Kulti i Janullatosit në statutin e ri (5)

Papizmi i Janullatosit 

Për sa i përket pozitës së Kryepeshkopit në KOASH, të drejtave dhe detyrave të tij, Statuti i 2006-ës ka bërë kapërcime, fluturime dhe shkelje të frikshme kanonike e etike, duke e papizuar Janullatosin në Kishë, duke e kultizuar atë në historinë shqiptare, duke e vdekur sot së ngjallurish, për ta ngjallur nesër së vdekurish. Dhe kjo ndodh nën hijen e një sinodi autoqefal, dhe nën hundën e teologëve dhe studiuesve tanë.  

Kultizimi i Janullatosit pasohet nga heshtja vuajtëse e Fanarit, për arsyet që u vajtuan në kapitujt e kaluar. Në këtë kapitull, atëherë, do të shohim se një absolutizim i tillë i kryepeshkopit nuk ekziston në statutin e kaluar, edhe pse nën diktaturë kishte më tepër gjasa të ndodhte. Për më keq, një despotizim i tillë i primatit, si në Statutin e Kishës së Shqipërisë, nuk ekziston as në Statutin e Kishës së Greqisë.  

Do të përqasen këto tre statute shqiptare e greke (1950, 2006 dhe 1977) për vetë faktin se Janullatosi e konceptoi idenë për një statut të ri, pikërisht se statuti i kaluar i kishës shqiptare kishte nevojë për përmirësime e plotësime. Nga ana tjetër, statuti grek thirret në këtë përqasje për disa arsye:  

Së pari, ish-peshkopi titullar (pa peshkopatë) i Andrucës u arsimua dhe përkiste në Kishën e Greqisë, pavarësisht nga disa shkëputje çapkëne në patrikanën greke të Aleksandrisë, andej nga u dëbua bash për tendencat e tij papnore. Midis të tjerave atëherë, duke qenë rezident në Athinën e shijimeve të tij, mëtonte të bëhej “dhe i gjithë Afrikës”. Kur patriku i lumur Parthénios i bëri Janullatosit dalje kishtare nga patrikana e Aleksandrisë, atje ku shërbeu me hope për një periudhë, Ministria e Jashtme greke ia paraqiti patrikanës së Kostandinopojës si të vetmin kandidat për eksark në Shqipëri, aq sa në vitin 1991 dëgjoja të thuhej në rrethet kishtare të Athinës: “I ligu tek të ligjtë”. Pjesën tjetër të historisë e kemi thënë dhe do ta themi.   

Së dyti, Statuti i Kishës së Greqisë është një nga statutet e shkëlqyera të krishtërimit ortodoks, sepse atje shquhet e ruhet mirë tradita sinodike (kolegjiale) e kishës ortodokse. Sepse ai statut doli si një mësim i madh nga vuajtjet e kishës greke nën diktaturën e kolonelëve, atëherë kur në Greqi u bënë shkelje të mëdha kanonike nga kryepeshkopi i emëruar i diktaturës, Jerónimos Koconis, duke imponuar një statut diktatorial. Ishte ai kryepeshkop jo kanonik (i paligjshëm kishërisht) që e qeverisi kishën greke si papë, duke shpërfillur sinodin e hierarkisë e duke imponuar një sinod kukull, për të shfronëzuar në vijim ata peshkopë që s’deshte, për të futur “gjakun e ri” në kishë. Ishte ai kryepeshkop pseudo që përzgjodhi e shuguroi peshkop Janullatosin tonë si asistent të vetin, pa ditur se do ta thyente qafën herët dhe do ta linte gjirikun e tij zbrazët, pa peshkopatë gjer në pleqëri, që t’iu vinte pastaj peshqesh shqiptarëve. E të tjera.

Por le ta lëmë biografinë e Janullatosit për më vete, dhëntë Zoti, dhe le t’i zëmë statutet me radhë në këtë krye, për të ngritur të vërtetën që ka një vit në varr, qysh në nëntor 2006.

Dihet se në vitet 50 synimi i shtetit shqiptar ishte ta kontrollonte komunitetin ortodoks që t’i shërbente ideologjisë së diktaturës, duke imponuar një kryepeshkop bashkëpunues. Mirëpo statuti i atëhershëm në fuqi, ai i 1929-ës, edhe pse mohimtar në disa nene, në këtë pikë ishte tej e ndanë ortodoks, sepse të drejtat dhe detyrat e kryepeshkopit i përfshinte në kapitujt dhe nenet mbi Sinodin dhe Peshkopët. Dhe pikërisht kjo përmasë sinodike e statutit të atëhershëm nuk e ndihmonte ndërhyrjen e përhershme të qeverisë komuniste në komunitetin ortodoks.  

Kryepeshkopi i sapozgjedhur atëbotë, edhe pse i imponuar nga diktatura, nuk kishte të drejta të plota në statut, që të mundej të merrte në vijim vendime përmbysëse në kishë. Prandaj dhe statuti i vitit 1950, i cili e përmirësoi mjaft statutin e vjetër të cunguar, rrëshqiti jo vetëm në gjuhën partizane dhe formulat e imponuara për të mbështetur “pushtetin e popullit”, por i dha primatit lehtësime kontrolli në KOASH. Kjo u bë për të mpirë sinodikët kundërthënës, nga njëra anë, por dhe për të tkurrur personalitetet e komunitetit ortodoks, nga ana tjetër. Strategjia kontrolluese e diktaturës dëshmohet qartë në statutin e atëhershëm, sepse u ligjërua diçka skandaloze, kur u krijua një kapitull më vete për primatin: Kryepiskopi (Nenet 24-28, 1950). 

Dhe megjithatë, siç do të shohim këtu, ato shkelje janë më se të justifikuara, ose, për ta thënë ndershëm, ato gabime nën diktaturë nuk janë asgjë nëse e lexojmë statutin e sotëm duke pasur më tepër drojë hyjnore, sesa frikë nga kulti i Janullatosit. Sepse ishte pikërisht ky kapitull, Kryepiskopi, që kërkonte krasitjen më të madhe në statutin e ri, për të risjellë plotësinë e sistemit sinodik në kishën shqiptare. Në të kundërt, jo vetëm që nuk krasiti, por Janullatosi shartoi e mbolli pemët e tij të këqija në statutin tonë, duke e kapitalizuar në absolut, KRYEPISKOPI, në nenet 20-23.

Gjithë kapitulli vlen të analizohet nen për nen, por do të përqendrohem këtu vetëm në disa pika, dhe ja më politikja: [Kryepeshkopi] Ruan kungimin dhe komunikimin kishtar me Kishat e tjera Orthodhokse (Kreu KRYEPISKOPI, Neni 22.e, 2006).  

Si guxoi e mundi të kalojë një dogmë të tillë papnore Janullatosi? Përse këtë herë nuk druhet nga Fanari? Nuk druhet sepse i thotë patrikanës greke diçka tjetër pak më poshtë, në të njëjtin kapitull papizues, atë që cituam në kreun e kaluar, “nenin e kërthizës”: Kur bëhet fjalë për çështje apo paqartësi të një natyre të përgjithshme kishtare që i kapërcen kufijtë e juridiksionit përkatës të Kishave Autoqefale, Kryepiskopi i drejtohet sipas rregullit kanonik Fronit Ekumenik, nëpërmjet të cilit realizohet kungimi me çdo episkopatë orthodhokse… (Neni 22.j, 2006). 

Vetëm Janullatosi, atëherë, apo çdo i imponuar i shtetit grek nesër, e ka të drejtën e absolutes në KOASH. Në të njëjtën kohë, tek i njëjti kapitull i Statutit 2006, Fanari bëhet absoluti i gjithë krishtërimit ortodoks. Shumë e puthitur, nuk është? Le të pëlcasin rusët dhe ata që e njohin Kostandinopojën vetëm si fron të parë honoral, por jo ekumenik, jo universal.   

Jo sinodi, si më parë në Shqipëri, e kudo në kishat e tjera ortodokse, por vetëm Janullatosi, pra, paska të drejtë t’iu drejtohet kishave të tjera autoqefale, dhe madje me njëfarë rendi numëror që nuk ekzistonte në statetet e kaluara shqiptare. Kjo do të thotë se kisha shqiptare sot e tutje e bën jetën dhe historinë përmes Fanarit. Sepse patrikana do të vendosë shumë më lehtë me një person, sesa me një sinod dhe me një kishë të tërë autoqefale, prandaj dhe duket papizuar statuti i KOASH-it.

Po ku e gjen këtë të drejtë kryepeshkopi Anastasios? Asgjëkundi në ortodoksi, përveçse në problemet e tij të mëdha, të cilat çiltërohen nga shteti grek dhe Fanari për të ndërthurur interesa politike në Shqipëri. Sepse në statutin e kaluar kjo shtesë e 2006-ës, mbi kungimin dhe komunikimin me kishat e tjera ortodokse, nuk përkiste te Kryepiskopi, por atje ku duhet, te kreu mbi Sinodin, i cili ka për kompetencë Të kryejë misionin e shënjtë dhe të ruajë unitetin dogmatik, kanonik të traditës së shenjtë dhe të kultit me të gjitha patriarhitë e shënjta dhe me Kishat Orthodhokse Autoqefale (Kreu Sinodhi i Shenjtë, Neni 11.a, 1950).  

Siç shquhet, termi kungim nuk përdoret në atë nen, ndoshta dhe shmanget kujdesshëm nga etërit e viteve 1950, por kurrsesi nuk i jepet kryepeshkopit në atë statut privilegji despotik për të shkelur Sinodin, dhe për të vendosur në kokë të tij kungimin dhe komunikimin me primatët e tjerë ortodoksë (Për shkëputje brenda temës, unë mendoj se në këtë formulim të mësipërm kemi një perifrazim të termit kungim, i cili atëherë nuk përdorej në diskursin teologjik të ortodoksisë shqiptare, përveçse për eukaristinë).

A e dini se ç’do të thotë t’i hiqet kjo kompetencë Sinodit dhe t’i kalojë kryepeshkopit, si në nenin 22.e të Statutit 2006? Më shumë se papizëm, gjë që tek e fundit më shumë ka dëmtuar e turpëruar në histori monstrën që e ngjizi, ky nen ruan e trashëgon rrezikun e ndarjes mëdysh të kishës ortodokse në Shqipëri, në raste përçarjesh brendakishtare. Me këtë nen lehtësohet shumë roli (përçarës) i Fanarit dhe shtetit grek për të ndërhyrë e instrumentuar vetëm një individ në kishën shqiptare, për ta emëruar atë kryepeshkop, sepse me këtë statut sinodi nuk ka kompetencë të veprojë pa pajtimin e kryepeshkopit.

Si rrjedhojë, nëse KOASH-i përballet në të ardhmen me kësi krizash që nuk i kanë munguar asnjë kishe ortodokse, qysh nga fillimet e krishtërimit e gjer sot, sinodi i tij mund ta shkarkojë atë kryepeshkop që mund të kërkojë diçka antivendore, duke zgjedhur një tjetër, por një vendim i tillë mund të konsiderohet kundër Statutit 2006, prandaj dhe Fanari do të ndërhyjë, bash sipas këtij Statuti, dhe për rrjedhojë do të kemi në Shqipëri dy kisha ortodokse, si në Maqedoninë fqinje, njëra e njohur e tjetra pirate. Ose, sinodi shqiptar nuk do ta shkarkojë kryepeshkopin, por do të zgjedhë t’i nënshtrohet Fanarit dhe shtetit grek. Siç ndodh sot.  

Nëse ky shtjellim nuk mjafton, le të vazhdojmë leximin e Statutit 2006, për të shquar se çfarë pune është bërë në statutin e ri për të absolutizuar kryepeshkopin, e në të njëjtën kohë duke zvogëluar fuqinë e Sinodit, gjë që përkon gjithmonë me interesat greke në Shqipëri. Ja se si është manipuluar në statutin e ri neni më i rëndësishëm për sinodin e kishës shqiptare:  
 

Statuti 1950: Sinodhi i Shenjtë […] është autoriteti më i lartë për të gjitha çështjet kanonike, dogmatike dhe spirituale, si dhe për ato çështje kishtare që hyjnë në sferën e kompetencës së tij (Neni 10).  
Statuti 2006: Sinodi i Shenjtë është Autoriteti më i Lartë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sipas Tomosit Patriarkal dhe Sinodik të dhënies së Autoqefalisë prej Patriarkanës Ekumenike… (Neni 11.1).  

Siç duket kthjellët këtu, është zhdukur një gjymtyrë e tërë fjalie nga neni i 1950-ës, duke hequr kompetencat e çështjeve “dogmatike, kanonike dhe spirituale”, të cilat janë më të rëndësishmet kompetenca të një sinodi ortodoks. Ato ekzistonin, pra, por në statutin e ri hiqen, duke shtuar fjalë të tjera për “Patriarkanën Ekumenike”, për të mbuluar hilen, për të justifikuar shkeljen e madhe kanonike, për të blerë e shtirë heshtje tjetër ndaj Kultit të Janullatosit, prandaj dhe vihet shkronjë e madhe pothuaj në çdo fjalë, pa qenë fare e nevojshme, për të kanalizuar sikletin në formulimin e padenjë. Sepse gjithë kjo shërben edhe Fanarin, jo vetëm Janullatosin. Nga një këndvështrim tjetër, ky nen i shkujdesur duket sikur është me dy kuptime: ose është lapsus, ngaqë mund ta ketë bërë Plaka, sekretarja personale e kryepeshkopit, ose thjesht për të përqeshur të shumtët e për të pickuar të paktët.  

Së fundi, për të parë se sa shumë ka rrëshqitur Janullatosi në kanun e në moral, le të përqasim Statutin e Kishës së Greqisë, siç premtuam në krye të këtij parashtrimi. Në statutin grek nuk gjejmë asnjë kapitull që të flasë vetëm për primatin, apo t’i japë atij funksione papnore. Kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë trajtohet në Statut sipas traditës kanonike të ortodoksisë, prandaj dhe nenet mbi primatin renditen jo më vete, por në kreun “Mbi kompetencat dhe detyrat e Kryepriftërinjve”, në Kreun, 8, nenet 29-34 (Καταστατικός Χάρτης της Εκκλησίας της Ελλάδος, 1977, f. 67-74).

As që bëhet fjalë të gjejmë atje pisllëqe si këto të statutit të ri shqiptar. Sepse, nëse lexojmë nenin që na intereson më tepër në këtë kapitull, mbi kompetencën e kungimit me kishat e tjera ortodokse, domethënë mbi pasojat e rrezikshme politike që mund t’i lindin një shteti sovran nga manipulimi i këtij neni, statuti grek ruan pacënueshmërinë e ortodoksisë së tij, si dhe integritetin e pavarësisë greke njëherësh. Këtë të drejtë të rrezikshme në statutin grek nuk e zotëron kryepeshkopi, si në statutin shqiptar të 2006-ës, por Sinodi, i cili: Përkujdeset për ruajtjen e dogmave të besimit ortodoks […], si dhe për kungimin kishtar me Patrikanën Ekumenike dhe patrikanat e kishat e tjera autoqefale ortodokse dhe rregullon marrëdhëniet e Kishës së Greqisë me heterodoksët (Kreu 2, “Mbi Sinodin e Shenjtë të Hierarkisë”, Neni 4.a; Po aty, f. 34).  

E pra, ruajtja e kungimit dhe komunikimit kishtar me patrikanat e kishat e tjera autoqefale ortodokse, e cila ishte dhe filli kryesor i këtij kapitulli, i jepet Sinodit, siç urdhëron tradita kanonike, siç e ka statuti grek, dhe ashtu siç e kishin edhe statutet e mëparshme shqiptare. Jo kryepeshkopi. Jo dhe jo. Papa tjetër, Janullatosi, ka lajthitur. Fanari luan.      

Published in: on December 10, 2007 at 8:48 am

The URI to TrackBack this entry is: http://bizantin.wordpress.com/2007/12/10/kulti-i-janullatosit-ne-statutin-e-ri-5/trackback/

RSS feed for comments on this post.

Leave a Comment