Myslimanët në kishën tonë (2)

Për të prishur heshtjen

Qëndrimi i imzot Pelushit së fundi tregoi se këta myslimanë të konvertuar në krishtërimin ortodoks me motive politike, ekonomike dhe emocionale, paraqesin sot pengesën më të madhe për largimin e misionit grek nga kreu i Kishës së Shqipërisë, si dhe për emërimin e një shqiptari ortodoks në mitropolinë e Gjirokastrës, e cila kjo është zona më e brishtë në ortodoksinë shqiptare. Tre peshkopët me prejardhje nga komuniteti mysliman, si dhe priftërinjtë e shumtë me prejardhje njësoj myslimane, përfaqësojnë e mbrojnë interesat e shumicës shqiptare, e cila, siç vetëshquhet, ka shumë nevojë për Janullatosin. 

Në të kundërt të shumicës së kalëruar dje dhe sot, ne të pakicave jo greke e jo myslimane besojmë se misioni i Janullatosit në Shqipëri nuk shërben më interesat e parëthirrura ortodokse, as ato shtesat sociale e socialiste (bamirësitë), por planet afatgjata të shtetit grek, tok me kryqëzime interesash jo shqiptare e jo ortodokse. Është pikërisht kjo ndërthurje interesash që e bën Janullatosin, përmes çudibërjes së tij, dëmprurës për komunitetin ortodoks dhe për kulturën shqiptare.

Motivimet e dërgatës greke mund të jenë të mira, domethënë nga pozita e ndriçimtarit që beson se ka lindur të urëzojë humnerat kulturore, nga pozita e misionarit që beson se njelmësimi i kulturës shqiptare me kripën e vjetër greke do t’i japë asaj shije më të mirë. Le të shkëputemi pak e të kujtojmë parathënien e botimit grek të Fjalorit të Gjuhës Shqipe të Kristoforidhit (1904), e cila parathënie e botuesit nuk u përfshi në ribotimin e transliteruar shqiptar (1961).[1] Është e njëjta frymë, e varrosur për një qindvjeçar, por jo e humbur, prandaj dhe lehtë e ringjallur. Nga ana tjetër, kush tha se sundimet e moçme e të sotme nuk e kishin dhe nuk e kanë motivimin tek e mbara? Është mu atje ku përkasin dhe robëritë e shkuara e të sotme, grupore e individuale. Madje, do të tundoja, krime të mëdha ndonjëherë janë kryer pikërisht nga njerëz që besonin sinqerisht se kishin dëshirat më të qashtra institucionale. 

Shenjat kulturore të misionit grek janë bërë të dukshme në kulturën shqiptare, ndërsa pasojat nuk mund të fshihen më, edhe pse intelektualët dhe njerëzit e balancës nuk duan të rrezikojnë dhe mjaftohen me vëzhgime dhe biseda kokë më kokë. Bota shqiptare ka shumë nevojë që këto biseda të dëgjohen më gjerë, siç bëri gazetarja dhe autorja Rudina Xhunga. Ishte vetëm një emision, por bëri jehonë pikërisht se një debat i njohur u zhvendos në mënyrë profesionale nga privati në publik. Ishte diçka që dihej, që flitej, por që kishte nevojë të aktualizohej dhe t’i shpëtonte thashethemit, atje ku ka përfunduar çështja ortodokse sot. Mbi të gjitha, ishte një debat i dobishëm, sepse nuk ishte kushtrim vetëshkarkues, siç ka ndodhur rëndom këto vite, as tërthorizëm qëllimshmërish politike, siç nuk ka munguar në zonën shqiptaro-greke, por një debat kryesisht mes ortodoksësh që kanë vegime të ndryshme mbi komunitetin e tyre, brishtësia e të cilit komunitet është cilësuar nga ndërkombëtarët si parakusht për çështje që prekin gjithë problemin shqiptar në Ballkan. Në rastin e mitropolitit të Korçës, pyetjet e goditura të gazetares nuk morën gjithmonë përgjigje.

Përfshirja e disa intelektualëve në këtë debat, e cila u prit me mbresën e shtirur të habitores nga oborri i Janullatosit, ishte pikërisht oguri që presim të shquajmë ne ortodoksët. Intelektualët tanë nuk kanë pse të harrojnë çka ndodhi para një qindvjeçari, kur ortodoksët u përfshinë në debate publike mbi çështjet ortodokse, pikërisht se ato punë nuk ishin vetëm ortodokse. Ndërsa sot është e lehtë që intelektualët ortodoksë (besimtarë, jo besimtarë a ateistë) të flasin për Nolin, por është vështirë që ata të flasin për grekët, para një qindvjeçari ishte më e vështirë dhe madje më e rrezikshme të kritikoje hierarkinë ortodokse. Dhe megjithatë, ortodoksët sakrifikuan atëherë dhe e morën çështjen në duart e tyre, duke sfiduar madje edhe priftërinjtë, të cilët më vonë u shtrënguan të bashkëveprojnë me laikët, domethënë për të kundërshtuar së bashku hierarkinë.

Në këtë perspektivë ortodokse e tejet, kur flasin intelektualët tanë, dhe sidomos kur flasin ndershëm, ne zgjohemi dhe lëvizim. Prishet heshtja. Shumica e ortodoksëve kanë harruar se ç’ndodhi në kohën e Rilindjes Shqiptare dhe kemi harruar se historia nacionalkomuniste na mësoi gjithçka përveçse histori. Është krijuar përshtypja se ortodoksët janë pemë të ëmbla, por janë të tilla ngaqë janë të vona. Kësisoj përpiqemi të bëjmë punë të denja në botën shqiptare, por përpiqemi të bëjmë kështu ndoshta edhe për të kapërcyer kompleksin e zanafillës që na kanë krijuar grekët dhe shqiptarët. Grekët na besojnë se jemi grekë të albanizuar, ndërsa shqiptarët na duan katolikë të ortodoksizuar. Jemi shqiptarë të vonë, domethënë, ndryshe nga myslimanët dhe katolikët, të cilët qenkan shqiptarë të kryeherës. 

Sidoqoftë, kur Profesor Rexhep Qosja del e na kujton, menjëherë mbas ngjarjeve të nëntorit 2006, se “Rilindjen tonë, që do të sjellë krijimin e shtetit shqiptar, e kanë filluar pikërisht vëllezërit tonë ortodoksë”,[2] kjo fjalë bie si këmbanë për ortodoksët, për të na ndihmuar pikërisht të kapërcejmë komplekset tona grupore. Është diçka që ne duhet ta besojmë vetë, se është e vërtetë, por duhet t’ua themi vazhdimisht edhe fëmijve tanë, në mënyrë që ata të ëndërrojnë një kishë me tipare të plota vendore. Përderisa komuniteti ynë nuk ka sot një intelektual të përmasave që të flasë e të dëgjohet gjithandej, le të dëgjojmë të vërtetën. E foli Rexhep Qosja, intelektuali i madh i kulturës së përbashkët, bashkëkohësi i vlerave universale, dje dhe sot, gjë që duhet t’i ngushëllojë e t’i nxisë intelektualët ortodoksë të vazhdojmë debatin publik.        

Çështjes ortodokse i mungon sot zëri dinjitoz në publik. Në kapitujt që shpresoj të vijojnë me të njëjtën kryetemë, do të analizohen një për një pohimet dhe mohimet e mitropolitit të Korçës J. Pelushi dhe të priftit shqiptaro-amerikan A. Liolin, për t’u përsiatur e thelluar mbi qëndrimet e tyre publike. Duhet bërë kjo, jo se shkrimet e tyre kanë tharm dhe ia vlen barra qiranë të merresh me cektinën, në këto vite të arta për të qëmtuar të denjën tek bashkëkohësit, por se pikërisht këta dy aktivistë që u përdorën nga Janullatosi, në këtë pikë kritike të misionit grek në Shqipëri, janë dy emra të shpikur nga klanet myslimane, prandaj dhe të mirëpritur në media.

Në fjalët e tyre do të shquajmë pasojat dhe dëmin moral që po i shkaktojnë këtij brezi, nga njëra anë, dhe dobinë që po i sjellin një misioni parakishtar, nga ana tjetër. Liolini dhe Pelushi janë të pakritikueshëm edhe kur cënojnë interesat e ortodoksisë shqiptare, edhe kur tjetërsojnë thelbin e sendeve shqiptare, edhe kur shkelin integritetin e kulturës shqiptare, pikërisht se janë një shtrirje e opinionit mysliman, me petkat e shqiptarizmës, në një kulturë të përzier dhimbshëm. Jo vetëm që fama e tyre nuk është ngjizur nga ortodoksët, por emrat e tyre na janë imponuar nëpërmjet përsëritjes, shoqëruar me hosanatë e ndërkryera të kombëtarizmit të atjembetur shqiptar.

Për të mos shtuar keqkuptimet në këtë debat të ri, po kthjelloj se kur përdoret emri mysliman këtu, sepse do të përmendet qëllimisht dendur, bëhet fjalë për Shqipërinë shtetërore, jo për atë kombëtare, e as për atë imagjinare. Në kapitujt që do të vijojnë, do të vazhdojë e njëjta gjuhë, kjo që i bën shqiptarët të mos ndihen lirshëm kur e dëgjojnë. Është tema që i bën ata të ndryshojnë bisedë, të kafshojnë buzën, të tundin kokën, të t’i heqin sytë, t’i hedhin matanë duke marrë frymë thellë, të ngrihen në këmbë të indinjuar dhe menjëherë të ulen prapë, të kruhen, të tkurren, ndonjëherë edhe të skuqen pa shkak, edhe pse nuk skuqen fare kur është për t’u skuqur, për bëmat e tyre. Një gjuhë të tillë po nis qysh sot, pra, dhe madje do të përsëris disa cilësime e fakte për t’iu shtuar ngërçin fajtorëve, por dhe për të seleksionuar lexuesit, pikërisht se manipulimi përmes heshtjes së imponuar nga klanet myslimane ka arritur gjer atje, sa të thuhet e të tolerohet gjithçkaja, përveç së vërtetës. 

Fol për ortodoksët, për katolikët, për ateistët, për protestantët, për kë të duash fol, vetëm myslimanët mos i përmend. Në fund të fundit, thuaju emrat, por jo përkatësinë dhe prejardhjen. Madje kjo është pranuar më shumë nga ç’pritej në botën shqiptare. Një intelektual ortodoks, babaxhan si njeri dhe ndër më të njohurit në gjininë e tij, më thoshte: “Ashtu është, por nuk duhet thënë ‘myslimanët’ se tingëllon keq. Edhe Noli e dinte këtë, se vend mysliman është, por nuk e thoshte hapur. Madje Liolini më ka thënë se Noli mezi priste rastin të bënte aleanca me myslimanët, sepse e dinte fuqinë e tyre. Menjëherë i bënte. I them këto se nuk dua që ti të izolohesh.” Ahá! Kërcënime me pambuk, por jo vetëm…[3]

E pra, kam për qëllim të prish heshtjen e qëllimshmërisë shqiptare për të kallëzuar e goditur pikërisht këtë metodë psikologjike që klanet myslimane po ushtrojnë me kaq sukses në kulturën tonë. Duke pasur përvojë kontrollimi mbi një botë të vogël, aq më tepër kur ne jemi komunitet shumë më i vogël, përpiqen të na përçajnë e të na nënshtrojnë. Na dërgojnë mesazhe dashamirëse, duke na porositur me të mirë se çfarë nuk duhet të shkruajmë dhe pastaj se çfarë duhet të shkruajmë, por në fund të mesazheve gjithmonë iu shpëton një kërcënim dalë në shtrëngesë e në dhimbje, gjë që bën përgjegjës marrësin e krishterë, i cili rëndom ndihet fajtor, dhe jo dërguesin mysliman, shkaktarin e vetëm të fajit. Në fakt, kërcënimet nuk vijnë as nga myslimanët, sepse e kanë tjetërkund burimin. Ky kërcënim i ngjan imazhit të atit me fëmijën, ku babai shtrëngohet të jetë i ashpër, sepse është i detyruar të ushtrojë vetinë e atësisë, herë si përkujdesje e herë si rreptësi, prandaj edhe kur urdhëron, i shpëton një si përlotje: dhembshuria ndaj pjellës-pronë. E pashmangshmja në kulturën shqiptare… 

Frika në këtë komunikim brendashqiptar përkthehet si sedër vendore, etnokulturore, prandaj duhet të imponohet tek të gjithë pjesëtarët. Për më tej, pasojat varen nga protokolli dhe rituali i kulturës së prapambetur dhe jo nga e vërteta dhe përgjegjësia për ta rrëfyer në vetvete dhe në publik. Sepse myslimanët nuk po na imponojnë vetëm heshtjen mbi tingëllimën e emrit të tyre, por dhe vendime që përkojnë gjithmonë me interesat e tyre në rajon. Po ushqejnë në komunitetin tonë një lloj nënshtrimi të ri, duke fisnikëruar pozitën tonë të dikurshme të rajait, por jo dhe aq ndryshe. Përsëri atje ku ishim, “nën thundrën e përdhunës”.   

Përderisa grekët dhe myslimanët na imponuan një regjim të tillë, kaq antipsikologjik për specifikën shqiptare, me peshkopë nga komuniteti mysliman, përse të na zemërohen nëse i kallëzojmë? Apo ndoshta edhe vetëm për këtë ia vlen të hapet një debat i tillë, antihipokrit? Është mirë të heshtësh kur është për të heshtur, por është frikaçëri, në mos budallallëk i madh, të heshtësh kur të kërkojnë të heshtësh, vetëm e vetëm se thua të vërtetën dhe iu prish kësisoj heshtjen fajtorëve. Në rast se përmendja e emrit mysliman shkakton siklet, pikërisht se “nuk duhen përmendur myslimanët publikisht”, për hir të “tolerancës fetare”, të “shqiptarizmës” dhe të pjesës tjetër të filologjisë sonë, si nuk shkaktoka për ortodoksët siklet, ngërç dhe madje turp të madh, prania e tre myslimanëve si peshkopët e vetëm shqiptarë në kishat tona? Kaq poshtë ka rënë Ortodoksia Shqiptare?

Si do të reagonin myslimanët nëse disa të krishterë përqafonin fenë e tyre me motive ekonomike, politike e emocionale, a qoftë dhe spirituale, dhe menjëherë emëroheshin nga jo shqiptarët si liderët e vetëm vendorë të dy komuniteteve myslimane të Shqipërisë? Dhe jo vetëm kaq, por në vijim të zgjidhnin, si shpërblesë e lirë shpirti, liderë të tjerë jo shqiptarë. Me kaq sa pamë e dëgjuam publikisht këta dy vjet nga bashkëkombasit tanë myslimanë, diçka e tillë nuk do të tolerohej kurrë në botën shqiptare. Kurrën e kurrës! Por më mirë le të shikojmë punën tonë… 

Argumenti më i madh i justifikimit memec të myslimanëve është ky: “Janë shqiptarë ama, nuk janë grekë!” Kjo është shumë cinike, pikërisht se janë shqiptarë dhe prandaj vështirë të debatosh. Si na qenka i pazëvendësueshëm Janullatosi, pastaj? Si nuk paskan të drejtë shqiptarët e trevave të mitropolisë së Gjirokastrës të kenë peshkopin e tyre, në gjuhën e tyre amtare? Tre peshkopët myslimanë janë shqiptarë, por që sillen me ne më keq se grekët, prandaj dhe të zgjedhur në vend të ortodoksëve. Nuk i lufton dot, pikërisht se janë shqiptarë. Për më tutje, vijnë nga fise e klane të fuqishme myslimane, prandaj dhe të imponuar.

Duan t’i bëjnë ortodoksët të besojnë se komuniteti i tyre nuk është i zoti të vetëqeveriset pa grekët dhe pa myslimanët. Çfarë, çfarë? U bënë myslimanët peshkopë për të na temjanisur mafiozin përjetësisht në kreun e kishës shqiptare? U bënë myslimanët peshkopë për ta vënë Janullatosin mbi Zotin e mbi shenjtorët tanë, që t’iu thonë pastaj shqiptarëve ortodoksë se ai qenka i pazëvendësueshëm? E tha vetë hirësi Pelushi: Është arsyeja ekonomike! E tha copë! Sepse u ngjitën myslimanët në fronet e ortodoksëve për të na psallur himnin e femohuesit: Ejani t’i falemi viçit të artë!

Jo, or jo! Do të prishet heshtja se s’ka ku të vejë më. Duhet krisur qypi i hipokrizisë shqiptare, kjo heshtje struciste që po na imponojnë myslimanët mbi një problem që ka cënuar ortodoksinë shqiptare mu në zemrën e saj; me vullnetin e myslimanëve dhe me një gjakftohtësi teatrale. Do të prishet heshtja që dëshmon fajësinë e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare ndaj shqiptarëve ortodoksë, diskriminimin e tyre të dykahshëm në rajon; me qëllimshmëritë e myslimanëve. Do të prishet heshtja që nxitet edhe nga flirtimet e ndërkombëtarëve, të cilët për t’iu ndryshuar fenë myslimanëve shqiptarë, po na ngjizin në Shqipëri një kult prej plasteline greke; një “shenjtor” nga e kundërta e së shenjtës. Për interesat e tyre dhe jo të shqiptarëve. 

Edhe në s’duan të gjallët, do të prishet heshtja se e kërkojnë të vdekurit tanë; ata që u zhvarrosën sot dhe nuk iu gjenden kockat, por dhe ata që u varrosën për së gjalli dje; ata ndriçimtarë që u mallkuan për këtë identitet; ata që ikën me brengë jo kaq se i përçmuan kur i ndriçonin, por se i mohuan kur vdiqën dhe nuk denjuan as t’i varrosin; ata që sakrifikuan aq shumë nga jeta e tyre për një kishë ortodokse shqiptare, të cilën e deshën as kështu e as ashtu, as greke e as myslimane; ata që u flijuan për integritet, të cilëve në shumicë nuk iu dimë as emrat; ata që dhanë jetën për lëvrimin e gjuhës shqipe në Kishën Ortodokse, duke u përndjekur si nga grekët ashtu edhe nga myslimanët.

Na kërkojnë të heshtim në një kohë kur janë hapur varret e të krishterëve në Jug të Shqipërisë dhe kanë bërë gojë e flasin, për të ngërdheshur veprat e klaneve myslimane: Varrmihës të eshtrave tona dhe qivurtarë të së vërtetës! Do të prishet heshtja se shtrëngon kulturorisht.


[1] Shih në këtë blog, shkrimi 4.4, Sfondi grek në ortodoksinë shqiptare, kapitulli Kërthiza e greqishtes”.
[2] “Intervistë me akademikun Rexhep Qosja”, Gazeta Shqiptare, 3 dhjetor 2006.
[3] Çfarë dinte e çfarë nuk thoshte hapur Noli, dhe çfarë aleancash/kompromisesh ka bërë ai me myslimanët? Unë do të thoja se Noli nuk ka mundur ta fshehë krejt këtë temë, gjë që duhet trajtuar një ditë. Faleminderit!
Published in: on February 29, 2008 at 1:13 am

The URI to TrackBack this entry is: http://bizantin.wordpress.com/2008/02/29/myslimanet-ne-kishen-tone-2/trackback/

RSS feed for comments on this post.

Leave a Comment