Myslimanët në kishën tonë (1)
I pazëvendësueshmi ndër myslimanë
Mbas vitit 1992, atëherë kur eksarku grek u fronëzua me manipulime të shumëfishta si kryepeshkop i Shqipërisë, fundviti i 2006-ës na polli krijesën më të çuditshme në historinë e ortodoksisë shqiptare: Një sinod ortodoks me gjashtë peshkopë, nga të cilët tre janë nga Greqia dhe tre nga komuniteti mysliman i Shqipërisë. Tre prej hierarkëve përbënin kryesinë e mëparshme peshkopale, atë të periudhës së parë sinodike të pasdiktaturës, 1998-2006:[1] Anastásios i Tiranës, Ignati i Beratit dhe Joani i Korçës. Ndërsa tre hierarkët e rinj, me të cilët u plotësua sinodi në nëntorin e kaluar, janë: Dhimítrios i Gjirokastrës dhe dy peshkopët titullarë Nikolla Hyka e Andon Merdani.
Në median shqiptare u komentua vetëm mbi njërin prej peshkopëve të rinj, mbi mitropolitin grek të Gjirokastrës, por u hesht qëllimisht mbi origjinën e dy peshkopëve të tjerë shqiptarë, edhe pse të shuguruar njëherësh me grekun. U hesht se dy peshkopët 35-vjeçarë nuk janë me prejardhje nga komuniteti ortodoks, siç nuk është i tillë as mitropolit Joani (Pelushi), duke përbërë kështu dy trini brenda eksadës skematike: Grekët e vjetër dhe myslimanët e rinj!
Mbas plotësimit të sinodit, me të drejtë shqiptarët prisnin nga kryepeshkopi i huaj 80-vjeçar ose të jepte dorëheqjen menjëherë, ose të njoftonte kohën se kur ka ndërmend të lejojë dikë tjetër në fronin e përdhunuar prej tij. Sepse, mbas gjashtëmbëdhjetë vjetësh si “i përkohshëm” në një kishë të huaj, atij i është qarkuar plotësisht shërbesa. Për pasojë të kësaj tejpritjeje, për herë të parë pamë ortodoksët të marrin pjesë në debate publike mbi problemin kombëtar në kishë, gjë që deri sot është trajtuar si tapi e myslimanëve dhe e pak ortodoksëve të instrumentuar prej tyre. Ka qenë pikërisht ky monopolizim i çështjes së autoqefalisë nga myslimanët, ajo që bëri ortodoksët të tërhiqen dhe të flasin mbi këtë çështje vetëm me njëri-tjetrin. Treguesi i kundërt ishte përfshirja ime në shtyp dhe lufta e myslimanëve kundër meje: spektakolare në publik dhe e pabesë në privat.
Në të kundërt të kësaj shtrëngese mbas plotësimit të sinodit, pikërisht sepse këtë herë dolën edhe ortodoksët në Shqipëri të flasin për zëvendësimin e kryepeshkopit jo shqiptar, Janullatosi zgjodhi një tjetër lloj përgjigjeje. Kandidati më i mundshëm i palës shqiptare për kryepeshkop, Joani i Korçës, doli në media për të na thënë se ai nuk ndihet gati për një peshë të tillë, kaq të rëndë. Edhe pse ky pohim zhgënjeu mjaft ortodoksë, por jo të gjithë, e keqja më e madhe është tjetra: Pelushi beson se askush shqiptar tjetër mund të ngrejë një kryq të tillë mbi shpinë dhe, prandaj, Janullatosi qenka i pazëvendësueshëm.[2] Me një deklarim të tillë ai e mbylli errësisht debatin, duke e zbuluar krejt fytyrën që këto vite ka mbuluar paq me mënyra vendore. Nuk paska kandidatë të tjerë, sepse e thotë ai që ëndërron të bëhet kryepeshkop kur ta mirosin grekët…
Sidoqoftë, ne të krishterët ortodoksë besojmë se në Kishë askush nuk është i pazëvendësueshëm (as Janullatosi) dhe kjo bindje është pjesë e dogmës ortodokse. Për më tutje, teologjia ortodokse na ka lidhur të besojmë se askush nuk është i denjë dhe i aftë të shërbejë në Altar (as Janullatosi), por është pikërisht Zoti që aftëson dobësitë, që plotëson mangësitë, që shëron sëmundjet dhe që mbush boshllëqet e natyrës njerëzore, atje ku përkasim me të drejta të barabarta edhe ne shqiptarët; njësoj si grekët dhe gjinitë e tjera njerëzore, pa asnjë dallesë sipërore a ultësore. Si rrjedhojë, sado i pasur dhe i plotfuqishëm të jetë Janullatosi në Shqipëri, ai nuk ka se si të tejkalojë natyrën njerëzore dhe as të zëvendësojë atë hyjnore. Është, pra, më se i zëvendësueshëm! Këto na thonë Shkrimet, këto besojmë.
Deklarata e errët e mitropolitit të Korçës, kundër zëvendësimit të Janullatosit sot, u mbështet menjëherë edhe nga prifti i kishës shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, at Arthur Liolin, i cili u pajtua me Pelushin, gjithmonë nën hyqmin e folklorit që ia mbulon të gjitha: “Shqiptarët dhe grekët ngrohen në një diell.”[3] Çfarë diturie e urtësie, por dhe çfarë kripe prej Amerike! Çaste të tilla, kaq të tejdukshme, sidomos në një shqipe kuzhine me dyqind fjalë, pasqyrojnë tërësinë e njeriut përfitues dhe abuzues, ndaj kishës dhe ndaj shqiptarëve njëherësh. E njëjta shprehje folklorike përdoret dy herë në të një njëjtën intervistë të shkurtër. Sado qesharake në tingull, është e përgatitur, e qëmtuar diku nga dikush, që të hidhet në përdorim për të tallur të shumtët dhe për të përqeshur të paktët. Një përkatës i ndershëm dhe i denjë në fushën e tij, do të përdorte argumenta dhe jo folklorizma e kodra mbas bregut.
Kohën që Liolini do ta harxhonte për të mësuar shqip, e tret për të kuptuar se si e duan shqiptarët. Si e duan, jo vetëm që të mos ia kuptojnë hilet, por dhe të manipulohen, domethënë që dhe kur t’i çnderojë, të mos iu shkojë mendja ta ndijojnë e të reagojnë. Përderisa shumica e intelektualëve të diktaturës janë të një brumi disi të ngjashëm, hipokrit, at Liolinit nuk i bëhet vonë se çfarë do të mendojnë të paktët, sepse ai është amerikan: Mjafton të ruhen interesat ekonomike, jo vetëm për të por dhe për fisin e tij, të cilët nuk mund t’i përfytyrosh jashtë kishave shqiptare, përndryshe marrin fund! Sidoqoftë, një shtyp që pasqyron një kulturë të prapambetur, figurina të tilla ia japin të plota ngjyrat vendore.
Sikur të mos mjaftonte kjo mbështetje ndaj Janullatosit, në një fazë kritike të misionit grek në Shqipëri, dy klerikët “patriotë” dhe “shkencëtarë”, siç na i kanë pagëzuar myslimanët Liolinin dhe Pelushin, shkuan gjer atje sa të justifikojnë plotësisht edhe zgjedhjen e një peshkopi jo shqiptar e jo shqipfolës në mitropolinë e Gjirokastrës! Interesante është se ndërsa për Janullatosin u përdor njëfarë argumenti e sentimenti, çështjen e mitropolitit të Gjirokastrës dy klerikët e mbrojtën fare hapur, pa tërthorizma, pa diplomaci. Sepse e kanë aq mbështetje në botën e mrekullive shqiptare, saqë edhe kur shesin të drejtat e shqiptarëve ortodoksë, të mos guxojë kush të flasë publikisht.
Në këtë pikë imzot Pelushi u tregua më i sinqertë, sepse nuk e kundërshtoi faktin që kryebariu i Gjirokastrës nuk flet tjetër gjuhë veç greqishtes. Ai e pohoi mitropolitin e ri pa doreza, duke e rrëfyer si grek jo shqipfolës, ndryshe nga at Arturi që mashtroi duke thënë se mitropoliti grek flet e meshon shqip. Gënjeshtër e madhe kjo, por edhe arsyeja njësoj e madhe: Peshkop Nikon Liolini, vetë vëllai i tij, nuk di asnjë fjalë shqip! Me çfarë fytyre do të përflasë A. Liolini një peshkop tjetër të shqiptarëve që nuk di shqip? Aq më tepër kur imzot Dhimitrios i ndihmon ekonomikisht shqiptarët e kishave të tij, ndërsa Liolinët i mjelin ata si bagëtitë, sepse rrojnë dhe bëjnë politikë me rrogat që marrin pikërisht nga kishat shqiptare, nga besimtarët shqiptarë, me mbështetjen e myslimanëve! Ja, pra, pse intriga ngushëllohet me dhembshurinë ndaj misionit grek në Gjirokastër.
A nuk është absurde, për të mos thënë shenjë e një idiotizmi grupor, të konsiderohet patriot një prift i tillë, ky që mbron hapur jo vetëm përherësimin e misionit grek në Tiranë, por dhe zyrtarizimin e një misioni më keq çshqiptarizues në Gjirokastër? Dhe kjo pyetje nuk ka përgjigje, sepse myslimanët na kanë urdhëruar heshtjen. Sepse na e shpallën Liolinin “patriot”, që t’i vënë të dyja këmbët në Kishë.
Mjaft intelektualë të diktaturës e pëlqejnë atin e lakuar, sepse iu nxjerr mallin e personazheve të kinematografisë shqiptare, ku kleriku ishte simbol i dhelpërisë. Për pasojë, përderisa “priftërinjtë janë të gjithë mashtrues”, synimi i të rrjedhurve para kohe është ta përdorin rënien dhe hipokrizinë e priftit në fjalë “për çështjen kombëtare”. Krijesat e asaj ideologjie nuk mund të besojnë se kleriku rëndom është njeri i çiltër dhe i ndershëm, dhe se Liolini është një përjashtim i keq, një rrëshqitje e rrezikshme në fe dhe një aksident i madh në kishën ortodokse shqiptare. Ky personazh mund të kuptohet vetëm si pasojë e specifikës sonë historike mbas mbylljes së kishave, si dhe e nevojës së amerikanëve për të ndërhyrë në Shqipëri në rrethana të papërsëritshme. Përndryshe, le ta themi, Liolini nuk do të ekzistonte fare dhe asgjëkundi!
Po bëhen afro katër muaj që nga nëntori i kaluar dhe mbas deklaratave të Pelushit dhe të Liolinit në dhjetor, qëllimisht nuk kam folur. E mbyllën apo nuk e mbyllën debatin në media? Mbas këtyre ndërhyrjeve të planifikuara, çështjes iu vu kapaku: Misioni grek, domethënë ata që veprojnë duke përdorur vitrinën Janullatos, do të vazhdojë në Tiranë, dhe i njëjti mision grek, tok me versione të tjera grekësie, do të veprojë tashmë i ligjëruar nga shteti shqiptar edhe në selinë ortodokse të Gjirokastrës. Kaq e sajuar dhe e pabesueshme ishte kjo ndërhyrje, saqë Liolini, për t’i vënë vulë mbylljes së debatit dhe për të penguar rihapjen e tij, i dha trajtë tjetër për tjetër, duke botuar një artikull mbi Nolin dhe komunizmin e tij: Tra-la-la, zura një galë…
Siç e thotë kryetitulli, me këto shkrime nuk kam ndërmend të merrem me problemin Janullatos, sesa me problemin më të madh që ai i ka shkaktuar ortodoksisë shqiptare: Myslimanët në Kishën tonë!
Shënim: Kreu i parë i kësaj teme, shkrimet 1-6, u shkrua para një viti, shkurt-mars 2007.
The URI to TrackBack this entry is: http://bizantin.wordpress.com/2008/02/29/myslimanet-ne-kishen-tone/trackback/