Kulti i Janullatosit në statutin e ri (9)
Misioni i antitezave
U mërguan, pra, nga statuti shqiptar nenet mbi sëmundjen, pamundësinë, gabueshmërinë, disiplinimin dhe zëvendësimin e kryepeshkopit, si asgjëkundi në Kishën Ortodokse. Te kreu mbi sinodin, veçse, është një pikë e neneve të pandryshueshme ku sendërgjia zoike nuk ka hapësirë të matet me akribinë kanonike, prandaj dhe, për të mbrojtur misionin politik, është përdorur në formulime vrazhdësia e famshme e diktaturës së kolonelëve. Është pikërisht këtu ku do të përqendrohemi në këtë shkrim.
Neni kontradiktor, ai që sjell në përplasje të gjitha nenet mbi kryepeshkopin, thotë: (Sinodi) Gjykon Kryetarin e Sinodit dhe anëtarët e tij për shkelje dogmatike e kanonike, në përputhje me Kanonet e Shenjta (Neni 12.j, 2006). Ky është një nen fallso, pa fuqi veprore asgjëkundi në Statut, prandaj dhe e vlen të komentohet.
Në pamje të parë duket se Janullatosi nuk ka guxuar të vërë dorë te ky nen, por në praktikë ai e ka dërguar atë në mosqenie, sepse i ka shtuar nene përmbysëse para e pas tij, madje duke thirrur me të madhe kultin e tij të pacënuar nga energjia e natyrës njerëzore. Tek i njëjti kapitull mbi sinodin, kryepeshkopi është përjashtuar nga kontrolli mbi çdo çështje tjetër kishtare, mbasi Sinodit i janë hequr të gjitha kompetencat mbi sëmundjen dhe gabueshmërinë e kryepeshkopit, mbi disiplinimin dhe zëvendësimin e tij, duke përqeshur me formulën për shkelje dogmatike e kanonike. Çfarë kompetenca dogmatike e kanonike ka Sinodi, kur këtij i është hequr e drejta e lidhjes dogmatike e kanonike me kishat e tjera simotra ortodokse, të cilën atë e ka grabitur Janullatosi?
Neni 12.j, atëherë, është një përqeshje ndaj kishës ortodokse dhe kombit shqiptar, sepse i njëjti nen është përmbysur nga nene të mëparshme e të mëpasme. Ja një nen tjetër ku kryepeshkopi i rrëshqet kontrollit: (Sinodi) Ushtron kontroll kanonik mbi aktet dhe veprimet e Mitropolitëve dhe Episkopëve, si dhe mbi të gjitha organet e Kishës (Neni 12.d, 2006).
Përse Sinodi të ketë të drejtë të ushtrojë kontroll kanonik mbi mitropolitët dhe peshkopët, e për gjithë ΚOASH-in, por të mos ketë të drejtë ta bëjë këtë edhe me kryepeshkopin? Përse patrikët dhe kryepeshkopët e tjerë ortodoksë nuk kanë mundur ta zhbëjnë këtë nen nga statutet e tyre? Sepse asnjë sinod ortodoks do t’i lejonte të bënin diçka të tillë.
Nga e nxorri këtë dogmë Janullatosi, atëherë? Nga Greqia, do të thoshnin shumë. Aspak! Statuti i Kishës së Greqisë e barazon kryepeshkopin me mitropolitët, madje me nen të posaçëm: Kudo ku përdoret termi kryeprift nënkuptohet kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë mitropolitët aktivë. Kudo ku përdoret termi mitropolit nënkuptohet edhe kryepeshkopi i Athinës (Neni 52.2, 1977). Mirëpo Janullatosi ynë, e ka ndarë veten nga kreu Kryepriftërinjtë, siç është në statutin grek. Si mund të dënjojë ai të barazohet me mitropolitët e tjerë? Ose, thënë ndryshe, si mund të guxojnë mitropolitët të barazohen me Atë? U bëmë si këmbët e dhisë, u bëmë…
Neni 12.d nuk është i vetmi nen që përmbys nenin 12.j, sepse gjithë kapitulli mbi sinodin është në kontradiktë me të, pikërisht se në mënyrë të vrazhdë politike përjashtohet Janullatosi nga natyra njerëzore, duke e vënë besimtarin përballë një kulti hijeshtënë, aq tejkalues sa t’i errësohet arsyetimi, se vetëm kështu mund të pranohet një statut i tillë: antikanonik, antivendor, prandaj dhe antishqiptar!
Dhe ja prapë shmangia e dorëheqjes: (Sinodi) Vendos për dorëheqjen e anëtarëve të tij (Neni 21.i). Me këtë formulim, në gjuhën e statutit të ri sinodi nuk ka të drejtë të vendosë për dorëheqjen e kryetarit, por kush e ka këtë të drejtë, atëherë? Dhe megjithatë, i marri nuk është ai që bën marrëzinë, as ata që e pranojnë atë si normale, por ai që e shquan dhe e kallëzon…
Statuti i 2006-ës është shkruar në dehje të lavdisë dhe në kapërceyll të marrëzisë, ku, nëse kujtojmë e rikujtojmë pikëpyetjen e sinodit në përvojën krypriftërore të Janullatosit, e kapim të rrjedhurin tek përpiqet të çlirohet me këmbë e me duar nga rrjetat e historisë kishtare. Flagranca dhe vrazhdësia në formulime nuk fshehin dot çastet e ngërçit, kur njeriu vjen në vete jo për t’u përmendur, por për të arnuar gafat: neveria ndaj sinodit, i cili iu imponua me kërcënim shkungimi. Shembulli i mëposhtëm është një pasqyrë e këtyre çasteve psikologjike të Janullatosit, ku lexojmë një zgjim të tij, një përmendje që, mjerisht, nuk u pranua, por çoi në këto antiteza të mëdha teologjike, duke ia nxirë jetëshkrimin bërësit.
Është fjala për nenin mbi peshkopët asistentë (titullarë): Sipas nevojave të Kishës është e mundur të zgjidhen nga Sinodi i Shenjtë Episkopë titullarë aktivë me detyra të caktuara. Këta quhen kryepriftërinj me shërbim aktiv dhe marrin pjesë në Sinodin e Shenjtë (Neni 18, 2006).
Ky nen është në rregull, por ja që duket se ka shkaktuar trazirë të madhe shpirtërore, e ka plagosur në shpirt të lënduarin e rajonit, aq sa i njëjti nen përsëritet i perifrazuar në kreun Kryepiskopi, madje në një trajtë gjestuale: Kryepiskopi mund të ketë dy deri në tre Episkopë ndihmës, të cilët kryejnë detyra të posaçme të ngarkuara prej tij dhe kanë të gjitha privilegjet e Kryepriftërinjve aktivë (Neni 23, 2006).
Këtu kreu Kryepiskopi bën gojë dhe flet me kreun Sinodi i shenjtë. Ndërsa në nenet e tjera më sipër, nenet përmbysin nenin e “shkeljeve dogmatike e kanonike”, ndërsa në kapituj të kaluar pamë nene që kopsitin nene, këtu përballemi me nenin 23 që grindet me nenin 18. Cilësia mjerane e bashkëpunëtorëve të Janullatosit ka lënë dëshmi të tilla, duke na çuar në gjurmët e drafteve të statutit greqisht.
Gjestualja e nenit ndodhet në formulimin “dy deri në tre”, ku Janullatosi shtrin dorën duke e anuar kokën pak pjerrtas, këtë herë jo për të shpërndarë hire i përkëdhelur, por për të fshehur sikletin, me një seriozitet teatral. Cili është numri midis dyshit dhe treshit? Dy peshkopë, plus një gjysmak? Si mund të rroket një formulim i tillë, atëherë? Nëse e shijojmë tekstin gjuhësisht, këtu del se statuti është shkruar në greqishten kishtare, siç vëzhguam gjetkë, por me nuanca të ndezura të greqishtes së re, një mënyrë e njohur e aktivistëve të shoqatës fondamentaliste Zoi: virusi i zoikëve në ortodoksi.
Personalizimi i Statutit dhe politizimi i tij shkojnë krah për krah. Formulimi “dy deri në tre” nuk është juridik, as ka akribi kanonike, por vijon jetëshkrimin e Janullatosit, duke na çuar edhe në vitet mbas miratimit të Statutit. Teksti do të ishte i përmbaruar nëse përcaktonte “dy”, ose “tre”, ose, nëse shkruhej nga një dorë që nuk e njeh mirë të drejtën kanonike, “deri në tre”. Formula greke “dy deri në tre” do të thotë: “dy peshkopë i bëra siç i bëra, dhe tjetrin do ta bëj së shpejti, por pres të pëlcasë ndonjë rrëmujë…” Ose, thënë ndryshe, “bëra dy myslimanë dhe tani duhet bërë një grek”.
Një statut që mëton se shkruhet për disa breza, ka shkuar mbrapa 1950-ës, sepse formulimet komuniste të statutit të mëparshëm janë një grimë para këtyre shkeljeve të frikshme kanonike të misionit grek.
Edhe pse misioni i Janullatosit e shkombëtarizoi statutin shqiptar pikërisht me pretekstin e përmirësimit të tij, shumë nene atje, ashtu si ky mbi peshkopin asistent, janë më në rregull: […] Kryepiskopi ka edhe një episkop ndihmës, i cili është anëtar i Sinodhit pa mbajtur përgjegjësinë e administrimit të ndonjë dioqeze ekzistuese dhe kryen çdo detyrë që i ngarkohet nga Kryepiskopi, duke u titulluar në hymnin e tij si Episkop i Apollonisë (Neni 28, 1950). Saktë e ndershëm.
Në nenet e përfolura më sipër shquam edhe një herë flagrancën e projektit kultizues të Janullatosit, gjithmonë nën vulën e mbrojtjes dhe shpëtimit të ortodoksisë në Shqipëri. Shmangia a cungimi i një neni në të drejtën kanonike të kishës lindore çon në përplasje të disa neneve me njëri-tjetrin. Për më tutje, manipulimi i neneve mbi kryepeshkopin ka çuar në antiteza të mëdha teologjike. Sepse, kur bëhet fjalë për legjislacionin kishtar, sado mjeshtër i mashtrimit të jesh, nuk ke nga të rrotullohesh; do t’i nxjerrësh brirët. Mund të bësh shumë gjëra nën rrogoz, mbi rrogoz, a pa rrogoz fare, por aspak këtu, o fort i lumur!
Kapja e këtyre antitezave të mëdha të misionit jo kishtar është pjesë e diskursit teologjik në ortodoksinë shqiptare. Nga ana tjetër, një përballje e tillë nuk na ndihmon ta mbarojmë këtë lexim përsiatës. Përsëritjet tona në këto shkrime janë pasojë e përsëritjes së shkeljeve kanonike në statutin e ri; tepër të domosdoshme. Këto rrëshqitje të rrezikshme, në hullinë e sinaksarit që ka njomur kryefund tekstin e analizuar gjithë sot, po ngacmojnë shkrimin e biografisë së Janullatosit. Sepse po shkruhen në greqishte e anglishte versione shenjtërimi për më të pashenjtin që ka meshuar ndonjëherë në trojet shqiptare.