Kulti i Janullatosit në statutin e ri (4)

Kërthiza e Stambollit 

Vërtet që Kisha e Shqipërisë u numërua në rendin ortodoks si “kisha e gjashtë greke”, por kjo nuk është e gjitha. Në fakt, kjo është vetëm zanafilla e një projekti të tillë kulturor. KOASH-i është imponuar gjithandej në botën ortodokse si kishë me sfond, kryepeshkop e shumicë greke, por dhe si pakicë në një vend mysliman, atje ku misioni grek po bën një punë çudibërëse për shpërpjestimin e realiteteve përndryshe të ngurta. Atje ku gjer dje ishte gërmadhë e nuk kishte mbetur asnjë peshkop gjallë, tani jo vetëm që ka sinod peshkopësh, por madje edhe me tre myslimanë të kthyer në krishtërim nëpërmjet mrekullive greke… Përveç numrit gjashtë, atëherë, në misteret e shqiptarisë grekësia gjen hapësirë për më tej, prandaj dhe statuti i 2006-ës i dha kishës shqiptare trajtat e një eparkie të fronit të Kostandinopojës.  

Në këtë rend moral autoqefalia shqiptare ekziston në praktikë vetëm për të shërbyer dy interesa: pavarësinë e Janullatosit ndaj Fanarit, duke qenë kësisoj më i përdorshëm prandaj dhe më i adhurueshëm nga Athina, dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të shtetit grek në punët e KOASH-it, duke i dhënë Fanarit rol dytësor; fërkimi i versioneve të grekësisë në Shqipëri. Përderisa patrikana kërkon dorëheqjen e Janullatosit, statuti i ri paraqitet si faza e mbrame e misionit grek në Shqipëri, por kjo është një fazë proces, një proces brenda kohe, një kohë që nuk mund të rroket lehtë nga ata që nuk ndodhen në Shqipëri, ata që nuk bashkekzistojnë fizikisht me myslimanët shqiptarë.    

Mbas këtij statuti, i hedhur si shpërblesë historie ndaj Fanarit, garantohet jo vetëm heshtja mbi dorëheqjen e kërkuar me të butë nga patrikana, por dhe papizmi i Janullatosit, vetëkultizimi i dënuar në vitin 1996 nga vetë patriku Vartholomeos. Me këtë statut kaq pështjellues në formësime, Janullatosi i kërkon Fanarit fare hapur një kohë shtesë. Stambolli, për shtrëngesë, i cili kulturorisht është kërthiza e shumicës shqiptare, tashmë i fton edhe ortodoksët të kthehen me të shumtët: me kanun e me statut. 

Flirtimi me Fanarin, për të shmangur dorëheqjen dhe për të shpërqendruar dënimin e kultit të tij, e ka shtrënguar Janullatosin të na trashëgojë disa fjali herë qesharake, e herë antikanonike, në këtë dokument kaq të shkujdesur tekstualisht (Është gjynah që statuti i ri nuk na la asgjë nga hollësia e famshme fanarjote në formulime, por ricikloi trashësinë vendore në të shkruar, hiret e myslimanëve që janë zgjedhur, mbizgjedhur, nënzgjedhur, stërzgjedhur, ndërzgjedhur e përzgjedhur nga Janullatosi për ta krishtëruar Shqipërinë…) Ja qesharakja në statut: [Sinodi] Kujdeset për marrjen e Miros së Shenjtë prej Kishës së Madhe të Krishtit (Neni 12.e, 2006).  

Përderisa një kusht i tillë ekziston në Tomosin e 1937-ës, është standard i dyfishtë për praktikën juridike kishtare që kjo të përsëdytet edhe në statut. Por ama duhej bërë, edhe pse qesharake, se Foti Cici ka uruar në shkrimet e tij që peshkopët shqiptarë ta ndryshojnë këtë një ditë, ta bëjnë vetë miron, ashtu si edhe kisha të tjera autoqefale, sigurisht në marrëveshje me Fanarin. Po si mund të merren peshkopët e një kishe autoqefale me opinione personale teologësh, të frikësuar madje pa shkak, e, në vend që të japin një përgjigje në shtypin kishtar, fusin nene të reja në statut? Për t’u mbrojtur? Nga çfarë? Hej, ishte vetëm një paragraf shkrimi dhe asgjë më tepër! Çfarë kërkon t’i thotë Fanarit statuti me këtë nen të ri? Janullatosi përpiqet të krijojë rreziqe, që t’i zbusë ato pastaj me privilegje ndaj kishës greke.  

E zëmë se unë nuk kisha të drejtë. Po mirë, nëse unë prapë nuk kam të drejtë, përse Kisha e Greqisë nuk e ka këtë në statutin e saj, për shembull? Nuk e ka, sepse thjesht do të ishte qesharake. Sepse në Greqi kryepeshkopët nuk kanë fuqi të përqeshin edhe qiellin edhe tokën në të njëjtën kohë.   

Dhe nga qesharakja, tanimë le të shquajmë antikanoniken në statut. Për ta bërë të përjetshme praninë e Fanarit në Shqipëri, ose anasjelltas, përherësimin e numrit gjashtë në rendin e kishave greke, ja ç’kërkohet: Për hirotonisjen e Kryepriftërinjve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë  kërkohet të jenë të pranishëm të paktën tre Kryepriftërinj. Në rast se numri i Episkopëve është më i vogël se tre, atëherë mund të kërkohet ndihma e Patriarkanës Ekumenike, e cila ka dhënë dhe autoqefalinë (Neni 17.5, 2006).  

“E cila ka dhënë dhe autoqefalinë…” Pak si prozaike, nuk është? Formulimi jo kanunor dëshmon siklet në parashtrim, tregon ngërç se po thuhet diçka që shkon vetëm në çaste gojore e jo shkrimore. Është diçka që përkëdhel jo vetëm Fanarin, duke e bërë ditëgjatë në historinë e Shqipërisë, por çiltëron edhe jetëshkrimin e turbullt të eksarkut Anastasios, manipulimet e tij për t’u fronëzuar e imponuar si kryepeshkop me metoda jo kishtare në Shqipëri. Kanonet e hirshme e ndalojnë një nen të tillë, sepse ato iu sugjerojnë kishave vendore që të kërkojë ndihmën e peshkopëve fqinjë; fqinjë të një territori fizik. Dhe megjithatë, Statuti i 2006-s e shkel traditën kanunore të ortodoksisë, duke shkelur e kapërcyer si kufoma tri kisha fqinje, për të shkuar atje ku përndryshe shkohet vetëm me aeroplan: në Stamboll!    

Përse Kisha e Greqisë dhe Kisha e Qipros nuk e kërkojnë diçka të tillë me statut? Sepse për Kishën e Qipros, e cila është më larg, do të ishte antikanonike. Por edhe Kisha e Greqisë, e cila fqinjëson me fronin e Kostandinopojës, nuk e përfshiu në statut. Në praktikë, nëse i shtrëngon halli, këto dy kisha edhe mund ta bëjnë kërkesën ndaj Fanarit, por nuk e bëjnë me statut, se askush nuk mund të parashikojë ku mund të përfundojë një ditë një fron pa grigjë, një institucion turk, pa pavarësi, pa shkollë teologjike, pa të ardhme, dhe i instrumentuar politikisht sa andej këtej, dje dhe sot. Dhe megjithatë, Kisha e Shqipërisë parakalon më greke se greket. 

Loja e Janullatosit duke flirtuar me Fanarin, e përsëris, për të shmangur dorëheqjen e kërkuar dhe për të heshtur e toleruar kultin e përfolur, vazhdon, madje pa hollësi kishtare, me lajka fare greke: Kur bëhet fjalë për çështje apo paqartësi të një natyre të përgjithshme kishtare që i kapërcen kufijtë e juridiksionit përkatës të Kishave Autoqefale, Kryepiskopi i drejtohet sipas rregullit kanonik Fronit Ekumenik, nëpërmjet të cilit realizohet kungimi me çdo episkopatë orthodhokse që përcakton drejt fjalën e së vërtetës dhe kështu u kërkon Kishave motra mendimin dhe pikëpamjet e tyre të vlefshme (Neni 22.j, 2006).  

Përkthimi çalon edhe këtu, madje më keq se në nenet e tjera, aq sa vështirë të riprodhohet fjalia origjinale. Por thelbi është i qartë. Në këtë statut kryepeshkopi shqiptar e sheh botën ortodokse përmes frëngjisë së Fanarit. Kjo do të thotë se, pavarësisht ç’mund të bëjë patrikana ruse me të tjerët, shqiptarët janë të lidhur në Stamboll, se lidhja është biologjike, si dikur me greqishten; një lidhje kërthize. Dhe, mbasi pyet Fanarin me kë të flasë e me kë të mos flasë, kryepeshkopi ynë “u kërkon Kishave motra mendimin dhe pikëpamjet e tyre të vlefshme.” Çfarë proze na dhuruan myslimanët këtë herë!  

Nenet për ta kthyer kishën shqiptare në praktikë nga autoqefale në autonome, si eparki e Fanarit, janë kaq të papranueshme, saqë nuk mund të fshiheshin as me një gjuhë të lëmuar e të krehur, ndryshe nga kjo gjuhë esperanto e statutit. Sepse, përderisa “rregulli kanonik” e ka bërë të qartë sipas nenit të mësipërm, përse duhet përsëdytur në statut? Përse nuk e bëjnë këtë statutet e kishave autoqefale të Greqisë dhe Qipros, fjala bie?

Por ja që ky statuti ynë ka disa funksione, dhe njëri prej tyre është fytyrimi i Janullatosit si shenjtor, kulti i tij politik në rajon, prandaj nenet janë edhe ngjarje jetëshkrimi. Kësisoj, nëpërmjet Statutit të Kishës duhet lëmuar historia greke në Shqipëri, gjithçka ortodokse që mund të zbehë emblemën xixëlluese të kombit imagjinar. Duke krasitur të kaluarën e hierarkëve shqiptarë, me nenin e sipërcituar jepet një përgjigje edhe për lidhjet e kishës shqiptare me patrikanën e Rusisë, sidomos në vitet 1950, atëherë kur u shpërfill Fanari. Janullatosi prapë rrëshqet, që të na dalë fanarjot. E paçim!   

Me këtë përqasje e këtë frymë kryepeshkopi Anastasios shkoi në Stamboll pak ditë para vendimeve të nëntorit 2006, ku, sipas lajmeve zyrtare greqisht të sitit të Fanarit, patriku Vartholomeos e priti së bashku me tre arqimandritët që mbas atij udhëtimi u shuguruan peshkopë në Shqipëri; njëri grek e dy myslimanë. Kjo, sipas protokollit të patrikanës, nga njëra anë tregon se Janullatosi në thelb e qeveris KOASH-in si provincë të Kostandinopojës, duke prezantuar kandidatët për peshkopë para Patrikut, dhe nga ana tjetër tregon se sa nevojë ka Fanari për diçka të tillë sot, që ta shtrëngojë Janullatosin të dokumentojë me akte se pa Fanarin nuk bëhet asgjë në Kishën e Shqipërisë.

Përndryshe, nëse lajkat nuk vijohen me akte blatimi, Anastasios ka dy probleme pezull me patrikun Vartholomeos: kultizimi i dënuar prej këtij si “kopje e kishave jo ortodokse”, dhe dorëheqja e kërkuar me të butë këtu e tre vjet.  

Nëse vizita e Janullatosit me tre arqimandritët në Fanar nuk ishte protokollare, por thjesht si kortezi ceremoniale, pa përmasa politike, përse të mos bëhej mbas shugurimeve dhe pa Janullatosin? Kjo do të ishte normale kishërisht, sepse do të bëhej fjalë për njohje personale me peshkopët sivëllezër nga Shqipëria, me të cilët do të bashkëpunojnë për çështje ndërkishtare. Në të kundërt, ata u çuan atje nga Janullatosi për të përmbaruar procesin e përzgjedhjes së tre kryepriftërinjve që do të plotësonin sinodin e Shqipërisë. Ndoshta atë ditë Janullatosi i ka paraqitur Patrikut për miratim edhe origjinalin greqisht të statutit të ri, para se të kthehej në Tiranë e t’ia nxinte historinë kishës ortodokse shqiptare, me ato vendime të errëta që u morën në nëntorin e kaluar. 

Mirëpo, tejet fërkimeve të Janullatosit me Fanarin, atje ku tolerohen ngjarje të tilla absurde sot, le të kujtojmë se as Kisha e Greqisë ka guxuar të bërë akte të tilla. Madje, prapë ju kujtoj, u bë gjithë ajo luftë midis dy kishave para pak vjetësh, e cila i turpëroi grekët në median perëndimore, pikërisht që kandidatët për peshkopë të 31 mitropolive të cilat Patrikana i konsideron të sajat në Greqi, të  mos shkonin për miratim në Fanar. Dhe megjithatë, kisha shqiptare ia kaloi edhe kishës greke…   

Për të përmbyllur këtë parashtrim, se si kisha jonë autoqefale funksionon në praktikë si eparki, si provincë kishtare e Fanarit, po sjell një tjetër dëshmi. Kur në vitin 2006 kryepeshkopi i Kretës dha dorëheqjen për arsye moshe, sinodi i kishës autonome të ishullit, i cili është nën juridiksionin e Fanarit dhe jo të Athinës, vendosi që kryepeshkopi i dorëhequr të vazhdonte si anëtar i sinodit, me një rol këshillimor. Patrikana e mirëpriti dhe e publikoi lajmin duke përgëzuar sinodin e eparkisë së Kretës për këtë vendim, “i cili përbën shembull imitimi edhe për kisha të tjera”. Për cilën kishë tjetër ishte fjala?  

Kisha e Kretës nuk është autoqefale, por praktikisht edhe Kisha e Shqipërisë njësoj funksionon, një kishë me sinod vendor, por me kokë të zgjedhur nga Fanari. Për kë ishte fjala, nëse jo për Janullatosin? Sepse e vetmja kishë greke me kryepeshkop të pamundur në vitin 2006 ishte Kisha e Qipros, por ai primat ishte klinikisht i vdekur dhe nuk kishte si të qëndronte në sinod, e pa le më të nyjëtonte e të këshillonte, prandaj dhe u mblodh sinod i patrikanave dhe kishave greke për ta shfronëzuar “honoralisht”, sepse peshkopët e Qipros haheshin se kush do të bëhej kryepeshkop, dhe qëllimisht e shtynë për disa vjet zgjedhjen e primatit të ri.  

Statuti i ri ka bërë shumë për Fanarin e interesat shtetërore greke. Ai shquhet për pajtim të versioneve të grekësisë, duke e zvogëluar fërkimin e tyre në Shqipëri. Statuti ka zvogëluar edhe më shumë plotësimin e tipareve kombëtare të kishës ortodokse shqiptare. Ky tekst ka dhënë e ka marrë, ka tjetërsuar të vërtetat, nuk ka mbuluar gënjeshtrat, por as thelbin e problemit.  

Janullatosi ka mundur edhe një herë ta imponojë kultin e tij, por jo tjetrën. Ai duhet të japë dorëheqjen, të cilën ka mundur të shmangë vetëm përkohësisht. Në këmbë të tij duhet të zgjidhet një burrë i denjë grekësie, nga njëra anë për të trashëguar numrin e dëshiruar gjashtë, dhe nga ana tjetër për të mos rrezikuar investimet marramendëse greke që janë bërë pa kthim. Duhet gjetur një zëvendës i përshtatshëm për të njëjtën lojë, në mënyrë që shteti grek dhe patrikana, në rast se mbas vdekjes së Janullatosit mbretëron përsëri rastësia e rrëmuja, të mos gjenden befas para lakmisë së myslimanëve në rajon. Stambolli është në ankth. Fanari vuan.   

Published in: on December 1, 2007 at 6:16 am Comments (0)