Kulti i Janullatosit në statutin e ri (8)

Përtej biologjisë 

Përderisa i dërguari fytyrohet si i veçantë në histori, prandaj dhe përjashtim i pashmangshëm në dhëniet e marrjet shqiptaro-greke, përderisa i shpërfytyruari i hireve u vërtetua si mit i domosdoshëm për të sjellë në drejtpeshim trutë e shqiptarëve emocionalisht të zhbalancuar, Janullatosi, atëherë, duhet kundruar e përballur jo si vdekatarët paraardhës dhe pasardhës në selinë e Tiranës, por si institucion i amëshuar. Anastásios përhidhet si ideologjemë përtej biologjisë.  

Personifikimi i ideologjemës martohet me personalizimin e komunitetit ortodoks në pozitën pezull (midis), atje ku ndërthurja e interesave përthithi dhe çoi në zbehje ngjyrat e personit real, duke lënë për trashëgim nuanca kundërthënëse. Me këtë mitbërje në botën shqiptaro-greke, janullatizimi i statutit të ri të KOASH-it pillet si kanun mbi kanonet kishtare, si statut tejet së tashmes, si dokument i imponuar jo kaq nga Greqia, sesa nga rendi i sendeve në Shqipërinë e pasdiktaturës: kultizimi i çudibërësit është më e pakta që kisha shqiptare mund t’i blatojë ekumenit imagjinar…  

Si shtrëngesë e këtij perversiteti, nenet mbi potencialin e gabueshmërisë së kryepeshkopit, dhe për vijim mbi gjykimin dhe disiplinimin e tij, bënë këmbë e u zhdukën nga statutet e kishës shqiptare. Për ta bindur historinë se kjo që ndodh në Statutin e 2006-ës nuk është thjesht sendërgji e një kishtari të lajthitur, por një projekt i kushtueshëm shtetëror, u zhdukën nga statuti i mëparshëm edhe nenet mbi sëmundjen, pamundësinë dhe zëvendësimin e kryepeshkopit. Marrëzia në fron!    

Asnjë kishë ortodokse ka guxuar të bëjë diçka të tillë, përmbysëse në të drejtën kanonike të kishës lindore, duke e përjashtuar kryepeshkopin nga natyra njerëzore, nga vrullet e saj të shumta që çojnë në rrëshqitje, rënie e lajthitje, por dhe nga mosha e sëmundjet që sjellin prishjen dhe vdekjen. Dhe megjithatë, Statuti i 2006-ës duket sikur thotë: Anastasi ynë është ndryshe, është tepër i veçantë, ai është specifikja e papërsëritshme në rajon. Kisha shqiptare shtrëngohet të ndijojë përtej biologjisë. Çfarë mësymjeje!  

Por le të kërkojmë nenet e zhdukura nga kulti i Janullatosit, për të shquar edhe një herë se misioni i Athinës jo vetëm që nuk e përmirësoi e plotësoi Statutin e 1950-ës, por e përkeqësoi dhe ia cungoi atij ortodoksinë. Sepse statuti i mëparshëm, edhe pse nën diktaturë, mbeti më ortodoks se Janullatosi.  Ka shumë nene që e thërrasin këtë të vërtetë atje, siç shquhet edhe në këtë pikë, e cila e ka tmerruar Janullatosin kur e ka parë për herë të parë: Kur një anëtar i Sinodhit gjykohet për çdo faj të tillë, ai vetë nuk merr pjesë si anëtar i Sinodhit. Mbi këtë flitet më hollësisht në rregullore  (“Masat disiplinore”, Neni 75, 1950).

Kryepeshkopi, pra, nuk shihej nga kisha e diktaturës si monark absolut, si papë e cezar i KOASH-it, por si kryeprift, njësoj si në Statutin e Kishës së Greqisë. Por le të shkojmë tanimë tek Rregullorja ku përcjell Statuti 1950, për të parë se çfarë shkeljesh të mëdha kanonike ka kryer Janullatosi në Shqipëri, duke zhdukur nga statuti i sotëm nocionet që garantojnë kolegjialitetin e ortodoksisë:  

Pushim’ i Kryepiskopit dhe episkopëve, bëhet për faje të rënda dogmatike dhe kanonike, për faje ordinere dhe për arsye extraordinere
Kryepiskopi dhe antarët e Sinodhit, për shkak sëmundjeje kronike ose pleqërije, të cilat nuk u përmetojnë të përmbushin detyrat e tyre, kanë të drejtë t’i paraqesin kanonikisht dhe me të shkrojtur dorëheqjen e tyre Sinodhit të Shënjtë.
Sinodi i Shënjtë ka të drejtë të shkarkojë nga detyra Kryepiskopin, sinodhikët, ose çdo klerik tjetër, kur konstaton se për shkak sëmundjeje kronike ose pleqërije, këta nuk janë në gjëndje të përmbushin detyrat e tyre. Paaftësija në punë provohet kurdoherë me raport mjekësor
(Rregullore për administrimin e përgjithshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Kaptina II, “Kryepiskopi dhe Episkopët”, Nenet 35-36, Tiranë, 1955, f. 17-18). 

Të gjitha këto nene të traditës ortodokse në Shqipëri, të cilat janë thithur nga e drejta kanunore e kishës lindore, u panë e u ndjenë nga dërgata greke si kërcënim për të përmbushur misionin, prandaj dhe nuk u përfshinë në statutin e ri. U zhdukën ato nene që kujtojnë përkohshmërinë e Janullatosit, që kërcënojnë përjetësimin e tij, që cënojnë projektin politik të kultizimit të tij. U gëlltitën ato nene që përndryshe ekzistojnë në të gjitha statutet e patrikanave dhe kishave autoqefale ortodokse, siç ekzistonin edhe në Kishën e Shqipërisë. Siç ekzistonin para Janullatosit. 

Çfarë presim të na thotë vetë ai këtu? Sigurisht që Janullatosi do të na papagallizojë edhe një herë kasetën e kaq e aq bamirësive e parafabrikateve, siç po na çan veshët për kaq vjet, sepse shkeljet kanonike në Statutin e 2006-ës nuk mund të mbrohen ndryshe, përveçse me ndihmën e shtetit grek. Kryepeshkopi në statutin e ri është mbi Sinodin, i cili ky, ndryshe nga statuti i kaluar, e ndryshe nga gjithë kishat e tjera ortodokse, nuk ka më të drejtë ta kontrollojë, ta gjykojë e ta disiplinojë primatin edhe nëse ai lajthit krejt. Sinodi nuk mund ta zëvendësojë kryepeshkopin edhe nëse ai është klinikisht i vdekur.  

Statuti i 1950-ës, siç e lexuam më sipër, e trajton kryepeshkopin si pjesëtar të gjinisë njerëzore, domethënë subjekt të gabimit dhe vdekjes, siç janë të gjithë të krishterët. Në statutin e mëparshëm bëhet e qartë kryefund se kryepeshkopi nuk mund ta manipulojë kishën: Kryetari i Sinodhit, ose Sinodhi, kur kryetari është vetë i akuzuar, pezullon me një herë nga funksionet e tij çdo funksionar të Kishës… (Neni 77, 1950). Në këtë nen, ashtu si edhe gjetkë, Statuti i 1950-ës ia jep kreun e kishës sinodit, dhe jo kryepeshkopit.    

Në qoftë se Janullatosi e përmirësonte statutin shqiptar duke ndriçuar përmes statutit grek, të cilin e kemi cituar përgjatë këtyre shkrimeve, nuk do të ndodhnin shkelje të tilla. Sepse, ja një pyetje: Si bëhet zgjedhja e kryepeshkopit në statutin e ri? Nuk thuhet se si, sepse statuti i ri bëhet për Janullatosin, i cili nuk u zgjodh por u emërua e u imponua, prandaj dhe i dhënë njëherë e përgjithmonë në histori. Ndërsa Statuti i Kishës së Greqisë ka një kapitull të tërë, kreun 6, me pesë nene e 17 nyje stërholluese, në mënyrë që zgjedhja e primatit të mos manipulohet. Mjerisht, Statuti i Kishës së Shqipërisë është konceptuar në atë frymë që t’i shmanget me çdo nen fundit të Janullatosit, edhe pse “Perëndia bëri vdekjen, që e keqja të mos bëhet e pavdekshme”. 

Duke lexuar statutin e ri, e duke parë marrëzinë atje, mbyt pyetja: Si ka mundësi të ndodhë dhe të pranohet gjithë kjo sot? Të gjitha këto janë të vërteta, mund të na thoshte Janullatosi nëse zihej ngushtë, por më lejoni ta kundroj veten nga jashtë. Këtu keni të veçantën në histori. Është një gjendje përtej biologjisë. Sepse Anastasios është emblema e popullit pa emër, përvëlimtari dhe shenjtori ndryshe i atij kombi. Të tjerat janë mbetje të shekujve në errësirë… Vetëm me një besore të tillë Janullatosi shfajësohet për kultizimin e tij, të cilin e ka shpallur në Statutin e 2006-ës.  

Kundrimi përtej biologjisë na sjell edhe një herë pikëpyetjen e sinodit në përvojën ortodokse të Janullatosit, skandalin e jetëshkrimit të tij. Ai e qeverisi kishën shqiptare pa sinod deri në vitin 1998, antikanonikisht, me mbrojtjen e drejtpërdrejtë të shtetit grek, me kanosjet e Athinës ndaj Tiranës e Fanarit njëherësh, derisa e keqja plasi dhe nuk mbajti më. Qeveria e Athinës u ndodh para një realiteti të rrezikshëm, kur kryepeshkopi i Tiranës u kërcënua me shkungim nga Fanari. Sinodi, pra, erdhi si e vetmja alternativë për të vazhduar në Shqipëri.   

Si mund të qeverisej një kishë ortodokse pa sinod? Këtë pyetje më se llogjike e pyesnin atëherë të gjithë, që nga Patriku i Kostandinopojës e deri te teologu më i fundit në Greqi. Janullatosi nuk përgjigjej, sepse i dukej se i kishin rënë në pjesë. Në fakt, nuk e kishte pozitën e sotme kultiste në botën greke. Projekti ishte në proces, por kjo nuk e pengonte atë të irritohej që në dëgjesë të atyre kritikave. Anastasios është diçka shumë e veçantë, tmerrësisht speciale, një qenie midis njerëzoreve dhe hyjnoreve, prandaj dhe i vinte rëndë kur i dëgjonte pyetje të tilla. Kanuni ishte për njerëzit, jo për Atë…  

Por ndërsa Janullatosi para dhjetë vjetësh shpërndante heshtje dhe vepronte siç vepronte, sot ai flet e ligjëron haptas për të veçantën në historinë kishtare, për kultin e domosdoshëm në një rajon të privuar. Rasti përjashtimor mëton përjashtime edhe në arsyetim. Kundërthënësit le të zhbëhen. Për ngrehinën e kultit tashmë flasin godinat, prandaj dhe Janullatosi i statutit të ri ndien se bota shqiptare i ka shumë borxhe. Dhe bashkë me të edhe ortodoksia. Ai është i vetëm në dhunti dhe i pashok në mrekulli, aq sa shembulli i tij nuk mundi të gjejë imitim asgjëkundi në Lindje. As dje e as nesër.     

Shenjtori grek ka përftuar guximin ndaj qiellit, prandaj dhe, përderisa ka bërë shumë më tepër nga ç’duhej, i lë të gjallët dhe kuvendon me Kishën Universale, jashtë kohe e hapësire. E bën këtë për të ndëshkuar mosmirënjohjen e kishës tokësore, e cila nuk i përmbys procedurat për ta shpallur shenjtor për së gjalli, por e mundon popullin e Perëndisë, duke i privuar një ikonë me disa brerore. Çfarë padrejtësie…  

Kemi, pra, një përjashtim nga rregulli (kanoni), prandaj dhe Janullatosi ngrihet e zhvendoset prapë, shkon dhe ulet në kryesinë e shtatë sinodeve ekumenike dhe çmallet një për një me shenjtorët e tjerë nëpër shekuj, jep e merr me Lindjen e Perëndimin, duke i folur secilit në gjuhën e tij, duke i ndriçuar gjithandej sivëllezërit. Mbas këtij vegimi, Janullatosi kthehet në trup për të nënshkruar statutin shqiptar, por këtë e bën simbolikisht, sepse në thelb statutin e kanë miratuar sinodet ekumenike. Të gjitha nenet e statutit të ri vijnë që andej, atje ku ishte dhe atje ku do të shkojë. Vetëm kështu mund të përkthehet lajthitja e Janullatosit.

Pranimi i sinodit, atëherë, ishte diçka praktike, për të ruajtur regjimin e sendeve, për të mos rrezikuar misionin shumëpërmasor, për të përligjur pastaj lundrimet në një botë tejbiologjike. Mbas kompromisit me qeverinë shqiptare dhe patrikanën e Kostandinopojës, Anastasios bëri të keqen tjetër. Ngjizi një sinod kukull, si sinodi kukull i diktaturës së kolonelëve në Greqi dhe, më e tmerrshmja, imponoi një statut kukullash, i cili janullatizoi statutin shqiptar, duke i vënë të gjitha në shërbim të kultit të tij, madje dhe vetë Sinodin. Prandaj dhe historia jonë do të vazhdojë të shkruhet përtej biologjisë… 

Published in: on January 5, 2008 at 7:13 am

The URI to TrackBack this entry is: http://bizantin.wordpress.com/2008/01/05/kulti-i-janullatosit-ne-statutin-e-ri-8/trackback/

RSS feed for comments on this post.

6 Comments Leave a comment.

  1. On January 8, 2008 at 4:25 pm Endri Said:

    Zoti Cici,

    A mund ta gjejme diku te publikuar, qofte edhe jozyrtarisht statutin e ri te 2006 te KOASH-it qe te njihemi drejtperdrejte me tekstin e tij?

    Nese do te me thoni se ku mund ta lexoja, do t’ju isha mirenjohes.

    Endri

  2. On January 8, 2008 at 7:57 pm Bizantin Said:

    Endri,

    Gëzuar Vitin e Ri!

    Statuti nuk është botuar asgjëkundi, dhe kjo është pjesë e problemit. Në fakt, e kam ndërmend ta cek këtë në shkrimet që vijojnë.

    Statuti nuk është botuar asgjëkundi, gjë që e bën atë gjithmonë të redaktueshëm, mbas një, dhjetë, a më shumë vjetësh. Kush e ka origjinalin?

    Nëse punët shkonin mbarë, KOASH-i do ta kishte botuar Statutin tek gazeta Ngjallja, në 2-3 numra të saj, ose si broshurë më vete, për t’i dhënë fund misterit.

    Edhe kjo kopje e Statutit që kam siguaruar unë, mund të përmbyset, pikërisht se ata që kanë origjinalin nuk e kanë botuar dhe, e përsësis, mund të bëjnë çfarëdo ndryshimesh të tjera.

  3. On January 9, 2008 at 10:18 am Selfmaderadio Said:

    Strategji Yci (loja Yc) kjo e statusit. ;)

  4. On January 9, 2008 at 9:19 pm Bizantin Said:

    Ndriçona, SR, e thuana dy fjalë se ç’është loja YC, se mos ndoshta i vjen fundi dhe kësaj teme mbi statutin (jo statusin).

  5. On January 10, 2008 at 2:42 pm Selfmaderadio Said:

    Yci (c me bisht)? Nuk e di? jane tre katrore brenda njeri-tjetrit, brinjet paralele. Ne mesin e cdo brinje ka nje vertikale, pershkruan te tre katroret. Cdo lojtar ka 9 gure (me duket) qe duhet t’i vendosi ne menyre strategjike. Sepse sa me shume yce te bej, aq me mire, fiton lojen. Yci quhet momenti kur ne te njejten brinje, por edhe ne te njejten vertikale, pozicionohen tre gure te te njejtit lojtar. Hilja e lojes eshte t’i pozicionosh guret ne menyre te tille qe te kesh ne dy brinje paralele afer njera-tjetres ne te dy qoshet guret e tu, dhe po keshtu te kesh nje gur ne mesin e njeres nga te dy brinjet, ne menyre qe ta levizesh nga njera brinje tek tjetra duke bere pa pushim yce. Cfare do qe te bej lojtari tjeter, ti ben gjithmone yc! Edhe kjo loja me mosbotim, duke krijuar gjithmone hapesiren per te fituar gjithmone, me kujton ate lojtarin qe ben gjithmone yc! Nuk e njeh vertet kete loje?

  6. On January 10, 2008 at 4:36 pm Bizantin Said:

    Jo, vërtet nuk e dija, përndryshe nuk do të të mundoja, sepse nuk është e lehtë të shpjegohet loja.

    Këto lojërat e Bizantit më shtinë harresë edhe në ato lojëra që dija si i vogël dhe i ri, ndërsa më vonë s’pata durim a kërshëri të mësoja të tjera.

    Në fakt, tek lexoj se si përpiqesh ta shpjegosh, them se edhe unë këtë jam përpjekur të bëj, të shpjegoj lojën që bëhet me shqiptarët ortodoksë.

    Faleminderit, SR.

Leave a Comment