Kulti i Janullatosit në statutin e ri (7)
Sinaksari i Janullatosit
Është një nen i Statutit 2006, gjithmonë te kreu KRYEPISKOPI, për të cilin mund të shkruhet një novelë, e jo më një kapitull përmbledhës në këtë lexim të çlirët: (Kryepeshkopi) Ndërmerr iniciativa në shkallë të gjerë kur vendi ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të fatkeqësive natyrore a shkaqe të tjera, duke bashkëpunuar me autoritetet shtetërore, me kryesitë e bashkësive të tjera fetare dhe organizmat ndërkombëtarë për lehtësimin e të prekurve dhe zhdukjen e pasojave (Neni 22.k, 2006).
Ndërsa të gjitha nenet e përfolura gjer tani u komentuan në përqasje me statutet e tjera shqiptare e greke, çfarë mund të themi këtu? Kur kryepeshkopi u bë papë e cezar në statut, bëmë mohime e pohime, por çfarë mund të themi për këtë nen përmbysës, veçse? Sepse këtu kemi janullatizimin e historisë kishtare në Shqipëri. Këtu na del përpara njeriu, jo kishtari. Këtu kulti grek zbret nga ikona bizantine, merr pamje postmoderne, fare të atillë, dhe parashtron drejtpërdrejt arsyet praktike se përse s’është i përkohshëm; flet siç e duan shqiptarët, troç dhe ndershëm. Neni 22.k është nyja e dialektikës së misionit me petkun e fesë, është më e madhja pikë dhe pykë, në daçi, në marrëdhëniet shqiptaro-greke.
Në vend të hutimit të kërkuar, a të ndjesisë vendore “lere, ç’e nget atë punë”, brenda këtij ekspozimi me dashje të misionit jo fetar, le të ngremë pyetjet e pashmangshme:
A ekzistonte një nen i tillë në Statutin e Kishës së Shqipërisë?
Jo! Sepse hierarkët shqiptarë nuk e shitën besën as te grekët e as te komunistët, pavarësisht nga komoditeti i sotëm në gjykime.
A ekzistonte një nen i tillë në Statutin e Kishës së Greqisë?
Jo! As ekzistonte, e as ekziston. Madje në statutin grek nuk ka fare kapitull për kryepeshkopin, e jo më të pranohen shkelje të tilla.
A ekziston një nen i tillë në ndonjë patrikanë e kishë tjetër autoqefale ortodokse, qoftë dhe i përngjashëm?
Asgjëkundi. Kurrëkundi! As që mund të hidhet në mendje gjetkë.
A ekziston ndonjë nen në të drejtën kanunore të kishës ortodokse, ku të mbështetet qoftë dhe tërthorazi, neni 22.k i statutit të ri?
Jo, jo dhe jo, përveçse në natyrën e një misioni jo fetar, i cili ndërthur interesa që shërbejnë shumë, përveç ortodoksisë.
Te ky janullatizim i statutit, le të shquajmë disa nuanca të tij, disa togfjalësha shumë të dëgjuar këto vite, duke i përkthyer në gjuhën e këtij leximi:
Iniciativa [siç] në shkallë të gjerë. Kemi një kishë të vogël, pakicë në një vend me shumicë myslimane e ateiste, e cila del nga vetvetja dhe merr inisiativa në shkallë të gjerë, jashtë thonjëzave. Si nuk e cilëson Statuti se sa gjerë, e gjer ku shkojnë këto inisiativa? Ku do t’i gjejnë fondet kryepeshkopët e ardhshëm të Shqipërisë për të marrë nisma të tilla, kaq të gjera e të gjata? Sepse nuk bëhet fjalë për Sinodin a për KOASH-in si institucion, gjë që sidoqoftë do të ishte absurde të kërkohej në kishën ortodokse, por për një individ! Nëse primatët e ardhmërisë nuk kanë fuqi të marrin nisma të atilla, a vendosen ata kundër Statutit, edhe pse pro Ortodoksisë?
Gjendje e jashtëzakonshme. Ku do t’i gjejnë rojet dhe makinat e blinduara kryepeshkopët e një kishe modeste, minoritare, për të kryer aktivitete të tilla mbarëkombëtare kur Shqipëria është në gjendje të jashtëzakonshme, siç e ndjell Janullatosi? Apo na kujton 1997-ën, kur Janullatosi bënte dramatikun dhe heroikun në Tiranë, se “këtu me ju do të qëndroj gjer në fund”, por ama fliste greqisht, i lidhur drejtpërdrejt me kanalet televizive greke, e i qerthulluar me roje të armatosura? Përkundrazi, kryepeshkopi tjetër duhet t’i shesë a zhbëjë makinat e blinduara, të cilat janë një nga skandalet e misionit grek në Shqipëri.
Fatkeqësi natyrore. Cilat janë këto fatkeqësi dhe cilat kanone të krishtërimit mëtojnë që kisha të merret me to në mënyrë politike, fizike a kimike? Ku do ta gjejë kisha shqiptare një kryepeshkop të tillë që, kur Shqipëria një mëngjes të gjendet para një tërmeti, qoftë larg, primati të godasë me shkop e të nxjerrë fondet e kërkuara për të sjellë vendin në rendin e mëparshëm natyror? Përderisa Janullatosi rrëshqet jo vetëm në ligjë e në kanun, por dhe në llogjikë, le të rrëshqas edhe unë pakëz: A ka fatkeqësi më të madhe natyrore sesa kalesa e Janullatosit në historinë shqiptare?
Organizma ndërkombëtarë. A mos vallë ata janë politikë, moralë a fetarë? Mos është fjala për kishat e tjera të krishtera? Në Statutin e Kishës së Greqisë, fjala bie, nuk i lejohet kryepeshkopit diçka e tillë, se, përveç të tjerave, ai mund të jetë një a dy muaj në spital, prandaj dhe është Sinodi ai që qeveris Kishën e vendos mbi gjithçka, duke mos harruar as dhënie-marrjet e detyrueshme me heterodoksët (Ky nen i statutit grek - Neni 4.a, Kreu 2, “Mbi Sinodin e Shenjtë të Hierarkisë” - u citua në fund të kreut të katërt). Sidoqoftë, ku do t’i gjejnë kryepeshkopët shqiptarë mundësitë, rrethanat dhe mjetet për të ndërmarrë projekte të tilla ndërkombëtare?
Zhdukja e pasojave. A ka burrë në këtë botë të zhdukë pasojat e fatkeqësive natyrore? Ku mund ta gjejmë ne një kryepeshkop të tillë, mbinatyror? Le të mos shkojmë larg, por të sjellim ndërmend pyjet e djegura në Greqi këtë vit. Pasojat tragjike nuk janë zhdukur: Vdiqën njerëz, u zhveshën kodra e male, u zhbënë pasuri, e të tjera mjerime. Pasojat do të mbeten për shumë vjet, ndoshta për disa breza. Si mundet pastaj i sëmuri i lavdisë, jo vetëm të besojë gjëra të tilla, por t’i ligjërojë dhe në Statut? I kërkohet, pra, historisë që të nxjerrë për çdo brez një të marrë, një monstër që beson se ka kyçin për të zhdukur pasojat e fatkeqësive natyrore.
Le t’i jemi mirënjohës Janullatosit këtë herë, sepse sëmundja e kultit, e çiltëruar nga thelbi i misionit shtetëror grek, na ka lënë një nga çastet më lakuriq të improvizimit të tij në fe e politikë: Papa i kishës imagjinare, etnarku i kombit pa emër, e var kërrabën baritore dhe rrëmben skeptrin, atë që, sipas albanologjisë folklorike të hirësi Kurillës që e thërret, i dha emrin shqiptarit (nga σκήπτρον). I brishti përndizet e ashpërsohet, egërsohet hirshëm e kthehet në një qenie midis njerëzoreve dhe hyjnoreve, si një përbindësh i shenjtëruar, sepse vetëm kështu mund t’u bëjë ballë fenomeneve mbinatyrore. Princi i paqes shndërrohet në hegjemon të ekumenit imagjinar, atë që s’e bën dot as Patriku Ekumenik. I rrofshin kyçet dhe titujt Fanarit…
Marrëzia dhe rrjedhja e bujtësit, atje ku barten e përçohen edhe interesat e dërguesve, ky realitet klinik, pra, bëhet njësh me bujtinën shqiptare, me kultin e zemrës së historisë vendore (feja e shqiptarit është shqiptaria), duke na sjellë para një imazhi biblik, ku sundon trajta e një bajlozi të lodhur nga shpërfytyrimi i hireve: Shqipëria e vogël bëhet djepi i botës, ku një version tjetër i Babës është shfaqur e pajtuar suksesshëm me dëshirat shqiptare. Çfarë lumnie…
Njëri nga synimet e Statutit të 2006-ës, brenda ndërthurjes dhe fërkimit të shumë interesave midis Tiranës, Athinës dhe Stambollit, është të skeletojë narrativën e sinaksarit të Janullatosit, siç u cek në kreun e katërt. Është jetëshkrimi letrarizues që fytyrohet në statutin e ri si biografi e paradhënë kishtare. Është përsëritja nëpër dhjetëvjeçarë e profilit shkruar nga autori në vetë të tretë, derisa më në fund u imponua në krishtërimin grek për të ungjillëzuar (helenizuar) Shqipërinë, që të përhapej si virus në të gjitha kishat ortodokse dhe jo vetëm.
Si i tillë, atëherë, tejkalues në gjithçka njerëzore, Janullatosi mëton statusin e së veçantës, e speciales në historinë kishtare. Kështu përhidhet edhe statuti i ri shqiptar, sidomos ky nen që kërkon diçka që s’bëhet asgjëkundi në ortodoksi.
Naivët mund të mendojnë se një plak nuk mendon kaq thellë. Sepse pleqtë mendojnë vdekjen dhe i bëjnë hesapet me hanxhinë. Kush e tha? Pastaj këtu kemi të veçantën e të veçantave. Për më tej, ka patrikë e kryepeshkopë që kanë jetuar e jetojnë gjer në 90 vjeç, e madje më tutje. E si të mos ta lejojë Zoti diçka të tillë për më të zgjedhurin e Tij? Sot ai nuk ka mbushur ende të 80-at. Dhjetë vjet të tjera nuk janë pak, sepse gjithë ngrehina e sotme kultiste do të ishte shembur e harruar para dhjetë vjetësh. Ishte pikërisht dhjetëvjeçari i fundit ai që e bëri njerëzorin hyjnor, kjo dekadë që, në të njëjtën kohë, i sfidoi shqiptarët në kohë duke ua nxirë edhe hapësirën.
Ndërsa para dhjetë vjetësh Janullatosi ishte i pikëpyetur në Ballkan, sot Anastasios është hijemadh në Lindje e në Perëndim, aq sa i falen jashtë e brenda. E himnojnë dhe i bien në gjunjë, por jo për të adhuruar njeriun e shenjtë, sesa për të përlëvduar mrekullitë e Perëndisë tek ai, shërbëtori i përulur i qielloreve në Shqipëri. Ai buzëqesh ëmbël, skuqet pak i përkëdhelur, duke u bërë edhe më i adhurueshëm, sepse ndodhesh para një plaku me çaste fëminore. I shenjtë, nuk është?
Dhjetë vjet, për më thellë, sillen kështu në shqisat e njeriut Janullatos, por, nga ana tjetër, koha është dhënë për njerëzit, jo për hyjnorët. Statuti, atëherë, janullatizohet që të shenjtërohet, aq sa brez pas brezi kryepeshkopët e vegjël të fuqizohen me hijen dhe emrin e tij, për të marrë hir nga hiret e tij. Anastasios është tejet kohe, sepse solli qiellin në tokë. Në një kulturë kaq materialiste, ai pajtoi paq frymën me lëndën, siç e deshnin vendorët e shtrenjtë, pa dallim feje, gjithë populli i Perëndisë, tek i cili po kryqëzohet ditë për ditë, edhe tani që ndodhet për dy muaj në Athinë.
Ai mundi, me gjithë këto, të shënjojë totuazhe të pashlyeshme në lëkurën e ashpër shqiptare. Të gjitha i bëri për t’i ndriçuar ata, që të mos mbeten mbrapa shokëve. Statuti shqiptar, atëherë, pushtohet nga vegimet e Janullatosit si i veçantë në histori, specialja që mëton të përhershmen, pikërisht për t’i dhënë një përgjigje dërrmuese të përkohshmes, kaq e premtuar kjo në një draft tjetër të jetëshkrimit të tij.
Për Fanarin që e lexoi statutin në greqishten e origjinalit, zhdukësi i pasojave të fatkeqësive natyrore është edhe zhdukësi i pasojave të ndërgjegjësimit shqiptar njëherësh. Janullatosi ka veti të mëdha zhdukjeje pasojash. Sepse, brenda sëmundjes së kultit që tolerohet për arsye politike, duhen zhdukur pasojat e kombëtarizimit të kishës vendore, pasojat e veçorizimit të shqiptarëve ortodoksë në historinë kishtare greke…
Nëse lexuesi do të më akuzojë për ironi, tallje, e për të tjera, për çfarë nuk duhet akuzuar Statuti 2006, atëherë?
Po kujtoj se Janullatosi fillimisht e personalisht, në vitet 1992-1996, nuk më ka kërkuar shumë gjëra, përveçse të hesht. E ka kërkuar këtë edhe më vonë, me të gjithë sa besonte se i dëgjoja, sidomos grekë, por jo vetëm. Madje, kur ika pa kthim nga Athina, në pranverë të vitit 2000, një aktivist shqiptar mysliman më kërkoi të njëjtën gjë: “Tani që do shkosh në Amerikë, mos fol më për Anastasin”.
Përse? Përse të mos flas? Për më tutje, ç’i duhet një aktivisti që s’është ortodoks, që as merret me studimet ortodokse, ç’punë ka ai, pra, se ç’do them unë për aksh kishtar tonin? Madje atëherë unë flisja vetëm kokë më kokë, jo publikisht, dhe as shkruaja. Nga ana tjetër, ç’punë kanë konsujt e Greqisë në Kanada të më përgojojnë se ç’kam thënë e ç’shkruaj unë për kryepeshkopin e Shqipërisë? A do të merreshin me mua të gjithë këta nëse kryepeshkopi nuk ishte grek? Unë mendoj se jo. Me ç’të drejtë më kërkojnë të hesht, atëherë, grekë e shqiptarë?
Kulti bezdiset kur dikush e kritikon, sepse zbardhja e së vërtetës, shkultizimi, rrezikon lojën politike. Është pikërisht këtu ku rreh diskursi im: për të bezdisur kultin. Me çdo çmim! Si të kem frikë unë nga Janullatosi për një qëndresë të tillë, të ndershme, në historinë e ortodoksisë shqiptare, kur ai vetë nuk ka frikë ta vendosë veten e tij të rënë mbi të gjitha statutet e kishës shqiptare e mbi vetë të drejtën kanonike të ortodoksisë?
Kur i sëmuri i lavdisë është me një këmbë në varr dhe merret ende me mua, duke paguar disa shqiptarë myslimanë në Toronto që të mësojë se ku shkoj dhe me kë takohem, çfarë përkorjeje gjuhësore më kërkohet nga dashamirët? Kështu gdhendet sinaksari i Janullatosit…
The URI to TrackBack this entry is: http://bizantin.wordpress.com/2007/12/18/kulti-i-janullatosit-ne-statutin-e-ri-7/trackback/