Sqarime mbi OrthodoxAlbania.com, etj

Një letër e KOASH-it dërguar një besimtari në Toronto, nga emaili zyrtar i kryepeshkopatës së Tiranës, ka tunduar paksa, prandaj dhe detyrohem të bëj disa sqarime, me shpresë se do të kapërcehen keqkuptimet mbi disa emra (domains) që të çojnë në sitin www.ShqiptarOrtodoks.com  

Ja ç’thotë emaili, midis të tjerave (copy & paste):
“Jemi ne dijeni te faqes qe ka hapur Foti Cici (ish prift ne Kanada qe studioi ne Greqi, tani nuk eshte me prift) me te njejten emertimin me domainin tone. Ne e dime nderkohe se ai e ka vendosur qellimisht per tu klikuar edhe ai, duke ngaterruar vizitoret qe kerkojne faqen zyrtare te Kishes Orthodhokse te Shqiperise. Megjithate ne nuk mund dhe nuk duam ta ndryshojme domainin tone meqenese e ka vendosur edhe ai. Per kete i eshte kerkuar nga autoritetet kishtare qe te ndryshoje ai domainin, jo vetem qe nuk e ka bere por dinakeria e tij e ka afruar edhe me shume me emertimin tone nga www.albanianorthodox.com dhe www.shqiptarortodoks.com ne www.orthodoxalbania.com dhe www.orthodoxalbania.net.” E të tjera xhevahire. 

Mund ta kisha shpërnjohur këtë email provokues, por cilësimi “dinakëria e tij” më kujtoi të bukurën, “I thotë gomari kokoshit sa i ke veshët”. Kush i thotë dinak kujt? Sidoqoftë, do të rendis sqarimet mbi këtë temë, për ata që kanë nevojë për to.    

Përse ShqiptarOrtodoks.com

Në vitet 2003-2004 një besimtar ofroi ndihmën e tij për të ngritur një website për komunitetin tonë ortodoks në Kanada, gjë që unë e konceptova si një bibliotekë online që do t’iu shërbente jo vetëm shqiptarëve të misioneve të Torontos e Montrealit, por të gjithë shqiptarëve ortodoksë. U diskutua emri midis nesh në kishë, por nuk u debatua gjatë, sepse bashkëpunëtorët e mi, të cilët në shumicë janë të arsimuar mirë e të specializuar në fusha të ndryshme, e patën shumë të lehtë të vendosin.  

U propozuan disa emra dhe dikush tha se emri OrthodoxAlbania.com nuk është marrë, dhe përderisa KOASH-i e ka të njëjtin emër me org, ne mund ta merrnim për t’u afruar me ta. Edhe pse siti i kryepeshkopatës së Tiranës ka tjetër konceptim, gjë që na ndihmon ne të plotësojmë nevojat e shqiptarëve, unë nuk pranova të bëja diçka të tillë atëherë. Në të kundërt, sugjerova që emri të ishte shqip, sepse përmbajtja kryesisht do të ishte në shqipe, por emri duhet të ishte i përkthyeshëm mirë anglisht, për t’u përcjellë më lehtë gjithandej.  

Përderisa ne i referohemi njeriut shqiptar dhe jo territorit, siç bën misioni grek në Shqipëri, më i përshtatshëm m’u duk emri ShqiptarOrtodoks.com. Por ky emër ka dalë me shumë probleme, dhe njëri prej tyre është larmia drejtshkrimore në Shqipëri dhe në diasporë: veç trajtës standarde e më të përdour, ortodoks, KOASH-i përdor orthodhoks, të tjerë përdorin orthodoks, e të tjera. Barasvlerësi anglisht, veç, është shumë i thjeshtë: AlbanianOrthodox.com. Si rrjedhojë, të gjithë u pajtuan me këtë emër, sepse ishte dhe është vetvetja.

Me këto të vërteta, u ngrit një faqe modeste, e cila lakmoi më tepër në teksualitet sesa në estetikë, dhe ajo sot njihet me të dy emrat, shqip dhe anglisht. Teknikisht, në hoster siti është vetëm shqip (shqiptarortodoks.com), ndërsa emri anglisht është i shënjuar atje (pointing), tok me katër emrat e tjerë, me org dhe net, për ta bërë më të lehtë përdorimin.           

Ata që thonë se emri shqiptarortodoks.com dhe albanianorthodox.com është njësoj me atë orthodoxalbania.org, nuk janë vetëm gënjeshtarë, por dhe të vetëtradhtuar: Është mjerim që një kishë autoqefale të mos ketë intelektualë t’ia bëjnë Janullatosit të thjeshta ndërlikimet në dukje të paafrueshme të informacionit të sotëm. 

I vetmi justifikim i tyre, dhe tendencë e jona, do të ishte nëse i shtonim një “n” emrit të tyre, duke e bërë orthodoxalbanian.com, emër që nuk ishte marrë dhe unë e mora vetëm para dy muajsh, për të mos ta lënë në mëshirë të anonimëve në Internet. Diçka e tillë është më se e ligjshme, por megjithatë, nuk e bëra atëherë. Ne zgjodhëm një emër krejt ndryshe me atë të KOASH-it, edhe pse na akuzojnë se me atë emër patëm për qëllim të pështjellojmë vizitorët e faqes së Tiranës. Nuk ka se si të jetë ashtu.  

Shenjat e emrave

Problemi i kryepeshkopit me projektin tonë online nuk është tek ngjashmëria e emrave, por tek imazhi i realiteteve. Ai zgjodhi një emër tendencioz dhe prandaj vetëm anglisht: orthodoxalbania.org.

Shqipëria nuk është vend ortodoks, që ta quash Shqipëria Ortodokse, dhe prandaj Orthodox Albania tradhton natyrën e misionit: një mision që nuk merret me njeriun tek i cili është  zgjedhur të shërbejë, por te territori, duke ndërthurur projekte ndërkombëtare në një vend me shumicë myslimane… (Dhe megjithatë, të paaftëve që mba afër Janullatosi, nuk iu shkoi në mendje të marrin edhe dy të tjerët, me com dhe net).   

Duke imponuar këtë emër në kishat e tjera autoqefale dhe jo vetëm, duke reklamuar një kryepeshkop që i po i ndryshoka faqen Shqipërisë “myslimane”, të cilën madje e ka quajtur “ortodokse” mu në titull, shfaqja e një emri tjetër, e emrit tonë të përveçëm në histori, shqiptar ortodoks, shkakton reagim mbrojtës.

Por emrat janë shenja, janë simbole të cilat zhduken vetëm kur zhduken realitetet e emërtuara. 

U bë trazirë e madhe, e pamerituar, për të zhdukur pikësisht emrin shqiptarortodoks, në një kohë që më lehtë Janullatosi mund të kërkonte vetëm të hiqej emri ynë anglisht, albanianorthodox.org, përderisa ai ishte më afër emrit të tyre, orthodoxalbania.org. Përse të hiqej emri shqip atëherë?   

Përse OrthodoxAlbania.com

Përderisa misioni i Kanadasë u mbyll me motive politike, dhe përderisa emrin tonë shqiptar ortodoks nuk duam ta groposim, kishte mbetur diçka tjetër pa bërë, jo për hakmarrje sesa për drejtësi. Emrat orthodoxalbania.com dhe net nuk ishin marrë. Si i lanë servilat e Janullatosit pa marrë emrat com dhe net për kaq vjet? Sepse konsumohen kaq shumë në djallëzira, saqë iu shpëtojnë gjërat fare të thjeshta.  

Nga çasti kur bënë një padrejtësi të tillë, unë i mora të dy emrat dhe i shënjova në shqiptarortodoks.com. Në këtë mënyrë, ata emra janë të mbrojtur dhe aktivë. Përndryshe, më e vogla që mund të ndodhte, mund të dalë dikush dhe të bëjë një faqe me gjëra fyese për kishën shqiptare.

Ose, dhe kjo është diçka e rëndomtë në Internet, shqiptarët e duan me com adresën, jo me org; ata do të kërkojnë më së pari OrthodoxAlbania.com, sesa me org. Kjo është edhe më e shpejtë, përderisa faqja e KOASH-it është e ngadaltë në hapje dhe përdorim. Por ka dhe raste kur siti i Tiranës nuk punon për javë të tëra, se harraqët e oborrit nuk i paguajnë rregullisht shërbimet dhe përderisa Janullatosi nuk ka mësuar as ta hapë kompjuterin, faqja nuk kontrollohet siç duhet.  

Çfarë mund të bëhet

Ligjërisht s’kanë ç’më bëjnë, por nëse rendi i sendeve morale do të ishte ndryshe, as që do të guxoja t’i merrja emrat e lakuar sot. Gjithsesi, ka dy gjëra që sugjerohen nga këtej.  

Përderisa, sipas statistikave të faqes sonë, vizitat janë dyfishuar qyshkur kemi shënjuar orthodoxalbania.com dhe net (rreth 500-600 vizita në ditë!), dhe përderisa kjo ka shkaktuar ngërç në Tiranë, jam gati të bëj një kompromis, duke i vënë vetë kushtet. 
Sugjerimi i parë: Le ta ndryshojë KOASH-i emrin, duke gjetur një emër jo tendencioz, i cili të jetë së pari shqip dhe i përkthyeshëm anglisht. Nëse bëhet diçka e tillë, unë do t’i heq emrat e përfolur nga faqja jonë. 

Sugjerimi i dytë: Nëse KOASH-i nuk do ta ndryshojë emrin, unë jam gati t’ua jap emrat e tjerë me com dhe net, por ata duhet ta kërkojnë këtë drejtpërdrejt tek unë, dhe nëpërmjet të njëjtit email zyrtar, sepse dikush mund të shkruajë në emër të tyre nga ndonjë email tjetër, dhe pastaj t’i keqpërdorë ata, ndërsa unë do të akuzohem se i shita domainet për qëllime antikishtare.   

Sugjerim të tretë nuk ka, sepse nuk mund t’i lemë këta emra të përveçëm të abuzohen nga anonimët në Internet, a të përdoren nga të tjerë kundër nesh. E përsëris: ne i mbrojmë këta emra duke i shënjuar në sitin tonë, derisa KOASH-i a të tjerë shqiptarë dashamirës t’i kërkojnë t’i përdorin. Ku është e keqja këtu?

Besoj se me këto sqarime kam dhënë edhe një alternativë qasjeje, duke mbrojtur në të njëjtën kohë jo vetëm integritetin tim, por dhe këta emra të përnderuar për komunitetin tonë sidomos.  

[Foti Cici, 2007] 

Published in: on October 5, 2007 at 8:16 am Comments (14)