Kulti i Janullatosit në statutin e ri (16)

Finalizimi i misionit

Sikur të mos mjaftonin gjithë këto manipulime e shkelje kanonike, të cilat u shënjuan e u renditën përmbledhtas në këta kapituj, statuti i ri përmbyllet me një kanosje: Nenet 1-6 të këtij statuti nuk mund të ndryshohen apo të suprimohen… (Neni 70, 2006). Është fjala për disa nene me përmbajtje të kthjellët politike: Në nenin 1 është shtuar flirti “me Patriarkanën Ekumenike”, në nenin 2 hiqet juridiksioni i KOASH-it mbi shqiptarët ortodoksë jashtë Shqipërisë, duke i dhënë Stambollit të drejta të përhershme mbi diasporën shqiptare, ndërsa në nenin 4.1 shtohet një nen ku i jepen të drejta të përjetshme Fanarit për të të ndërhyrë në territorin e Shqipërisë. Përderisa nenet 1-6 kyçen me përdhunë, statuti është i ngrirë kryefund, sepse kësisoj mbrohen edhe ato nene politike që nuk përfshihen në gjashtë nenet e para, por që burojnë prej tyre.

Neni 70 është kontradiktor edhe për faktin se në nenet 1-6 të statutit të ri bëhen përcaktime mbi nenet 10 dhe 24 të Kushtetutës së Shqipërisë. Nëse në një të ardhme këto nene e raporte të shtetit me komunitetet fetare ndryshojnë në Kushtetutë, si mund të mos ndryshohet Statuti, atëherë? Ndërsa kjo nuk parashikohet në statut, një gjë është e qartë, se neni 70 e lë luftën mbrapa në komunitetin ortodoks të Shqipërisë. Statuti e var kishën shqiptare pezull tek patrikana greke, aq sa potenciali i ndarjes së KOASH-it mëdysh është një nga tundimet që po i trashëgohen brezave. Është fjala për ata që do të dëshirojnë një kishë me tipare të plota vendore, ashtu si kishat e tjera autoqefale, në kundërshtim me ata që do të përpiqen të trashëgojnë të patrazuar nenin 70 të statutit të 2006-ës, nga frika se mos Janullatosi i mallkon së larti, atje ku e kanë burgosur ndërthurjet e interesave politike në një kulturë të mistershme. Për parantezë, Fanari mbijetoi këtë shekull falë këtyre përplasjeve brendaetnike në gjeopolitikën ortodokse…

Tejet slloganëve të Janullatosit, se statuti i ri qenka një përmirësim dhe plotësim i të mëparshmit, statuti i 1950-ës është më drejt: Këshilli Mikst mund të modifikojë nene të këtij Statuti që nuk u referohen dogmave, kanoneve dhe traditës së shenjtë; gjithashtu mund të bëjë dhe shtesa nenesh... (Neni 50, 1950). Si rrjedhojë, kanosja për mosndryshim të neneve mbi karakterin e kishës vendore nuk vjen nga statuti i mëparshëm shqiptar. Për hir të së vërtetës, ky nen nuk gjendet as në statutin e kishës greke e asgjëkundi në statutet e kishave ortodokse.

Në praktikën kanunore të kishës ortodokse, sidoqoftë, burim për statutet e reja nuk janë statutet e mëparshme, por e drejta kanonike, sistemi sinodik i ortodoksisë dhe nevojat e kishës, siç pamë në nenin 50 të statutit të 1950-ës më sipër. Ky kërcënim i vrazhdë në mbyllje të statutit të 2006-ës është pasojë e politizimit të shërbesës ortodokse në kishën shqiptare. Është edhe shpërblesë ndaj Fanarit dhe shtetit grek për kultizimin e Janullatosit në Shqipëri. Mbi të gjitha është dyfytyrësia e kryepeshkopit grek, i cili i përdor statutet shqiptare sipas interesave të tij personale e atyre politike të dërguesve, sepse neni 70 i 2006-ës, ndërsa është i kundërt me statutin e 1950-ës, është i ngjashëm me statutin e 1929-ës: Në as nji mënyrë nuk munt të ndryshohen, të modifikohen ose të abrogohen artikujt 1, 2 e 3 (Art. 63, 1929). Vetëm se është ndërsjellë e përshtatur sipas projektit politik të misionit.  

Ky detaj e rëndon shumë qëndrimin kishtar të Janullatosit në Shqipëri, sepse ai nuk mund të çlirohet nga neveria ndaj kishës sonë kombëtare, prandaj dhe merr hak duke e shkelur të drejtën kanunore e duke u përleshur me nacionalizmat shqiptarë të viteve 1920, përderisa kërkon mosndryshim të neneve që përcaktojnë fytyrën kombëtare të një kishe vendore. Kjo është shumë paradoksale, veç, sepse vetë kisha shqiptare e ka korrigjuar atë nen qysh në vitin 1950, atëherë kur Janullatosi ishte anëtar 24/7 i shoqatës parakishtare Zoi! Nga ana tjetër, ata që bërtasin në botën shqiptare e na kërcënojnë për moscënimin e tre neneve të para të statutit të 1929-ës, nuk janë nga komuniteti ynë, por nga klane myslimane, të imponuar gjithmonë nën statusin e tyre shekullar, me të cilët ortodoksët nuk kanë asnjë lidhje, përveç përbashkësisë së imponuar nga fati. Si mund ta justifikojë Janullatosi nenin për mosndryshim të gjashtë neneve të para, atëherë? 

Neni 70, si dhe gjithë statuti i ri, na kujton regjimin kishtar të juntës në Greqi, atëherë kur u shfuqizua statuti kanonik i 1943-it dhe u hartua e u imponua (nga Koconis, Janullatos & Co) statuti antikanonik i 1969-ës, duke e centralizuar kishën e duke mpirë karakterin kolegjial të saj. Madje zoikët kujtuan se ai statut do të ishte i përjetshëm atje, por ja që mbas rënies së kryepeshkopit të paligjshëm J. Koconis, kisha greke u kthye në rendin kanonik të mëparshëm, duke e shfuqizuar statutin e 1969-ës, e duke modifikuar me nxit statutin e 1943-it, për të fuqizuar statutin “provizor” të 1974-ës. Në vijim u punua imtësisht për dy vjet për të përpiluar e ligjëruar statutin ditëgjatë të 1977-ës, ai që vijon ende sot.

Dhe megjithatë, edhe ky statut kaq i menduar e i punuar, nuk u fuqizua nga sinodi grek se ishte i përkryer e i përjetshëm, por me modestinë dhe ndjesinë e së kufishmes në përvojën tonë kishtare: Sigurisht që dhe ky Statut, si krijesë njerëzore, ka mungesat e tij, por ato janë pa dyshim më të pakta sesa në tekstet statutore të mëparshme të Kishës sonë, qysh nga shpallja e autoqefalisë e këtej (Καταστατικός Χάρτης της Εκκλησίας της Ελλάδος, 1977, f. 10).

I njëjti qëndrim, mbi aspektin njerëzor e të përkohshëm të statutit, u shpreh edhe nga kryepeshkopi i sapozgjedhur i Athinës javën e kaluar. Janullatosi na ka hedhur kaq poshtë, saqë prurje të tilla nga Greqia duhen përqafuar e nënvizuar: Duhet të pranojmë se Statuti, i cili përcakton juridikisht kufijtë e funksioneve kishtare, ishte nga më të mirët. Por tridhjet vjetët që kaluan qysh nga fuqizimi i tij imponojnë pashmangshëm nevojën për ndreqje e shtesa, apo vlerësimin e atyre mundësive që statuti parashikon, por që gjer sot nuk janë vlerësuar. Si rrjedhojë, duket sheshit se bëhet fjalë për një çështje me të cilën Kisha jonë gjithashtu duhet të angazhohet (Nga “Fjala e fronëzimit” të kryepeshkopit të Athinës dhe gjithë Greqisë, Jerónimos, 16 shkurt 2008, në www.ecclesia.gr).

Si ka mundësi, atëherë, që statuti shqiptar, me gjithë ato shkelje të frikshme kanonike, me tërë ato mungesa, rrëshqitje llogjike e luhatje gjuhësore, një tekst i çmendur, pra, të na imponohet si i përkryer e i pandryshueshëm? Nëse i bindemi Janullatosit, ku t’i çojmë shkronjat që kemi mësuar? Po këto dëshmi nga kisha motër e Greqisë, çfarë t’i bëjmë?

A mund ta përfytyronim Janullatosin të shpërfytyruar, të thoshte fjalë si këto që cituam më sipër nga Sinodi i Shenjtë i Greqisë dhe nga kryepeshkopi i Athinës? Unë s’e bëj dot. Formulime të tilla do të ekzistonin vetëm nëse KOASH-i qeverisej nga Sinodi dhe çlirohej nga kulti dhe marrëzia e Njëshit. Sepse vetëm statuti i Janullatosit nuk ka mungesa, prandaj dhe kërkon nga brezat e ardhshëm të mos bëjnë asnjë ndryshim, për të kryer ato punë politike që zoikët s’i bënë dot as në Greqi. Dhe përderisa Janullatosi jeton në ngërçin dhe ethet e një skëterre që e ka krijuar vetë, na sendërgjon nene për të trashëguar përçarje e luftë në komunitetin ortodoks të Shqipërisë.    

                                   *  *  * 

Në njëvjetorin e ngjarjeve të nëntorit 2006, gazeta e Janullatosit përhodhi një shkrim pa autor, pa e thënë nëse ishte replikë ndaj nesh, por duke përfunduar se statuti i ri “sheh nga e ardhmja” (Ngjallja, nëntor 2007, f. 7). Kundrimi nga frëngjitë e së ardhmes imagjinare pajtohet plotësisht edhe me këtë sprovë, siç u kallëzua këtu tre muaj para këtij numri panegjerik të gazetës, e cila në fakt u botua me vonesë, në fund të dhjetorit 2007. Statuti sheh nga e ardhmja, përderisa misioni i Janullatosit sheh nga e kaluara, siç pamë në kreun e mëparshëm mbi çensurën fanarjote në botime e në lexim, e siç lexohet përgjatë këtyre kapitujve.

Shkrimi mbi njëvjetorin ka për nëntitull këtë shënim: Një vit më parë, krahas dorëzimit të 3 episkopëve të rinj, u mblodh Asambleja Kleriko-laike e Kishës, që mbështeti Statutin e ri, i cili u aprovua sipas kanoneve më 6 nëntor 2006 nga Sinodi i Shenjtë (Ngjallja, nëntor 2007, f. 1). 

Edhe pse gjithçka është në rregull, në numrin tjetër gazeta befason duke e tërhequr këtë formulim, e duke përlëshuar një korrigjim: Në gazetën “Ngjallja” të nëntorit, në shkrimin “Përvjetor ngjarjesh të shënuara”, faqja e parë, nëntitulli, të lexohet “Një vit më parë, u mblodh Asambleja Kleriko-laike e Kishës, që mbështeti Statutin e ri, i cili u aprovua më pas sipas kanoneve më 6 nëntor 2006 nga Sinodi i Shenjtë, si dhe u dorëzuan 3 episkopë të rinj(Ngjallja, dhjetor 2007, f. 10).

Përse vallë ky korrigjim special? Ku është ndryshimi midis lajmit fillestar dhe këtij të pasmit? Formulimi i mëparshëm “krahas dorëzimit të 3 episkopëve”, me atë më vonë “si dhe u dorëzuan 3 episkopë”, nuk ka fuqi të krijojë kontradikta, sepse tek e fundit është gazetë, ku lajmi është sjellë në plotësinë e tij dhe informacioni nuk është manipuluar. Nuancat janë të zbehta dhe asgjëkundi do të shtrëngonin ngërçe të tilla. Këtu ka një mani për akribi juridike, pikërisht ajo që mungon në Statutin e Kishës; atje ku duhet të ishte dhe s’është…

Këto dy shënime duan të thonë se aktet historike të nëntorit 2006 ishin protokollare, sepse vendimet ishin marrë qyshparë. Janullatosi udhëtoi enkas në Stamboll para vendimeve të nëntorit, për të prezantuar tre arqimandritët para patrikut Vartholomeos, gjë që do të thotë se ai shkelte jo vetëm autoqefalinë shqiptare, por dhe kandidatët e tjerë, përderisa çdo gjë ishte vendosur. Këtë vendimmarrje para votimeve e thotë me sinqeritet numri i Ngjalljes së nëntorit 2007. Mbledhja e Asamblesë dhe e Sinodit kishte të njëjtat funksione si në çdo regjim totalitar, ku përdoren votat “njëzëri” për t’u bërë më agresivë në histori. Sa qesharake është gazeta e Janullatosit…     

Korrigjimi i mësipërm thërret se historia e kishës shqiptare nuk shkruhet sipas fakteve në kohë, por sipas kujtesës së personazhit parësor. Është kujtesa e Janullatosit, i cili kur shtrëngohet të paraqesë faktet, e riprodhon të vërtetën ashtu siç e përjeton sot, jo ashtu siç ka ndodhur dje. Është kjo lidhje e veçantë me kujtesën që e bën Janullatosin të këmbëngulë me sinqeritet, deri në agresivitet. Mashtruesi nuk beson se po kryen manipulim të historisë, sepse ai i beson kujtesës, edhe pse faktet janë manipuluar në kujtesën e tij; nga vetë sëmundja e tij. Lexoni dy shënimet e mësipërme, nga e njëjta gazetë, për të njëjtën ngjarje.  

Historia na ka mësuar të mos dëshpërohemi nga manipulimi i saj, sepse mashtruesit kanë një veti të përbashkët, njësoj si në kriminologji: krimineli i lihet shkujdesjes dhe dokumenton shenja, gjurmë a dëshmi që e ekspozojnë, edhe pse kjo është e vetmja gjë që ai s’e uron kurrë t’i ndodhë. Sepse e njëjta gazetë e dhjetorit 2007, ajo që bën korrigjimin qesharak, ka rrëshqitur në dy ekspozime të tjera: Përveçse u diskutua [në Asamble] për çështje të ndryshme, kulmi i veprimtarisë së saj ishte shqyrtimi nen për nen, diskutimi dhe më pas pranimi unanimisht i Statutit të ri të Kishës. Në vitin 1993, një tjetër Asamble kishte aprovuar dispozitat statutore, mbi bazën e të cilave u zhvillua veprimtaria e Kishës sonë në këto vite (Ngjallja, dhjetor 2007, f. 7).

Të dyja janë gënjeshtra, por e dyta thërret më shumë se s’ka nevojë për dëshmimtarë. Sepse para statutit të 2006-ës KOASH-i nuk funksionoi vetëm sipas një dispozite të 1993-it, mbi shtetësinë e Janullatosit, siç manipulon Ngjallja, por sipas tri dispozitave të 1996-ës, sidomos, të cilat zhduken dhe nuk përmenden fare! Ka kaluar vetëm një dhjetëvjeçar dhe misioni s’e ka për gjë ta manipulojë kohën. Si ka mundësi që ndryshimet statutore të vitit 1996 të mohohen kaq dhunshëm dhe të mos flasë njeri, në një kohë kur në asamblenë e 1996-ës morën pjesë rreth 200 klerikë e laikë shqiptarë? Për parantezë, ato shtesa të 1996-ës ne i kemi publikuar në sitin tonë shqiptarortodoks.com, në fund të Statutit të 1950-ës. U komentuan madje edhe në këtë debat, në kapitujt 11, 12 e 13. 

Manipulimi i historisë së komunitetit tonë nga Janullatosi, sidomos për ato fakte që dëshmohen lehtë, bëhet më i rrezikshëm për vetë fatin e tekstit autentik të Statutit të 2006-ës, i cili nuk është botuar ende! Edhe pse hymë në vitin e dytë të tij, statuti i ri mbetet mister. Ky dokument “finalizues”, siç është pagëzuar nga misioni grek në Shqipëri, nga njëra anë trajtohet si jashtë kohe, për arsyet që kemi cekur përgjatë këtij leximi, ndërsa nga ana tjetër fshihet e s’botohet… Një manipulim i tillë i informacionit të freskët na përmend nga gjumi ku na ka hedhur kulti i Janullatosit sot, sepse vetëm kulti ka të drejtë të gënjejë e të shkelë. Nëse Janullatosi nuk funksiononte si i kultizuar në fron, si mit në rajon, siç na e kanë imponuar grekët dhe ndërkombëtarët, kush do t’i besonte gënjeshtrat e tij? Kush do të heshtte për administrimin privat të financave të kishës shqiptare? Nëse ai nuk përdorte fuqitë jo kishtare, sidomos atë ekonomike, kush do të më kërkonte mua të mos shkruaj këto që kallëzoj, por të hesht e madje të mohoj çka kam shkruar, e t’i kërkoj falje publike atij që ka zënë vendin e Zotit në Shqipëri? Ajmé!  

Për më tutje, tejet lidhjeve personale e klanore që ka krijuar Janullatosi në Shqipëri këta dy dhjetëvjeçarë, guximi dhe ndërhyrjet e të leshtëve në mbrojtje të tij janë pasojë e çorientimit që shkakton kulti. Por, pyes, kur Janullatosi gënjen për atë që ndodhi para një viti, siç dëshmohet në shënimin dhe “korrigjimin” më sipër, ai e ka më të lehtë të gënjejë për çka ndodhi në vitin 1996, prapë siç dëshmohet në të njëjtën gazetë. Dhe ja kryepyetja: Nëse në këto dy raste kemi dëshmi, çfarë mund të themi për Statutin e 2006-ës, i cili nuk është botuar ende dhe nuk mund ta faktojmë se e kemi si dokument? 

Statuti i 2006-ës nuk është botuar as në gazetën Ngjallja, e as si libërth nga botimet e KOASH-it. Nuk është publikuar as në faqen e kryepeshkopatës online. Edhe kjo kopje që kam siguruar unë është e përmbysshme, pikërisht se statuti i votuar “unanimisht”, siç thuhet në gazetën Ngjallja më sipër, apo “njëzëri”, siç thuhet në fund të statutit, domethënë me heshtje, as me ngritje dore, është ai tekst që Janullatosi a të tjerë mbas tij do të mëtojnë se ishte a s’ishte. Kush mund ta dëshmojë se ishte ky dhe jo ai tekst?  

Është bërë traditë që statutet e reja ortodokse botohen në gazeta kishtare a shtetërore, në varësi të përvojës ortodokse dhe raporteve me shtetin. Në fakt, rëndom statuti hyn në fuqi mbasi botohet diku. Le të marrim për shembull kishën ortodokse të Greqisë: Ky statut hyn në fuqi mbas botimit të tij në gazetën qeveritare (Neni 75, 1977). Përse Janullatosi na e fsheh statutin e tij, atëherë? Rreziku i shndërrimit të statutit shqiptar në palimpsest, atje ku mund të fshihet teksti ekzistues për të kërryer tekstin fillestar, i cili nuk dihet se çfarë nenesh të tjera antivendore e antishqiptare mund të ketë, bëhet edhe më real në nenin 70, sepse ky ngrin me kritere jo kanonike gjashtë nene që fytyrojnë një kishë vendore. Kur do të botohet Statuti? 

   

Published in: on February 23, 2008 at 6:12 am Comments (1)