Kulti i Janullatosit në statutin e ri (6)

Papa dhe Cezari juaj 

Duke ia hequr sinodit kompetencat dhënë nga e drejta kanunore e kishës lindore, me shpikjen e nenit papnor 22.e, të cilin përfolëm pa pendesë në kreun e kaluar, se vetëm kryepeshkopi ruan kungimin dhe komunikimin kishtar me Kishat e tjera Orthodhokse, e duke e sendërgjuar më tej me “nenin e kërthizës” 22.j, Janullatosi ia ka mbyllur çdo shteg kishës vendore për të dhënë e marrë me kishat e tjera ortodokse, e sidomos me fronin e parë ndër to, atë të Kostandinopojës.  

Para se të bëhet Papë i KOASH-it me nenin mbi kungimin, i sëmuri i lavdisë bëhet Cezar i Shqipërisë, siç do të shohim më poshtë këtu, tek nenet mbi raportet e primatit me kishën shqiptare. Por para se të shkojmë atje, është e nevojshme të kthehemi tek Statuti i Kishës së Greqisë, për të shquar kontrastin e madh, për të dalluar se sa shumë kolegjial është statuti grek, jo vetëm në krahasim me statutin e Janullatosit sot, por dhe me statutin e kaluar shqiptar, i cili, në të kundërt të traditës vendore autoqefale, krijoi një kapitull të ri për kryepeshkopin, për të shërbyer më lehtë komunizmin dhe jo ortodoksinë.  

Këtë shartesë të diktaturës, jo vetëm që Janullatosi nuk e hoqi nga statuti, jo vetëm që nuk e la siç ishte, por, ajmé për jetëshkrimin e tij të errët, e papizoi dhe cezarizoi kultin e primatit (veten e tij të rënë), duke hapur një të çarë të madhe midis kishës shqiptare dhe të drejtës kanonike të kishës lindore. Në fakt, ua la turpin në derë shqiptarëve ortodoksë…  

Në statutin e Greqisë, në të kundërt me tonin, nuk ekziston asnjë kapitull për kryepeshkopin, sepse: Kryepeshkopi i Athinës ka cilësinë e baritimit të kryepeshkopatës së Athinës ashtu si të gjithë mitropolitët aktivë, të cilët janë autoriteti kishtar i mitropolisë që iu është besuar. Ata ushtrojnë, brenda zonës së mitropolisë së tyre, urdhëresat kishtare dhe ligjet e përgjithshme të pushtetit të parashikuar të shtetit, sipas kanoneve të hirshme (Kreu 8, “Mbi kompetencat dhe detyrat e Kryepriftërinjve”, Neni 29.1, Καταστατικός Χάρτης της Εκκλησίας της Ελλάδος, 1977, f. 67-68). 

Edhe pse mund të tingëllojë e çuditshme për shqiptarët ortodoksë, ky nen është i vetmi në gjithë statutin grek ku flitet më tepër për të drejtat dhe detyrat e kryepeshkopit, dhe megjithatë (vini re!), nga njëjësi kalohet menjëherë në shumës, brenda një fjalie, mu në nisje të nenit, duke mos fshehur ankthin e shëndoshë të kishës ndaj rrezikut të njëshit, për të parandaluar kultizimin e tij. Sepse është njerëzore të ndodhë, prandaj dhe duhen marrë masat me ligjë e me kanun për të kontrolluar pasionet e pushtetarëve. Që të citojmë nga urtësia greke, “pasurinë shumë e urryen, por lavdinë askush!”  

Lexojeni prapë nenin e cituar më sipër, për të shquar se si barazohet, njësohet, sheshohet e rrafshohet kryepeshkopi me mitropolitët, për t’i dhënë përparësi sinodit të peshkopëve; siç është tradita e kishës lindore! Është pikërisht kjo traditë që ekzistonte edhe në Shqipëri dje, por që u zhbë sot nga misioni shtetëror grek. Sepse, para se të flasë për kryepriftërinjtë në kreun e tetë, statuti grek ka përcaktuar më parë, në kreun e dytë, se Sinodi i Shenjtë i Hierarkisë vendos për çdo çështje që i përket Kishës (Kreu 2, “Mbi Sinodin e Shenjtë të Hierarkisë”, Neni 4, Po aty, f. 34).  

Është fjala për sinodin e të gjithë mitropolitëve aktivë të Greqisë, gjithë hierarkia, me votime të fshehta, duke dëlirur kësisoj fuqinë e kryepeshkopit. Bëhet e qartë prerazi, vetëm me një fjali të shkurtër, se kryepeshkopi nuk mund të bëjë asgjë pa miratimin e hierarkisë. Pikë! Mbaroi!  

Dhe tanimë të hidhemi këtej ku qelb kulti i zoikut, që të gjejmë gjysmën tjetër të Janullatosit, Cezarin e shqipove. Përderisa të gjitha statutet ortodokse kanë disa nene të ngjashme në çdo statut, cilat nene të Statutit të 2006-ës përkojnë me dy nenet e mësipërme greke, mbi kryepeshkopin dhe sinodin? Le të lexojmë, që të çmeritemi: Kryepiskopi është Kryetari i Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, përfaqësuesi i tyre përpara autoriteteve shtetërore dhe organizmave ndërkombëtarë dhe përpara çdo lloj autoriteti dhe pushteti (Kreu KRYEPISKOPI, Neni 20, 2006).  

Këtu janë shkrirë njësh dy nenet që cituam nga statuti grek, duke i rrumbullakosur të gjitha tek Zoti i fuqive, Janullatosi Cezar, duke ia vjedhur Sinodit të gjitha kompetencat, në mënyrë që vetëm i dërguari (i imponuari) të ketë të drejta ligjore të flasë apo të mos flasë, të veprojë a të mos veprojë, në emër të ortodoksëve, edhe sikur të gjithë ortodoksët e Shqipërisë të dalin kundër tij.    

Çfarë kundërshtie e mbrapshtë midis dy statuteve në fuqi greke e shqiptare! Jo vetëm që nuk është i barabartë me mitropolitët, por kryepeshkopi ortodoks i Shqipërisë është mbi gjithçka që lëviz, është në ankth të madh kontrollimi të gjithçkaje të krijuar së larti, duke ecur në tokë sa për të ruajtur regjimin e sendeve, se në fakt ai qëndron pezull, nuk cek gjëkundi, prandaj dhe shtrëngohet të dalë nga vetvetja dhe të përdorë formulime si ky: “dhe përpara çdo lloj autoriteti dhe pushteti”. “E në jetë të jetëve”, më duket se më bëjnë veshët mua këndej matanë… O Zot, ruana mënt’ e kokës… 

Duhet kuptuar në këto lexime përsiatëse ajo që u shënua disa herë, se Janullatosi jo vetëm nuk e përmirësoi statutin e kaluar, por ia shtrembëroi atij ortodoksinë, duke e mbushur statutin cit me nene antikolegjiale, të cilat gjithmonë janë dhe antivendore. Është këtu, në pikat antivendore (antishqiptare) të Statutit 2006 ku Fanari reziston dhe hesht kultizimin e Janullatosit.  

Mbasi u citua statuti grek dhe ai shqiptar, ku shquhet bjerrja e madhe e Janullatosit, le të kthehemi tek statuti i kaluar shqiptar, tek i njëjti nen mbi kryepeshkopin. Le të citojmë nga statuti i kaluar dy nenet përkatëse të nenit të përfolur më sipër:
Kryepiskopi i gjithë Shqipërisë është Kryetar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kryepiskopi është i pari në Jerarhët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Mitropolit i Dhioqezës së Tiranës-Durrësit (Nenet 24- 25, 1950). 

Në dy nene këtu jepen dy veti për kryepeshkopin, se ai është “Kryetar i Kishës…” dhe “i pari në Jerarkët…” Cilësimi i parë tingëllon centralizues, kontrollues, sepse duhet të ishte “kryetar i sinodit”, jo “i Kishës”, por cilësimi i dytë është një formulim më se ortodoks. Kjo shtendosje-tendosje në dy nenet e vitit 1950 dëshmon shtrëngesën e atëhershme të etërve të kishës sonë nën diktaturë, sepse, nëse nuk shpërnjohim nuancat tekstuale, neni 25 e interpreton në kërcënim nenin 24. Dhe megjithatë, këto dy cilësime të kishës së diktaturës nuk mjaftuan për Janullatosin e pasdiktaturës, i cili na thartoi turinjtë kur e pa hilen. Seçse ai ka neveri për gjithçka të trashëguar shqiptare në Kishë, prandaj dhe gjithçka duhet ndryshuar. “Unë jam alfa dhe omega juaj”, dikur sikur është shkruar e fshirë në këtë dokument të misionit grek…  

Nga gjithë ky parashtrim në këto dy shkrimet e fundit, mbi papizmin dhe despotizmin e Janullatosit, del se ky perversitet nuk u huajt as nga statutet e mëparshme shqiptare (1929 & 1950), e as nga statuti në fuqi i kishës greke (1977), atje ku përkiste ai më parë. Përkundrazi. Në statutin e ri shqiptar Janullatosi nostalgon dhe imiton, në një farë mase, përndezjen e rrëshqitjeve antikanonike përgjatë diktaturës së kolonelëve në Greqi, atëherë kur u shugurua peshkop me procedura jo kanunore nga idhulli i tij, kryepeshkopi i juntës Jeronimos. Por vetëm në një farë mase. Sepse pjesa më e madhe e kapërcimeve, shkeljeve dhe fluturimeve të Janullatosit në Statutin 2006 e ka qerthullin jo në Athinë, jo në Tiranë, as në Stamboll, por në mendjen e tij të ftohur, tek problemet e thella psikologjike, tek sëmundja e tij e pashërueshme për t’u imponuar si shenjtor në rajon.  

Kjo sëmundje për t’u kultizuar, e cila është dhe qerthulli i kësaj eseje, është ajo pikë që Janullatosi nuk e kontrollon dot, prandaj dhe bëhet (me vetëdije) i brishtë për t’u përdorur nga të gjithë ata që ndërthurin interesa në Shqipëri: nga qeveritë e Athinës, nga patrikana e Stambollit, nga perëndimorët që duan të ungjillëzojnë myslimanët, dhe nga myslimanët shqiptarë që e kanë për art e traditë t’i mjelin të gjithë të interesuarit. 


Shteti grek ka gjetur personin më të përshtatshëm për të kryer ato që përndryshe s’kanë se si të sendëzohen në historinë shqiptare; vetëm një aktor i tillë mund të flijohet i tëri në një lojë të tillë kaq improvizuese, kaq rrezikuese. Sepse ecja e Janullatosit si në ajër, midis tokës dhe qiellit, është thikë me dy presa: është një rrugëtim midis jetës dhe vdekjes në historinë e Ballkanit.  

Për më tutje, ndërsa Fanari ka në dorë disa kyçe të vjetra, të cilat pa mbështetjen e qeverive greke përnjimendsh bien në ndryshk, shteti i Athinës ka në dorë vrundujt e medias, nëpërmjet një këshilli të posaçëm kombëtar. Ishte pikërisht media greke ajo që nisi e çoi mbanë projektin politik të kultizimit të Janullatosit në rajon. Ishte media greke ajo që mori qind për qind anën e Janullatosit kur ky publikoi konfliktet e tij me Tiranën dhe Fanarin, në vitet 1992-1998. Të shkuara, të harruara…     

Kulti i Janullatosit rezistohet nga patrikana e Kostandinopojës në vuajtje, në lëngatë, në një pritje të dhimbshme aspiratash, aq sa Fanari bie e zhytet në lojë. Rojtari i ekumenit ortodoks, “Kisha e Madhe e Krishtit”, tanimë zvogëlohet, mpaket e tkurret fizikisht dhe bie në dilemë. Patrikana ka nevojë për t’i zbutur humbjet e mëdha qiellore me bekime të papritura tokësore, me ngushëllime të befta që sjellin shpërpjestime të sigurta në politikat kishtare. Prandaj dhe Kostandinopoja bën “ekonomi të skajshme”, që të përdorim shprehjen kurth të Fanarit në kësi rastesh, edhe pse qiellori i Shqipërisë është bërë Papa dhe Cezari i tokësoreve…   

Published in: on December 13, 2007 at 6:05 am Comments (0)