Ethet e Janullatosit

Përderisa sëmundjet janë pjesë e përvojës njerëzore, i pranojmë e i respektojmë ato ashtu si gjithë natyrën tonë, por kur sëmundja e një anëtari të Kishës - në këtë rast, e kreut të saj - shkakton pasoja rrënimtare për anëtarë të tjerë, më i vogli detyrim është debati publik. Duke qenë jashtë Shqipërisë, por dhe i lirë nga doktrina ortodokse të kritikoj (teorikisht, të paktën) edhe Primatin, dhe duke pasur një përvojë të drejtpërdrejtë me imzot Janullatosin për pesëmbëdhjetë vjet, tashmë, e ndiej të domosdoshme të përshkruaj e të shkodizoj një realitet me pasoja tej komunitetit ortodoks e tej këtij brezi.   

Ata që janë afër kryepeshkopit dëshmojnë se kohët e fundit ai rrëshqet kaq shumë kur del e flet në kishë, saqë ndonjëherë predikon tjetër për tjetër festë dhe psall tjetër për tjetër himn. Nuk janë të fshehta tanimë shpërthimet e tij të papërmbajtura në mjediset kishtare, zemërimet gjer në gjeste fizike ndaj bashkëpunëtorëve kishtarë, gjë që ka skandalizuar ata që e kujtonin Janullatosin si të shenjtë, të pacënuar e të pagabueshëm. Shëndeti mendor i Kryepeshkopit, në vend të përmirësimit të njoftuar vjet nga oborri i tij, po përkeqësohet edhe më, pavarësisht nga vitrina e fildishtë në kremtimet e mëdha e në takimet e qelqta me gazetarët. 

Kryepeshkopi meshon tashmë shumë rrallë, vetëm për fotografët dhe kameramanët. Megjithë përkujdesjen superklinike që i bëhet gjatë shfaqjeve të tij publike në Shqipëri dhe jashtë saj, për ta paraqitur sa më të drejtpeshuar psikologjikisht dhe sa më aktiv në misionin e tij të shumëfishtë - si një mrekulli tokësore, jo vetëm qiellore - imzot Antastasios ka marrë të tatëpjetën. Kush e bën lojën në Kryepeshkopatën e Tiranës?  

Dy absurditete 

Edhe nëse mekanizmi ynë kishtar, atë që abuzimisht e quajnë “ndërgjegjja jonë ortodokse”, kërkon të përmbysë këtë hyrje, si reagim i çastit për të mbrojtur kullën prej kartoni të besimit të mjaft bashkëfetarëve, vetë kjo tkurrje intuitive nxit e përligj mendimin kritik ndër shqiptarë ortodoksë, duke shkaktuar shkrime të tilla. Kultizimi i Janullatosit gjer në të vjellë nga industria greke dhe ajo protestante, duke e vënë mbi Krishtin e mbi shenjtorët, është vjega për të përjetësuar një mision tejfetar në Tiranë. Këtu shquhen dy dukuri absurde, të paktën.  

Së pari, le të kujtojmë se para ardhjes në Shqipëri, në vitin 1991, Janullatosi nuk ishte dëgjuar për milioner, pikërisht sepse nuk ishte i pasur. Në fakt, ai kishte dhënë premtimet murgjërore se do të jetonte gjer në fund “në bindje, virgjëri dhe skamje”. Kjo do të thotë se, nëse ai posedonte pasuri private më parë, ajo do të jepej gjetkë, mundësisht në Kishë, dhe madje pa të drejta përkujtimi në të ardhmen. I njëjti parim vlen edhe për sot, kur klerikët murgj pritet të dëshmojnë të ardhura modeste dhe transparente, duke ruajtur, simbolikisht të paktën, ato që kanë premtuar dikur në Altar.  

Fondet që i jepeshin imzot Janullatosit para se të dërgohej në Shqipëri, kur udhëtonte me shërbim kishtar në Afrikë, asnjëherë nuk u përfolën si pasuri e tij, a qoftë dhe si kapital i Kishës “në sajë të dhuntive të tij”. Nëse ai guxonte të krijonte një imazh të tillë atëherë, vetë kjo do të shkakonte reagime mbrojtëse, domethënë ndëshkuese ndaj tij, nga vetë Kisha. Sepse pikërisht ata besimtarë që dhuronin, ia jepnin Kishës, nëpërmjet klerikëve, për të fuqizuar misionet ortodokse dhe jo për të bërë të famshëm këtë apo atë prift.  

Megjithatë, sot Janullatos është vetëshpallur dhe qarkullon si një nga njerëzit më të pasur të Shqipërisë, duke e dokumentuar këtë jo vetëm në botimet kishtare, por duke e gdhendur edhe nëpër muret e kishave shqiptare, në pllakate të gurta, gjë e pangjarë kjo për të gjallët hierarkë të kishave të tjera autoqefale. Le të mos harrojmë në këtë parantezë dhe makinat e blinduara të Kryepeshkopit, tok me lluksin skandalizues ku jetojnë e hijeshohen misionarët grekë në Shqipëri. Sepse është bërë dëm i madh moral. A do t’i jepeshin Janullatosit gjithë këto fonde, nëse ai nuk ishte kryepeshkop i Shqipërisë? Nëse po, atëherë ky njeri është më i rrezikshëm nga ç’e pandehim ne. 

Përderisa çështja e kontrollit në financat e kryepeshkopatës ortodokse është edhe çështje shtetërore, këtu vlen të përmendet vetëm habia se nuk ekzistojnë të dhëna të kthjellëta mbi të ardhurat dhe shpenzimet e misionit grek, gjë që mbulohet shpesh nga “turtulli” i kaq e aq ndërtimeve e bamirësive. Gjithsesi, tejet aspektit të errët financiar, i cili u ngjiz mbas ngjitjes së tij në fronin e shqiptarëve, dimë gjithashtu se Janullatosi nuk konsiderohej i denjë në vendin fqinj as për mitropolit, prandaj dhe i kundërvotuar prej hierarkisë në Greqi shumë herë, gjatë viteve 1975-1990.  

Cilat ishin arsyet e dështimit të ish-peshkopit titullar (pa peshkopatë)? Anëtarësimi në shoqatën fondamentaliste Zoi, qysh kur ishte student e deri sa u bë peshkop; shugurimi i tij si peshkop asistent i kryepeshkopit antikanonik të juntës ushtarake, Jerónimos (I emëruar ky i fundit në mënyrë të paligjshme nga kolonelët e diktaturës, por jo i zgjedhur nga Kisha); tendencat despotike për të krijuar një mjedis kulti, me bashkëpunëtorë naivë, për t’u imponuar si shenjtor; abuzimet ndaj bashkëpunëtorëve të ngushtë; ambicjet e pashërueshme për pushtet; pamundësia për të bashkëpunuar me ata që nuk i bindeshin verbërisht; neveria ndaj atyre që mendonin ndryshe; urrejtja ndaj atyre që e kritikonin; prapaskenat për të denigruar ata që guxonin të ftillonin botën e tij të endur e të pasur; hipokrizia e paimitueshme në kontaktet publike, improvizimi teatral prej shenjtori kur meshon, e të tjera huqe.  

Megjithatë, sot Anastasios zotëron një pozitë të çiltëruar në kanonin helen. Ai trajtohet atje sikur është gjeografikisht shumë-shumë larg, sikur nuk është fare gjallë, sikur të jetë ngjitur lart në qiell, madje i shlyer i tëri: Shenjt! Le të pohojmë, nga ana tjetër, se minoriteti grek në Shqipëri është ende pa peshkop, në mëshirë të baticave e të zbaticave shqiptaro-greke, ashtu si gjithë Mitropolia e Gjirokastrës, vetëm e vetëm që qeveria greke t’iu imponojë shqiptarëve me çdo kusht një kryepeshkop grek në Tiranë. Rasti i vakancës së Gjirokastrës është një flagrancë e misionit parakishtar grek, përderisa e drejta kanunore e Kishës Ortodokse nuk lejon që një peshkopatë të jetë pa peshkop për një periudhë më shumë se dyzet ditë.  

Ky ishte, me gjithë këto degëzime ngjyruese, absurdi i parë.  

Së dyti, le të kujtojmë se përfshirjet misionare të institucioneve protestante në Shqipëri, synojnë në mbjelljen e një versioni “të qashtër” krishtërimi tek ne, larg “idhujtarisë jashtëbiblike” ndër shqiptarë, por megjithatë, kishat protestante po investojnë bashkë me grekët për krijimin e një kulti politik, për ngjizjen e “Shën Anastasit të Shqipërisë”. Nga ana tjetër, në Greqi u lejuan dhe u hapën kisha protestante shqiptare, madje tani së fundi edhe xhami për mylsimanët, por nuk lejohet një kishë për shqiptarët e shumtë ortodoksë atje, të paktën në Athinë.  

Nuk dimë, prapë, nëse përqendrimi i misioneve protestante më tepër në zonën e Sarandës është thjesht një rastësi, por le të kujtojmë se vetë këto kisha perëndimore që investojnë haptas te kulti grek në Shqipëri, këto kisha protestante, pra, iu predikojnë proselitëve shqiptarë të kundërtën e këtij kulti, domethënë se institucioni i shenjtorëve është i sajuar e folklorik në traditat e krishtera shqiptare, e për rrjedhojë i tepërt në doktrinën e Biblës. Sa për realitetin spiritual të Sarandës, kryepeshkopi i Tiranës, i cili mbikëqyr mitropolinë pa kokë të Gjirokastrës, nuk lejon një kishë të dytë për shqiptarët e atij qyteti, por i detyron ata të ndjekin shërbesat greqisht, në të vetmen kishë greke të qytetit.  Ky ishte absurdi i dytë.   

Si ka mundësi që dy kontradikta të tilla, dy absurditete kaq të mëdha, domethënë ai grek me këtë protesant, të lulëzojnë puq e tok në Shqipëri? Një gjë nuk është e fshehtë, se këto fenomene kërcënojnë ndërgjegjësimin e shqiptarëve ortodoksë, shkelin integritetin e tyre si pakicë e shumëpërdorshme në botën shqiptare, por dhe pengojnë integrimin e këtij komuniteti në një shoqëri të hapur. Sepse ka ardhur çasti ta themi e ta përsërisim: Komuniteti ortodoks është i pambrojtur nga shteti dhe kultura jonë kombëtare.    

Ethet e vdekjes  

 Pavarësisht nga gjithë kjo, sëmundja e Kryepeshkopit nuk do të thotë rënie e një misioni të tillë në Shqipëri. Nga ana tjetër, do të ishte kurth i sigurt nëse gënjeheshim duke pritur vdekjen e tij. Nuk ka rëndësi se sa vjet mund të vazhdojë Janullatosi në një rol të tillë “steril”. Duke qenë dëshmimtarë të Janullatosit tjetër, jo ky që skërmitet e kërcënon sot publikisht, por ai që dhuronte buzëqeshje të paimitueshme dhe që pikturonte ëmbëlsi ndaj të gjithëve, vetëm me një klik, na është dhënë rasti të përsiatemi mbi të ardhmen e ortodoksisë shqiptare, e cila mund të shihet në këtë rend sendesh, nën një konfiguracion të tillë, të rremë, ku të tjerë bëjnë lojën, e të tjerë duken e zhduken. Sepse edhe mbas vdekjes së Janullatosit, gjithçka mund të kryhet nën të njëjtën hije të imponuar të tij. Anastasios po shenjtërohet nga politika e jashtme greke, si e vetmja mundësi për të sunduar kulturorisht në Shqipëri; për të hedhur degë atje ku nuk kanë rrënjë.    

Me Janullatosin, kanoni grek është ndryshe nga më parë; pa Janullatosin, kanoni grek nuk mund të pranohet tashmë, përveçse si një version i shkuar në larminë helene. Është gjetur një njeri sa i dhuntishëm në lojë, aq dhe i pamëshirshëm për të realizuar ambicjet e pashuara për lavdi e kult të vetvetes. Këtu del nevoja e amëshuar e dekorimeve landar, që nga shkollat bujqësore të Greqisë - sikur të mos ta kënaqnin ato të Akademisë së Athinës - e deri në shoqatat e emigrantëve grekë - sikur të mos ta realizonin çmimet ndërkombëtare protestante e ortodokse. Marrëzia në fron!  

Gjithë kjo makineri mitbërjeje e kultbërjeje, ka shkelur mësimet e Biblës mbi sinqeritetin, modestinë, dashurinë dhe shpengimin në jetë. Kjo rrëshqitje morale e kryepeshkopit ortodoks ka përdhosur institucionin e shenjtërisë në përvojën e Krishtërimit, ndërsa vetëpapizimi i Janullatosit ka tjetërsuar thelbin e kryepriftërisë ortodokse, duke ekspozuar kësisoj improvizimin e peshkopatit grek. Për më keq, hierarkët grekë hiqen se janë kristali dhe fillrojtësit e besimit lindor ndër shqiptarë, prandaj dhe të imponuar në Shqipëri, ndërsa nga ana tjetër keqpërdorin e tejpërdorin ekonominë kishtare, si vjegë për veprimtari parakishtare.  

Për më tutje, aktiviteti i Janullatosit mu në qerthullin e botës shqiptare, ka hedhur një hije shumë të madhe në dritëhijet e mendimtarisë sonë të pasdiktaturës; në paaftasinë e intelektualëve tanë për të shquar ato vatra që themelojnë kulte; në tërheqjen për të cilësuar ato mjedise që shkaktojnë trushpëlarje grupore; në heshtjen për të dënuar mënyrat më afatgjata të mendjemanipulimit. Sa për përfshirjen tejshqiptare këtu, dimë se përveç primatit grek, domethënë përveç alibisë ortodokse, nuk ekziston asnjë evidencë historike që mund të justifikojë sot ndërkombëtarët për të ndërhyrë kaq shumë në ortodoksinë shqiptare. Nëse jo, ku i kanë ato evidenca?  

Një nga dëshmitë që Janullatosi kryepriftëron i kapërthyer, është reagimi i tërbuar ndaj shkrimeve të mia modeste, të cilat dihet mirë se nuk kanë fuqi të sjellin asnjë ndryshim në Shqipëri, përveçse pak ndikim në frymën e disa bashkëkohësve. Si rrjedhojë, reagimi dhe paniku i kryemisionarit është një frikë e pajustifikuar, një fobi, është makthi që rëndohet nga ethet e vdekjes, nga afria e saj e pashmangshme. Në të kundërt të asaj fobie të tij, ne shkruajmë e kumtojmë për integritet, sepse është e drejta e këtij brezi, duan apo s’duan misionarët grekë në Shqipëri. Atëherë, si mund të ndalet gjithë kjo sipërmarrje e gjithë kjo sfilitje nga Janullatos & CO?   

 Në një vend e gjuhë ku nuk është shkruar për kulturën e vdekjes, prandaj dhe më e madhe, krahasimisht, frika ndaj saj, shqiptarët e këtij brezi presin nga klerikët, prindët, mësuesit dhe intelektualët tanë, të na japin një mësim të denjë kur i afrohen fundit, pavarësisht nga bindjet tona të larmishme mbi jetën dhe vdekjen. Kemi parë shumë shqiptarë të shpërfytyrohen e të zhvlerësohen kur i afrohen fundit. Në fakt, një vdekje dinjitoze është më mësimdhënëse se të gjitha predikimet që lënë me gojë hapur shqiptarët. Aq më tepër kur këto predikime janë të tejkaluara, sepse nyjëtohen me një retorikë bajate. Sidoqoftë, retorizmi emocionon ende shumë në Shqipëri, njësoj sa terminologjia demode e lotëve, e gojëtarisë, e erudicionit dhe e broçkullave të tjera.  

Kapërthimi i Janullatosit për t’u përjetësuar me çdo kusht në Shqipëri, duke i dhënë emrin e vet gazetës, seminarit, kishave, kodrave, e të tjera (Ανάστασις – Ngjallja), është jo vetëm vetëpërshkrimi në ngërthin e vdekjes, për t’u themeluar si kult me mënyra që nuk mund të ndreqen nesër, por dhe oksimoriteti i një hierarku ortodoks për të përjetësuar të tashmen, duke personifikuar gjithçka. Një qëndrim i tillë kultist/materialist vjen ndesh me doktrinën e Krishtërimit dhe me spiritualitetin ortodoks, por realizon shumë ateistët, sidomos ata të komunitetit ortodoks.  

Ky qëndrim parakishtar i primatit ortodoks bekohet nga shteti dhe kisha greke për hir të imagjinares helene, sepse vetëm nëpërmjet kultit të Janullatosit po rrënjoset në Shqipëri një simbolikë që ka hiret për t’u bërë njësh me traditën ortodokse në rajon, e ngjizur kjo traditë e largët me të njëjtat mjete e metoda të pandershme edhe në të kaluarën. Me fjalët e vetë patrikut Vartholomeos, drejtuar komunitetit grek në Amerikë, “ata që nuk besojnë në mrekulli, le të shkojnë e t’i shohin ato në Shqipëri”. Ishte fjala për veprimtarinë e misionit grek në Shqipëri, për aspektin politik e kulturor, sepse për atë fetar, i njëjti patrik ishte shprehur ndryshe e ashpër kundër Janullatosit, siç do të shohim më poshtë. 

Ai klerik që beson në jetën e përtejme, veç, jo vetëm në dhuntitë e gjuhës, të mendjes dhe të mimikës, të cilat këto përjetësojnë vetëm për materialistët, ky klerik, pra, e pranon dhe e shpirtëron frikën e vdekjes, që të jetë pastaj i frenuar në vetëkënaqje, i përkorë në zemërim e urrejtje, i mërguar nga gënjeshtra e intriga, i dashur ndaj njerëzve si gjini, e jo vetëm ndaj servilëve që e adhurojnë duke e qerthulluar si korbët. Në fakt, këta të fundit do të jenë të parët që do ta mohojnë nesër, dhe kjo nuk del nga parashikimet tona, sesa nga përvoja e kultit të individit në Shqipëri e gjetkë në histori. A është në vete Kryepeshkopi?   

Intriga në Romë 

Vitin e kaluar, gjatë shërbesës së varrimit të Papës në Romë, kryepeshkopi Anastasios u takua me peshkop Serafimin e Kanadasë, i cili Hirësi Serafim më shkroi:  

“[...] Një faktor tjetër është te hollësitë që dolën nga biseda që pata në Romë, para Pashkëve, me kryepeshkopin Anastasios. Ai më informoi se është në procesin e përgatitjes së një ankese zyrtare, drejtuar Sinodit të Shenjtë [të Kishës Ortodokse në Amerikë], për sa i përket disa prej shkrimeve të tua, të cilat, në mënyrën e komenteve kritike që përmbajnë, iu ofrojnë municion [siç] disa fuqive që janë kundër një Kishe shqiptare të stabilizuar e të bashkuar. Për më tepër, ai tha se emri i uebsajtit tënd [AlbanianOrthodox.com] është shumë afër me atë të Kishës së Shqipërisë [OrthodoxAlbania.org] dhe për pasojë krijohet konfuzion. Dhe disa nga shkrimet e tua të ekspozuara atje nxisin pështjellim dhe aktivitete antikishtare në Shqipëri; tha Kryepeshkopi [...] Ai ishte shumë praktik. Kryesisht shprehu zhgënjim që shkrimet e tua në një farë mase e kanë bërë të tyren, dhe kanë krijuar një destabilizim të Kishës, të cilën ti pretendon se mbron.”[1] 

Kjo dëshmi dëfton, së pari, se këta hierarkë ortodoksë nuk shkuan në Romë për t’u lutur për shpirtin e Papës, por shkuan në varrim për të bërë teatër e për të thurur intriga, në një kohë kur vetë ata përpiqen t’iu mbushin mendjen ortodoksëve se Vatikani është foleja e intrigave. Së dyti, tek emaili i peshkopit kanadez, lexohen sendërgjitë e kryepeshkopit grek, nxirja e realitetit shqiptar nga goja e vetë primatit të Shqipërisë, keqinformimi, sepse ato që i tha Janullatosi Serafimit, përgënjeshtrohen vetvetiu. Nëse në Shqipëri do të kishte aktivitete antikishtare, ato nuk do të rrinin dot fshehur. (Ose, nëse ato ekzistojnë në mendjen e Janullatosit, përse nuk i thotë?)[2]  

Dihet mirë se cili ka qenë roli im publik këto vite, prandaj dhe jam atakuar në shtyp qysh në fillim të shërbesës nga qarqe ekstremiste shqiptare. Sepse pikërisht këto klane të instrumentuara, instrumentojnë personazhe nominalë ortodoksë, sa herë që iu kërkohet, për të dhënë përshtypjen se në Shqipëri paska qëndresë kundër kishës ortodokse. Përveç ngjarjeve të shkaktuara prej këtyre qarqeve, nuk është publikuar ndonjë episod tjetër kundër veprimtarisë së Janullatosit në Shqipëri. Nga ana tjetër, unë nuk di ndonjë tjetër ortodoks që të ketë paralajmëruar në shtyp për rreziqet që mbartin ndërhyrje të tilla në imazhin e ortodoksisë shqiptare, sidomos kur ky imazh iu përkthehet, nga Kryepeshkopi ynë i shquar, kishave të tjera autoqefale dhe institucioneve ndërkombëtare të interesuara për Shqipërinë.  

Kush tjetër është shprehur kaq hapur kundër Janullatosit, përveç atyre që parësisht kanë qenë dhe janë të dokumentuar në shtypin e Tiranës edhe kundër meje, njëkohësisht? Sepse skajorët tanë nuk mund të kuptojnë se të kritikosh Janullatosin nuk do të thotë të jesh me domosdo racist, a të mohosh të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri. Atëherë, cilat janë aktivitetet antikishtare në Shqipëri, të cilat, sipas kryepeshkopit Anastasios, kryhen si pasojë e shkrimeve të mia? Apo mos me “aktivitete antikishtare” Janullatosi ka parasysh kur klerikët dhe teologët refuzuan t’i japin firmën për fletërrufetë kundër meje vitin e kaluar, duke shkaktuar xhindosjen e tij?  

Sa për ndryshimin e emrit dhe të përmbajtjes së bibliotekës sonë virtuale ShqiptarOrtodoks.com, e cila bibliotekë është e vetmja në shqipe në gjithë Internetin ortodoks, të paktën, vetë kjo kërkesë shton te marrëzia e Janullatosit, i cili kërkon të korrë edhe atje ku nuk ka mbjellur. Jo vetëm që kryepeshkopi kërkon gjëra tej arsyes njerëzore, por ethet e tij për t’iu imponuar botës shqiptare përjetësisht, e çojnë atë edhe më larg. Në vijim të letërkëmbimit debatues me peshkop Serafimin, ky i fundit zbuloi përsëri, duke përshkruar krizën e kryepeshkopit: “Problemi është se kur dikush kërkon [në Internet] për kishën ortodokse shqiptare, sajti yt, siç duket, shpesh del i pari. Nëse ti mund t’i bëje njëfarë ndryshimi të vogël në emër, në mënyrë që kur kërkon dikush në Internet sajti yt të mos dalë para Kishës [së Shqipërisë], vetëm kjo do të tregonte mirëkuptim.”[3]  

Mbas kundërshtimeve të mia për t’iu nënshtruar kësaj fryme klinike, imzot Serafimi këmbënguli duke ndriçuar të dhëna të tjera nga intrigat ortodokse në Romë. Befasimi më i madh për mua nuk ishte me kryepeshkopin Anastasios, sepse nga ky i pres të gjitha, përderisa ka pesëmbëdhjetë vjet që bën një luftë të pabesë kundër meje dhe kundër atyre shqiptarëve ortodoksë që e kanë kuptuar lojën e tij vetëkultizuese. Ajo që më çmeriti ishte pjesëmarrja dhe bashkëveprimi në këto shkëmbime i Patrikut të Kostandinopojës, Vartholomeos, i cili Tërëshenjtëri gjeti kohë të merrte pjesë në të njëjtin takim të tillë, të turpshëm, me Janullatosin, Serafimin, e të tjerë.  

Sipas peshkop Serafimit, “Patriku Vartholomeos përdori fjalë më të ashpra kundër teje; nuk ishte vetëm kryepeshkopi i Shqipërisë.”[4] Ky patriku Vartholomeos, ishte ai që në vitin 1996 i shkroi një letër kryepeshkopit Anastasios, ku e akuzonte për dëm moral në Shqipëri.[5] Patrikut Ekumenik Vartholomeos, i lumtë goja! Vetëm se kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, këta fqinjët e jugës sonë bashkohen dhe i lënë për më vonë të tjerat; ndryshe nga veriorët.   

Biri i humbjes 

Dhe prapë, pyes: Mirë Janullatosi, por si arriti Patriku i Kostandinopojës - i pari në rendin honoral në gjithë Kishën Ortodokse - të merret me një emigrant shqiptar që shkruan atje-përtej-këtu në Kanada? Sepse, përderisa në Shqipëri grekët bëjnë punët e Zotit, nuk ka rëndësi se çfarë them unë së largu. Përderisa Janullatosi e njoftoi publikun shqiptar mbi “cilësinë” time, me një seri shkrimesh të skajshme, nënshkruar me detyrim nga mëditësit e tij nëpër kisha, shkolla e klinika, i bie që shqiptarët të mos iu hedhin as sytë shkrimeve të mia.  

Janullatosi dhe shpura e tij përdorën mënyra të pandershme reagimi, në vend të frymës kritike që kërkohet nga njerëz të qytetëruar, në një kohë kur shoqëria shqiptare ka nevojë të madhe për frymë kritike, dhe jo për frymë djallëzore. Nga ana tjetër, nuk ka pse të mblidhet “sinod ekumenik” në varrimin e Papës, për t’i mbushur mendjen një peshkopi kanadez që të mbyllë të vetmin mision shqiptar ortodoks në Kanada. A i zgjidhën problemet madhore të Ortodoksisë etërit tanë të hirshëm, që të merren tashmë me çikërrima? Apo ato dhe këto që kam shkruar këta tre vjet, nuk janë aspak çikërrima? Më së fundi, përderisa unë nuk kam ndërmend të tërhiqem nga kritikat ndaj veprimtarisë së Janullatosit në Shqipëri, çfarë tjetër duhet përdorur për t’iu mbushur mendjen shqiptarëve që të mos lexojnë shkrimet e Foti Cicit? 

Gjithë ky parashtrim tregon se deri ku e ka çuar sëmundja një mendje të errësuar nga urrejtja, sepse unë nuk jam as i pari e as i fundit ortodoks që kam kritikuar një kryepeshkop. Primatët e tjerë të kishave autoqefale i kapërcejnë këto kriza dhe i shohin kritikat ndaj tyre si të dhëna së larti për vetëkontroll, në mënyrë që vetë të kritikuarit të lartësohen. Përveç Janullatosit. 

Qysh kur erdhi në Shqipëri të na ndriçonte, Misionari e nisi me shkeljet kanonike, ndryshe nga bashkëkohësit primatë në kishat e tjera autoqefale, dhe ndryshe nga primatët shqiptarë në të kaluarën, të cilët këta, bash që të gjithë, kishin më tepër tolerancë për kritikuesit, edhe pse shërbesa e tyre bashkëvijonte nën regjime diktatoriale. Në të kundërt, dhespoti grek, që kur mori në dorë drejtimin e komunitetit ortodoks, për të vënë vullnetin e vet mbi Kishën Ortodokse, i bëri disa ndryshime statutit të KOASH-it: Së pari, shfuqizoi nenin mbi nënshtetësinë e kryepeshkopit dhe, së dyti, ndaloi themelimin e shoqatave dhe të çdo organizate ortodokse në Shqipëri, pa lejën e tij.[6] Ky i fundit është një fakt shumë i rëndësishëm për të shkodizuar lojën e mendjemanipulimit në Shqipëri, por për të cilin nuk kam dëgjuar asnjë gjysmë fjale këta vjet, asnjë shenjë reagimi.  

Këto ndryshime në Statutin e KOASH-it u kaluan “unanimisht” nga kleri dhe përfaqësuesit ortodoksë nga gjithë Shqipëria, por vetëm se nuk u lejuan procedura të fshehta votimi, pavarësisht se ky dokument mori bekimet e shtetit shqiptar. Ndryshimi i parë u bë për të siguruar qëndrimin e përhershëm të misionit grek në Shqipëri, ndërsa i dyti, për të hedhur themelet e kultit të Janullatosit. A kishte më të puthitur kompromis midis ortodoksisë greke dhe Janullatosit të etur për pushtet?  

Mbas kësaj mëkrejse, kultizimi i Janullatosit u bë fakt i kryer duke kontrolluar ecurinë e mendimit intelektual në kishën shqiptare, duke mbajtur afër njerëz servilë, të paaftë ose të aftë, por të paarsimuar mirë, dhe në të njëjtën kohë nevojtarë të mëdhenj, duke i lidhur këta me njëri-tjetrin (krushqi, punësime farefisnore në kisha, bursa studimi në Greqi e gjetkë, e të tjera shkëmbime nepotike) dhe duke mërguar “shejtanët”.[7] Duke penguar organizimin e besimtarëve në shoqata, klube kulturore, sociale, a shtëpi botuese, siç ndodh kudo gjetkë, çdo reagim ndaj një kulti të tillë konsiderohet tashmë si luftë kundër Kishës, e të tjera sendërgjime. Përndryshe, ata që themelojnë një shoqatë të tillë në Shqipëri, e cila do t’i ndihmojë të formulojnë e të thellojnë mendimet e tyre, përnjimendsh këta ortodoksë, pra, shihen sikur të jenë kundër Statutit të Kishës Shqiptare! Çfarë mëkati!  

Sidoqoftë, besimtarët duhet të dinë se kisha shqiptare nuk është me e famshmja nga të tjerat, të cilat ato i lejojnë besimtarët të organizohen në shoqata dhe të ngrenë klube kulturore, shtëpi botuese, etj. Ky është një tertip, por ne Zotin e besojmë mbi sendërgjitë e politikës greke. Dëshmorët e Kishës sonë, At Kristo Negovani, Petro Luarasi, e të tjerë, presin nga ne të nderohen e të përkujtohen, kryesisht e parësisht nga besimtarët, me mënyra besimtarësh. Përkundrazi, Zoti do t’i bekojë ata shqiptarë ortodoksë që do të reagojnë sot, ata që do të rrëfejnë besimin e tyre, aq më tepër kur dëshmorët e kishës sonë vendore nuk ekzistojnë në shtypin dhe botimet e KOASH-it për këta pesëmbëdhjetë vjet. Të rinjtë e sotëm ortodoksë, ndryshe nga ata në kishat e tjera autoqefale, e formësuan identitetin e tyre ortodoks pa këtë simbolikë vendore. Përse vallë? Nëse simbolet kombëtare janë të dëmshme për përjetimin e ortodoksisë, përse të mos t’i zhbëjnë ato edhe kishat e tjera autoqefale?[8]  

Të gjitha këto të dhëna kanë një ironi në thelb, sidomos kur Janullatosi përpiqet të bindë ndërkombëtarët se misioni grek po ugjillëzoka myslimanët e Shqipërisë, se gjoja myslimanët shquhen për urrejtje e hakmarrje, në një kohë kur vetë kryepeshkopi i krishterë, i cili e luan në majë të gishtave Biblën, është bërë rob i humbjes në prag të gjykimit. Le të kujtojmë se edhe djalli e provokoi Krishtin duke përdorur pikërisht citate nga Shkrimet, për ta hutuar, të cilat Shkrime i paudhi i dinte dhe i di përmendsh…  

Nëse ky plak është “i shenjtë”, ai ftohet sot të gjejë fuqi të zbusë zemrën, të pendohet, të falë dhe të japë shembullin e spiritualitetit, e jo të mugëtirës. Duke kërkuar nga kritikuesit t’i blatojnë ndjesë publike, tërheqje dhe heshtje, vetëm e vetëm se ne thërrasim të vërtetën, duke mëtuar t’i falet gjithë krijesa, pra, imzot Janullatosi e çon veten në një realitet tjetër… Roli i tij misionar është të tregohet pajtimtar, pikërisht më i lartë se vendorët. Përderisa ka rënë kaq poshtë, aq sa përndjek gjer në rrënim ata që s’duan t’i nënshtrohen kultit të tij të sajuar nga politika greke, përse nuk ikën sot me lavdi nga Shqipëria? 

Nëse shkrimet e mia nuk qëndrojnë, le të më thërrasin para një pranie klerikësh e teologësh dhe të më gjykojnë për ato që kam shkruar e mbroj qind për qind ende sot. Nëse çështja, në të kundërt, nuk është kaq e ndërlikuar, le të dalë një teolog i KOASH-it në shtypin shqiptar, e të përmbysë një për një shkrimet e mia, me dritë e me edukatë, pa qenë e nevojshme të rrezikohet prestigji i Ortodoksisë me metodat antikristiane të urrejtjes, të mbledhjes së firmave nga mëditësit, të shpifjeve, të errësirës, të intrigave, të cilat, gjithë këto ndyrësira, më ndjeni, kanë diskretituar vetë imazhin grek në Shqipëri. 

Çmimi i urrejtjes  

Që nga maji e deri në shtator 2005, unë nuk i pranova kushtet absurde të vëna nga Janullatosi dhe Liolinët, prandaj dhe u pushova nga priftëria. Ende sot ekziston mundësia që unë të rivendosem në shërbesë, duke më caktuar ndoshta në ndonjë kishë greke, përderisa misioni shqiptar i vjedh klientelën kishave greke të Kanadasë.[9] Ende sot, pra, tani që shkruaj, ekziston mundësia që unë të ngjitem në Altar të meshoj, vetëm se duhet të ndal kritikat ndaj kultit të Janullatosit. Kurrën e kurrës! Sepse një shpirt kam dhe nuk guxoj ta shes. Por kryepeshkopi e ka shumë gabim, sepse edhe sikur të nënshtrohesha a të bija unë, Zoti do të ndriçojë dikë tjetër, pikërisht për kryepeshkopin, për ta ndihmuar atë të kontrollojë pasionet e sëmura dhe të mos zhvlerësojë pjesën cilësore të shërbesës së tij.  

Drejtori i seminarit ortodoks në Durrës, peshkop Ilia Katre, ma tha më bukur: “Nëse ti bën një kthesë në shkrimet e tua, të ndalësh kritikat ndaj Kryepeshkopit, ty të hapen shumë mundësi për të ardhmen në Kishë. Ti je njeri shumë inteligjent, shkrimet e tua janë shumë të thella, prandaj dhe ti ke aftësi të bësh diçka të tillë, ndërsa në të njëjtën kohë të mos duket se je tërhequr. Ti e di vetë se si do ta bësh këtë.” Por edhe imzot Ilia nuk e fshehu krizën mendore të Janullatosit, aq shumë sa i shpëtoi dhe tmerri i vet: “Sa herë që ti boton një shkrim në Tiranë, kjo kthehet në një ngjarje shumë-shumë të dhimbshme (Very very distressing), jo vetëm për ne që jemi afër kryepeshkopit, por dhe për të gjithë Kishën. Madje nuk ndihem lirshëm as të flas më tepër për këtë temë… Të lutem shumë!”  

Peshkop Ilia është ai që Patrikana e futi nga dritarja në Shqipëri, si kandidati më i mundshëm për kryepeshkop, edhe pse u shugurua për të shërbyer në Amerikë. Një peshkop me titull e seli në Amerikë, por që jeton për tre vjet në Shqipëri, e ka vendosur veten mbi të drejtën kanunore të Kishës Ortodokse, e cila kjo ndalon rreptësisht që një peshkop ta ketë banesën jashtë selisë së tij peshkopale. E keqja është se hierarkia greke, kur vjen puna te kombi imagjinar, e kujton veten mbi Ortodoksinë, duke shkelur jo vetëm dogmën e kishës lindore, por dhe kombësitë jo greke në të njëjtën Kishë. Ja dhe një tjetër improvizim në administrimin e hirit nga Patrikana, e cila hirshkelëse paska ardhur në Shqipëri t’iu mësojë shqiptarëve të jenë ortodoksë më të mirë…  

Përderisa u mbush një vit nga këto ngjarje, të cilat arritën të mbyllin misionin shqiptar në Kanada, dhe përderisa Janullatosi me Liolinët nuk duan të na sjellin një prift tjetër nga Shqipëria - qoftë dhe një djalë shqiptar nga të zgjedhurit e misionit grek në Tiranë - unë tashmë jam i lirë të prish heshtjen e të vazhdoj kritikat. Pavarësisht nga pasojat, jam i qetë se kam rrëfyer të vërtetën dhe e kam mohuar të keqen: Nuk iu nënshtrova një politikani që përdor petkun ortodoks për synimet tinëzare të një misioni shkombëtarizues; nuk e shita besimin tim; nuk iu fala kultit mbishenjtor, sëmundjes së pashërueshme të Janullatosit për pushtet e lavdi, e martuar kjo sëmundje e madhe me nevojën shumë të madhe të politikës greke për një kryemisionar të tillë në Shqipëri, për të zhbërë të vërtetën në rajon.  

Sot, kur sapo jam pranuar e regjistruar për studime pasuniversitare në Universitetin e Torontos, në këtë çast drejtësie e çlirimi, pra, gjykoj se gjithë çka ndodhi, në vend të tërheqjes së sugjeruar me të urtë e me kërcitje dhëmbësh, më nxit të përsiatem edhe më tej, ndërsa në vend të heshtjes së kërkuar nga qarqet greke e myslimane, më bën të thelloj debatin që kam çelur në botën shqiptare. Klerikët dhe besimtarët ortodoksë në Shqipëri, të cilët mund të ndihen të çoroditur nga zhvillimet në kishën tonë, por të cilët pak nga pak po afrohen me këto shqetësime, është mirë t’i rrahin këto çështje me njëri-tjetrin, me zë të ulët, por sa më shpesh e aq më mirë. Gjithashtu, të mos harrojnë të luten për shëndetin e Kryepeshkopit, sepse nuk dimë se kush e drejton KOASH-in dhe çfarë po gatuhet për të ardhmen e komunitetin tonë.     

Tashmë, në këtë rend moral, le të shquajmë Janullatosin tek po vjen si “ëngjëll drite”… Shikojeni mirë si po shfaqet: Të tillit s’ke ç’i bën, përderisa ai i flijon të gjitha për kultin e vetvetes, duke pasur për nxitje e mbështetje një makineri kaq të madhe, ndërkombëtare, në një betejë kulturore. Sidoqoftë, le të përdorim dhuntitë e Shpirtit të Shenjtë dhe ta kundrojmë Janullatosin sikur e shohim për herë të parë: Është ai që ecën sikur shkel mbi valë deti, pa iu dukur këpucët e pa iu dëgjuar hapat, njësoj në pamje si Krishti, por vetëm se jeton mu në të kundërtën e Tij, në errësirën e një jete të dyfishtë, plot neveri për ata që e kanë ndijuar lojën kultbërëse, prandaj dhe me kaq sukses helenizuese. Gjithsesi, ai që urren është më i humburi nga të gjithë, prandaj dhe i mbërthyer sot nga ethet e vdekjes. Mëshirë!

[Foti Cici, 2006]                  



[1] Email i Peshkop Serafimit të Otavës dhe Kanadasë, dërguar Foti Cicit, 26 maj 2005.
[2] Bëhet fjalë për vitin 2005, një vit para zhvarrosjeve të Përmetit, kur nuk ekzistonte vëmendje publike ndaj kishës ortodokse.
[3] Email i Peshkop Serafimit dërguar Foti Cicit, 31 maj 2005. Për hir të së vërtetës, le të thuhet se kjo nuk qëndron. Me sa kam shquar unë, sajti ynë nuk del i pari nëse dikush kërkon për “Albanian Orthodox Church”, as për “Kisha ortodokse shqiptare”. Por bashkëpunëtorët që ka zgjedhur Janullatosi, e gënjejnë atë, për ta shtyrë edhe më në mëkat. Problemi i kryepeshkopit nuk është vetëm se nuk ka as njohuri fillestare në Internet, por se ka rrëshqitur dhe është bërë pré e servilëve.
[4] Email i Peshkop Serafimit dërguar Foti Cicit, 11 korrik 2005.
[5] Apóstolos Glavinas, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë (Απόστολος Γλαβίνας: Η Ορθόδοξη Αυτοκέφαλη Εκκλησία της Αλβανίας) f. 270.
[6] Mbas statutit me 92 nene të vitit 1950, në fund të tekstit të votuar e të nënshkruar nga delegatët e atëhershëm, dhe të miratuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, në vitin 1993 u shtua pika “2. Kuvendi Kleriko Laik (21 janar 1993)”, ku kryepeshkopi bëri centralizimin e administrimit të gjithë Kishës së Shqipërisë nën komandën e tij, nëpërmjet një këshilli të emëruar po prej tij, por pa e përcaktuar me nen të posaçëm në këtë shtesë të statutit. Në Kuvendin Kleriko-Laik të datës 9 maj 1996,  statutit iu shtua pika “3. Dispozita tranzitore”, ku riformulohet vendimi i vitit 1993 dhe shtohen tre nene të reja: Neni 93, i cili shfuqizoi nënshtetësinë shqiptare të Kryepeshkopit, neni 94, i cili zbriste peshkopatat e Korçës, Beratit dhe Gjirokastrës nën pushtetin e kryepeshkopit, dhe neni 95, i cili nis me themelimin e shoqatave të rinisë dhe të gruas brenda KOASH-it, por kërcënon kritikuesit e atëhershëm se “Shoqata dhe organizata të tëra që krijohen pa miratimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk njihen prej saj dhe nuk mund të përfaqësojnë shprehjet e jetës së saj.” Përveç neverisë për ata që mendojnë ndryshe, në këtë nen të fundit është dokumentuar ankthi i misionit grek ato vite, por sidomos trysnia ndaj përkthyesve, prandaj dhe nuancat tekstologjike të kësaj fjalie mund të kuptohen plotësisht vetëm nëpërmjet greqishtes. Ishin pikërisht këto shkelje dhe ky papizëm që shkaktuan reagime të ashpra nga bota ortodokse, me në krye vetë Patrikanën e Kostandinopojës.
[7] Megjithëse disa persona të fuqishëm në KOASH janë ende mister, ata që përdoren hapur e shpesh në mjediset kishtare, atje ku njëkohësisht dhe urrehen në kulm, janë teologët Jorgo (Arben) Papadhopulli dhe Pirro Kondili. Është e çuditshme se këta të dy, edhe pse hiqen si të dedikuar ndaj kryepeshkopit, ndonjëherë kryejnë hapur aktivitete të cilat jo vetëm që nuk miraton as ai, por që vijnë ndesh me vetë bindjet e Janullatosit. Për shembull, gjatë krizës së zhvarrosjeve, kur shtypi shkroi për shpërndarjen e “trakteve greke” në Përmet, kryepeshkopi e përgënjeshtroi këtë, por besimtarët përmetarë shquan atë ditë në Përmet vetë Jorgo Papadhopullin, e cili pikërisht shpërndante fletushka greqisht, me një makinë me targa greke. Ndërsa zotin Pirro Kondili e njoha në kampin e refugjatëve afër Konicës, në janar 1991, dhe në vijim në konviktin kishtar të Konicës, atje ku u pagëzuam së bashku në një ditë. P. Kondili përktheu shqip librat e mitropolitit Sevastianós, të cilët qarkullojnë ende sot nëpër Shqipëri. Gjatë studimeve në Athinë (vjeshtë 91 e në vijim), Kondili u shkëput nga jeta studentore dhe askush nuk dinte se me se merrej, ndërsa më vonë u arrestua në Gjirokastër dhe u lirua me presione të qeverisë greke, siç u nyjëtua kjo atëherë në median greke. Edhe pse vetë minoritarët i druheshin Kondilit, të cilët madje e quanin “i Degës”, edhe pse vetë kryepeshkopi e mbante në distancë, pikërisht për shkak të kësaj veprimtarie të hapur antishqiptare në Greqi, dhe jo vetëm, P. Kondili u emërua drejtor i shkollës së mesme kishtare në Gjirokastër, atje ku është dhe sot. Ky zotëri shkruan artikujt që publikohen nga kryepeshkopata në shtypin shekullar, nën emrin e at Jani Trebickës, i cili ky i fundit është krejt i pashkollë, (jo vetëm me zor shkruan pak, por me zor e me shumë gabime lexon dhe Ungjillin në shërbesa), por nuk di t’iu bëjë biografitë shqiptarëve që kritikojnë misionin grek. Është e sigurt se Kondili iu imponua Janullatosit, por nuk dimë se kush ia imponoi dhe do të ishte naive të thoshnim “qeveria greke”. Por dimë se veprimtaria e tij në shkollën e mesme Kryqi i Nderuar ka dritëhije, ku rreth një e treta a djemve këto vite, sipas inspektimeve shtetërore, e ka lënë shkollën. Dimë gjithashtu, se qeveria shqiptare i kërkoi para pak muajsh dëshmi penaliteti (Shih: www.mash.gov.al/Inspektimi/Kryqi i nderuar). Edhe pse zotit Kondili nuk ia dimë të gjitha, dimë se dy vitet e fundit ai u ekspozua në një aktivitet të përbashkët me klane të shqiptare myslimane në SHBA, por nuk dimë se kush përdor kë…
[8] KOASH-i nuk ka kanonizuar asnjë shenjtor, edhe pse historia e re e Shqipërisë është plot me të tillë. Kisha e Shqipërisë është autoqefale dhe ka të drejtë të kanonizojë shenjtorët e saj, ashtu siç bëjnë edhe kishat e tjera autoqefale. Madje dhe Kisha Ortodokse në Amerikë (OCA), e cila e ka marrë autoqefalinë nga Patrikana e Moskës, dhe prandaj nuk njihet nga shumica e kishave autoqefale, kanonizoi vitet e fundit disa shenjtorë të rinj (të shekullit të 20-të), ikonat e të cilëve përnderohen sot nga të gjithë besimtarët ortodoksë në Amerikën e Veriut, pavarësisht nga përkatësia e juridiksioneve etnike. Mirëpo KOASH-i funksionon si kishë autoqefale vetëm për të përmbushur misione kulturore, përndryshe të pamundura.
[9] Kishat ortodokse në Amerikën e Veriut funksionojnë financiarisht si njësi të pavarura, domethënë mbijetojnë dhe fuqizohen në sajë të anëtarëve të këtyre kishave, të pagesës së anëtarësisë vjetore, të donacioneve, por, sidomos, të pagesave për pagëzime e martesa, ku kisha, veç tarifave të shtrenjta për këto shërbesa, lëshon me qira mjediset e kishës për gostitë mbas tyre. Në këtë mënyrë, kisha lokale, sipas këtyre të ardhurave, është në gjendje të paguajë priftin e emëruar nga mitropoliti i tyre, plus sekretarisë, nëse është kishë e madhe. Këto kisha paguajnë pastaj rreth 15% të të ardhurave vjetore në mitropolinë e tyre, e cila mitropoli i paguan rreth 20% të të ardhurave vjetore Patrikanës së Kostandinopojës. Ky është sistemi ekonomik i kishës ortodokse greke në Amerikën e Veriut, i cili mbështetet plotësisht te kontributi i besimtarëve, dhe aspak te hierarkia apo te shteti grek a kanadez. Përderisa shumica e emigrantëve shqiptarë janë të rinj, gjithë këto familje të reja, ku do të shkojnë për martesa, pagëzime, e të tjera raste të pashmangshme? Do të shkojnë në kishat greke! Atje ku ndihen më afër nga shumë pikëpamje, pra, dhe atje do të zënë me qira dhe mjediset e kishës për gostitë e tyre, shpesh të pakursyera. Përderisa kisha greke në Kanada shquhet për një orientim të skajshëm biznesi, më tepër se në SHBA, hapja e kishave shqiptare në dy qytetet e mëdha të Torontos e Montrealit vjen ndesh pikërisht me një praktikë të tillë vjelëse.  
 

Published in: on September 14, 2007 at 5:35 am Comments (0)

Gërsheti i Nolit dhe mbreti Xhejms

Mihal Grameno dhe otomanët

Mihal Grameno, një nga veprimtarët për ndërgjegjësimin e kishës ortodokse shqiptare, por dhe për risimin e mendimit shqiptar njëherësh, na rrëfen një bisedë që pati në vitin 1913 me Ministrin e Drejtësisë të qeverisë së Vlorës, kur ky i fundit i ftoi ortodoksët në një takim mbi ardhjen e Fan Nolit në Shqipëri. Ministri mundi në atë bisedë të fitojë mbështetje dhe të silurojë vizitën e parë të Nolit në atdheun e të parëve të tij, me pretekstin se prifti i ri nuk kishte “gërshet e mjekër”. Dështimin e asaj vizite e përmendi hidhur Noli kur u largua i zhgënjyer nga Shqipëria, sepse e pa të largët ditën e autoqefalisë, e cila pikërisht kjo ishte shkaku i zemërimit të shqiptarëve kundër tij; jo flokët.

Hidhërimi rëndonte më shumë për faj të shqiptarëve, sesa të grekëve, siç duket në fjalët e ministrit shqiptar: “Qysh mos të zemërohem, jahu! Ky turp e rrezillëk që na erdhi nuk durohet dot! Ç’kanë për të thënë bota kur të dëgjojnë që shqiptartë ortodoksë i kanë priftërinjtë pa mjekër e me leshra të qethura? Po meazallah t’i vejë në vesh patrikut e të na mallëkojë e mos na tretë dheu!”[1]

Nuk ka rëndësi nëse Ministri i Vlorës përdor një gjuhë të tillë bizantine-otomane si shtrirje e bindjeve të tij personale, a si djallëzi për të shtirë frikë tek shqiptarët. Në fakt, ministri u kujton ortodoksëve të paditur mallkimin për mostretje në varr, sepse nuk kishte as dy vjet që ishte martirizuar Petro Luarasi, të cilit kisha greke i kishte përlëshuar të njëjtën nëmë. Jo vetëm dëshmori ishte mallkuar të mos ta trette dheu, vite para se ta hiqnin qafe, por dhe nëse ndonjë shqiptar do të guxonte ta pranonte Petron si mësues të shqipes, a të pranonte libra shqip prej tij, “qoftë i shkishëruar nga Zoti i Plotfuqishëm, pastë mallkimin e 318 etërve të Kishës dhe etërve të tjerë, pastë zgjebjen e Gjezeut, qoftë mbas vdekjes i patretur…”[2] Ua, çfarë poetike kanë këto shkishërimet e kishës greke!

Këta 15 vjet, kishat ortodokse shqiptare në Shqipëri dhe në Amerikë nuk kanë kryer asnjë përkujtimore, asnjë përshpirtje, për dëshmorin ortodoks, në një kohë kur etërit e Kishës shënojnë se të krishterët duhet të luten për të gjithë, jo vetëm për të drejtët, madje dhe për Djallin, për pendimin e këtij të fundit… E njëjta shpërnjohje e ortodoksisë së sotme shqiptare vlen dhe për Mihal Gramenon. Në fakt, të rinjtë e sotëm ortodoksë, të cilët u rritën e u mëkuan me ortodoksinë e rishestuar të pasdiktaturës, dinë për dëshmorët e kishës shqiptare aq sa dinim ne, në vitet 80, për Faik Konicën e Gjergj Fishtën…

Ky injorim e kjo armiqësi e pushtetarëve kishtarë ndaj reformatorëve të krishterë, mbulohet e fshihet duke tejkujtuar Nolin, si një nga metodat më magjike për të pështjelluar trurin e manipuluar të shqiptarit të sotëm. Për sa i përket Petro Ninit, shqiptarët kurrë nuk e morën seriozisht, edhe pse ai kishte bërë gjithë atë luftë për shkollat shqipe, pa harruar një libër-testament për bashkëkohësit. Luarasi do të priste vetëm regjimin komunist që ta ngjallte e ta vlerësonte tjetër për tjetër, gjer në mit, ashtu siç na e predikojnë sot qarqet kombëtariste. Në të kundërt, kisha greke u mor shumë seriozisht me lëçitësin shqiptar, siç shquhet në enciklikun e cituar më sipër.

Përderisa kjo harresë e shtirë sot qëllimshëm mbi dëshmorët e kishës sonë kombëtare përcëllon shkaktarët kishtarë në Tiranë dhe në Boston, pyetja e mëposhtme është më pak provokuese: Përse ministri i qeverisë së parë shqiptare të kishte më tepër besim tek një institucion që i kishte abuzuar historikisht shqiptarët, siç ishte kisha greke, sesa tek një bashkëkohës që dha jetën për gjuhën shqipe, për integritet?

Mbas fjalëve helmëse të ministrit, disa të krishterë u përpoqën të ndërhynin në bisedë duke i thënë se jo vetëm që nuk iu interesonte mjekra dhe gërshteti i priftit të ri shqiptar nga Amerika, por përkundrazi, ishin të gëzuar që At Fan Noli më në fund kishte ardhur në Shqipëri. Nëse ministri e kishte hapur fjalën kundër Nolit thjesht për të matur pulsin e besimtarëve, domethënë për të respektuar ndjenjat e tyre përkushtuese ndaj Patrikanës, e cila atëherë konsiderohej si mëmë për shqiptarët ortodoksë, ai ishte i lirë tashmë ta kthente bisedën në favor të komunitetit ortodoks. Përkundrazi! Në vend që të arsyetonte, siç do të bënte çdo njeri i kultivuar, ministri vijoi të kumtojë për flokët e Nolit, e madje si në pije e sipër: “Më mirë të mos kishte ardhur se sa erdhi, se na turpëroi që s’ka mjekër! … Mjekra… Mjekra, vëllezër, është që u jep nur e bukuri priftërinjve tanë e jo dituria!… Sa para bën dituria e Fan Nolit kur nuk ka gërshet dhe mjekër?”[3]

Dogmatikoni i pleqërisë

A nuk është absurde që përfaqësuesi i një lëvizjeje të re, siç ishte qeveria e parë shqiptare, të gjykonte se dituria nuk pi ujë për shqiptarin? Është shumë befasuese kjo, sepse çdo lëvizje e re ka në zanafillën e saj prirjen për dije, për dritë, pavarësisht nga rrugëtimi që mund të marrë secila lëvizje në histori. Në mendësinë shqiptare, qysh në fillim, është ngulur një pykë që e pranon dijen vetëm kur është me masë, gjë që i hap dyert manipulimit të mendjes, i cili ky lulëzon pikërisht kur shqiptari nuk pranon të arsyetojë vetë, por ia beson këtë mister institucioneve dhe gjenive të kombit. Jo më kot në të folmen tonë të përditshme ekzistojnë shprehje se leximi të çmend, gjë që në kultura të tjera, madje dhe në atë greke, bindje të tilla nuk hahen kaq lehtë. 

Nëse pranojmë se pengesat më të mëdha për risimin e mendimit të sotëm shqiptar kanë të bëjnë edhe me pushtetin që ushtron institucioni i pleqërisë në kulturën shqiptare, ja të dëgjojmë ç’na thotë për këtë ministri ynë i 1912-ës: “Ne si pleq që jemi duhet të marrim masat e duhura, se të rinjve u pëlqen dhe gëzohen, pa u menduar që sjellin ftohtësirë në populli fedak”.[4] 

Ministri këmbëngulte se fajin e kishte mjekra dhe gërsheti, ose të paktën kështu hiqej në atë bisedë të turpshme kundër Fan Nolit, prandaj dhe Mihal Grameno në vijim ndërhyu dhe solli një argument, sipas arsyetimit të tij: “Rumania që është shtet ortodoks votoi një nom që të rrinë priftëria, si më të paqmë, me pak mjekër dhe leshrat qethur.”[5] Përse të mos t’i vlente ky fakt ministrit, qoftë dhe për të toleruar një opinion, duke ruajtur njëkohësisht bindjet e tij konservatore, aq më tepër kur Grameno ishte kaq i lexuar?

Për të hapur një kllapë këtu, nuk ka pse të habitemi pse shtetarët e pasdiktaturës nuk kanë këshilltarë të përshtatshëm mbi çështjet ortodokse, të cilët këta mund t’iu mbulonin gafat; në këto vite me plot mundësi për të mësuar! Siç duket, është shkruar që në krye për shtetin shqiptar, prandaj dhe ja përgjigjja e ministrit ndaj Mihal Gramenos, si një urdhëresë me nuanca vendore, të leshta: “Hesht, hesht! Se hymë në fund të dheut. Qysh do të bëjmë ne po të zemërohet Patrikana?”[6] 

Është shumë interesante kjo bisedë e vitit 1913, sepse nga njëra anë kemi përpjekjet e ndriçimtarëve për të reformuar kishën shqiptare - autoqefalia ishte reformë - përfaqësuar në këtë rast nga Fan Noli, Mihal Grameno, e të tjerë, qoftë dhe duke imituar kombet fqinje, e madje kur këta veprimtarë nuk njiheshin me njëri-tjetrin, dhe nga ana tjetër shohim të fuqishmit e vendit, të lidhur e të ndërlidhur mirë me shoshoq, të këmbëngulin kundër përparimit. Disa herë në atë bisedë kishte hapësirë që ministri të ndriçohej dhe të pajtohej me risimin, por ai qerthullohej në vetvete, duke psallur dogmatikonin e pleqërisë shqiptare.

Përderisa ministri kishte frikë se patrikana mund të zemërohej me autoritetet shqiptare, prandaj dhe nuk lëshonte pe në bisedë, Mihal Grameno u përpoq për herë të fundit: “Bëjmë sinodhin tonë autoqefal”. “Jo, jo - u hakërrua Ministri me një theks esëll tashmë, por duke ruajtur tiparet vendore në dialog - këtë nuk e bëjmë kurrë, po jazik për diturinë e Fan Nolit, se më përpara duhet të më shkruante mua, që të përkujdesesha ta dërgoja në ndonjë manastir, ku të qëndronte gjersa t’i rriteshin gërsheti dhe mjekra!”[7] 

Brishtësia e ndriçimtarëve, padituria e popullit të shkretë, cektina e politikanëve dhe përkushtimi i tyre për të mbrojtur interesat klanore, bënë që shqiptarët ortodoksë të vijojnë nën përdëllimet e kishës greke deri në vitet 1920. Ministri shqiptar e arriti atë që deshi në takimin që thirri me ortodoksët: U vendos që ai të emëronte një komision, i cili t’i kërkonte Fan Nolit të futej në një manastir derisa t’i rritej mjekra dhe gërsheti! Jo vetëm që kjo u tha e u bë, por u konsiderua si mençuri e madhe, siç e dëshmon Mihal Grameno: “Ashkosun! … ashkosun … të qoftë, zoti Pogë - i thanë ca nga honxho-bonxhot, - se me mëndjen e lartë që ke, për Perëndi shkon dhe një kadi!”[8]

Presidenti ynë biblik

Kjo histori që sollëm nga trashëgimia jonë kulturore, ka raste kur na tingëllon e ditës edhe në përvojën e sotme shqiptare, pavarësisht se kumtuesit në fjalë përpiqen të na lënë mbresat e hijerëndit. Le të mos shkojmë larg por të kujtojmë fjalën e Presidentit në Oksford vitin e kaluar, pezmi i së cilës nuk është zbutur ende. Duke u përpjekur për diçka të mbarë, për të krijuar një imazh të lakmuar tonin tek jo shqiptarët - ose të paktën kështu duam të besojmë ne - zoti Moisiu, përkundrazi, e zgjoi “tolerancën fetare” të shqiptarëve, duke dëshmuar jo vetëm naivitetin e ligjërimit patriotik në përvojën e pasdiktaturës, por dhe cilësinë intelektuale të të parëve të shtetit, njësimin e tyre me ultësirat e mendimit shqiptar sot. Për më keq, për t’i dhënë kumtesës plotëri, Presidenti kumtoi se lashtësia e ungjillëzimit të shqiptarëve nuk ka se pse të dalë nga burime të mirëfillta/shkencore, por kjo u dëshmoka fare mirë tek përkthimi i Biblës anglisht [???], madje tek versioni King James [!!!].[9]  

Ky vetëpërshkrim i zotit Moisiu, me të cilin nënqeshi Oksfordi, nuk u komentua nga asnjë gazetë, sepse në mendimtarinë e sotme shqiptare diçka e tillë nuk konsiderohet gafë. Në fakt, kjo është më e fortë se ajo që vuri Noli në gojën e Iljas Vrionit, për të shpotitur injorancën e politikanëve shqiptarë, por dhe kapadaillëkun tyre: “Kështu tha dhe Ksenofoni”,[10] për Napolon Bonopartin, në një kohë kur Ksefononi jetoi rreth 20 shekuj para Napolonit… Në çastin kur këshilltari i Presidentit kopjoi diçka të tillë, hedhur më parë në shtyp nga amatorët shqiptarë të studimeve biblike, çfarë e bëri arsyetimin vetë zoti Moisiu?  

Mbreti anglez që na ngjalli së vdekurish kreu i shtetit shqiptar, ishte ai që botoi përkthimin e Biblës në anglishte, i quajtur sot King James Version, i cili përkthim është gjuhësisht i famshëm, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të hutohemi e ta përdorim tjetër për tjetër. Nëse Presidenti ka dëshirë t’i referohet Biblës, për qëllime ndërdisiplinimi, sepse ishte në Oksford, a për rrëfimtari, sepse ishte në Perëndim, ai le të citojë duke shënuar emrin e aksh libri të Biblës, numrat e kapitullit dhe të vargut në fjalë, siç do të bënte edhe një fillestar në letrat perëndimore e lindore, gjë që do të mbronte dinjitetin e tij dhe tonin.  

Edhe sikur Presidentit t’i lindë zelli të bëjë debat filologjik mbi përkthimet biblike në anglishte, tej e përtej asaj që deshte të thoshte këtë herë, ai nuk mund të mbështetet tek versioni King James dhe vetëm atje. Ai botim ka përdorim të kufizuar sot dhe vetëm pastoral, përderisa teologjikisht ajo vepër filologjike angleze është rrëzuar qyshkur e zëvendësuar me rreth 40 përkthime/versione të tjera të Biblës në anglishte. Përkthimet e shumta anglisht nuk kanë vetëm synim përshtatjen gjuhësore me brezat dhe larminë e klasave leximore; as kryhen vetëm për t’u çliruar nga puritanizmi i versionit King James. Përkthimet e Biblës në anglishte lindën fillimisht për të ndrequr pasaktësitë që dalin nga ai botim i vjetër i mbretit Xhejms, për të rivendosur ato vargje që nuk ekzistonin në tekstin greqisht që u përdor, a u keqpërdor, nga ai grup përkthyesish, në vitet 1600 (Gabimet ishin të pashmangshme për arsye të zbulimeve të dorëshkrimeve më autentike të Biblës, të cilat asokohe nuk ishin zbuluar ende).  

Por edhe sikur versioni King James të ishte përkthimi më i hyjfrymëzuar i Biblës, ç’lidhje ka kjo referencë e paqenë përkthimore me historiografinë e Ilirisë, e aq më tepër me diskursin e tolerancës ndërfetare? Mjerisht, nuk ka kurrfarë lidhjeje! Fare asnjë! Si ka mundësi atëherë, që të dhëna kaq elementare të shtijnë në kurthe kaq të mëdha të parët e Shqipërisë? Ndoshta ngaqë ne, të mëdhenj e të vegjël, jemi mëkuar në një kulturë që mëton të bëjë stuhi në një gotë uji…  

Presidenti ynë tingëllon sot biblik, jo se është i interesuar në studimet a mësimet biblike, por se ndërhyrjet e tij publike po sjellin pasoja të hidhura për këtë periudhë kalimtarie, pasoja si ato që përshkruhen në narrativën biblike mbi mosmarrëveshjet dhe përçarjen midis njerëzve. Dhe megjithatë, Presidenti nuk e përdori përkatësinë e tij të krishterë për t’iu kërkuar ndjesë myslimanëve, për injorimin që iu bëri bashkëgjakësve në kumtesën e tij të famshme. Përderisa aktualiteti shqiptar po dëshmon ende sot se reagimet e myslimanëve ishin më të besueshme se ligjërimi naiv i Presidentit, ku do të shfryjë një ditë zemërimi i atyre që janë lënduar, por që nuk janë shprehur ende? Komuniteti i krishterë është pakicë brenda shumicës myslimane në Shqipëri - e gjithnjë e më pakicë në vegimet e një gjeopolitike ballkanase – prandaj dhe ka shumë të ngjarë që Moisiu të shtrëngohet një ditë të mohojë pjesën e padobishme të shërbesës së Tij presidenciale.        

Shqipja e nëmur 

Gjer këtu ekziston kaq lëndë sa është e lehtë të krijohet një përshtypje tjetër për tjetër për Presidentin. Duke shfletuar faqen e Tij në Internet, veç, gjërat janë më ndryshe: Presidenti priti më 5 maj 2006 peshkop Nikon Liolinin e Bostonit, pasardhësin e peshkop Fan Nolit në atë fron. Ishte vizita e parë në Shqipëri në rang peshkopi për komunitetin shqiptaro-amerikan që nga viti 1965, atëherë kur Noli, tek po shuhej, dërgoi në Tiranë peshkopin e zgjedhur Stefan Lasko, i cili, mbasi u shugurua në Shqipëri, u kthye në Amerikë t’i kryente ritet e përmbivarrshme prelatit legjendar.   

Vizitë e rëndë, pra, kjo e imzot Nikonit, por vetëm se u bë vjedhurazi dhe për të cilën, përveç faqes së Presidencës, nuk shkroi asnjë gazetë shekullare në Shqipëri (Të paktën, asnjëra nga ato që ekzistojnë në Internet).[11] Në vitin 1965, përkundrazi, shtypi i Shqipërisë nuk e injoroi kështu peshkop Stefanin, edhe pse në një periudhë antifetare. Shumë pyetje lindën nga kjo vizitë e sotme: Qysh e përse Nikoni shkoi vjedhurazi në Shqipëri? Cilët dhe përse nuk e pranuan për takim? Përse takimet e tjera u mbajtën sekret? Përse njoftimi u publikua vetëm kur ky po përfundonte vizitën në Shqipëri? Përse në njoftimin kishtar të kancelarit kjo vizitë u quajt “gjysmëzyrtare”? Nëse Peshkopi i Komunitetit Shqiptar në SHBA nuk mund të bëjë vizitë zyrtare në Shqipëri, kush dhe kur mund ta bëjë një të tillë?  

Përderisa njoftimi kishtar përfundon me shtesën, sa të çuditshme aq dhe enigmatike, “vizita u sponsorizua nga Peshkopata Shqiptare”, kush tjetër mund ta sponsorizonte vizitën e peshkopit të saj? Apo kjo shkujdesje tekstuale dëshmon edhe ankthin për të formuluar lajme kaq të thjeshta, për të fshehur abuzimet me paratë e Kishës, me të cilat përmbarohen aktivitetet politike të fisit të Liolinëve? Përderisa vizita ishte gjysmëzyrtare, a nuk duhet që Peshkopata të paguante vetëm gjysmën e shpenzimeve? A nuk duhet që gjysmën tjetër ta paguante vetë imzot Liolini, i cili merr nga shqiptarët një rrogë disa herë më të madhe se mesatarja e rrogës amerikane? Të gjitha këto pyetje, pra, dhe disa të tjera, nuk janë shpërfillëse, prandaj dhe do të meritonin një shkrim më vete.    

Në bisedën e Presidentit me Peshkopin, mundësuar vetëm me përkthyes, a nuk është absurde që peshkopi shqiptaro-amerikan të mos flasë fare shqip, ndryshe nga peshkopët greko-amerikanë, dhe ndryshe nga peshkopët e komuniteteve të tjera ortodokse në Amerikë? E për më keq, kur ky peshkop që s’di shqip, të mos ketë studiuar as teologji?!  

Margaritari i bisedës ishte kërkesa e Presidentit që imzot Liolini të nxisë shqiptaro-amerikanët të investojnë në Shqipëri! Pema e atij takimi ishte premtimi i peshkop Nikonit se do t’ua bëjë këtë sugjerim shqiptaro-amerikanëve! Patjetër! Presidenti e falënderoi pastaj peshkopin për “ndihmën” që diaspora u jep emigrantëve, në një kohë kur peshkopi dhe fisi i tij e merr rrogën pikërisht nga besimtarët, shumica e të cilëve janë të ardhur këto vite nga Shqipëria. Kush ndihmon kë, atëherë?  

Më tutje, Presidenti falënderoi peshkopin për “unifikimin” shpirtëror të diasporës, në një kohë kur fisi i Liolinëve, jo vetëm që kundërshtoi kërkesën e komunitetit ortodoks të Kanadasë për t’u bashkuar (unifikuar) me peshkopatën shqiptare të Amerikës, por bëri luftë të hapur, derisa misionet e Torontos dhe të Montrealit u mbyllën. A ishte mbyllja e kishave tona kushti i kryepeshkopit Anastasios për të pranuar për takim e meshë në Tiranë peshkop Nikonin? Përderisa këta tre vjet imzot Janullatosi e kundërshtonte vizitën e Nikonit në Shqipëri, gjë që nuk është mbajtur kurrë e fshehtë, cili tjetër ishte shkaku mohimtar?[12] 

E ardhmja do të tregojë se fisi i Liolinëve e shfisi Peshkopatën Shqiptare. Familja e Liolinëve e degradoi peshkopatën, duke e renditur në titull mbas peshkopatës ruso-amerikane të New England-it, duke pritur tashmë shkrirjen e saj. Kjo ndodhi sepse rroga e komunitetit shqiptar nuk është e mjaftueshme për dy vëllezërit, të cilët është e pamundur t’i përfytyrosh jashtë konfiguracionit të sotëm të shqiptarëve. Kush bashkon kë, atëherë?  Ku është parë peshkop me dy peshkopata?

Ku është parë peshkopatë me gjysmë peshkopi, si ajo e shqiptarëve të Amerikës? Ku është parë peshkopatë ku peshkopi dhe kancelari të jenë vëllezër? (Është njësoj sikur një ministër dhe një zëvendësministër, i së njëjtës ministri, të jenë vëllezër). Ku është parë pastaj peshkop, sot në vitet 2000, pa diplomë teologjie? Ku ekziston sot peshkop që nuk flet gjuhën e grigjës? Ku është parë peshkop duhanpirës? Apo se Hirësia kërkon të na bindë për shqiptarinë e Tij me çibuk? Në të kundërt, peshkopi duhet të mësojë pak shqip, siç mësoi edhe imzot Janullatos, i cili madje ishte më i madh në moshë dhe më pak i ngeshëm se ai.  

Presidenti, pra, përdori institucionin e epërm të Shqipërisë për të bekuar nepotizmin dhe korrupsionin në administrimin e kishave shqiptaro-amerikane. Më në fund të takimit me Peshkopin, zoti Moisiu vlerësoi “ndjenjat kombëtare” të shqiptaroidëve… Por si mund të ketë ndjenja kombëtare pa gjuhë shqipe në Kishë? Çfarë ironie, o Shkëlqesi! Çfarë fati!    

Përderisa Presidentin e kemi kaq babaxhan e patriot, siç birbiloi në Oksford dhe ua këndoi këngën myslimanëve, a nuk pritej që një personalitet i tillë, i pandërlikuar, të interesohej tanimë për përdorimin e gjuhës shqipe në kishat shqiptaro-amerikane? Ç’u bë leshtësia e Tij? Shqipja ndalohet sot në Amerikën e Veriut jo nga grekët, por pikërisht nga fisi i Liolinëve, i cili ka zaptuar pronat shqiptare dhe i administron ato fare privatisht, me mbështetjen e shtetit shqiptar dhe të klaneve myslimane shqiptare. E madje për të cilën gjuhë të nëmur shqipe Presidenti ka të drejtë të flasë, pa tingëlluar aspak i politizuar. A nuk mbetet ruajtja e shqipes lidhja më e fortë e diasporës me Shqipërinë? Nëse krahasojmë kumtesën e Oksfordit, me këtë bisedë të Presidentit, duket sikur nuk është i njëjti folës…  

Në mendësinë e pasdiktaturës, edhe kur ftillohen çështjet, prapëseprapë, ekziston tendenca për të bërë të pamundurën të mundur që gafa të mos besohet gafë dhe mashtrimi të mos besohet mashtrim. A është kjo një shtrëngesë solidarizimi për të shtirë harresë në vetë gafat, mashtrimet dhe vetëmashtrimet e tyre, apo se në lëmin e fesë është e natyrshme që shqiptarët të rrëshqasin vazhdimisht? Apo se patriotëve iu bëhen hallall të gjitha? Apo se tinëzia është pjesë e traditës sonë? A mund të vendoset sot një cak kohor, se deri kur një mendësi e tillë, e leshtë, do të konsiderohet pjesë e virtytësisë shqiptare? Nëse ka një ndryshim midis ministrit të 1912-ës, në takimin me Mihal Gramenon, dhe të presidentit të sotëm, në kumtesën e Oksfordit e në takimin me Liolinët, ky ndryshim nuk ka fuqi të kapërcejë zgripin e numrave.

[Foti Cici, 2006]         


[1] Mihal Grameno, “Mjekraxhinjtë”, Koha, 1916. Cituar nga Mihal Grameno: Vepra 2, Prishtinë 1979, f. 318 (Lëmimet në gjuhë janë të botimit kosovar).
[2] “Shkishërimi i Petro Luarasit nga mitropoliti i Kosturit, Filáretos”, 20 shtator 1892 . Cituar nga versioni greqisht i Petro Luarasit, Qortimi i letrave shqipe dhe apologjia e shqiptarit (Πέτρος Ν. Λιουαράσης, Επιτίμιον των Αλβανικών Γραμμάτων και η απολογία του Αλβανού), Manastir, 1911, f. 79 (ShqiptarOrtodoks.com/Kisha Ortodokse Shqiptar/Petro Luarasi)
[3] Mihal Grameno, “Mjekraxhinjtë”, Vepra 2, f. 319.
[4] Po aty.
[5] Po aty.
[6] Po aty.
[7] Po aty.
[8] Po aty, f. 320.
[9] Madje Presidenti e tha në një mënyrë më ekspozuese: “Sipas Veprave të Apostujve, duke përfshirë edhe tekstin “King James version” të Biblës, predikuesi i parë i krishtërimit në botën ilirike proto-shqiptare ka qenë Shën Pali, kurse në Dardani - Kosova e sotme - ka predikuar Shën Mateu. Ajo pjesë e shqiptarëve që nuk u islamizua ka në traditën e vet jo 15 shekuj krishtërim, por 2000 vjet krishtërim.” Alfred Moisiu, “Toleranca ndërfetare në traditën e popullit shqiptar”, 9 nëntor 2005 (Cituar nga www.president.al).
[10] Fan S. Noli, “Kënga e Salep-Sulltanit”, Albumi, 1948, f. 47.
[11] Një muaj mbas vizitës së peshkop Nikonit në Shqipëri, shkroi gazeta e Kryepeshkopatës së Tiranës, ku peshkop Nikoni prezantohet atje si “vëlla i Episkop Liolinit” (???), në një kohë kur at Arthur Liolin nuk është peshkop, por prift, e madje i martuar. Kjo ishte arsyeja që nuk u bë ai peshkop, por vëllai i tij, pikërisht se Nikoni ishte vejan. Duke quajtur “peshkop” vëllain e peshkopit, nuk është vetëm cinizëm për bashkëshorten e at Liolinit, e cila rron dhe nuk dihet se kë do të thërrasë Zoti më parë, as vetëm tallje për profilin e pandërlikuar të peshkop Nikonit, i cili funksionon si instrument i të vëllait, por kjo tregon se deri ku ka rrëshqitur morali i dërgatës greke. Kryepeshkopi, duke ditur sëmundjen e at Liolinit për pushtet, i cili ky e mbajti peshkopatën për njëzet vjet pa peshkop, me shpresë se do të bëhej vetë, bën lojë mendore në të gjitha drejtimet… Shih Ngjallja, Qershor 2006, f. 9 (www.orthodoxalbania.org/Lajmet dhe botimet).
[12] Në mbledhjen e Sinodit të Kishës Ortodokse në Amerikë (Orthodox Church in America – OCA), peshkop Nikoni, në vend që të fliste për problemet kishtare të Peshkopatës, siç bënë peshkopët e tjerë, e nisi me “turtullin” e kaq a aq mrekullive të misionit grek në Shqipëri, madje duke çaprashitur: “Bishop Nikon reported on his recent visit to the Autocephalous Orthodox Church in Albania. He noted the progress made there since the fall of Communism. A seminary is built. Programs to aid the needy are established, and charitable work among all needy Albanians, not just to the Orthodox or Christian communities. Women’s monasteries are being developed. Cathedrals are being built and various parish and monastery buildings are being built while others, destroyed or damaged during the Communist era are being restored for use.” Minutes of the 2006 spring session of the Holy Synod of Bishops of The Orthodox Church in America, www.oca.org, 25 maj 2006. 
 

Gjurmë në palimpsestin shqiptar

Nuk dihet se çfarë kishin parashikuar etërit e kombit tonë për situatën e sotme të Shqipërisë, sepse para një qindvjeçari doktrinat kulturore nuk ushqenin përshkrime të sinqerta, sesa luftë të sinqertë, pavarësisht nga mjetet e përdorura. Sidoqoftë, tej lumërimeve e vajeve të rilindasve tanë, dimë mirë se duke filluar në vitet 1900 e këtej, në palimpsestin shqiptar janë fshirë e rishkruar shumë, me të djathtën e me të majtën. Ndërsa lëvrimi për të konceptuar imagjinaren shqiptare vazhdon ende sot përmes ideologjisë kombëtariste dhe estetikës, aftësimi ynë për të lexuar të shkuarën është çështje ndriçimi e ndërdisiplinimi, duke mëtuar pastaj fuqi për të rezistuar dhimbjen që shkakton ndërgjegjësimi si lëngatë: Gjyqi me vetveten dhe mërgimi pa nostalgji nga mbizotërimet shqiptare.

Mbas një provimi të tillë, i vështirë dhe i gjatë ky, vjen të pajtuarit me një botë krejt fisnike, por e çuditshme për të shumtët, në mos harbute për të tjerët. Këtej, nga ky realitet që nxjerr jashtë frikën, burojnë guximi për të folur, a për të heshtur, vetëveçimi i imponuar, a i zgjedhur, dhe rrezikimi për të fituar, a për të humbur. Këtej del dhe vetëflijimi i pabujshëm, i cili për herë të parë shfaqet në kulturën tonë jashtë dialektikës dhe shoqërisë së heronjve. Një qytetar i tillë lufton për integritet, por jo për pacënueshmëri, krijon miqësi të sinqerta, por jo të përjetshme, pranon vlera, por jo idhuj, dhe punon për shqiptarin si njeri, e jo si qenie jashtëtokësore. Një intelektual i tillë e lexon më mirë të kaluarën e kombit të tij, sepse nuk i nënshtrohet opinionit kolektivist të shumicës.

Trysnia shqiptare e tejet që ushtrohet sot ndaj intelektualëve tanë në këto shtrëngesa ideologjike - “Kështu duhet lexuar e kaluara!” - shkakton përshkrime të shtirura në mendimtarinë tonë, duke i lënë brezit tjetër, si trashëgimi, mugëtirën. Kur përpiqemi të lexojmë sfondin e përbashkët shqiptar, nuk mund të fshehim drojën se kjo histori, nëse ekzistonte kaq e thjeshtëzuar e kaq romantike, siç na a paraqesin të parët e letrave shqipe sot, do të ishte e paqenë. 

Ndërdisiplinimi i dijes

Mendimtaria jonë zyrtare është mëkuar jashtë ndërdisiplinimit të dijes bashkëkohore, prandaj dhe kaq e zhytur në vetvete. Përderisa është pranuar nga politikanët sot, sa djathtas e majtas, se “nuk dinim nga punët e fesë, prandaj dhe gabuam”, nuk është e dobishme të përflasim padijen e tyre ndërkulturore, atje ku përfshihet dhe feja. Nga ana tjetër, nuk mund të mos shquajmë neveritjen e shumicës së intelektualëve tanë ndaj përqasjes ndërdisiplinore në kulturën shqiptare; pamundësinë, pra, për të lexuar palimpsestin vendor.

Duke përjashtuar përmasat kulturore të realiteteve trifetare në letrat shqipe, janë bërë shumë të këqija: Së pari, jofetarët mbeten vetë në padije, sado të zgjuar e të shquar qofshin, aq sa kur fuqitë e fetarëve punojnë për ndrydhjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë së sotme shqiptare, për mbytjen e risimit, për shkelmimin e atyre që mendojnë e jetojnë ndryshe, për shkeljen e integritetit, pra, kjo thjesht iu rrëshqet; së dyti, komunitetet fetare çohen në një vetëveçim që ushqen mungesën e vetëkontrollit të tyre, siç ndodh me Janullatosin dhe Liolinët, ku lulëzojnë bizantinizmi e nepotizmi, përkatësisht, me bekimet e Lindjes e të Perëndimit; e të tjera plot të këqija.  

Mungesa e kisharëve shqiptarë për të krijuar një zgjua të ortodoksisë shqipfolëse, të paktën në Amerikë, nuk gjen ngushëllim as tek e kaluara, përderisa para lëvizjes për autoqefali shqiptarët ortodoksë njimtoheshin, sesa realizoheshin, midis grekësisë dhe shqiptarësisë, gjë që e ka bërë shumë të vështirë t’i shquash ata në historinë e mëparshme të ortodoksisë; përveç atyre pak të ndriçuarve. Këtu nisin e nuk mbarojnë spekullimet. Në fakt, një nga punët më të ndëshkuara sot është të hulumtosh e të shkruash për shqiptarët ortodoksë para viteve 1900. Sido që të krihet një trajtesë e atillë, kredibiliteti i parashtrimit vështirë të kapërcejë receptimet folklorike nga opinioni i sotëm shqiptar, a rrëzimin, në mos krejt shpërnjohjen nga ai jo shqiptar.

Problemi ortodoks i shqiptarëve mund të dilte edhe kështu: Shqiptarizimi i ortodoksëve nuk pati rrethana e kohë të mjaftueshme të krijojë një pozitë të ngurtë kulturore në Ballkan. Në ditët më të mira u keqpërdor për të shuar ethet e kombëtarizmit, ndërsa në ditët më të këqija u përdor njësoj për të përdhunuar arritje të barasdenja në historinë e krishtërimit shqiptar. Mbas një vlerësimi të tillë, abuzimet ndaj nesh janë çështje kohe e mëshire…

Për të dalë nga padija fetare që na u imponua nga diktatura antifetare për breza me radhë, do të ishte kurth të mjaftohemi vetëm me dëshirat e misionarëve. Më çoroditëse do të ishte të nginjemi me gjysmëdijen e rrëmujës së sotme në shtypin shqiptar, atje ku mbizotëron në gjithë madhështinë e saj “feja” e enciklopedizmit. Në të kundërt të këtij imazhi zotërues të cektinës, bota shqiptare ka nevojë të ngutshme për njerëz me dije të mirëfillta edhe në fe, ashtu siç ekzistojnë edhe në shtetet fqinje, por ashtu siç i kemi edhe vetë ne në fusha të tjera.

Përvoja ortodokse e pasdiktaturës e provoi këtë mungesë më shumë se komunitetet e tjera. Nuk flasim për mungesa në drejtimin e kishës, gjë që ishte pasojë e kompleksitetit të fenomenit shqiptaro-grek, por mungesa në studiues e këshilltarë me dije të mirëfillta në ortodoksí, gjë që do të pengonte përjetësimin e së keqes. Për të parandaluar përsëritjen a përkeqësimin e këtyre dukurive në të ardhmen, por dhe për të mësuar nga përvoja akademike në Perëndim, studimi i religjioneve mund të bëhet dhe nga jashtë tyre, në një nivel shekullar/universitar, në lëmin e studimeve religjioze, jo me domosdo teologjike, pavarësisht nga përvoja e sotme arsimore në Shqipëri dhe në Greqi.

Le t’i studiojmë religjionet e vjetra e të reja në Shqipëri - historinë dhe doktrinat e tyre, tekstualitetin dhe përmasat kulturore - për synime ndërdisiplinimi, por dhe për të fytyruar një trajtë më bindëse për tolerancën ndërfetare të shqiptarëve; për një integrim më pak të dhimbshëm.   

Profeti i mbramë Gejxh

Orvajtja për të lexuar të kaluarën tonë ndërfetare bëhet edhe më dështake kur vetë gjeneza e shqiptarëve mbetet ende e paftilluar në letra - vështirësia për të shquar të lashtët tanë. Për sa i përket pastaj zanafillës së komunitetit ortodoks në Shqipëri, mohimet nuk ndërsillen nga albanologët tashmë, por nga shqiptarët jo ortodoksë. Integriteti i komunitetit ortodoks vazhdon të jetë në mëshirë të këtyre dy fuqive: Në njërin skaj është mendimtaria e atjembetur greke, e cila është e tillë sepse ngulmon e njëtrajtshme dhe e papenduar për sa i përket çështjes shqiptare ortodokse, ndërsa në skajin tjetër kemi prapaskenat e klaneve myslimane shqiptare, të cilat përfshihen herë në luftë e herë në aleanca me qarqet greke, por duke parakaluar në paraskenë gjithmonë me marshe trifetare. 

Grekët ortodoksë e mohojnë shqiptarinë tonë duke spekulluar me doktrinat e sotme perëndimore mbi të drejtat e pakicave. I mëshojnë referencës së shquar të minoritarëve, gjë që gëzon interesa përfshirjeje e lojtarie nga fuqi të treta, tejkaluese: Mirë se vini, zoti Gejxh! Në botën shqiptare, ai që vjen i dërguar, e gjen gjithmonë shtruar! Është mu këtu ku palimpsesti shqiptar përmbyset “përkohësisht”, për hir të imagjinares helene. Depërtojnë e mundin rrjedhimisht grekët të hegjemonizojnë sot komunitetin ortodoks, të paktën, i cili komunitet nuk kishte zgjidhje më të mirë për vetëqeverisjen e tij në një epokë kalimtarie. Kështu lexohet kjo në sytë e përhumbur të shqiptarëve ortodoksë, në shumicën e tyre, pavarësisht nga kthjelltësia e opinioneve të kundërt të pakicës ortodokse, atje ku s’jam penduar të përkas.

Le të kujtojmë për besëpakët, se edhe lëvizja për kombëtarizimin e ortodoksëve shqipfolës nisi si një pakicë e papërfillshme, e keqkuptuar, e keqtrajtuar dhe madje e përndjekur nga të dy skajet, prandaj dhe me kaq viktima e dëshmorë, por këmbënguli me guxim e ndriçim për të ndërgjegjësuar turmat që manipuloheshin nga kisha bizantine greke dhe nga administratorët myslimanë shqiptarë. Sidoqoftë, ato gra e burra të asaj lëvizjeje reformuese ortodokse, prej të cilëve më të shumtëve nuk iu dimë as emrat - sepse periudha e Pavarësisë ishte epoka e gjëmëmëdhenjve - janë gjegjësit e kristaltë të integritetit.  

Gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit, nëse vëzhgojmë nga brenda e nga jashtë botës ortodokse, duket se fuqitë greke mundën të bashkëpunojnë, të bashkërendohen, të lënë për më vonë opinionet rrezikuese e përçarjen brendagreke, dhe të jenë të njëzëshëm për problemin tonë, prandaj dhe kaq të suksesshëm ndër shqiptarë. Kur vjen puna tek ne, pra, qarqet greke bashkohen e përdorin të njëjtin fjalës, të njëjtën terminologji, që nga e djathta e deri tek e majta fare. Madje dhe ekstremet e djathta greke e kanë rrokur thelbin dhe nuk flasin më kundër misionit grek në Tiranë, siç pështjelloheshin vitet e para.

Ndërsa disa klane myslimane shqiptare, në të kundërt, kanë qenë dhe janë të parët në luftën kundër atyre shqiptarëve ortodoksë që rrezikojnë mirëfilltas pozitën e dërgatës greke në Tiranë. Për të manipuluar opinionin shqiptar, këta të paftuar sjellin në të qenë personazhe nominalë ortodoksë, duke paraqitur me këto investime një alternativë kusarie në ortodoksinë shqiptare, ashtu siç e duan jo vetëm fuqitë jo ortodokse, për përkryerje bashkëveprimi, por edhe ato greke, për përmbushje të profecive jugore; “për të shpëtuar ortodoksët”.

Myslimanët shfaqen e përfshihen në komunitetin ortodoks me petkun e ateizmit, me dorezat e shqiptarizmës, me epshet e kombëtarizmit, duke lundruar midis laicitetit, tymnajës së pasdiktaturës, por dhe nevojtarisë së patriotëve të sotëm, brenda e jashtë thonjëzave, të cilët ndërsehen sa herë që kërkohet. Vërtetohet kështu tërheqja e mendimtarëve të pasdiktaturës, në shumicën e tyre, për të lexuar palimpsestin vendor, pamundësinë për të vëzhguar ngjyrat që kthehen në vija të shumëfishta midis klasave spirituale shqiptare.

E mbas gjithë kësaj, na bren tash kërshëria: Çfarë tha profeti i mbramë Gejxh gjatë ardhjes së fundit në Tiranë? “Profet” do të thotë në shqipe “parathënës”, ai që i thotë ngjarjet para se të ndodhin. Profetëve nuk iu intereson zhurma e publiciteti, sepse të tillët rendin e flasin me mënyra anësore, duke i ushqyer shumicës ndjesinë e indiferencës ndaj profileve të thukëta… “Ata që kanë veshë për të dëgjuar, le të dëgjojnë”, tha.

Vonesa për t’u shpenguar

Kur themi “komuniteti ortodoks”, nuk është vetëm Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, edhe nëse i shtojmë a i heqim KOASH-it kishat emërshqiptare të Amerikës, por të gjithë këta dhe ata që kanë marrë dikur diçka nga ortodoksia. Kjo marrje, pavarësisht nga trazimi i jetës, dëshmohet jo vetëm në shenja që dallojnë skuta intime të trupit a të shpirtit shqiptar, por dhe në dëshmi më të zëshme, siç janë sytë, mimika, pasthirrmat, gulçimat dhe shpërthimet më të shpenguara emocionale; ato që përcaktojnë përshtypjet dhe jetëgjatësinë e ndjenjave në kontaktin e përditshëm brendashqiptar. Pjesëmarrja në ortodoksinë shqiptare dëshmohet edhe në përzgjedhjet sociale, si përafrimi e bashkëjetimi ndërpersonal, përzierja e përditshme afatshkurtër, vendimet civile afatgjata të qytetarëve, etj; ato që fytyrojnë shqiptarinë, sidomos kur kjo e fundit kundrohet nga jashtë.

Kategorizimi me këta terma në traditën shqiptare ortodokse, e cila, siç u ftillua gjer këtu, përbëhet jo vetëm nga religjioni e fetarët por dhe nga gjithë pjesëmarrësit e aspekteve kulturore të fesë në fjalë, paralajmëron se nuk ka vija ndarëse gjatë diskursit fetar në Shqipëri, sesa zbehje a ndezje të ngjyrave të trashëguara. Po gjetkë, çfarë ndodh?

Është më e lehtë të hasësh një ortodoks që publikisht shtrëngohet të thotë se “unë kam prindët ortodoksë, por vetë nuk jam ortodoks”, sesa një katolik, për shembull. Të paktën unë vetë nuk kam dëgjuar asnjë shqiptar të traditës katolike që të mohojë përkatësinë e tij fetare, pavarësisht nga cilësia dhe interesimi i tyre tempullor.

Shumica e shqiptarëve myslimanë [myslimanët e Shqipërisë], ndryshe nga katolikët, kanë drojë ta pohojnë traditën e tyre, madje druhen më tepër edhe nga ortodoksët, për shkak të dhunës psikologjike që, mjerisht, ushtrohet sot gjithandej ndaj besimit islamik. Sidoqoftë, në çaste shpërthyese ata shpengohen, siç ndodhi me incidentin e Nepravishtës, kur u nxituan e thanë se banorët e atij fshati “janë myslimanë, jo minoritarë”, për të bërë sa më të besueshme shqiptarinë e banorëve. Por kur u riciklua sendërgjia fqinje, të njëjtat klane dolën në të përditshmet e Tiranës, me gjakftohtësi tashmë, për të na zhbindur se “banorët e Nepravishtës gabimisht u quajtën myslimanë, sepse ata janë shqiptarë”, në një kohë që cilësimit të tyre fillestar nuk i mungonte asgjë. Në këtë rend moral që hijeshon jugun e Shqipërisë, a kishte më bindëse dëshmi se e para?

Trysnia jashtëshqiptare ka shtuar komplekse në komplekset tona, sepse ka shtirë drojë në të rrëfyerit publik, sidomos te përkatësia fetare, duke ngjizur kategorizime që ushqejnë, më së paku ndër të këqija, diskriminimin e shumë shqiptarëve - Për myslimanët, së pari, dhe për ortodoksët, së dyti. Kjo ndodh në një kohë kur problemi më i madh i brezit tonë, domethënë beteja jonë për t’u integruar me realitete të lakmuara, ngec më së shumti në këtë pikë, te komplekset grupore, tek ngulmi e qerthullimi rreth vetvetes, tek pushteti i shprehive, tek apatia, tek mospajtimi me pasionet dhe tendencat që na tejkalojnë, tek vrenjtja e përdhunshme e shpirtit, tek pleqëria e parakohshme, tek dorëzimi ndaj vdekjes, tek pamundësia për të mohuar pjesën e sëmurë të kulturës shqiptare; tek ngadalësia, pra, për t’u shpenguar. 

Sfida e dashurisë për shqiptarin

E vërteta se shumica shqiptare është myslimane nuk ka pse të fshihet, pavarësisht nga kompleksi ynë grupor. Droja për ta pranuar këtë fakt është vendore. I ngjan përkujdesjes shqiptare për t’i fshehur botës turpin e pragut të shtëpisë, edhe kur një trajtë e atillë nuk mund të fshihet sepse vetëshquhet që së largu. Përderisa është kështu, domethënë se myslimanët janë shumicë në Shqipëri, e shumë më tepër në plotërinë e botës shqiptare, ne të krishterët nuk kemi pse të biem në kurthe të tilla dhe të vëmë në dyshim përpjestimet e paradhëna ndërfetare. Kjo është kryefund lojë! E çuditshme është se të gjithë e dinë të vërtetën, madje e pasurojnë paq kur ulen kokë më kokë me njëri-tjetrin, por vetëm se botërisht e shkelin atë, për t’iu kënduar himne, për t’iu bërë blatime e për t’iu ofruar flijime hyjnive të Realizmit Socialist.

Le t’i themi gjërat ashtu siç janë: Nuk jemi vetëm pjesëtarë të një kulture kryesisht myslimane, gjë që na mbërthen dyfish, në mos shumëfish, midis Lindjes e Perëndimit, me gjithë ato pasoja pozitive e negative, por jemi qytetarë të një shteti anëtar në konferencën e përbotshme islamike, gjë që për ne të krishterët e ka vështirësuar debatin. Këto dy të vërteta - pozita e shumëfishtë midis, dhe anëtarësia mu në mëmë të atij qytetërimi Tjetër - nuk pësojnë tëhuajtje nga asnjë statistikë e sotme, e, për më pak, nga asnjë çapraz demagogjik. Nëse jemi mohorë në këto fakte, nga njëra anë shkelim integritetin e myslimanëve shqiptarë, madje duke i provokuar ata, ndërsa nga ana tjetër krijojmë përshtypjen se Shqipëria është toka e premtuar për të krishterët. Sidoqoftë, kur i mohon dikujt të qenit, qoftë dhe duke e ledhatuar, kjo mund të jetë gjithçka, përveçse dashuri ndaj myslimanëve shqiptarë.    

Në këtë perspektivë të menduari e të qëndruari drejt, nuk është fare ekzagjeruese të themi se çdo religjion shqiptar ka kulturorisht dhe një “nënreligjion”, atje ku hyjnë sa herë që kërkohet ateistët, përndryshe të vetëshpallur: Janë të fjeturit e gjallë të asaj tradite, të cilët zgjohen e bashkëveprojnë në rrethana emocionale, siç u shfaq bam vitin e fundit, mbas kumtesës së famshme të Presidentit në Angli. Kjo mund të pranohet më lehtë nëse e shohim si pikë përbashkësie me fqinjët jugorë. Sipas statistikave të sotme, shumica dërrmuese e grekëve nuk shkon fare në kishë, as i ruan ritet e traditës së tyre, por ama është përkatësia ortodokse ajo që i bashkon fqinjët jugorë, e jo doktrinat perëndimore me të cilat intelektualët e tyre shekullarizuan jetën greke. Edhe në ortodoksinë e Greqisë ekzistojnë të njëjtat trajta përkatësie, besimtarët dhe jo besimtarët, por përderisa sot nuk ka shkaqe ndërkombëtare ndaj doktrinës së krishtërimit ortodoks, grekët nuk e mohojnë përkatësinë e tyre tradicionale botërisht, ndryshe nga barasvlerësit e tyre të shumicës në Shqipëri.

Në një shoqëri shqiptare që heq me supe në krizë identitare, e jo në krizë fetare, institucionet shekullare nuk na ndihmojnë dot. Sa për institucionet fetare të traditës, e ardhmja do të jetë gjykatës i drejtë, sepse ne të gjallët shquam shpesh thellimin e humnerës morale ndër shqiptarë. Është pikërisht kjo e keqe që sjell edhe të tjera, sidomos kur tensionet martohen, duke e bërë të pamundur fshehjen e tyre për jo shqiptarët. Për një botë kaq të ndërlikuar, por dhe kaq të vogël si shqiptarja, ndërkombëtarët do t’i ofrojnë Perëndimit, më së pari, përshkrimin e incidenteve më të zëshme, ato që tingëllojnë më interesante për veshët e tyre, siç janë ngjarjet ndërfetare, dhe jo gërmimin e ndërgjegjjes arbërore, e cila mbetet goxha punë për ne shqipot, por jo për ata përtej.   

Nëse çlirohemi nga trysnitë brenda e tejet nesh, nëse denjojmë të zbresim nga qiejt e imagjinatës së heterotopive, atje ku na ngjiti ëmbëlsisht Realizmi Socialist, dhe ulemi këtu, në truallin e vrazhdë të këtij realiteti ballkanas, për të lexuar palimpsestin shqiptar, do të tronditemi, por nuk do të turpërohemi. Ky brez ka nevojë për një lexim të paanshëm të sfondit shqiptar, për një lexim të mirëfilltë, tej vizatimeve të sotme evropianiste, mbi këtë libër paraevropian e kaq të dëmtuar, dhe tej zhgarravinave të djeshme nacionalkomuniste. Estetizimi i historisë kombëtare dhe ideologjia për të sunduar moralisht, duhet t’i lënë vendin sinqeritetit, ndriçimit dhe ndërdisiplinimit, për të shquar përhitjet e shkrimit nistor: Gjurmë në palimpsestin shqiptar.

Le ta përfillim specifikën e larmisë shqiptare – fetarë, dyfetarë, jofetarë dhe antifetarë - si një sfidë për të debatuar, për të plotëruar diskursin shqiptar, por dhe për të honepsur kundërthënësit. Sepse të tillë ndonjëherë janë dhe vetë ata, kundërthëniet e mëdha në të kaluarën, çastet e pashlyeshme, kontradiktat dhe antitezat e shquara në letrat shqipe. Përderisa për gjithë këto kundërthënie bëhen fajtorë gjithmonë të vdekurit, përse, për ithtarët e kombëtarizmit, është e pamundur të honepsen të gjallët?

Mbi të gjitha e për të gjitha, le ta pranojmë konfiguracionin e sotëm ndërfetar si një dhënie së larti për të provuar dashurinë për njëri-tjetrin dhe dashurinë për të ndryshmen; për Tjetrin brenda nesh. Për shqiptarin ashtu siç është; siç e deshi Zoti!

[Foti Cici, 2006]