Përkufizimet e përkatësive

Duke qenë një popull më i larmishëm se fqinjët, sidomos në pikëpamjen spirituale, shqiptarët e kanë të vështirë të formulojnë shqetësimet e tyre kulturore me terma bashkëkohorë. Ndërsa etërit e kombit-shtet dështuan të na trashëgojnë fenë mbarëshqiptare të premtuar, komunistët u gënjyen edhe më, paçka se mbetjet e ateizmit të institucionalizuar janë sot çastet më vendimtare në trazirat shpirtërore të shqiptarëve prej Shqipërie. Si rrjedhojë historike e gjithë kësaj, ideja përfaqësuar nga Fan Noli rreth një qindvjeçar më parë, për të shqiptarizuar religjionet ekzistuese të shqiptarëve, tingëllon sot për shumë nga ne mjaft aktuale. Me një arsyetim pragmatist, veçse, mund të themi se tiparet e shqiptarizimit të besimeve tona fetare, jo vetëm të ortodoksëve, nuk duket se janë përmbushur, siç qe ëndërruar kjo nga rilindasit. Por kjo nuk do të thotë se shumica e debateve mbi thëniet, punët dhe qëndrimet e Nolit nuk janë spekulluese. 

Mbas shprehjes vjershëzuese të Vaso Pashës, se “Feja e Shqyptarit asht Shqyptaria”, në gjithë ecurinë e mendimtarisë shqipe, rrallë se mund të gjendet një varg i ngjashëm për të mbështetur e pasuruar një gjëzë të tillë. Gjithsesi, pajtuesit e heronjve të vdekur, që në shumicën e rasteve provohen dhe përçarës të shqiptarëve të gjallë, kanë gjetur njëfarë ngushëllimi tek Fan Noli, edhe pse ky e shkrehu hapur neverinë ndaj idesë për një fe gjithshqiptare. Qarkullojnë ende sot ngushëllimtarë që bërtasin: “Noli: Kisha Ortodokse Shqiptare është e të gjithë shqiptarëve, jo vetëm e ortodoksëve!” 

Pyetja se a i përket kisha ortodokse gjithë shqiptarëve, apo anasjelltas, nuk është ngritur nga shqiptarët ortodoksë, sepse thjesht një pyetje e tillë për ata nuk ekziston. Përkundrazi, kjo përdoret vitet e fundit kryesisht nga klane myslimane, kur këta duan të përligjin hundëfutjen në çështjet e besimit ortodoks. Për hir të së vërtetës, duhet të kthjellojmë se nuk ekziston sot asnjë grupim ortodoksësh shqiptarë (madje as ndonjë listë homonime firmëtarësh), të cilët të orvaten të kryejnë cilëndo punë duke përmendur më parë thënien e sipërshënuar të Nolit.   

Ja disa nga pikëpyetjet që lindin në qoftë se shqiptari i sotëm pranon se kisha ortodokse shqiptare është e të gjithë shqiptarëve, e jo vetëm e ortodoksëve: 

Së pari, thënia e Nolit është shumë e pjesshme për ta vënë kaq përgjithësisht e aq shpëtimtare. Është një formulim ideologjik i një periudhe të caktuar historike, me një demagogji të pritshme, prandaj dhe është një citat më shumë oratorik, sesa shenjëdhënës. Ata që e përsërisin këtë bëjnë të njëjtën gjë sikur të paraqesin një fjalë të Nolit me seriozitetin e tërësisë së korpusit nolian, me gjithë pasojat që ka patur ky fenomen në historinë shpirtërore të rajonit, lindor e perëndimor. Pra edhe këtu kemi një moskuptim të Nolit, dhe madje kemi gjithashtu një keqkuptim të mendimtarisë së shkuar. Ata nuk ndalen të dëgjojnë e të pajtohen se ishte pikërisht shqiptari ortodoks Fan Noli farëhedhësi i një bime paraekzistuese e ndërekzistuese, por jo ndërsjelltas. 

Së dyti, në qoftë se “Kisha Ortodokse Shqiptare është e të gjithë shqiptarëve”, me ecurinë e mendimit bashkëkohor kjo do të thotë se, “kisha ortodokse është ajo që duhet të jetë feja e gjithë shqiptarëve”. A e pranojnë këtë pohim, pa fjalën “Shqiptare”, predikuesit jo ortodoksë? Sepse “Kisha Ortodokse Shqiptare” është një interpretim i realitetit “Kishë Ortodokse”, si tërësi, mbjellur në kohë brenda specifikës shqiptare (Kemi të bëjmë me dy togfjalësha të njëkuptimtë). Përkundrazi, në qoftë se diçka e tillë nuk do të ishte kuptuar e sanksionuar siç duhet në të tre statutet tona kishtare, domethënë në qoftë se nuk ishin qartësuar mirë, mu në nenin e parë, raportet e kishës ortodokse shqiptare/vendore me atë të përbotshme ortodokse/ndëretnike, ne nuk do të kishim sot një kishë shqiptare me tipare të mirëfillta autoqefalie. 

Së treti, në qoftë se pranojmë se besimi ortodoks është “i të gjithë shqiptarëve”, gjë që edhe pse nuk ndillet nga përdoruesit e thënies noliane, nuk ka aludim tjetër gjatë kësaj faze historike që po përjetojmë, menjëherë kundërpyesim: Çfarë, nga besimet fetare ekzistuese, nuk është e të gjithë shqiptarëve? Sepse vërtet merret për model Noli që ka vlera tejortodokse, por nëse ky klerik ishte katolik apo mysliman a do të mbështeteshin gjithë-tek-ai jo ortodoksët, sidomos kur ngulmojnë të tjetërsojnë të vërtetat e këtij besimi? Në fakt, nuk kemi trashëguar nga barasvlerësit e Nolit në besimet e tjera ndonjë sentencë të ngjashme mbi universalitetin e feve të tjera ekzistuese, sidomos me një ngarkesë të tillë ideologjike, për të siguruar akses civil në çështjet e tyre të brendshme, edhe pse ato tipare që e bëjnë një religjion vendor, nga këndvështrimi i pasdiktaturës, por edhe në krahasim me përvojën shqiptare ortodokse, ende gjetkë nuk janë plotësuar.  

Së katërti, në qoftë se për t’u tkurrur tërhiqemi dhe i lëmë ortodoksët të bëjnë ç’të duan, a mund të themi “kisha katolike nuk është kishë e të gjithë shqiptarëve, por vetëm e katolikëve”? E përse të mos themi pastaj se “islami nuk është fe e të gjithë shqiptarëve, por vetëm e myslimanëve”? Si do të reagonin përkatësit nëse thënie të tilla lëshoheshin nga ortodoksët shqiptarë? Për më keq, çfarë do të ndodhte në qoftë se ortodoksët shqiptarë thoshin të kundërtën, ajo që anasjelltas keqthuhet për ta, domethënë se katolicizmi, apo islami, është besimi fetar i të gjithë shqiptarëve e jo vetëm i katolikëve a i myslimanëve?! Sipas arsyes, një shqiptar ortodoks nuk do ta justifikonte dot një ndërhyrje të tillë. Shpirtfikësit, pra, bëjnë mirë të rrëmojnë në vetvete, tek bindjet e besimet e tyre fetare, për të gjetur zona emocionesh ku mund të tolerohen shestime të tilla. A kanë ata guximin të na i shkodizojnë botërisht këto çaste të trashëgimisë së tyre spirituale e kulturore? 

Së pesti, duke u përqendruar në kishën ortodokse shqiptare, për të ekspozuar edhe më flagrancën e skajorëve, pyesim: Ku ndahen veprimtaritë politike nga ato kishtare në ortodoksinë shqiptare? Pra, cilat janë ato akte e aksione jokishtare që mund të procedohen brenda kishës ortodokse shqiptare, me apo pa ritual, të cilat të konsiderohen vetëm shqiptare e jo ortodokse? Në qoftë se sipërmarrje të tilla nuk duhen quajtur ortodokse, por ama duhen kryer me doemos nga klerikë ortodoksë, atëherë si mund të negociohet ky proces nga ana e këtejme, domethënë te ky trup mistik që i ka dhënë dikujt statusin priftëror, pa të cilin individi në fjalë nuk do të figuronte në botën shqiptare? Personalisht, e kam vrarë e shtrydhur më kot mendjen, por nuk kam shquar kënde të tilla legjitime në shërbesën ortodokse. Përkundrazi, mashtrime e përdhosje kemi ndeshur plot. 

Tashmë, në këtë mjegullnajë të dhënash, le ta marrin fuqinë sërish qëmtuesit e cekët të Nolit. Atyre nuk iu mbetet gjë tjetër veçse të kërkojnë përgjigje, e ndoshta llogari, tek inspiratorët e gjallë të shqiptarizmës ortodokse, nxitësit ndër klerikë shqiptarë të diasporës, qëndisësit e antitezave të mëdha, levitët e urtë por jo gjithmonë të denjë, nepotistët, paraprelatët, pseudoprelatët, ortociceronët, superetërit, uzurpatorët, edhe pse pa studime teologjike, të cilët pa këto bymime shekullare e pa këto rrudhojse kishtare, rrezikojnë të humbasin privilegjet fisnore, morale e materiale; ata shtrëngohen të bëjnë muzé epopenë e një jete tej e përtej protokoll. Vajtueshëm, në qoftë se ndodh kjo, një figurinë e tillë - versioni shqiptar i Rasputinit - menjëherë çmitizohet dhe, ashtu siç u shfaq, do të mërgohet nga faqja e shqiptarëve.  

Vetëm një prift i tillë, pra, përfitues e gërvëlisës gjer në humbje, gëzon ex officio statusin e patriotit, këshillues e vendimor në trazira e në paqe. Sepse rysnia e shitblerjes i ka bërë të ditur uratës të fshehtat e udhëve qorre të shqiptarizmës ortodokse. Nga përvoja kishtare e pasdiktaturës u provua se vetëm një klerik i këtillë zotëron hiret ngërdheshëse për t’u ngjyrëzuar sipas stinëve shqiptare, që të inicizojë në vijim të pandriçuarit në misteret e kësaj gjuhe të shumëfishtë, si prej formulash masonike; herë shqiptare, herë ortodokse, e herë asgjë nga këto, por tani e përherë sekretive, kurthngritëse e mbrapa krahëve gojëmbyllëse, dhuntivrasëse…    

A është kisha ortodokse e të gjithë shqiptarëve? Ajo është e të gjithë shqiptarëve, për aq se edhe besimet e tjera ekzistuese janë për të gjithë shqiptarët. Ortodoksia nuk është e të gjithë shqiptarëve, për aq sa edhe religjionet e tjera nuk janë për të gjithë shqiptarët. Kisha ortodokse të lejon të ndërhysh, për aq se të lejojnë edhe religjionet e tjera shqiptare. Ortodoksia shqiptare nuk ka pse të rezistojë standarde të dyfishta. Këto vlerësime përkojnë edhe me veprën e jetën kishtare të Fan Nolit, parë nga syri i studiuesit të çështjeve ortodokse shqiptare, pavarësisht nga fragmentizimi sipëror i njerishmërisë së tij, çjerrë nga amatorët e shqiptarizmës. 

Në qoftë se një klerik ortodoks do të predikonte se kisha ortodokse është e të gjithë shqiptarëve, ai ka dy arsye ta bëjë këtë: Ose për të na hedhur hi syve, ose për të bërë orvatje të hapura proselitizimi. Në përvojën tonë mbas vitete 90, ka ndodhur e para. E kjo sjellje është e dënueshme qytetarisht dhe e ndëshkueshme kishërisht. Në vend të grishjeve heqjezvarrë, pluhurosur me bëma e çudira që do t’i zbardhë krejt e nesërmja, kisha ortodokse shqiptare në Tiranë dhe në Boston bën mirë të hapë më shumë zemrën e krahët për shqiptarët ortodoksë që po humbasin të qenit e tyre në diasporë. Për më pak, të mbrojë mbjellësit e saj të paktë që kërcënohen vetëm e vetëm se po shkaktojnë çaste jetëgjata në ortodoksinë shqiptare.  

Presim më në fund që kisha ortodokse të sillet me shqiptarët si mëmë e jo si njerkë. Të tregohet e mëshirshme për potencialin, identitetin dhe gjuhën e shqiptarëve ortodoksë. Pastaj, mbasi të përmbushë këto tipare, pa të cilat nuk do të ekzistonte as ajo e as titullarët e saj sqimëtarë, le ta përdorë tepricën e hirit për të ndërtuar tempuj në Kosovë e gjetkë, faltore që i këndojnë të Epërmit në arabishte, sllavishte e greqishte. Për një mision të tillë, për të kultivuar shpirtin dhe gjuhën e shqiptarëve të gjallë, kisha ortodokse shqiptare është dhe duam të mbetet përgjegjëse para Zotit. 

Le të kthehemi tek zanafilla e këtij debati. Në qoftë se një besimtar i një religjioni tjetër do të thoshte, “Noli: Kisha Ortodokse Shqiptare është e të gjithë shqiptarëve, jo vetëm e ortodoksëve”, kjo në ditët tona nuk konsiderohet më si gafë, sesa dokumentohet si një kërcitje e tolerancës fetare në botën shqiptare. Ata skajorë që na kërkojnë status të veçantë, kanë vetëm një rrugë: Të urdhërojnë e t’iu nënshtrohen procedurave të pjesëmarrjes, megjithë pasojat rilindëse a të dhimbshme që mund të ketë kjo zgjedhje. Kërcënimi për pjesëmarrje është përgjigjja më e butë ndaj atyre që kërkojnë thelbin e fesë ku nuk përkasin. Në rast se e mohojnë këtë ftesë, le t’iu kujtojmë edhe një herë parisaktëve se thirrja për tolerancë e respekt ndaj larmisë së trashëguar e të pranishme, mbetet pezull. Kjo alternativë, ndoshta, do të ishte më e lehta që iu ka mbetur jokishtarëve për të përzgjedhur, pavarësisht nëse do të quhej apo jo tërheqje. E për këtë të fundit, me gulçimë, çdo frymë le të dëshirojë…

[Foti Cici, 2004]           

Published in: on September 7, 2007 at 7:33 am Comments (0)

Historizimi i shqiptarëve ortodoksë sipas Ismail Kadaresë

Realizmi Socialist është art i së ardhmes (Kadare, 1974) 

Kumtesa e zotit Ismail Kadare, “Si ta ruajmë harmoninë e çmuar fetare”,[1] mbajtur në konferencën ndërkombëtare mbi fetë dhe qytetërimet në Tiranë, ka shkaktuar habi, mbasi qëndrimet e deritanishme të Kadaresë mbi faktorin ortodoks kanë qenë të etiketuara, në mos të përkora. Renditja a kategorizimi përzgjedhës i besimeve fetare në një debat publik, a qoftë dhe ftesa për të përqafuar kolektivisht njërin prej tyre, është e drejtë e çdo qytetari, pavarësisht nga statusi fetar i tyre, por mëshimi i hipotezës së lashtësisë e të primacitetit të besimit katolik, mbi atë ortodoks, tjetërson etikën e një debati ndër të barabartë, siç po zhvillohet tashmë për disa dhjetëvjeçarë dialogu zyrtar/ndërkishtar midis Kishës Katolike dhe Kishës Ortodokse.      

Në qoftë se pohojmë se “harmonia fetare, sa ç’është madhështore si ngrehinë aq është edhe e brishtë”, vetë të dhënat e kumtesës së trajtuar e njësojnë atë me një dilemë. Idetë e hedhura nga shkrimtari ynë i mirënjohur, pa dashje, vendosin gjemba në dialogun ndërkonfesional midis ortodoksëve dhe katolikëve në Shqipëri, si pjesëtarë të një feje të përbashkët të krishterë. Ja disa pika tymshkaktuese nga kumtesa e zotit Kadare: 

1. Ai thotë tri herë, në pak faqe, se besimi katolik është “feja e parë e shqiptarëve.” Dihet se për popujt tanë të atjembetur, e kaluara/lashtësia është institucioni më me peshë, ndërsa e tashmja dhe e ardhmja janë katandisur në tentativa për të konceptuar a ngjitur pasqyrën e thyer, atje ku s’u pamë kurrë. Por edhe në këtë këndvështrim, vetiu lind pyetja: A shenjon periudha e viteve apostolike, atëherë kur Ungjilli i Krishtit u lëçit “gjer/përreth në Iliri”, epokën kur shqiptarët u ndjenë qenësisht të tillë? 

Çfarë mund t’iu themi hulumtimeve që dëshmojnë se procesi i krishtërimit të paraardhësve tanë nuk ishte i menjëhershëm, as masiv, dhe madje kurrë i plotë? Por si mund të debatojmë për këtë çështje kur Kadareja gjetkë thotë se shqiptarët janë më të vjetër se dy mijë vjetët e krishterë? Atëherë, a nuk është kontradiktore kjo kumtesë, nëse e përqasim Kadarenë e gjithmonëlexuar në plotërinë e veprës së tij? Në vend të një lajthitjeje, më me vend do të ishte pyetja: A ka ekzistuar një fe e vetme dhe e parë e shqiptarëve? Shumë vjet para Krishtit, a mos vallë stëretërit e shqiptarëve kishin një besim tjetër fetar, as katolik e as ortodoks, dhe tek i cili figuronin numerikisht më të njëtrajtshëm, sesa gjatë konvertimit në fenë e krishterë, e më vonë në atë islame? Për më tepër, konvertimi i banorëve të trevave tona në fenë e re të krishterë, a ka pasur pasoja “gjithshqiptare” në tiparësinë e vendorëve?  

Por edhe në qoftë se e piketojmë gjenezën tonë tek viti 1 pas Krishtit, askush nga hulumtuesit tanë të mirëfilltë dhe të huaj do të pohojë se feja e parë e shqiptarëve ishte katolicizmi, ose ortodoksia në të kundërt, përndryshe kjo hap debate tej pyetjes së ngritur nga një prozator shqiptar. Me gjithë admirimin ndaj gjinisë së tij, ne e konsiderojnë tezën e Kadaresë, mbi primacitetin e lashtësisë fetare të shqiptarëve, si fragment i njerishmërisë së një shkrimtari, pavarësisht nga përmasat e tij të kequshtruara tek ne.  

Kur zoti Ismail Kadare konkludon për parësinë e katolikëve në Shqipëri, dhe se “si të tillë ata kanë një zbritje vertikale në historinë dhe kulturën shqiptare të pashembullt”, ne nuk kemi arsye ta mohojmë, por në vend që të ndihemi inferiorë, a bashkëfajtorë, nxitemi të reagojmë se, edhe ne ortodoksët, veç kësaj “zbritjeje vertikale”, kemi dhe një ngjitje njësoj vertikale në historinë e Ballkanit, e për më tepër një shtrirje horizontale të mrekullueshme në botën shqiptare, e cila sigurisht nuk mund të përshkruhet me fjalorthin e letërsisë së Realizmit Socialist.     

2. Kadareja ngulmon, pa e parë përfillëse të parashtrojë të dhëna dokumentare, edhe pse bëhet fjalë për një tezë të padëgjuar më parë, se shqiptarët ortodoksë u konvertuan të tillë mbasi u shkëputën nga katolikët shqiptarë: “Feja e parë e shqiptarëve, katolicizmi, e vjetër pothuaj sa ajo e Romës, ishte e vetmja në këtë vend për gati 1000 vjet. Ndarja e kishës romane nga ajo bizantine, ndarje kufiri i së cilës kalonte përafërsisht në Shqipëri, do të sillte konvertimin e parë të një pjese të katolikëve shqiptarë ortodoksë.”  

E bukur është gjuha, por i cekët parashtrimi, prandaj dhe kjo hipotezë nuk qëndron as si rrëfenjëz, sepse gjatë njëmijë vjetëve të parë të krishtërimit në Shqipëri, dhe kudo gjetkë, nuk ekzistonte katolicizëm a ortodoksizëm dhe madje nuk ekzistonin dy kisha, njëra katolike e tjetra ortodokse, por vetëm një kishë e vetme e krishterë, sa katolike, aq dhe ortodokse, e anasjelltas, megjithë polemikat e rrëshqitjet doktrinore. Këtë e di dhe më i leshti ndër lexues jashtë Shqipërie. Prandaj dhe termat që mund të përdoren, në qoftë se duam të ushqejmë harmoninë dhe tolerancën fetare, janë ata që janë përdorur e të cilët përdoren dhe në Evropën e mbilakuar nga Kadareja: “Riti latin” e “riti bizantin”, a më thjesht, “kisha perëndimore” e “kisha lindore”, ose, konvecionalisht, “kisha romane” e “kisha greke”. Termat “katolik” e “ortodoks”, megjithëse ekzistonin si fjalëkuptime, janë të pasngjizur për sa i përket ngarkesës së sotme teologjike e ideologjike që ata përfaqësojnë.  

Të dhënat historike, të cilat përçon sot edhe kisha katolike, dëshmojnë se ndarja midis dy kishave në Shqipëri ndodhi shumë kohë më parë, qindra vjet para se të shkonim në shekullin XI, tek vija e Kadaresë. Por ndarja ishte rituale e jo doktrinore. Nëse e thjeshtëzojmë gjuhën e debatit, me termat e kumtesës së trajtuar nga zoti Kadare, riti është një shtrat kulturor me një simbolikë specifike të kodifikuar në një kohë e terren të caktuar, ndërsa doktrina është një mësim me ngjyresa unike, e cila parashtron shenja rrëfimtarie, e në qoftë se kultivohet në kohë, trajtëson një besim të mirëfilltë, një konfesion. E atëherë, si mund të flasim për konvertim, siç na pagëzon Kadareja, në lumin e Arbërisë së imagjinuar estetikisht prej tij, kur ky nocion kushtëzon përqafimin e një besimi të ri, të një doktrine të re, në një kohë që kjo ndodhi qindra vjet më vonë në Shqipëri? 

Vetëm mbas shekullit XI, pra, mund të flasim për katolicizëm e ortodoksi, me gjuhën e Kadaresë dhe tonën. Ndarja/thyerja e Kishës së Krishtit, nuk mund të përgjasohet me figuracionet e një romani, si p.sh. me shkëputjen e Shqipërisë nga kampi socialist. Edhe ajo ishte ndarje, por ishte ndarje e pjesës nga e tëra, dhe këto dy pjesë nuk ishin kurrë të barabarta e plotësisht të një thelbi dhe nuk kishin të njëjtën zanafillë në histori. Ndërsa kishat e krishtera perëndimore e lindore, nuk mund të përshkruhen me termat “mëmë-bijë” sepse ato janë motra, e madje binjake, të cilat, edhe pse të ndara nga njëra-tjetra, nuk e mohojnë këtë realitet biologjik, sepse ai i tejkalon ato. Në qoftë se njëra prej tyre bën më tepër për t’u pajtuar me tjetrën, ajo kurrë nuk mund ta negociojë dialogun me postulatin se dikur na paska lindur motrën e saj binjake, të bashkëlindur me të, të njëlindur. 

Me këtë argumentim të figurshëm, sepse kështu na detyrojnë intelektualët tanë më të famshëm, si mund të pranojnë ortodoksët shqiptarë se qenkan konvertuar nga katolicizmi? A nuk bëjnë të njëjtën gjë grekët, ndërsjelltas e tinëzisht, kur iu mohojnë shqiptarëve ortodoksë origjinën e mirëfilltë historike në rajon? Që të dyja këto mohime ndërluftuese, andej e këtej kufirit, kthehen në pohime kërcënuese për zhvillimin e mendimit vendor të ortodoksisë shqiptare. Çfarë presim të bëjë një besimtar ortodoks, i cili e lexon këtë tezë të Kadaresë i parandodhur në një luhatje me identitetin e tij? Të thjeshtët, të dobëtit, naivët dhe të pafajshmit do të shkojnë andej ku ka më tepër origjinë për ta, atje ku kjo origjinë është më solide, atje ku ka më shumë integritet. Atje ku edhe përrallat kanë më tepër kripë.   

Ndërsa përpiqemi të nyjëtohemi, e njëkohësisht të dalim nga rruga pa krye ku na çon një kumtesë e tillë, ndiejmë dikë që po përdor prestigjin për të imponuar një tezë, shquajmë hijen e dikujt që urdhëron për të shtënë qetësinë. Kjo të kujton kohën kur Enver Hoxha iu imponoi hulumtuesve të brezit të tij tezën pellazgjike, përderisa ai ishte burimi i diturisë (E tha dhe e bëri se qe kult, por jo se ishte aq i ditur). A nuk është fyese kjo ndërhyrje edhe ndaj historianëve tanë e të huaj, pa le më ndaj teologëve e kishtarëve ortodoksë e katolikë?  

3. Ismail Kadare e përshkruan fytyrën e shqiptarit të sotëm, te kumtesa e tij e famshme, me shprehjen e rëndë biblike “imazh i dëmtuar”. Aludimi i tij lakuriq nuk përshkruan vetëm pasojat e diktaturës komuniste. Kadareja e ka thënë se si mund të ndreqet shëmbëllesa jonë e vurratur kolektive, dhe të përftohet bukuria e moçme imagjinare, e paparë për disa, a e pabesuar për të tjerë, por gjithsesi e domosdoshme “për në Evropë”. Po të pranojmë provat përkatëse, historia e religjioneve rrëfen se kur besimi fetar, çdo besim fetar, nuk përqafohet me sinqeritet, por me motivime politike, mund të kthehet në shkatërrim me pasoja tej individëve të sapondriçuar. Më shkatërrimtarja pasojë do të jetë shkelja e atyre që pohojnë të mbeten ndryshe, domethënë ata të paktë që mund të mohojnë fenë e lakmuar prej më të zgjuarve.  

E duke shquar “shëmbëllesën e dëmtuar” tonën, siç na e dëftoi me gisht shkrimtari ynë më i madh, na shpaloset tashmë në mënyrë flagrante imazhi dëmtues i një letërsie të vonuar në Shqipëri. Sepse vetëm shkrimtari i një letërsie të tillë ka hiret për t’u ngjitur mbi një mal, e për t’i dëftuar popullit të tij që andej udhën dhe të vërtetën, duke mbajtur për vete pozitën vetëgjegjëse: Pacënueshmërinë! 

4. Një nga porositë e Kadaresë është se “shteti shqiptar duhet të marrë masat për të njëmendësuar autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare”. Dhe për të bërë këtë ai sugjeron kthimin tek legjislacioni i monarkisë, sepse ky na qenka “ndër më të mirët në Evropë”. Por - pyesim Diturinë e Tij - sa kisha ortodokse autoqefale kanë bashkekzistuar në Evropë, gjatë mbretërimit të monarkisë shqiptare, për të rendur e për t’i përqasur ato? Apo mos vallë në këtë hartë heterotopike të Evropës së viteve 1930, përfshihen edhe kishat autoqefale të Serbisë, Bullgarisë, Rumanisë, Greqisë, e të tjera të tilla?  

Duke vlerësuar situatën e sotme kishtare e politike në Shqipëri, e thëna “njëmendësimi i autoqefalisë” është një emocion, sesa kontribut në një konferencë ndërkombëtare mbi fenë dhe qytetërimet. Në këto vite ky njëmendësim/hamendësim nuk mund të thotë pavarësi administrative, gjë që është e vetëkuptueshme, por ndriçim e projekte për ta bërë kishën autoqefale të përftojë tiparet e plota kombëtare të cunguara, ashtu si kishat motra autoqefale, sepse vetëm kështu do të ulet influenca greke në Shqipëri, të cilën dhe Kadareja druhet në këtë ligjëratë, por nuk denjon ta thotë hapur, ashtu siç kumton për tema të tjera. Sepse nuk ka pse të rrezikohet, për pakicën ortodokse, shëmbëlltyra herë panshqiptare e herë mbishqiptare.  

Shqiptarizimi  i ortodoksisë në Shqipëri, nëse këtu ishte fjala, nuk mund të arrihet duke kërkuar masa nga shteti, sidomos kur modelet e propozuara janë të tejkaluara, a më keq, duke ndërsyer me teza të tilla periferinë dhe ekstremin, të cilët e kanë kërcënuar hapur bashkëlidhjen tonë të trashëguar.  

Ajo që kërkojmë nga ata që iu dhimbset çka është e përbashkët, është tolerimi i një perspektive të re në ortodoksinë shqiptare, në qoftë se nuk ekziston vullneti për të stimuluar e për të mbështetur, jashtë dyshimeve brejtëse vetëshkatërruese, obsesioneve ideologjike a çaprazeve demagogjike, të atyre që, në fund të fundit, nuk i përkasin kishës ortodokse dhe as kanë marrë mundimin ta studiojnë atë, edhe pse pretendojnë të bëjnë kanunin e saj. Për çudi, asnjë nga ata që përzihen në çështjet tona ortodokse, e ka identifikuar veten me fuqitë që përçojnë balancën në botën shqiptare… Në këtë ligjërim populist, Kadaraja ka provuar edhe një herë se është i zoti të na historizojë ne ortodoksëve, por jo i aftë të na bëjë historinë.  

Ndërhyrjet nga jashtë besimit ortodoks e vështirësojnë edhe më pozitën ortodokse shqiptare. Në qoftë se kjo nuk kuptohet, do të ketë pasoja të cilat mund ta ekspozojnë Shqipërinë, me ose pa të drejtë, te kishat e tjera autoqefale. Episode të mundshme, gjë që nuk është larg ogurëve të shfaqur, ka të ngjarë të shkaktojnë sendërgjime e formulime të pashmangshme, gjë që mund të pështjellojë çështjen e Shqipërisë në procedurat integruese në Perëndim. Gjithsesi, trazira të tilla ndjellakeqe, të pamerituara për ortodoksët shqiptarë, por as dobiprurëse për superpatriotët, do të japin shkas për ndërhyrje të tjera të kishës greke në kishën ortodokse shqiptare.  

Harmonia fetare që kemi trashëguar është një dhuratë nga Zoti, por është më shumë e fituar sesa e falur. Mendime të prera, për tema tmerrësisht të brishta, nuk i shërbejnë shërimit të plagëve ortodokse në Shqipëri. Nuk mundëm të lokalizojmë në shtyp se çfarë thanë fetarët apo studiuesit tanë të religjioneve në një konferencë të tillë mbi fenë. Në qoftë se këta të fundit ekzistojnë, por nuk kontribuan në një ngjarje të tillë, a mos presim që ata të hedhin kripë në konferenca letrare e artistike, gjë që është jashtë potencialit e destinit të tyre?  

Pozicionimet e pakujdesshme publike në shtypin shqiptar, shtingëllojnë harmoninë ndërfetare, kaq e komercializuar këto vite kalimtarie, e cila me artikuj të tillë merr nota hazmodike. Kjo me të drejtë sjell ndjenja të padëshiruara për shumicën dërrmuese të shqiptarëve ortodoksë, sigurisht të paftuara këto as nga krenaria jonë, Ismail Kadare.

[Foti Cici, 2003]          

[1] Koha Jonë, 14 nëntor 2003. 

Çfarë i mungon komunitetit

Është kaq e munguar një gazetë shqiptare në Kanada, saqë nuk është e ditës ta nisim bisedën nga arritjet tona. Jo sepse nuk jemi të ndërgjegjshëm për vlerat që ka secila përpjekje në veçantinë e saj; çdo tentativë krijuese, sado radikale, nuk mund të mishërohet në qoftë se nuk mbështetet edhe tek çka është e paradhënë dhe e dobishme. Por nëse një ndërmarrje e tillë kufizohet vetëm tek e kaluara e tek dritëhijet e saj, e sidomos në qoftë se marrim mirë parasysh rrethanat e sotme dhe interesimin tonë përkatës mbi çështjet jetësore të komunitetit, kjo tentativë thjesht do të arkivohej tek përpjekjet tona të dëshpëruara për të parë më shumë dritë. Ndërsa synimi i gazetës Albanian Tribune vjen pa bujë e pa rrëmujë, eksperimentues, prandaj dhe duket premtues. Ju ftoj, pra, të mirëpresim e të mbështesim gazetën tonë të vetme në Kanada! 

Syri i bashkësisë shqiptare

Ka për të thënë një zë brenda nesh: “E ç’e duam këtë gazetë? Kemi radio, program televiziv, shoqata, mbi të gjitha kemi mundësinë të lexojmë shumicën e gazetave shqiptare në Internet, të cilat janë shumë më të mëdha, e më të pasura…”. Në fakt, edhe sikur të fuqizohet kjo gazetë në të ardhmen, duke tejkaluar edhe ëndërrimet themelvënëse, ne nuk presim që shtypi i diasporës shqiptare të barazohet ndonjëherë, a më pak të zëvendësohet, me gazetat që botohen në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Shkurt, diçka e tillë nuk ka ndodhur as me komunitetet më të fuqishme etnike të Amerikës së Veriut. Gazetat e diasporës, të çdo komuniteti, fillojnë si fillojnë, por përherësohen në shërbim të një realiteti të ri, të cilin shtypi i atdheut përshkruan pjesërisht dhe gjithmonë nga jashtë. Shfaqja e kësaj gazete, pra, nuk duhet të na ushqejë iluzione. 

Pavarësisht se sa nga ne e kanë pranuar, mërgata shqiptaro-kanadeze po ecën pa kthim drejt një trajte të re identiteti. Ata shqiptarë që po rrisin fëmijë në Kanada, e kuptojnë dhe e ndiejnë këtë realitet më mirë nga të gjithë. Ndonjëherë ankthi i tyre kthehet në klithmë: Çfarë mund të shpëtojmë? Gjuhën tonë, që fëmijtë nuk po e mësojnë mirë, të qenit shqiptar, që nuk është vetëm gjuha, traditat tona, që nuk përkojnë me traditat vendase, mënyrat tona, që vijnë ndesh më mënyrat kanadeze, a veten tonë, që i është dhënë një ritmi të çuditshëm jetese?! “Të dalë ku të dalë”, duket sikur thonë shumë herë sytë tanë të përlodhur. 

Kur lexojmë shtypin e diasporës së hershme shqiptare, e gjejmë atje të fotografuara idiomat e shqipes, mendimtarinë, xixat e ndriçuesve, polemikat për të mirën e shqiptarit, problematikën e shqiptarëve paraardhës, përshkrimin e komunikimit midis tyre, pulsin e shqiptarisë nëpër breza, etj, konstatojmë se sa e rëndësishme është gazeta jonë për ne dhe sidomos për brezat që vijnë e që do të kërkojnë gjurmët tona.

Do të ketë çaste kur ata do të rrëmojnë të kaluarën për të gjetur se nga erdhën, do të kenë kërshëri për mënyrën se si u përpoqën stëretërit për të krijuar këtë komunitet, si u përshtatën në një jetë krejt ndryshe, a ishte e lehtë, si dhanë e morën me njëri-tjetrin, si reaguan kur u panë me shoshoq, përderisa ishin nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, etj, mbi të gjitha, ku arritën e ku dështuan? Me siguri kanë për të pyetur: Sa interes kishin emigrantët e parë për të krijuar një komunitet shqiptar dhe sa sakrifikuan për të ruajtur vlerat e tyre? Si e përballën çorientimin? Në qoftë se ne vijojmë me ritmet e sotme në komunitet, do t’iu japim të drejtë brezave të pyesin: A kishin vlera shqiptarët e vjetër të Kanadasë? Kur flasim për vlerat shqiptare, mund ta fillojmë edhe me Xhixhilenë, e me të tjera këngë, por nuk mund të kthehemi e të përfundojmë atje… 

Shpresojmë që komuniteti të mbijetojë e të trashëgohet, por për këtë të fundit ai duhet të plotësohet. Në qoftë se nuk jemi të zotët ta bëjmë sot që është rasti dhe detyrimi, është absurde të shpresojmë tek pasardhësit tanë. Kemi për t’u prehur në gjykim e në harresë dhe harresa është dënim, ashtu siç është dhe mungesa e kujtesës për të gjallët. Në këtë këndvështrim, duke parë e vlerësuar gjithçka shqiptare që ekziston sot në Kanada, asgjë nuk mund të plotësojë mungesën e fjalës së shkruar në një gazetë tonën.  

Emisioni i radios, programi televiziv, veprimtaritë e shoqatave, të grupimeve a qoftë dhe të individëve si njësi më vete, shërbesat e tempujve, të gjitha këto të mira që në dukje janë mjete më të fuqishme komunikimi e informacioni, nuk mund të zëvendësojnë kurrë prekshmërinë e një gazete shqip, tematikën e saj sistematike e të studiuar, gjakftohtësinë e fjalës së strukturuar për lexim, tekstualitetin e përsëritur e të nxënur nëpërmjet rileximit, e si rrjedhojë influencimin mbi intuitën gjuhësore të shqiptarit të Kanadasë, i cili i ka humbur takimet e forta me gjuhën e tij të shkruar.

Duke e vënë gishtin tek plagët e sotme, kemi të drejtë të presim që gazeta të na japë informacion më detajues për komunitetin tonë këtu dhe gjetkë në Kanada. Fizikisht, ajo e ka më të lehtë të shkojë e të influencojë kudo ku ka shqiptarë, gjë që asnjë nga institucionet e tjera nuk ka mundësi të bëjë.  Për më tutje, një gazetë shqip ka më tepër mundësi të përshkruajë me hollësi ndjenjat e emigrantëve, botën tonë shpirtërore, e t’i riprodhojë ato më shumë nga çdo mjet tjetër. Gazeta gjithashtu ka potencialin e informacionit të ngurtë, i cili edhe pse i tejkaluar nga vërshimi sfidues i Internetit, mbart për shumicën e emigrantëve të dhëna më jetëgjata.  

Së fundi, dhe ndoshta më e rëndësishmja për fatin e çështjes shqiptare në Kanada, gazeta mund të jetë bujtina ku ka për të filluar, për herë të parë në historinë tonë të këtushme, një debat prodhimtar mbi problemet e komunitetit, nga veprimtarë të komunitetit e të tjerë. Një alternativë e tillë sot thjesht nuk ekziston. Por a mund të kemi ripërtëritje të jetës së komunitetit në qoftë se jemi të gjithë të një mendjeje dhe mjaftohemi duke i bërë qefin njëri-tjetrit? Mundësitë shprehëse të mjeteve ekzistuese nuk e kanë kaluar fazën fillestare, e cila, në rrethanat e tanishme, nuk ka se si të mos fshehë shenja parade e metoda improvizuese e, disa herë, vetëprezantuese. 

Gjykoj se komuniteti ndodhet tashmë në një fazë që kërkon ndryshime riorganizuese, risime me fuqinë e largpamjes, me hirin e detajit, qoftë dhe duke imituar, por gjithsesi kërkohet braktisje mendësish e, në disa raste, dialog brezash. Për të sjellë mbanë gjëra të tilla, na duhen njerëz jo vetëm babaxhanë, të fisëm, trima, kryelartë për bindjet e tyre politike të kulluara, por na duhen edhe përfaqësues të shkolluar, njohës të mirë të shqipes e të anglishtes, njerëz të ndjeshëm ndaj nevojave të sotme të shqiptarëve të Kanadasë dhe, në të njëjtën kohë, përkatës të botës e të moshës së shumicës së tyre. E parë kështu, pra, kjo gazetë është syri tjetër i trupit tonë të përbashkët si bashkësi shqiptare; syri i munguar.    

Etika dhe etiketa e fjalës publike  

Ja disa nga ato pika që mund të nxijnë një gazetë, pa i mohuar jetëgjatësinë: Zbratërira e ligjëratës, në vend të fjalës me tharm; gjymtimi i gjuhës, në vend të nënshtrimit ndaj shqipes së lëvruar nga bashkëkohësit e pararendësit; bejtet dhe vjershat, në vend të poetikës; ngecja tek mitet, në vend të përqasjes dhe analizës së tyre; hutimi ndaj “figurave të shquara”, ose, më keq, ngjizja e tyre, përderisa nuk ekzistojnë në Kanada; e për pasojë, injorimi i njerëzve në dukje të panjohur e të thjeshtë, edhe pse emigrantë të suksesshëm, e me dhunti në sfera jashtë “çështjeve kombëtare”; fyerja e dyshimet ndaj autorëve, në vend të përqendrimit tek përmbajtja e shkrimeve të tyre dhe ecurisë së një debati mbiklanor; moskuptimi i specifikës ndërkulturore të komunitetit shqiptar të Kanadasë, e keqkuptimet ndaj guximtarëve; e, për më keq, kandarizimi i shqiptarëve në sojllinj e sojsëzë, në të blerë e në të shitur, etj.  

Në qoftë se etiketa është një sugjerim kanadez, për të lehtësuar jetën tonë të re, etika e debatit në shtyp është normë morale dhe kushtëzon përmbajtjen tonë si mërgatë e barasdenjë, në pamje të parë, dhe unitetin si bashkësi njëkombëshe, në pamje më të gjerë. Nuk duhet të harrojmë se Albanian Tribune është gazetë shqiptare për nga autorët, gjuha e, pjesërisht, nga misioni kulturor, por ama për sa i përket përgjegjësisë qytetare dhe ekzistencës juridike, gazeta nuk është shqiptare.        

Këto mendime nuk kanë dalë nga parashikimet, sesa nga përvoja e deritanishme, më konkretisht, çmeritja nga bëmat tona në shtypin e Tiranës. Kur publicistë të komunitetit shfaqen në shtypin shqiptar, sidomos në atë të Shqipërisë, shumica prej tyre nuk sjellin asgjë të re. Më të shumtët trajtojnë ide të stërthëna e të tejrrahura, vetëm se i krehin pak, nën lakun e vetëpërshkrimit, sipas shijes së tyre gjuhësore e politike, duke u përpjekur të krijojnë një status në komunitet, i cili vërtitet midis satisfaksionit të pakicës dhe mjegullimit të shumicës.  

Ndërsa të tjerë, në të kundërt, janë shpërfillës: Ata kanë trillin të besojnë se janë gatuar për të shpëtuar mëmëdhenë. Kësisoj, ata të japin përshtypjen se kanë zënë pusi e presin ndonjë shkrim zhglorifikues, të cilin e etiketojnë pa mëdyshje si antishqiptar, e dalin vrullazi nga skutat e bezdisë, shtendosen e qëllojnë me gjithë shpirt, edhe kur provohen tej fuqisë së mendjes. Në këto raste debatet kthehen në polemika ekspozuese, egoizmi nuk lë vend për tërheqje, akuzat vijonë denigrimin spektakolar dhe çështja mbetet e hapur për hakmarrje. E cila çështje? Ajo që fillimisht u paraqit si tezë guximtare dhe e meritonte debatin dinjitoz, apo ndërluftimet e trashëguara nga përvoja historike e provincës së Arnautllëkut, siç quhej zyrtarisht Shqipëria para një shekulli? Sjellja e pahijshme në një debat publik, është fjalëvrasje. 

Çfarë debati mund të vijohet, kur dikush nuk lexon mirë as titullin e shkrimeve “kundërshtare”, duke lënë të dokumentuara në shtyp gjaknxehjen, xhindosjen, humbjen e fillit dhe çaprashitjen, vetëm e vetëm se dikushi e ka të pamundur të mposhtë alergjinë që i shkakton një mendim i ri, i thënë nga dikush tjetër, për çështje të brishta të zonave tona historike, për çështje që kanë fuqi të tjetërsojnë edhe vetë paqen? Këto forma reagimi nuk mund të na mbushin mendjen se këtyre zotërinjve iu qenka zbuluar esenca e gjithë sendeve shqiptare. Nuk i sjellim asnjë dobi çështjes kombëtare kur, nga pazotësia për t’u matur me dikë, e nga dyzimi për ta zgjidhur çështjen fizikisht, e akuzojmë se është “i vënë”. E kjo taktikë është bërë tashmë gjymtyrë e traditës shqiptare.[1]  

Ato që shkruhen në Shqipëri nga publicistë të komunitetit tonë, e vetmja rëndësi që kanë është se pasqyrojnë ecurinë dhe etikën e jetës kulturore të atdheut. Ndërsa ne këtu jemi lidhur të punojmë e të shpresojmë për cilësi e fuqizim të mërgatës shqiptare në Kanada, me gjithë kufizimet dhe çmimin që ka kjo bindje, për çdo gjë që del nga këtej. Në të kundërt, është më mirë të vazhdojmë me panegjerizma, gjë që nuk na ka nxjerrë gjëkundi, por të paktën kjo nuk krijon konflikte që ndjellin përçarje në komunitet.   

Se si mund të përftojmë një etikë shprehëse, ku atdhedashuria dhe sëmundja nuk ushqejnë njëra-tjetrën, është botë më vete, pa kufij të përcaktuar, pa mësues e metodikë, me ligje të ashpra e të pashkruara, me pemë të hidhura, të tharta e gjembaçe, me rrugëtime të mundimshme e pa hartë, ku endja e lëngata e eksperimentit gjejnë ngazëllimin përmes dhimbjes që shkakton e vërteta jonë. Ndoshta kështu mund të përkufizohet patriotizmi shqiptar për të padehurit nga afshi i vatanit virtual. Por kjo ndjenjë e lartë fitohet me dashuri për shqiptarin e sotëm, për atë njeri që është bashkëkohësi ynë, që e ndiejmë, e dëgjojmë, e prekim, që e shohim ashtu siç është, sepse nuk është faji i tij kur ne shohim tek fytyra e tij qenien tonë të përzier, a fragmente të urryera të vetvetes… 

Ndjenja e dashurisë së shqiptarëve për njëri-tjetrin është më e vështira për të synuar e fituar, për të mos e thënë ndryshe, se urrejtja e shqiptarëve për njëri-tjetrin po shpaloset në përvojën e këtij brezi si më e lehta për të përftuar, përfituar e kremtuar, pra është kthyer në virtyt celebrues. Ai shqiptar që nuk do shqiptarin e gjallë, a ka vallë hapësirë e shpirt për të dashur të vdekurit, qoftë dhe ata më të famshmit e farës sonë?

Në këtë perspektivë dashurie jo institucionale, domethënë të pashtirur, ka ardhur çasti të reflektojmë: Kur ne nuk duam njëri-tjetrin, nuk mund të duam të tjerët, ata që nuk janë shqiptarë, por që fati e solli të bashkëjetojmë dhe s’ka rrugë tjetër. Si rrjedhojë, flagranca e një sakrilegji në rajon, me tiparet e tij çnjerëzore, nuk na trishton se po “humbasim aleatët”, siç e thanë baballarët, sesa na bëzan edhe njëherë se sa  të vetëdënuar jemi për të mos dashur vetveten dhe tjetërsinë.  

Respekti, atëherë, ndaj njëri-tjetrit, sidomos kur kemi mendime të kundërta për çështjen shqiptare, është diçka më shumë se etiketë, përndryshe do të ishte hipokrizi, dhe kjo e fundit është më e keqe se të gjitha fyerjet në shtyp. Tek po përkufizojmë vetveten, e duke skicuar dëshirën tonë sugjeruese drejt një etike tjetër të gazetës së sapolindur, na doli pikëpyetja më e madhe e mërgatës: A posedon komuniteti shqiptar i Kanadasë personalitete që mund të influencojnë opinionin shqiptar në përgjithësi?  

Miti i përikjes së inteligjencës  

Thuhet gjithandej se “në Kanada ka ardhur gjithë inteligjenca”. Spekullohet me një narrativë të stisur në cektinë, ku elementët e ngjarjeve të pasdiktaturës, gjallesa e sende, e gjejnë shkodizimin në një historizim, në një histori jashtë historiografisë. Vjerrja e shanceve drejt një begatie të dëshiruar, në disa raste dhe çjerrja e faqeve, janë pagëzuar në rrjedhje truri, në mërgim të pashmangshëm të inteligjencës. Kur thuhet lart e poshtë “rrjedhja e trurit”, kërkohet terminologjia e eksodit dhe e plagëve, që të përshkruhet sa më vajtueshëm përikja e intelektualëve të Shqipërisë drejt Kanadasë, sepse gjetkë nuk paska hapësirë e shpëtim. 

Aludohet kjo, sidomos nëpër biseda kur krahasohen mërgata shqiptare në disa shtete, për të pohuar cilësinë “më të mirë” të komunitetit tonë. Do të ishte plotësuese për këto muhabete, në qoftë se jepeshin dhe raportet e përqindjeve të kriminalitetit edhe në komunitetet e tjera etnike të Kanadasë, për të parë se mos shkaku i të ndenjurit urtë ndoshta është gjetkë. Në fakt, ne kemi një dosje rekordesh, e madje dhe krimesh në komunitet. Nëse ky gjykim është i ekzagjeruar, në çfarë kategorie duhen vënë vetëvrasjet e njëpasnjëshme të bashkatdhetarëve tanë në Toronto? E po ta shtjellosh edhe më këtë fenomen, gjysma e krimit na përket ne, të gjallëve shqiptarë, pavarësisht se nën teknikën e ligjislacionit konsiderohemi si të pafajshëm. Nga ç’thuhet në komunitet, në një rast vetëvrasjeje, për shembull, vdekja e një të riu para disa vjetësh nuk erdhi si pasojë e fajit të tij…  

 Por le të kthehemi në kërkim të trurit shqiptar që kafkëzohet në Kanada. Do të ndihmohej biseda nëse ngrihej një pyetje në komunitetin tonë e debatohej: Si e përkufizoni ju intelektualin? Çfarë duhet të ketë një emigrant për t’u quajtur e trajtuar i/e tillë dhe, sidomos, për të vepruar si intelektual? Veç tipareve të tjera të këtij statusi, a ka një grupmoshë të caktuar, për të mos mbetur jashtë kësaj shoqërie qiellore, prandaj dhe të tejdukshme?  

Në përkufizim gjithmonë të intelektualit shqiptar në Kanada, dhe konkretisht mbi moshën e tyre, ekziston një pyetje mbi brezin e emigrantëve të arsimuar vitet e fundit, dhe sidomos ata që janë në moshën njëzetë-tridhjet vjeçare. Intuita nuk na bën t’i dallojmë e t’i kategorizojmë këta si intelektualë, edhe pse kanë studiuar në shkolla më cilësore, e disa herë kanë kryer edhe më shumë studime. Në shumicën e rasteve në diasporë, ky brez është më modest, më i mbarë, moskokëçarës në dukje, ndërsa vërtetohet më premtues sesa ata që tradicionalisht mbahen për intelektualë të zakonit. Ku përket ky brez e cilat janë raportet me brezin tjetër? 

Në qoftë se treguesi më i fortë konsiderohet arsimimi, a duhet të vazhdojmë të pranojmë dikë si intelektual duke u bazuar vetëm te diploma e “shkollës së lartë”? Le të kërkojmë se si përkufizohet intelektuali në anglishte, a qoftë dhe në gjuhë të tjera, sidomos të Evropës lindore. Përvoja e shqiptarëve të Kanadasë nuk lë vend për spekullime të mëtejshme, prandaj dhe kjo është një nga çështjet që gazeta do të ketë rastin të kthjellësojë. 

Sa për mbretërimin e intelektualëve në komunitet, nuk iu biem në qafë po të dëshmojmë se kur këta bëhen bashkë në shoqata e shoqërira intelektualësh, siç bëhen, ashtu edhe zhbëhen. Ndoshta vetë shpërbërja e tyre është pjesë e të qenit intelektual, në një fazë paskomuniste. Le të pranojmë largimin e tyre nga jeta e komunitetit si një formë reagimi, si një kthim tek heshtja, tek një prirje mësimdhënëse, mirëfilltas intelektuale. Por nuk dimë nëse historia kulturore e njerëzimit ka dëshmuar ndonjëherë një tërheqje kolektive të intelektualëve drejt heshtjes filozofike. 

Nuk është synimi im për të gjetur se çfarë është e çfarë nuk është miti i inteligjencës shqiptare në Kanada, por e kam të vështirë të mohoj zërin që thotë se sajimi i kësaj teorie është një fyerje ndaj atyre që po vuajnë për të bërë komunitetin shqiptar, të cilët në shumicën e tyre nuk janë “intelektualë”, por ama po investojnë kohë, energji e të tjera, për të ardhmen e shqiptarisë në këtë vend të largët, për të hapur shkolla, e për të mbajtur gjallë veprimtari të tjera jetëdhënëse të komunitetit. Prandaj dhe distancohem botërisht nga kjo filologji e nostalguar. Gjithsesi, në rast se përkufizimi i intelektualit dështon, dhe nëse arsyetimi im është i pavend, atëherë ka mbetur vetëm një pyetje: Kur kemi këtu gjithë inteligjencën, gjithë trurin, jashtë thonjëzave, përse nuk po e bëjmë dot komunitetin?! 

Gazeta kundrejt mendësive të pasdiktaturës 

Nuk bëjmë ndonjë gabim po të riprodhojmë ato që shprehen sa herë që shfaqet diçka shqiptare jashtë nesh: Si e hapën gazetën para nesh? Përse nuk na pyetën? A janë shqiptarë qind për qind? Përse i kanë kështu emrat? Si i kanë ashtu mbiemrat? Si kanë ardhur në Kanada? Kush i ka vënë, kush i paguan? Këto janë vetëm pjesë e pyetësorit të pafund, gjë që fakton pushtetin e konspiracionit, një nga “fetë” më me influencë tek shqiptarët e pasdiktaturës.  

Mund të vëzhgojë dikush se pyetje të përafërta si këto janë vërejtur e renditur edhe një qindvjeçar më parë, siç dokumentohet në shtypin e atëhershëm të diasporës shqiptare, nga Faik Konica e Fan Noli, fjala bie. Shpotitja me pyetje të tilla atëherë, më tepër kishte synimin për të shkrehur zhgënjimin e veprimtarëve idealistë, ajo ndërthurej dhe me përmbajtjen socio-psikologjike të shqiptarit të atëhershëm, me ndjenjën e pakënaqësisë që ai shprehte ndaj çdo gjëje, pavarësisht nga thelbi, dhe fshikullonte sidomos vështirësitë e shtetasve otomanë për të dalë nga mendësia e modeleve sunduese. Por ne nuk gjejmë atje dënimin e paravendosur ndaj çdo krijese embrionale, gjë që shpesh kthehet sot në vetëdënim. 

Ndërsa për fazën e sotme të shqiptarit, këto pyetje të paarsyeshme nuk janë aspak argëtuese, kur ato na kujtojnë ekzistencën e një teorie të mirëfilltë konspirative, pjesë e jetës shqiptare në komunitet, e cila teori është kaq e pranishme, saqë rrezikon të çnderojë çdo ndërmarrje ndriçuese. Si për përkim, ata që janë përçues gojëtarë të kësaj mendësie, ankohen se nuk kanë dëgjues e, nga ana tjetër, pa pikë droje nuk të lënë të flasësh, dhe madje tek pikasin se po përgatitesh të thuash diçka, qoftë edhe pohuese, kërcejnë nga ndenjësja e të shtyjnë me duar, duke shtuar shpejtësinë e doktrinës së tyre të pagabueshme. Kur ndahesh nga takime të tilla, të cilat i ngordh riti i vetëbisedimeve të “fesë” së re, para se t’i kthehesh vetvetes, je gati të dorëzohesh e të pranosh se në ditët tona nuk mund të ndryshojë asgjë. 

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se kjo nuk është “në gjakun tonë”, siç justifikohemi disa herë tek na pëlqen të vijojmë nën kthetrat e dyshimit, i cili pikërisht ky pjell konspiracionin. Ky kundërvirtyt është pasojë e së kaluarës sonë në Shqipëri, por ama ka efekt e fuqi vetëm nëse e përqafojmë. Shembulli i kundërt ndodhet tek shqiptarët nga Maqedonia e Kosova. Shumicën e pyetjeve tona dyshuese, ata as që i shkojnë ndër mend, gjë që i bën shqiptarët e Shqipërisë të hiqen si më të zgjuar. Sepse jemi mësuar ta masim zgjuarsinë me metrin e djallëzisë.  

Duke qenë vetë subjekt i së njëjtës mendësi përdyshuese, në këtë pikë kam mundur e përqafoj modelet e Kanadasë: Përderisa përshtypja e parë për zotërinjtë e gazetës është pozitive, dhe përderisa ne kemi shumë nevojë për një gazetë shqiptare, do ta mbështes me sa mundem, edhe pse nuk i njoh botuesit, deri sa të provohet e kundërta, gjë që nuk kemi pse ta ndjellim me teoritë tona meskine. Por edhe sikur në të ardhmen konstatojmë tek gazeta ndonjë gabim, prapë le të mësojmë nga kanadezët, të cilët nuk na flakin që me të parën, siç bëjmë ne shqiptarët, por na durojnë e na japin shance, sepse kjo është pjesë e kulturës së tyre. Sepse gabimet janë pjesë e betejës për eksperiment e vetënjohje.

Vetënjohja përbri gjysmëditurisë 

Kur ne emigrantët shqiptarë përballemi me doktrinat kulturore të Perëndimit, me ato rryma filozofike e teori që kanë influencuar e zotërojnë mendimin e këtushëm intelektual, por që ne nuk kishim mundësi t’i njihnim më parë, ndodhin gjëra shumë interesante. E përbashkëta është se fillojmë të mendojmë ndryshe, me ose pa dashje. E veçanta përkatësohet gjatë procesit të studimit: Gabime të vjetra të përsëritura, edhe pse janë të justifikuara për shumë shqiptarë; lidhje politike të kërthizuara nga halli, a si pasojë e një shpërthimi të momentit; gafa të njëpasnjëshme e ngurrimi për t’i harruar, kur gafat nuk pyesin askënd; kriza personale lindur nga mospajtimi me tendencat e konstatuara; dobësi e naze për të përballur të përditshmen tek e këtushmja; diçka nga këto, pra, mund të bëhet shkas për të pohuar ose për të mohuar. Veç pohimit dhe mohimit, në këtë pikë nuk ka rrugë të mesme. 

Të gjejë dikush vetveten në këtë gjithësi informacioni, sidomos kur kërkohet një kthesë jetësore, kundër asaj që kemi besuar më parë, është zbulim dhe vetënjohje. Është meritë, pra, e zotërisë a e zonjës në fjalë dhe duhet t’i jemi mirënjohës asaj dite. Mjerisht, për shumë shqiptarë të arsimuar, kjo ndeshje kulturore, që në praktikë është një monolog, merret si kërcënim e braktiset, duke u kthyer atje ku ishim më parë, duke mprehur thonjtë gati për t’u kacafytur, në mbrojtje të ideve tona që qenkan gjithmonë të shenjta. Është ky reagim, dalë nga një analizë vetmevete gjatë procesit të leximit e të përsiatjes që lind ai, ajo që e shpërfytyron njeriun. Atë që mohon këtë përvojë, zgjedhja e tij e identifikon me gjysmëditurinë e kokëfortësinë e saj, dhe jo me atdhetarinë, siç mbrohen apologjetikisht disa bashkëvuajtës.  

Duke u ndalur tek jo dukuri, tek mohimi i vetënjohjes dhe zëvendësimi i saj me arrogancën e shprehur pa kursim në shtyp në emër të shqiptarizmës, shohim mjaft bashkëjetues tek gjejnë shërim në këtë jetë kurthi, edhe pse sjellin e përçojnë emra e tituj të rëndë (Të lashtët thoshnin: “Gjysmëdituria është me e keqe se padituria”).  

Është fatkeqësi që disa nga mohuesit e risive gëzojnë dhunti e potencialitet krijues, por mbas dyluftimit me një teori tundëse e mundëse, këto dhunti përdoren tashmë për të nuhatur përreth e për të zbuluar, për të luftuar e asgjësuar kërkuesit e tjerë, vetënjohësit, të cilët  automatikisht janë kthyer në tjetërnjohës dhe eksperimentues të risimit, prandaj dhe këta duhet të trajtohen si fajtorë e tradhtarë, ndërsa dhuntitë e përluftarëve dhe çastet krijuese të akuzatorëve, humbasin nëpër vogëlsirat e një shoqërie shqiptare që kërkon të institucionalizojë gjithçka përreth. Humbja e sivëllezërve tanë qëndron më tepër në paaftësinë për t’u çliruar nga një përbetim mbi eshtrat e një himere, e nga një vaj mbi rrënoja qerpiçi, sesa nga një inicizim i vërtetë ndër simbolet e mirëfillta të identitetit shqiptar. Për fatin e tyre, ajmé, historia e mendimit shqiptar të së ardhmes, të cilën e besojmë zonjë e jo shoqe, ka për të thënë me përdëllim e pa përkorje: “Të ngratët! I përjetshëm për së gjallit, iu ishte kujtimi!” 

Reagimi kundër ripërtëritjes së mendimit shqiptar është i pritshëm, edhe pse jo i natyrshëm. Ata që duhet të prijnë, janë ata që e kanë ndarë mendjen të jenë të sinqertë me vetveten dhe me bashkëkohësit, e për pasojë të jenë të larë të rrezikojnë për të sjellë diçka të re në botën shqiptare. Janë ata shqiptarë që ngrihen mbi vetveten. Një njeri i tillë nuk ka frikë as nga vdekja, e pa le më të tutet nga zelli bolshevik dhe folklori superpatriotik, siç vetëzbulohen anakronikët tanë komiko-tragjikë. Për më tepër, ai shqiptar që e ka ndarë veten nga pjesa e sëmurë e kulturës shqiptare, njëmendësisht përfton intuitën të kuptojë tertipet kultbërëse të urtiplotëve, të ustallarëve të regjur të historisë sonë të re. Si rrjedhojë, secili nga ne ftohet të rivlerësojë pozitën e  tij në vetvete e në raport me komunitetin, si qelizë e botës shqiptare në tërësi. Përgjegjësia trajtëhedhëse e një komuniteti shqiptar në Kanada, ndahet pikërisht në këtë pikë kritike.  

Shumë pak mërgata në Amerikën e Veriut kanë pasur fatin tonë, për të ndeshur kaq shpërnjohje, por dhe për të zotëruar kaq lëndë eksperimentuese, prej atdheu e bashkësish mërgimtarësh, shqiptare e të huaja. Në këtë landar shembujsh të mirë e jo të mirë, ne kemi sot të drejtën për të përzgjedhur. Ky është privilegji i brezit tonë. Le ta rrokim e le të bëjmë një fillesë të re.

[Foti Cici, 2004]    

[1] Më i ndrituri këtu është zoti Arben Kallamata, pa të cilin kjo ese nuk do të ishte shkruar.   

Published in: on at 7:07 am Comments (0)

Ndërluftimet kundër Nolit në vitet 50

Në vitin 1950 komuniteti shqiptaro-amerikan kulmoi një krizë përçarjeje, e cila u përqendrua tek personi i Fan Nolit. Konflikti, i cili ishte më tepër politik e më pak kishtar, u shkaktua nga vetë shqiptarët, të cilët kishin vite që kërkonin zëvendësimin e Nolit me një peshkop tjetër. Ata e akuzonin kryepriftin e tyre si “komunist”, duke u nisur edhe nga mëri personale, si dhe duke shfrytëzuar lëvizjen antikomuniste që përshkonte ato vite Amerikën. Në vijim, shqiptarët kërkuan ndihmën e grekëve, për të eleminuar prelatin plak.

Kjo fushatë vëllavrasëse u stimulua nga politikat që mbizotëruan në Shqipëri dhe Greqi. Në vitin 1948 qeveria komuniste kërkoi dorëheqjen e kryepeshkop Kristofor Kisit, i cili si i arsimuar e i shuguruar peshkop në Stamboll, konsiderohej si njeri i patrikanës. Në vend të tij u fronëzua kryepeshkop Paisi Pashko (Vodica), i cili nuk u njoh nga patrikana dhe admiruesit e saj. Nga kahu tjetër mbarimi i luftës civile në Greqi, kur komunistët humbën bashkë me mundësinë e pushtetit edhe shumë njerëz, mori trajtë politike të skajshme. Këto zhvillime u dhanë rast dy peshkopëve të dëbuar nga Shqipëria, Pandeleimon Kotoko dhe Evllogji Kurilla, për të propoganduar kundër komunistëve, të cilët i kishin shpallur dy filogrekët armiq, dhe të cilët mbanin “nën zgjedhë Vorio Epirin”. I shenjuar ishte edhe Noli “i kuq”, i cili mbante lidhje kishtare me sinodin e ri “antikanonik” të Tiranës.  

Mbasi disa kisha shqiptare u shkëputën nga juridiksioni i peshkop Nolit, ato kërkuan vartësi me kishën greke. Duhet të kthjellojmë këtu se atëherë kishat shqiptare nuk ishin të bashkuara, e gjithmonë nën një peshkop, gjë që u arrit vetëm kur peshkopata doli nga pavarësia dhe u pranua në juridiksionin e Kishës Ortodokse në Amerikë. Në vitet 40 kishte kisha shqiptare të cilat herë e njihnin e herë nuk e njihnin Nolin, gjë që e bënte pozitën e tij kishtare edhe më të brishtë. Patrikana dërgoi atëherë në Amerikë një peshkop shqiptar, Marko Lipen. Konflikti i viteve 50 dëshmohet ende sot me dy kisha të shkëputura nga bashkësia shqiptaro-amerikane, që i  përkasin sot juridiksionit të patrikanës së Stambollit. Prandaj dhe në këtë shkrim janë qartësuar dhe rrethanat e statusit kishtar të Nolit.   

Përgjegjësia e shqiptarëve në këtë mes është heshtur nga e kaluara, ndërsa sot disa mbijetues në diasporë kanë vendosur të historizojnë, ndoshta edhe për t’u shfajësuar. Duke parë e përjetuar gjatë viteve të fundit fenomene të njëjta, të cilat mund të shkaktojnë situata të ngjashme sot, u përpoqa të përvijoj situatën e atyre viteve, duke kryqëzuar të dhënat e kohës me njerëz të kishës, të jashtëkishës e të kundërkishës.  Kjo është arsyeja që ky shkrim do të ketë më shumë referenca nga ç’dëshiron shkruesi. 

Shqiptarë e grekë kundër Fan Nolit 

Përshtypja e brezit tonë është se shqiptarët kanë qenë gjithmonë të pafajshëm në konfliktet shqiptaro-greke, sidomos në diasporë, dhe prandaj në pafajësi duhet përvijuar dhe e ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Kur bisedat bëhen midis nesh, është e natyrshme të dëgjohen vetëm zërat tanë. Të vdekurit nuk kanë gojë, ndërsa të përlyerit e gjallë nuk flasin tjetër gjuhë veç monologut. Në rastin e viteve 50, veçse, përçarja midis shqiptarëve të Amerikës ishte ajo që shkaktoi ndërhyrjen e qarqeve greke dhe këtë përvijojnë edhe dëshmitë dokumentare. Sulmet kundër Nolit nisën dhe u rezistuan brenda komunitetit shqiptar.

Qerim Panariti (1892-1976), editor i Diellit dhe sekretar i Vatrës, si dhe një nga njerëzit e afërt të Nolit, do të citohet këtu begatshëm: “Kryqin më të rëndë që mbajti Noli mi supet e lodhura, ka qënë kryqi i Dr. John Nasse-it, banor në Southbridge [...] Më 1937 komuniteti Shqiptar i Southbridge-it u-shtua dhe u-shumëzua dhe kisha e vjetër, ngritur më 1912, ish tepër e vogël për të akomoduar një popull të math. Dr. Nasse-lojti një rol të math për ngritjen e kishës re në truallin e kishës vjetër. Mjerisht, gjithë këtë vit, Dr. Nasse-i u përfol me Nolin dhe filloj veprimtarin e tij për të gjetur një peshkop tjatër për Dioqezën Shqiptare t’Amerikës, dhe filloi punën duke i shkruar Pandelimon Kotokut të vinjë n’Amerikë të kryesonjë dioqezën në fjalë. Pandelimon Kotoku iu përgjiq se vjen n’Amerikë po ta ftonjë Noli.”[1]  

Vetëm nga ky pasazh, nga një burim shqiptar-shqiptar, pra, del se konflikti është shumë më i përparshëm sesa viti 1950, dhe fakti se një shqiptaro-amerikan, me influencë në ato vite, i bën luftë të hapur peshkopit të tij, tregon se sa të zbehta janë vlerësimet tona për Nolin e gjallë dhe ditët e tij të trazuara.  

Më vonë peshkop Kotoko ndryshoi mendje dhe shkoi në Amerikë. Fillimisht në vitin 1947, por me mision politik dhe jo kishtar. Bashkëmeshtari i tij, mitropolit Jerothé Jahopulli, ndoshta figura më dramatike e ortodoksisë shqiptare (ishte ai që së bashku me kryepeshkopin e mëvonshëm Kristofor Kisi, shuguroi Nolin peshkop, por më vonë u dëbua nga Shqipëria), i shkruan Kotokos nga Mali i Shenjtë (Athos-Greqi): 
“Mësova me gëzim se ndodheni në Amerikë, pranë bashkëpatriotit tim, mitropolitit Athinagora, me të cilin dhe bashkëpunoni për çështjen kombëtare, për çlirimin e atdheut tonë nga zgjedha e rëndë [...] I pata shkruar një letër Peshkop Theofanit (Fanolit), nëpërmjet protoprezviterit Dhim. Iliopulos, i cili m’u përgjigj dhe më dërgoi dhe njëzetë dollarë si ndihmë [...] Νë qoftë se do i Larti dhe vëllai ynë në Krishtin, shenjti i Amerikës Athinagora, lartësohet drejt fronit ekumenik, atëherë jam më se i sigurt se edhe kisha në Shqipëri do të ecë në udhën e drejtë dhe ky që shkruan do të braktisë jetën e murgut në Malin e Shenjtë. Hyrja në fronin ekumenik kalon nga presidenti i Amerikës dhe ambasadori turk atje.”[2]  

Tema jonë këtë herë nuk është patrikana dhe as çështja e zgjedhjes së hierarkëve të saj, duke përfshirë edhe peshkopët në shërbim të shqiptarëve në të kaluarën dhe sot. As kemi për qëllim të trajtojmë teologjinë e këtyre veprimeve, sendërgjitë e së kaluarës, sidomos kur i lutemi Shpirtit të Shenjtë që të kalojë më parë për ndikim e miratim nga presidenti amerikan dhe ambasadori turk. Ajo që ka lidhje me bisedën tonë është se edhe Jerotheu, i cili ishte shumë më kishtar e qëndronte politikisht larg nga Kotoko e Kurilla, e njihte mirë situatën; kryepeshkopi Athinagora, i cili ishte shqipfolës i nyjëtuar sa herë që nevojitej, u fronëzua Patrik Ekumenik në Stamboll. Kur Athinagora u ngrit në fronin e Kostandinopojës, bëri lëvizje që u interpretuan nga shqiptaro-amerikanët si tentativa përçarjeje, siç ishte dërgimi i peshkop Pandeli Kotokos.  

Jetëshkruesi i Nolit, Qerim Panariti, pavarësisht se nuk ishte në dijeni të mendësisë e të hollësive kishtare, vazhdon: “Refuzimi i Kotokut të vinjë n’Amerikë s’e dëshpëroj shumë Dr. Nassen, dhe vazhdoj vendetën kundër Nolit. Më 1949 dy priftërinj të zemëruar informuan Dr. Nassen se në Stamboll ndodhej një burrë i ri me edukatë të gjerë që munt të zërë vëndin e Nolit. Njëriu në fjalë ish Mark Lipa, i cili u-bë dhjak, prift dhe dhespot brënda një kohe të shkurtër dhe më 1950 ardhi n’Amerikë. Çuditërisht në këtë intrigë bëri pjesë dhe Presidenti Harry S. Truman duke lehtësuar hyrjen e Lipës n’Amerikë jashtë ligjit të imigracionit. Lumtërisht patriotët e Southbridge-it, kundër dëshirës të Dr. Nasse-it, refuzuan të vënë kishën e tyre nënë juridikën e Lipës. Mjerisht Dr. Nasse-i vazhdoj vendetën kundër Nolit në mënyra të tjera. Për shëmbëll, refuzoj për një kohë të gjatë të pranonjë Nolin të mbanjë meshë Peshkopale në Shën Kollin e Southbridge-it.”[3] 

Lufta kundër Nolit filloi brenda komunitetit, pra, nga vetë shqiptarët, për arsye politike e personale, kryesisht, dhe kështu i rendit rreziqet vetë peshkopi, kur vuri në dijeni përfaqësinë e qeverisë shqiptare në Nju Jork: “Po më luftojnë brenda kishës elementë ambiciozë e antikombëtarë, po më luftojnë edhe nga jashtë, nga Patrikana greke e Stambollit, e cila ka përgatitur edhe njëfarë Marko Lipa për ta bërë peshkop të shqiptarëve të Amerikës në vendin tim.”[4]  

Kjo dëshmi shënon vitin 1949, një vit para shugurimit të Marko Lipes peshkop. Pra, përçarja dhe lufta kundër Nolit ishte e tillë saqë shqiptarët kërkonin me çdo kusht eleminimin e tij, qoftë dhe duke vënë në vend të tij një djalosh që sapo kishte përfunduar studimet teologjike. Duke analizuar situatën e atyre viteve e duke pasur parasysh politikat kishtare të patrikanës, pyesim: Në qoftë se patrikana kishte plane serioze për të eleminuar Nolin, përse të mos e shuguronte Lipen në fshehtësi, dhe po kështu ta dërgonte në Amerikë?! Dëshmitë gjakftohta vërtetojnë se Marko Lipe u ngjiz si pasojë e përçarjes brendashqiptare dhe kjo përçarje ishte kaq e fortë, saqë bisedohej për vite të tëra, haptazi. Përndryshe nuk dimë nëse patrikana do të aktivizohej me shqiptarët e Amerikës. Por peshkop Noli u tregua i fortë dhe e vetmja mënyrë për ta ulur ishte ajo që Hirësia e Tij nuk e priste kurrë nga shqiptarët: Bashkëpunimi i shqiptarëve me qarqe antishqiptare.  

Përderisa Noli luftohej i kërcënuar nga shqiptarë e grekë, cilat ishin lidhjet e tij me priftërinjtë shqiptarë, vartësit e tij? A nuk duhet të ishin ata ngushëllimi i prelatit të tyre që po pleqërohej në përndjekje? 

“S’i bëjmë nonjë padrejtësi as Nolit as klerit, po të shtrojmë faktet thjeshtë në lidhje me relacionet e klerit me Nolin, të cilat, me fjalë të peshuara mirë, kanë qenë miserabile. Të gjitha andrallat që pati Noli gjatë administratës si udhëheqës spiritual i kishës, i pësoj nga një pjesë e klerit të pabindur. Kisha e Shën Trinisë që gëzon Mark Lipa sot, u-çkëput prej Kryekishës Shën Gjergji prej një prifti të zëmëruar. Shën Joan Pagëzori u-nda nga Shën Gjergji prej një prifti të pabindur. Dy priftërinj të tjerë u-bënë shkak për prurjen e Mark Lipës n’Amerikë [...] Noli si duket u-tmerrua, se iu duk sikur hunda e kamiles Greke po i qasej çadëres të kishës Orthodokse Shqiptare” [...] Konflikti i kishës Greke me kishën Orthodokse Shqiptare s’është fetar, është politike. Shqiptarët janë tepër sensitiv kur flasin për bashkim me Grekët.”[5]  

Përderisa na është imponuar, me anë të përsëritjes, se ishin grekët ata që luftonin Nolin dhe ata që sollën thyerjen e diasporës sonë, ndërsa ne kemi qenë gjithmonë viktima, habia e brezit tonë sjell pyetje që nuk kanë përgjigje: Përse shqiptarët iu drejtuan kishës greke, kur nga ana tjetër ankoheshin se qëllimet e saj ishin të dëmshme ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve? Personazhe të rrëmujave tona kishtare, të cilët konvencionalisht i quajmë autoqefalistë, janë vetëzbuluar dy vjetët e fundit të fshihen në rrethana të ngjashme, duke u orvatur të bashkëpunojnë nën rrogoz e jashtë ligjit me njerëz të kampeve që urrejnë, vetëm e vetëm për të sjellë përndotje tek ata që premtojnë ndriçimin e çështjeve të errësuara.   

Ortodoksia zyrtare dhe peshkop Theofani 

I ndodhur nën një presion të gjithanshëm e në moshë të thyer, Noli kërkoi, në pranverën e vitit 1949, ndihmën e kishës mëmë, Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, nëpërmjet përfaqësuesve të Shqipërisë në SHBA: “Tani, jo vetëm që unë po plakem shumë, po ka filluar një luftë e vërtetë nga Patrikana e Stambollit kundër meje dhe kundër kishës sonë këtu. Kësaj së keqeje duhet t’i dalim përpara. Prandaj dua që Sinodhi i Kishës Autoqefale në Shqipëri të pranojë ta njohë kishën e këtushme si degë të saj për të gjitha efektet.”[6]  

Ky ishte një hap rrezikues për vetë faktin se afiliimi i peshkopatës shqiptare në Amerikë me Shqipërinë, do t’i hapte peshkopit probleme më të vështira me qeverinë amerikane, ndërsa deri atëherë çështja ishte e zgjidhur jozyrtarisht: Noli ishte i pavarur administrativisht, ashtu si dhe njësi të tjera peshkopale ortodokse ato vite, gjë që e mbante peshkopatën larg telasheve me qeverinë amerikane, ndërsa në thelb Noli ishte në kungim me KOASH-in, gjë do ta dëshmojë dhe vetë kisha greke, siç do të përmendim më poshtë.  

Kryepeshkop Paisi, i cili ishte zgjedhur në vitin 1948, thirri kongresin kishtar në vitin 1950. “Këto ditë në Shqipëri u mblodh Kongresi i Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe, me rezolutë të veçantë, vendosi që Kisha Shqiptare e Amerikës e drejtuar nga peshkop Noli të lidhet me atë të Shqipërisë. Rezolutën ia dërgova Peshkopit, besoj edhe ju do ta shihni në Buletinin e legatës sonë dhe në shtypin aty. Uroj që ky vendim të ndihmojë në forcimin e kishës rreth Peshkopatës dhe në bashkimin e të gjithë shqiptarëve.”[7]  

Dëshmia e Behar Shtyllës kryqëzohet me nenin IX të statutit të fundit të KOASH-it, të sanksionuar në të njëjtën periudhë, ku parashikohet organizimi i diasporës në peshkopata më vete të varura nga Tirana. Në kushtet e Shqipërisë së atëhershme, nuk kishte si të parashikohej emigracioni i sotëm, por ishte fjala për shqiptarët e Amerikës. Përçarja e komunitetit shqiptar, fushata e dy peshkopëve Kurilla e Kotoko në Greqi, të cilët luteshn që mbas luftës të ktheheshin shëndoshë në Korçë e Gjirokastër, respektivisht, e të tjera, ishin të mjaftueshme për të arritur në marrëveshje të tilla midis qeverisë komuniste, kryesisë së KOASH-it, dhe peshkop Theofan Nolit. Brezi i sotëm e ka të vështirë të kuptojë lidhjen e Nolit me regjimin e diktaturës, por nëse e trajtojmë këtë çështje në planin krahasimor me kishat e tjera lindore, peshkopi shqiptar kishte dy zgjidhje: Ose të ndërpriste lidhjet me Shqipërinë, ose të braktiste priftërinë dhe Peshkopatën.  

Po kisha greke? Cili ishte qëndrimi i saj ndaj Nolit? Profesori i historisë kishtare në Universitetin e Selanikut, Apóstolos Glavinas, të cilin cituam më sipër, ka shkruar një vepër unike mbi historinë tonë kishtare, më e plota që ekziston, por nga pikëpamja e njëanshme. Nuk ka nevojë për përsiatje se përse në botimin e katërt të përpunuar të kësaj historie kishtare, termat mbi Nolin nuk kanë ndryshuar. Duke mos etiketuar qëndrimin e tij anëcak, Glavinas e trajton fare kështu temën e përçarjes së shqiptarëve në Amerikë:  
“Më 31 gusht 1950 Patrikana Ekumenike zgjodhi arqimandritin Marko Lipe si peshkop asistent të kryepeshkopit të Amerikës, me titullin Peshkop i Lefkës. Marko ishte shqiptar dhe kuptohet se ai do t’iu shërbente shqiptarëve të Amerikës, të cilët ishin kundërshtarë të regjimit komunist në Shqipëri. Por ky emërim shkaktoi zemëratën e peshkopit shqiptar Theofan (Fan) Noli, i cili banonte në Amerikë dhe ishte udhëheqës i shqiptarëve ortodoksë të atjeshëm. Theofan Noli nxitoi menjëherë të vërë në dijeni Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe primatin e saj, kryepeshkop Paisin, me të cilin ishte në kungim.”[8] 

Vetëm nga ky vlerësim lakonik i profesorit, i cili në raste të tjera është tejshtjellues në çështjet shqiptare, edhe atëherë kur nuk është e domosdoshme, burojnë shumë të vërteta; ja disa prej tyre: 
1. Kisha e Madhe e Krishtit, Patrikana Ekumenike e Kostandinopojës, sipas Glavinës, i ndan anëtarët e kishës ortodokse në komunistë dhe antikomunistë, duke shfrytëzuar përçarjen e shqiptarëve.
2. Burimet zyrtare greke ua fshehin bashkëkohësve të vërtetën se Marko Lipe ishte laik/civil dhe u shugurua dhjakon, prift dhe peshkop si rrufe, duke tejkaluar ligjet kanunore. Nëse kjo shkelje duhej pranuar, me praktikën e ekonomisë kishtare, atëherë përse sinodi i KOASH-it nuk shuguron sot dy klerikë ose laikë nga ata që posedojnë në Shqipëri, qoftë dhe me aftësi të kufizuara, për të plotësuar dy mungesat në peshkopë që ka kisha ortodokse në Shqipëri? Çfarë arsyeje pritet për një ripërdorim të ekonomisë kishtare tek shqiptarët, kur ajo është përdorur më parë për t’i përçarë ata? Një qëndrim i tillë sot, sidomos mbas ndonjë ndryshimi të beftë, mbart premisat për ta çuar KOASH-in sërish në vitet 30.
3. Peshkop Theofani ishte në kungim me kryepeshkop Paisin, të cilin patrikana nuk e njihte për kanonik. Pra, Noli ishte njësoj “antikanonik” sa gjithë peshkopët e tjerë shqiptarë të atyre viteve, përveç hierarkëve të shuguruar nga patrikana.  

A ishte ky fakt legjitim që kisha ortodokse ta hiqte qafe Nolin, mbas largimit të kryepeshkop Kristoforit? Por a nuk ishte Kristofori ai që bashkëshuguroi Nolin peshkop në vitin 1923, me mitropolit Jerotheun, që të dy të ardhur nga patrikana? Le të ndjekim vijimin e ngjarjeve përmes dëshmive të qëmtuara. Kryepeshkop Paisi, i bindur nga të dhënat e mitropolit Theofanit, dhe i nxitur nga qeveria si dhe ngjarjet që pasuan mbërritjen e peshkop Markos në Boston, protestoi tek të gjithë primatët e kishave ortodokse, duke e nisur me patrikun e Rusisë:  

“Këto aksione të Patrikanës Ekumenike kanë për qëllim të thyejnë unitetin kishtar e kombëtar të shqiptarëve ortodoksë në Amerikë, duke iu shërbyer në të njëjtën kohë interesave armiqësore të shovinizmit grek, të cilat i kundërvihen të drejtave kishtare e kombëtare dhe interesave të kishës ortodokse autoqefale shqiptare dhe të popullit shqiptar [...] Në emër të Sinodit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të klerit dhe popullit të saj, protestoj me indinjatë dhe i lutem Patrikanës Ekumenike t’iu japë fund veprimeve të tilla, të cilat përdhosin parimet e Kishës Ortodokse Lindore dhe miqësinë e vëllazërimin midis popujve. Gjithashtu kërkoj nga Patrikana Ekumenike, të rishikojë dhe të anullojë vendimin e paligjshëm mbi caktimin e Marko Lipes si peshkop i kishës ortodokse shqiptare në Amerikë. Në të njëjtën kohë, iu lutem nxehtësisht gjithë patrikëve të hirshëm të Kishës Ortodokse për të ndërmjetësuar e kërkuar nga Patrikana Ekumenike ndaljen e veprimeve armiqësore dhe kthimin tek udha e fesë së vërtetë ortodokse.”[9]  

Patriku Aleksej i Moskës i përgjigjet sivëllait të tij primat dhe kjo ngjyron një situatë të re ndërkishtare. Përderisa patrikana e Stambollit nuk e njihte kryepeshkopin e ri të Shqipërisë, kishës ruse i ishte dhënë rasti i amësisë honorale: 
“Fortlumturi! Kisha ortodokse ruse bashkon zërin e saj me ankesën e Fortlumturisë Suaj, kundër ndërhyrjeve të fronit patriarkal të Kostandinopojës në të drejtat kanunore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. [...] Një shkelje e tillë, nga ana e fronit të Kostandinopojës në të drejtat e kishës shqiptare, nxin unitetin dhuntishpirtëror të Ortodoksisë. [...] Kisha ruse ngre zërin e saj për të mbrojtur të drejtat kanunore të kishës ortodokse shqiptare, për më tepër se vetë kisha ruse është bërë pre e veprimeve antikanonike të fronit të Kostandinopojës gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit.”[10] 

Ngadhënjimi i prelatit 

Megjithëse peshkop Marko Lipe u vendos në SHBA, ai nuk mundi të sendërtojë planet e shqiptarëve për zëvendësimin e Theofan Nolit. Shkëputja e dy kishave shqiptare dhe futja e tyre nën juridiksionin e kishës greke, megjithëse dëshmon një thyerje të bashkësisë shqiptare, u trajtua si “shpëtim” dhe madje peshkopi plak rrëfen i gjysmargëtuar tek Behar Shtylla:  
“Edhe kishën shqiptare, edhe mua vetë nuk na kursyen. Sebep e dyfek me çark kundër kishës dhe kundër meje u bë çështja e Marko Lipes. Ky i mjerë u bë vegël qorre e Patrikut grek, duket iu rrit mendja si bretkocës së përrallës, por edhe këtu, për fat të keq, u gjendën ca shqiptarë të molepsur që e përkrahën. [...] E gjithë kjo manovër për të sjellë Marko Lipen në krye të kishës shqiptare të Amerikës dështoi dhe u dërrmua. Shpëtoi kisha, shpëtoi dhe kollonia dhe e ardhmja e shqiptarizmës në Amerikë.”[11] 

Kjo nuk do të thotë se fushata ndërluftuese kundër Nolit mori fund. Termat u ndërsollën. Mbasi dështoi eleminimi i mitropolitit, peshkop Marko kërkoi të pranohej dhe të futej në peshkopatën e Nolit:  
“Në vitin 1963 një shoqatë shqiptare, “Albanian Veteranës, u-shtynë prej klikës së Mark Lipes që të mbajnë dy mbledhje për të prurë Lipën në Kishën Shqiptare autoqefale. Veteranët hoqnë dorë kur kuptuan intrigën e Grekëve.”[12] Po këtu, i njëjti dëshmues, Qerim Panariti, shkruan se kisha greke kërkoi bashkëpunimin e tij, nëpërmjet një avokati grek, për të ndërhyrë tek Noli mbi pranimin e Marko Lipes në gjirin e peshkopatës. Pra, problemi tashmë trajtohej se çfarë do të ndodhte me komunitetin shqiptar mbas Nolit. Por një pyetje ka mbetur pa përgjigje nga ana e kishës greke: Si do të bashkëmeshonte peshkop Marko me peshkop Theofanin, kur ky i fundit ishte “antikanonik”? Një akt i tillë, bashkëmeshim me klerikë jokanonikë, është standard i dyfishtë për praktikën e kishës ortodokse.    

Nga njëra anë kërkohej të bashkonin Nolin me Lipen, ndërsa nga ana tjetër nuk e pranuan atë tek sinodi i peshkopëve ortodoksë kanonikë të Amerikës, i cili ishte krijuar në vitin 1960. Nuk e pranonin pikërisht sepse prania e Marko Lipes në kishën greke, e cila kryesonte këtë forum, vinte në konflikt me ekzistencën e Nolit në SHBA, pavarësisht se në realitet duhet të ishte e kundërta: Peshkop Theofani parabaritonte në Amerikë. Mospërfshirja në SCOBA, siç quhet sinodi i peshkopëve kanonikë, ishte ndoshta brenga më e madhe e Nolit. Ai punoi e ëndërroi kaq shumë për ortodoksinë amerikane, por më në fund mbeti jashtë nusërores.  

Nuk dimë me saktësi se çfarë ndiente Noli në thelb dhe se ku fillonte e ku mbaronte emocioni. Në një letër drejtuar prelatit rus të Amerikës, ai shfaqte dikur vizionin e tij për strukturën e një kishe ortodokse amerikane autoqefale, e cila Kishë a Patrikanë duhet të përjashtonte nga kryesia kishën greke. Edhe kur kjo filloi të strukturohet nëpërmjet forumit SCOBA, kryetar i të cilit u caktua kryepeshkopi grek, Noli, nisur vetëm nga ky fakt, vazhdonte të përfliste bashkimin e ortodoksëve amerikanë. Parashikimet noliane se SCOBA është plani “grek” i amerikanizimit, nuk mbështeteshin asgjëkundi, përveçse në ndjenja emocionale. Veçse asnjë kishë tjetër etnike në SHBA - që të gjitha më të fuqishme se ajo shqiptare - nuk kishin arsye të ngjashme me Nolin tek kundronin kishën greko-amerikane.  

Mosnjohja e peshkopit, nga kahu tjetër, lëvizte në një nivel legalistik, sesa legal, sidomos kur bëhet fjalë me termat e peshkopatit grek. Behar Shtylla shënon në ditarin e tij, se në vitin 1956 dëgjoi Zërin e Amerikës, një lajm, pra, ku Noli bashkëmeshonte me klerikë të disa juridiksioneve kishtare ortodokse: “Në qytetin Bridgport u mbajt një ceremoni fetare ku morën pjesë mbi 600 vetë, shqiptarë, rumunë, rusë, sirianë etj. Peshkop Noli [...] udhëhoqi meshën i ndihmuar nga priftërinj rusë, karpato-rusë, rumunë, shqiptarë, sirianë.”[13] E pra, cili peshkop ortodoks i lejon priftërinjtë e tij të bashkëmeshojnë me një peshkop të paligjshëm?  

Edhe pse në ditët e Nolit në Amerikë kishte mjaft hierarkë të pavarur, njiheshin peshkopët që posedonin në kryepriftërinë e tyre të pacënuara procedurat e trashëgimisë, aq më tepër për një peshkop si Theofani, i cili e kishte marrë hirin e kryepriftërisë nga vetë hierarkët e Patrikanës, në vitin 1923. 

Mbasi sollëm këtu dëshmi të asaj kohe, duke ndriçuar aspekte të pashtjelluara të jetës kishtare të Fan Nolit, na mbetet tashmë të shohim çështjen e pavarësisë së tij kishtare. Kjo është një nga akuzat që përdoret shpesh kundër tij: Marko Lipe ishte i patrikanës, ndërsa Noli ishte i pavarur dhe si rrjedhojë “i paligjshëm”. Noli mund të ishte i izoluar si peshkop, për arsye më se të justifikuara atëherë, por kur ky nisi priftërinë, shumë priftërinj grekë silleshin ato dhjetëvjeçarë nëpër Amerikë si të pavarur, përderisa vetëm rusët kishin prani peshkopale në Amerikën e Veriut, ndërsa kisha greke vetëm në vitet 20 u organizua në kishë kanonike, me peshkop të caktuar nga patrikana (Ende sot ekzistojnë në SHBA e Kanada, mbetje të asaj periudhe kishtare, me peshkopë e priftërinj të pavarur).  

Duke vijuar në shënimet e Behar Shtyllës, për çështjen e afiliimit të Nolit me Tiranën, si shpjegohet që KOASH-i vendosi ta fusë peshkopatën e Amerikës nën juridiksionin e saj në vitin 1950, siç përshkruam më sipër, por në realitet kjo nuk ndodhi? Sepse rezoluta u miratua me kërkesën e vetë peshkop Theofanit dhe iu përcoll këtij nga përfaqësia e qeverisë shqiptare. Përse jo atëherë? 

“Disa herë kuvendi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë ka diskutuar çështjen e bashkimit me Kishën Autoqefale të Shqipërisë. Ai arriti në përfundimin se rrethana politike tej kontrollit të tij e bëjnë të pamundur këtë bashkim. Madje ai mendon se edhe sikur gjendja ndërkombëtare të ndryshojë, nuk do të ishte e këshillueshme që peshkopata e Amerikës të vendoset nën juridiksionin e një kishe mëmë jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas traditës ortodokse të Lindjes, duhet që çdo shtet i pavarur të ketë një kishë ortodokse të pavarur, prandaj duhet të formohet një patrikanë ortodokse amerikane, e cila të përmbledhë të gjitha grupimet ortodokse të këtij vendi. Kurdoherë që të organizohet një strukturë e tillë, kisha ortodokse shqiptare në Amerikë do të ishte e lumtur të bëhej pjesë e saj, së bashku me grupimet e tjera ortodokse.”[14] 

Me këto fjalë të peshuara e të qarta, Noli na thotë gjithçka për motivimin e “pavarësisë” së tij kishtare. Marko Lipe nuk mundi ta pushtojë peshkopatën, veçse të thyejë një pjesë të vogël të saj. Rrjedhimisht, ngurrimi i Nolit për t’u afiliuar me Tiranën në fund të viteve 40, u shtua mbas ardhjes së Lipes dhe dështimit të tij në Amerikë, në fillim të viteve 50. Për më tepër, dhe kjo është arsyeja më e fortë, kjo ngjarje përkoi me shtimin e lëvizjes antikomuniste në SHBA, nga e cila rrezikohej peshkopi, siç u sulmua në shtyp më vonë, dhe madje u thirr në pyetje nga autoritetet amerikane. Por kishërisht, në një perspektivë thelbësisht ortodokse, ai ishte dhe mbeti në kungim me KOASH-in, kishën autoqefale që pati bashkëthemeluar në vitin 1923, pavarësisht nga trajta e pavarësisë administrative.  

Para se të mbyllte sytë, në vitin 1965, ai dërgoi në Tiranë At Stefan Laskon, i cili u shugurua peshkop dhe u kthye në Boston, në këmbë të parardhësit dhe atit të tij shpirtëror, Theofanit. Dhe ky fakt ortodoks është kryeshenja që mbron statusin peshkopal të Theofan Nolit, i cili mjerisht përgojohet sot nga klerikë të përvojës e rishtarë kishëzues.    

Kur Vatra po hapte një fushatë për të blerë një shtëpi për peshkopin, një përikje pune për plakun e pashteruar në krijimtari, mjaft shqiptarë patriotë e luftuan. “Shumë prej atyre që derdhin lotë krokodili sot për Nolin, si për shëmbëll, udhëheqësit e Organizatës ‘Shqipëria e Lirë’, jo vetëm që refuzuan të ndihmojnë, po e lëftuan fushatën me çdo mënyrë. Fjalët Shqip: ‘Vdis pa të të dua’ aplikohen një qint për qint në këtë rast.”[15] Fushata kundër Nolit, e cila filloi në nivele personale e politike brenda komunitetit shqiptar në SHBA, dhe që u zhvillua në mënyrë ndërluftuese, duke kryqëzuar pasione njerëzore, sidomos hakmarrje, e interesa politike, shqiptare e të huaja, mori gjatë udhës një trajtë kishtare, e cila, nëse shihet në mënyrë të paanshme, ngre lart një figurë të madhe, Fan Nolin, dhe ul shumë shitblerësit e virtytit të munguar: Mirëkuptimi dhe pranimi i diferencave brendashqiptare.  

Noli është kaq zotërues saqë nuk ka nevojë për pasthirrmat banalizuese të të pathirrurve. Jeta dhe vepra e tij kërkon nga brezi i pasdiktaturës që të nxjerrë mësime të vlefshme për të zgjidhur situata të ngjashme, nga njëra anë, dhe për të këmbëngulur në risimin e mendimit shqiptar, nga ana tjetër. Noli është didaktik për të mos i mëshuar më përçarjes së shkaktuar nga mendësitë e tejkaluara. Fan Noli, Plaku i Amerikës, nuk përdori shpifje e denigrime për të mposhtur ata që nuk pajtoheshin me qëndrimet e tij, siç po ndodh sot në komunitetin shqiptaro-amerikan. Individë që e kaluan gjithë jetën në enigmë, që kishin harruar se ishin shqiptarë, që nuk shkuan as në varrimin e Nolit, që nuk dihet mirë se me se u morën gjithë jetën, sidomos kur rronte Noli, dolën këto vitet e pleqërisë e të shpresës, për të na bërë kanunin e shqiptarisë. 

Fan Noli, me të njëjtën mënyrë që kishte altarizuar “lirinë e mejtimit”, po ashtu kishte kryelartësuar edhe debatin prodhimtar, i mohuar sot nga personazhet që mëtojnë të influencojnë në çështjet e ortodoksisë shqiptare. 

[Foti Cici, 2003]



[1] Qerim Panariti, “Noli: Princ i pakurorëzuar i Rilindjes Shqiptare”, Fan S. Noli, Albumi II, f. 106-107.   
[2] Letër e mitropolitit të Militupojës Jerothé, 15 gusht 1947, cituar nga Apóstolos Glavinas, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë (Απόστολος Γλαβίνας: Η Ορθόδοξη Αυτοκέφαλη Εκκλησία της Αλβανίας), 1998, f. 122-123.
[3] Qerim Panariti, Albumi II, f. 107. 
[4] Behar Shtylla, Fan Noli siç e kam njohur, 1997, f. 96. 
[5] Qerim Panariti, Albumi II, f. 101-102.
[6] Behar Shtylla, Fan Noli siç e kam njohur, f. 94. 
[7] Po aty, f. 94-95.
[8] Apóstolos Glavinas, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, f. 128-129.  
[9] Po aty, f. 129-130.
[10] Po aty, f. 130-131. Patrikana greke e Stambollit përmendet tri herë në këtë fragment të shkurtër, por jo si Ekumenike, pikërisht se Patrikana e Moskës e thërret kishën në fjalë thjesht si Patrikana e Kostandinopojës, duke mohuar kështu tendencën e Fanarit për të hegjemonizuar, gjithmonë nëpërmjet shtesës-kurth Ekumenike.
[11] Behar Shtylla, Fan Noli siç e kam njohur, f. 98.
[12] Qerim Panariti, Albumi II, f. 103.
[13] Behar Shtylla, Fan Noli siç e kam njohur, f. 101.
[14] Metropolitan Fan S. Noli, Fiftieth Anniversary Book of the Albanian Orthodox Church in America, f. 22.|[15] Qerim Panariti, Albumi II, f. 105. 
 

Petro Luarasi: ndriçim, opinion, përndjekje

Ta begatojmë gjuhënë edhe kombin tënë me kulturë dhe qytetërim (Luarasi, 1911)  

Kur dëgjohen emrat e të parëve të kombit shqiptar, atje ku është mbishkruar dhe Petro Luarasi, duket sikur bashkëmoshatarët e mi sillen vringthi para një imazhi fotografik bardhezi, në një afri të njëqenshme me tekstet e hershme shkollore, tej ronitjes së kohës. Nëse librat pak më të vjetër kanë përdorur një foto tjetër, brenda grupmoshave të këtij brezi, tek i njëjti hero mund të ketë edhe shpërfytyrime shëmbëllesash. Ndonjëherë këto janë të qëllimshme, aq sa pikëzohen atje përplasjet pamore në art, me konfliktet e tipareve të etërve. Për shembull, fotoja e Nolit në tekstet e vjetra shkollore ishte e një burri të pashëm (në një foto të përpunuar) pa mjekër, me kollare të bardhë, me një buzëqeshje të lexuar këndshëm, humaniste, dhe kështu mbeti te kujtesa e më të vjetërve, siç rrëfehen ata sot në shtyp, me hiret e pleqërisë së mirëpritur. Ndërsa tek ne më të vonët, Fanoli u fytyrua me mjekër të madhe, të zezë, revolucionare, dhe meqë ato vite në Shqipëri mjekra ishte njësoj e ndaluar si droga, buzëqeshja brenda dendurisë së grezhës, bërë njësh me mustaqet e mëdha, nuk shquhej prej nesh, nuk mund të përkthehej. 

Në rastin e Petro Luarasit gjithë sendet janë ndryshe. Tingëllima e emrit të tij nuk mundi të na përcjellë asnjë imazh kaq të ngrirë fotografik, sepse mitologjia nacionalkomuniste bëri diçka më të madhe: Sa herë që dëgjohet emri i Petro Ninit, edhe pse shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk e ka lexuar atë (në kundërtí të Nolit, që të gjithë kanë lexuar diçka prej tij), ne na vjen ndërmend një fytyrë e zverdhur nga helmimi, me tipare të pashquara të një skene mortore, me ritualin e mbivarrshëm të juglindjes, ku ritmi i kujtesës kulturore zbardhëllen shëmbëlltyrën e lëverdhur të heroit, përdrejt ngjyrës së gëlqertë, duke gëluar zbehjen e pamjes me klithmat: “Kolera, kolera…”.  

Më 15 gusht 1886, Petro Luarasi nisi të predikojë ungjillin shqip në kishë, në fshatin e vendlindjes, ku shërbente si mësues i sponsorizuar nga një institucion grek. Pak më parë ai pati përkthyer e futur për përdorim në kishë disa lutje shqipe (Asokohe, e deri në vitet 1920, kisha vendore kishte shkarë dhe besonte se shqiptarët nuk kishin arsye të luteshin në gjuhën e tyre). Një vit mbas kësaj, gusht 1887, mitropoliti i Kosturit, Kirili, e shkishëroi dhe e mallkoi ndriçimtarin. Mbas disa vjetësh, 20 shtator 1892, pasardhësi i Kirilit, Filareti, shpalli qortimin e letrave shqipe dhe meshoi sërish shkungimin e Petro Luarasit dhe të familjes së tij. U burgos dy herë, ndërsa herën e tretë përiku për katër vjet në SHBA, ku ishte bashkëthemelues dhe psallt i kishës së parë shqipe atje, në vitin 1908, nga ku u kthye të përfundojë misionin në Shqipëri. Në vitin 1911, mes një persekutimi të egër, nën arrestime e hetime të njëpasnjëshme, ai botoi veprën Mallkim i shkronjavet Shqipe dhe çpërfolja e Shqipëtarit.[1] Që nga gushti 1886 e deri në gusht 1911, Petroja përmbushi njëzetë e pesë vjet aktivitet ndër shqiptarë; mision fetar dhe kulturor.   

Sot, në 94-vjetorin e fjetjes së Petro Nini Luarasit (17 gusht 1911), pyetje mbas pyetjesh presin e shtrëngojnë. Sa është e vërtetë, e sa është e mitizuar nga kalesa e tij në historinë tonë? Çfarë rëndësie ka ky personalitet për brezin e sotëm? Çfarë vlere kanë shkrimet e tij? A po mos vlerat e dëshmorit janë tej teksteve të tij? Për më tutje, si mund të ftillohet dikush publikisht për Petro Luarasin, kur kisha ortodokse shqiptare nuk i ka kërkuar ende ndjesë atij, për përndjekjet që i shkaktoi, dhe madje nuk e përkujton fare atë, as në atdhe e as në diasporë?   

Duke iu bindur rrezikshmërisë që shkaktojnë këto pyetje ndaj të gjallëve, përse të jetë rrezikuese kur thërrasim të vdekurit e rajonit?          

Krisma në hyjnajë 

Shtypi i hershëm shqiptar shkruante se kur mitropoliti i Kosturit bëri një udhëtim shërbese në Kolonjë, tha: “Këtu të gjithë janë besnikë te patrikana dhe helenizmi. Vetëm një kemi që na turbullon punët e na sjell ngatërrime. Ky është Petro shqiptari nga Luarasi, por dhe këtë së shpejti do ta  ndreqim.”[2]  

Sado e letrarizuar të jetë kjo dëshmi, marrë nga shtypi ynë fillestar nën hijen e Turqisë, atje ndijojmë realitetin e asaj periudhe historike, e cila nuk ishte dhe aq ndryshe me sot, sidomos nën shkëlqimin e manipulimit të mendjes, teksa rrymat kulturore mbi kombin e kombësinë dolën më të forta se subjektet romase të perandorisë otomane. Por në një këndvështrim jo shekullar, mund të gulçojë dikush: Sa bukur që i shkonin punët ortodoksisë shqiptare atëherë! Besimtarët ishin të varfër, më keq se sot, por ama kishin pafajësinë, e cila i shëronte të gjitha; thelbin e adhurimit e ndienin më hirshëm, sepse greqishtja i çonte në qiellin e shtatë, me misterin e saj të pakuptueshëm; priftërinjtë ishin të paarsimuar mirë, por qenë më besnikë, e të tjera të vërteta. Sa më pak ndërlikime, pra, aq më pak dhimbje, e sa më shumë dituri, aq më shumë telashe…  

Hierarkia ortodokse, e cila gëzonte herë nxitjen e herë mbështetjen e qeverisë turke, ndjente siguri në shërbesë, ndërsa vetë grigja tregonte bindje e bashkëveprim. Ndoshta ishte solidariteti fetar, si detyrim i ndërsjelltë për plotëri të besimit ortodoks? Këtu ndizej më shumë konflikti gjuhësor me të folmet e rajonit, kryesisht me “banalitetin” e greqishtes së re, por tashmë dhe me shqipen e “dialekte” të tjera të rajonit të Ballkanit, të cilat mëtonin të zëvendësonin “gjuhët hyjnore”. Me këtë tymnajë folklori ishte njësuar udhëheqja kishtare, aq më tepër kur hyjnaja e gjuhëve të vjetra shërbente interesat universaliste të perandorisë otomane, për të mbikëqyrur në paqe kulturat e mileteve shumëgjuhëshe.  

Përndjekjet ndaj këtyre veprimtarëve të ndriçuar, klerikë e laikë ortodoksë, të cilët përfaqësonin një lëvizje në thelb spirituale, me disa parelelë njëherësh, por me platforma të kthjellëta përkthimore, çuan në përndjekje, burgosje e deri në vdekje. Fryma e risuesve u ndijua demoniake, opinionet e tyre tingëlluan si luftë kundër krishtërimit lindor, ndërsa shkëmbimet e intelektualëve ortodoksë me ata perëndimorë u konceptuan si lidhje hafijesh.  

Në rastin shqiptar, ajo që kërcënonte strukturën e ortodoksisë vendore, nuk ishte ndërhyrja e shqiptarëve jo ortodoksë në çështjet kishtare, të “polemëve të krishtërimit”, të cilët nuk priteshin të çmonin një institucion ortodoks spiritualisht të fuqishëm. As bëmat e shqiptarëve ortodoksë jashtë Shqipërisë shkaktonin shtrëngesa, sepse imazhi i mërgatave nuk frikësonte, ngaqë një koncept i tillë atëherë nuk ekzistonte, ndërsa rrjedhjet grupore të vendorëve “në dhé të huaj” besoheshin e uroheshin si të përkohshme. Kalimtaria e mërgimtarëve nuk ishte e zonja të ndikonte në atdhe, pa fuqinë e virtualitetit të sotëm, përderisa rajoni nuk kishte pasur precedentë influence tej gjeografisë. Frika kishte bërë çerdhe tek të shqetësuarit, duke përgjuar formulimet kishtare të shqipfolësve, brenda territorit të Kishës, prandaj dhe dridhej hierarkia. Problemi ishte me ata ortodoksë që mërgonin nga rajoni, fizikisht a shpirtërisht, sepse bashkë me pafajësinë ata humbisnin dhe drojën. Po sikur të shkodizonin lojën e manipulimit?   

Brenda kësaj paqeje të dekretuar në enciklikë, e jo në frymë, merita e Petro Luarasit ishte parësisht tek zgjimi e ndriçimi i tij, pastaj te këmbëngulja për të formuluar mendimet brenda përvojës fetare, por sidomos te guximi për t’i rrëfyer ato botërisht e gjer në fund. Kërkohej kapërcimi i së tashmes, pa shkelur bashkëkohësit dhe vlerat e tyre të larmishme. Mbi të gjitha, madhërohej aspirata e risimit në botën shqiptare, tek e cila Petro Luarasi ndjente të pashmangshëm martirizimin që e priste dita-ditës. Atëherë kur rrëshqiste hierarkia. Predikues për jetën, por me kujtesë vdekjeje, kishte kurajën e madhe të rrëfimtarisë, e cila i falte ndjeshmërinë për të rrokur të vërtetën, për të ndijuar thelbin e sendeve shqiptare ortodokse, për të përjetuar në pikën më të brendshme të njeriut të përvuajtur këtë realitet të zhdrejtë kulturor. 

Në krishtërimin lindor, laikët kanë një traditë të lashtë përfshirjeje e