë.” Statuti i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, 2006, Neni 23.
[2] “Intervistë me Imzot Ignatin, Mitropoliti i Beratit, Kaninës, Vlorës dhe Myzeqesë”, Tema, 12 mars 2006.
Published in: on March 5, 2008 at 1:27 am Comments (2)

Myslimanët në kishën tonë (5)

Pozita midis e ortodoksëve 

Ka shumë gjëra që s’janë thënë për myslimanët. Kur intelektualët dhe veprimtarët shqiptarë përpiqeshin të bënin shtet, fshatrat tona të Bregut digjeshin nga fshatrat fqinje myslimane, pikërisht me motive fetare, duke i shtrënguar të krishterët, deri në mesvitet 1910, të arratiseshin (nga trojet e tyre) me varka në Korfuz; sigurisht ata që mundeshin t’iu shpëtonin myslimanëve. Dhe ky genocid brendashqiptar, siç duhet trajtuar një ditë më vete, vazhdoi gjer në mesvitet 40. Ishte pikërisht terrori shqiptar (mysliman) që i bëri bregdetasit t’i prisnin perëndimorët me flamur grek në vitet 1910. Ishte pikërisht tmerri ndaj myslimanëve, domethënë detyrimi historik ndaj grekëve mbrojtës, ajo që i bëri ortodoksët e Bregut t’i pisnin grekët në 40-ën si të ishte ushtria e tyre. Për më tutje, një nga arsyet që i bëri shqiptarët e Bregut të mbështesnin lëvizjen komuniste ishte genocidi i Ballit Kombëtar ndaj fshatrave minoritare greke në Luftën II. E të tjera të vërteta, gjysmë të tharta… 

E pra, me këtë të kaluar jo të largët, që të mos shkojmë te masakrat e Ali Pashës ndër shqiptarë ortodoksë, nuk është aspak befasuese kur pinjollët e këtyre fiseve myslimane na kërkojnë sot ta qepim. Është pikërisht sentimenti që kanë trashëguar ndaj ortodoksëve, instikti kundër tyre, nevoja për t’i nënshtruar. Është çmeritja e tyre nga tendenca jonë për t’u shpenguar e për t’u sjellë baraz me ta, kur kjo u paska hije vetëm atyre intelektualëve ortodoksë që bëjnë lojën e myslimanëve, në mos atyre që punojnë për interesat e tyre dominuese në kulturën shqiptare.

Një autor ortodoks më thoshte: “Kur i kujtojnë atij se nuk duhet të ndërhyjë në punët e kishës se është mysliman, thotë se nuk ka shkuar asnjëherë në xhami, por nuk thotë që s’jam mysliman, se në shpirt i atillë është, hakmarrës!” Siç lexohet në fjalët e zotërisë, ortodoksë të tillë kanë paragjykime për myslimanët, nuk i duan në zemër, por iu servilosen për të përfituar. Dhe megjithatë, një qëndrim i tillë, i pandershëm, pranohet dhe konsiderohet shqiptar, ndërsa kur i sheh myslimanët pa paragjykime, kur i do pa asnjë nuancë dallimi në ndjenja, kur i mbron në komunitetin tënd e përtej, por vetëm se iu kallëzon planet kontrolluese mbi gjithçka shqiptare, edhe atje ku nuk përkasin, kjo qenka antishqiptare. Ndoshta e tillë, ngaqë është antihipokrite.

Barazia jonë ndërfetare, kjo barazimtari kaq e komercializuar së fundi, kjo tullumbace kuqezi, domethënë, është një flluskë e doktrinave mbizotëruese perëndimore, një shtrëngesë që në thelb nuk e fsheh të vërtetën: Liria jonë është një liri pronore të cilën shumica shqiptare e shtrin bujarisht, por përkohësisht, tek pakica, pavarësisht se sa të vetëdijshëm janë myslimanët e thjeshtë për këtë. Kryeneçësia e myslimanëve për të nënshtruar kulturorisht të krishterët është një nga faktorët që i ka bërë ortodoksët e mitropolisë së Gjirokastrës të mos ndihen të sigurt në botën shqiptare, por të përdorin konvencionalisht simbolet kombëtare të të dy vendeve, madje dhe të dy kombësitë, në daçi, ndonjëherë edhe kur nuk janë të detyruar.[1] Kjo ndjenjë pasigurie e ortodoksëve është një nga arsyet se pse ata nuk reagojnë ndaj situatës së sotme kishtare në Gjirokastër.   

Përderisa ideali i myslimanëve për një fe gjithëshqiptare para një qindvjeçari - atëherë ishte feja e tyre si model - i përket tashmë muzeut të idealizmit shqiptar, kujt ia priste mendja se klanet myslimane të Shqipërisë dhe të Amerikës do të çngjyroheshin dhe do të shpërfytyroheshin në këtë periudhë rrëmuje e kalimtarie, vetëm e vetëm për të vazhduar të kontrollojnë gjithçka në botën shqiptare? Nga ana tjetër, kujt ia priste mendja se klanet greke do të bënin një lojë të tillë me myslimanët, si më e mundshmja mënyrë për të përjashtuar shqiptarët ortodoksë nga qeverisja e kishave të tyre? Përndryshe, pa myslimanët, si do të pushtohej mitropolia e Gjirokastrës?    

Myslimanët tanë na kujtuan tiparin e tyre të trashëguar se përkatësia fetare negociohet sa herë që iu jepet rasti për përfitime. Ndërsa grekët na kujtuan tiparin njësoj të trashëguar se feja i shërben interesave të “universalitetit të helenizmit”, siç e quajnë ata doktrinën e tyre më të re. Grekët ruajtën dhe përforcuan autoqefalinë e kishës shqiptare, por e tjetërsuan thelbin e saj, në favor të planeve të tyre për një ungjillëzim (helenizim) kulturor e social të shqiptarëve, dhe përderisa për këtë paguhet një haraç i madh nga fondet greke, vetë ky fakt shlyen konfliktin me interesat myslimane. Për të zhbërë pikat nistore të identitetit të shqiptarëve ortodoksë, për t’u hakmarrë e për të ndëshkuar shkëputjen e tyre nga kisha greke, për të shkelmuar vetëpërcaktimin e tyre ndërgjegjësor në një rajon të përzier, grekët ftuan myslimanët në bashkadministrimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri. Na vunë myslimanët mbi kokë të na nënshtrojnë, që të luftojmë njëri-tjetrin; plus të tjerave.

Misioni grek arriti diçka që vetëm Janullatosi kishte vetitë të sendërtonte. Simbolika vendore që shqiptarët mbollën në Kishë që nga vitet 1910, u bë njësh me gëlqeren e diktaturës komuniste mbi afreskët bizantinë. U fshi, që të lexohet origjinali. Cili origjinal, veç? Në fakt, u shkrua prapë përmbi shkrimin e vjetër, në palimpsestin e dëmtuar shqiptar. U shtuan e u shumuan totuazhet mbi lëkurën e sfilitur shqiptare. U përdorën të njëjtat sendërgjime, ashtu si para autoqefalisë. Kësisoj e kthyen KOASH-in në kishën e gjashtë autoqefale greke, e cila sot kërkon nga myslimanët vetëm dy gjëra: sfondin dhe kreun; si në patrikanën greke të Aleksandrisë në Egjipt. Madje dhe këto i kërkojnë “përkohësisht”, derisa të jenë gati shqiptarët myslimanë; ashtu si me peshkopët zezakë të misionit grek në Afrikë. Kur të jenë gati myslimanët, pra, shpresojnë ta marrin kreun, sepse e kujtojnë të merituar, më shumë se hirësitë e Afrikës, të cilët afrikanë përdorin njësoj gjuhën e tyre amtare në shërbesat ortodokse, por me sfondin grek (si në Shqipëri). Në fakt, kreu i Ortodoksisë Shqiptare, as u përket myslimanëve e as u ka hije atyre. Mjerë kush të rrojë!

Kësaj Shqipërie pa hartë, e ungjillëzuar idhnakërisht, atje ku myslimanët gjoja janë konvertuar në shumicë dhe prandaj kanë marrë edhe fronet, do t’i mbetet brerorja me rrezet helene, sfondi grek, me emërshkrimet greqisht në ikona, me hijet e mëdha të godinave, me arkitekturën e tempujve, me njelmësimin grek të terminologjisë kishtare shqipe, me varrezat e “Shën Anastasit” dhe nxënësve të tij misionarë, me kanonin e ri të shenjtorëve; të gjitha këto shenja që përbëjnë një peshqesh të madh në rajon. Shtegu mbetet i hapur për grekët, sepse tashmë ata janë alfa dhe omega e shqiptarëve ortodoksë; që të kalërojnë myslimanët. Problemet e tjera, mosmarrëveshjet midis grekëve dhe myslimanëve, mbeten për më vonë, çështjet lihen hapur duke përsjellë në të tashme të kaluarën e nostalguar, kur dy fuqitë bashkëqeverisnin kategoritë e tjera të rajonit. Dhe lufta midis grekëve dhe myslimanëve vazhdon, derisa të qarkohen vetërrëmbimet e dy botëve të tyre, duke vënë mbi tryezë gjithmonë të drejtat e shqiptarëve ortodoksë.

Nga një pikëpamje e pafajshme ortodokse, duket se me këtë konfiguracion të ri në hierarkinë shqiptare mori fund regjimi gjysmëkanonik i misionit parakishtar grek këto vite, gjë që, siç e kam shënuar disa herë, ishte dënuar nga vetë patrikana e Stambollit në mesvitet 90. Duhet të kujtojmë sot se procedurat e cunguara kanonike, përmes së cilave Janullatosi u ngul përhershëm në Shqipëri, u toleruan nga kishat e tjera autoqefale për vetë faktin se misioni grek vepronte në një vend me shumicë myslimane, dhe madje vepronte duke habitur vazhdimisht.

Të paktën kështu mendohet matanë. Sepse, sado që të përpiqen intelektualët myslimanë të zhbindin botën mbarë për interesat e tyre personale e klanore, se gjoja Shqipëria nuk është në shumicë myslimane, dielli nuk mbulohet me shoshë. Dhe këtu shquhet në gjithë lavdinë e saj loja e shumëfishtë e Janullatosit jashtë Shqipërisë, për të nxirë realitetin shqiptar, në një kohë kur ata që i bëjnë luftë Janullatosit në Shqipëri janë vetëm disa kokrra të krimbura, fantazma të vetvetes, të cilët instrumentohen sa herë që kërkohet, për të kënduar gatitú marshin dalëboje të autoqefalizmit. Që t’i zmadhojë Janullatosi këto pisllëqe të shqiptarëve myslimanë, e t’iu drejtohet pastaj në mënyrë dramatike kishave të tjera autoqefale, duke klithur se, në qoftë se misioni grek largohet nga Shqipëria, ortodoksia është në rrezik. Rroftë e qoftë Nikolla Marku, pastaj, sepse ai është për myslimanët.

Kjo lojë e Janullatosit bashkekziston me gatishmërinë e klaneve myslimane që s’e kanë për gjë të përlyhet emri shqiptar jashtë Shqipërisë, mjafton që ata të kontrollojnë botën shqiptare dhe të mos cënohen interesat e tyre, përndryshe të kërcënuara nga demonizimi ndërkombëtar i islamit. Në fakt, rrëmuja ndihmon shumë klanet shekullare myslimane, të cilat, tok me Janullatosin, përpiqen gjoja të drejtpeshojnë një botë kaq të larmishme ndërshqiptare. 

Prania e Pelushit krah-mbrapa Janullatosit nëpër kishat autoqefale dhe në veprimtari të tjera ndërkombëtare, dëshmon pikërisht këtë çudibërje të Janullatosit (i çuditshëm ndër myslimanë), të cilit përndryshe i falen të gjitha, edhe sëmundja për të zëvendësuar Zotin në mendjet e shqiptarëve të paditur nga feja. Peshkopi me origjinë myslimane shihet nga kishat e tjera si pemë e misionit grek. Të huajt kujtojnë se në Shqipëri duhet të ketë turma të mëdha myslimanësh të konvertuar në krishtërimin ortodoks, aq sa kanë dhe peshkopin e tyre. Në fakt, tani që janë tre myslimanë dhe jo një i vetëm, hajde mbushiu mendjen të huajve se shqiptarët ishin ortodoksë para Janullatosit dhe para grekëve. Përshtypja e sotme është se kryepeshkopi ndodhet në Shqipëri kryesisht për grekët, të cilët qenkan në shumicë shqipfolës, si dhe për të konvertuarit, të cilët janë të njomë në besim dhe kanë ende nevojë për misionarët. Shquar me syze ortodokse së largu, ata që i bëjnë luftë Janullatosit, luftokan Ortodoksinë. Si rrjedhojë, nuk përbën çudi prania e një greku në krye të Kishës, aq më tepër një grek i tillë, ashtu siç nuk do të përbëjë aspak çudi prania e një myslimani më vonë, aq më tepër një mysliman i këtillë.     

Për sa i përket mitropolisë së Gjirokastrës, si pikë e prekshme e regjimit gjysmëkanonik të Janullatosit para nëntorit të kaluar, dihet se ajo mbahej qëllimisht pa peshkop për të shmangur emërimin e një shqiptari ortodoks atje, duke e përdorur këtë vakancë njëkohësisht si zjarrmatëse në marrëdhëniet shqiptaro-greke, me kulm skandalin e zhvarrosjeve në Përmet, i cili skandal grek përgatiti udhën për të përligjur vendimet e sotme. Prandaj dhe duke përdorur Pelushin dhe Liolinin, vetëm me dy shkrime paçavure, pra, çështjes madhore të shqipfolësve ortodoksë të Jugut iu vu kapaku. Sepse kështu e deshën myslimanët. Sepse i tillë është atdheu ynë: një shtet mysliman me petka laike. 

Përveç problemit kanunor në KOASH, duket se me këto marrëveshje greko-myslimane mori udhë edhe problemi kishtar i minoritetit grek në Shqipëri; për t’iu bindur ndërkombëtarëve. Sidoqoftë, dhe këtu madhështohet ironikja në marrëdhëniet shqiptaro-greke, mbeti përsëri në pozitën e midisshme komuniteti i shqipfolësve ortodoksë në të njëjtin juridiksion kishtar; para syve të ndërkombëtarëve. Shqiptarët ortodoksë vijojnë të mbërthyer peng midis shqiptarësisë dhe grekësisë, ashtu si para autoqefalisë, në dilema të vazhdueshme identitare, në pështjellime të pamohueshme ndërgjegjësore, nën kërcënimet e shestimeve të përhershme kulturore. As andej e as këtej, por në të njëjtën kohë, edhe andej edhe këtej. Shqiptarët ortodoksë u kthyen nën baballëkun e myslimanëve, që të jenë sërish nën amësinë e Greqisë.  

Ngjizja e një hierarkie greko-myslimane në nëntor 2006, me tre shtetas të Greqisë dhe me tre konvertë nga komuniteti mysliman i Shqipërisë, është sfida më e madhe që misioni grek i bëri Kishës Ortodokse në Shqipëri. Në fakt, ky kompromis midis grekëve dhe myslimanëve është pabesia më e madhe që qeveria e sotme i bëri komunitetit ortodoks në Shqipëri dhe në diasporë, pa lënë në harresë faktin se ishte e njëjta qeveri dhe i njëjti lider që dekretoi Janullatosin kryepeshkop para pesëmbëdhjetë vjetësh. Pjesa tjetër është filologji vendore. Është kaq flagrante pabesia shqiptare këtë herë, saqë jo vetëm na është dhënë rasti të rrëmojmë për të sjellë në dritë ato fakte që letërsia nacionalkomuniste qëllimisht ka mbuluar, por jemi tashmë të ndërgjegjshëm për lojën e madhe që shteti shqiptar ka luajtur dhe luan me ortodoksët, që nga vitet 1920 e këtej. Nga ana tjetër e skenarit shqiptar, klanet myslimane janë gati të përdorin edhe elementë të dhuntishëm a mafiozë të komunitetit ortodoks, për t’i paraqitur botës si të vërtetë imazhin e rremë brendashqiptar; gjithmonë duke keqpërdorur brishtësinë e pozitës midis. Sepse feja e shqiptarit është interesi (shqiptaria). 

Nuk ekzistonte asnjë pengesë kanunore që peshkopi i dërguar grek të vazhdonte të vepronte në Shqipëri si eksark, jo vetëm për disa vjet, por edhe për më shumë. Historia kishtare ka shembuj kur eksarkët jo vetëm kanë vepruar me vite të tëra si të tillë, por kanë kryesuar sinode dhe kanë vdekur si eksarkë, prandaj dhe janë zgjedhur në vijim të tjerë eksarkë, nëse e ka lypur nevoja. Preteksti se një eksark nuk mund të kryesonte sinodin e një kishe autoqefale, ishte një marifet i shtetit grek për të përherësuar Janullatosin, sepse vetë qeveria greke bëri diçka më të rrezikshme, duke kundërshtuar madje dhe vetë patrikanën e Stambollit, kur i imponoi kishës autoqefale shqiptare një kryepeshkop pa sinod, një skemë krejt antikanonike!

Viti 1992 i përket asaj periudhe historike që pranon justifikime për çka iu imponua jo vetëm ortodoksisë, por dhe gjithë shoqërisë shqiptare. Sidoqoftë, si mund të justifikohet një skemë e tillë politike mbi komunitetin ortodoks sot, mbas pesëmbëdhjetë vjetësh përvoje, me gjithë këto ngjarje që kanë munduar e shenjuar jetëgjatësisht marrëdhëniet shqiptaro-greke? Kjo dëshmon se në vitin 1992, atëherë kur demokratët na dekretuan Janullatosin kryepeshkop, problemi nuk ka qenë tek mosnjohja e realitetit ortodoks, siç kujtonim ne me dashamirësi, por tek zelli i tyre për të riaktivizuar politikat e Ahmet Zogut, i cili sa herë që ishte në rrezik, nuk e kishte për gjë të përmbyste bindjet e tij dhe të bënte kompromise me serbët dhe me grekët, duke përdorur komunitetin ortodoks, duke pranuar madje marrëveshje që shfuqizonin edhe vetë autoqefalinë e shpallur më 1922 në Berat.[2] Vendimet e sotme pajtohen me politikat afatgjata të shtetit shqiptar, i cili e përdor komunitetin ortodoks sa herë që myslimanët rrezikohen në pushtet, ose sa herë që iu teket të mëtojnë një kafshatë të madhe në rajon… 

Përderisa ortodoksët janë në mëshirë të myslimanëve, gjithmonë do të kenë nevojë për përdëllimet e grekëve. Sa më shumë të përherësohet prania myslimane në kryesinë dhe në administrimin e kishave shqiptare, aq më shumë përjetësohet kujdestaria greke mbi shqiptarët ortodoksë.   


[1] Sigurisht që në Greqi kjo është e imponuar për ortodoksët, sepse po të jesh mysliman nuk mund të jesh grek, prandaj dhe pranohesh si shqiptar, ta transliterojnë lehtë emrin dhe ky emër shquhet që është jo grek. Nëse mëson greqisht myslimani, pavarësisht nëse është besimtar, jo besimtar a ateist, është tepër mallëngjyese për grekët. Nëse ka dhunti ta shkruajë atë gjuhë, është shumë hot. Kur shan fenë e tij, nuk tingëllon dhe aq keq, por kur përqafon fenë e tyre, qoftë dhe sa për të ndryshuar emrin, është mrekullia në pjatë! Për koincidencë, myslimanë të tillë janë njëkohësisht edhe lajkaxhinjtë më të mëdhenj të Janullatosit, më shumë e drejtpërdrejt në greqishte, dhe më pak e tërthorazi në shqipe. Madje hiqen ateistë dhe se e kanë për qesharake të komentojnë mbi fenë dhe njerëzit e saj, por për Janullatosin i përmbysin bindjet, ndoshta ngaqë nuk e shohin vetëm si njeri të fesë… Ndërsa kur je ortodoks, nuk ka se si të shkruhet emri ndryshe në greqishte, përveçse si emër grek. Si shqiptar ortodoks, nuk i përket pozitës së lakmuar, atje ku tokësoret bëhen përnjimendsh qiellore, prandaj dhe nëse shkruan greqisht, do të gjykohesh brenda morisë greke, domethënë asgjëkundi. Dhe nëse je nga trevat e mitropolisë së Gjirokastrës, nuk pyetesh fare se çfarë je: Është e vetëkuptueshme që je grek. Nëse ke këllqe, thuaj ndryshe… Unë nuk kam dëgjuar për asnjë emigrant ortodoks tonin që të botohet e të kremtohet greqisht, siç trumbetohen autorët myslimanë që banojnë në Greqi. Më vjen keq që nuk kam mundur të përshkruaj gjerë e gjatë përvojën time në Greqi, sepse do të flas hapur, ashtu siç nuk e duan shqiptarët… 
[2] Për këtë debat shih: Robert C. Austin, Shtegu i pashkelur i Fan Nolit - Demokracia shqiptare në vitet 1920-1924, Tiranë, 1998, f. 125-126. Pavarësisht se ky libër trajton vetëm një periudhë e temë të caktuar, dhe tejet problemeve të përkthimit dhe të redaktimit shqip, studimi i profesorit të Universitetit të Torontos është punimi më cilësor që kemi mbi Fan Nolin.  
Published in: on March 3, 2008 at 11:20 pm Comments (0)

Myslimanët në kishën tonë (4)

Beteja e vullneteve    

Tejet mitologjisë nacionalkomuniste mbi autoqefalizmin e ortodoksëve, si odé i himnores së riteve kombëtariste, lufta e shqiptarëve ortodoksë para një qindvjeçari për t’u kategorizuar ndryshe në Ballkan, nuk synonte vetëm për t’u mëvetësuar nga grekët, por për t’u çliruar edhe nga shtypja e myslimanëve shqiptarë, të cilët e përdornin brishtësinë e pozitës midis (pezull) të këtij komuniteti për të bërë kompromise dhe aleanca me turqit dhe grekët. Sepse shqiptarët myslimanë dhe grekët ndodheshin në pozita bashkëqeverisëse të ligjëruara në rajon, pavarësisht nga çastet ndërluftuese dhe urrejtja e përjetshme për njëri-tjetrin. Kisha ortodokse ishte një, sepse edhe perandoria një ishte. Ishte beteja e vullneteve greke e myslimane në të njëjtin rajon, atje ku vullneti i shqiptarëve ortodoksë shihej si ai i ujkut që s’njeh fuqinë e tij…     

Në të njëjtën vazhdë kulturore, si pasojë e kompromiseve të 2006-ës midis grekëve dhe myslimanëve, shqiptarëve ortodoksë të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Lunxhërisë, Sarandës, Delvinës, Bregut, e gjetkë në Jug, iu imponua një kryebari jo shqiptar, i cili klerik nuk flet shqip, as meshon në shqipe, edhe pse ka shërbyer për pesëmbëdhjetë vjet në të njëjtën trevë dygjuhësisht të përfolur. Sepse kështu e pleqëruan dhe e bekuan bashkarisht grekët dhe myslimanët.   

Këtu ka vend për një pyetje, të cilën shqiptarët nuk e pandehin prej meje: Përse u dëbua nga Shqipëria arqimandriti Krisóstomos në mesivitet 90, i cili drejtonte në praktikë atëherë mitropolinë e Gjirokastrës? At Krisostomi mësoi shqipen, fliste dhe meshonte në të dy gjuhët e besimtarëve, shërbente me çiltërsi, rendte gjithandej ku kishte nevojë, kishte nisur projekte muzikore me përkthimet e Nolit, e të tjera punë të dobishme për ortodoksët. Ja të kujtojmë se për të atëherë u përfolën dy akuza: Nuk i bindej verbërisht Janullatosit dhe se iu gjendën harta të Vorio Epirit në makinë. E para u tha vetëm në rrethet kishtare, sidomos në Greqi, por e dyta u demonizua publikisht nga shqiptarët, deri në banalitet.   

Edhe sikur të ishte i atillë at Krisostomi, edhe nëse hartat nuk ia futën të tjerë në makinë, sot qeveria e PD-së ka sfiduar vetveten: Si u dëbua nga Shqipëria një prift shqipfolës, i cili madje kishte fituar zemrën e besimtarëve të të dy kombësive, dhe na imponuan menjëherë mbas tij atë që është ngritur sot në peshkopat, një klerik që nuk flet tjetër gjuhë veç greqishtes, një rezident i përhershëm në Shqipëri që nuk do të mësojë shqip? Nëse prifti i dëbuar nuk i bindej verbërisht kryepeshkopit, prandaj dhe i përndjekur nga shqiptarët, hirësi Dhimitrios ka qenë këto vite një nga pengesat kryesore, në mos më e madhja, për hapjen e një kishe për shqiptarët ortodoksë të qytetit të Sarandës. Ndërsa prifti grek u akuzua se kishte harta të Vorio Epirit në makinë, tanimë kemi një mitropolit në fronëzimin e të cilit morën pjesë (në Gjirokastër), shoqata greke që kërkojnë as më shumë e as më pak por copëtimin mëdysh të Shqipërisë. Çfarë shpërfytyrimesh kanë ndodhur në politikën shqiptare, apo më mirë, çfarë tjetër i pret ortodoksët e mitropolisë së Gjirokastrës mbas pesë vjetësh, le të themi?    

Bashkëveprimi i disa versioneve të grekësisë në Shqipëri këto vite, pajtimet dhe përplasjet e tyre të pashmangshme e të pabujshme, pa dyshim kanë ndikuar në vendimmarrjen mbi shqiptarët ortodoksë. Duke kundruar këtë skemë surealiste të nëntorit 2006, e duke u përsiatur mbi shkëputjet ndonjëherë këmbëngulëse të bashkëkohësve për të shquar të kaluarën, tek rrëmbehen të shqetësuar nën pushtetin e imagjinatës, do të thoja se nuk duhet shkuar aq larg. Mbas viteve 90 në botën shqiptare janë shfaqur realitete që nuk mëtojnë zhvendosje as në kohë e as në hapësirë. Ndoshta ky konstatim ka bërë disa bashkëvuajtës të mi të humbasin kërshërinë, e cila bashkekziston me zhgënjimin e shqiptarëve; çuditërisht tek shumica e tyre. Përkundrazi, vështirësia qëndron tek dëshira për të shquar apo për të shpërnjohur realitetin shqiptar, atje ku përzgjedhja bëhet midis sinqeritetit dhe hipokrizisë. Atje ku rrëshqasin myslimanët.   

Kompromiset midis grekëve dhe myslimanëve për të ndarë kurorën, fronet dhe fondet e ortodoksisë shqiptare, nuk ishin të panjohura për ortodoksët, të cilët flasin shpesh me njëri-tjetrin tek shquajnë pikat kyçe të kishës shqiptare të jenë zaptuar nga myslimanët. Mësymja e myslimanëve në komunitetin tonë është e vërtetë jo vetëm për sinodin, por dhe për administrimin e gjerë të kishave. Numri i priftërinjve me prejardhje myslimane është shumë i madh, frikësisht i madh, dhe nuk mund të justifikohet nga numri kaq i vogël, tepër i vogël, i myslimanëve të konvertuar si tërësi në ortodoksinë shqiptare. Dhe sikur të mos mjaftonte ky shpërpjestim ndërshqiptar, shquani tanimë tre peshkopët e vetëm shqiptarë, të cilët, që të tre, janë nga familje myslimane! Asnjë peshkop nga komuniteti ortodoks. Iu shtoftë Zoti zellin…    

Problemi mysliman në kishën shqiptare është në rritje i prekshëm, por nuk dihet se kur dhe në çfarë trajte do të pëlcasë. Myslimanët në kler janë sot problemi më i madh i kishës ortodokse shqiptare, domethënë pamundësia për të shkarkuar Janullatosin nga froni i shqiptarëve, aq më tepër në këtë periudhë historike, kur misioni grek është qarkuar plotësisht në Shqipëri dhe nuk shërben më kishërisht por haptazi politikisht. Për më tutje, konvertimi i disa myslimanëve shqiptarë në krishtërim me pikënisje politike, ekonomike dhe emocionale këto vite, për të përfituar nga grekët, për t’iu servilosur perëndimorëve, për të shtirë në dorë autoqefalinë e KOASH-it, e tok me të edhe pasuritë dhe pikat e influencës mbi një pjesë cilësore të popullit shqiptar, por dhe për të kanalizuar kriza të mëdha identitare përmes ekzotikes dhe të pamundurës, nuk tregon vetëm krizën morale dhe zbrazëtirën shpirtërore të pasdiktaturës, por na vetëshfletohet si libër i gjallë i Historisë Shqiptare. Riciklimi i myslimanëve në historinë tonë të re na ndihmon të lexojmë palimpsestin e rajonit pa kufij…   

Gjatë gjithë vitit 2006 ortodoksët flisnin me njëri-tjetrin, nëpër kisha e jashtë tyre, pikërisht se po përgatiteshin dy myslimanë të tjerë për peshkopë, ndërsa mitropolia e Gjirokastrës vazhdonte të ruhej vakante. Duke iu bindur ortodoksëve, e bëra denoncimin atëherë para vendimeve të nëntorit, jo aq për t’u shkrehur a për të dalë borxhit, sesa në përpjekje për të parandaluar paudhësinë, për të nxitur zgjidhje më të ndershme, sigurisht me shpresën dhe fatin e naivit: Besoja se brenda formacioneve qeverisëse të sotme kishte njerëz dashamirës ndaj kishës sonë kombëtare. Besoja se brenda këtyre klaneve myslimane, të cilat përbëjnë pothuaj tërësisht Partinë Demokratike, ka shqiptarë që iu dhimbsen vlerat e përbashkëta, intelektualë që shquajnë e ndajnë shapin nga sheqeri, politikanë me sy të palëbyrur nga çudibërja e një misioni tejfetar. Besoja gjithashtu se edhe tek e djathta shqiptare ka bashkëvuajtës të kryqëzuar në një kulturë që shquhet si antonim i integritetit. Së fundi, besoja se PD-ja ka në gjirin e tij më shumë bashkëqytetarë të çliruar nga bindja “Partia mbi të gjitha!”   

I besoja të gjitha këto edhe pse në vetvete kisha dyshime. Mendoja duke tejkaluar vetveten, si pjesëtar i një tradite paqebërëse e drejtpeshuese në botën e trazuar shqiptare, një traditë ortodokse që na ka lënë shenja vetëthënëse. Dhe megjithatë, të gjitha këto vlerësime dashamirëse për të djathtën shqiptare, ishin iluzione. Në të kundërt, zëri i kësaj pjese të ortodoksisë shqiptare, ne që e kemi ndarë veten nga kompromiset e vlerave, ne që jemi të dënuar të mos heshtim por të paguajmë mëkatet e të shumtëve, zëri ynë, pra, tingëllon sot si zëri i atij që bërtet në shkretëtirë. Sepse ne mendojmë, shkruajmë e veprojmë në një realitet shqiptar ku jeta kulturore, dhe jo vetëm, kontrollohet nga myslimanët dhe shërben parësisht interesat e tyre, qofshin këta në paqe a luftë me njëri-tjetrin, apo në ndërluftime apo aleanca të përkohshme a afatgjata me grekët. Kur vjen puna tek shqiptarët ortodoksë, pajtohen të djathtë e të majtë, shqiptarë e grekë. Nëse jo, si qenka i pazëvendësueshëm Janullatosi, atëherë? Për më tej, si nuk u gjend një shqiptar ortodoks për mitropolinë e Gjirokastrës?   

Kontrolli mysliman në kulturën e sotme shqiptare është një fakt që nëse e besoja vetëm unë, do të isha tërhequr krejt nga shkrimet shqip. Sepse është shumë e hidhur dhe krejt zhgënjyese! Duket se për të shqiptarizuar plotësisht ortodoksinë tonë, e vetmja mënyrë është të luftojmë njëri-tjetrin. Vetë mbyllja e misionit shqiptar në Kanada ishte pasojë e luftës parësisht nga klanet myslimane dhe dytësisht nga ato greke. Që të rrimë shtrembër e të flasim drejt, kisha greke nuk ka vënë dorë tek ata shqiptarë ortodoksë që janë mbështetur nga myslimanët. Le të kujtojmë shembullin e Petro Luarasit. Kush ia çonte të lidhur dhespotit të Kosturit, sa herë që ai e kërkonte? Shqiptarët myslimanë!   

Jo vetëm në të kaluarën, por edhe në mesvitet 90 ka pasur priftërinj shqiptarë që kanë bërë shkelje të mëdha kanonike, të cilët kanë ndërhyrë madje fizikisht në juridiksionin kishtar të Shqipërisë, por jo vetëm që nuk iu ka hyrë gjemb në këmbë dhe janë ende priftërinj meshtarë e të punësuar në diasporë, por gëzojnë madje statusin e patriotit. Askush nuk ka guxuar t’i pushojë e t’i shkelmojë nga kleri, sepse shkelësit e kanoneve janë instrumentuar dhe mbështetur nga myslimanët dhe kanë bërë lojën e tyre. As më shumë e as më pak.   

Në të kundërt, unë u thashë jo si myslimanëve ashtu edhe grekëve. U luftova prej këtyre dhe atyre, pikërisht se pata qëndrime të ndershme, të balancuara, as me klanet myslimane e as me ato greke. Jam luftuar nga myslimanët se nuk pranova të punoj për interesat e tyre kontrolluese në kishën shqiptare, dhe jam luftuar nga grekët se iu kundërvura me qëndrime brendakishtare një misioni çshqiptarizues. Thënë ndryshe, nuk qeshë racist ndaj grekëve, por në të njëjtën kohë paraqita rrezikshmëri për planet e tyre në Shqipëri. Jam krenar, veç, se megjithë këtë luftë të pabesë nga të dy palët, ruaj ende të patjetërsuara ato qëndrime që vijnë ndesh me mendësinë e sotme shqiptare, por që pajtohen me të drejtat e njeriut, ato qëndrime që i përkasin të ardhmes, ato qëndrime që do të mbeten, dhe jo qëndrime emocionale, të çastit, të përfitimit e të metodës vendore sot për sot, apo qëndrime të skajshme, të cilat i kanë shtuar probleme problemit shqiptar, në një rajon me shumë probleme, edhe pse shërbejnë si stimulantë lumturie për mjaft bashkëkohës.    

Përderisa pa mbështetjen e myslimanëve nuk bëhesh dot as prift ortodoks, atëherë, a do të kishte zgjidhje më ideale për ta mbyllur këtë kapitull me dinjitet, sidomos mbas mohimit për t’iu falur kultit të Janullatosit dhe politikave shkombëtarizuese të misionit grek? Sa heroike do të dëgjohej për shqiptarët, por për mua jo dhe aq, sepse do të më shpëtonte, gjë që nuk është fare heroikë. Por ja që s’e bëj dot, sepse nuk jam vetëm unë me këto bindje, prandaj dhe i dënuar të vazhdoj. Është një pjesë cilësore e komunitetit ortodoks, e cila më shtrëngon sot të thuhet e vërteta, atë që ata nuk mund ta thonë copë në Shqipëri: Integriteti i shqiptarëve ortodoksë është shkelur pikërisht nga shqiptarët myslimanë, të cilët vazhdojnë të abuzojnë me brishtësinë e ortodoksëve, me pozitën midis shqiptarësisë dhe grekësisë. Eksperimentuan, madje, gjer në skaje: Na imponuan një skemë vicioze që shërben vetëm interesat e tyre të njohura; për të mbizotëruar në botën shqiptare, madje me mënyra të reja, të paparashikuara, a të pathëna, nga themeluesit e kombit shtet…   

Si rrjedhojë, autorësia është e imja në këto shkrime, por bindjet jo vetëm të miat. Formulimet janë të miat, por mendimet qarkullojnë gjithandej në botën ortodokse shqiptare. Zemërata është e imja, por dhimbja dhe zhgënjimi janë të lexueshme në sytë e shqiptarëve ortodoksë. Nervi i fjalës është i imi, por fryma e së vërtetës endet kudo dhe ku i teket fryn; atje ku dalin dhe risimet. Në të kundërt, shihen e shquhen faktet, por në vend të dëgjesës sugjerohet heshtje dhe varrosje. Shqiptarët e shkretë plaken para kohe dhe vdesin nën një heshtje të imponuar. Janë pjesëtarë të një kulture që predikon nderin, për të mbuluar bash këto çnderime. Përndryshe, shqiptarët janë të besës për të huajt, sepse për njëri-tjetrin janë më të pabesët në Ballkan. Për më keq, intelektualët dhe politikanët shqiptarë nuk e kanë për gjë ta zhdukin moralisht njëri-tjetrin, madje kanë marrëzinë ta kërcënojnë edhe fizikisht, por ja që nuk kanë fytyrë t’i thonë Janullatosit sot: “Faleminderit shumë; pleqëri të bardhë!” Betejë vullnetesh, pra, një luftë ku shqiptarët ortodoksë sfidohen dhe ndrydhen.    

Published in: on March 2, 2008 at 10:25 pm Comments (0)

Myslimanët në kishën tonë (3)

Heshtja e fajit

Heshtja nuk i përket kanonit të nocioneve shqiptare, të atyre zërave që për t’u shenjtëruar bënë këmbë e kërcyen nga folklori në letrat kombëtare. Nuk më kujtohet asnjë këngë shqipe, asnjë thërrime folklori, asnjë referencë e jona moderne, asnjë parantezë kulturore, pra, ku t’i lihet pak vend të huajës heshtje. Madje dhe në etikën tonë publike heshtja nuk ka gjymtyrë, as fytyrë, sepse trajtohet si mangësi në personalitet, a dobësi në situata të imponuara. Po të vëzhgosh kuvendimin e shqiptarit të sotëm, ai nuk të lejon pauza (heshtje) në bisedë. Kur takohen dy a më shumë shqiptarë, edhe kur njihen mirë, ata nuk e përdorin fare heshtjen si çast komunikimi, përndryshe shikojnë njëri-tjetrin me habi. Sigurisht që lejohen shkëputje të vazhdueshme nga tema, imitime, shpërthime, emocione, shpërnjohje e bashkëbiseduesit, rrëshqitje shprehimore në celular, gjeste të njëpasnjëshme, deri dhe kërcime për të marrë fjalën e kërcënuar nga dialogu, por nuk rezistohet dot asnjë çast heshtjeje. Ata që flasin kursyer, etiketohen prej shqiptarëve negativisht, si njerëz të mistershëm; të atillë sepse heshtin.

Më kujtohen vitet e fëmijërisë në Shqipëri, kur kapeshim ndonjëherë në gabime, për diçka që kishte kaluar dhe nuk i ishim përgjigjur, më të rriturit na kërkonin më vonë llogari: “Ku e kishe gojën?” Këtë e dëgjonim edhe nga mësuesit, të cilët mbas pyetjes që na drejtonin në klasë, shpërthenin me mosdurim: “Do ta hapësh gojën, apo do që të vij unë atje e të ta hap mirë?” Sepse po të mendoheshe pak, konsiderohej si përgatitje për të gënjyer, prandaj dhe e ndëshkueshme nga shqiptarët. Një nga arsyet që na rrihnin në shkollat shqiptare ishte pse heshtnim.

Në të kundërt, në kulturën arsimore të Amerikës së Veriut, meqenëse ra fjala, mësimdhënësi është i detyruar të presë mbasi pyet një nxënës a student, sepse heshtja para përgjigjes premton edhe ajo përgjigje. Kam shquar se në auditoret akademike heshtja mbas pyetjes dhe para përgjigjes mund të zgjasë deri në dhjetë sekonda, pa asnjë reagim verbal, ngritje dore a shenjë mosdurimi nga pedagogu a nga studentët. Të gjithë presin pa ankth, përderisa heshtja jo vetëm që nuk e përjashton përgjigjen, por për shumë është pjesë e saj.

Heshtja nuk ka mundur të futet as në dollapin e virtyteve tona, sepse nuk konsiderohet virtyt, por është bërë njësh me negativen në natyrën e shqiptarit dhe lejohet vetëm kur urdhërohet nga goja vendore, siç e dëshmon e folmja: “Hesht!”, në shqipen më të vjetër, ose “Qepe!”, a “Mbylle!”, në shqipen e sotme. Ndërsa kur dikush nuk e sheh të arsyeshme të përgjigjet, shqiptarët thonë se “i ka mbetur goja”. Madje një nga synimet e ideologëve të diktaturës ishte dhe demonizimi i heshtjes, politizimi dhe mërgimi i saj: “Indiferenti (heshtja për të mos kallëzuar) është më i rrezikshëm se armiku!” Ndalohet heshtja!

Me këto thërrmija që s’munda të shmang këtu dhe tani, le të përmbledhim se për shqiptarin e terrorizuar nga befasitë, heshtja është kthyer në sinonim të frikës a të fajit. Ose që të dyja bashkë. Hesht dikush se ka frikë, se e kanë urdhëruar të heshtë, ose se është fajtor, se ka bërë diçka të pistë dhe ka frikë se mos e pikasin dhe ia nxjerrin të palarat në shesh. Dhe megjithatë, në kundërshtí me këtë mungesë të heshtjes në kulturën tonë, vërejmë vitet e fundit se media shqiptare ndonjëherë huazon gjeste të huaja, siç është heshtja, dhe manipulon duke theksuar fragmente të tjera të së vërtetës, ndonjëherë duke i mbitheksuar ato, pikërisht për të mbuluar fajin grupor. A nuk janë sfidues shqiptarët këtë herë?

Mbas legjendës 15-vjeçare për të ringritur me zhurmë e zulmë hierarkinë e shqiptarëve ortodoksë, është e pamundur të gjenden kandidatë për peshkopë nga ky komunitet, por është më se e mundur të ngjizen peshkopë atje ku përndryshe nuk do të ishin kurrë: nga komuniteti mysliman! Dhe mbas të pabërës, nis lufta për të imponuar heshtjen, e cila nuk është vetëm dhunë në vetvete, por dhe përdhunë ndaj ortodoksëve. Nëse grekët përbëjnë një pakicë në kishën ortodokse shqiptare, sidomos sot, myslimanët e konvertuar prej grekëve përbëjnë një grimë grimash ndër ne, pavarësisht se mundën të shtijnë në dorë autoqefalinë e KOASH-it; në bashkëqeverisje me grekët. Dhe megjithëse shqiptarët ortodoksë janë shumica dërrmuese e Kishës, sot nuk ekziston asnjë peshkop me prejardhje nga ky komunitet. As edhe një i vetëm!

A nuk është antropologjike tashmë heshtja grupore e shqiptarëve? Kjo heshtje gjestuale mund të përfshihet në zërat e një fjalori të pabotuar gjestesh e gjestikulimi në letrat shqipe. Gjatë dy-tre dhjetëvjeçarëve të fundit ka një interesim të madh mbi historinë kulturore të gjesteve, gjë që ka shkaktuar fjalorë, studime e botime të shumta në letrat perëndimore. Ndryshimet e befta sociale në Shqipëri, media elektronike, si dhe zhvendosja e shumë shqiptarëve në mjedise me gjestikulime më figurative a më të përkora, të ndryshme nga tonat, ka bërë që të hyjnë gjeste të reja në komunikimin shqiptar, duke dërguar në ngrirje e në harresë gjeste të vjetra. Shqiptarët nuk vëzhgojnë tashmë gjestet e të huajve, por vetë gjestet e tyre, sidomos ato gjeste dalë nga imitimi i vetëdijshëm. Në një kulturë që nuk është gati për të toleruar shpengime tek pjesëtarët e saj, kërkohen shenja vetëshpengimi… E çuditshme, nuk është?

Mungesa e një fjalori të gjesteve shqiptare, por dhe vrojtimi për të hasur e pikasur gjeste të reja ndër shqiptarë, mbytet nga heshtja si gjest, e cila sugjerohet së fundi për përdorim grupor në kulturën shqiptare. E kam fjalën për heshtjen mbi fakte që nuk mund të heshtet, dhe jo për urdhërimet për të dërguar prishësit e heshtjes në çmendinë, atje ku ideologët myslimanë të letërsisë nacionalkomuniste sugjerojnë të ngujohen kundërthënësit e tyre bashkëfetarë, ata që nuk e mohojnë vetveten por iu nyjëtojnë bashkëkohësve të vërtetën, sepse nuk tuten nga historizantët e diktaturës. Ideologët vrastarë harrojnë se përftimi i heshtjes në çmendinë ishte një ëndërr e Realizmit Socialist, prandaj dhe ajo heshtje nuk ishte as realiste e as socialiste. Ishte, ndoshta një dialekt në muzeun gjuhësor të heshtjeve.

Dhe mbrapsht tek ortodoksët. Interesante ishte edhe heshtja që shoqëroi vizitën e peshkop Nikon Liolinit në Shqipëri, e cila i parapriu heshtjes së madhe mbi peshkopët e rinj myslimanë. U bë një vizitë e fshehtë, e cila u njoftua në shtypin kishtar vetëm mbasi kishte përfunduar, pa u përmendur fare nga shtypi shekullar. Në fakt, nëse skandali i zhvarrosjeve të Përmetit përgatiti udhën për ngjarjet kishtare të nëntorit të kaluar, heshtja e madhe mbi origjinën myslimane të peshkopëve të rinj u ushtrua më parë për hirësi Nikonin. U hesht gjer në varr, për të mbuluar çfarë?

Së pari, nëse peshkopi i shqiptaro-amerikanëve shfaqej në publik, ose do të ekspozohej që nuk di asnjë fjalë shqip, ai që krekoset pa shkak fare në fronin e Nolit, ose media jonë do të ringjallte kohën e filmave pa zë. Së dyti, Nikoni jo vetëm që nuk di shqip e nuk ka studiuar teologji, por nuk është i aftë të bëjë një bisedë publike as në gjuhën e tij të vetme, në anglishte. At Arturi, në të kundërt, edhe pse nuk ka diplomë teologjie e priftërie, në muhabet me shqiptarët nuk ia ha qeni shkopin. Vëllezër jemi, shokë s’jemi… Së treti, Janullatosi ka reklamuar nëpërmjet shtypit dhe seminarit peshkopin sui generis të kishës greke Ilia Katre, si të parin përfaqësues të diasporës shqiptaro-amerikane. Për parantezë, edhe pse ky thotë se ka dy kisha, vetëm njëra e njeh plotësisht. Si pasojë, Nikoni mbeti në fund të listës, edhe pse peshkopata e tij përmbledh pothuaj të gjitha kishat shqiptaro-amerikane.

Veç këtyre ka dhe një tjetër arsye, më e madhja, për të shpjeguar se pse peshkop Nikoni është në hije: Artur Liolini është prift, por nëpërmjet myslimanëve është imponuar me titullin e shpikur “kancelar”, i cili në praktikën ortodokse nuk është më shumë se titulli i sekretarit të peshkopatës për një prift, prandaj dhe në protokollin ortodoks nuk përdoret jashtë kishës. As në Greqi, ku mitropolitë (peshkopatat) kanë me dhjetëra e ndonjëherë me qindra priftërinj, kancelarët nuk e përdorin titullin jashtë kishe, madje as kur botojnë artikuj e libra. Si mund të tejpërdoret pastaj titulli i kancelarit në një peshkopatë vetëm me dhjetë priftërinj?

Sidoqoftë, at Arturi e mbajti peshkopatën pa peshkop për pothuaj dy dhjetëvjeçarë, duke vepruar vetë si peshkop de facto, duke krijuar një mjedis të sëmurë e nepotik, gjithnjë duke e zmadhuar e suprimuar titullin fantazmë të kancelarit. Sikur të mos mjaftonte kjo, at Arturi nënshkruan tanimë, mbas fronëzimit të peshkop Nikonit, edhe si “kryekancelar” (?!), titull i cili nuk ekziston asgjëkundi në Kishën Ortodokse. As ka ekzistuar ndonjëherë, por kjo është cilësia e komunitetit të prapambetur shqiptaro-amerikan, i cili nuk ka intelektualë që të përfshihen në lëvizjen për transparencë që ka pushtuar vitin e fundit Kishën Ortodokse në Amerikë, atje ku përkasin kishat e tyre.

Kishat shqiptaro-amerikane, të drejtuara nga priftërinj jo shqiptarë, nuk kanë asnjë teolog që të dalë e të përgjigjet se pse duhet të justifikohen shkelje të tilla kanonike në komunitetin e tyre. Si mund të tolerohen abuzime të tilla nga një prift që ka shtirë në dorë pasuritë e përbashkëta të shqiptarëve dhe i administron ato në mënyrë fare private, me mbështetjen e myslimanëve, për interesat e tyre dominuese? Është i njëjti prift që ka futur peshkopin edhe kancelarin nën ombrellën imagjinare të “kryekancelarit”, atje ku bën mu i njëjti person, ai personazh me aq probleme. Është për të mirën e emrit shqiptar në Amerikë që prifti i Shën Gjergjit të këshillohet nga dashamirësit e tij, sepse gjatë vitit të fundit ai ka bërë gafa të pajustifikueshme, sidomos duke shpikur një titull të ri, i vetëpërshkruar kësisoj në një krizë të madhe. Çfarë tjetër pritet të bëjë Liolini në vijim? Më vijnë fjalët e Nolit për Marko Lipen: “I është rritur mendja si bretkosës së përrallës.” Të paktën, i ndjeri Marko ishte peshkop dhe teolog, por A. Liolini nuk është as njëra e as tjetra…

Përderisa gjithandej në rrethet kishtare dihet sëmundja e at Arturit për të vepruar si peshkop, madje dhe sot kur ka bërë të vëllain peshkop, vetëpërqeshja e tij arriti gjer atje sa vetë Janullatosi e quajti Nikonin “vëllai i Episkop Liolinit”, në një kohë kur dihet se at Arturi është prift dhe jo peshkop. Madje atij i rron ende priftëresha. Pastaj, kush mund të depërtojë në mendjen e Zotit që të na thotë se kë do të thërrasë Ai më parë, priftëreshën, apo pse jo priftin, rrëshqitësin e vetëshpallur peshkop? Çfarë kombi qenkemi që tolerojmë teatrizime të tilla të hyjnores… Mos vallë kanë të drejtë ortodoksët e Amerikës që e marrin për joke kishën shqiptare atje? Nga ana tjetër, Janullatosi e quajti priftin peshkop për të na lënë të dokumentuar jo vetëm sëmundjen e Liolinit, por sidomos moralin e misionit grek në kishën shqiptare.

Çështja e peshkop Nikonit është e mjegullt në mendjet e shqiptarëve dhe sidomos të atyre jo ortodoksë. Në një mikropeshkopatë me dhjetë kisha, sa peshkopë ka dhe kush është ai? Shumica kujtojnë se ka disa peshkopë, sepse e konceptojnë këtë gjysmëpeshkopatë si një Shqipëri të madhe imagjinare, prandaj dhe e ndiejnë veten si shtegtarë në vise të pashkeluara, si “Liza në botën e çudirave”. Nuk është habi që të pandehen disa peshkopë në një visore kaq mitologjike, prandaj dhe nuk është problem që i pari të jetë at Arturi, madje “Episkop”, siç e ironizoi Janullatosi, një cilësim që mund të ndijohet plotësisht vetëm brenda zhargonit kishtar grek. Sidoqoftë, ky regjim parakishtar në Boston është shkelje e kanoneve të paradhëna ortodokse, si dhe abuzim i mëtejshëm ndaj komunitetit të prapambetur shqiptaro-amerikan. Si përfundim i kësaj paranteze nga peshkopata zulmëmadhe e Amerikës, le të pranojmë se heshtja mbi vizitën e peshkop Nikonit është pjesë e dialektikës së heshtjes që po lakojmë sot.

Pavarësisht nga motivet e heshtjes, e cila bujti në këtë periudhë të ngarkuar me kaq shumë gjeste e simbole, pyetja e mëposhtme, të cilën e kam ngritur dhe do ta përsëris derisa të prishet heshtja gjestuale, është brenda diskursit: Si është e mundur që Zoti të ketë hedhur më shumë hir te grekët, te myslimanët e tek amerikanët, dhe më pak te shqiptarët ortodoksë? Sepse këta të fundit nuk ua mbushin syrin grekëve për të marrë në dorë kishën e të parëve të tyre, duke i gjetur secilit nga një cep, por nga ana tjetër shpiken peshkopë nga e mosqena, nga komuniteti mysliman! Vetëm nëse hahet një gënjeshtër e tillë, domethënë se komuniteti ortodoks në Shqipëri është më i prapambetur kulturorisht, në krahasim me komunitetet e tjera atje, vetëm ashtu mund të pranohen myslimanët si peshkopë në kishën ortodokse shqiptare. Vetëm përmes mashtrimit, përmes manipulimit të mendjes, duke kultivuar komplekse grupore. Epërsia e shumicës!

E vërteta është se shqiptarët ortodoksë jo vetëm që ishin të zotët të bënin kishë e literaturë vendore, me emra të tmerrshëm, si Kostandin Kristoforidhi, Fan Noli e të tjerë, me dëshmorë martirë baraz me fqinjët, si Petro Luarasi, At Kristo Negovani e shumë të tjerë, me kryepeshkopë të përmasave të mëdha, si Visarion Xhuvani, Kristofor Kisi dhe jo vetëm, por nuk qëndrojnë mbrapa as në fusha të tjera; njësoj me sivëllezërit myslimanë, katolikë e ateistë. Ortodoksët i kanë dhënë kulturës shqiptare autorë dhe çaste të papërsëritshme. Hiqni autorët ortodoksë nga bibliotekat tuaja, sidomos ata besimtarë, dhe na thoni çfarë Shqipërie keni: dhia me një bri…

Edhe pse historiografia shqiptare e ka harruar ta thotë, intelektualët e shquar ortodoksë, të cilët janë pronë e së tërës kulturë shqiptare, i zbuluan dhe i kultivuan dhuntinë tek e veçanta, pikërisht brenda përvojës kulturore të besimit të tyre, para e mbas autoqefalisë, prandaj dhe i dhanë kaq shumë botës shqiptare. Kur ata erdhën në kontakt me shqiptarizmin dhe rrymat jo shqiptare që e ushqyen atë, apo më vonë me shtetin dhe me shkollën e cunguar shqiptare, të mëdhenjtë ishin mëkuar me vlera që i tejkalonin, prandaj dhe nuk mund ta mohonin traditën e tyre. Jo vetëm që i ishin mirënjohës atij besimi që i ndihmoi të kultivohen e të zbulojnë dhuntitë, por në çaste zhgënjyese, në ditë përçmimi, shkeljeje dhe izolimi nga bashkëkohësit, ngushëllimin e gjetën pikërisht në vlerat e tyre fetare dhe jo në ato shekullare. Atje dhe vetëm atje, në përvojën jo kombëtare, mundën të gjejnë edhe sensin e flijimit për kulturën shqiptare. Që t’i kemi e t’i lexojmë të gjithë e gjithmonë.

Për mua nuk përbën më habi se përse heshtin shqiptarët sot, por nuk mund të kapërdij faktin se përse më kërkojnë mua të hesht… Përderisa pozita greke dhe myslimane në ortodoksinë shqiptare, kjo kompozitë kalërore, pra, është kaq e endur, kaq epërsore, kaq e puthitur dhe kaq kremtore, përse të përcëllohen nga këto që shkruaj unë këtej, mbrapa diellit, në Kanada? Heshtja e fajit grupor, përkujdesja për të shpërqendruar vëmendjen e të shumtëve, për të shtënë harresë, por dhe ngërçi ndaj shkrimeve të mia ndryshe, dëshmon se pozita e grekëve dhe e myslimanëve në kreun e kishës ortodokse shqiptare nuk është e ngurtësuar. Qarkimi i plotë i këtij regjimi të çuditshëm kishtar, greko-mysliman, një skemë me pasoja jo vetëm për komunitetin ortodoks, por në imazhin e vetë kulturës shqiptare, do të varet nga përherësimi i heshtjes, a nga prishja e saj. Dhe e kjo e fundit është tmerri i tyre. 

Published in: on March 1, 2008 at 5:48 am Comments (0)