Kulti i Janullatosit në statutin e ri (13)

Privatizimi i KOASH-it 

Doktrina e Janullatosit për të shoqatizuar e shtrupëzuar Kishën e Shqipërisë, siç ligjërohet kjo në nenin 95 të 1996-ës, erdhi për t’i përndarë e politizuar më lehtë shqiptarët ortodoksë. Duke i kategorizuar ata, Janullatosi mundi t’i manipulojë më mirë, t’i mobilizojë e militantizojë shqiptarët për interesat e tij vetjake, të cilat ndërthuren me projektin jo ortodoks të dërguesve. Kjo nuk fshihet nga misioni, por thuhet qartë, dhe këtu vijmë tek gjymtyra e dytë e nenit të fundit në shtesën e 1996-ës:

Shoqata dhe organizata të tëra që krijohen pa miratimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk njihen prej saj dhe nuk mund të përfaqësojnë shprehjet e jetës së saj (Neni 95, 1996).

Çfarë do të thotë “të tëra” në këtë nen? Ndoshta është lapsus, për “të tjera”, nëse e përqasim me nenin përkatës në statutin e 2006-ës. Për më tutje, cili është ndryshimi midis “shoqatave” dhe “organizatave”? Unë nuk di të ketë sot grupime në Shqipëri që të emërtohen a lakohen si “organizata”. Kjo nuk është aspak lapsus. Këtu ngre krye e kaluara, dritëhijet e jetëshkrimit të Janullatosit.

Në Greqi ekziston një traditë shoqatash parakishtare, të cilat quhen “organizata” (οργανώσεις), prandaj dhe Janullatosi quhej atje “i organizatës” (οργανωσιακός). Në fakt, kisha greke nuk kishte problem me shoqatat e shumta fetare, teologjike, filozofike, sociale a kulturore (σύλλογοι), por kryesisht me “organizatat”, andej nga doli Janullatosi. Si rrjedhojë, duke sjellur në statutin shqiptar të dy termat, “shoqata dhe organizata”, nuk bëhet gjë tjetër veçse rrëfehet kompleksi i persekutimit, arsyeja kryesore se pse zoiku nuk arriti të bëhej në Greqi as mitropolit, por u vërtit si peshkop titullar, pa peshkopatë.     

Të gjitha kanë një thurje, sepse ky nen këmbëngul tek “përfaqësimi”. Përfaqësuesi duhet të jetë një dhe i vetëm, siç u ligjërua në statutin e 2006-ës, ndryshe nga statuti i kaluar dhe nga statutet e kishave të tjera ortodokse. Sepse formulimi “nuk mund të përfaqësojnë shprehjet e jetës së saj”, nuk shkon as në shqipe e as në greqishte. Qëllimisht ndryshohet rendi i fjalëve për të dalë tek përfaqësimi, tek personifikimi, te kultizimi, te kapja e KOASH-it!

Kapja e një kishe autoqefale është goxha punë por, çuditërisht, mund të bëhet vetëm me një person, duke u mbështetur tek e veçanta e tij përjashtimore. Mjafton t’i jepen mjetet, sidomos ato statutore, dhe çdo gjë përmbyset për mirë. Një formulim tjetër, si për shembull “nuk shprehin jetën e saj”, edhe mund të hahej nëse e përkthejmë mbrapsht tek zhargoni i juntës. Siç shquhet përgjatë kësaj rrahjeje, e kapim Janullatosin shpesh të paaftë të fshihet, edhe pse tërthorist i madh në foltoret shqiptare. 

Ndalimi i ortodoksëve të anëtarësohen në shoqata me vlera ortodokse përkthen e shfajëson pjesën e parë të nenit 95, shoqatizimin e kishës, siç u përfol në kreun e kaluar. Me një gjykim të cekët mund të thoshnim se në kishën greke shoqatat shihen me dyshim si periferike, ndërsa në kishën shqiptare ligjërohen në statut. Është e vërtetë, siç e cek më sipër mbi kompleksin e persekutimit që i krijoi Janullatosit e kaluara e tij nëpër shoqata, por çështja është shumë më komplekse.  

Në statutin grek as themelohen shoqata brenda kishës, e as ndalohen shoqata jashtë kishës. Kisha mbrohet si kishë, jo si shoqatë, prandaj dhe nuk e shtrupëzon veten në shoqata. Nga ana tjetër, kisha greke nuk e shkel doktrinën e lirisë së individit, i cili ftohet pikërisht nga kisha të shndërrohet në person. Anëtarët e kishës janë anëtarë të shoqërisë dhe si të tillë janë të lirë të dëshmojnë vlerat e tyre gjithandej, si pjesë e realizimit të tyre, duke qenë të lirë të marrin pjesë në shoqata me vlera, e duke themeluar shoqata të tjera me vlerat e tyre.   

Themelimi i shoqatave në statutin shqiptar ka arsye politike, por më politike është edhe ndalimi i ortodoksëve të themelojnë shoqata jashtë kishës. Në një kishë të vogël, e cila është kapur e tëra, kontrollimi psikologjik i ortodoksëve është kodi përkthimor në jetën dhe veprën e Janullatosit në Shqipëri.  

Tingëllon skandal për absurdin e kontradiktës, sepse ai vetë doli nga shoqatat fillimisht, dhe madje më vonë krijoi një shoqatë tjetër, atë Porefthentes, përderisa shoqata mëmë Zoi shihej vëngër në ortodoksinë greke, për arsye të bashkëpunimit të ngushtë me juntën. Iu dha rasti, atëherë, të krijojë një shoqatë tërësisht të tijën, atje ku krijoi një mjedis të sëmurë kultist, me një grup besimtarësh të verbër, shërbëtorë të vullneteve të tij të sëmura. Ata punonin për të, për shkrimet e librat e tij, t’i mblidhnin bibliografinë, t’ia radhisnin, t’ia shtypnin, t’ia botonin, t’ia shpërndanin, të mblidhnin fonde, e të tjera shërbime. 

Mbasi ishte ngulur në Shqipëri, Janullatosi themeloi një shoqatë tjetër, Miqtë e kryepeshkopit Anastasios, duke emëruar në bord të njëjtat fytyra nga Porefthentes. Kjo shoqatë banale, them, kishte për mision të komercializonte misionin grek në Shqipëri, duke organizuar dekorimet e Janullatosit në Greqi dhe kudo ku ka grekë, si një mënyrë “për të ndihmuar Kishën e Krishtit”. Kur landari i dekorimeve mori udhë e u bë më banal, nuk u dëgjua më për fatin e shoqatës më të re. Dekorimet banale vazhdojnë, por nuk dimë ç’ndodhi me të. Po me llogaritë bankare të saj? Janullatosi nuk jep shpjegime publike për sasinë e marrjes, por vetëm të dhënies. I bukur, nuk është?  

Për këto shoqata që themeloi i brishti në Athinë, nuk ekziston asnjë nen në statutin grek, përderisa, e përsëris, statuti grek nuk i ndalon ortodoksët, klerikë e laikë, të themelojnë shoqata jashtë kishës. Dhe megjithatë, misioni grek i ndalon ortodoksët në Shqipëri të krijojnë shoqata, dhe përderisa Janullatosi është në kontradiktë me vetveten dhe me të gjithë ata që e njohin, e justifikon ndalimin “për të mirën e ortodoksisë në veri”, duke mashtruar, duke blerë prapë heshtje.    

Kjo heshtje e blerë ndaj kultit të Janullatosit mund të ndijohet plotësisht nëse njohim mënyrat brendagreke në raport me politikën e jashtme, për të cilën ka një tkurrje të arsyetimit, një uniformitet në formulimet publike, aq sa të gjithë sillen instiktivisht në një nivel tjetër, tejet diferencave, atje ku harrohen të gjitha fërkimet e mëparshme. Si rrjedhojë, vërtet që Janullatosi njihet për huqet e tij, dihet mania e tij kultiste, ambicja për t’u imponuar si shenjtor, gjë që mund ta arrijë mirë duke i manipuluar psikologjikisht besimtarët përmes shoqatave të mbyllura, por këtu flitet për Greqinë imagjinare, prandaj dhe duhen bërë flijime të mëdha; atje ku tolerohet kulti i Janullatosit.  

Mbas këtij shtjellimi  mbi shtesat e 1996-ës në statutin e 1950-ës, duket se sa e nevojshme ishte shkëputja nga statuti i 2006-ës, pikërisht për ta kuptuar atë më mirë. Më në fund le të kthehemi në statutin e ri, për të lexuar ngërçin e Janullatosit përsëri mbi shoqatat. Jo vetëm që nuk është penduar, por, përderisa neni 95 i 1996-ës dha shumë pemë për misionin grek, ai nxiton ta bëjë themelimin e shoqatave kompetencë të sinodit, të cilit sidoqoftë ia ka hequr kompetencat thelbësore. Sinodi Themelon fondacione dhe shoqata në shërbim të veprës shpirtërore, shoqërore, arsimore e kulturore të Kishës (Neni 12.o, 2006).  

Këtu nuk thuhet se çfarë shoqatash e fondacionesh, por duket se kanonizohet neni 95 i statutit të vjetër, ajo që Janullatosi kishte kryer i vetëm, pa sinod.  Por kjo nuk mjaftoi për ta shëruar kompleksin e tij mbi shoqatat, as kompleksitetin e çështjes, sidomos kur shtohet termi “fondacione”, sepse ekziston një pikëpyetje e madhe mbi administrimin privat të fondeve të kishës shqiptare. Kjo është pika më ekspozuese se sa verbëri imponon kulti i Janullatosit në Shqipëri, aq sa nuk guxon kush të ngrerë pyetje.

Hilja e nenit 12.o dyfishohet kur statuti përsërit më poshtë të njëjtën gjë, duke harruar se e tha pak më sipër: Sinodi i Shenjtë mund të krijojë edhe Fondacione, apo shoqata të tjera… (Neni 53, 2006). Statuti i ri dëshmon se ekziston një lidhje e çuditshme e Janullatosit me mesvitet 90. Sepse neni 95 i 1996-ës merr përmasa të gjera përkthimore në statutin e sotëm: Në Kryepeskopatë dhe në Mitropolitë mund të krijohen, me iniciativën e drejtuesve lokalë dhe me miratimin e Sinodit të Shenjtë Lidhje: e Grave Orthodhokse, e Rinisë Orthodhokse, e Intelektualëve Orthodhoksë etj., në ndihmë të veprës shpirtërore, katekiste, hierapostolike dhe shoqërore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (Neni 54.1, 2006). 

Ndërsa në vitin 1996 këto tri kategori ishin “shoqata”, tashmë janë bërë “lidhje”. Cili është ndryshimi, apo nuk ka ndryshim fare, përveç ngërçit të atij që formulon e përpiqet të fshihet në të njëjtën kohë? Konsumimi në interpretime të tilla nuk do të na japë asgjë të re, përveç ilustrimeve, të cilat sidoqoftë janë të shumta për ata që kanë sy të shquajnë. Misioni grek nuk është mision kishtar, jo për faktin se është grek, por se nuk është transparent, nuk është i sinqertë, prandaj dhe ka shumë nevojë të përdorë ortodoksinë.   

Mbasi janë bërë gjithë këto përsëritje si qitje në erë, për themelime shoqatash, fondacionesh e lidhjesh, në statutin e ri riaktivizohet dhe riformulohet doktrina përndaluese e 1996-ës, me rreptësi e kanosje më të madhe: Lidhje, Shoqata dhe organizata të tjera të themeluara pa miratimin e Sinodit të Shenjtë nuk kanë të drejtë të përfaqësojnë me aktivitetin dhe funksionimin e tyre Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe as të marrin pjesë në mbledhjet e organeve të saj (Neni 54.2, 2006).

Këtu duket sikur thotë: Nuk mund të mos ketë shoqata, nuk mund t’i ndalojmë shoqatat, por, përderisa Unë jua jap këtë të drejtë që ju të keni shoqata, si mund të guxoni ju të kërkoni shoqata të tjera? Ky është mentaliteti i Janullatosit.

Në nenin më sipër, përveç dy termave “shoqata dhe organizata”, është shtuar e paraprirë edhe “lidhje”. Kjo bëhet për të kallëzuar Lidhjen e Shqiptarëve Ortodoksë në Greqi “Shën Asti”, hija e së cilës e ndjek ende sot Janullatosin, edhe pse ai e shpërbëri atë suksesshëm në vitin 2000. Përse të futej kjo në statutin e ri? Pyes prapë: Çfarë ndryshimi ka midis lidhjes, shoqatës dhe organizatës?  

Në fund të nenit 54.1 shtohet një ndalesë, e cila është sa diktatoriale aq dhe kultiste, sepse përjashtohen nga Kisha të gjithë ata besimtarë shqiptarë që mund të jenë anëtarë të një shoqate ortodokse të ardhmërisë. “Nuk mund të marrin pjesë në mbledhjet e organeve të saj” do të thotë se jo vetëm nuk mund të zgjedhin e të zgjidhen, por nuk kanë të drejtë as të dëgjojnë se ç’thuhet në një mbledhje kishtare; duhen nxjerrë jashtë me shkelma. Sepse ata kanë zgjebjen e lirisë. Një nga përkufizimet e kultit, si mjedis manipulimi mendor, është se çdo gjë kryhet me dyer të mbyllura, vetëm në prani të anëtarëve të kultit.   

Të gjitha këto thërrmija na kujtojnë problemet e mëdha të këtij njeriu të vogël. Një kryepeshkop që nuk ka fuqi të çlirohet nga komplekset e veta, por mëton që gjithë bota t’i bjerë në gjunjë dhe prandaj ne duhet t’i bindemi sëmundjes së tij për t’u kultizuar në Shqipëri. Për më keq për të, Janullatosi ka frikë nga reagimet, gjë që nuk është e natyrshme për një burrë kishtar. Në të kundërt, historia kishtare është përmbysje pikërisht e këtij fakti. Dhe megjithatë, këtu i brishti bëhet më i brishtë, aq sa kulti i tij nuk reziston dot asnjë bezdisje, përveç xhindosjes dhe shfryrjes ndaj shërbëtorëve të tij fatzinj. 

Përsëri dhe përsëri dua të kujtoj se Statuti i Kishës së Greqisë nuk i ndalon ortodoksët të themelojnë shoqata a shtëpi botuese me emra e vlera ortodokse. Ata ortodoksë janë njësoj si të tjerët, me të drejta të plota kishtare në kishën greke, pa asnjë cungim. Si ka mundësi që në një statut kaq të detajuar, një libër me 150 faqe, hierarkët dhe teologët grekë harruan të formulojnë një nen mbi ndalimin e shoqatave, aq më tepër kur shoqatat në Greqi sollën katastrofë të madhe, duke e vënë kishën në shërbim të juntës së kolonelëve? Prapëseprapë, statuti grek nuk e bëri, sepse do të ishte totalitare, antikishtare, prandaj dhe nuk e ka bërë asnjë kishë tjetër ortodokse. 

Dhe ja një shembull: Në sajë të atij statuti grek, i cili nuk i ndalon ortodoksët të grupohen gjetkë, ne modestët themeluam Lidhjen ”Shën Asti” në Athinë, në vitin 1999. Në sajë të lirisë së atij statuti të shkëlqyer, kryepeshkopi i atëhershëm Kristodhulos nuk kishte asnjë pengesë të na takonte, ta bekonte Lidhjen dhe të na premtonte hapjen e një kishe shqiptare në Athinë. I përjetshëm i qoftë kujtimi! Në të kundërt, ishte kryepeshkopi i Tiranës ai që reagoi gjer në tërbim, duke e shtrënguar kryepeshkopin e Athinës të tërhiqej nga premtimet, e duke hapur një luftë të ndyrë kundër shoqatës, derisa u shtrënguam ta shpërbëjmë, edhe pse Lidhja ishte ligjëruar nga gjykata, sipas rregullave të atjeshme. Sepse i tillë është Janullatosi.    

Statuti i ri shqiptar i ka dhënë misionit grek hapësirë privatizimi të vlerave, të drejtave dhe fondeve të kishës shqiptare. Statuti i 2006-ës është antikanonik edhe për faktin se e shtrupëzon kishën ortodokse shqiptare, e shoqatizon atë, ndërsa çnervozon tendencën e të krishterëve për të kultivuar dhuntitë. Ndërsa Zoti e la të lirë njeriun të vendosë vetë për lirinë e fatin e tij, Janullatosi vodhi gjithë zemërimin e vdekatarëve… Për të tredhur nervin e lirisë vendore, për ta përdorur komunitetin ortodoks për shkëmbime shqiptaro-greke, Janullatosi e privatizoi KOASH-in, duke u bërë vetë Zot e shkop i tij.   

Shqiptarët ortodoksë janë të lirë, nga vetë thelbi i ortodoksisë, të themelojnë shoqata, projekte e botime që përçojnë vlerat e trashëgimisë së tyre spirituale e artistike, pavarësisht nga kanosjet e kultit në statutin e ri. Si pjesëtarë të botës së larmishme shqiptare, ata ftohen të çlirohen nga nënshtrimi kulturor ndaj misionit me petka kishtare. Në dritë e në balancë, ortodoksia shqiptare ka shumë nevojë për ta.

Published in: on February 2, 2008 at 6:24 am Comments (0)