Sqarime mbi OrthodoxAlbania.com, etj
Një letër e KOASH-it dërguar një besimtari në Toronto, nga emaili zyrtar i kryepeshkopatës së Tiranës, ka tunduar paksa, prandaj dhe detyrohem të bëj disa sqarime, me shpresë se do të kapërcehen keqkuptimet mbi disa emra (domains) që të çojnë në sitin www.ShqiptarOrtodoks.com
Ja ç’thotë emaili, midis të tjerave (copy & paste):
“Jemi ne dijeni te faqes qe ka hapur Foti Cici (ish prift ne Kanada qe studioi ne Greqi, tani nuk eshte me prift) me te njejten emertimin me domainin tone. Ne e dime nderkohe se ai e ka vendosur qellimisht per tu klikuar edhe ai, duke ngaterruar vizitoret qe kerkojne faqen zyrtare te Kishes Orthodhokse te Shqiperise. Megjithate ne nuk mund dhe nuk duam ta ndryshojme domainin tone meqenese e ka vendosur edhe ai. Per kete i eshte kerkuar nga autoritetet kishtare qe te ndryshoje ai domainin, jo vetem qe nuk e ka bere por dinakeria e tij e ka afruar edhe me shume me emertimin tone nga www.albanianorthodox.com dhe www.shqiptarortodoks.com ne www.orthodoxalbania.com dhe www.orthodoxalbania.net.” E të tjera xhevahire.
Mund ta kisha shpërnjohur këtë email provokues, por cilësimi “dinakëria e tij” më kujtoi të bukurën, “I thotë gomari kokoshit sa i ke veshët”. Kush i thotë dinak kujt? Sidoqoftë, do të rendis sqarimet mbi këtë temë, për ata që kanë nevojë për to.
Përse ShqiptarOrtodoks.com
Në vitet 2003-2004 një besimtar ofroi ndihmën e tij për të ngritur një website për komunitetin tonë ortodoks në Kanada, gjë që unë e konceptova si një bibliotekë online që do t’iu shërbente jo vetëm shqiptarëve të misioneve të Torontos e Montrealit, por të gjithë shqiptarëve ortodoksë. U diskutua emri midis nesh në kishë, por nuk u debatua gjatë, sepse bashkëpunëtorët e mi, të cilët në shumicë janë të arsimuar mirë e të specializuar në fusha të ndryshme, e patën shumë të lehtë të vendosin.
U propozuan disa emra dhe dikush tha se emri OrthodoxAlbania.com nuk është marrë, dhe përderisa KOASH-i e ka të njëjtin emër me org, ne mund ta merrnim për t’u afruar me ta. Edhe pse siti i kryepeshkopatës së Tiranës ka tjetër konceptim, gjë që na ndihmon ne të plotësojmë nevojat e shqiptarëve, unë nuk pranova të bëja diçka të tillë atëherë. Në të kundërt, sugjerova që emri të ishte shqip, sepse përmbajtja kryesisht do të ishte në shqipe, por emri duhet të ishte i përkthyeshëm mirë anglisht, për t’u përcjellë më lehtë gjithandej.
Përderisa ne i referohemi njeriut shqiptar dhe jo territorit, siç bën misioni grek në Shqipëri, më i përshtatshëm m’u duk emri ShqiptarOrtodoks.com. Por ky emër ka dalë me shumë probleme, dhe njëri prej tyre është larmia drejtshkrimore në Shqipëri dhe në diasporë: veç trajtës standarde e më të përdour, ortodoks, KOASH-i përdor orthodhoks, të tjerë përdorin orthodoks, e të tjera. Barasvlerësi anglisht, veç, është shumë i thjeshtë: AlbanianOrthodox.com. Si rrjedhojë, të gjithë u pajtuan me këtë emër, sepse ishte dhe është vetvetja.
Me këto të vërteta, u ngrit një faqe modeste, e cila lakmoi më tepër në teksualitet sesa në estetikë, dhe ajo sot njihet me të dy emrat, shqip dhe anglisht. Teknikisht, në hoster siti është vetëm shqip (shqiptarortodoks.com), ndërsa emri anglisht është i shënjuar atje (pointing), tok me katër emrat e tjerë, me org dhe net, për ta bërë më të lehtë përdorimin.
Ata që thonë se emri shqiptarortodoks.com dhe albanianorthodox.com është njësoj me atë orthodoxalbania.org, nuk janë vetëm gënjeshtarë, por dhe të vetëtradhtuar: Është mjerim që një kishë autoqefale të mos ketë intelektualë t’ia bëjnë Janullatosit të thjeshta ndërlikimet në dukje të paafrueshme të informacionit të sotëm.
I vetmi justifikim i tyre, dhe tendencë e jona, do të ishte nëse i shtonim një “n” emrit të tyre, duke e bërë orthodoxalbanian.com, emër që nuk ishte marrë dhe unë e mora vetëm para dy muajsh, për të mos ta lënë në mëshirë të anonimëve në Internet. Diçka e tillë është më se e ligjshme, por megjithatë, nuk e bëra atëherë. Ne zgjodhëm një emër krejt ndryshe me atë të KOASH-it, edhe pse na akuzojnë se me atë emër patëm për qëllim të pështjellojmë vizitorët e faqes së Tiranës. Nuk ka se si të jetë ashtu.
Shenjat e emrave
Problemi i kryepeshkopit me projektin tonë online nuk është tek ngjashmëria e emrave, por tek imazhi i realiteteve. Ai zgjodhi një emër tendencioz dhe prandaj vetëm anglisht: orthodoxalbania.org.
Shqipëria nuk është vend ortodoks, që ta quash Shqipëria Ortodokse, dhe prandaj Orthodox Albania tradhton natyrën e misionit: një mision që nuk merret me njeriun tek i cili është zgjedhur të shërbejë, por te territori, duke ndërthurur projekte ndërkombëtare në një vend me shumicë myslimane… (Dhe megjithatë, të paaftëve që mba afër Janullatosi, nuk iu shkoi në mendje të marrin edhe dy të tjerët, me com dhe net).
Duke imponuar këtë emër në kishat e tjera autoqefale dhe jo vetëm, duke reklamuar një kryepeshkop që i po i ndryshoka faqen Shqipërisë “myslimane”, të cilën madje e ka quajtur “ortodokse” mu në titull, shfaqja e një emri tjetër, e emrit tonë të përveçëm në histori, shqiptar ortodoks, shkakton reagim mbrojtës.
Por emrat janë shenja, janë simbole të cilat zhduken vetëm kur zhduken realitetet e emërtuara.
U bë trazirë e madhe, e pamerituar, për të zhdukur pikësisht emrin shqiptarortodoks, në një kohë që më lehtë Janullatosi mund të kërkonte vetëm të hiqej emri ynë anglisht, albanianorthodox.org, përderisa ai ishte më afër emrit të tyre, orthodoxalbania.org. Përse të hiqej emri shqip atëherë?
Përse OrthodoxAlbania.com
Përderisa misioni i Kanadasë u mbyll me motive politike, dhe përderisa emrin tonë shqiptar ortodoks nuk duam ta groposim, kishte mbetur diçka tjetër pa bërë, jo për hakmarrje sesa për drejtësi. Emrat orthodoxalbania.com dhe net nuk ishin marrë. Si i lanë servilat e Janullatosit pa marrë emrat com dhe net për kaq vjet? Sepse konsumohen kaq shumë në djallëzira, saqë iu shpëtojnë gjërat fare të thjeshta.
Nga çasti kur bënë një padrejtësi të tillë, unë i mora të dy emrat dhe i shënjova në shqiptarortodoks.com. Në këtë mënyrë, ata emra janë të mbrojtur dhe aktivë. Përndryshe, më e vogla që mund të ndodhte, mund të dalë dikush dhe të bëjë një faqe me gjëra fyese për kishën shqiptare.
Ose, dhe kjo është diçka e rëndomtë në Internet, shqiptarët e duan me com adresën, jo me org; ata do të kërkojnë më së pari OrthodoxAlbania.com, sesa me org. Kjo është edhe më e shpejtë, përderisa faqja e KOASH-it është e ngadaltë në hapje dhe përdorim. Por ka dhe raste kur siti i Tiranës nuk punon për javë të tëra, se harraqët e oborrit nuk i paguajnë rregullisht shërbimet dhe përderisa Janullatosi nuk ka mësuar as ta hapë kompjuterin, faqja nuk kontrollohet siç duhet.
Çfarë mund të bëhet
Ligjërisht s’kanë ç’më bëjnë, por nëse rendi i sendeve morale do të ishte ndryshe, as që do të guxoja t’i merrja emrat e lakuar sot. Gjithsesi, ka dy gjëra që sugjerohen nga këtej.
Përderisa, sipas statistikave të faqes sonë, vizitat janë dyfishuar qyshkur kemi shënjuar orthodoxalbania.com dhe net (rreth 500-600 vizita në ditë!), dhe përderisa kjo ka shkaktuar ngërç në Tiranë, jam gati të bëj një kompromis, duke i vënë vetë kushtet.
Sugjerimi i parë: Le ta ndryshojë KOASH-i emrin, duke gjetur një emër jo tendencioz, i cili të jetë së pari shqip dhe i përkthyeshëm anglisht. Nëse bëhet diçka e tillë, unë do t’i heq emrat e përfolur nga faqja jonë.
Sugjerimi i dytë: Nëse KOASH-i nuk do ta ndryshojë emrin, unë jam gati t’ua jap emrat e tjerë me com dhe net, por ata duhet ta kërkojnë këtë drejtpërdrejt tek unë, dhe nëpërmjet të njëjtit email zyrtar, sepse dikush mund të shkruajë në emër të tyre nga ndonjë email tjetër, dhe pastaj t’i keqpërdorë ata, ndërsa unë do të akuzohem se i shita domainet për qëllime antikishtare.
Sugjerim të tretë nuk ka, sepse nuk mund t’i lemë këta emra të përveçëm të abuzohen nga anonimët në Internet, a të përdoren nga të tjerë kundër nesh. E përsëris: ne i mbrojmë këta emra duke i shënjuar në sitin tonë, derisa KOASH-i a të tjerë shqiptarë dashamirës t’i kërkojnë t’i përdorin. Ku është e keqja këtu?
Besoj se me këto sqarime kam dhënë edhe një alternativë qasjeje, duke mbrojtur në të njëjtën kohë jo vetëm integritetin tim, por dhe këta emra të përnderuar për komunitetin tonë sidomos.
[Foti Cici, 2007]
The URI to TrackBack this entry is: http://bizantin.wordpress.com/2007/10/05/sqarime-mbi-orthodoxalbaniacom-etj/trackback/
Per mendimin tim, s’ke asnje arsyje te ndryshosh domainet apo t’ja japesh a t’i falesh a ku di une. Po e deshen, le t’i blejn. Po te duash shitja me cmimin qe te kushtoi ty.
Nqs e kishin pas aq problem, mund ti merrnin vet ato emra kur regjistruan te tyrin.
..mos e vrit trunin.
Wow! S’me kishte vajtur ne mendje qe do te kishin lindur kaq shume debate mbi emra domain.
Mendon, se KOASH, do t’i pranoje kushtet qe ke listuar me siper? Mua me duken shume te arsyeshme, por jam pak skeptike sepse behet fjale per Janullatos i cili deshiron ne cdo menyre te kete kontroll mbi KOASH, dhe drejtimin e saj.
Gjithsesi, ju uroj pune te mbare ne nismen tuaj!
Gjergji dhe belle-fleur,
Tek ju lexova, mu kujtua një shprehje e anëve tona, “nëma se s’ma ke”, e cila përdorej në fshatrat tona të Bregut, kur ne si fëmijë kërkonim diçka që s’na takonte a s’ishte e jona. Kjo është dhe me Janullatosin. Është mësuar t’i falen të gjithë në Shqipëri — të krishterë, myslimanë e ateistë — prandaj dhe ai herë-herë kërkon gjëra me ngulmin e një fëmije.
Unë do t’ua falja nëse e ndryshonin emrin e tyre tendencioz për shpërpjestimet shqiptare (orthodoxalbania.org), por nëse nuk e bëjnë, prapë jam gati t’ua jap me një çmim të arsyeshëm, sipas praktikës ndërkombëtare. E bëj këtë si kompromis, sepse nuk dua që besimtarët të besojnë shpifjet e shpurës së Janullatosit, se fajtorë jemi ne që kërkojmë kisha shqiptare në diasporë dhe që kritikojmë kultin e Janullatosit.
Përndryshe, le të ndalin pisllëqet me emaile të tilla, si ky që dërguan së fundi në Toronto, të cilin sigurisht nuk e dinin se do të më binte në dorë.
Dhe megjithatë, si teolog dhe besimtar, nuk dua të hidhem në kundërsulme (Se nëse e dërgoj këtë tekst në shtypin e Tiranës, të gjitha gazetat do ta botonin), por i kam falur për luftën e padrejtë që më bëjnë dhe iu zgjat dorën për bashkëpunim, për të mirën e shqiptarëve!
Iu sugjeroj diçka që me arsye është e zhdrejtë, askush tjetër do ta bënte në këto pozita, prandaj dhe tashmë le të zgjedhin e të marrin.
Nderi apo turpi, atyre do t’iu mbetet.
Atë faqe jo vetëm ju që jeni në gjëndje që ta justifikosh mbajtjen hapur, por edhe një shqiptar i thjeshtë si unë, edhe thjesht për po ato qëllime dhe dëshira që ju shtynë edhe juve që ta hapnit, do ta kishte ndjerë përgjegjësinë për ta MBAJTUR dhe ta pauruar vazhdimisht, për kënaqësinë e të gjithë besimtarëve që në rrjet kërkojnë material në gjuhën shqipe.
Punë të mbarë!
Bizantin, te admiroj per qendrimin tend kristian ne lidhje me kete ceshtje. Jo cdo njeri do kishte mundur te mbante nje qendrim gjakftohte dhe te mos ishte hakmarre ndaj KOASH me ne krye Janullatos. Me vjen mire qe nuk e ke bere publike tek mediat kete email, thjesht per faktin qe si vellezer kristiane duhet t’i zgjidhim gjerat me paqe, edhe pse nuk e di nese pala tjeter greke-ortodokse do kishte vepruar ne kete menyre.
Gjithe te mirat!
Faqja shqiptarortodoks do të jetë e hapur dhe ajo nuk negociohet, nuk kompromentohet, Edrus. Ai problem u zgjidh para dy vjetësh, duke e paguar unë.
Për këtë problem të ri, thashë se arsyeja është e zhdrejtë edhe për emrat e tjerë (domains), se i kam të gjitha të drejtat ligjore e shpirtëtore për t’i mbajtur ato domains; i kam pronë timen, i kam blerë nga mungesa, jo nga teprica.
Dhe megjithatë, bëj një kompromis për t’i bërë armiqtë e mi të zbutin zemrën, se Zoti do na gjykojë në dashurinë dhe urrejtjen tonë, sesa në “partishmëri”.
Belle-fleur,
Mentaliteti i kryepeshkopatës në Tiranë është si ata që thoshnin dikur se po ndërtojmë “Shqipërinë prej graniti”. Duhet të ndodhte e kundërta: ata që hiqen se kanë më shumë vlera duhet të na afronin, edhe sikur NE të ishim në gabim. Ja të presim.
I çmoj shumë komentet tuaja se më bënë të mendohem.
Bibla thote “duaje armikun tend” gje qe si qenie humane e kemi shume te veshtire ta bejme, sespse gjithmone mendojme uni & uni. Mgjth, me kete shkrim ketu me le te kuptoj qe po ben cka eshte e drejte sipas vlerave Biblike, sepse vlerat njerezore thone ndryshe.
Paqe!
Unë përpiqem t’i dua armiqtë e mi, duke ruajtur në të njëjtën kohë të njëjtat pozita që besoj se janë të drejta. Kur pendohem, ndryshoj edhe pozitat, nëse besoj më vonë se nuk ishin aq të drejta.
Por besoj se kur më kërkuan të heq emrin shqiptarortodoks.com, si kusht që të vazhdoj të jem prift, e në vijim të mos kritikoj më kryepeshkopin Anastasios, dhe t’i kërkoj falje publike për kritikat që kam bërë, nuk ka të bëjë me dashurinë a faljen biblike, por me krejt të kundërtën. Prandaj ende sot nuk jam penduar, edhe pse humba shumë.
Mund të duash, pra, dhe në të njëjtën kohë të jesh kundërthënës, kritikues, sfidues.
Dhe prapë, ka zona ku mund të shtrish dorën për bashkëpunim, gjë që vërteton tashmë se ku është problemi dhe kush janë ata që urrejnë.
Nëse nuk bashkëpunojnë, atëherë duhet të ndalin këtë luftë të ndyrë mbrapa krahësh, sepse nuk ndihmon askënd.
Më intereson tani të di ç’mendojnë besimtarët ortodoksë.
Le t’i lëmë të gjitha dhe le ta nisim sot në të bardhë: Përse duhej shkruar një email i tillë, i zi, duke më përfolur te dikush tjetër për dinakëri, kur kam bërë diçka tejendanë të ligjshme e fare të pastër?
Na e mbyllën kishën shqiptare këtu, nuk na dërguan prift tjetër (se fajin s’na e kishte prifti), por, me llogjikë, a nuk duhej të ishin të kënaqur?
Përse nuk na lënë rehat këtu ku na nxorrën dallgët? Ku të vesh më larg? Shih hartën…
Disa mesazhe nuk i publikoj se ishin të njëjta dhe vetëm me një pyetje, se “cili është emaili që u dërgua letra”.
Është i njëjti email që publikohet në sitin zyrtar të KOASH-it:
orthchal@orthodoxalbania.org
Ju madje mund të dërgoni reagimet a pyetjet tuaja edhe atje.
Me c’te drejte e ben KOASH? Mos KOASH eshte Zoti i madh lart ne qiell? Mos Janullatosi eshte i derguari i Perendise te heqi te drejten tende per te qene Shqiptar Ortodoks? Ne fund te fundit c’do te thote fjala Ortodoks? Nuk do te thote te jesh i vertete ne mesimdhenien e fjales se Ungjillit? Mos valle keta po veprojne sipas Bibles?
Nejse, nuk dua te bej kaq shume pyetje. Thjesht, me bezdis menyra sesi KOASH drejton dhe ligjeron ne SHqiperie, a thua se ne Shqiptaret paskemi qene te humbur te mesojme dhe te drejtojme vete kishen.
Me vjen mire qe si Shqiptar Ortodoks Kristian, shikon dinakerine e tyre dhe nuk rri i heshtur. Jo shume njerez do kishin bere kete gje, sepse shikojne interesin personal.
Zoti ju bekofte!
Nuk ka dyshim se perdorimi i emertimit te ngjashem me ate te sitit zyrtar te kishes orthodokse shqiptare eshte nje mendim diabolik ashtu si dhe personi qe e ka ideuar ate. Po te kishte pak ndershmeri z. Cici e pakta qe mund te bente , pasi u shkollua me ndihmen e drejtperdrejte te hiresise se tij Janullatos, te shkonte ne shqiperi dhe ti sherbente kesaj kishe.
Paradoks i madh, i ashtuqaujturi shqiptar mer arsim fetar dhe ne vend qe te shkoje aty ku nevoje per te, dmth ne Lukove, Nivice apo Himare, z. Cici e gjen me vend qe te largohet ne Canda.
Stefani
I dashur Stefan,
Faleminderit për vizitën në blogun tim, si dhe për komentin tek i cili po ndalem.
Së pari, anëtarët e komunitetit shqiptar ortodoks të Torontos dhe Montrealit nuk besojnë se emërtimi i sitit shqiptarortodoks.com është i njëjtë me atë të orthodoxalbania.org, gjë që u tha e u stërtha këtu, dhe prandaj ju mbeteni tashmë fare vetëm në këtë debat; është e drejta juaj të besoni diçka të tillë. Fjalën e fundit e kanë specialistët e asaj fushe, të cilët ju mund t’i ftoni të na thonë të kundërtën. Unë jam gati të pendohem nëse e kam shkelur, por në këtë pikë jo. Nuk ia vlen të përsërisim ato që thanë kolegët dhe unë më sipër. Si rrjedhojë, vëlla Stefan, nëse besimtarët dhe unë jemi “diabolikë”, nuk jemi aspak për këtë çështje, sepse faji është tek emrat dhe ngarkesa e tyre, jo tek ne.
Së dyti, përderisa nga mënyra se si shpreheni ju, tingëlloni si i brendshëm në kryepeshkopatën ortodokse të Tiranës, unë ju lutem nxehtësisht të ndërmjetësoni që unë të kthehem dhe të punoj nën juridiksionin e KOASH-it, kudo ku të ketë nevojë Kisha Ortodokse në Shqipëri. Them këtë, e cila është më e fuqishme sesa t’ju provoj ndershmërinë time, a qoftë dhe të kundërtën.
Për herë të fundit kam kërkuar të kthehem në Shqipëri në vjeshtën e vitit 1998, por Kryepeshkopi Anastasios nuk më pranoi, edhe pse atëherë nuk kisha botuar asnjë shkrim, por, sipas tij, kisha shprehur kritika ndaj punës së tij në personalitete kishtare greke, gjë që sidoqoftë ishte më se e vërtetë.
Pjesa tjetër dihet mirë: me Lidhjen e Athinës më 1999 e me shpërbërjen e saj më 2000, me punën misionare në Kanada në vitet 2002-2005, përpjekjet për të hapur kisha shqiptare në diasporë, pra. Ku ishte e keqja? A nuk duhet të më linte rehat Janullatosi këtej, mbasi nuk më pranoi të shërbej në atdheun tim?
Edhe sot jam gati të kthehem në Shqipëri, por nëse më emëron zoti Janullatos, si teolog laik, jo si klerik, por ai nuk pranon as këtë, e aq më tepër sot, sepse ka arsye edhe më të forta; arsye jo kishtare, por politike. Sepse nuk u uzurpua vetëm froni i shqiptarëve, por dhe heroizmi në Shqipëri…
Përndryshe, nëse Kisha nuk më pranon, si mund t’i shërbej ortodoksisë në Shqipëri? A mund të më thoni ju një mënyrë kishtare? Të shkoj fshat më fshat e të thërras tek sheshi i fshatit? Apo mos doni, me këto shpifje të ulëta, që të nisem e të mbërrij brenda dy javëve në Tiranë?
Mos ardhsha!!!
Përderisa Stefani e kujtoi të përmbushur misionin vetëm duke hedhur helmin, unë nuk kam ç’të them më mbi këtë temë, por po rendis të gjitha domainet që shënjojnë në shqiptarortodoks.com.
Përveç gjashtë domaineve të para, të cilat janë tonat këtu e katër-pesë vjet, gjithë të tjerët janë futur në sitin tonë vetëm PARA DY MUAJSH! Nuk i mori njeri, por meqenëse janë emra të rëndësishëm i bleva dhe i ruaj, madje aktivë, duke i përcjellë në një bibliotekë me tekste shqip.
Nëse dikush dashamirës i kërkon këto domaine për të hapur site të reja, ose për t’i përcjellë në site të ngjashme në emërtim, jam gati t’ua jap, përveç gjashtë domaineve të para, të cilat nuk negociohen, nuk shiten, as blihen dot me asnjë çmim! (As tre të fundit, sigurisht).
Natyrisht që asnjë domain nuk mund të jepet falas, por shuma nga shitja e domaineve do të përdoret për të shtuar materiale të reja në shqiptarortodoks.com, i cili ka mbetur kyçur qysh para tetë muajsh. Edhe siç është tani është i përdorshëm dhe i vlefshëm, por mund të pasurohet edhe më. E them këtë se një postues këtu bëri një kritikë të tërthortë, se përse nuk ripërtërihet siti ynë, por harroi të pyesë për arsyet. Puna teknike në web është diçka tej specialitetit tim, por dhe tejet mundësive të mia ekonomike: Çmimi minimal në Toronto është $30 në orë për një update, qoftë dhe për dhjetë minuta punë. Këtu e disa muaj kam në dorë dy libërtha-dokument shumë të rëndësishëm, por… e thashë se pse.
http://www.shqiptarortodoks.com
http://www.shqiptarortodoks.org
http://www.shqiptarortodoks.net
http://www.albanianorthodox.com
http://www.albanianorthodox.org
http://www.albanianorthodox.net
————————–
http://www.orthodoxalbanian.com
http://www.orthodoxalbanian.org
http://www.orthodoxalbanian.net
————————–
http://www.orthodoxalbania.com
http://www.orthodoxalbania.net
————————
http://www.kishaortodokse.com
http://www.kishaortodokse.org
http://www.kishaortodokse.net
————————-
http://www.kishashqiptare.com
http://www.kishashqiptare.org
http://www.kishashqiptare.net
http://www.albanianchurch.com
http://www.albanianchurch.net
————————
http://www.bibliotekashqiptare.com
http://www.bibliotekashqiptare.org
http://www.bibliotekashqiptare.net
http://www.albanianlibrary.com
http://www.albanianlibrary.org
http://www.albanianlibrary.net
————————-
http://www.kristoforidhi.com
http://www.kristoforidhi.org
http://www.kristoforidhi.net
——————–
http://www.fanoli.org
http://www.fanoli.net
http://www.fannoli.net
—————
http://www.tempulli.net
—————
http://www.foticici.com
http://www.foticici.org
http://www.foticici.net