Kulti i Janullatosit në statutin e ri (7)

Sinaksari i Janullatosit    

Është një nen i Statutit 2006, gjithmonë te kreu KRYEPISKOPI, për të cilin mund të shkruhet një novelë, e jo më një kapitull përmbledhës në këtë lexim të çlirët: (Kryepeshkopi) Ndërmerr iniciativa në shkallë të gjerë kur vendi ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të fatkeqësive natyrore a shkaqe të tjera, duke bashkëpunuar me autoritetet shtetërore, me kryesitë e bashkësive të tjera fetare dhe organizmat ndërkombëtarë për lehtësimin e të prekurve dhe zhdukjen e pasojave (Neni 22.k, 2006).  

Ndërsa të gjitha nenet e përfolura gjer tani u komentuan në përqasje me statutet e tjera shqiptare e greke, çfarë mund të themi këtu? Kur kryepeshkopi u bë papë e cezar në statut, bëmë mohime e pohime, por çfarë mund të themi për këtë nen përmbysës, veçse? Sepse këtu kemi janullatizimin e historisë kishtare në Shqipëri. Këtu na del përpara njeriu, jo kishtari. Këtu kulti grek zbret nga ikona bizantine, merr pamje postmoderne, fare të atillë, dhe parashtron drejtpërdrejt arsyet praktike se përse s’është i përkohshëm; flet siç e duan shqiptarët, troç dhe ndershëm. Neni 22.k është nyja e dialektikës së misionit me petkun e fesë, është më e madhja pikë dhe pykë, në daçi, në marrëdhëniet shqiptaro-greke.  

Në vend të hutimit të kërkuar, a të ndjesisë vendore “lere, ç’e nget atë punë”, brenda këtij ekspozimi me dashje të misionit jo fetar, le të ngremë pyetjet e pashmangshme: 
A ekzistonte një nen i tillë në Statutin e Kishës së Shqipërisë?
Jo! Sepse hierarkët shqiptarë nuk e shitën besën as te grekët e as te komunistët, pavarësisht nga komoditeti i sotëm në gjykime.
A ekzistonte një nen i tillë në Statutin e Kishës së Greqisë?
Jo! As ekzistonte, e as ekziston. Madje në statutin grek nuk ka fare kapitull për kryepeshkopin, e jo më të pranohen shkelje të tilla.   
A ekziston një nen i tillë në ndonjë patrikanë e kishë tjetër autoqefale ortodokse, qoftë dhe i përngjashëm?
Asgjëkundi. Kurrëkundi! As që mund të hidhet në mendje gjetkë.
A ekziston ndonjë nen në të drejtën kanunore të kishës ortodokse, ku të mbështetet qoftë dhe tërthorazi, neni 22.k i statutit të ri?
Jo, jo dhe jo, përveçse në natyrën e një misioni jo fetar, i cili ndërthur interesa që shërbejnë shumë, përveç ortodoksisë.  

Te ky janullatizim i statutit, le të shquajmë disa nuanca të tij, disa togfjalësha shumë të dëgjuar këto vite, duke i përkthyer në gjuhën e këtij leximi:  

Iniciativa [siç] në shkallë të gjerë. Kemi një kishë të vogël, pakicë në një vend me shumicë myslimane e ateiste, e cila del nga vetvetja dhe merr inisiativa në shkallë të gjerë, jashtë thonjëzave. Si nuk e cilëson Statuti se sa gjerë, e gjer ku shkojnë këto inisiativa? Ku do t’i gjejnë fondet kryepeshkopët e ardhshëm të Shqipërisë për të marrë nisma të tilla, kaq të gjera e të gjata? Sepse nuk bëhet fjalë për Sinodin a për KOASH-in si institucion, gjë që sidoqoftë do të ishte absurde të kërkohej në kishën ortodokse, por për një individ! Nëse primatët e ardhmërisë nuk kanë fuqi të marrin nisma të atilla, a vendosen ata kundër Statutit, edhe pse pro Ortodoksisë?  

Gjendje e jashtëzakonshme. Ku do t’i gjejnë rojet dhe makinat e blinduara kryepeshkopët e një kishe modeste, minoritare, për të kryer aktivitete të tilla mbarëkombëtare kur Shqipëria është në gjendje të jashtëzakonshme, siç e ndjell Janullatosi? Apo na kujton 1997-ën, kur Janullatosi bënte dramatikun dhe heroikun në Tiranë, se “këtu me ju do të qëndroj gjer në fund”, por ama fliste greqisht, i lidhur drejtpërdrejt me kanalet televizive greke, e i qerthulluar me roje të armatosura? Përkundrazi, kryepeshkopi tjetër duhet t’i shesë a zhbëjë makinat e blinduara, të cilat janë një nga skandalet e misionit grek në Shqipëri.   

Fatkeqësi natyrore. Cilat janë këto fatkeqësi dhe cilat kanone të krishtërimit mëtojnë që kisha të merret me to në mënyrë politike, fizike a kimike? Ku do ta gjejë kisha shqiptare një kryepeshkop të tillë që, kur Shqipëria një mëngjes të gjendet para një tërmeti, qoftë larg, primati të godasë me shkop e të nxjerrë fondet e kërkuara për të sjellë vendin në rendin e mëparshëm natyror? Përderisa Janullatosi rrëshqet jo vetëm në ligjë e në kanun, por dhe në llogjikë, le të rrëshqas edhe unë pakëz: A ka fatkeqësi më të madhe natyrore sesa kalesa e Janullatosit në historinë shqiptare? 

Organizma ndërkombëtarë. A mos vallë ata janë politikë, moralë a fetarë? Mos është fjala për kishat e tjera të krishtera? Në Statutin e Kishës së Greqisë, fjala bie, nuk i lejohet kryepeshkopit diçka e tillë, se, përveç të tjerave, ai mund të jetë një a dy muaj në spital, prandaj dhe është Sinodi ai që qeveris Kishën e vendos mbi gjithçka, duke mos harruar as dhënie-marrjet e detyrueshme me heterodoksët (Ky nen i statutit grek - Neni 4.a, Kreu 2, “Mbi Sinodin e Shenjtë të Hierarkisë” - u citua në fund të kreut të katërt). Sidoqoftë, ku do t’i gjejnë kryepeshkopët shqiptarë mundësitë, rrethanat dhe mjetet për të ndërmarrë projekte të tilla ndërkombëtare?

Zhdukja e pasojave. A ka burrë në këtë botë të zhdukë pasojat e fatkeqësive natyrore? Ku mund ta gjejmë ne një kryepeshkop të tillë, mbinatyror? Le të mos shkojmë larg, por të sjellim ndërmend pyjet e djegura në Greqi këtë vit. Pasojat tragjike nuk janë zhdukur: Vdiqën njerëz, u zhveshën kodra e male, u zhbënë pasuri, e të tjera mjerime. Pasojat do të mbeten për shumë vjet, ndoshta për disa breza. Si mundet pastaj i sëmuri i lavdisë, jo vetëm të besojë gjëra të tilla, por t’i ligjërojë dhe në Statut? I kërkohet, pra, historisë që të nxjerrë për çdo brez një të marrë, një monstër që beson se ka kyçin për të zhdukur pasojat e fatkeqësive natyrore.  

Le t’i jemi mirënjohës Janullatosit këtë herë, sepse sëmundja e kultit, e çiltëruar nga thelbi i misionit shtetëror grek, na ka lënë një nga çastet më lakuriq të improvizimit të tij në fe e politikë: Papa i kishës imagjinare, etnarku i kombit pa emër, e var kërrabën baritore dhe rrëmben skeptrin, atë që, sipas albanologjisë folklorike të hirësi Kurillës që e thërret, i dha emrin shqiptarit (nga σκήπτρον). I brishti përndizet e ashpërsohet, egërsohet hirshëm e kthehet në një qenie midis njerëzoreve dhe hyjnoreve, si një përbindësh i shenjtëruar, sepse vetëm kështu mund t’u bëjë ballë fenomeneve mbinatyrore. Princi i paqes shndërrohet në hegjemon të ekumenit imagjinar, atë që s’e bën dot as Patriku Ekumenik. I rrofshin kyçet dhe titujt Fanarit… 

Marrëzia dhe rrjedhja e bujtësit, atje ku barten e përçohen edhe interesat e dërguesve, ky realitet klinik, pra, bëhet njësh me bujtinën shqiptare, me kultin e zemrës së historisë vendore (feja e shqiptarit është shqiptaria), duke na sjellë para një imazhi biblik, ku sundon trajta e një bajlozi të lodhur nga shpërfytyrimi i hireve: Shqipëria e vogël bëhet djepi i botës, ku një version tjetër i Babës është shfaqur e pajtuar suksesshëm me dëshirat shqiptare. Çfarë lumnie…   

Njëri nga synimet e Statutit të 2006-ës, brenda ndërthurjes dhe fërkimit të shumë interesave midis Tiranës, Athinës dhe Stambollit, është të skeletojë narrativën e sinaksarit të Janullatosit, siç u cek në kreun e katërt. Është jetëshkrimi letrarizues që fytyrohet në statutin e ri si biografi e paradhënë kishtare. Është përsëritja nëpër dhjetëvjeçarë e profilit shkruar nga autori në vetë të tretë, derisa më në fund u imponua në krishtërimin grek për të ungjillëzuar (helenizuar) Shqipërinë, që të përhapej si virus në të gjitha kishat ortodokse dhe jo vetëm.

Si i tillë, atëherë, tejkalues në gjithçka njerëzore, Janullatosi mëton statusin e së veçantës, e speciales në historinë kishtare. Kështu përhidhet edhe statuti i ri shqiptar, sidomos ky nen që kërkon diçka që s’bëhet asgjëkundi në ortodoksi.  

Naivët mund të mendojnë se një plak nuk mendon kaq thellë. Sepse pleqtë mendojnë vdekjen dhe i bëjnë hesapet me hanxhinë. Kush e tha? Pastaj këtu kemi të veçantën e të veçantave. Për më tej, ka patrikë e kryepeshkopë që kanë jetuar e jetojnë gjer në 90 vjeç, e madje më tutje. E si të mos ta lejojë Zoti diçka të tillë për më të zgjedhurin e Tij? Sot ai nuk ka mbushur ende të 80-at. Dhjetë vjet të tjera nuk janë pak, sepse gjithë ngrehina e sotme kultiste do të ishte shembur e harruar para dhjetë vjetësh. Ishte pikërisht dhjetëvjeçari i fundit ai që e bëri njerëzorin hyjnor, kjo dekadë që, në të njëjtën kohë, i sfidoi shqiptarët në kohë duke ua nxirë edhe hapësirën.

Ndërsa para dhjetë vjetësh Janullatosi ishte i pikëpyetur në Ballkan, sot Anastasios është hijemadh në Lindje e në Perëndim, aq sa i falen jashtë e brenda. E himnojnë dhe i bien në gjunjë, por jo për të adhuruar njeriun e shenjtë, sesa për të përlëvduar mrekullitë e Perëndisë tek ai, shërbëtori i përulur i qielloreve në Shqipëri. Ai buzëqesh ëmbël, skuqet pak i përkëdhelur, duke u bërë edhe më i adhurueshëm, sepse ndodhesh para një plaku me çaste fëminore. I shenjtë, nuk është?   

Dhjetë vjet, për më thellë, sillen kështu në shqisat e njeriut Janullatos, por, nga ana tjetër, koha është dhënë për njerëzit, jo për hyjnorët. Statuti, atëherë, janullatizohet që të shenjtërohet, aq sa brez pas brezi kryepeshkopët e vegjël të fuqizohen me hijen dhe emrin e tij, për të marrë hir nga hiret e tij. Anastasios është tejet kohe, sepse solli qiellin në tokë. Në një kulturë kaq materialiste, ai pajtoi paq frymën me lëndën, siç e deshnin vendorët e shtrenjtë, pa dallim feje, gjithë populli i Perëndisë, tek i cili po kryqëzohet ditë për ditë, edhe tani që ndodhet për dy muaj në Athinë.

Ai mundi, me gjithë këto, të shënjojë totuazhe të pashlyeshme në lëkurën e ashpër shqiptare. Të gjitha i bëri për t’i ndriçuar ata, që të mos mbeten mbrapa shokëve. Statuti shqiptar, atëherë, pushtohet nga vegimet e Janullatosit si i veçantë në histori, specialja që mëton të përhershmen, pikërisht për t’i dhënë një përgjigje dërrmuese të përkohshmes, kaq e premtuar kjo në një draft tjetër të jetëshkrimit të tij.     

Për Fanarin që e lexoi statutin në greqishten e origjinalit, zhdukësi i pasojave të fatkeqësive natyrore është edhe zhdukësi i pasojave të ndërgjegjësimit shqiptar njëherësh. Janullatosi ka veti të mëdha zhdukjeje pasojash. Sepse, brenda sëmundjes së kultit që tolerohet për arsye politike, duhen zhdukur pasojat e kombëtarizimit të kishës vendore, pasojat e veçorizimit të shqiptarëve ortodoksë në historinë kishtare greke…

Nëse lexuesi do të më akuzojë për ironi, tallje, e për të tjera, për çfarë nuk duhet akuzuar Statuti 2006, atëherë? 

Po kujtoj se Janullatosi fillimisht e personalisht, në vitet 1992-1996, nuk më ka kërkuar shumë gjëra, përveçse të hesht. E ka kërkuar këtë edhe më vonë, me të gjithë sa besonte se i dëgjoja, sidomos grekë, por jo vetëm. Madje, kur ika pa kthim nga Athina, në pranverë të vitit 2000, një aktivist shqiptar mysliman më kërkoi të njëjtën gjë: “Tani që do shkosh në Amerikë, mos fol më për Anastasin”. 

Përse? Përse të mos flas? Për më tutje, ç’i duhet një aktivisti që s’është ortodoks, që as merret me studimet ortodokse, ç’punë ka ai, pra, se ç’do them unë për aksh kishtar tonin? Madje atëherë unë flisja vetëm kokë më kokë, jo publikisht, dhe as shkruaja. Nga ana tjetër, ç’punë kanë konsujt e Greqisë në Kanada të më përgojojnë se ç’kam thënë e ç’shkruaj unë për kryepeshkopin e Shqipërisë? A do të merreshin me mua të gjithë këta nëse kryepeshkopi nuk ishte grek? Unë mendoj se jo. Me ç’të drejtë më kërkojnë të hesht, atëherë, grekë e shqiptarë?

Kulti bezdiset kur dikush e kritikon, sepse zbardhja e së vërtetës, shkultizimi, rrezikon lojën politike. Është pikërisht këtu ku rreh diskursi im: për të bezdisur kultin. Me çdo çmim! Si të kem frikë unë nga Janullatosi për një qëndresë të tillë, të ndershme, në historinë e ortodoksisë shqiptare, kur ai vetë nuk ka frikë ta vendosë veten e tij të rënë mbi të gjitha statutet e kishës shqiptare e mbi vetë të drejtën kanonike të ortodoksisë? 

Kur i sëmuri i lavdisë është me një këmbë në varr dhe merret ende me mua, duke paguar disa shqiptarë myslimanë në Toronto që të mësojë se ku shkoj dhe me kë takohem, çfarë përkorjeje gjuhësore më kërkohet nga dashamirët? Kështu gdhendet sinaksari i Janullatosit…    

Published in: on December 18, 2007 at 7:18 am Comments (0)

Kulti i Janullatosit në statutin e ri (6)

Papa dhe Cezari juaj 

Duke ia hequr sinodit kompetencat dhënë nga e drejta kanunore e kishës lindore, me shpikjen e nenit papnor 22.e, të cilin përfolëm pa pendesë në kreun e kaluar, se vetëm kryepeshkopi ruan kungimin dhe komunikimin kishtar me Kishat e tjera Orthodhokse, e duke e sendërgjuar më tej me “nenin e kërthizës” 22.j, Janullatosi ia ka mbyllur çdo shteg kishës vendore për të dhënë e marrë me kishat e tjera ortodokse, e sidomos me fronin e parë ndër to, atë të Kostandinopojës.  

Para se të bëhet Papë i KOASH-it me nenin mbi kungimin, i sëmuri i lavdisë bëhet Cezar i Shqipërisë, siç do të shohim më poshtë këtu, tek nenet mbi raportet e primatit me kishën shqiptare. Por para se të shkojmë atje, është e nevojshme të kthehemi tek Statuti i Kishës së Greqisë, për të shquar kontrastin e madh, për të dalluar se sa shumë kolegjial është statuti grek, jo vetëm në krahasim me statutin e Janullatosit sot, por dhe me statutin e kaluar shqiptar, i cili, në të kundërt të traditës vendore autoqefale, krijoi një kapitull të ri për kryepeshkopin, për të shërbyer më lehtë komunizmin dhe jo ortodoksinë.  

Këtë shartesë të diktaturës, jo vetëm që Janullatosi nuk e hoqi nga statuti, jo vetëm që nuk e la siç ishte, por, ajmé për jetëshkrimin e tij të errët, e papizoi dhe cezarizoi kultin e primatit (veten e tij të rënë), duke hapur një të çarë të madhe midis kishës shqiptare dhe të drejtës kanonike të kishës lindore. Në fakt, ua la turpin në derë shqiptarëve ortodoksë…  

Në statutin e Greqisë, në të kundërt me tonin, nuk ekziston asnjë kapitull për kryepeshkopin, sepse: Kryepeshkopi i Athinës ka cilësinë e baritimit të kryepeshkopatës së Athinës ashtu si të gjithë mitropolitët aktivë, të cilët janë autoriteti kishtar i mitropolisë që iu është besuar. Ata ushtrojnë, brenda zonës së mitropolisë së tyre, urdhëresat kishtare dhe ligjet e përgjithshme të pushtetit të parashikuar të shtetit, sipas kanoneve të hirshme (Kreu 8, “Mbi kompetencat dhe detyrat e Kryepriftërinjve”, Neni 29.1, Καταστατικός Χάρτης της Εκκλησίας της Ελλάδος, 1977, f. 67-68). 

Edhe pse mund të tingëllojë e çuditshme për shqiptarët ortodoksë, ky nen është i vetmi në gjithë statutin grek ku flitet më tepër për të drejtat dhe detyrat e kryepeshkopit, dhe megjithatë (vini re!), nga njëjësi kalohet menjëherë në shumës, brenda një fjalie, mu në nisje të nenit, duke mos fshehur ankthin e shëndoshë të kishës ndaj rrezikut të njëshit, për të parandaluar kultizimin e tij. Sepse është njerëzore të ndodhë, prandaj dhe duhen marrë masat me ligjë e me kanun për të kontrolluar pasionet e pushtetarëve. Që të citojmë nga urtësia greke, “pasurinë shumë e urryen, por lavdinë askush!”  

Lexojeni prapë nenin e cituar më sipër, për të shquar se si barazohet, njësohet, sheshohet e rrafshohet kryepeshkopi me mitropolitët, për t’i dhënë përparësi sinodit të peshkopëve; siç është tradita e kishës lindore! Është pikërisht kjo traditë që ekzistonte edhe në Shqipëri dje, por që u zhbë sot nga misioni shtetëror grek. Sepse, para se të flasë për kryepriftërinjtë në kreun e tetë, statuti grek ka përcaktuar më parë, në kreun e dytë, se Sinodi i Shenjtë i Hierarkisë vendos për çdo çështje që i përket Kishës (Kreu 2, “Mbi Sinodin e Shenjtë të Hierarkisë”, Neni 4, Po aty, f. 34).  

Është fjala për sinodin e të gjithë mitropolitëve aktivë të Greqisë, gjithë hierarkia, me votime të fshehta, duke dëlirur kësisoj fuqinë e kryepeshkopit. Bëhet e qartë prerazi, vetëm me një fjali të shkurtër, se kryepeshkopi nuk mund të bëjë asgjë pa miratimin e hierarkisë. Pikë! Mbaroi!  

Dhe tanimë të hidhemi këtej ku qelb kulti i zoikut, që të gjejmë gjysmën tjetër të Janullatosit, Cezarin e shqipove. Përderisa të gjitha statutet ortodokse kanë disa nene të ngjashme në çdo statut, cilat nene të Statutit të 2006-ës përkojnë me dy nenet e mësipërme greke, mbi kryepeshkopin dhe sinodin? Le të lexojmë, që të çmeritemi: Kryepiskopi është Kryetari i Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, përfaqësuesi i tyre përpara autoriteteve shtetërore dhe organizmave ndërkombëtarë dhe përpara çdo lloj autoriteti dhe pushteti (Kreu KRYEPISKOPI, Neni 20, 2006).  

Këtu janë shkrirë njësh dy nenet që cituam nga statuti grek, duke i rrumbullakosur të gjitha tek Zoti i fuqive, Janullatosi Cezar, duke ia vjedhur Sinodit të gjitha kompetencat, në mënyrë që vetëm i dërguari (i imponuari) të ketë të drejta ligjore të flasë apo të mos flasë, të veprojë a të mos veprojë, në emër të ortodoksëve, edhe sikur të gjithë ortodoksët e Shqipërisë të dalin kundër tij.    

Çfarë kundërshtie e mbrapshtë midis dy statuteve në fuqi greke e shqiptare! Jo vetëm që nuk është i barabartë me mitropolitët, por kryepeshkopi ortodoks i Shqipërisë është mbi gjithçka që lëviz, është në ankth të madh kontrollimi të gjithçkaje të krijuar së larti, duke ecur në tokë sa për të ruajtur regjimin e sendeve, se në fakt ai qëndron pezull, nuk cek gjëkundi, prandaj dhe shtrëngohet të dalë nga vetvetja dhe të përdorë formulime si ky: “dhe përpara çdo lloj autoriteti dhe pushteti”. “E në jetë të jetëve”, më duket se më bëjnë veshët mua këndej matanë… O Zot, ruana mënt’ e kokës… 

Duhet kuptuar në këto lexime përsiatëse ajo që u shënua disa herë, se Janullatosi jo vetëm nuk e përmirësoi statutin e kaluar, por ia shtrembëroi atij ortodoksinë, duke e mbushur statutin cit me nene antikolegjiale, të cilat gjithmonë janë dhe antivendore. Është këtu, në pikat antivendore (antishqiptare) të Statutit 2006 ku Fanari reziston dhe hesht kultizimin e Janullatosit.  

Mbasi u citua statuti grek dhe ai shqiptar, ku shquhet bjerrja e madhe e Janullatosit, le të kthehemi tek statuti i kaluar shqiptar, tek i njëjti nen mbi kryepeshkopin. Le të citojmë nga statuti i kaluar dy nenet përkatëse të nenit të përfolur më sipër:
Kryepiskopi i gjithë Shqipërisë është Kryetar i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kryepiskopi është i pari në Jerarhët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Mitropolit i Dhioqezës së Tiranës-Durrësit (Nenet 24- 25, 1950). 

Në dy nene këtu jepen dy veti për kryepeshkopin, se ai është “Kryetar i Kishës…” dhe “i pari në Jerarkët…” Cilësimi i parë tingëllon centralizues, kontrollues, sepse duhet të ishte “kryetar i sinodit”, jo “i Kishës”, por cilësimi i dytë është një formulim më se ortodoks. Kjo shtendosje-tendosje në dy nenet e vitit 1950 dëshmon shtrëngesën e atëhershme të etërve të kishës sonë nën diktaturë, sepse, nëse nuk shpërnjohim nuancat tekstuale, neni 25 e interpreton në kërcënim nenin 24. Dhe megjithatë, këto dy cilësime të kishës së diktaturës nuk mjaftuan për Janullatosin e pasdiktaturës, i cili na thartoi turinjtë kur e pa hilen. Seçse ai ka neveri për gjithçka të trashëguar shqiptare në Kishë, prandaj dhe gjithçka duhet ndryshuar. “Unë jam alfa dhe omega juaj”, dikur sikur është shkruar e fshirë në këtë dokument të misionit grek…  

Nga gjithë ky parashtrim në këto dy shkrimet e fundit, mbi papizmin dhe despotizmin e Janullatosit, del se ky perversitet nuk u huajt as nga statutet e mëparshme shqiptare (1929 & 1950), e as nga statuti në fuqi i kishës greke (1977), atje ku përkiste ai më parë. Përkundrazi. Në statutin e ri shqiptar Janullatosi nostalgon dhe imiton, në një farë mase, përndezjen e rrëshqitjeve antikanonike përgjatë diktaturës së kolonelëve në Greqi, atëherë kur u shugurua peshkop me procedura jo kanunore nga idhulli i tij, kryepeshkopi i juntës Jeronimos. Por vetëm në një farë mase. Sepse pjesa më e madhe e kapërcimeve, shkeljeve dhe fluturimeve të Janullatosit në Statutin 2006 e ka qerthullin jo në Athinë, jo në Tiranë, as në Stamboll, por në mendjen e tij të ftohur, tek problemet e thella psikologjike, tek sëmundja e tij e pashërueshme për t’u imponuar si shenjtor në rajon.  

Kjo sëmundje për t’u kultizuar, e cila është dhe qerthulli i kësaj eseje, është ajo pikë që Janullatosi nuk e kontrollon dot, prandaj dhe bëhet (me vetëdije) i brishtë për t’u përdorur nga të gjithë ata që ndërthurin interesa në Shqipëri: nga qeveritë e Athinës, nga patrikana e Stambollit, nga perëndimorët që duan të ungjillëzojnë myslimanët, dhe nga myslimanët shqiptarë që e kanë për art e traditë t’i mjelin të gjithë të interesuarit. 


Shteti grek ka gjetur personin më të përshtatshëm për të kryer ato që përndryshe s’kanë se si të sendëzohen në historinë shqiptare; vetëm një aktor i tillë mund të flijohet i tëri në një lojë të tillë kaq improvizuese, kaq rrezikuese. Sepse ecja e Janullatosit si në ajër, midis tokës dhe qiellit, është thikë me dy presa: është një rrugëtim midis jetës dhe vdekjes në historinë e Ballkanit.  

Për më tutje, ndërsa Fanari ka në dorë disa kyçe të vjetra, të cilat pa mbështetjen e qeverive greke përnjimendsh bien në ndryshk, shteti i Athinës ka në dorë vrundujt e medias, nëpërmjet një këshilli të posaçëm kombëtar. Ishte pikërisht media greke ajo që nisi e çoi mbanë projektin politik të kultizimit të Janullatosit në rajon. Ishte media greke ajo që mori qind për qind anën e Janullatosit kur ky publikoi konfliktet e tij me Tiranën dhe Fanarin, në vitet 1992-1998. Të shkuara, të harruara…     

Kulti i Janullatosit rezistohet nga patrikana e Kostandinopojës në vuajtje, në lëngatë, në një pritje të dhimbshme aspiratash, aq sa Fanari bie e zhytet në lojë. Rojtari i ekumenit ortodoks, “Kisha e Madhe e Krishtit”, tanimë zvogëlohet, mpaket e tkurret fizikisht dhe bie në dilemë. Patrikana ka nevojë për t’i zbutur humbjet e mëdha qiellore me bekime të papritura tokësore, me ngushëllime të befta që sjellin shpërpjestime të sigurta në politikat kishtare. Prandaj dhe Kostandinopoja bën “ekonomi të skajshme”, që të përdorim shprehjen kurth të Fanarit në kësi rastesh, edhe pse qiellori i Shqipërisë është bërë Papa dhe Cezari i tokësoreve…   

Published in: on December 13, 2007 at 6:05 am Comments (0)

Kulti i Janullatosit në statutin e ri (5)

Papizmi i Janullatosit 

Për sa i përket pozitës së Kryepeshkopit në KOASH, të drejtave dhe detyrave të tij, Statuti i 2006-ës ka bërë kapërcime, fluturime dhe shkelje të frikshme kanonike e etike, duke e papizuar Janullatosin në Kishë, duke e kultizuar atë në historinë shqiptare, duke e vdekur sot së ngjallurish, për ta ngjallur nesër së vdekurish. Dhe kjo ndodh nën hijen e një sinodi autoqefal, dhe nën hundën e teologëve dhe studiuesve tanë.  

Kultizimi i Janullatosit pasohet nga heshtja vuajtëse e Fanarit, për arsyet që u vajtuan në kapitujt e kaluar. Në këtë kapitull, atëherë, do të shohim se një absolutizim i tillë i kryepeshkopit nuk ekziston në statutin e kaluar, edhe pse nën diktaturë kishte më tepër gjasa të ndodhte. Për më keq, një despotizim i tillë i primatit, si në Statutin e Kishës së Shqipërisë, nuk ekziston as në Statutin e Kishës së Greqisë.  

Do të përqasen këto tre statute shqiptare e greke (1950, 2006 dhe 1977) për vetë faktin se Janullatosi e konceptoi idenë për një statut të ri, pikërisht se statuti i kaluar i kishës shqiptare kishte nevojë për përmirësime e plotësime. Nga ana tjetër, statuti grek thirret në këtë përqasje për disa arsye:  

Së pari, ish-peshkopi titullar (pa peshkopatë) i Andrucës u arsimua dhe përkiste në Kishën e Greqisë, pavarësisht nga disa shkëputje çapkëne në patrikanën greke të Aleksandrisë, andej nga u dëbua bash për tendencat e tij papnore. Midis të tjerave atëherë, duke qenë rezident në Athinën e shijimeve të tij, mëtonte të bëhej “dhe i gjithë Afrikës”. Kur patriku i lumur Parthénios i bëri Janullatosit dalje kishtare nga patrikana e Aleksandrisë, atje ku shërbeu me hope për një periudhë, Ministria e Jashtme greke ia paraqiti patrikanës së Kostandinopojës si të vetmin kandidat për eksark në Shqipëri, aq sa në vitin 1991 dëgjoja të thuhej në rrethet kishtare të Athinës: “I ligu tek të ligjtë”. Pjesën tjetër të historisë e kemi thënë dhe do ta themi.   

Së dyti, Statuti i Kishës së Greqisë është një nga statutet e shkëlqyera të krishtërimit ortodoks, sepse atje shquhet e ruhet mirë tradita sinodike (kolegjiale) e kishës ortodokse. Sepse ai statut doli si një mësim i madh nga vuajtjet e kishës greke nën diktaturën e kolonelëve, atëherë kur në Greqi u bënë shkelje të mëdha kanonike nga kryepeshkopi i emëruar i diktaturës, Jerónimos Koconis, duke imponuar një statut diktatorial. Ishte ai kryepeshkop jo kanonik (i paligjshëm kishërisht) që e qeverisi kishën greke si papë, duke shpërfillur sinodin e hierarkisë e duke imponuar një sinod kukull, për të shfronëzuar në vijim ata peshkopë që s’deshte, për të futur “gjakun e ri” në kishë. Ishte ai kryepeshkop pseudo që përzgjodhi e shuguroi peshkop Janullatosin tonë si asistent të vetin, pa ditur se do ta thyente qafën herët dhe do ta linte gjirikun e tij zbrazët, pa peshkopatë gjer në pleqëri, që t’iu vinte pastaj peshqesh shqiptarëve. E të tjera.

Por le ta lëmë biografinë e Janullatosit për më vete, dhëntë Zoti, dhe le t’i zëmë statutet me radhë në këtë krye, për të ngritur të vërtetën që ka një vit në varr, qysh në nëntor 2006.

Dihet se në vitet 50 synimi i shtetit shqiptar ishte ta kontrollonte komunitetin ortodoks që t’i shërbente ideologjisë së diktaturës, duke imponuar një kryepeshkop bashkëpunues. Mirëpo statuti i atëhershëm në fuqi, ai i 1929-ës, edhe pse mohimtar në disa nene, në këtë pikë ishte tej e ndanë ortodoks, sepse të drejtat dhe detyrat e kryepeshkopit i përfshinte në kapitujt dhe nenet mbi Sinodin dhe Peshkopët. Dhe pikërisht kjo përmasë sinodike e statutit të atëhershëm nuk e ndihmonte ndërhyrjen e përhershme të qeverisë komuniste në komunitetin ortodoks.  

Kryepeshkopi i sapozgjedhur atëbotë, edhe pse i imponuar nga diktatura, nuk kishte të drejta të plota në statut, që të mundej të merrte në vijim vendime përmbysëse në kishë. Prandaj dhe statuti i vitit 1950, i cili e përmirësoi mjaft statutin e vjetër të cunguar, rrëshqiti jo vetëm në gjuhën partizane dhe formulat e imponuara për të mbështetur “pushtetin e popullit”, por i dha primatit lehtësime kontrolli në KOASH. Kjo u bë për të mpirë sinodikët kundërthënës, nga njëra anë, por dhe për të tkurrur personalitetet e komunitetit ortodoks, nga ana tjetër. Strategjia kontrolluese e diktaturës dëshmohet qartë në statutin e atëhershëm, sepse u ligjërua diçka skandaloze, kur u krijua një kapitull më vete për primatin: Kryepiskopi (Nenet 24-28, 1950). 

Dhe megjithatë, siç do të shohim këtu, ato shkelje janë më se të justifikuara, ose, për ta thënë ndershëm, ato gabime nën diktaturë nuk janë asgjë nëse e lexojmë statutin e sotëm duke pasur më tepër drojë hyjnore, sesa frikë nga kulti i Janullatosit. Sepse ishte pikërisht ky kapitull, Kryepiskopi, që kërkonte krasitjen më të madhe në statutin e ri, për të risjellë plotësinë e sistemit sinodik në kishën shqiptare. Në të kundërt, jo vetëm që nuk krasiti, por Janullatosi shartoi e mbolli pemët e tij të këqija në statutin tonë, duke e kapitalizuar në absolut, KRYEPISKOPI, në nenet 20-23.

Gjithë kapitulli vlen të analizohet nen për nen, por do të përqendrohem këtu vetëm në disa pika, dhe ja më politikja: [Kryepeshkopi] Ruan kungimin dhe komunikimin kishtar me Kishat e tjera Orthodhokse (Kreu KRYEPISKOPI, Neni 22.e, 2006).  

Si guxoi e mundi të kalojë një dogmë të tillë papnore Janullatosi? Përse këtë herë nuk druhet nga Fanari? Nuk druhet sepse i thotë patrikanës greke diçka tjetër pak më poshtë, në të njëjtin kapitull papizues, atë që cituam në kreun e kaluar, “nenin e kërthizës”: Kur bëhet fjalë për çështje apo paqartësi të një natyre të përgjithshme kishtare që i kapërcen kufijtë e juridiksionit përkatës të Kishave Autoqefale, Kryepiskopi i drejtohet sipas rregullit kanonik Fronit Ekumenik, nëpërmjet të cilit realizohet kungimi me çdo episkopatë orthodhokse… (Neni 22.j, 2006). 

Vetëm Janullatosi, atëherë, apo çdo i imponuar i shtetit grek nesër, e ka të drejtën e absolutes në KOASH. Në të njëjtën kohë, tek i njëjti kapitull i Statutit 2006, Fanari bëhet absoluti i gjithë krishtërimit ortodoks. Shumë e puthitur, nuk është? Le të pëlcasin rusët dhe ata që e njohin Kostandinopojën vetëm si fron të parë honoral, por jo ekumenik, jo universal.   

Jo sinodi, si më parë në Shqipëri, e kudo në kishat e tjera ortodokse, por vetëm Janullatosi, pra, paska të drejtë t’iu drejtohet kishave të tjera autoqefale, dhe madje me njëfarë rendi numëror që nuk ekzistonte në statetet e kaluara shqiptare. Kjo do të thotë se kisha shqiptare sot e tutje e bën jetën dhe historinë përmes Fanarit. Sepse patrikana do të vendosë shumë më lehtë me një person, sesa me një sinod dhe me një kishë të tërë autoqefale, prandaj dhe duket papizuar statuti i KOASH-it.

Po ku e gjen këtë të drejtë kryepeshkopi Anastasios? Asgjëkundi në ortodoksi, përveçse në problemet e tij të mëdha, të cilat çiltërohen nga shteti grek dhe Fanari për të ndërthurur interesa politike në Shqipëri. Sepse në statutin e kaluar kjo shtesë e 2006-ës, mbi kungimin dhe komunikimin me kishat e tjera ortodokse, nuk përkiste te Kryepiskopi, por atje ku duhet, te kreu mbi Sinodin, i cili ka për kompetencë Të kryejë misionin e shënjtë dhe të ruajë unitetin dogmatik, kanonik të traditës së shenjtë dhe të kultit me të gjitha patriarhitë e shënjta dhe me Kishat Orthodhokse Autoqefale (Kreu Sinodhi i Shenjtë, Neni 11.a, 1950).  

Siç shquhet, termi kungim nuk përdoret në atë nen, ndoshta dhe shmanget kujdesshëm nga etërit e viteve 1950, por kurrsesi nuk i jepet kryepeshkopit në atë statut privilegji despotik për të shkelur Sinodin, dhe për të vendosur në kokë të tij kungimin dhe komunikimin me primatët e tjerë ortodoksë (Për shkëputje brenda temës, unë mendoj se në këtë formulim të mësipërm kemi një perifrazim të termit kungim, i cili atëherë nuk përdorej në diskursin teologjik të ortodoksisë shqiptare, përveçse për eukaristinë).

A e dini se ç’do të thotë t’i hiqet kjo kompetencë Sinodit dhe t’i kalojë kryepeshkopit, si në nenin 22.e të Statutit 2006? Më shumë se papizëm, gjë që tek e fundit më shumë ka dëmtuar e turpëruar në histori monstrën që e ngjizi, ky nen ruan e trashëgon rrezikun e ndarjes mëdysh të kishës ortodokse në Shqipëri, në raste përçarjesh brendakishtare. Me këtë nen lehtësohet shumë roli (përçarës) i Fanarit dhe shtetit grek për të ndërhyrë e instrumentuar vetëm një individ në kishën shqiptare, për ta emëruar atë kryepeshkop, sepse me këtë statut sinodi nuk ka kompetencë të veprojë pa pajtimin e kryepeshkopit.

Si rrjedhojë, nëse KOASH-i përballet në të ardhmen me kësi krizash që nuk i kanë munguar asnjë kishe ortodokse, qysh nga fillimet e krishtërimit e gjer sot, sinodi i tij mund ta shkarkojë atë kryepeshkop që mund të kërkojë diçka antivendore, duke zgjedhur një tjetër, por një vendim i tillë mund të konsiderohet kundër Statutit 2006, prandaj dhe Fanari do të ndërhyjë, bash sipas këtij Statuti, dhe për rrjedhojë do të kemi në Shqipëri dy kisha ortodokse, si në Maqedoninë fqinje, njëra e njohur e tjetra pirate. Ose, sinodi shqiptar nuk do ta shkarkojë kryepeshkopin, por do të zgjedhë t’i nënshtrohet Fanarit dhe shtetit grek. Siç ndodh sot.  

Nëse ky shtjellim nuk mjafton, le të vazhdojmë leximin e Statutit 2006, për të shquar se çfarë pune është bërë në statutin e ri për të absolutizuar kryepeshkopin, e në të njëjtën kohë duke zvogëluar fuqinë e Sinodit, gjë që përkon gjithmonë me interesat greke në Shqipëri. Ja se si është manipuluar në statutin e ri neni më i rëndësishëm për sinodin e kishës shqiptare:  
 

Statuti 1950: Sinodhi i Shenjtë […] është autoriteti më i lartë për të gjitha çështjet kanonike, dogmatike dhe spirituale, si dhe për ato çështje kishtare që hyjnë në sferën e kompetencës së tij (Neni 10).  
Statuti 2006: Sinodi i Shenjtë është Autoriteti më i Lartë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, sipas Tomosit Patriarkal dhe Sinodik të dhënies së Autoqefalisë prej Patriarkanës Ekumenike… (Neni 11.1).  

Siç duket kthjellët këtu, është zhdukur një gjymtyrë e tërë fjalie nga neni i 1950-ës, duke hequr kompetencat e çështjeve “dogmatike, kanonike dhe spirituale”, të cilat janë më të rëndësishmet kompetenca të një sinodi ortodoks. Ato ekzistonin, pra, por në statutin e ri hiqen, duke shtuar fjalë të tjera për “Patriarkanën Ekumenike”, për të mbuluar hilen, për të justifikuar shkeljen e madhe kanonike, për të blerë e shtirë heshtje tjetër ndaj Kultit të Janullatosit, prandaj dhe vihet shkronjë e madhe pothuaj në çdo fjalë, pa qenë fare e nevojshme, për të kanalizuar sikletin në formulimin e padenjë. Sepse gjithë kjo shërben edhe Fanarin, jo vetëm Janullatosin. Nga një këndvështrim tjetër, ky nen i shkujdesur duket sikur është me dy kuptime: ose është lapsus, ngaqë mund ta ketë bërë Plaka, sekretarja personale e kryepeshkopit, ose thjesht për të përqeshur të shumtët e për të pickuar të paktët.  

Së fundi, për të parë se sa shumë ka rrëshqitur Janullatosi në kanun e në moral, le të përqasim Statutin e Kishës së Greqisë, siç premtuam në krye të këtij parashtrimi. Në statutin grek nuk gjejmë asnjë kapitull që të flasë vetëm për primatin, apo t’i japë atij funksione papnore. Kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë trajtohet në Statut sipas traditës kanonike të ortodoksisë, prandaj dhe nenet mbi primatin renditen jo më vete, por në kreun “Mbi kompetencat dhe detyrat e Kryepriftërinjve”, në Kreun, 8, nenet 29-34 (Καταστατικός Χάρτης της Εκκλησίας της Ελλάδος, 1977, f. 67-74).

As që bëhet fjalë të gjejmë atje pisllëqe si këto të statutit të ri shqiptar. Sepse, nëse lexojmë nenin që na intereson më tepër në këtë kapitull, mbi kompetencën e kungimit me kishat e tjera ortodokse, domethënë mbi pasojat e rrezikshme politike që mund t’i lindin një shteti sovran nga manipulimi i këtij neni, statuti grek ruan pacënueshmërinë e ortodoksisë së tij, si dhe integritetin e pavarësisë greke njëherësh. Këtë të drejtë të rrezikshme në statutin grek nuk e zotëron kryepeshkopi, si në statutin shqiptar të 2006-ës, por Sinodi, i cili: Përkujdeset për ruajtjen e dogmave të besimit ortodoks […], si dhe për kungimin kishtar me Patrikanën Ekumenike dhe patrikanat e kishat e tjera autoqefale ortodokse dhe rregullon marrëdhëniet e Kishës së Greqisë me heterodoksët (Kreu 2, “Mbi Sinodin e Shenjtë të Hierarkisë”, Neni 4.a; Po aty, f. 34).  

E pra, ruajtja e kungimit dhe komunikimit kishtar me patrikanat e kishat e tjera autoqefale ortodokse, e cila ishte dhe filli kryesor i këtij kapitulli, i jepet Sinodit, siç urdhëron tradita kanonike, siç e ka statuti grek, dhe ashtu siç e kishin edhe statutet e mëparshme shqiptare. Jo kryepeshkopi. Jo dhe jo. Papa tjetër, Janullatosi, ka lajthitur. Fanari luan.      

Published in: on December 10, 2007 at 8:48 am Comments (0)

Kulti i Janullatosit në statutin e ri (4)

Kërthiza e Stambollit 

Vërtet që Kisha e Shqipërisë u numërua në rendin ortodoks si “kisha e gjashtë greke”, por kjo nuk është e gjitha. Në fakt, kjo është vetëm zanafilla e një projekti të tillë kulturor. KOASH-i është imponuar gjithandej në botën ortodokse si kishë me sfond, kryepeshkop e shumicë greke, por dhe si pakicë në një vend mysliman, atje ku misioni grek po bën një punë çudibërëse për shpërpjestimin e realiteteve përndryshe të ngurta. Atje ku gjer dje ishte gërmadhë e nuk kishte mbetur asnjë peshkop gjallë, tani jo vetëm që ka sinod peshkopësh, por madje edhe me tre myslimanë të kthyer në krishtërim nëpërmjet mrekullive greke… Përveç numrit gjashtë, atëherë, në misteret e shqiptarisë grekësia gjen hapësirë për më tej, prandaj dhe statuti i 2006-ës i dha kishës shqiptare trajtat e një eparkie të fronit të Kostandinopojës.  

Në këtë rend moral autoqefalia shqiptare ekziston në praktikë vetëm për të shërbyer dy interesa: pavarësinë e Janullatosit ndaj Fanarit, duke qenë kësisoj më i përdorshëm prandaj dhe më i adhurueshëm nga Athina, dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të shtetit grek në punët e KOASH-it, duke i dhënë Fanarit rol dytësor; fërkimi i versioneve të grekësisë në Shqipëri. Përderisa patrikana kërkon dorëheqjen e Janullatosit, statuti i ri paraqitet si faza e mbrame e misionit grek në Shqipëri, por kjo është një fazë proces, një proces brenda kohe, një kohë që nuk mund të rroket lehtë nga ata që nuk ndodhen në Shqipëri, ata që nuk bashkekzistojnë fizikisht me myslimanët shqiptarë.    

Mbas këtij statuti, i hedhur si shpërblesë historie ndaj Fanarit, garantohet jo vetëm heshtja mbi dorëheqjen e kërkuar me të butë nga patrikana, por dhe papizmi i Janullatosit, vetëkultizimi i dënuar në vitin 1996 nga vetë patriku Vartholomeos. Me këtë statut kaq pështjellues në formësime, Janullatosi i kërkon Fanarit fare hapur një kohë shtesë. Stambolli, për shtrëngesë, i cili kulturorisht është kërthiza e shumicës shqiptare, tashmë i fton edhe ortodoksët të kthehen me të shumtët: me kanun e me statut. 

Flirtimi me Fanarin, për të shmangur dorëheqjen dhe për të shpërqendruar dënimin e kultit të tij, e ka shtrënguar Janullatosin të na trashëgojë disa fjali herë qesharake, e herë antikanonike, në këtë dokument kaq të shkujdesur tekstualisht (Është gjynah që statuti i ri nuk na la asgjë nga hollësia e famshme fanarjote në formulime, por ricikloi trashësinë vendore në të shkruar, hiret e myslimanëve që janë zgjedhur, mbizgjedhur, nënzgjedhur, stërzgjedhur, ndërzgjedhur e përzgjedhur nga Janullatosi për ta krishtëruar Shqipërinë…) Ja qesharakja në statut: [Sinodi] Kujdeset për marrjen e Miros së Shenjtë prej Kishës së Madhe të Krishtit (Neni 12.e, 2006).  

Përderisa një kusht i tillë ekziston në Tomosin e 1937-ës, është standard i dyfishtë për praktikën juridike kishtare që kjo të përsëdytet edhe në statut. Por ama duhej bërë, edhe pse qesharake, se Foti Cici ka uruar në shkrimet e tij që peshkopët shqiptarë ta ndryshojnë këtë një ditë, ta bëjnë vetë miron, ashtu si edhe kisha të tjera autoqefale, sigurisht në marrëveshje me Fanarin. Po si mund të merren peshkopët e një kishe autoqefale me opinione personale teologësh, të frikësuar madje pa shkak, e, në vend që të japin një përgjigje në shtypin kishtar, fusin nene të reja në statut? Për t’u mbrojtur? Nga çfarë? Hej, ishte vetëm një paragraf shkrimi dhe asgjë më tepër! Çfarë kërkon t’i thotë Fanarit statuti me këtë nen të ri? Janullatosi përpiqet të krijojë rreziqe, që t’i zbusë ato pastaj me privilegje ndaj kishës greke.  

E zëmë se unë nuk kisha të drejtë. Po mirë, nëse unë prapë nuk kam të drejtë, përse Kisha e Greqisë nuk e ka këtë në statutin e saj, për shembull? Nuk e ka, sepse thjesht do të ishte qesharake. Sepse në Greqi kryepeshkopët nuk kanë fuqi të përqeshin edhe qiellin edhe tokën në të njëjtën kohë.   

Dhe nga qesharakja, tanimë le të shquajmë antikanoniken në statut. Për ta bërë të përjetshme praninë e Fanarit në Shqipëri, ose anasjelltas, përherësimin e numrit gjashtë në rendin e kishave greke, ja ç’kërkohet: Për hirotonisjen e Kryepriftërinjve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë  kërkohet të jenë të pranishëm të paktën tre Kryepriftërinj. Në rast se numri i Episkopëve është më i vogël se tre, atëherë mund të kërkohet ndihma e Patriarkanës Ekumenike, e cila ka dhënë dhe autoqefalinë (Neni 17.5, 2006).  

“E cila ka dhënë dhe autoqefalinë…” Pak si prozaike, nuk është? Formulimi jo kanunor dëshmon siklet në parashtrim, tregon ngërç se po thuhet diçka që shkon vetëm në çaste gojore e jo shkrimore. Është diçka që përkëdhel jo vetëm Fanarin, duke e bërë ditëgjatë në historinë e Shqipërisë, por çiltëron edhe jetëshkrimin e turbullt të eksarkut Anastasios, manipulimet e tij për t’u fronëzuar e imponuar si kryepeshkop me metoda jo kishtare në Shqipëri. Kanonet e hirshme e ndalojnë një nen të tillë, sepse ato iu sugjerojnë kishave vendore që të kërkojë ndihmën e peshkopëve fqinjë; fqinjë të një territori fizik. Dhe megjithatë, Statuti i 2006-s e shkel traditën kanunore të ortodoksisë, duke shkelur e kapërcyer si kufoma tri kisha fqinje, për të shkuar atje ku përndryshe shkohet vetëm me aeroplan: në Stamboll!    

Përse Kisha e Greqisë dhe Kisha e Qipros nuk e kërkojnë diçka të tillë me statut? Sepse për Kishën e Qipros, e cila është më larg, do të ishte antikanonike. Por edhe Kisha e Greqisë, e cila fqinjëson me fronin e Kostandinopojës, nuk e përfshiu në statut. Në praktikë, nëse i shtrëngon halli, këto dy kisha edhe mund ta bëjnë kërkesën ndaj Fanarit, por nuk e bëjnë me statut, se askush nuk mund të parashikojë ku mund të përfundojë një ditë një fron pa grigjë, një institucion turk, pa pavarësi, pa shkollë teologjike, pa të ardhme, dhe i instrumentuar politikisht sa andej këtej, dje dhe sot. Dhe megjithatë, Kisha e Shqipërisë parakalon më greke se greket. 

Loja e Janullatosit duke flirtuar me Fanarin, e përsëris, për të shmangur dorëheqjen e kërkuar dhe për të heshtur e toleruar kultin e përfolur, vazhdon, madje pa hollësi kishtare, me lajka fare greke: Kur bëhet fjalë për çështje apo paqartësi të një natyre të përgjithshme kishtare që i kapërcen kufijtë e juridiksionit përkatës të Kishave Autoqefale, Kryepiskopi i drejtohet sipas rregullit kanonik Fronit Ekumenik, nëpërmjet të cilit realizohet kungimi me çdo episkopatë orthodhokse që përcakton drejt fjalën e së vërtetës dhe kështu u kërkon Kishave motra mendimin dhe pikëpamjet e tyre të vlefshme (Neni 22.j, 2006).  

Përkthimi çalon edhe këtu, madje më keq se në nenet e tjera, aq sa vështirë të riprodhohet fjalia origjinale. Por thelbi është i qartë. Në këtë statut kryepeshkopi shqiptar e sheh botën ortodokse përmes frëngjisë së Fanarit. Kjo do të thotë se, pavarësisht ç’mund të bëjë patrikana ruse me të tjerët, shqiptarët janë të lidhur në Stamboll, se lidhja është biologjike, si dikur me greqishten; një lidhje kërthize. Dhe, mbasi pyet Fanarin me kë të flasë e me kë të mos flasë, kryepeshkopi ynë “u kërkon Kishave motra mendimin dhe pikëpamjet e tyre të vlefshme.” Çfarë proze na dhuruan myslimanët këtë herë!  

Nenet për ta kthyer kishën shqiptare në praktikë nga autoqefale në autonome, si eparki e Fanarit, janë kaq të papranueshme, saqë nuk mund të fshiheshin as me një gjuhë të lëmuar e të krehur, ndryshe nga kjo gjuhë esperanto e statutit. Sepse, përderisa “rregulli kanonik” e ka bërë të qartë sipas nenit të mësipërm, përse duhet përsëdytur në statut? Përse nuk e bëjnë këtë statutet e kishave autoqefale të Greqisë dhe Qipros, fjala bie?

Por ja që ky statuti ynë ka disa funksione, dhe njëri prej tyre është fytyrimi i Janullatosit si shenjtor, kulti i tij politik në rajon, prandaj nenet janë edhe ngjarje jetëshkrimi. Kësisoj, nëpërmjet Statutit të Kishës duhet lëmuar historia greke në Shqipëri, gjithçka ortodokse që mund të zbehë emblemën xixëlluese të kombit imagjinar. Duke krasitur të kaluarën e hierarkëve shqiptarë, me nenin e sipërcituar jepet një përgjigje edhe për lidhjet e kishës shqiptare me patrikanën e Rusisë, sidomos në vitet 1950, atëherë kur u shpërfill Fanari. Janullatosi prapë rrëshqet, që të na dalë fanarjot. E paçim!   

Me këtë përqasje e këtë frymë kryepeshkopi Anastasios shkoi në Stamboll pak ditë para vendimeve të nëntorit 2006, ku, sipas lajmeve zyrtare greqisht të sitit të Fanarit, patriku Vartholomeos e priti së bashku me tre arqimandritët që mbas atij udhëtimi u shuguruan peshkopë në Shqipëri; njëri grek e dy myslimanë. Kjo, sipas protokollit të patrikanës, nga njëra anë tregon se Janullatosi në thelb e qeveris KOASH-in si provincë të Kostandinopojës, duke prezantuar kandidatët për peshkopë para Patrikut, dhe nga ana tjetër tregon se sa nevojë ka Fanari për diçka të tillë sot, që ta shtrëngojë Janullatosin të dokumentojë me akte se pa Fanarin nuk bëhet asgjë në Kishën e Shqipërisë.

Përndryshe, nëse lajkat nuk vijohen me akte blatimi, Anastasios ka dy probleme pezull me patrikun Vartholomeos: kultizimi i dënuar prej këtij si “kopje e kishave jo ortodokse”, dhe dorëheqja e kërkuar me të butë këtu e tre vjet.  

Nëse vizita e Janullatosit me tre arqimandritët në Fanar nuk ishte protokollare, por thjesht si kortezi ceremoniale, pa përmasa politike, përse të mos bëhej mbas shugurimeve dhe pa Janullatosin? Kjo do të ishte normale kishërisht, sepse do të bëhej fjalë për njohje personale me peshkopët sivëllezër nga Shqipëria, me të cilët do të bashkëpunojnë për çështje ndërkishtare. Në të kundërt, ata u çuan atje nga Janullatosi për të përmbaruar procesin e përzgjedhjes së tre kryepriftërinjve që do të plotësonin sinodin e Shqipërisë. Ndoshta atë ditë Janullatosi i ka paraqitur Patrikut për miratim edhe origjinalin greqisht të statutit të ri, para se të kthehej në Tiranë e t’ia nxinte historinë kishës ortodokse shqiptare, me ato vendime të errëta që u morën në nëntorin e kaluar. 

Mirëpo, tejet fërkimeve të Janullatosit me Fanarin, atje ku tolerohen ngjarje të tilla absurde sot, le të kujtojmë se as Kisha e Greqisë ka guxuar të bërë akte të tilla. Madje, prapë ju kujtoj, u bë gjithë ajo luftë midis dy kishave para pak vjetësh, e cila i turpëroi grekët në median perëndimore, pikërisht që kandidatët për peshkopë të 31 mitropolive të cilat Patrikana i konsideron të sajat në Greqi, të  mos shkonin për miratim në Fanar. Dhe megjithatë, kisha shqiptare ia kaloi edhe kishës greke…   

Për të përmbyllur këtë parashtrim, se si kisha jonë autoqefale funksionon në praktikë si eparki, si provincë kishtare e Fanarit, po sjell një tjetër dëshmi. Kur në vitin 2006 kryepeshkopi i Kretës dha dorëheqjen për arsye moshe, sinodi i kishës autonome të ishullit, i cili është nën juridiksionin e Fanarit dhe jo të Athinës, vendosi që kryepeshkopi i dorëhequr të vazhdonte si anëtar i sinodit, me një rol këshillimor. Patrikana e mirëpriti dhe e publikoi lajmin duke përgëzuar sinodin e eparkisë së Kretës për këtë vendim, “i cili përbën shembull imitimi edhe për kisha të tjera”. Për cilën kishë tjetër ishte fjala?  

Kisha e Kretës nuk është autoqefale, por praktikisht edhe Kisha e Shqipërisë njësoj funksionon, një kishë me sinod vendor, por me kokë të zgjedhur nga Fanari. Për kë ishte fjala, nëse jo për Janullatosin? Sepse e vetmja kishë greke me kryepeshkop të pamundur në vitin 2006 ishte Kisha e Qipros, por ai primat ishte klinikisht i vdekur dhe nuk kishte si të qëndronte në sinod, e pa le më të nyjëtonte e të këshillonte, prandaj dhe u mblodh sinod i patrikanave dhe kishave greke për ta shfronëzuar “honoralisht”, sepse peshkopët e Qipros haheshin se kush do të bëhej kryepeshkop, dhe qëllimisht e shtynë për disa vjet zgjedhjen e primatit të ri.  

Statuti i ri ka bërë shumë për Fanarin e interesat shtetërore greke. Ai shquhet për pajtim të versioneve të grekësisë, duke e zvogëluar fërkimin e tyre në Shqipëri. Statuti ka zvogëluar edhe më shumë plotësimin e tipareve kombëtare të kishës ortodokse shqiptare. Ky tekst ka dhënë e ka marrë, ka tjetërsuar të vërtetat, nuk ka mbuluar gënjeshtrat, por as thelbin e problemit.  

Janullatosi ka mundur edhe një herë ta imponojë kultin e tij, por jo tjetrën. Ai duhet të japë dorëheqjen, të cilën ka mundur të shmangë vetëm përkohësisht. Në këmbë të tij duhet të zgjidhet një burrë i denjë grekësie, nga njëra anë për të trashëguar numrin e dëshiruar gjashtë, dhe nga ana tjetër për të mos rrezikuar investimet marramendëse greke që janë bërë pa kthim. Duhet gjetur një zëvendës i përshtatshëm për të njëjtën lojë, në mënyrë që shteti grek dhe patrikana, në rast se mbas vdekjes së Janullatosit mbretëron përsëri rastësia e rrëmuja, të mos gjenden befas para lakmisë së myslimanëve në rajon. Stambolli është në ankth. Fanari vuan.   

Published in: on December 1, 2007 at 6:16 am Comments (0)