Kulti i Janullatosit në statutin e ri (14)
Pikatorja e botimeve shqip
Nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë botohen gazeta, revista, libra dhe broshura për plotësimin e nevojave liturgjike, baritore, shpirtërore e formuese të grigjës Orthodhokse si edhe për nevoja të tjera. Nuk lejohet të qarkullojë literaturë në ambientet e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pa miratimin e autoritetit kishtar kompetent (Neni 50, 2006).
Ky nen tingëllor mbi botimet, i përkthyer nga greqishtja me mekanikë e fjalor, jo me intuitë përkthimore, me fjalinë e parë ekzagjeron platformën kulturore të misionit grek në kishën shqiptare, duke çoroditur ata që janë jashtë, ndërsa me të dytën na çon në tmerrin e viteve 1900, duke përsëritur qortimet dhe çensurën fanarjote ndaj literaturës shqipe në ortodoksi.
Me formulën lejim-ndalim, nga ana tjetër, bëzan fenomeni psikologjik në tempull, kur kisha kthehet në kult nga njëshi, duke bartur kumtin e abuzimit në çdo akt, gjithmonë përmes manipulimit mendor: buzëqeshja alternohet me skërmitje, ledhatimi me kanosje, begatia me privime, shpengimi me ngërç, puthjet me kafshime, drita me terr, dija me gjysmëdituri, liria me robëri, e të tjera. Neni 50 i statutit të ri, atëherë, na shfaq prapë natyrën dykrenore të misionit shtetëror grek: kultizimi i Janullatosit dhe sendërtimi i projektit politik. I dyti s’bëhet pa të parin, prandaj dhe i pari s’bën dot pa të dytin.
Fjalinë e dytë të nenit të mësipërm, mbi çensurën e literaturës ortodokse, do ta bëjmë temë të kreut tjetër, ndërsa këtu do të zbardhet fjalia e parë, ajo që themelohet nën hijen e kultit, prandaj dhe e mirëqenë për të gënjyerit. Kulti i Janullatosit verbon shumë, aq sa pikatorja e botimeve ortodokse këto vite zmadhohet e shndërrohet në krua, që të bëhet pastaj katarakt e të marrë tatëpjetë të leshtët. Në të kundërt, unë pyes: Cilat janë “nevojat e tjera” në nenin 50 të statutit të ri?
Përderisa në nenin e cipërcituar u përcaktuan katër nevoja të grigjës (në fakt janë tre, por një nga tiparet e gjuhës kultiste është përdorimi me tepricë i mbiemrave, si pasojë e dehjes nga lavdia), të cilat kanë hapësirë të paanë gjinore e sasiore, çfarë projektohet me këtë shprehje të çuditshme “nevoja të tjera”? Sepse Statuti hesht për nevojat më thelbësore (jo “të tjera”) që ka një kishë vendore, siç është literatura themelore e ortodoksisë: tekstet biblike, liturgjike e spirituale. Në pamundësi për të parashikuar nevojat e tjera, më mirë të thërrasim dy nevojat parësore të ortodoksisë shqiptare.
Tekstet biblike. Ku është Bibla e komunitetit ortodoks në shqipe? Nuk e kemi. Kisha ortodokse shqiptare, edhe pse më e madhja e kishave të krishtera në Shqipëri, është në fund të listës përkthimore biblike, duke u mjaftuar me përkthimet protestante e katolike, mbasi i shan mbrapa krahëve të gjithë ata. Vetëm ortodoksët nuk kanë Bibël të përkthyer me nuancat e tyre komunitare në shqipe, në një kohë kur protestantët dhe katolikët kanë e po punojnë në të tjera projekte përkthimore, pikërisht se asnjë përkthim është i dhënë njëherë e përgjithmonë.
Gjuha ndryshon, tekste më autentike të origjinalëve zbulohen, interpretime më teologjike kërkohen, gabime në përkthime të mëparshme presin të ndreqen, përkthimet e përkthimeve duhen shënjuar si të atilla, emra të mëdhenj thyhen, sentimente gjuhësore dorëzohen, e të tjera nevoja përkthimore i thërrasin shqiptarët. Është bekim i madh të kemi një përkthim të përbashkët të Biblës në shqipe, por është më e bekuar të kemi disa përkthime të ndryshme. Lexuesi duhet të jetë i vetëdijshëm se Bibla e preferuar që ka në dorë është një interpretim i vetëm, prandaj dhe duhet përqasur me versione të tjera shqip, të reja e të vjetra, për ta kuptuar më mirë Fjalën, e cila është tejet shkronjës shqipe, e madje tejet asaj origjinale. Përvoja e krishtërimit mund të lexohet edhe si histori e përkthimit të Shkrimeve; e dialektikës së universales me lokalen.
Botimi i Dhjatës së Re në shqipe në vitin 2007, atëherë, për të cilin u krenua pa shkak Janullatosi, u krye më tresh, me protestantët dhe katolikët, pikërisht se kisha ortodokse shqiptare nuk ka vizion për kësi punësh të holla. Madje dhe këtë herë, nëse thërrasim Kristoforidhin si përkujtesë, përkthyesi ortodoks nuk është i punësuar nga kisha ortodokse. Si ka mundësi që misioni grek na thërret e punëson teologë nga Greqia dhe diaspora greke, duke i flakur kësisoj teologët shqiptarë, të cilët detyrohen të bëjnë punë të pakualifikuara jashtë kishës? Për më tutje, nëse përkthyesi teolog i Dhjatës së Re nuk vlente shumë për KOASH-in, si mund të krenohet Janullatosi për përkthimin e tij, pyes? Për hir të së vërtetës, gazeta Ngjallja (Nëntor 2007) e trumbetoi këtë botim me zëra panegjerikë, por harroi të na shënojë emrin e përkthyesit…
Përkthimi i vetëm biblik që u sponsorizua nga misioni grek këta dy dhjetëvjeçarë ishte përshtatja e Dhjatës së Re të Kristoforidhit nga toskërishtja në shqipen e sotme. Ky botim kishte vite që ishte njoftuar nga kryepeshkopata e Tiranës, qysh në vitin 1997, si i përfunduar dhe “gati për botim”, prandaj dhe prisnim çdo vit që misioni të na bënte “vezën e kuqe”. Në të kundërt, botimi u krye vetëm mbas nëntë vjetësh, në vitin 2006, “si kofini pas të vjelit”, sepse një vit më vonë doli Dhjata e Re përkthyer më tresh nga origjinali, duke e nxjerrë fare jashtë përdorimit përkthimin e përkthimit të përkthimeve; siç është ai i Kristoforidhit. Nëse ishte gati, ku ishte problemi që ky libër nuk botohej? Nëse nuk ishte gati, përse Janullatosi gënjente duke e përfshirë tek lista e librave “gati për botim” në vitin 1997? Ja se ç’dorë e ka shkruar nenin 50 të statutit të ri mbi botimet.
Çdo kishë e krishterë ka arsye spirituale për ta përkthyer e lexuar Biblën sipas fytyrës së saj kulturore. Dhe kjo duket shumë qartë nëse përqasim përkthimet e ndryshme të Biblës nga protestantët dhe katolikët në shqipe, si dhe në gjuhë të tjera. Ku është Bibla jonë, pyes? Nuk mund ta akuzojmë Janullatosin për këtë mungesë, sepse ai nuk di mirë shqip, por kemi të drejtë ta kallëzojmë kur ai pengon projektet përkthimore të shqiptarëve ortodoksë, ndërsa mashtron, me nenin 50 të statutit të ri, duke dhënë përshtypjen se u bëka punë e madhe përkthimore e botuese. Në të kundërt, s’bëhet fare ashtu.
Tekstet liturgjike. Janë rreth 15 vëllime me tekste liturgjike, të cilat përbëjnë qarkun e adhurimit ortodoks, por që i mungojnë gjuhës sonë. Më hollësisht, janë 12 vëllimet himnologjike për të gjithë muajt dhe libri i tetë tingujve, të cilët përdoren në shërbesat e përditshme gjatë vitit. Për më tej, janë dy librat e triodit dhe pesëdhjetores të cilët përdoren gjatë periudhës së kreshmëve të mëdha dhe asaj pashkale, përkatësisht. Këta libra sot mungojnë dhe prandaj jemi të detyruar të qerthullohemi në greqishte, në gjuhë të tjera, ose fare askund.
Çfarë vizioni ka misioni grek për të plotësuar këto nevoja thelbësore të shqiptarëve ortodoksë? Kisha shqiptare mjaftohet me ato botime përmbledhëse që na dha Fan Noli qëmoti, të cilat janë vetëm një përqindje e vogël e origjinalëve liturgjikë. Sepse ato botime janë vetëm për fundjavën (në fakt, për një ditë e gjysmë), duke na sugjeruar që pjesën tjetër të javës (pesë ditë e gjysmë) ta kalojmë të ngushëlluar në greqishten e origjinalëve, të cilën s’e kuptojnë as shumica e grekëve të shkolluar sot. Për më keq, edhe ato përkthime kryevepra të Nolit si gjini, janë në shumicë të pakuptueshme nga ky brez si gjuhë, paçka se s’kemi të tjera prandaj dhe i përdorim e mburremi.
Po si mund t’i plotësojnë nevojat liturgjike e spirituale ortodoksët? Si mund t’i japin kishës vendore fytyrë të plotë kombëtare kur kisha i shkëput ata nga adhurimi dhe i përcjell gjetkë? Ja dhe një pyetje tjetër: Çfarë gjuhe do të përdoret në manastiret tona, kur kisha shqiptare nuk ka dëshirë ta përkthejë kanonin liturgjik të ortodoksisë? Sollëm manastiret si shembull, atje ku kryhen shërbesa çdo ditë, jo vetëm të shtunën në mbrëmje dhe të dielën në mëngjes, sepse në mbarështimin e një komuniteti ortodoks manastiret cilësohen si “mushkëritë e kishës”.
Botimet liturgjike këta dy dhjetëvjeçarë, jo vetëm që s’na dhanë asnjë vëllim nga të munguarit në adhurim, por nuk mundën as t’i qasen Nolit, duke u mjaftuar me lëmime në shtigjet e tij, e duke i ribotuar dhe ato pak libra pa emrat e përkthyesve. Për parantezë, ky fakt është një nga tiparet e regjimeve totalitare, atje ku hyjnë dhe mjediset kultiste, ku emrat e përkthyesve fshihen, për të thyer e rrafshuar vullnetet e individëve, për të absolutizuar institucionin, kultin e Janullatosit në këtë rast, përderisa të gjitha botimet sjellin emrin dhe miratimin e tij papnor, si asgjëkundi në krishtërimin ortodoks.
Për t’u përmendur pak, le kujtojmë dy botimet më të rëndësishme liturgjike të misionit grek. Libri i Shërbesave (1994), për shembull, është një lëmim shumë i lehtë gjuhësor i botimit të 1961-it. Nuk është përkthim i ri, pra, por ribotim. Po kështu dhe Uratorja (2004), e cila në shumicën dërrmuese është një krehje gjuhësore e përkthimeve të vjetra shqipe.
Në botimin Uratore e vogël, e cila u njoftua dhe ajo “gati për botim” në vitin 1997, por u botua mbas shtatë vjetësh varrosjeje, poshtë emrit dhe miratimit papnor ekziston një shënim tradhtues: “Botim i përkohshëm”. Si kulturë printimi, në libërlidhje, kopertinë e grafikë, Uratorja është libri më i fortë e më lluksoz që ka botuar kryepeshkopata, madje më i parashikuar edhe se Libri i Shërbesave, por çuditërisht sjell këtë shënim përmbysës. Si ta lexojmë? Kontradiktor, nuk është?
* * *
Duke e pagëzuar Uratoren si “botim i përkohshëm”, pa dashje Janullatosi ka thënë një të vërtetë, se jo vetëm është i padijshëm në fushë të liturgjikës e muzikës kishtare, gjë që e ka pranuar dhe vetë, por është dhe fare i pamësuar në fushë të përkthimit. Ai beson në përkthime të përhershme, kur të gjitha përkthimet kishtare, biblike, liturgjike, e të tjera, janë të përkohshme. Të përkohshme janë edhe përkthimet shekullare, jo në pikëpamjen materialiste, por në atë gjuhësore, edhe sikur të mos kenë gabime. Gjuha ndryshon, prandaj dhe kryhen përkthime të reja vazhdimisht, gjë që është shumë e vështirë të bëhet nëse nuk kemi përkthime të mëparshme. Përndryshe jemi të humbur. Këtë e di dhe më bufi në përkthimtarinë kishtare, por këtu është kulti që flet në vend të arsyes, prandaj dhe Janullatosi del gjithmonë mbi dijetarët e mbi shenjtorët, si më i dituri e më i shenjti i tyre.
Apo mos, nëse e tërheqim fillin, shënimi “i përkohshëm” është pasojë e problemeve të Janullatosit me të njëjtin term, me ngërçin dhe makthin që i ka shkaktuar ky mbiemër në jetëshkrimin e tij? Mos ndoshta i është fiksuar në atë çast, është pështjelluar dhe e ka shënuar, prandaj dhe ishte tepër vonë mbas shtypjes së librit? Tejet hamendësimeve, unë kam në dorë një libër liturgjik dhe do ta lexoj atë në liturgjikë e me llogjikë. Shënimi “Botim i përkohshëm” është rrëshqitje, siç është e këtillë dhe formula papnore në miratimin e këtij libri liturgjik dhe në të gjitha botimet ortodokse në Shqipëri.
U shënuan më sipër dy nevojat parësore të kishës shqiptare, pa i shteruar pyetjet thelbësore. Përndryshe, do të pyesnim, ku janë veprat themelore të spiritualitetit tonë, si Shkalla, Filokalia, e të tjera tekste të vyera? Në greqishte! Por kur një kishë vendore nuk ka vizion për t’i plotësuar grigjës literaturën elementare, e cila është rreth 20 vëllime të paradhëna që sot mungojnë, ku ta gjejmë ne mënyrën të parashikojmë “nevojat e tjera”, domethënë ato projekte të misionit grek që nuk na thuhen në statut, por vetëm sa përhidhen atje? Cila kishë tjetër autoqefale është kaq e vobektë në libra? Asnjë tjetër. Edhe këtë herë shqiptarët përbëjnë rast përjashtimor.
Janullatosi është personalisht përgjegjës për pengesat që krijon në përkthime dhe tejvonesat në botime. Ekzistojnë teologë shqiptarë që kanë bërë përkthime biblike, liturgjike e teologjike, por kryepeshkopi nuk e jep lejën të botohen, herë për arsye politike e herë kimike. Më e tmerrshmja është se ai nuk e njeh gjuhën shqipe në nuanca, paçka se kërkon të na bëjë kanunin e saj në përkthimet tona. Me ndërhyrjet e tij të vrazhda në gjuhë, disa përkthyes cilësorë e kanë lënë fare përkthimin.
Kur do të bëhen këto projekte? “Kur të vijë ora e Zotit”, është një përgjigje e tij proverbiale, aq sa tingëllon banale, pikërisht se përdoret sa herë që problemet e tij e mundin dhe nuk e lënë të marrë vendime në të mirë të kishës dhe vetë emrit të tij. Të gjithë teologët dhe klerikët shqiptarë janë miza para tij, edhe në një gjuhë e kulturë që ai e njeh në një trajtë të cekët. Nëse jo, cilat janë arsyet që ai vijon të predikojë në greqishte në Tiranë e gjithë Shqipërinë, në një gjuhë që s’e merr vesh njeri? Mjaft!
Përkthimet kishtare nuk mund të bëhen pa mbështetjen e një institucioni. Le të kujtojmë Kristoforidhin, pa harruar edhe përkthimin e Dhjatës së Re gjysmë shekulli para tij. Përkthyesit ishin ortodoksë, por përkthimet u sponsorizuan nga protestantët. Është budallallëk të besosh në magji, se Dhjata e Re e Kristoforidhit në toskërishte qenka ortodokse vetëm se e pagëzon kisha ortodokse shqiptare për të atillë, me të vetmin fakt prejardhjen gjeneologjike të përkthyesit. Gënjeshtër!
Edhe botimet e Nolit nuk ishin personale. Ato u sponsorizuan nga kishat e shqiptarëve ortodoksë, të cilët jo rrallë flinin 15 vetë në një dhomë e pështynin gjak, për të ndërtuar kishat e për të mbajtur klerin e tyre. Shënimet e Nolit nëpër botime, si dhe “listat e ndihmëtarëve” dëshmojnë pikërisht kontribuesit, ortodoksë e jo, në mënyrë që ato përkthime të ishin të përdorshme e të trashëgueshme.
Të tilla, jo personale, janë dhe përkthimet e spiritualitetit ortodoks, të cilat dalin ose nga manastiret, ose me mbështetjen e kishës a të shoqatave ortodokse. Por kjo ndodh gjetkë, jo në botën shqiptare, se Statuti i 2006-ës na e ka mbyllur çdo shteg, ndërsa peshkopata shqiptare e Amerikës as që shpresohet të merret me kësi punësh, kishtare e kombëtare njëherësh. Peshkopata e Bostonit është privatizuar nga një fis nevojtarësh të pangopur, duke shërbyer interesa herë greke e herë myslimane, sipas leverdisë, por duke i manipuluar shqiptarët gjithmonë me hajmalitë e Nolit…
Nga ana tjetër, ato klane myslimane që përndizen e investojnë për çështje shqiptare ortodokse, e bëjnë këtë vetëm në planin politik, sipas interesave të tyre të ngushta, duke nënqeshur në qesëndi kur bëhet fjalë të ndalin investimet në trazira dhe ta kanalizojnë pasionin në botime kishtare shqip. Nuk e shohin këtë si çikërrimë, sesa si joke. Nacionalistët shqiptarë nuk mund të kuptojnë se përkthimi i literaturës bazë të komunitetit ortodoks është më shqiptarizues sesa fronëzimi në seri i katër-pesë kryepeshkopëve me kombësi shqiptare. Është alibi, sepse ne i patëm ata, të cilët ishin shqiptarë-shqiptarë, por ja që nuk e kryen këtë vepër shqiptare, duke e lënë kishën tonë gjithmonë në nevojë ndaj gjuhëve dhe interesave të huaja.
Përfshirja e misionit grek në projekte jo kishtare në Shqipëri, duke proklamuar një ortodoksi ndryshe, prandaj dhe e lakmuar në Lindje e Perëndim, ndihmon shumë atje, por jo me domosdo ortodoksët, të cilët kërkojnë disa gjëra shumë më të vogla. Projekti për përkthimin e literaturës themelore për një kishë autoqefale nuk kërkon miliona dollarë e qindra përkthyes, por vullnet dashamirës dhe qëndrim kishtar, pikërisht ato që i mungojnë Janullatosit.
Një grup me pesë a dhjetë teologë e filologë shqiptarë, nëse bashkërendoheshin dhe mbështeteshin nga kisha apo institucione kulturore, brenda pesë a dhjetë vjetëve do të kryente një vepër më të madhe sesa gjithë këto ngrehina të misionit grek. Me një njohuri të mjaftueshme të greqishtes, e duke pasur për ndihmë një gjuhë tjetër ku ekziston literaturë e përkthyer ortodokse, këta bashkëkohës do t’i jepnin komunitetit ortodoks vlera e vrulle më të mëdha sesa uzurpimi i heroikës…
Neni 50 i statutit të ri na kujton dëmin moral të Janullatosit në Shqipëri. Me reklama të tilla mbyllet gjithmonë debati, ndërsa manipulohet informacioni. Kemi arritur atje ku dhe grekët besojnë se çdo libër shqip që kemi në dorë, jo vetëm që është botuar nga misioni grek, por është përkthyer nga vetë Janullatosi! Madje shqyejnë sytë kur unë vë gishtin tek viti i botimit, atëherë kur Janullatosi s’kishte lindur ende. Dhe prapë më shikojnë me dyshim. Janë të manipuluar nga media e kontrolluar greke, prandaj dhe besojnë se Janullatosi është fillimi dhe fundi i shqiptarëve në ortodoksi.
Dhe prapë, pyes: Ku është Bibla e komunitetit ortodoks? Ku është kanoni i plotë liturgjik? Ku janë veprat themelore të spiritualitetit ortodoks? Nuk i kemi, prandaj dhe me pikatore…
The URI to TrackBack this entry is: http://bizantin.wordpress.com/2008/02/09/kulti-i-janullatosit-ne-statutin-e-ri-14/trackback/